LUFTA ITALO-GREKE 1940-1941 DHE BATALIONET SHQIPTARE NË TË

LUFTA ITALO-GREKE 1940-1941 DHE BATALIONET SHQIPTARE NË TË

Parathënie

Pas pushtimit të Shqipërisë nga ushtria italiane në Prill 1939, Shtabi Madhor Italian nuk e shkriu ushtrinë e vogël shqiptare dhe e futi nën komandën e tij. Ushtria italiane filloi nga kufiri shqiptar mësymjen kundër Greqisë më 28 Tetor 1940 duke patur në përbërje edhe gashtë batalione shqiptare. Në Greqi ishte qeveria naziste e Joni Metaksait (www.metaxas-project.com) dhe ushtria italiane nuk sulmoi pa dijeninë e komandës gjermane. Për ushtrinë greke, bombardimi ajror, përgjimi dhe zbërthimi i shifrës italiane, furnizimi me armatime, municione, ushqime, mjekime, veshje e logjistikë kryheshin nga ushtria britanike. Komanda britanike në Kajro e dinte edhe sa pak i ngrohtë ishte çaji që pinin ushtarët italianë në ballin e luftës. Ndërkohë që ndodhnin luftimet, qeveria greke i internoi të gjithë burrat arvanitë muslimanë në Hijos e Mitilini, dy ishuj në kufi me Turqinë; një gjenocid i papërmendur.

Prandaj përparimi i pakët i ushtrisë italiane në Greqi ngeci që në mes të Nëndorit dhe më pas pati vetëm tërheqje me luftë. Ushtria greke pushtoi Korçën më 22 Nëndor 1940 dhe pushtimi prej saj i jugut të Shqipërisë u shtri deri në Shkurt 1941 kur balli i luftës njatej nga Pogradeci në Himarë. Ushtria pushtuese greke mbante 14 Divizione përballë 28 Divizioneve të ushtrisë italiane. Ndërkohë ajo kishte dy Divizione në kufirin greko-jugosllav dhe katër Divizione përgjatë kufirit greko-bullgar.

Skalioni i dytë në Greqi përbëhej nga 62’000 trupa të perandorisë britanike. Urdhri i komandës britanike ishte që njëkohësisht ushtria jugosllave nga veriu dhe ajo greke nga jugu të sulmonin ushtrinë italiane në Shqipëri, ta pushtonin dhe ashtu ta ndanin atë mes vedi. Ditën që u vu në zbatim ay plan, ushtria gjermane nisur nga Bullgaria mësyu Jugosllavinë Nr. 2 dhe Greqinë. Jugosllavia Nr. 2 u pushtua në datat 6-18 Prill 1941 dhe me atë rast u fik. Ushtria gjermane pushtoi Greqinë në 6-30 Prill 1941 dhe 14 divizionet në Shqipërinë jugore të mbetur pa ndihmën britanike u dorëzuan duke u lutur pa luftë. Ushtria perandorake britanike humbi 11840 ushtarë dhe ajo gjermane 5000 ushtarë gjatë pushtimit të Greqisë.  (— Saimir Lolja)

Greco-Italian War 1940-41

***

Greco-Italian War 1940: Greece Strikes Back – World War 2 DOCUMENTARY

USHTRIA SHQIPTARE NUK BAHËT MISH PËR TOP

(Nga libri: Lek Përvizi, Gjenerali, Sh. B. Fishta, 2011.)

Në luftën italo-greke, komanda italiane përfshiu pa paralajmërim e pa pyetun disa trupa shqiptare. Lufta italo-greke u provokue dhe u ndërmor prej vetë Musolinit, të cilit i ishte mbushë mendja se po ecte mbi gjurmët e Romës për me rikrijue një perandori të re romake.

Shkaku i luftës ishte krejt banal, gjoja vrasja e bariut shqiptar çam Daut Hoxha. I qenë a i pa qenë, u vra a s’u vra kush, nuk dihet, por ky emën apo njeri u shpik e u përdor si “casus belli” (shkak lufte). Italia me atë pretekst i shpalli luftë Greqisë, gjoja në mbrojtje të interesave të Shqipnisë vasale e saj. Dhe me marifet të madh ia ngarkoi shpalljen e luftës qeverisë kukull shqiptare. Ndërsa faktikisht gjithçka ishte përgatitë e planifikue nga vetë Musolini që më 28 tetor 1940 të pushtonte Greqinë me mendimin se do ta pushtonte lehtë. Ana qesharake ishte se ushtarëve italianë u kishin krijue përfytyrimin e vajzave të Athinës që i prisnin me padurim pipinot bukurosha dhe për të cilat sikur po shkohej për një vizitë turistike plot dëfrime. 

Kështu ushtria shqiptare u gjend e përfshime në rang batalionesh si pjesë e divizioneve italiane. Babës iu dha komanda e një regjimenti ku ishte përfshi batalioni “Tomorri” në sektorin e Korçës me komandant major Spiro Moisiun i cili ishte edhe mik i tij. Ndonjë batalion tjetër shqiptar ishte përfshi në regjimente të tjerë në pika të ndryshme të frontit. Babës i qëlloi fronti i krahinës së Korçës, në zonën e Bilishtit e të Ersekës. Duhet theksue se Ministria e Fashizmit kishte krijue milicinë fashiste këmishëzezë me mercenarë, të cilët nuk kishin të banin fare me ushtrinë efektive shqiptare. Ajo ishte në kundërvënie me të sa që edhe ushtarët e thjeshtë të ushtrisë efektive nuk i përfillnin e as i nderonin oficerët e asaj milicie fashistë. Një batalion i tillë me milicë “Gramozi” nën komandën e majorit kreshnik Frrok Doda ishte pjesë e një regjimenti fashist të këmishave të zeza, ku komanda ushtarake shqiptare nuk kishte të drejtë ndikimi. 

Para Prillit 1939, qeveria shqiptare nuk mori ndonjë masë mbrojtëse ndonëse e dinte mire se Italia fashiste do sulmonte. Qeveria greke e kryeministrit fashist Metaksa ishte përgatitë me ndihmën britanike me i ba ballë sulmit italian qysh kur u pushtua Shqipnia dhe e kishte përqendruar ushtrinë gjatë kufijvë të Shqipnisë. Më 28 Tetor 1940 trupat italiane kaluen kufinin grek duke përparua disa kilometra e pushtue disa fshatna kufitare. Kështu dhe regjimenti i babës hyni në një fshat të braktisun nga shumica e banorëve burra, që ishte në rrugën e Folorinës. Im atë vendosi komandën në një shtëpi të një kapiteni grek, ku thirri disa pleq të fshatit duke i sqarue se ai ishte oficer shqiptar dhe se ajo luftë nuk ishte e tyne, por e pushtuesit fashist italian. Pra të mos kishin frikë e merak, se ai nuk do të lejonte asnjë shkelje nga ana e trupave që komandonte. Banesën  do ta përdorte si komandë, dhe ashtu siç e kishte gjetë do ta linte, pa prekun asgja në të kur të largohej.

I kishte porositë banorët që ta njoftonin për çdo sjellje të keqe nga ana e ushtarëve. Fshatarët kishin mbetë të befasuem nga sjellja burrnore e fisnike të këtij komandanti shqiptar. Njëkohësish im atë kishte lëshue një urdhën dite që për çdo shkelje e mbrapështinë në dam të popullsisë së atij fshati nga ana e ushtarëve nën komandën e tij, do të merrte masa disiplinore të rrebta. Kështu për ato pak ditë që qëndroi aty, nuk ndodhi ndonjë incident. Kur erdhi puna me u largue prej kundërsulmit të ushtrisë greke, ai i mblodhi përsëri pleqt e fshatit dhe ua dorëzoi banesën ashtu siç e kishte gjetë, e gjithçka tjetër që ishte përdorë nga ushtria e tij. Kjo ngjarje mbeti ne mendjen e banorëve, e për sa jetuen ata që e kishin përjetue, flisnin me admirim për atë oficer shqiptar qe ishte tregue aq i naltë e fisnik në mbrojtje të banorëve të atij fshati.   

Për Shqipninë nuk u fol asgja por për Greqinë opinioni ndërkombëtar kishte marrë qëndrim ndaj sulmit të Italisë mbi Greqinë. Pati disa reagime në favor të saj. Anglia kishte ndërhyrë tashmë me ndihma në armatime e trupa. Aviacioni anglez filloi të bombardojë skelat e Italisë duke i shkaktue dame në flotën ushtarake te saj të përqendrueme në skelën e qytetit detar të Tarantos. Mbreti i Greqisë, ndryshe nga Mbreti Zog, nëpërmjet kryeministrit Metaksa kishte shpallë mobilizimin e përgjithshëm për moshat 14 – 70 vjeç të rroknin armët. Disfata e ushtrisë fashiste mori përpjesëtime të mëdha dhe u keqësue edhe nga mbajtja e keqe e kohës me shi e stuhi. 

Për të përballue atë dështim ushtarak, komanda e naltë italiane vendosi të sakrifikojë njësitet shqiptare në mbrojtje të tërheqjes së ushtrisë së saj. Duke e njohun karakterin e fortë e temperamentin impulsiv të kolonelit Prenk Pervizi si dhe ndikimin që ai kishte mbi trupat shqiptare, qoftë të vetat ose edhe të tjerat, komanda italiane e ngarkoi papritmas me detyrë me shkue në Tiranë për disa çeshtje dokumentesh. Ai u detyrue ta kryente atë punë, ku njëkohësisht do të shkonte me pa si shkonin punët e shpisë e familjës në Laç. Ditën e tretë që ishte në Tiranë  vjen një nip i tij në shërbim të major Spiro Mosisut i dërguem prej tij dhe i kërkonte të kthehej urgjentisht në front sepse italianët po merrnin disa masa të këqia ndaj shqiptarve. Rrugës, i nipi, rreshter Nikoll Pali, i tregoi se si komanda italiane kishte caktue në mbrojtje të tërheqjes batalionin e milicisë fashiste “Gramozi” të Frrok Dodës, i cili pothuejse po rrethohej pa shpëtim prej grekëve. Sa ishte dukun makina e tim etit, komanda shqiptare me major Moisiun i kishin  dalë para dhe menjëherë im atë kishte pyet:   

       –   Çfar ka ndodhun Spiro? 

       –  Shumë keq asht puna, zoti Kolonel. Batalioni i Frrok Dodës asht rrezik t ‘asgjësohet. Në mungesën tuej, komanda italiane e ka caktue në vijën e parë të frontit, për me mbrojtë tërheqjen e ushtrisë se saj, në një pozicion fare te papërshtatshëm e pa shpëtim.

        – Si mor këto qena po dashkan të na përdorin si mish për top? Kishte shpërthye im atë. Prandaj me kanë largue, pse nuk do ta kisha lejue atë punë kurrë ! Horrat !  

Ndërkaq Major Spiro dhe shtabi shqiptar dolën në një pikë vrojtimi ku im atë mundi me kuptue se fjalët e majorit ishin me vend. Batalionin “Gramozi” e kishin caktue  në  një pozicion të tillë si gropore, prej ku nuk mund të dilte ma. Fronti ishte në mbyllje e sipër. Babën e kishin zanë nervat dhe ashtu siç ishte i xhindosun kishte shkue drejt e në komandën italiane, ku nuk kishte lanë gja pa thanë në prani të vetë gjeneralit Soddu,  Kryekomandant i ushtrisë. Ndër të tjera duke  iu shpreh  me forcë: “Shqiptarët nuk bahen mish për top”!

Sa u kthye prej andej, i dha urdhën shoferit Kol Prela të përgatisë makinën, një Fiat 1100, dhe kapitenit Prenk Marka Përzefi që ta shoqnonte. Gjallë a dek do të shkonte me i takue ato djem nanash. Major Moisiu me oficerët e tjerë iu lutën mos me e ba atë çmenduni, me rrezikue edhe veten, kur po shihej se fronti tashma po mbyllej. S’kishte burrë nane me e ndalue. Makina u nis dhe pas pak kaloi në zonën e luftimeve.  

Komanda italiane kishte dalë e gjitha përjashta.  E una pazzia ! Il colonello è impazzito. Kjo asht çmenduni! Koloneli ka falisë! Ndërkaq artileria greke filloi të gjuej me artileri. Predhat binin sa para mbrapa. Shoferi që njihej si nga ma të mirët kalonte me shpejtësi rrugë pa rrugë e me dredha. Në këtë përshpejtim, ai nuk e kishte dallue një gropë të shkatueme nga predhat dhe ra mbi të papritun me një kundërgoditje të fortë që ua përplasi të treve kokat mbi tavan. Makina vazhdoi vrapin, por nga mbrapa u ndigjuen disa britma. Nga forca e inercisë koka e kapitenit kishte ça mbulesën prej llamarine të makinës dhe ai kishte mbetë me kaptinën jashtë saj. Kola e dredhoi makinën pas disa pemëve. Kapiteni shpëtoi me disa gërvishtje prej helmetës që e kishte hapë tavanin me një vrimë ma të madhe se koka e tij. Im atë ishte plagos pakëz në ball e rridhte gjak. Incidenti kaloi edhe ata mbrritën te batalioni. Frrok Doda me gjithë të tjerët mbetën të çuditun. Një takim dramatik! 

– Jo kështu or Prenk, si  me rrezikue jetën? Ne të mbaruem se të mbaruem jemi! I kishte folë Frrok Doda, me të cilin ishin miq të vjetër. Frroku ishte një degë e Gjomarkajve.

– Po kjo nuk ash luftë e jonë, or Frrok! Ah qenat! Prandaj më nisën në Tiranë. Nuk do ta kisha lejue kurrë këtë punë! … Frrok, duhet ta kishit braktisë menjëherë këtë vend të papërshtatshëm.          

Si do të shkonte puna?  Me u dorëzue grekëve s’bahej fjalë. Ishin të gjithë mirditorë e nuk mund të çonin turp në shtëpitë e tyne. Do të përpiqeshin me ça rrethimin. Kjo e gjitha. Çaste tepër tronditëse. Ato djem të ri gjendeshin para vdekjes të pa shmangshme. Një vdekje  heroike, për nderin e shqiptarit. Im atë nuk kishte këmbëngul më shumë me major Frrok Dodën, për mos me e fye e randue. U ndanë pa mundun me përmbajte emocionin. Im at u përqafue me Frrokun dhe me oficerët e tjerë. Ndërkaq  nga rreshtat e ushtarëve ngriheshin zana: –  Prenk Pervizi, t’i thoni Mirditës, se nuk e turpnojmë e nuk çojmë marre në shpitë tona ! 

Një ndarje e dhimbshme. Tregonte shoferi Kol Prela se aty kishte pa duke qa burra trima e komandantë të shquem. Kapiten Prenk Mark Përzefi, që njihej si një njëri trim me bre hekur me dhambë, qante si fëmijë për fatin e zi që priste ato djelm nanash. Kur makina u nis në rrugën e kthimit, për çudi të çudive, grekët nuk gjuejten fare. E kjo i çuditi të tre burrat, por dhe komandën italiane që e kishin ndjek me dylbi atë aksion tepër të rrezikshëm, ku guximi i kalonte caqet deri në çmenduri.            

Im atë bashkoi shtabin shqiptar dhe i porositi që tash e tutje të mos zbatonin asnjë urdhën të komandës italiane pa e vu në dijeni atë. Në rast se ai nuk do të ishte aty, të merrnin urdhnat nga major Spiro Moisiu.  Aty u vendos që kur të fillonte ofensiva e mëtejshme greke dhe tërheqja e ushtrisë italiane, batalioni “Tomorri” do të tërhiqej menjëherë pa rrezikue sikur jetën e një ushtari duke zanë një pozicion mbrojtës të sigurt, që u caktuen që ma përpara.  Pas atij vendimi, im atë u drejtue në komandën italiane e në mbledhjen që ajo bani u shpreh se asnjë vendim i asaj komande në drejtim të njësive shqiptare nuk do të bahej pa dijeninë e aprovimin e tij. Dhe u kishte tërheqë vërejtjen se si kishin caktue njësitin shqiptar në një pozicion fare të papërshtatshëm dhe pa kriter strategjik. Për këtë punë e njoftoi Spiro Moisiun dhe oficerët e tjerë. E kështu u vendos që batalioni do të braktiste vijën e frontit, ku ishte caktue, sa të fillonte ofensiva greke dhe tërheqja e ushtrisë italiane. 

Ndërkaq, kur ra nata, matanë frontit, nisi sulmi i ushtrisë greke që u ndesh me batalionin e rrethuem. Luftimi vazhdoi gjithë natën. Shqiptarët të zanun ngusht, luftuen me tërbim duke u përpjekë me ça rrethimin, e mbetën të vramë pothuajse të gjithë. A shpëtoj a s’shpëtoj ndonjë prej tyne nuk u muer vesh. Asnjë sish nuk mund të pranonte të dorëzohej me armë në dorë që do të thoshte një turp i madh për familjen, fisin e Mirditën. Një sakrificë heroike që do të mbetej ne kujtesën e mirditorve e që do të trashëgohej brez pas brezi me gojdhana e kangë heroike. Mbi batalionin “Tomorri”, kishte ra një hije e zezë mortore. Asnjë ushtar e oficer nuk e njohu gjumin atë natë. Të gjithë kishin dalë nga llogoret për të ndjekun atë ngjarje dramatike. Im atë  me major Spiron dhe oficerët e tjerë qëndruen përjashta në kambë gjithë kohën deri kur heshtën krismat e armëve, që shënonin fundin e asaj tragjedie të madhe. Lotët rridhnin të papërmbajtun mbi faqet e atyne burrave. Një trishtim i madh i cili zgjati disa ditë. 

Sa filloi ofensiva e mëtejshme  greke dhe tërheqja e trupave italiane, batalioni “Tomorri” e braktisi vijën e parë të frontit ku e kishin caktue dhe u tërhoq duke luftue drejt pozicionit që ishte caktue mbi një kodër. Në këtë orvajtje një ushtar mbeti i plagosun në kambë nja pesëdhjetë metra mbrapa. Ishte nga fisi i Margjonit të Skurajt të Kurbinit. Aty doli rreshter Nikoll Pal Gjini, nip i babës, i cili u lëshue me shpëtue bashkfshatarin e tij nën mbrojtjen e zjarrit të shokëve. Ai arriti ta marri në kurriz dhe si i fuqishëm që ishte iu ngjit përpjetës dhe e shpëtoi. Fakti ishte se dy fiset ishin në anmiqsi, por në atë rast Nikolla tregoi një burrni e trimni të pashoqe për të cilin veprim fitoi simpatinë e admirimin e të gjithëve. Nikollën, major Spiro e mbante gjithmonë pranë vetes, jo vetëm sepse ishte nip i komandantit, por dhe si një i ri trim e besnik.  

Pasojat e këtij veprimi të batalionit ishin shumë të randa për ushtrinë italiane. Grekët duke mos gjetun një qëndresë mbrojtëse në vijën e parë të frontit u sulën mbi ushtrinë italiane me tërbim duke e detyrue të tërhiqej në shregull e me humbje të mëdha. Kjo i hapi rrugë pushtimit të Korçës nga ana tyne. Disfata shkaktoi çoroditje në radhë të ushtrisë e të komandës italiane. Ajo deshi të marrë masa drastike por duke mos guxue ndaj Prenk Pervizit, për t’evitue çdo incident, deshtën me nxierrë para gjyqit ushtarak major Spiro Mosiun, si komandant i batalionit. Në atë mbledhje, ishte ngrit im atë i cili kishte folë shprehimisht: – Në qoftë se do të bahet gjyq, në të  do të përfshihet e gjithë komanda shqiptare bashkë me mue! 

Para atij qëndrimi, komanda italiane u tërhoq, duke pasë frikë mos shkaktoheshin trazime të tjera. Ata e dinin mirë se influenca dhe autoriteti i Prenk Pervizit mbi ushtrinë shqiptare si dhe në mbarë vendin ishte mjaft  e madhe. Kështu që e mbyllën atë punë dhe vendosën heqjen e ushtrisë shqiptare nga fronti. Babën e izoluen në malet e Pukës me shtabin e tij dhe një pjesë të ushtrisë. Batalionin “Tomorri” e caktuen në Laç të Kurbinit, jo larg prej shpisë sonë, në një fushë afër kishës së Shën Mëhillit.

Gjithë sa u tha ma sipër na e tregonte vetë major Moisiu që frekuentonte gati çdo ditë shpinë tonë, dhe nga protagonistët e tjerë, duke fillue  nga ushtarët e deri tek oficerët që kishin qenë të përfshimë në atë ngjarje. Kapiteni Preng Mark Perzefi dhe shoferi Kol Prela, na tregonin se si i shpëtuan atij aksioni tepër të guximshëm e të rrezikshëm që kishin përballue, dhe për çaste e fundit kur u ndanë nga ato bij të rrebtë të Mirditës, qe nuk e kishni vdekjën në hesap, për nderin e familjeve dhe të Mirditës. Se si kapiten Frrok Doda ishte takue burrnisht me Prenk Pervizin dhe burrnisht ishte nda e përfalë. Çaste sublime të krenarisë e  shpirtit të sakrificës për traditat e virtytet  burrnore të shqiptarve.  Çaste dramatike  të paharrueshme. Por mbi të gjitha përmendej se si im atë ishte shprehun në komandën italiane para gjeneralit Soddu dhe gjeneralëve e kolonelëve të tjerë kur u kishte thanë -Shqiptarët nuk bahen mish për top ! 

Pasi dola nga spitali e erdha në Laç, batalionin “Tomorri” e kishin  transferue në Shijak apo gjetkë. Pas një muej im atë më mori në Tiranë për kontrolle të mëtejshme mjeksore, sepse sipas ndonjë mjeku sëmundja që kisha kalue unë mund të bëhej shkak për tuberkoloz. Gjithashtu kisha nevojë të mbushnja nja dy dhambë e baba më kishte çue te dentisti i njohun armen Markarian, i cili erdhi e më mori me pajton. Sa arritëm para Kryegjyshatës së Bektashive, aty në trotuarin po vinte drejt nesh major Spiro Moisiu, vetëm. Im atë e ndaloi menjëherë karrocën, zbriti dhe të dy oficerët u përshëndetet e u përqafuen. Unë e dëgjoja bisedën e tyre. 

– Po ku ke humbun Spiro, pse nuk më ke njoftue ku të kanë caktue? Po i thoshte ime atë. Majori i tregoi se ishte në Shijak dhe kishte marrë nga Komanda Italiane një urdhën transferimi për në Malin e Zi, ku duhet të nisej së shpejti. Po bëhesha gati me të njoftue, por ja që u takuem.

– Ah qenat, duen që të vritesh atje! Por sa të jemë unë gjallë ajo punë nuk bahet! Askush nuk më ka njoftue për këtë punë, por rri rehat sepse ti atje nuk shkon. Nuk do ta lejojmë kurrë! Iu përgjigj im atë, krejt i nevrikosur për sa mori vesh.

Pastaj ato të dy folën me za ma të ulët, por unë arrita me kapë shprehjet e tyne për gjendjen e mjerueme ku ishin katandisë e se çfar mund të bahej. Duhej ba diçka. Pastaj u përqafuen e u ndanë duke nderue ushtarakisht. Nuk e përmbanin dot emocionin, sa që kur baba u kthye, sytë e tij shkëlqenin. Spiro Moisiu qëndroi gaditu deri sa karroca u nis. Im atë u ul pranë meje gjithë i vrejtun duke murmurue ndër dhambë, qen bir qenat !      

Ai shkoi drejt e në Komandën e Naltë Italiane ku ishte shprehë shumë randë. Si asht e mundun që njësitet shqiptare të transferohen andej e këndej pa dijeni të Komandës Shqiptare. E sa për transferimin e major Spiro Moisiut në Mal të Zi as që mund të bahej fjalë pa aprovimin e tij. Kështu e kemi pas marrëveshjen se ushtria shqiptare do të mbetej e pavarun dhe pasive, duke ruejtë strukturat dhe komandat e veta. Batalioni i Spiros nuk u çue në Mal të Zi, por u hoq edhe nga Shijaku dhe u çue në Lushnje, larg nga ndikimi që kishte im atë në veri dhe në ushtri. Kështu ishin shpërnda dhe njësitet e tjera si kokrra misri. Italianët ruheshin nga shkaktimi i ndonjë incidenti me ushtrinë shqiptaren dhe kryesisht nuk guxonin të preknin e cenonin babën. Këtu mbyllet gjithçka kishte lidhje me luftën italo-greke.

(Marrë nga libri: Lek Përvizi, Gjenerali, Sh. B. Fishta, 2011.)

© Pashtriku.org

Total
10
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura