Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
Trazirat e vitin 1981 në Kosovë sipas Ambasadës britanike në Beograd
Nga Fati ISENI
Abstrakt
Ambasada britanike në Beograd do të jetë mjaft aktive gjatë trazirave në Kosovë në vitin 1981. Kryesisht Ambasada do të mbledhë informacione nga burimet e saja, do t’i përpunon dhe do t’i dërgon në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar në formë të përshkrimit të ngjarjeve, do të harton analiza që janë bërë nga zyrtarët e ambasadës si dhe nga vetë ambasadori, z. Bolland. Gjatë periudhës prill-dhjetor 1981 do të hasim edhe në shumë materiale që janë përpiluar në qeverinë britanike, si analiza, konkluzione të ndryshme që e mbajnë shenjën “Secret” (“të besueshme”), por ka raste kur dokumenti në fjalë është përcjellë edhe te Ambasada britanike në Uashington që më pas të përcillet te administrata amerikane si dhe te delegacioni britanik në NATO, në Bruksel. Në këtë periudhë kohore do të ketë komunikime edhe nga ambasadat britanike në Moskë, Londër, Beograd.
Do të raportohet për demonstratat që nga 11 marsi, duke i përshkruar në detaje dhe me shumë kujdes dhe korrektësi, duke u munduar që të japin gjithnjë edhe versionin e tyre për shkaqet dhe pasojat e demonstratave. Përskaj komunikimit që Ambasada kishte me autoritetet jugosllave, mediumet jugosllave dhe palëve të tjera, ata nuk ndikohen nga këto informacione që i marrin nga ata. Janë më të kujdesshëm dhe më të saktë për çdo lëvizje që ndodhë.
Fjalët kyçe: diplomacia britanike, Kosova 1981, demonstrata, trazira, studentë, Lidhja Komuniste.
***
Hyrje
Britania e Madhe si një nga fuqitë më të mëdha në nivel global shfaqi interesim të jashtëzakonshëm duke i përcjellë ngjarjet për së afërmi. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd dhe Foreign Office në Londër, ishin në komunikim të vazhdueshëm, duke dërguar raporte për të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe Jugosllavi gjatë gjithë vitit 1981. Me qëllim të ndriçimit të ngjarjeve të vitit 1981, janë kryer hulumtime në arkivat britanike për çështjen në fjalë. Gjatë hulumtimeve janë gjetur rreth 500 faqe material të arkivuar nga Foreign Office për trazirat në Jugosllavi gjatë vitit 1981. Dokumentet nga qeveria britanike janë të një rëndësie të veçantë meqë ata paraqesin autenticitetin e një politike të saj në periudhën e caktuar gjatë Luftës së Ftohtë dhe tensioneve të larta në mes bllokut lindor-socialist dhe atij kapitalist-perëndimor. Duhet të kihet parasysh se në fillim të viteve ‘80-të, Jugosllavia ishte në anën perëndimore të Perdes së Hekurt, pra në raporte te mira politike, ekonomike dhe diplomatike me shtetet perëndimore dhe me theks të veçantë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Ky qëndrim i politikës anglo-amerikane ndaj Jugosllavisë ishte që nga viti 1948, kur Tito u konfrontua me Stalinin, udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik dhe do të vazhdojë deri te ardhja në pushtet e Mikhael Gorbaçovit në vitin 1985. Pikërisht në këtë konstelacion politik që ndodhej bota, fuqitë perëndimore hapën dyert për Jugosllavinë në të gjitha aspektet, duke u bërë shteti i vetëm me rregullim shoqëror socialist, të trajtohej me një status të veçantë nga demokracitë perëndimore. Prandaj, duke i pasur parasysh këto simpati dhe raporte politike, Perëndim-Jugosllavi, sërish vërejmë një korrektësi në raportet dhe analizat që bëhen nga ambasada britanike në Beograd si dhe departamentet e qeverisë britanike në Londër.
i. Historik i shkurtër i marrëdhënieve Britani e Madhe-Jugosllavi
Menjëherë pas okupimit të Mbretërisë së Jugosllavisë në prill 1941, mbreti Petri II do të formojë qeverinë në ekzil – në Londër. Drazha Mihailoviqi u bë ministër i Luftës më ndihmën e britanikëve. Brenda territorit të Jugosllavisë vepronin njësitet partizane të Titos, e cila krijoi kunfuzitet te politikat britanike meqë Tito ishte një lider i ri dhe i panjohur me orientim komunist pro sovjetik, ndërsa më parë të dy mbretëritë kishin pasur raporte korrekte. Gjatë Konferencës së Teheranit në nëntor 1943, kryeministri britanik, Winston Churchil, e pranoi Titon si udhëheqës të vetëm të luftës në Jugosllavi dhe e ndërpreu ndihmën ndaj mbretit jugosllav. Bashkëpunimi i ngushtë në mes Titos dhe anglo-amerikanëve vazhdoi deri në përfundim të Luftës ës Dytë Botërore, përderisa Tito i përforcoi lidhjet me Stalinin dhe në Jugosllavi vendosi sistem politik komunist sipas modelit sovjetik. Ky veprim e largoi Jugosllavinë nga raporti i ngushtë me britanikët dhe amerikanët. Tani kaluan në fusha të hapura konflikti dhe shkuan deri aty saqë gjatë luftës civile në Greqi dy aeroplanë ushtarakë amerikanë gjatë vitit 1946 u rrëzuan mbi Jugosllavi, ndërsa trupat britanike në Greqi ishin sulmuar nga rebelët të përkrahur nga Tito. Po ashtu, porti i Triestës u bë mollë sherri në mes Titos dhe aleatëve perëndimorë që pretendonin ta kishin nën kontroll.
Stalini meqë kishte vështirësi që ta kontrollonte Titon, në vitin 1948 ai e largoi nga Kominterni, më shumë ndoshta për t’i bërë presion që ai të disiplinohej dhe të ndiqte linjën politike sovjetike ashtu siç vepronin liderët komunistë të Evropës Lindore, por kjo metodë si duket nuk rezultoi produktive, meqë Tito u kthye menjëherë kah Perëndimi dhe kërkesës për ndihmë ata iu përgjigjën së shpejti. Në vitin 1951 në Britani të Madhe do të rikthehej në pushtet Winston Churchil, miku i vjetër i Titos. Ishin ditët e para të Luftës së Ftohtë dhe akoma vijat e frontit mbaheshin të gjalla, prandaj Jugosllavia ishte mjaft e rëndësishme për Britaninë e Madhe për shkak të pozitës gjeostrategjike të saj, nga dalja në detin Adriatik dhe Jon, deri te ai Mesdhe, si dhe ajo ishte një murr që ndalonte shtrirjen e sovjetikëve drejt ujërave të nxehta.
Ftesën për të vizituar Mbretërinë e Bashkuar e kishte sjellë sekretari i Jashtëm, Anthony Eden, në shtator 1952. Një pjesë e mirë e zyrtarëve dhe popullatës britanike e kundërshtonin hapur vizitën e një lideri komunist i cili ishte një diktator dhe shkelte të drejtat elementare të njeriut. Më i zëshmi që mbështeste këtë vizitë kontroverse edhe historike ishte kryeministri britanik, Churchil, i cili insistonte se do të ishte vizitë zyrtare dhe joshtetërore. Në vitin 1953, ende pa u bërë inaugurimi i Elisabetës II në fronin mbretëror britanik, ishte organizuar vizita e Titos në Londër. Nga pritja që ju bë Titos në Londër dhe vetë prezenca e gruas së tij në Pallatin Mbretëror të Buckingham më shumë i ngjante një vizite shtetërore sesa zyrtare. Me këtë vizitë të parë Tito e nxori Jugosllavinë nga izolimi dhe hapi dyert drejt Perëndimit, duke siguruar edhe përkrahjen e Churchulit në rast të ndonjë sulmi sovjetik mbi Jugosllavinë ku pritej të intervenonte Perëndimi (Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Franca) në krah të Jugosllavisë. Kjo ishte fitore e madhe e Titos nga takimi bilateral që kishte me Churchilin, më 17 mars 1953, në selinë qeveritare britanike.
Këto marrëdhënie ndërshtetërore do të zhvillohen me korrektësi deri kah mesi i viteve të ‘80-ta, kur do të krijohen rrethana të reja në rrafshin politik global, respektivisht kriza e thellë financiare në bllokun sovjetik dhe humbja e garës në armatim, si rrjedhojë edhe ulja e ndikimit politik të sovjetikëve në rajon dhe në botë.
ii. Çfarë përmbajnë dokumentet nga arkivat britanike për Kosovën në vitin 1981
Ambasada britanike në Beograd do të jetë mjaft aktive gjatë trazirave në Kosovë në vitin 1981. Kryesisht Ambasada do të mbledhë informacione nga burimet e saja, do t’i përpunon dhe do t’i dërgon në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar në formë të përshkrimit të ngjarjeve, do të harton analiza që janë bërë nga zyrtarët e Ambasadës si dhe nga vetë ambasadori, z. Bolland. Gjatë periudhës prill-dhjetor 1981 do të hasim edhe në shumë materiale që janë përpiluar në qeverinë britanike, si analiza, raporte dhe konkluzione të ndryshme të cilët e mbajnë shenjën “Secret”, por ka raste kur dokumenti në fjalë është përcjellë edhe te Ambasada britanike në Uashington, që më pas të përcillet te administrata amerikane si dhe te delegacioni britanik në selinë e NATO-s në Bruksel. Në këtë periudhë kohore do të ketë komunikime edhe nga ambasadat britanike në Moskë, Londër, Beograd. Dokumentet përkatëse në arkivat britanike në Londër janë të grumbulluara në dy dosje, e para e emëruar si: ENU 015/3, Part A(1-65), FCO28/4645 dhe tjetra ENU 015/3, Part B(66- ), FCO28/4646, Nationalism in Yugoslavia, 1981, të cilat do të citohen në vazhdim në këtë mënyrë. Për shkak të radhitjes kronologjike të dokumenteve, me qëllim që të kenë lidhshmëri dhe kuptim, të njëjtat janë inkorporuar në këtë studim sipas datës që janë dërguar nga organi diplomatik përkatës dhe duhet të konsiderohet se dokumentet janë nga këto dy dosje pavarësisht se mund te jenë përzier.
Do të raportohet për demonstratat që nga 11 marsi, duke i përshkruar në detaje dhe me shumë kujdes dhe korrektësi, duke u munduar që të japin gjithnjë edhe versionin e tyre për shkaqet dhe pasojat e demonstratave. Përskaj të komunikimit që ambasada kishte me autoritetet jugosllave, mediumet jugosllave dhe palëve të tjera, ata nuk ndikohen nga këto informacione që i marrin nga ata. Janë më të kujdesshëm dhe më të saktë për çdo lëvizje që ndodhë.
Me qëllim për të qenë sa më korrekt dhe objektiv gjatë paraqitjes së dokumenteve përkatëse, të njëjtat përveç qasjes analitike dhe kronologjike, janë të përkthyera në mënyrë të plotë krahas skenimit të tyre në gjuhë origjinale (anglisht). Kjo do të mundësojë që, sikurse auditoriumi shkencor ashtu edhe lexuesi i thjeshtë të merr informacione të plota nga tërë volumi i dokumenteve diplomatike angleze për çështjen në fjalë. Me qëllim për të paraqitur më objektivisht qasjen britanike do të paraqesim në vazhdim disa dokumente të plota nga muaji maj vitit 1981.
I.
II. Telegrami i T J Clark nga Ambasada britanike në Beograd, dërguar J C R Gray te Zyra për Çështje të Jashtme dhe Komonuelth në Londër, më 5 maj 1981
Përkthim i plotë i dokumentit:
(015/2) BRITISH EMBASY
J C R Gray Esq BELGRADE 5 May 1981
Eatern European and Soviet Department
Foreign and Commonwealth Office
Kosova – situata e sigurisë
1. Telegrami ynë nr. 56 i datës 30 prill, tregoi vështirësitë e vazhdueshme të autoriteteve për të tejkaluar situatën e sigurisë në Kosovë. “Politika” , në një paraqitje të datës 4 maj, deri në seancën e sotme të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, për të cilin do të raportojmë veçmas, të përshkruara me hollësi se sa i rëndë ishte problemi.
2. “Politika” tha që tani, 35 ditë pas demonstratave, situata ishte “më e qetë” por mbetej “shumë e vështirë”. Armiku kishte vazhduar gjatë ditëve të fundit, veçanërisht në 1 maj, për të rritur tensionin nga veprime të vogla provokimi. Në 10 ditët e fundit, grupe të rinjsh ishin shfaqur njëkohësisht në një numër qytetesh, duke vepruar në mënyrë nacionaliste provokuese, me veshje kombëtare shqiptare, simbole ose bluza speciale me shqiponjën shqiptare me dy koka. Kreu i një grupi prej rreth 50 të rinjve në Prizren ishte identifikuar si djali i një emigranti shqiptar. Kishte pasur incidente në fund të prillit dhe fillim të majit në Ferizaj, Suharekë (Therandë), Lipjan, Rahovec, Istog dhe Pejë. Gjë që ishte parandaluar të përshkallëzohej vetëm nga ndërhyrja energjike e forcave të sigurisë. Për të shkaktuar konfuzion në lidhje me identifikimin, pjesëmarrësit në këto “demonstrata paqësore” vepronin në mënyrë çlirimtare jashtë qyteteve të tyre. Pavarësisht përpjekjeve për të krijuar telashe, armiku nuk kishte arritur të ndërpresë as punën, as festimin e 1 majit. Politika arriti në përfundimin se detyra e autoriteteve nuk ishte aspak e lehtë dhe nuk ishte diçka për t’u zgjidhur brenda disa ditësh. “Rrënjët janë më të thella dhe së pari do të jetë e nevojshme që të priten ato”.
3. Prandaj, ky raport konfirmon që të rinjtë po vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të organizuar përafërsisht në të njëjtën zonë ku u zhvilluan demonstratat e hershme. Kjo tregon se ata janë të gatshëm të rrezikojnë edhe përpara një prezence të konsiderueshme të sigurisë dhe se udhëheqësit kryesorë nuk janë as afër për t’u kapur.
T J Clark
c.c. P Rennie Esq
Research Dept
FCO
Fund i dokumentit të përkthyer.
Mё 5 maj 1981, telegrami fillon me rrëfimin pёr gjendjen e rёndё dhe se autoritete e kanё vёshtirё qё t’i dalin nё krye situatës. Diplomati britanik citon gazetёn “Politika”, ku pas 35 ditëve nga demonstrata, situata ёshtё “e qetё”, por ende qëndron “shumё e vёshtirё”. Rrëfen pёr vazhdimin e demonstratave dhe provokimeve nga tё rinjtё tё cilёt lëvizin edhe nёpёr qytete tjera, me qёllim qё tё mos identifikohen lehtё nga organet dhe provokojnё me simbole kombëtare shqiptare. Nё Prizren, Ferizaj, Suharekë, Lipjan, Rahovec, Istog dhe Pejë gjatё fundit tё prillit dhe fillimit tё majit kishte pasur trazira, por organet kishin intervenuar nё mёnyrё energjike. Aty thuhet se rrënjët janё tё thella dhe se fillimisht ёshtё e nevojshme tё priten ata. Po ashtu thuhet se tё rinjtё vazhdojnë tё veprojnё nё formё tё organizuar dhe se janё tё gatshëm tё marrin rrezikun edhe para numrit tё konsiderueshëm tё prezencës sё organeve tё rendit, përderisa zinxhiri i liderëve tё tyre nuk mund tё zihet ende.
III. Telegrami nr. 058 nga ambasadori britanik në Beograd, z. Bolland, dërguar te Zyra për Çështje të Jashtme dhe Komonuelth në Londër, më 6 maj 1981
Përkthim i plotë i dokumentit:
500 GR
Konfidenciale
FM Beograd, 0611009ZMAY
Te prioriteti FCO
Tel. No. 058 Nga 6 Maj 1981
Info Ukdel NATO
Kursimin e Uashingtonit (FC0 PSE PASS)
Tel. Im nr. 56: KOSOVO
6 maj 1981
Telegrami im nr. 560 Kosovë
1. Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës u takua gjatë gjithë ditës më 5 maj për të diskutuar shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve të fundit.
2. Sesioni u raportua plotësisht në shtyp dhe të gjithë folësit dënuan radhazi udhëheqjen e partisë kosovare për dështimin për të vlerësuar situatën në mënyrë korrekte dhe për të marrë masat e duhura. Dorëheqja e presidentit aktual të partisë, Bakalli, u pranua, me sa duket në herën e tretë të ofertës. Ai u zëvendësua për një periudhë prej një viti nga Veli Deva, një njeri veteran i partisë.
3. Shkaqet themelore të ngjarjeve iu atribuuan në radhë të parë irredentizmit shqiptar, të mbështetur drejtpërdrejt nga Shqipëria, si dhe organizata të ndryshme të emigrantëve të financuara nga organizata të huaja të inteligjencës. Politika federale ndaj marrëdhënieve me Shqipërinë “me çdo çmim” u kritikua në mënyrë implicite. Dobësi të tjera u identifikuan në sistemin e Mbrojtjes Popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore, të cilat ishin të jo tё afta dhe jo tё pajisura mjaftueshëm për t’u marrë me situatën në kohën e duhur; sistemi arsimor, i cili ishte shumë i varur nga materialet mësimore shqiptare dhe personel jo të përshtatura si duhet për nevojat e provincës dhe prapambetjen relative të krahinës krahasuar me pjesën tjetër të Jugosllavisë. Masa të ndryshme u diskutuan për të rregulluar të gjithë sistemin politik, të sigurisë dhe arsimit.
4. Mbledhja konfirmoi se ata ende nuk kishin zbuluar qendrën që organizonte aktivitetet armiqësore. Shkrimi i parullave, shpërndarja e fletushkave dhe pamfleteve, përhapja e dezinformimit dhe formave të tjera të provokimit vazhdonin. Janë bërë përpjekje për të krijuar telashe gjatë festës sё majit, por nuk ka ndodhur ndonjë incident serioz.
5. Ishte e qartë se partia tani do të kryejë një spastrim të radhëve të saj, ndoshta pas seancave të komitetit qendror serb të sotëm dhe komitetit qendror jugosllav nesër. Një program veprimi politik për të çrrënjosur elementët armiqësorë do të ndiqet me forcë dhe politika e tanishme e miqësisë me Shqipërinë ka të ngjarë të rishikohet në mënyrë drastike. Por nuk ka dalë ndonjë zgjidhje e qartë për problemin themelor të statusit të Kosovës: Udhëheqja vazhdon të qëndrojë e palëkundur në pandashmërinë e Kosovës nga Serbia. Duket e mundshme se pakënaqësia nacionaliste do të vazhdojë.
Bolland
Fund i dokumentit të përkthyer.
IV. Telegrami nr. 060 nga ambasadori britanik në Beograd, z. Bolland, dërguar te Zyra për Çështje të Jashtme dhe Komonuelth në Londër, më 8 maj 1981
Përkthim i plotë i dokumentit:
GR 1000
Unclassified
Fm Belegrade 0809092 May
To Priority FCO
Tel. No. 060 OF 8 May 81
Info Ukdel NATO
Saving Washimgton (FCO PSE PASS)
My Tel. No. 58: Kosovo
1. Komiteti Qendror Jugosllav më 7 maj: Mojsovi, presidenti i Presidiumit, mbajti fjalimin kryesor, i cili, duke ndjekur trendin e ri, u transmetua në televizion mbrëmë dhe sot u botua në shtyp.
2. Për herë të parë nga cilido që kanë marrë parasysh ngjarjet në Kosovë, Mojsov përmendi “Partinë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi” si organizatore. Ai e përshkroi atë si “një qendër e Agjencisë së Jashtme”, e maskuar nën parullat nacionaliste-irredentiste dhe marksiste-leniniste, udhëheqësit kryesorë të të cilave së shpejti do të paraqiteshin në gjykatë për të dhënë përgjigje për veprimtarinë kundërrevolucionare, të cilën ata e kishin organizuar me kujdes për një periudhë të gjatë.
3. Ai fajësoi Lidhjen e Komunistëve të Kosovës për ngadalësim dhe hezitim në vlerësimin korrekt të situatës dhe për mosmarrjen e masave të nevojshme politike dhe të sigurisë. Për shumë vite, organizatat LK në Kosovë kishin nënvlerësuar rrezikun e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, në mënyrë që armiku të ishte në gjendje të depërtonte në LK dhe organizata të tjera socio-politike, veçanërisht në organizatën rinore. Ishte e nevojshme tani “për të gjetur dhe pastruar të gjithë ata që ishin infektuar me nacionalizëm… Veçanërisht në udhëheqjen dhe organizatat e LK të Kosovës”. Ai pranoi se partia jugosllave si e tërë kishte qenë gjithashtu fajtore për të qenë “e butë dhe e shkujdesur”.
4. Mojsov bëri thirrje për një numër reformash në politikën aktuale të zhvillimit ekonomik ndaj Kosovës dhe përmirësime në perspektivat e punësimit për të rinjtë. Ai theksoi se duhet të vendoset një vijë e qartë midis “pohimit kombëtar” të popullit shqiptar dhe nacionalizmit e irredentizmit. Në vetëm një referencë të shkurtër për Shqipërinë, ai u ankua se indoktrinimi i të rinjve me nacionalizëm me anë të librave shkollorë propagandistikë dhe mësuesve nga Shqipëria ishte lejuar i papenguar. Sulmi kryesor ndaj Shqipërisë iu la Milosh Minic, i cili, duke përdorur gjuhë të fortë, kritikoi së pari “verbërinë dhe pakujdesinë e jashtëzakonshme, madje edhe naivitetin, kryesisht të forcave politike dhe organeve shtetërore në Kosovë dhe jo vetëm të Kosovës”, dhe së dyti udhëheqjen shqiptare për ndërhyrje “brutale” në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe për dëmtimin “e vrazhdë” të marrëdhënieve midis dy vendeve. Minic shtoi se Jugosllavia mbeti e gatshme për të zhvilluar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë, përveç nëse sjellja e kësaj të fundit e bënte të pamundur këtë. Në ndërkohë, disa ndryshime në politikën e Jugosllavisë ishin të nevojshme për t’u shpjeguar të rinjve në Kosovë, në veçanti pozicionin e vërtetë të stalinizmit në Shqipëri, por pa ngritur një fushatë kundër Shqipërisë dhe për të rishikuar rrënjësisht pranimin e bashkëpunimit kulturor dhe arsimor me Shqipërinë.
5.Mojsov tha që, si rezultat i shpjegimit joadekuat në mesin e të rinjve, ishte krijuar iluzioni për pozicionin kushtetues të Kosovës se bërja e Republikës ishte një çështje thjesht formale e cila mund të zgjidhej me presion. Ai pohoi se pozicioni i Kosovës brenda Serbisë duhet të respektohet.
6. Mojsov bëri një përmbledhje: i gjithë kompleksi i zhvillimeve të Kosovës ishte problem jugosllav, një çështje për Lidhjen Komuniste si një e tërë. Ai ishte i bindur se lufta kundër kundërrevolucionit do të kishte efektin për ta bërë Jugosllavinë më të fortë dhe më të bashkuar. Pas diskutimit, Komiteti Qendror unanimisht mbështeti deklaratën e Mojsovit.
7. Komiteti Qendror Serb, u takua më 6 maj, dhe u përqendrua mjaft natyrshëm në aspektet serbe. Por gjithashtu theksoi rreziqet më të gjera nga Kosova për marrëdhëniet ndërshoqërore në Jugosllavi si një e tërë, veçanërisht si një stimul për nacionalizmin serb. Në këtë kontekst migrimi i theksuar i serbëve dhe malazezëve nga Kosova u morr me shqetësim.
8. KQ Serb pranoi plotësisht dobësitë në organizatën LK të Kosovës dhe faktorët ekonomikë dhe socialë si shkaqet e telasheve, por përshkroi si “verbëri politike” pikëpamjen jokritike që Jugosllavia kishte marrë për nxitjen e marrëdhënieve me Shqipërinë, zhvillimin e tyre të njëanshëm në favor tё Shqipërisë dhe mungesa e ekuilibrit të tyre midis Shqipërisë dhe Kosovës në vend se me Jugosllavinë në tërësi.
9. KQ serb gjithashtu e bëri të qartë se nuk do të ndryshonte statusi i Kosovës, por pranoi që nuk ishte shpjeguar më parë sa duhet. Në bazë të kushtetutave federale dhe serbe, provincat autonome të Serbisë nuk mund të jenë të njëjta me republikat. “Një republikë është një shtet i bazuar në sovranitetin e popullit të saj. Autoriteti dhe menaxhimi i klasës punëtore. Një provincë autonome është një komunitet socio-politik i cili bazohet në autoritetin dhe menaxhimin e klasës punëtore”. Problemi ishte se gabimisht ishte besuar se këta të dyja ishin të barabartë.
10. Dorëheqja e Bakallit nga KQ Serb u miratua dhe Deva u pranua si anëtar në vend të tij.
Bolland
Fund i dokumentit të përkthyer
Ambasadori britanik, z. Bolland, në telegramin nr. 60 të datës 8 maj 1981, do të raportojë për gjendjen politike në Kosovë nëpërmjet 10 pikave, duke shkruar në mënyrë shumë koncize për kronologjinë e ngjarjeve.
Ai shkruan: “1. Komiteti Qendror i Jugosllavisë është takuar më 7 maj. Mojsovi si president i Presidiumit bëri paraqitjen kryesore, me ç’rast duke ndjekur trendin e ri, ishte emituar në TV dhe publikuar sot në shtyp. 2. Për herë të parë në çdo variant në të cilën janë konsideruar ngjarjet ne Kosovë, Mojsovi e emëroi “Partinë Shqiptare Komuniste Marksist-Leniniste në Jugosllavi” si organizatore. Ai i përshkruajti ata si “Qendra e Agjenturave të Huaja”, të shfaqura me slogane nën nacionaliste-irredentiste dhe marksiste-leniniste, udhëheqësit kryesorë do të paraqiten në gjyq për t’u përgjigjur për aktivitet kundërrevolucionare, të cilët me shumë kujdes i kanë organizuar për një përiudhë të gjatë”. Në bazë të raportit nga ambasadori Bolland, shohim se autoritetet jugosllave konsiderojnë se trazirat vinin nga grupe nacionaliste brenda Kosovës si dhe të nxitura nga Shqipëria.
Autoritetet jugosllave akuzonin Lidhjen Komuniste të Kosovës për veprim të ngadalshëm dhe hezitimin për vlerësimin e gjendjes si dhe për mosmarrjen e masave politike dhe të sigurisë në kohë të duhur, meqë për shumë vite organizatat e LK-së e kishin nënvlerësuar rrezikun e nacionalizmit shqiptar, duke lejuar futjen etyre në LK dhe organizatat tjera socio-politike, në veçanti te organizata rinore…
Z. Bolland tregon se KQ i Serbisë bëri të qartë se nuk do të kishte shance për avancimin e statusit të Kosovës. Ai mëtej shkruan se në bazë të kushtetutave federale dhe të Serbisë, provincat autonome të Serbisë nuk do të ishin të njëjta si republikat, ndërsa në praktikë ata ishin më shumë si të tilla. “Republika është shtet i bazuar në sovranitetin e njerëzve të vet, të autoritetit dhe të udhëheqjes së klasës punëtore. Provinca autonome është bashkësi socio-politike e cila është e bazuar në autoritetin dhe udhëheqjen e klasës punëtore”. Shqetësimi qëndron në atë se ishte besuar gabimisht që të dyja ishin të barabarta. Njoftohet për dorëheqjen e Bakallit nga KQ i Serbisë dhe zëvendësimin e tij me Xhafer Devën”.
V. Telegrami nr. 062 nga ambasadori britanik në Beograd, z. Bolland, dërguar Zyrës për Çështje të Jashtme dhe Komonuelth në Londër, më 11 maj 1981
Përkthimi i plotë i dokumentit:
11 maj 1981
Konfidenciale
Nga Beogradi 111315z May
Me prioritet te FC
Teleg. No. 352 11 maj 1981
Info: Delegacionit të MB në NATO
Saving Washington (FCO PSE PASS)
Saving Zagreb Belgrade PASS
End 015/31
Teleg. im nr. 580, Kosova
1. Përfundimet nga seanca e gjatë e Komitetit Qendror më 7 maj, mund të merren në konsideratë në takimin e ardhshëm të Presidiumit të tij. Disa pika që kërkojnë vëmendje janë tashmë të qarta dhe sugjerojnë disa vendime të vështira, por potencialisht të dobishme afatgjate për unitetin e Jugosllavisë.
2. Pyetja kryesore që ka dalë nga të gjitha debatet e fundit është se si ishte e mundur që një organizatë e mbështetur nga të huajt, Partia Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi, të planifikonte dhe të kryente (duke supozuar se e bëri) një seri të demonstratave të ekzekutuara mirë, pa qenë në dijeni askush nga autoriteti se çfarë po ndodhte. Përgjigja e papëlqyeshme mund të jetë që lidershipi në Kosovë e dinte, por, për arsye që akoma duhet sqaruar, nuk bëri asgjë për këtë. Për më tepër, ajo kishte njohuri për incidente të tjera të shumta në vitet e fundit dhe nuk i kishte informuar autoritetet federale serbe. Shembulli që ka nxitur shumicën e njerëzve ishte heqja e portretit të Titos, me kërkesë të delegacioneve shqiptare për vizitë, nga autobusët që i bartnin ata dhe nga një muze që vizituan (drejtori i të cilit tani është shkarkuar). Sugjerimi themelor është se shumë njerëz në vendet e larta ishin në simpati me pohimin e aspiratave kombëtare shqiptare.
3. Komitetet qendrore serbe dhe jugosllave ishin gjithashtu fajtorë për përmbajtjen nga ushtrimi i më shumë kontrollit mbi komunitetin e “mbyllur” të Kosovës, i cili merrte çdo kritikë ndaj veprimeve të tij si një dëmtim i sovranitetit të saj të imagjinuar dhe ndërhyrjes në punët e tij të brendshme. Parimi themelor i centralizmit demokratik u prish, kështu dhe vendimet e marra në mënyrë kolektive në Komitetin Qendror të Jugosllavisë nuk u morën parasysh pa pengesa në Kosovë.
4. Autoritetet qendrore duhet të mbajnë përgjegjësinë kryesore për politikën dukshëm të gabuar ndaj Shqipërisë edhe nëse Kosova ka të bëjë kryesisht me ekzekutimin e saj praktik të ngjarjeve. Suksesi i Shqipërisë për të infiltruar dhe indoktrinuar mësuesit, nxënësit dhe fëmijët e shkollës, madje edhe me bashkëpunim lokal, vë në pah naivitetin e mëtejshëm politik të Beogradit në pritjen që Shqipëria të mos shfrytëzojë situatën. Marrëdhëniet me Shqipërinë u diskutuan nga presidenca federale më 9 maj dhe megjithëse nuk u zbuluan detaje mund të pritet që ndryshime të rëndësishme të politikës do të pasojnë për të siguruar marrëdhënie reciproke për t’i dhënë fund pozicionit pothuajse ekskluziv të Kosovës në kontaktet me Shqipërinë, për të ndaluar depërtimin e shqiptarëve përmes kulturës dhe për të informuar publikun jugosllav për stalinizmin në Shqipëri.
5. Ndryshime ka të ngjarë edhe në sistemin e Mbrojtjes Popullore dhe Vetëmbrojtjes Shoqërore, megjithëse pranohet që mungesa e drejtimit politik kishte dështuar dhe forcat e armatosura kryenin detyrën me frikë për të mbështetur me kompetencë milicët dhe njësitë territoriale shfaqën dobësi në një situatë të brendshme të sigurisë për të cilën ata nuk kishin trajnim dhe pajisje. Një gjeneral i vjetër i pranoi këshilltarit tim se njësitë territoriale ishin trajnuar për t’u përballur me një kërcënim të jashtëm, por tani po i hidhej një vështrim i ri organizimit dhe trajnimit të tyre. Jo vetëm në Kosovë, për t’i pajisur ata për t’u marrë me një kërcënim të brendshëm për milicinë. Vlen të përmendet se është bërë një urdhër i nxituar për pajisjet britanike kundër trazirave.
6. Politikanët dhe shtypi tani po mirëpresin situatat në Kosovë për ofrimin e një mundësie për t’u përballur me çdo problem që ka rezultuar nga politika e decentralizimit. Theksi po vihet në Kosovë si një problem për të gjithë Jugosllavinë, e cila kërkonte një zgjidhje kolektive të Jugosllavisë. Unë shoh një prospekt të vogël të kthimit të një shoqërie më të kontrolluar nga qendra, por përkundrazi një përpjekje e rinovuar për të inkurajuar bashkëpunimin ndërrepublikan dhe madje integrimin për të parandaluar nacionalizmin, veçanërisht ndonjë reagimi serb, nga rrezikimi i Federatës. Ashtu siç është, Serbia është e vendosur të rimerr sovranitetin e saj kushtetues mbi dy provincat autonome. Disa udhëheqës partie kanë arritur në përfundimin se Jugosllavia mund të dalë nga kjo traumë më e bashkuar se kurrë.
7. Ndërkohë, situata e sigurisë mbetet e paqartë. Problemi kryesor është në universitetin e Prishtinës dhe në disa shkolla, ku, pavarësisht nga një kërcënim për eksponentët, studentët vazhdojnë të bojkotojnë klasat, duke kërkuar lirimin nga burgu të mësuesve të tyre. Raportet për shtyp i referohen gjithashtu shpërndarjes së broshurave dhe pamfleteve, përhapjes së dezinformimit dhe frikësimit. Kundërveprim po ndërmerret për të shkarkuar disa dhjetëra mësues. Mbi njëqind komunistë janë përjashtuar deri më tani nga institucionet kulturore partiake, poashtu janë dëbuar dhe disa gazetarë dhe disa redaktorë janë pezulluar.
8. Prioritetet do të duket se janë kështu:
a) për të çrrënjosur opozitën nacionaliste shqiptare në Kosovë nga një operacion i bashkërenduar i sigurisë dhe një spastrim i udhëheqësve jo të besueshëm;
b) për të reformuar sistemin arsimor dhe ristrukturuar programin e ekuilibruar në mënyrë të pabarabartë të zhvillimit ekonomik;
c) për të rishikuar politikën e fqinjësisë së mirë të Jugosllavisë ndaj Shqipërisë;
d) për të rregulluar gjithë sistemin e mbrojtjes popullore dhe atë të mbrojtjes sociale;
e) për të forcuar disiplinën partiake gjithandej;
f) për të rishikuar pozicionin kushtetues të Kosovës.
9. Kjo përbën një detyrë të frikshme, por Kosova duket se ka shkarkuar udhëheqjen me një vendosmëri dhe një gatishmëri të re për të adoptuar një qasje më reale për shumë probleme të fshehta.
Bolland
Fund i dokumentit të përkthyer
VI. Telegrami nr. 065 nga ambasadori britanik në Beograd, Z. Bolland, dërguar te Zyra për Çështje të Jashtme dhe Komonuelth në Londër, më 14 maj 1981
Përkthimi i plotë i dokumentit:
Konfidenciale
Nga Beogradi 141015z May
Me prioritet te FCO (DESKBY 141030Z)
Teleg. No 065 14 maj 1981
Info: Me prioritet MM, MB, Uashington
Teleg. im nr. 62
Kosova: Situata e sigurisë
1. Përfundimet e mbledhjes së Komitetit Qendror të Partisë më 7 maj, u botuan sot.
2. Ata deklaruan se qëllimi i forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare në Kosovë ishte të kërcënonin integritetin dhe sovranitetin e Federatës jugosllave dhe sistemin e saj socio-politik. 2. Ata ishin mbështetur nga forcat reaksionare jashtë Jugosllavisë.
3. Ishte e nevojshme të trajtoheshin në mënyrë efektive këto çrregullime duke marrë masat e mëposhtme aktive:
(a) forcimi dhe spastrimi i Ligës Komuniste dhe organizatave të tjera socio-politike në të gjitha nivelet;
(b) përdorimi i të gjitha këtyre organizatave shoqërore dhe politike, duke përfshirë aleancën socialiste, sindikatat dhe organizatat rinore;
(c) duke luftuar kundër të gjitha formave të nacionalizmit: nuk do të tolerohet asnjë sulm nga grupe të tjera kombëtare kundër shqiptarëve;
(d) Kosovës nuk do t’i jepej statusi republikan por zbatimi i dispozitave ekzistuese kushtetuese për krahinën e Kosovës brenda republikës së Serbisë do të shqyrtohej me kujdes;
(e) të gjithë hapat do të vazhdojnë të ndërmerren për të ndihmuar ekonomikisht Kosovën si një pjesë e pazhvilluar e Jugosllavisë;
(f) rrjedhimisht nga përvoja e ngjarjeve në Kosovë, partia dhe publiku duhet të mbahen plotësisht të informuar dhe në kohë të duhur;
(g) sistemi arsimor duhet të përmirësohet, veçanërisht në Universitetin dhe shkollat e mesme, personelin mësimor dhe librat shkollorë;
(h) sistemi i brendshëm i sigurisë duhet të forcohet me çdo ndryshim të nevojshëm në personel, organizatë dhe pajisje.
4. Shtypi i sotëm gjithashtu publikoi një raport të trazirave të mëtejshme të studentëve në Universitetin e Prishtinës (përshkruar si kalaja e “nacionalizmit”). Gjatë natës së 12 majit kundër masave të marra ditën e mëparshme për të spastruar administratën dhe organizatat studentore në Universitet. Në Asamblenë Federale u tha dje se situata në Kosovë mbetet shumë e vështirë.
Bolland
Fund i dokumentit të përkthyer.
Përpjekjet e organeve hetuese dhe të strukturave të tjera të zbulimit dhe kundërzbulimit jugosllav, nuk kanë arritur të gjejnë asnjë lidhshmëri të protestave me Bashkimin Sovjetik. Ky debat në lidhje me nxitjen e trazirave nga jashtë vazhdon që edhe sot të trajtohet për arsye shkencore, por edhe për atë politike. Idhnarët e mendimit se trazirat janë nxitur nga Bashkimi Sovjetik, konsiderojnë se kjo e fundit duke mos qenë në raporte të mira politike dhe diplomatike me Jugosllavinë, atëbotë, sipas tyre me qëllim kishte nxitur shkëndija nacionaliste për të destabilizuar vendin. Ndërsa, në krahun tjetër qëndron një shtresë e mirë e studiuesve, kryesisht shqiptarë, por edhe perëndimorë, të cilët mbrojnë qëndrimin se trazirat nuk janë nxitur nga Bashkimi Sovjetik.
Konkluzione
Gjatë shqyrtimit të dokumenteve nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd, të dërguara qeverisë britanike në Londër si dhe të gjitha materialet e tjera nga Zyra e Jashtme dhe e Komonuelth (Foreign Office), vërehet qartë korrektësia e raportimit dhe detajet që janë paraqitur për të gjitha aspektet e trazirave. Nuk është vetëm përshkrimi i ngjarjeve të pranverës së vitit 1981 në Kosovë, por një pjesë e dokumenteve që i kanë përgatitur diplomatët përgjegjës britanikë trajtojnë çështje të rëndësishme politike dhe juridike për statusin e shqiptarëve në Jugosllavi dhe se të njëjtat në formë telegramesh janë dërguar edhe te Ambasada e Britanisë Madhe në Uashington, ku të njëjtat pastaj janë trajtuar edhe me përfaqësues të lartë të administratës amerikane. Telegrame të njëjta janë dërguar edhe në Bruksel te delegacioni i përhershëm britanik në selinë e NATO-s.
Shërbimet e ndryshme të diplomacisë britanike përpiqen të gjejnë gjenezën e demonstratave. Analizohen të gjitha versionet e mundeshe, duke filluar nga infiltrimi i mundshëm i shërbimit sovjetik me qëllim për t’i bërë dëme Jugosllavisë për shkak të raporteve të ftohta që kishin, pastaj ndërhyrja e mundshme e shtetit shqiptar dhe vetë strukturave inteligjente të saj të kontrolluara nga Enver Hoxha, ndërhyrje të tjera të mundeshe deri te lëvizjet nacionaliste shqiptare të pavarura në hapësirat e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Vlen të theksohet se nga raportet dhe analizat e Ambasadës britanike në Beograd, rezulton qëndrimi se trazirat janë nga vetë rinia shqiptare, por lihet indikacion se ka gisht Shqipëria.
Në rrafshin gjeopolitik ndërkombëtar bota ishte e ndarë në dy pole, atë të Perëndimit-SHBA-NATO dhe atë të Lindjes-Bashkimit Sovjetik-Varshavës. Lufta e Ftohtë vazhdonte me të njëjtin intensitet edhe në fillim të viteve të ‘80-ta. Trazirat e Solidarnostit në Poloni në vitin 1980 dhe shtypja e dhunshme e tyre me ndërhyrjen sovjetike sikurse në Çekosllovaki në vitin 1968 dhe në Hungari në vitin 1956, ndërsa Jugosllavia përpiqet që të vazhdojë me politikat neutrale, atë të Lëvizjes së Vendeve të Painkuadruara, e cila i jepte avantazh që të ishte më afër vendeve perëndimore. Duke pasur parasysh këtë konstelacion gjeopolitik, tentimi i Perëndimit për të joshur Jugosllavinë që nga viti 1947, me qëllim që kjo e fundit mos të rrëshqiste sërish në kampin e Moskës, ndërsa në këtë kontekst Britania e Madhe ishte po aq e armiqësuar me sovjetikët sa edhe vetë amerikanët, prandaj perceptimi sipërfaqësor politik do të shkonte kah ajo që britanikët të mbështesnin verbërisht Jugosllavinë, por në rastin konkret qëndrimet dhe analizat diplomatike të tyre janë shumë të balancuara dhe në shumë raste paraqesin qartë diskriminimin jugosllav ndaj shqiptarëve.