THANAS L.GJIKA: SHQIPËRIA E VËRTETË NDËRTOHET ME NJË STRATEGJI MBARËKOMBËTARE

Boston, SHBA: 19 shtator 2018: Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nuk mundi ta realizonte qëllimin e saj final për të krijuar shtetin e pavarur kombëtar, pra për të krijuar Shqipërinë e vërtetë, ku të përfshiheshin gjithë trojet që banoheshin në shumicë prej popullit shqiptar. Kjo fatkeqësi na erdhi si pasojë e këmbënguljes së diplomacisë cariste ruse për krijimin e një shteti sa më të vogël shqiptar dhe të një shteti sa më të madh sërb në Ballkan. Kështu u imponua diplomacia europiane më 1913 për të krijuar një Sërbi të madhe që përfshiu toka ku kishte vetëm një ose disa familje sërbe, madje edhe qytete ku nuk kishte fare familje sërbe, si ishin qytetet Tetovë, Strugë, Ohër, Manastir, Prilep, etj. Synimet ruse i mbështeti diplomacia franceze dhe kështu aleatët e popullit shqiptar Austro-Hungaria dhe Italia u detyruan të pranonin krijimin e një shteti shqiptar gjysmak, Shqipërinë londineze. Pra diplomacia europiane në vitin 1913 krijoi dy shtete të pavërtetë: Sërbinë e madhe ku u përfshinë shumë territore që nuk banoheshin prej popullit serb dhe nuk i takonin Serbisë, dhe Shqipërinë gjysmake, ku u përfshinë gjysma e territoreve të banuara prej popullit shqiptar.
Populli shqiptar, sidomos gjysma e tij që kaloi nga zgjedha osmane tek zgjedha sërbe, nuk u pajtua me këtë zgjidhje kriminale, prandaj që në vitin 1913 e deri më sot ka zhvilluar e zhvillon pandërprerje një lëvizje atdhetare në dy drejtime: nga njëra anë luftë me armë dhe nga ana tjetër propagandë për të bërë të ditur faktin se populli shqiptar që iu dha Serbisë ishte popull jo sllav i cili nuk po i gëzonte të drejtat qytetare, madje keqtrajtohej, dëbohej prej vatrave të veta dhe trysnohej për t’u asimiluar sa më shpejt. U organizuan kryengritje (1913), çeta me luftëtarë midis cilëve po përmendim vetëm Azem e Shote Galicën, Shaban Polluzhën dhe Adem Jasharin, dolën gazeta e revista brenda në Shqipëri dhe në emigracion, ku bashkëpunuan shumë intelektualë, midis të cilëve u shqua Gjergj Bubani në Rumani. Punuan për këtë qëllim shoqëri atdhetare në Bukuresht, Kostancë, Boston MA, etj. Kurse regjimi komunist shqiptar i dënoi me burgje dhe internime gjithë atdhetarët nacionalistë që kishin punuar për lirinë e popullit shqiptar nga zgjedha serbe. Ky regjim heshti për shumë vjet ndaj shtypjes që i bëhej popullit shqiptar në Jugosllavi, dhe vetëm mbas demostratave të studentëve të Universitetit të Prishtinës të marsit 1981, filloi të dalë me ndonjë artikull pro kërkesave të demonstruesve.

Aspekti propagandistik i kësaj lëvizjeje, në vitet 60-të të shek. XX-të u gjallërua edhe në New York, te metropoli botëror. Në fillim këtu ajo u nis si një lëvizje diletante prej një njeriu tëvetëm, prej emigrantit tropojan Tahir Curran Kërrnaja (1923 – 2002), një nacionalist ish-pjesëmarrës i Luftës Antifashiste, të cilin qeveria komuniste shqiptare e dënoi me burg e internim, kurse ajo jugosllave e torturoi çnjerëzisht. Mbasi erdhi në New York aty nga viti 1963, ky malësor i thjeshtë, krahas punëve për të mbijetuar, filloi të propagandonte faktin se nëJugosllavinë e Titos jetonte pjesa më e madhe e popullit shqiptar i cili nuk i gëzonte të drejtat politike shoqërore e kulturore si popujt e tjerë të Jugosllavisë. Ai filloi të shpërndante hartën e Shqipërisë Etnike ku tregohej se pjesa më e madhe e territoreve shqiptare ishin lënë jashtë shtetit shqiptar. Më tej ai u lidh me vëllezërit tropojanë Bitici (Bytyçi), të cilët edhe ata e kishin njohur nga afër shtypjen e popullit shqiptar në Jugosllavi, sepse kishin jetuar në Kosovë 15 vjet mbas arratisjes nga Shqipëria dhe në vitin 1966 kishin mundur të vinin në ShBA, ku kishin filluar të krijonin biznesin e tyre si pronarë restoranti. Vëllezërit Sergio, John, Mike dhe Joe e kuptuan drejt idenë e atdhetarit, prandaj u bashkuan me të dhe së bashku me intelektualët Prof. Rexhep Krasniqi, Prof. Sami Repishti, Prof. Peter Prifti, Dr. Safete Juka dhe me disa intelektualë të tjerë, krijuan shoqërinë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL).
Ky grup intelektualësh shkroi mbi 90 % të pamleteve, trakteve, komenteve e lajmeve, kurse grupi Kërnaja – Bitici me familjarët e tyre kryenin punët organizative, afrimin e njerëzve, postimin e materialeve, etj.
Shprehja popullore Një shkëndijë ndez një mal, i përshtatet punës dhe rezultateve të kësaj shoqërie e cila e ngriti nivelin e punës propagandistike nga një lëvizje diletante të thjeshtë në një lëvizje të organizuar me botimin në shumë kopje të trakteve, lajmeve, komenteve, telegrameve, ultimatumeve, të hartuar prej intelektualëve, të cilët i postonte me zarfa në shumë ambasada të ndryshme, në zyra të ShBA-ve, të Europës, në shtetet arabe të Azisë e Afrikës e deri në Australi. Materialet shkruheshin pa emër autori. Gjithë shpenzimet i mbulonin vëllezërit Bitici. Sekretar i RShKBL u zgjodh më 1970 Maliq Arifaj, një emigrant i lindur në një fshat të Prizrenit. Materialet e shkruara e të botuara në shumë kopje u dërgoheshin edhe qindra intelektualëve shqiptaro-amerikanë, miqve të tyre amerikanë dhe organizatave të ndryshme kundërkomuniste.
Shumica e kopjeve shpërndaheshin dorazi para selisë së OKB në New York City. Midis atdhetarëve shqiptarë, të cilëve u dërgoheshin shkrimet me postë po përmendim Imam Vehbi Ismaili, Ekrem Bardha, Harri Bajraktari me gazetën Illyria, Ish-kongresistit J. Dio Guardi, Dr. Ali Koprëncka, Dr. Nderim Kupi, Essad H. Bilali, Petra Ktona, Hasan Dosti, Dr. Eduard Liço, Dr. Anton Logoreci, Isuf Luzaj, Dhimitër Trebicka me gazetën Liria, Xhevat Kallajxhi, Idriz Lamaj, Dr. Agim Leka, Dom Rok Mirdita,, Tonin Mirakaj, Dom Zef Oroshi, Prof. Nicolas Pano, Prof. Arshi Pipa, Prof. Vasil Gërmenji, Dr. Elez Biberaj, Dr. Gjon Sinishta, Dr. Ramadan Turdiu, Prof. Stavro Skëndi, Dr. Gjon Buçaj, Xhevrie Tonuzi, Bilal Xhaferi, Ramadan Xhema, Nexhmie Zaimi, Frank Shkreli e shumë e shumë të tjerë. Ata që botonin buletine e gazeta të ndryshme i ribotonin shkrimet e shoqërisë RSHKBL në oranet e tyre, ose i transmetonin në radiostacionet e tyre si në ShBA dhe në mbarë botën. Disa prej këtyre materialeve i transmetoi dhe Radio Zëri i Amerikës. Prej intelektualëve të Europës Perëndimore që iu bashkuan kësaj lëvizjeje, po përmendim, Prof. Martin Camaj, Nermin Falaschi Vlora, Dervish Duma, Lec Shllaku, Papas Antonio Belushi, Hiqmet Ndreu, Monsinjor Eleuterio Fortino, etj. Kjo shoqëri mori pjesë në demonstratat që organizoheshin para selisë së OKB-së. Selia e shoqërisë VATRA dhe gazeta Dielli, në fillim të viteve 1990-të u spostuan në New York, për të bashkëpunuar me këtë lëvizje atdhetare. Në NY tashmë ishin dhe sponsorizuesit kryesorë të lëvizjes atdhetare.
Misioni shqiptar pranë OKB-së kishte urdhër nga qeveria komuniste shqiptare që të mos e mbështeste, por ta luftonte shoqërinë RShKBL dhe punën e saj.
Ruajtësi i arkivit të veprimtarisë së shoqërisë RShKBL, z. Sergio Bitici, në vitin 2012, viti jubilar i 100-vjetorit të pavarësisë, përgatiti librin Kosovo Path to Freedom The Role of the Albanian Kosovar Youthin the Free World in the Liberation of Kososvo – The role of the albanian youth kosovat in free wold (476 fq.), të cilin e botoi shoqëria VATRA. Aty pasqyrohet veprimtaria kryesore e shoqërisë RShKBL shoqëruar dhe me disa fotokopje dokumentesh dhe falenderimesh nga individë e shoqata.
Kjo punë propagandistike ecte krahas lëvizjes popullore që zhvillohej brenda në Kosovë e në mbarë Jugosllavinë prej popullit dhe intelektualëve elitarë dhe studentëve. Lëvizja atdhetare brenda e jashtë Jugosllavisë e theu mitin që gëzonte në botë Jugosllavia e Titos si shteti socialist, ku popujt jetonin në paqe e lumturi. U arrit që publiku amerikan dhe vetë Departamenti i Shtetit ta njihte mirë dhe ta merrte seriozisht problemin e shtypjes së popullit shqiptar në Jugosllavi. Segmente të caktuara të Departamentit të Shtetit Amerikan ndikuan te udhëheqja e qeverisë jugosllave, aleates së tyre, që në Kushtetutën e vitit 1974 ta shpallte Kosovën Krahinë Autonome me të drejta kushtetuese si të ishte republikë.
Mbas mohimit që i bëri Sllobadan Millosheviçi kësaj kushtetute dhe shkeljes brutale të të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës, shtypja arriti në nivele të padurueshme. U krijua partia “Lidhja Demokratike e Kosovës” (LDK) me kryetar intelektualin e shquar Dr. Ibrahim Rugova. U krijua Qeveria Bukoshi që mblidhte ndihma për të paguar rrogat e mësuesve që nuk paguheshim më prej qeverisë, vijoi procesi mësimor shqip nëpër shtëpi private, etj.
Së fundi, duke mos gjetur tjetër zgjidhje, për të mënjanuar barbarizmat e Millosheviçit, zonja M. Allbright bindi shefin e saj, Presidentin B. Clinton dhe stafin e tij, që të ndërmerrej sulmi i forcave ushtarake të NATO-s. Lufta e forcave të NATO-s e kordinuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u kurorëzua me sukses. Kosova u çlirua dhe u shpall shtet i pavarur. Ndërkohë, ShBA-të në bashkëpunim me BE, vijojnë të mbështetin kërkesat për më shumë të drejta politike e shoqërore të popullit shqiptar që jeton në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi.
Situata e sotme, kur populli shqiptar ka dy aleatë të fuqishëm, ShBA-të dhe BE-në, kur ekzistojnë dy shtete shqiptarë të pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi po gëzojnë gjithnjë e më shumë të drejta, nxjerr para politikanëve dhe intelektualëve shqiptarë kudo ku jetojnë, një detyrë imperative: të punojnë intensivisht për krijimin e një strategjie të përbashkët mbarëkombëtar: pra një politikë, një letërsi, një kulturë kombëtare shqiptare. Krijimi i një politike, një kulture dhe një letërsiekombëtare shqiptare me nivel të lartë shpie drejt krijimit në Ballkanin Perëndimor të shtetit kombëtar shqiptar, pra të Shqipërisë së vërtetë, ëndrra e rilindësve tanë duke ekorrigjuar padrejtësinë që kreu ndaj nesh diplomacia europiane në vitin 1913. Mjaft humbëm kohë. Kushdo që nuk punon dhe nuk do të punojë për një strategji të tillë mbarëkombëtare, do ta dënojë e ardhmja…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura