Pashtriku.org, 20 shtator 2017: Siç ka argumentuar edhe Dan Hind, kërcënimi kryesor ndaj vlerave iluministe nuk buron nga feng shui, besimi shërues, relativizmi postmodern apo fundamentalizmi fetar. Si zakonisht kërcënimi ndaj vlerave të iluminizmit buron nga disa fryte të vetë iluminizmit, i cili ka qenë gjithnjë armiku më i keq i vetes së tij.
Gjuha e iluminizmit është rrëmbyer nga makutëria e korporatave, shteti policor, shkenca politikisht e kompromentuar dhe ekonomia e luftës së përhershme. Individualizmi ekonomik i shtresës së mesme, të hershme dhe të iluminuar, ka prodhuar korporatat e stërmëdha që shkelin mbi të drejtat e grupit dhe të individit, duke formësuar fatet tona pa llogaridhënien më të vogël popullore.
Në ditët tona, Shteti liberal i cili, ndër të tjera, u formua që të mbronte lirinë individuale, ka lulëzuar në një shtet survejimi (vëzhgimi). Racionaliteti shkencor dhe liria e hetimit janë shfrytëzuar për të përmbushur qëllimet e fitimit komercial dhe armëve luftarake.
Terry Eagelton
Një prej arsyeve qendrore përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklarur një luftë të hapur mbi terrorizmin është të siguroj një rrjedhje të pafund përfitimi për një numër të madh të korporatave të saj. Mirëbesimi i iluminizmit tek paanshmëria e arsyes ka rënë deri në shkallën e punësimit të shkollarëve dhe ekspertëve për të përhapur propagandën shtetërore dhe atë të korporatave. Liria e shprehjes kulturore ka kulmuar në lajmet plehra, retorikisht ideologjike dhe të menaxhuara politikisht si edhe nga mediat masive të nxitura nga fitimi.
Egoizmi racional apo i iluminuar sjell me vete irracionalitetin e shpërdorimit, papunësinë, pabarazinë e neveritshme, reklamat manipuluese, akumulimin e kapitalit thjesht për hir të akumulimit, dhe varësinë jetës nga luhatjet e rastësishme të tregut. Po ashtu ai sjell me vete kolonializmin dhe imperializmin.
Individualizmi politik, i ideuar për të na ruajtur nga paturpësia e pushtetit, rezulton në një atrofizim të solidariteteve sociale. Projekti vital i iluminizmit për të kontrolluar natyrën, i cili na çliron nga të qenit viktimat e shtypura dhe të goditura të ambientit, ka rezultuar një një ndotje globale të planetit. Duke e shpallur botën si pronë tonën ne kemi përfunduar duke zotërur thjesht një grumbull materieje të pajetë. Duke pohuar shpirtin tonë të lirë ne i kemi reduktuar trupat tanë në ingranazhe të një mekanizmi.
Doktrina e universalizmit, e cila në kulmin e saj donte të thoshte që çdokush ka të drejtën të dëgjohet pavarësisht se kush janë, në ditët tona për disa do të thotë se Perëndimi është bartësi i vetëm i vlerave universale. Vizioni i guximshëm i internacionalizmit është përjashtuar kryesisht nga koncepti i globalizimit, që do të thotë e drejta e kapitalit për të ushtruar pushtetin e tij sovran kudo dhe mbi këdo që zgjedh.
Ndër të tjera, barazia ka marrë kuptimin e mundësisë së barabartë për të mposhtur apo shfrytëzuar të tjerët në treg. Kritika këmbëngulëse ndaj mitit dhe supersticionit ka degjenuar në një scienticizëm pagjak për të cilin asgjë nuk duhet marrë seriozisht nëse nuk nxitet apo stimulohet në laborator. Imperativi Kantian për të pasur kurajon për të menduar në mënyrë autonome ka përfshirë një mospërfillje përbuzëse për burimet e traditës dhe një pikëpamje infantile ndaj autoritetit si në thelb shtypës.
Ekziston edhe një tjetër mënyrë se si vlerat e iluminizmit kanë rënë në kundërshtim me veten. Kjo konsiston në faktin se ndonjëherë akti i mbrojtes së këtyre vlerave është bërë i padallueshëm nga akti i shkeljes së tyre. Për të na shpëtuar nga një komunizëm që do të konfiskonte liritë tona, Perëndimi ka sponsorizuar një regjim të vrazhdë autokratik pas tjetrit. Në mënyrë që terrorizmi islamik të mos minojë liritë qytetare amerikane, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur peshën e vet pas shpërbërjes së këtyre lirive në Arabinë Saudite, Uzbekistan, Pakistan dhe një sërë regjimesh të tjera tiranike. Në këtë botë Orwelliane, mënyra më e sigurt për lirinë duket se është trajnimi i skuadrave të vdekjes dhe armatimi i diktatorëve. Shtetet e Bashkuara kanë një politikë afatgjatë të mbështetjes së monarkive teokratike në emër të jetës, lirisë dhe ndjekjes së lumturisë.
Forcat e së djathtës së krishterë, larg së qeni një moçal i vogël irracionalizmi që presin momentin për tu fshirë nga përparimi i papërballueshëm i Arsyes, janë bërë pjesë përbërëse e mënyrës së të funksionuarit të sistemit politik amerikan. Kjo, në një aleancë të ndyrë ndërmjet predikuesve, lobistëve, biznesmenëve, teleevangjelistëve, agjentëve të pushtetit në Washington dhe politikanëve të spektrit të djathtë politik.
(Fragment i shkëputur nga libri i Terry Eagelton, “Reason, Faith, & Revolution Reflections on the God Debate” (New Haven and London: Yale University Press, 2009), f. 71-73 – Përktheu: Rezart Beka)
_______________
Terry Eagleton: Why is God for Christians Good for Nothing?
Terry Eagleton: “The Death of Criticism?”