THETHI – ZEMRA E ALPEVE SHQIPTARE / FOTO + VIDEO /

Pashtriku.org, 23. 09. 2015: Thethi, ky vend malor, 70 km në verilindje të qytetit të Shkodrës, ka një pamje vërtet madhështore sepse natyra i jep pa kursim të bukurën, tërheqësen, befasuesen, çlodhësen e argëtuesen aq të kërkuar dhe dëshiruar nga njeriu. Prania e ofertave gjeografiko-natyrore dhe gjegrafiko-kulturore në Theth janë premisa të domosdoshëm për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshem të turizmit. Vendodhja e Thethit në zemër të Alpeve shqiptare, midis katër masiveve më të mëdha malore “Jezercës, Radohimës, Kakisë dhe Bigës së Gimajve. Këto fakte i japin Thethit dobitë e lartësive të mëdha, mundësinë e shëtitjeve argëtuese, e ngjitjeve alpinistike, zhvillimin e turizmit alpin dhe studimor. Ky pozicion i Thethit që është edhe njëherazi ndërmjet rretheve Malësi e Madhe, Tropojë dhe të Komunës Plavë-Guci, shërben më së miri si vend paqeje, mirësie dhe miqësie midis katër komuniteteve. Livadhet dhe pyjet e ahut, ndërmjet thyerjeve të shpateve dhe shumë burimeve, të japin mundësinë e shëtitjeve me vlera të jashtezakonshme për sistemin e frymëmarrjes, për qarkullimin e gjakut, etj.

Thethi ka shumë qafa (gryka malesh) të larta:
Qafa e Pejës që e lidh Thethin me Plavën e Gucinë.
Qafa e Valbonës që e lidh Thethin me Rragamin, Valbonën në Tropoje.
Qafa e Derzave që e lidh Thethin me Currajt e Sipërm të Nikaj Mërturit.
Shtegu i Dhenve dhe Qafa e T’thores që e lidhin Thethin me Bogën.
Rrethi i Vizhëns që është ndërmjet majës së Radohimës dhe Qafës së Pejës, që lidh Thethin me Kelmenin e Malësisë së Madhe, në një peisazh mahnitës për të apasionuarit e ecjes në male.
Nga këto qafa dhe shtigje malesh, amatorët dhe profesionistët e Alpinizmit mund të kapin gropën e Thethit. Majat e kësaj kurore diferencohen nga fundi i gropës perreth 1000-1500 metra. Ato ndërtohen nga shkëmbinj gëlqerorë dhe dolomite me ngjyrë të bardhë, gri ose trandafili dhe gëlqerorë ngjyrë hiri të errët. Në veri ngrihet pirgu i mprehtë me ngjyrë gri të errët dhe krejtësisht i zhveshur i majës së Harapit “2217,2 metër mbi nivelin e detit”, mjaft e preferuar nga Alpinistët për vështirësitë e saj të njohura në shkallë ndërkombëtare. Aty ngjitur nga lindja, mund të shohësh “Gropën e bukur” nga ku mund të shkelësh parajsën e maleve të Shqipërisë, Jezercën “2692 metër”, majën e Alisë “2471 metër” dhe majën e Papllukës “2569 metër”. Nga kjo anë ngjitesh mbi majën e Boshit “2416 metër”, mbi atë të Drenit ku shihen majat e tjera deri edhe maja e Hekurave “2559.4 metër” dhe Ershelli “2125.5 metër”. Të gjitha vijnë njëra pas tjetres, si kështjella të bardha me forma të ndryshme dhe mbi zona të larta Alpine me plot dukuri akullnajore e karstike.
Në këtë mënyrë kapen edhe majat në perëndim të majës së Harapit, si ajo e Rriskullit “2431 metër”, maja e Madhe “2552.5 metër”, Radohima “2570 metër”, ku zbret në majën e Zorgjit “1663.8 metër”. Pika më panoramike nga ku mund të shohësh Bjeshkët e Nëmuna dhe Alpet në përgjithësi deri edhe Korabin, në krahinën malore qëndrore të vendit është Radohima. Me një fjalë një “det” malesh, ndër më të bukurat dhe më të veçantat në alpet e Europës e rrethojnë Thethin si kurorë mbretërore, duke i lënë nga Jugu një lidhje të natyrshme me luginën e Shalës. Kjo lidhje është ngushtuar nga pirgjet shkëmbore të majës së drenit “si kuji Trup, kuji i Zharjedhave, kuji i Lopëve, dhe Gumnari, nga i cili mund të shohësh një pamje të jashtëzakonshme të të gjithë luginës së Thethit” si dhe rrëpirat e pyllëzuara të Majës së Zorgjit. Në këtë ngushtim është formuar edhe kanioni madhështor i Grunasit me gjatësi 2 km, “dhe pjerrësi 76 metër në 1 km”.

Thethi ka edhe monumente të tjera natyrore siç janë shpellat. Speleologu mund të shohë disa shpella të vogla dhe me bukuri të jashtëzakonshme në Theth: Shpellën e Qyqes, shpellën e lugut të Shakujve, shpellën e Kuqe”, shpellën e ndërgurëve në fushë të Thethit “mbi Ulaj”, shpellën e Pepes ne Okol dhe birën e Ujit në qafë të Pejës. Bira e Ujit në qafë të Pejës në kohë shirash nxjerr ujë, që furrnizohet nga liqene akullanjore nëntoksore: liqenet e Vuthajve dhe të Jezercës. Por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë specialistëve alpinistë, speleologë, gjeografë dhe gjeologë, janë shpellat vigane të Harapit mbi Okol dhe shpella e Rrathëve mbi Ulaj. Përmasat e mëdha dhe dukuritë interesante të këtyre shpellave si liqene nëntokësore, sifone, galeri stalaktitesh e stalagmitesh etj., kanë qenë shkaku i krijimit të legjendave nga banorët në shekuj.
Klima e Thethit është mjaft favorizuese për turistët. Karakeristikë e saj është dimri i ftohte dhe me dëborë deri në 2 metër, dhe vera e freskët. Ka shumë vende në majat e larta të maleve ku debora nuk shkrin gjatë gjithë vitit. Në Theth thith ajrin e pastër e të pasur me Jon, që zbret nga malet, “bjeshkët” në luginë, si dhe dritëzimin e qiellit të kaltër me cilësi të larta, që ruhet gjatë në brendësi të luginave të thella. Shfrytëzimi i rrezeve të pasura me ultravjolete, sidomos nga ora 9°° janë shumë të shëndetshme për njeriun.
Rreshjet vjetore janë të bollshme “2921 mm”. Ato shpërndahen sipas stinëve në këtë mënyrë: në Pranverë 21%, në Verë 9%, në Vjeshtë 32% dhe në Dimër 38%. Në pjesën e mirë të tyre bien në formë dëbore duke krijuar një shtresë të qëndrueshme për disa muaj. Me pak shpenzime, korridoret e luginës me borë të qëndrueshme mund të plotësojnë përmasat e stadiumeve për ushtrimin e sportit të bukur të skive.
Vendimtare për të gjitha llojet e turizmit janë ujërat e shumtë që burojnë në Theth. Të rralla janë vendet me ujëra të bollshme si Thethi në të gjitha alpet e Europës. Ujërat takohen në çdo vend që të shkelësh në Theth, nga lartësite e maleve, në qendër, dhe ruajnë prurje të konsiderueshme në të gjitha stinët e vitit. Ujërat në Theth kanë pastërti të përhershme dhe temperatura shumë të ulta. Thethi ka një lumë që kalon përmes fshatit, me temperaturë në burime 6°C – 7°C dhe me troftë të shijshme.
Në Theth numërohen mbi 80 burime e përrenj që shuajnë etjen, tretin ushqimin dhe kalitin trupin. Burimet sipas lagjeve janë:
Në Okol: Gurra e Shtrazës që është burimi i lumit të Thethit, dhe ajo e Gjarpërit.
Në Gjelaj: Gurra e Rupës së Thepit, e Hithave, Gurra e Breishtës, e Kajgjonës, e Ligatës, e Qafës së Valbonës, dhe e Shkallës së valbonës.

Në Gjeçaj: Gurra e Micanit (e njohur për vetitë e saj të mira nga analizat e kryera në Austri ne vitin 1915), Gurra e Rranxave, e Balçinës, e Praçes e Gjelaçinës, e Lymyshkës, e Qukave, Gurra e ftohtë e Thanës, kroi i Ndre Markut dhe i Praçes.
Në Nikgjonaj: Gurra e Dardhës, e Mollës, e Shkafes dhe e Surrlave.
Në Kolaj dhe Ulaj: Gurra e Dudve, e Majashpellave, e Bjeshkës, e Lugut të Ashtit, e Lugut të Birës, në fushë.
Thethi është një vend me klimë shumë të përshtatshme për verim, pra përgjithësisht vera është e freskët, ditët përgjithësisht me diell, ndërsa Dimri është i ftohtë dhe e bën Thethin të përshtatshëm për turizëm dimëror, (në lartësinë mbi 1600 metër mbi nivelin e detit, ka mbi 130 ditë me territor te mbuluar me borë). Thethi që në fillim të shekullit të kaluar është shfrytëzuar për pushime verore, të parët që e kanë bërë të njohur kanë qenë priftërinjtë e Kishës Katolike. Pastaj kanë nisur ta shfrytëzojnë qytetarët e Shkodrës gjersa në vitin 1936 me mbështetjen e tyre është hapur edhe rruga e makinës që ka ndikuar për zhvillimin e turizmit në Theth.
Natyra e Thethit, në çdo stinë e brenda ditës, paraqet një larmi ngjyrash që nuk i ngjajnë asnjë pikture. Këto resurse natyrore, bashkë me ato të trashëgimisë historike e kulturore të banorëve vendas, përbëjne bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Theth.
GJEOMORFOLOGJIA E PARKUT TË THETHIT
Parku i Thethit përbëhet nga tri luginat më të bukura të të gjithë Alpeve shqiptare. Duke filluar me luginën e famshme të Valbonës, që vazhdon deri në Rragam të Shalës me një bukuri të rrallë të shtratit të lumit Valbonë të gjatë 14 km, në kuotën mesatare 600-700m, pastaj duke vazhduar me perden ndërmalore të luginës malore të fshatit Curraj i Epërm (që është në Tropojë) në kuotën 800-1300 m, e gjatësi 12 km. Lugina e tretë që bëhet fjalë është lugina e Thethit që nuk lë prapa edhe dy luginat e tjera ndër malore njëkohësisht dhe si vazhdim në horizont i luginës së Vermoshit. Në anën gjeomorfologjike “Parku Kombëtar i Thethit” me sipërfaqe 2630 ha, ka rëndësi të veçante. Ai ndodhet rreth 45-50 km nga qyteti i Koplikut dhe 72 km nga Qyteti i Shkodrës. Shtrueshmëria kryesore e tij është në grykërrjedhën e lumit të Thethit. Në veri është maja e Jerzercës 2679 m e lartë. Nga lindja është qafa e Valbonës 1876 m, në jug maja e Zorgjit 1663 m, në perëndim maja e thatë 2543 m. Lugina e Thethit, si vazhdim i luginës së Lumit Shalë, ka këto karakeristika gjeomorfologjike.

Parku Kombëtar i Thethit përbëhet nga lugina kryesore me bukuri të rrallë të lumit Shalë, që buron rreth 3 km në veri të Thethit dhe në jug shkon deri te maja e Zorgjit, me gjatësi lineare 8 km. Faqet e pllakatës në dy anët e luginës kanë gjatësi 3 km në lindje dhe 4 km në perëndim. Lugina përshkohet nga disa tarraca lumore dhe shpatore. Aksi i vetullës se lindjes është shumë i thikët dhe përkon me reliev të lartë ku vazhdojnë njëra pas tjetrës, Qafa e Valbonës deri tek maja e Radohimës 2570 metër mbi nivelin e detit, rreth 4 km me kuota nga 1968 m në 2217m. Ai shërben si vijë ndarje dhe si pikëvështrimi mbi luginën e Valbonës, luginën e Nikçit (livadhet e Bogës) përroit të thatë, dhe luginës së shalës. Faqja perëndimore është pak më e qetë, në jug-perëndim vazhdon me kuotat 1663.5 maja e Zorgjit dhe në veriperëndim Buni i Tërthores 1775.5 m. Kemi reliev me thikë të aksidentuar që ka kuota 2104 m të Shtegu i dhenve, 2313 m gropa e Radohimës. Kuota mesatare e luginës është 700-900 m, e cila banohet dhe ka bukuri të rrallë që shtohet nga majat dhe kreshtat që e kurorëzojnë. Faqet janë me pjerrësi të madhe dhe të thyera me kend 16°-35° por ka raste edhe të pakalueshme 45°-60° e deri në 90° (në majën e Harapit 2221 m). Kuota më e ulët e parkut është në jug të Thethit 668 m dhe më e larta maja e Radohimes 2570 m mbi nivelin e detit.
Morfometria e Luginës së Thethit
Lugina ka formë pjesërisht korite dhe në veri formen e V-së. Faqet janë pak asimetrike nga vetë formimi dhe kushtet gjeologjike të formimit. Në faqe kemi reliev të ulët dhe tarraca me trashësi deluvionesh qe variojnë nga dy deri në katër m, që përbëjnë edhe koren sipërfaqësore për ndërtim pikash turistike. Vërehen gropa të vogla ndërmalore, shpella gëlqerore me gjatësi të konsiderueshme. Nuk kemi ndonjë lëvizje horizontale të kores së siperfaqes që paraqet rrezikshmëri, kjo e lidhur me trashësinë e deluvioneve. Vërehen aty-këtu shkarje të dheut. Vetë lugina është e vendosur në krahun e një moloklinali me rënie të butë të formacioneve shkëmbore dhe rënie 15°-35°-40°. Rënia e lehtë e shtresave nuk favorizon rënie por rrëshqitje në këtë luginë.
Rrjeti ujor i Parkut Kombëtar Theth
Zona përshkohet nga një rrjet ujor që rrjedh nga dy shpatet lindore dhe perëndimore në luginë. Lumi kryesor që përshkon parkun është ai i Shalës, i cili funizohet nga përrenj në të dy anët e lumit.
Drejtimi i rrjedhës është nga Veriu për në Jug. Lumi buron në afërsi të qafës së pejës, në Okol të Thethit. Prurja e lumit shkon deri në 15m³/sek, kur ka rreshje në pjesën e sipërme të luginës.
Përrenjtë kryesorë të luginës dhe lumit të Thethit janë ai i Shan Dedës, i dhenve, i ded’lulës, i Gurrës, i Shkafit, i Valit, i Kufirit dhe përroi i Belonës. Këto përrenj rrjedhin në territor malor e janë të rrëmbyeshëm gjatë dimrit. Në Theth ka edhe shumë burime të cilat mund të shërbejne si ujësjellësa të pikave turistike me prurje 0.2-10.1/ sek.
Klima
Parku Kombëtar i Thethit ka klimë të ashpër në dimër me reshje që shkojnë nga 1.5 metër në dimër në vende me reliev të ulët dhe maksimumin e arrijne në Qafën e Majave me 3-4 metër. Në dimër e vjeshtë ka rreshje më të shumta. Tipike kemi rreshjet e shiut në qershor që ndikojnë për bujqësinë. Tempraturat luhaten nga -14°C deri në 20°C. Aksi kryesor i luginës nuk mbulohet shumë me dëborë në dimer. Dëbora qëndron më shumë në shpate, kryesisht në pjesën që dielli bie më pak gjatë ditës, në perëndim. (www.thethi-guide/com)

……………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura