UÇK-ja, DIALOGU DHE MUZEU DIGJITAL I GJENOCIDIT TË SERBISË NË KOSOVË (…1998 -1999)

Pashtriku.org, 3 Maj 2020: Botërisht dihet se shqiptarët e Kosovës me UÇK-në bënë luftë çlirimtare. Për shkak se ishte luftë e drejtë çlirimtare, e fitoi simpatinë dhe përkrahjen e vendeve demokratike perëndimore. Si pasojë e krimit të planifikuar shtetëror të Serbisë, të kryer për mes makinerisë policore dhe ushtarake, reagoi bota liridashëse. Krimineli Sllobodan Millosheviq, projektoi dhe zbatoi gjenocidin ndaj popullatës shqiptare, në vitin e fundit të shekullit XX (ndonëse gjenocidi serbë ka nisur qysh në shek XIX), me qëllim fashist të zhdukjes biologjike të një populli, për të realizuar pastrimin etnik dhe ndërrimin e strukturës etnike në Kosovë.
Për shkak të këtij gjenocidi ndërhyri NATO (mars – qershor 1999) me në krye me SHBA-të dhe 19 vende tjera demokratike, që detyroi kapitullimin e Serbisë dhe u realizua çlirimi i Kosovës. U vendos administrata ndërkombëtare e OKB-së me misionin e UNMIK-ut. Përmes Planit të Ahtisarit (shkurt 2007) u projektua një pavarësi jo funksionale për shtetin e ri të Kosovës, përmes sanksionimit të pengesave të shumta në Kushtetutë. Pavarësia e Kosovës shpejtë u njoh edhe nga Gjykata Ndërkombëtare (22 korrik 2010). Kjo njohje do të duhej të ishte akti i përmbylljes i raporteve kontestuese me Serbinë, dhe nga ky moment do të duhej të vendosej reciprociteti në marrëdhëniet me Serbinë ashtu si me çdo shtet tjetër. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, reciprociteti është baza e zhvillimit të çfarëdo marrëdhënie dhe bashkëpunimi në mes të dy shteteve të pavarura. Ky raport me Serbinë nuk u bë realitet as sot e kësaj dite. Vazhdon dialogu i imponuar, me qasje të pa drejtë dhe trajtim me dy kute të palëve në bisedime, të imponuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar. Kërkohet një zgjidhje kinse konsensusi në mes të dy palëve, që në të kaluarën kanë pasur konflikt të armatosur, e që sot me të drejtë kërkohet një zgjidhje e pranueshme për dy palët. Padrejtësia më e madhe është në qasje të gabuar përmes barazimit të palëve.

Si mund të besohet se do të ketë një përfundim të drejtë të dialogut me Serbinë, kur ajo është po ajo e vjetra, me aspirata që i kishte që nga koha e luftës. Serbia vazhdon me ndërhyrjet në Kosovë në mënyra të ndryshme; me mbajtjen në klauzolën kushtetuese të përcaktimit, se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë, me sistemin e organizimit paralel, me bllokimin e veriut të Kosovës, me izolimin e Mitrovicës së veriut, me pengimin e qytetarëve të Kosovës në kufirin shtetërorë me Kosovën, me mosnjohjen e dokumenteve të udhëtimit, me aktivitetet për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës në disa shtete të vogla si dhe me pengimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Nga faktori ndërkombëtar insistohet që me shpejtësi duhet të arrihet një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje mjafton të jetë e pranueshme nga përfaqësuesit e palëve. Ky presion haptas shihet se bie më shumë mbi Kosovën dhe aspak mbi Serbinë. Prandaj kjo situatë ngritë disa dilema dhe pyetje shqetësuese për shqiptarët e Kosovës.
1. Kur diçka kryhet me shpejtësi, presion, zhurmë dhe mjegull fiton ujku dhe matrapazët, po jo ai që është në të drejtën e tij. Shpejtësia nuk ka qenë kurrë qasje e mençur për dialog dhe marrëveshje të rëndësishme.
2. Nga kush dhe si duhet të përcaktohet masa e kësaj pranueshmërie brenda palëve, konkretisht brenda palës kosovare. Pika e dobët në këtë çështje është fakti se Kosova është shteti i ri, me diplomaci të pa përvojë dhe me përfaqësues të komprometuar në tavolinat e dialogut njëzet (20) vjeçar.
3. Serbia është duke përllogaritur saktë, se koha ka zbehur imazhet e krimeve dhe gjenocidit të kryer prej saj gjatë luftës. Koha e re perceptim i ri, tash mund të ndikohet rishtas te diplomatët e rinj dhe udhëheqjet shtetërore të vendeve perëndimore. Ajo luan rrolin sikur gjithçka është e re dhe ka filluar tash, prandaj duhet të shkohet në dialog me kërkesa për konsensus maksimal. Me parimin që të fitojnë ose të humbin dy palët kinse njësoj. Çka kupton kjo? Kush do të humb vërtet në këtë rast? Dihet se këtu humb vetëm Kosova.
4. Përfaqësuesit kosovar në vazhdimësi kanë bërë kompromise të vogla, që të fitojnë simpatinë e ndërkombëtareve, që të ngelen në pushtet dhe të mos u përmendet ndonjë krim i luftës apo i pas luftës. Që të mos u përmenden veprat e korrupsionit, zhvatja e fondeve publike, përvetësimi dhe grabitja e pasurisë së Kosovës. Shumë kompromise të vogla e kanë pru punën deri te rritja e apetiteve të Serbisë për kompromis final.
CILAT JANË KOMPROMISET E DERITASHME TË KOSOVËS NDAJ SERBISË?
Kompromiset e bëra nga pala kosovare janë të shumta, por këtu po i radhisim ato më kryesoret, të cilat kanë ndikim direkt në rezultatet e përfundimit të dialogut me Serbinë dhe funksionalitetin shtetit të Kosovës.
1. Mos ngritja e një muzeu për krimet e gjenocidit serb në Kosovë, ku do ti kujtohej vazhdimisht udhëheqjes kosovare, asaj të Serbisë dhe faktorit ndërkombëtarë, krimi dhe gjenocidi i shtetit të Serbisë.
2. Mos kërkimi zyrtar për pagesën dhe zhdëmtimin e dëmeve të luftës.
3. Mos mbrojtja e karakterit çlirimtarë të luftës së UÇK-së, ku dihet saktë çka i takon fituesit dhe çfarë obligime ka humbësi për tmerret dhe dëmet e shkaktuara.
4. Mos kërkimi me forcë nga Kosova prej fuqive perëndimore për të bërë de nacifikimin e Serbisë.
4.- Pranimi i konstatimit fals se në Kosovës ka pasur konflikt të armatosur. Në konflikt palët janë fajtor gati njësoj dhe pas luftës duhet të jetojnë brenda një hapësire territoriale.
5. Mos këmbëngulja për kërkim falje të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë si kusht para se të fillon dialogu.
6. Në emër të mirëkuptimit dhe fleksibilitetit ndaj politikës perëndimore, u pranua amnezia kolektive për krijimin e parakushteve për dialog konsensual me Serbinë.
7. Pranimi i garancive kushtetuese me të drejta bllokuese të pakicës serbe, për paralizimin e funksionimit normal të shtetit Kosovës.
8. Rritja e territorit të kishave, përtej asaj që kishin në tapitë poseduese edhe nga regjimi i Millosheviqit, plus perimetri i hapësirës së sigurisë më shumë se bazat ushtarake.
9. Asociacioni i komunave serbe, si organizatë një nacionale, me organizim territorial dhe me kompetenca ekzekutive.
10. Decentralizimi i lokal, duke krijuar komuna një etnike edhe me tri fshatra, me harta gjarpërore, me mundësi që të ruhet vazhdimësia etnike fshat pas fshati, deri në kufirin shtetëror me Serbinë.
Ditëve të fundit ka edhe propozime të skajshme nga njerëz gjak prishur për faljen e krimeve të Serbisë, sepse ato janë vjetruar dhe nuk kanë më ndonjë rëndësi. Nuk është me rëndësi a dënohen kriminelet apo jo, me rëndësi është marrëveshja dhe fqinjësia e mirë me Serbinë. Sigurisht se ka edhe lëshime dhe kompromise tjera që ne nuk i kemi rendit në këtë shkrim. Prej se ka lindur atdhe dashuria një gjë dihet qartë, se nuk ka fleksibilitet e politikë të hollë që arsyeton veprimet në dëm të atdheut as për sot e as në të ardhmen.
FUNDI I DIALOGUT
Siç po shihet dialogu do të rifillon me presion ndërkombëtar të dukshëm edhe njëzet (20) vjet pas luftës. Është fakt se Serbia me zhdërvjelltësi ka përfituar nga distanca kohore e cila ka zbehur krimet e heshtura duke fituar çdo ditë e më shumë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar perëndimor. Çka është për më keq edhe aleatët e Kosovës nuk janë më aleatë si dikur. Kanë ndërruar konceptin dhe qasjen për aleancat. Në hallin më të madh tonin po deklarohen si ndërmjetësues neutral, e që në përkthim i bie se janë në anën e Serbisë. Sigurisht kjo bëhet për balancime dhe matematika të interesave politike, ekonomike e ushtarake në mes të fuqive të mëdha deri në kontekstin global.
Kohëve të fundit shumë zyrtarë të partive në pushtet dhe nga vetë presidenti i shtetit, është dëgjuar konstatimi, se diçka edhe ne duhet të japim. Se zgjidhja që po na ofrohet është e dhimbshme, por ne do ta nënshkruajmë. Që është kjo dobësi e udhëheqjes nuk ka dyshim, shihet qartë që ka qëndrim kapitullues. Kemi qeveri të paralizuar nga intrigat e brendshme dhe të jashtme. Nuk ka dëm më të madh ndaj çështjes kombëtare se sa kur hiqen pjesë nga trupi i atdheut. Për një klasë politike, për një popull dhe për patriotët e tij nuk ka situatë më të rëndë se kjo.
Si mund të pritet dhe përballohet stuhia antishqiptare?
Edhe në këto rrethana ka diçka që mund të bëhet me shpejtësi në të mirë të vendit. Duhet të shihet mundësia se, çka mund të riparohet më shpejtë dhe ma lehtë, ndonjëri prej gabimeve të mëdha njëzet (20) vjeçare.
Shqiptarët e mirë dhe të vërtetë, të kenë bashkim në ide, në perceptim dhe interpretim të fakteve. Atdheu është në rrezik. Të kenë pajtim për një qëllim. Uniteti kombëtarë para se gjithash. Të bëhet sot ajo çka është mundur të bëhet. Nuk mund të ketë një atdhe me shumë interesa. Një atdhe një qëllim.
Para se gjithash duhet të rifreskohet kujtesa e njerëzve të sotëm, që janë në krye të vendit tonë, kryetarëve të partive politike, drejtuesve të shteteve, të shteteve aleate, drejtuesve të fuqive të mëdha, drejtuesve të shteteve evropiane, diplomatëve aktivë, politikanëve aktiv, intelektualëve me ndikim, qytetarëve dhe tërë njerëzimit, për krimet dhe gjenocidin e Serbisë të kryer gjatë luftës në Kosovë.
SI MUND TË BËHET KJO?
Kjo situatë e jashtëzakonshme kërkon veprime të përkushtuara. Rifreskimi dhe ndriçimi i mendjeve të njerëzve për gjenocidin e Serbisë në Kosovës është punë e madhe. Kjo ndërmarrje e madhe e veprimit politik kombëtar, mund të bëhet vetëm në rrugë jo shtetërore, pasi që udhëheqja e saj është e paralizuar, për shkaqe që duhet të zbulohen dhe bëhen publike sa më parë.
Duke ju falënderuar zhvillimit të shkencës, koha që po jetojmë quhet edhe epoka e internetit, digjitalizimit dhe globalizmit. Epokë me mundësi të mëdha edhe për beteja virtuale por me efekte konkrete. Për mes internetit dhe medias sociale, pa humbur kohë duhet të projektohet dhe organizohet një fushatë mediale informuese, për aktualizimin e krimeve dhe gjenocidit të Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Veprimi i domosdoshëm dhe më i mundshëm për realizim, pa implikimin e shtetit të brishtë të Kosovës, pa angazhimin e klasës politike të kushtëzuar, është projekti kombëtar për themelimin e Muzeut Digjital të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
THEMELIMI I MUZEUT DIGJITAL TË GJENOCIDIT TË SERBISË NË KOSOVË
Duhet të fillohet me hapjen e një veb faqe/portal, ku do të ekspozohet gjenocidi serb. Për të arritur më shpejtë në adresë gjatë kërkimit, portali duhet të ketë adresën shumë përmbledhëse dhe domethënëse: Gjenocidi i Serbisë në Kosovë. Sigurisht se ky muze/portal do ti ketë dritaret dhe nën dritare për të gjitha llojet e krimeve, për qëllim të orientimit sa më të lehtë të kërkuesit, për të arritur tek lënda/dëshmia e kërkuar. Kriteret e funksionimit të një portali i kemi të njohura dhe përpunimet e më tejme janë çështje për ekspertët e fushës.
Idenë duhet ta përkrahin të gjithë shqiptarët në forma të ndryshme. E para duke dërguar në adresë të portalit materiale që pasurojnë fondin e muzeut. Të gjithë shqiptarët, në formë digjitale, do të dërgojnë materialet dhe dëshmitë e tyre për gjenocidin e Serbisë të kryera në familjet e tyre, vendlindjen e tyre, komunën e tyre dhe për krejt Kosovën.
Materiale që dëshmojnë krimin dhe gjenocidin e Serbisë drejtë për drejtë dhe në mënyrë të tërthor duhet të konsiderohen: materialet e shkruara, fotografitë, video xhirimet dhe dëshmi të tjera, që do të përcaktohen në listë posaçme.
Të gjitha dëshmitë e krimeve të kryera gjatë gjenocidit të Serbisë në Kosovë, e që janë fond i muzeut, përmes adresës së veb faqes, duhet të dërgohen në adresat elektronike të njerëzve vendimmarrës si në Kosovë, Evropë SHBA dhe në tërë botën. Për këtë duhet të formohet një listë e adresave që do të pasurohej vazhdimisht.
Me hapjen e këtij muzeu virtual, do të trokitej fortë në ndërgjegjen e politikanëve vendor, të aleatëve të Kosovës, diplomacisë evropiane, botërore dhe vet qytetarëve të shtetit të Serbisë.
Ekspozimi i krimeve në këtë muze do të ndikonte në vetëdijesimin e të gjithë atyre që do të ndanin drejtësi në dëm të Kosovës. Po ashtu do të ndikojë në vetëdijesimin e atyre që me nënshkrimin e vet do të pranonin marrëveshje të dëmshme në emër të Kosovës. Ekspozimi i gjenocidit të Serbisë në këtë muze virtual, do të ndalonte nënshkrimin e marrëveshjeve të dhimbshme në emër të pragmatizmit politik, zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve, liberalizimit të vizave, fqinjësisë së mirë dhe perspektivës evropiane të Ballkanit.
ÇKA KONSIDEROHET PROVË E KRIMEVE TË LUFTËS?
Për orientim të kontribuuesve dhe bashkëpunëtorëve të muzeut të përpilohet lista e gjerë e atyre çka mund të quhen dëshmi për krimet e luftë. Në listë duhet të përfshihen këto materiale:
Fotografitë e njerëzve të vrarë, varrezave të martirëve të luftës, të varrezave të dëshmorëve, të njerëzve të zhdukur, të varrezave masive, të kolonave të refugjatëve, shtëpive të djegura, objekteve ndihmëse të djegura, dokumenteve të djegura, të teknikës së djegur dhe të shkatërruar, xhamive, teqeve, objekteve të kultit, të dokumenteve të djegura, të tapive të djegura, të dokumenteve të udhëtimit, diplomave të djegura, të fotografive të djegura, të librave të djegur, të bagëtive të mbytura, varrezave të shkatërruara, të përmendoreve të viktimave, të përmendoreve të martirëve, të obeliskëve që kujtojnë vendin e krimeve, të komplekseve memorialë dhe të gjitha ato fotografi që na kujton tmerret dhe dëmet e luftës. Është e njohur thënia se, një fotografi flet sa një mijë fjalë. Sigurisht se kjo listë është e hapur të pasurohet edhe me objekte dhe sende që nuk janë përfshi në listën e më sipërme.
Videot që: Që janë pronë private, që kanë transmetuar televizionet e ndryshme, materiale nga YouTube, dokumentarë të realizuar pas luftës, të gjitha video xhirimet që flasin dhe dokumentojnë krimet dhe gjenocidin e Serbisë.
Statistika të: fabrikave të shkatërruara dhe të plaçkitura, shtëpive të djegura, objekteve ndihmëse të djegura, të pasurisë së lëvizshme, librave dhe bibliotekave të djegura, teknikës bujqësore të vjedhur dhe të shkatërruar, bagëtisë së vjedhur dhe të vrarë, shkatërrime të varrezave, objekteve të kultit, druve frutor etj. Lista duhet të jetë e hapur për plotësim me sende dhe objekte të tjera. Të hartohen formularë të posaçëm për plotësim të këtyre evidencave.
Publikimet: Libra tematik nga historia e themelimit të shtetit të Serbisë ku paraqitet krimi mbi popullatën shqiptare. Të autorëve të jashtëm, shqiptarë edhe aty ku ka edhe të autorëve serb.
Libra për krimet e luftës dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Monografi që trajtojnë masakra të caktuara.
Dëshmitë mjekësore: Për pasojat shëndetësore, qofshin fizike apo shpirtërore që vuajnë qytetarë të shumtë si pasojë e torturave të dhunës gjatë kohës së luftës. ë ndryshme.
Gjithçka tjetër që mund të kategorizohet si dëshmi për krimet e luftës, duhet të fotografohet, xhirohet dhe të dërgohet si material për muzeun virtual.
Në kontekstin kohor, të situatës politike në Kosovës dhe përfundimit të dialogut me Serbinë përmes nënshkrimit të imponuar për një marrëveshje në pako, pa transparencë për përmbajtjen, themelimi i muzeut digjital të gjenocidit të Serbisë në Kosovë ka peshë të shumëfishtë.
Zbardhja e krimeve të luftës, shfaqja publike e krimeve të Serbisë, shpërndarja publike e fakteve, qasja e lehtë për ti parë në çdo kohë dhe nga çdo vend, mundësia për ti kopjuar dhe shpërndarë ato, e dobëson retorikën e shëtit kriminel, e dobëson besueshmërinë e shfajësimeve të tij dhe do të ndihmoj ndërmjetësuesit vendimmarrës për të përkrahur të drejtën. Sado pakë që do të ndihmojë për të mirë vendin tonë kjo ndërmarrje e jona sot, do të na banë të ndjehemi mirë nesër.
© Pashtriku.org, Maj 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura