UK LUSHI: SHQIPTARËT KANË IDENTITET UNIK KOMBËTAR

Pashtriku.org, 08. 05. 2013 – Ka disa përbashkësi mes amerikanëve dhe shqiptarëve. Të dy popujt jemi divers, dinamik dhe plot elan. Sigurisht që dallimi është në përmasa – Amerika është superfuqi dhe ne jemi një popull i vogël i cili sapo ka filluar ta marrë veten, por esenca e krahasimit është intrinsike. Popullit shqiptar i nevojitet të marrë mësim vetëbesimin e amerikanëve. Amerikanët do të dështojnë në një aktivitet njëqind herë por nuk do të dorëzohen dhe do të provojnë përsëri dhe përsëri, ama nga qëllimi nuk do të heqin dorë deri në realizimin e tij.
DRITA: Z. Lushi jeni investitor dhe aktivist shqiptaro-amerikan në New York. Gjithashtu merreni me publicistikë dhe shkrime letrare. Si ju duken shqiptarët nga distanca e Amerikës në fillim të shekullit XXI?
LUSHI:
Shqiptarët, kudo në botë, sot, mbase jemi më mirë se kurrë më parë. Pas shekujsh nën pushtime dhe mbizotërime nga të tjerët, fillimi i shekullit XXI është fillimi i një ere të re dhe premtuese për civilizimin shqiptar. Që prej shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur nuk ka pasur asnjëherë më shumë shqiptarë të lirë në tokat tona se sa në këtë kapërcyell të mileneumit të tretë. Gjendja është e mirë edhe ndër shqiptarë të cilët jetojmë nëpër botë jashtë mëmëdheut. Por nuk guxojmë të ekzaltohemi. Si çdo popull që nis të forcohet edhe ne duhet të përballojmë shumë sfida dhe kryejmë shumë punë para se të zëmë vend në universin e popujve që janë padronë të fatit të tyre.

Uk Lushi

DRITA: Shekulli XXI shqiptarët i gjen me shtetin tonë të dytë – Republikën e Kosovës. Ka zëra që thonë se Kosova e sotme i ngjason shumë realitetit të Shqipërisë së pas shpalljes së Pavarësisë me 28 Nëntor 1912. Si e vlerësoni këtë dhe si mund të bëhen shtetet tona funksionale në kuptimin e mirëfilltë?
LUSHI:
Nuk mund të them që ka ngjashmëri të shumta mes realitetit shqiptar me 1912 dhe këtij të sotmit. Ne jemi shumë më të fortë dhe më me shumë miq se sa atëbotë, kur nuk mbeti një popull i vetëm ballkanik që nuk na mësyu dhe që nuk zhvati ndonjë copë të atdheut tonë. Për dallim prej para njëqind vitesh, aktualisht, publiku botëror dhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes janë shumë më të informuara si për padrejtësitë kundrejt shqiptarëve si për realitetin në terren. Mirëpo, në aspektin e konsolidimit të mekanizmave dhe institucioneve të shtetit, duhet pranuar pa hezitim, kemi telashe të cilat nuk do të duhej t’i kishim as në Republikën e Kosovës e as në Republikën londineze të Shqipërisë. Ka suksese, por jo suksese maksimale. Pa mëdyshjen më të vogël, funksionalizimi i institucioneve shtetërore duhet të jetë prioriteti numër një i shqiptarëve kudo që jemi. Sipas vlerësimit tim, arsyeja kryesore pse ende kemi probleme me funksionalitetin politik dhe administrativ janë disa shqiptarë dhe grupet e tyre kriminale të cilat vetëm duan t’i marrin shoqërisë pa meritë dhe pa dhënë asnjë kontribut. Sa më shpejt që të arrijmë t’i bëjmë zap këta individë dhe këto kasta dhe sa më shpejt që të etablojmë një sistem të drejtë i cili në maje të piramidës së vlerave do të vendosë interesin e përgjithshëm, aq më shpejt do të përparojmë dhe aq më shpejt do të kemi shtete funksionale. Pas heqjes qafe dhe dënimit të këtyre pengesave, që funksionalizimi i Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë të jetë i përherëshëm, duhet të përqëndrohemi në edukimin dhe arsimimin e kuadrove si dhe në zhvillim social, kulturor dhe ekonomik. Që të jenë funksionale shtetet duhet t’i plotësojnë të gjitha parakushtet e mësipërme dhe secili shqiptar duhet të punojë me sinqeritet e dashuri për të mirën e përbashkët. Nuk ka ndonjë formulë magjike që shtetet e sukseshme funksionale e posedojnë.
DRITA: Keni studiuar dhe jetuar në Gjermani në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar dhe në SHBA prej vitit 1996. Shkruani përpos në gjuhën shqipe edhe në gjermanisht dhe anglisht dhe jeni aktiv në rrethe kulturore globale. Cili është statusi i kulturës shqiptare sot në botë dhe në rrjedhat botërore?
LUSHI:
Ka prani të kulturës shqiptare në shumë vende të botës. Çfarë e konsideroj si shumë të sukseshme për kulturën tonë është që prezantimi i saj vjen edhe nga shqiptarët jashtë trojeve shqiptare edhe nga shqiptarët brenda trojeve shqiptare. Nuk e di pse nuk ka informim të mjaftueshëm mbi praninë e një vistri të ambasadorëve kulturorë shqiptarë në skenën botërore, por dua të deklaroj që ka shumë nga të tillë që kanë korrur suksese në Europë, Amerikë dhe Azi. Janë shkrimtarë, poetë, artistë kontemporanë, valltarë, aktorë, fotografë, këngëtarë…pa zënë në gojë shumë sportistë, shkencëtarë, profesorë, afaristë, bankierë, avokatë dhe politikanë. Kultura shqiptare dhe shqiptarët janë të pranishëm nëpër botë më shumë se sa perceptohet.
Para ca kohësh përktheva tetë poetë të rinj amerikanë në shqip. Të gjithë yje në formim e sipër dhe të njohur në rrethet poetike amerikane. U bëra edhe nga një intervistë me katër pyetje. Pyetja e katërt ishte: çfarë dini për shqiptarët dhe letërsinë shqiptare? Isha në ndërdyshje mos kisha gabuar me pyetjen dhe ndofta do vija në siklet bashkëbiseduesit. Paragjykimi nuk është kurrë i mirë. Praktikisht të gjithë gjegjën se le që dinin për shqiptarët por kishin miq shqiptarë, njihnin Nënën Tereze, Lasgush Poradecin, Ismail Kadarenë, Luljeta Lleshanakun, e deri Jeronim de Radën, dhe, për më bukur, ishin të uritur të mësonin më shumë edhe për shqiptarët edhe për letërsinë shqiptare.
Sidoqoftë, ka edhe dobësi. Nuk ka bashkëpunim të mjaftueshëm panshqiptar dhe mbështetje në plasimin dhe promovimin e njëri-tjetrit. Poashtu nuk ka organizim si fjala vjen tek hebrenjtë të cilët sponsorizojnë dhe mbrojnë kulturën dhe vlerat e tyre dhe Izraelit pa bërë asnjë kompromis. Prandaj kemi filma si produkcioni francez i Luc Besson “Taken” që portretizojnë shqiptarët si trafikantë dhe vrasës. Suma summarum, kultura shqiptare nuk është kulturë e panjohur më, mirëpo ne vetë nuk jemi duke bërë sa duhet për ta treguar atë në dritën e plotë.
DRITA: Duke njohur dy realitete, atë amerikan dhe shqiptar, cilat janë rrugët që sipas mendimeve tuaja duhet t’i ndjek kombi shqiptar prej këtu ku jemi?
LUSHI:
Ka disa përbashkësi mes amerikanëve dhe shqiptarëve. Të dy popujt jemi divers, dinamik dhe plot elan. Sigurisht që dallimi është në përmasa – Amerika është superfuqi dhe ne jemi një popull i vogël i cili sapo ka filluar ta marrë veten, por esenca e krahasimit është intrinsike. Popullit shqiptar i nevojitet të marrë mësim vetëbesimin e amerikanëve. Amerikanët do të dështojnë në një aktivitet njëqind herë por nuk do të dorëzohen dhe do të provojnë përsëri dhe përsëri, ama nga qëllimi nuk do të heqin dorë deri në realizimin e tij. Shqiptarët, shpesh, i presin shpresën vetes ende pa ja nisur. Prandaj, rruga që ne duhet të ndjekim është rruga e vullnetit tonë. Si njerëz të lirë ne duhet të bashkëpunojmë me gjithkënd, porse duhet të vendosim për veten tonë dhe nuk duhet të frikësohemi apo besojmë se dikush tjetër e ditka më mirë se sa ne se çfarë është apo do të jetë më e mirë për ne.
DRITA: Ka një kohë të gjatë, që debatet për identitetin shqiptar nuk pushojnë. Cili është opinioni juaj, kanë shqiptarët identitet unik? Për më tepër, a mund të flitet për një kulturë homogjene brenda kombit shqiptar?
LUSHI:
Shqiptarët jemi shqiptarë dhe është e mrekullueshme dhe shumë e dobishme që identiteti ynë është policentrik, d.m.th. i përqendruar në treva dhe qendra kulturore të ndryshme. Shqiptarët si grup njerëzor kemi identitet unik kombëtar sepse i plotësojmë dy kushtet themelore të këtij lloji të identitetit kolektiv. Elementet e kushtit të parë janë “subjektive” dhe quhen vullnet dhe kujtesë, ndërkaq elementet e kushtit të dytë janë “objektive” dhe quhen territor dhe gjuhë.
Debatet janë të mira. Nuk ka debat të keq kur ai është i shëndoshë dhe nuk instrumentalizohet për realizimin e agjendave. Por me duhet të shprehem me keqardhje që debati mbi identitin shqiptar deri më tash kryesisht ka qenë debat amatoresk dhe diletant. Për shkak të hapësirës nuk do të zgjerohem tepër mbi këtë temë, megjithatë po theksoj dy gjëra. E para, shumica e të angazhuarve në debat nuk kanë treguar dijeninë minimale as mbi konceptet dhe teoritë e identitetit e as ato mbi kombin dhe nacionalizmin. E dyta, nxitësit e këtij debati jorrallë i kanë zbuluar hapur qëllimet politike të debatit dhe po aq shpesh kanë treguar që nuk janë njerëz që kanë njohuri të mjaftueshme për të sponzorizuar debatin identitar.
Në debatet mbi teorinë e kombit dhe shtetit proponentët e këtij debati me çdo kusht derisa të pajtohemi me ta me dhunë asnjëherë nuk kanë treguar sinqeritetin që tutorët e kanë për obligim ta dëshmojnë kur i përkushtohen një kauze e cila ka efekte popullore të gjithanshme. Në studimet teorike mbi kombin dhe nacionalizmin nuk ka një pajtueshmëri as për definicione, as për premisa, e as për zhvillime historike, sociale, ekonomike apo kulturore të cilat i japin peshë më të madhe një vije apo shkolle mendimi mbi tjetrën.
Fanatikët e ekzistimit të identiteteve të ndryshme kombëtare ndër shqiptarë as nuk duan t’ja dinë që kurrë nuk na kanë paraqitur një analizë të vetme komparative të kostove dhe benefiteve që do të sjell agjenda e tyre për miliona njerëz në emrin e të cilëve flasin. Këta “inxhinierë” të flashkët kanë hedhur nëpër pamfletet e tyre politike ndonjë frazë apo citat të Ernest Gellnerit dhe kujtojnë që do t’u besohet se janë të gjithdijshëm, sidomos kur fshehin argumentet dhe ekzaminimin kritik që dhjetra akademikë dhe profesorë të fushës i kanë bërë teorisë së Gellnerit mbi kombin.
Simpatizuesit e çarjeve shqiptare nuk e përmendin që lëmia e teorisë së nacionalizmit dhe kombeve është e re në katedrat akademike, por në përmbajtje ajo shkon deri në antikitet. Pandershmërisht, këta njerëz që e kanë për shpirt t’i quajnë kampionë të fjalës së lirë nuk janë aq të lirë me fjalët e tyre. Në ligjërimin e tyre njeriu nuk i gjen asnjërën nga doktrinat të cilat nuk u përshtaten atyre. Janë pak, por janë shumë të zhurmshëm dhe i bien vetëm gozhdës së modernizmit. I thonë vetes mendimtarë dhe dijetarë të thekur, veçse nuk ta përmendin primordializmin e as Pierre van der Berghe dhe qasjen e tij sociobiologjike, as Edward Shils e Clifford Geertz dhe qasjen e tyre kulturaliste, as Adrian Hastings dhe qasjen e tij perenialiste, përkundër faktit që të gjitha këto qasje janë qasje determinuese në kombformim.
Mos prisni të flasin as për Tom Nairn dhe teorinë e tij mbi zhvillimin e pabarabartë (ekonomik) si konditë e kombformimit, as për Michael Hechter dhe teoremat e tij për kolonializmin e brendshëm, as për ithtarët e idesë së transformimeve politike si brazdë për etablimin e kombeve si John Breuilly, Paul Brass dhe deri diku Eric Hobsbawm me idenë e tij mbi shpikjen e traditës. Mos prisni fare që do të dialogojnë as për etnosimbolizmin e John Armstrong dhe Anthony D. Smith, para së gjithash, sepse kjo teori i hedh në plehra krejt angazhimet dhe lektisjet që të jenë “baballarë” të një kombi të tyre.
Dhe jo, nuk do të flasin ata as për qasjet më të reja në teorinë e kombit dhe nacionalizmit si fjala vjen ajo e nacionalizmit banal të Michael Billig, ajo e feminizmit të Nira Zuval-Davis, ajo post-koloniale e Partha Chatterjee, apo ajo e etnicitetit pa grupe të Rogers Brubaker.
Jo, jo, këta ideologë pa komb nuk do të flasin asesi as për Vaso Pashën, as për Sami Frashërin, as për Luigj Gurakuqin, as për Mithat Frashërin, as për Gjergj Fishtën, as për Faik Konicën, as për Fan Nolin, as për Branko Merxhanin, as për Anton Harapin, as për Vangjel Koçën, as për Tajar Zavalanin, as për Krist Malokin, as për Ernest Koliqin, as për Nebil Çikën, as për Arshi Pipën, as për At Gjon Shllakun, as për At Zef Pllumin, as për Ukshin Hotin, as për Rexhep Qosjen, as për Mehmet Krajën, e as për Enis Sulstarovën. Ose, nëse i përmendin ndonjëherë si ndër buzë, do t’i përmendin duke i cunguar dhe keqpërdorur.
Sido që të jetë, përgjigjja dhe muri i pakalueshëm për ta është kultura shqiptare, e cila është një dhe e pandashme, siç është bazamentii saj i quajtur gjuha shqipe. Por, kultura do ushqim dhe kujdes. Personalisht jam i bindur që shqiptarët do të bëjnë saktësisht çfarë duhet që kultura shqiptare do të fokusohet në krijimin e vlerave dhe lehtësisht do t’i mbijetojë edhe këto furi siç i ka tejkaluar të gjitha tërbimet e deritashme kundër saj.
DRITA: Kohëve të fundit ka pasur reagime ndaj tentimit të qeverisë së Turqisë të shtyjë autoritetet e Kosovës të bëjnë rishikimin e historisë sonë nën mbikqyrjen e autoriteteve turke. Si i vlerësoni tendencat për ndryshimin e historisë?
LUSHI:
Është gabim të lejohet ndikimi i politikës në (ri)shkrimin e historisë. Kam nënshkruar Peticionin Kundër Ndërhyrjes Politike Turke dhe jam shumë i gëzuar që 127 nënshkruesve më të hershëm nga të gjitha trojet dhe mërgata shqiptare ju bashkangjitën me mijëra nënshkruesë tjerë brenda pak javësh. Reagimi panshqiptar ndaj kësaj ndërhyrjeje turke ishte i jashtëzakonshëm dhe tregoi edhe njëherë për vetëdijën e lartë që ka kombi shqiptar. Gjërat duhet thënë me vërtetësi dhe sinqeritet. Populli shqiptar nuk ka asgjë kundër popullit turk dhe respekti mes popujve duhet të jetë i ndërsjellë, por parardhësja e Republikës së Turqisë, Perandoria Osmane,ka qenë pushtuese e parardhësve tonë. Kjo është një e vërtetë absolute dhe nuk ka rimohues që e ndryshon këtë fakt. Uroj që autoritetet tona shtetërore në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup nuk do të bien në gracka të ngjashme dhe punën shkencore dhe kulturore do t’ua lënë profesionistëve dhe intelektualëve.
DRITA: Ne jemi popull me disa fe. Cili është mendimi juaj mbi marrëdhëniet ndërfetare tek shqiptarët?
LUSHI:
Janë bërë disa qindra vite prej kur jemi bërë popull multifetar. Kronologjia e shndërrimit të popullit tonë në popull multireligjioz dihet qartësisht siç dihet që shtrati i ekzistencës sonë si njerëz ka qenë dhe është europian. Ka tensione vulgare aty-këtu dhe bindja ime është që ato ndërsehen nga qarqe antishqiptare dhe nuk kam asnjë dyshim që populli ynë do t’i pahtojë të gjitha siç ka bërë gjithmonë më përpara. Si shqiptarë duhet ta kuptojmë qe ne mund të jemi shqiptarë muslimanë, shqiptarë të krishterë, e bile shqiptarë ateistë, por nuk do të duhej të jemi muslimanë shqiptarë, të krishterë shqiptarë e as ateistë shqiptarë. Historia na dëfton që harmonia ndërfetare është një vlerë e dalluar shqiptare të cilën edhe në të ardhmen duhet ta ruajmë si bebëzat e syve. Në fund të fundit nuk ka nderim më të madh për Zotin se sa duke dashur vëllaun apo motrën tënde.
DRITA: Z. Lushi, cili do të ishte mesazhi i juaj për lexuesit e revistës “Drita”?
LUSHI
: Bëni dritë çdokund ku hasni terr.
DRITA: Faleminderit!
LUSHI:
Ju falemnderit edhe juve!

Intervistoi: Edita Kuçi-Uka
(Intervistën e zhvilloj për revistën e përmuajshme fetare-kulturore të Kishës Katolike në Kosovë – “Drita”, Prill 2013)

=================================

Prishtinë, Shtator 2010: Sylë Hasani, Mr.Jetish Kadishani, Uk Lushi dhe Sheradin Berisha, në ditën e hapjes së Katedrales “Nënë Tereza”.

……………………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura