Pashtriku.org, 14. 05. 2018: Në vend të epilogut – Veti e përbashkët e teorive të parashtruara të botës perëndimore është fakti se gati të gjitha nisen nga botëkuptimi biologjik i natyrës së njeriut si agresive dhe këtë pastaj e zgjerojnë në raportet midis shteteve: me aktin e lindjes së njeriut përcaktohet nevoja e tij për të jetuar, me aktin e formimit të shtetit, përcaktohet nevoja e tij për të ekzistuar. Nga këto premisa nxirret konkludimi se sigurimi i jetës së shtetit (si edhe tek njeriu) është interes i tij vital. Meqë shteti dhe kombi janë një, atëherë ai është interes vital edhe i çdo kombi. Pika e dytë e përbashkët e këtyre teorive është e lidhur me faktin e maksimalizimit të fuqisë. Me fjalë të tjera, për ta ruajtur pavarësinë politike dhe integritetin e tyre territorial, shtetet (ashtu si edhe njerëzit) kanë nevojë të forcohen, d.m.th. ta shtojnë fuqinë e tyre. Sipas disave, fuqia është qëllim në vetvete, por edhe instrumenti i luftës për ekzistencë, e cila pastaj e nxit që të dominojë: “Ja rrënjët reale të imperializmit, -shkruan një profesor i Universitetit të Harvardit, -organizimi anarkik i sistemit ndërkombëtar të shteteve”, sepse, tendenca e vazhdueshme e shteteve për fuqi në lojën e vjetër të njohur të fuqisë, bën që ato “t’i dorëzohen tentimit për të dominuar për shkak se janë të motivuara ta maksimalizojnë pozitën e vet individuale të fuqisë, sepse janë të preokupuara jashtëzakonisht me problemin e sigurisë nacionale, sepse sistemi formalisht është në gjendje anarkie. Logjika e dominacionit buron drejtpërsëdrejti nga ekzistimi i sovraniteteve konkurrente nacionale (shih Benjamin J.Cohen, The Question of Imperialism, Basic Books, Inc. Publishers, N.Y.1973.f.245). Ky ligj, sipas botëkuptimeve të porsashtruara, është i përjetshëm. Lufta e përjetshme e shteteve për fuqi në sistemin e tillë ndërkombëtar anarkik të shteteve megjithatë rezulton në njëfarë rendi, veçse rendi i tillë është rezultat i drejtpeshimit të forcave, dhe jo rezultat i veprimit të faktorëve dhe ligjshmërive të tjera. Në këtë luftë të përjetshme të shteteve për fuqi, disa shtete-kombe, shpërthejnë në sipërfaqe, dalin të parat si më të forta. Sipas të njëjtit “ligj natyral” ato e përvetësojnë të drejtën “t’i gëlltisin” kombet ose shtetet më të vogla, në tërësi ose vetëm pjesërisht. Në qoftë se disa shtete-kombe më të vogla mbeten në sipërfaqe, ato këtë nuk e kanë bërë me forcën e vullnetit të tyre, por vetëm duke iu falenderuar aleancës ose miqësisë me shtetin (kombin) më të madh dhe afërsisë së interesave me të; ligjit të drejtpeshimit ose mungesës së interesave të të mëdhenjve. Me këtë, botëkuptimet e tilla arritën gjer në konsekuencat e tyre ekstreme: logjika e brendshme, inherente, e fuqisë, vazhdimisht insiston në rritjen e saj. Nuk do mend se amerikanët, sidomos pas luftës me Irakun, këtë e arsyetojnë me vendosjen e një rendi të ri në sistemin ndërkombëtar juridik, të cilin ata do ta mbronin me fuqinë e armës së tyre. Në natyrën e këtyre teorive, me fjalë të tjera, e kjo është me rëndësi të parëndomtë, është arsyetimi i tendencës së universalizimit të këtyre raporteve në nivel planetar. Në kontekst të këtyre tendencave doemos duhet vënë edhe proceset integrative të Evropës, të cilat gjer kah fundi i viteve 80 duket se i pengonte ideologjia komuniste, kurse tani duket se paraqiten si pengesë tendenca të ngjashme të palës tjetër. Është e pamundur të perceptohet interesi nacional i shqiptarëve në mënyrë të drejtë, pa kuptimin e thelbit të interesave dhe të botëkuptimeve edhe të palës tjetër. Territoret ku shtrihemi ne ishin vende të ndeshjes së botëkuptimeve dhe të interesave globale. Për këtë shkak, është me interes shqyrtimi i botëkuptimeve edhe të palës tjetër.
4. SHTETI DHE INTERESAT VITALE TË KOMBIT -II
B) Teoritë e proveniencës së Lindjes
Populli /kombi/-shtet Sovjetik
Presidenti amerikan Bush në një fjalim të ngazëllyer me të cilin arsyetohej lufta me Irakun dha të kuptohej se demokracia do të duhej të sundonte kudo. Ai theksoi se Amerika do t’i mbrojë shtetet e vogla, po qe se ato do ta akceptonin demokracinë, dhe se do t’i luftonte regjimet politike që do t’i kanoseshin parimeve të saj universale. Në frymën e teorive tashmë të parashtruara në DEA, presidenti Bush rolin e SHBA-ve e sheh në funksion të garantit të raporteve ashtu të universalizuara dhe të shtrira në tërë globin tokësor. S’ka dyshim se ky është një ideal i përhershëm i politikës amerikane. Mirëpo presidenti Bush me atë rast nuk e shpjegoi natyrën e vërtetë të raporteve me sovjetikët. Ndërkaq ata që e përcillnin me vëmendje luftën me Irakun, nuk mbetën pa e vënë re se përkundrejt dëshirës së disa qarqeve politike (veçanërisht të lidhura me Izraelin) që ta vazhdonin luftën edhe në territorin e Irakut, dhe jo vetëm në atë të Kuvajtit, gjer në eliminimin përfundimtar të faktorit ushtarak irakian dhe të Sadam Huseinit, prapseprapë qenë të shtrënguar t’i ndërprisnin operacionet luftarake me të çliruar Kuvajtin. Nuk mbetën pa u vënë re as insistimet e herëpasherëshme të zyrtarëve sovjetikë që SHBA-të t’i përmbaheshin rezolutës së KS të OKB, e cila e kërkonte çlirimin e Kuvajtit por jo edhe nënshtrimin e Irakut. Këmbimi i vazhdueshëm i porosive midis zyrtarëve të të dy palëve duket se ndikoi në përfundimin e luftës brenda suazave të vëna të rezolutës në fjalë të Këshillit të Sigurimit, ndonëse zhvillimi i ngjarjeve atje (në Irak) akoma nuk ka përfunduar. Me fjalë të tjera, s’ka dyshim se administratat amerikane gjatë tërë periodës së pas Luftës së II Botërore, por edhe tani, BRSS-në e konsideronin si rival të barabartë me veten; një pol tjetër të drejtëpeshimit bipolar të forcave; pjesëmarrës aktiv të garave në armatim dhe në zhvillimin global të shoqërisë dhe rrezikues potencial të interesave globale amerikane. Mirëpo tejkalimi i luftës (politikës) së ftohtë; përfundimi me sukses si i detente-it në marrëdhëniet midis dy superfuqive dhe veçanërisht rënia e komunizmit në vetë Bashkimin Sovjetik dhe në tërë Evropën Lindore, ka shtruar pyetje të reja dhe ka nxitur shpresa të mëdha te popujt që ndodhen brenda Bashkimit Sovjetik, por edhe brenda sferës së interesave globale sovjetike. Një pjesë e vogël e opinionit edhe ndër ne në Kosovë, e nxitur nga këto procese, filloi menjëherë jo vetëm të riorientohet, por edhe të ri-rreshtohet: dikush në funksion të interesave egoiste individuale, dikush tjetër në funksion të interesave të sektorëve të harruar shoqërorë dhe politikë, të tjerët në funksion të drejtpërdrejtë të interesave të qarqeve të ndryshme politike në Perëndim, të cilët kujtojnë se u ka ardhur koha e larjes përfundimtare të hesapeve me komunizmin e dikurshëm, ndërsa të tjerët ndershmërisht e besonin hapjen e rrugës për çlirim definitiv, por paqësor, nga “përqafimi vëllazëror” i sllavëve të jugut. E keqja është se ata rënien e komunizmit në tërësi e morën si mundje të tij nga ana e Perëndimit, si fitore definitive dhe të pakontestueshme të amerikanëve në rivalitet me sovjetikët dhe jo si dështim të një modeli zhvillimor. Dallimi midis dështimit dhe fitores është i vogël, por tejet i rëndësishëm. Fitorja e nënkupton dorëzimin e kundërshtarit pa ndonjë kusht të veçantë. Ndërkaq, dështimi e nënkupton dorëzimin edhe të vullnetshëm të rivalit në lojën e rivalitetit. Andaj, në qoftë se do të mund të flitej për mundjen e komunizmit, atëherë do të duhej të flitej për mundjen ekonomike dhe teknologjike, për mundjen e modelit zhvillimor, i cili për shkak të faktorëve objektivë që e përbëjnë fuqinë akoma nuk mund të konsiderohet, (dhe vështirë që ndonjëherë do të mund të konsiderohet, pa ndonjë luftë totale midis dy superfuqive) edhe mundje politike. Komponenta e tillë e pranishme në proceset e tanishme politike nuk ishte e njohur për këto forca, ose edhe ishte, po injorohej me qëllim prej tyre. Mirëpo injorimi i një komponente të tillë në formulimin dhe në zhvillimin e ndonjë politike të caktuar vetanake mund të të çojë vetëm në aventurizëm, ndonëse mund të jetë e kuptueshme vetëm për këtë fazë të tanishme të zhvillimit të proceseve politike. Megjithatë nuk mund të jetë i kuptueshëm agresiviteti i bartësve të kësaj tendence, të cilët luftën e argumenteve e zëvendësojnë me trillime, me shpifje e me intriga. Fjala është për një shqyrtim dhe për një qasje më serioze ndaj problemeve të rënda dhe delikate dhe jo për luftën për pushtet. Me të le të merren ata që s’kanë ndonjë punë tjetër, por le të mos shpresojnë se kjo gjë do t’u sjellë lumturinë.
Me supozimin se Bashkimi Sovjetik nuk do të shthuret si shtet, ndonëse disa procese që po zhvillohen atje të japin një përshtypje të tillë, precizimi i interesave globale ruso-sovjetike shndërrohet në një çështje të një rëndësie vitale për shqiptarët dhe jo një çështje e përshtattshme vetëm për diskutime akademike. Diskutimi emocional mbi këtë çështje, nga ana tjetër, sikundër që u theksua më lart, dhe sikundër që vihet re nëpër faqet e gazetave në gjuhën shqipe, por edhe në bisedat verbale, është i mundshëm, por jo edhe frutdhënës. Politikisht është steril, t’i shpenzon kot energjitë, i sfilit shpirtërat, dhe gjithnjë i rezervon mundësitë për paraqitjen e konsekuencave të panjohura. Duke u nisur nga këto premisa, shqyrtimi i kësaj teme në këtë tekst është i zhveshur nga paragjykimet dhe nga ngarkesat emocionale. Gjërat janë ditur, vetëm është i nevojshëm rivlerësimi i tyre nga pozitat e kontekstit të ndryshuar. Ndërkaq, mbase edhe nuk janë ditur për aq sa është kujtuar.
Nga biseda me amerikanin
Literaturë politike mbi perceptimin e interesave vitale të shtetit sovjetik, në mënyrën si shqyrtohen ato në botën e Perëndimit, në Lindje nuk ka, për shkak se këtij problemi autorët sovjetikë gjer më tani i janë qasur nga aspekti i ideologjisë komuniste. I intriguar me aspektin teorik të çështjeve të tilla, gjatë viteve 1977-78 vija re se shumica e autorëve perëndimorë, pothuajse të gjitha institucionet hulumtuese sovjetologjike në SHBA e gjetkë, si dhe shumë institucione të tjera të themeluara apo të ndihmuara nga qeveritë, në thelb të interesimit të tyre hulumtues-kërkimor e kishin qoftë zgjidhjen (rregullimin) e çështjes nacionale në BRSS, qoftë armatimin nuklear dhe aftësinë e bartjes interkontinentale të ngarkesave nukleare dhe termonukleare. Në esencë të interesimit të tyre, me fjalë të tjera, ishin po ato premisa të interesave vitale të shtetit sovjetik, që i kishin për shtetet e veta: sigurimi i shtetit dhe maksimalizimi i fuqisë së shtetit sovjetik: “Interesat materiale dhe jo idetë, -do të thoshte Maks Weber, -dominojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi veprimet e njerëzve.” Përkthyer në gjuhën e politikës ndërkombëtare, ky konstatim i Weberit do të shpjegohej si vijon: fuqia materiale e shtetit është ajo që duhet të merret në konsiderim dhe jo ideologjia e tij. Gjatë një bisede me një autor tejet kompetent amerikan të studimeve politike, emrin e të cilit nuk do ta përmendja për arsye private (d.m.th., jo shtetërore), pyetjes sime se përse institucionet sovjetologjike në Amerikë në thelb të interesimit të tyre e kanë rregullimin e çështjes nacionale në Bashkimin Sovjetik, ai iu përgjigj: “Por ata po na shkaktojnë probleme brenda sferës së interesave tona. Është e udhës t’ua kthejmë.” “Profesor, -i pata thënë unë, -Walter Lipmani dhe një plejadë e tërë autoritetesh amerikane nga kjo fushë pohojnë se interesat amerikane dhe ato ruse askund nuk konfrontohen drejtëpërsëdrejti. Ndërkaq kjo që po më thoni tani është çështje e konfrontimit të interesave nacionale apo çështje e rivalitetit të ineresave globale?”.”Mirëpo djalosh, -më tha ai (ishte shumë më i vjetër se unë), -sikur të mos ekzistonin rusët, me kë do të mateshim ne?”. “Mbase nuk do t’ju pëlqente roli i xhandarit të vetëm”, -përfundova unë. Profesori u qesh. Ndërkaq, me vete mendoja se çështja e Republikës eventuale të Kosovës (atëherë akoma ishte eventuale) mund të konsiderohej vetëm çështje rivaliteti, pa cënimin e paqes në këto troje. Natyrisht këtë nuk ia thashë, por ika me bindjen se do të kuptoheshim edhe po t’ia thoja. Rusët do të duhej të pajtoheshin doemos me një gjë të tillë, ngase Republika e Kosovës esencialisht do të ishte barazim i pozitave me anglosaksonët në sferën e interesave globale të të dy palëve.
Përbërja nacionale e BRSS
BRSS, siç dihet, është një shtet multinacional me mbi 108 nacionalitete, pa e përfshirë popullsinë e cilësuar si “të tjerët”. Dhe kjo sipas regjistrimit të vitit 1956, ngase ky përmbante të dhëna më të sakta, (shih Anne Sheehy, “Population Trends in Central Asia and Khazakhstan”, 1959-1965, Central Asian Rewiew, nr.4.1965). Ndërkaq teorikët sovjetikë në shkrimet e tyre rëndom thirren në numrin e mbi 100 nacionaliteteve (term me të cilin përfshihen si kombet ashtu dhe kombësitë). Thuhet se në BRSS shkruhet në 75 gjuhë të ndryshme, 40 prej të cilave e kanë fituar alfabetin dhe nivelin e shkrimit vetëm pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 (shih “The Theory and Practice of Proletarian Internationalism” USSR Academy of Sciences, Progress Publishers, Moscow, 1976, f.158) kushtetuta sovjetike i njeh 58 njësi politiko-administrative, 15 prej të cilave e kanë statusin e republikave sovrane të Unionit (republikat federale); 2 nga ato e gëzojnë statusin e republikave autonome; 8 janë krahina autonome dhe 10 të tjera njihen si krahina apo regjione nacionale. Prej afro 300 milion banorëve (më sakt 290 milion) rreth gjysma e tyre janë rusë, kurse gjysma tjetër është e shpërndarë në 14 republikat tjera (145 milion rusë. 145 milion jo-rusë). Sipas autorëve amerikanë (dhe ata sigurisht që janë të mirë-informuar) rreth 25 milion njerëz të përkatësisë kombëtare ruse jetojnë nëpër viset tjera të përzier me kombet jo-ruse, dhe rreth 40 milion jo-rusë jetojnë jashtë territoreve të tyre etnike. “Këta të huaj, – shkruan një autor i impresionuar nga kjo gjendje, -të cilët të kombinuar janë mbi 65 milion njerëz, paraqesin shkak potencial rrënues, sikundër që mund të jenë viktimë e çdo lufte të gjerë nacionale.” Këtë fakt ai e ilustron me tabelën vijuese:
PËRBËRJA NACIONALE E REPUBLIKAVE TË BASHKIMIT SOVJETIK
_________________________
Republika Popullsia vendas rusë të tjerë
në milionë në % në % në %
_________________________
Rusia 137,6 83 83 17
Ukraina 46,8 75 19 6
Uzbekistani 15,4 66 13 22
Bellorusia 9,6 81 10 9
Azerbajxhani 6,0 74 10 16
Gruzia/Xheorgjia 5,0 67 9 25
Moldavia 3,9 65 12 24
Taxhikistani 3,8 56 12 32
Kirgizia 3,5 44 29 27
Lituania 3,4 80 9 11
Ermenia 3,0 89 3 9
Turkmenia 2,8 57 15 29
Letonia 2,5 57 30 13
Estonia 1,5 68 25 7
__________________
Tabela është e bazuar në regjistrimin e vitit 1979 (shih Zbigniew Brzezinski, Post-Kommunist Nationalism, Foreign Affairs, Winter 1989/90). Përfundimi implicit dhe eksplicit i tabelës është se BRSS-ja duket sikur është e pamundur të shthuret pa trazira të mëdha që do ta kanosnin paqen dhe stabilitetin në botë. Këtij përfundimi i bashkangjiten gati të gjithë njohësit e kësaj problematike, por edhe Georg Kennan, babai i pakontestueshëm i politikës së SHBA ndaj BRSS.
Instruksionet e Kennanit
Ambasador amerikan në Moskë gjatë viteve 50, Georg F. Kennan (takimet me të gjatë vitit 1976 në Dubrovnik, për shkak të humanizmit të theksuar politik, më impononin respekt), me artikujt e tij mbi shoqërinë sovjetike dhe mbi determinantat fundamentale mbi të cilat do të duhej të mbështetej politika amerikane ndaj sovjetikëve e shndërruan atë në analitik përmasash botërore. Në vitet e fundit të pleqërisë ishte profesor emeritus në Shkollën e Studimeve Historike të Institutit për Studime të Avancuara në Princeton, New Jersey (Prinston, Nju Xhersi). Ajo që ia dha atij statutin e gjeniut në teorinë politike amerikane është artikulli i tij “America and the russian future” (Amerika dhe e ardhmja ruse), botuar për herë të parë në prill të vitit 1951 në revistën “Foregn Affairs” me të cilin i anticipoi gati në tërësi ndryshimet e sotme në BRSS kur edhe i dha drejtimet kryesore me të cilat do të duhej të udhëhiqej politika amerikane ndaj rusëve në kontekstin e ndryshuar politik. Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të këtij artikulli, revista në fjalë e ribotoi atë në tërësi dhe pa asnjë ndryshim në numrin e vet të pranverës së vitit 1990. Dhe për shkak se politika zyrtare amerikane ndaj BRSS akoma edhe sot i përmbahet instruksioneve të Kennan-it, në këtë tekst do të veçohen nga ky artikull disa pika të shkurtra.
Kennani niset nga një konstatim i pranueshëm se 1) në Rusinë cariste realisht kishte munguar tradita e pronës private në industri “buisnessi i madh i brendshëm,- thotë ai,- ishte më tepër tregtia se sa industria. Ekzistonte një klasë tradicionale tregtarësh thellësisht ruse, por nuk ishte në përgjithësi e njohur apo e respektuar për gjerësi botëkuptimesh ose për çfarëdo koncepti të vetëdijshëm të përgjegjësisë së vet ndaj shoqërisë. Portretimi i saj në literaturën ruse është në përgjithësi negativ dhe depresiv”. Ndërkaq, pronarët e tokave, shija dhe paragjykimet e të cilëve ishin autoritative në fushën sociale, e drejtonin shikimin kah buissnessi, por i shmangeshin pjesëmarrjes në të. Andaj, “çfarëdo që të ketë qenë prona private në Rusi, ajo nuk arriti të ketë asgjë që do t’i ngjante respektit dhe rëndësisë në sytë e popullit të vet, e cila u arrit në vendet e tjera merkantile”.
Komunizmi që e ndërpreu traditën e vjetër ruse, nuk solli tradita të reja. Megjithatë, meqë “çfarëdo sistemi që zgjat me dekada të tëra nuk mund të jetë tërësisht pa merita”, amerikanët nuk duhet të presin që “alternativa e kërkuar e bolshevizmit të jetë replikë e ëndrrës demokratike të Perëndimit”; 2) se amerikanët duhet ta braktisin tendencën e vlerësimit të të tjerëve sipas kutit të vet, d.m.th. sipas asaj se sa të tjerët u përngjajnë amerikanëve. Kennani në këtë pikë thirret në Alexis de Tocqueville (Aleksis dë Tokëvill) i cili qysh në vitin 1831, duke shkruar nga SHBA, kishte vënë re se: “Sa më tepër që shoh nga ky vend aq më shumë bindem në të vërtetën e cila më përshkon tej e përtej, se nuk ka asgjë absolute në vlerësimet teorike të institucioneve politike dhe efikasiteti i tyre varet gati gjithmonë nga rrethanat origjinale dhe nga kushtet sociale të popullit te i cili ato zbatohen”. (shih Alexis de Tocqueville, Demokracy in America, Doubleday and Company Inc. N.Y.1969). (Duke e ditur orientimin amerikan që nga kjo kohë, autori i këtyre rreshtave nuk e ka kuptuar ndonjëherë hidhërimin e njerëzve që mbajnë lidhje me Amerikën për shkak të insistimit të tij në demokracinë autentike). Në pajtim me këtë botkuptim, G. Kennan qysh në v. 1951 kërkon: “Jepuni atyre (mendon në rusët) kohë. Lërini të jenë rusë! Le t’i zgjidhin problemet e tyre të brendshme në mënyrën e vet! Rrugët nëpër të cilat popujt avancojnë drejt dinjitetit dhe vetëdijësimit në qeverisje janë ato që i përbëjnë proceset më të thella dhe më intime të jetës nacionale”. Kennan-i ndërkaq nuk ishte kurrfarë rusofili. Artikulli i tij i famshëm i nënshkruar me «X», dhe depeshat e tij diplomatike drejtuar State Departament-it, sovjetikëve u kushtuan shumë shtrenjtë gjatë luftës së ftohtë politike të periodës së mëvonshme, pavarësisht nga fakti se atë e formoi Xhon Foster Dalls (John Foster Dulles). Fjalët e cituara nuk e kanë kuptimin e mbrojtjes së rusëve, por të kujdesit që të mos shkaktohet konfuzion i cili do t’i rrezikonte interesat amerikane. Humanisti politik Kennan nuk mbetet në sferat e romantizmit politik. Ai është realist dhe i kthehet praktikës politike: 3) Interesi nacional rus, mendon ai, në rrethanat e ndryshuara, jo vetëm që do të vazhdojë të ekzistojë, por edhe do të riafirmohet me siguri më fuqishëm. Kundërvënja e hapur e këtij interesi është çështje vigjiliteti, në qoftë se do të binte ndesh me interesat nacionale amerikane. Amerikanët, pa frikë se do ta kalonin legjitimitetin e politikës së tyre, do të mund të insistonin që autoriteti i qeverisë sovjetike të mos e kalojë vijën përtej së cilës do të shndërrrohej në totalitarizëm; që rusët të përmbahen nga imponimi i një zgjidhjeje opresive mbi popujt tjerë, që njëherë e përgjithmonë ta heqin murin e hekurt që i ndan dy botërat; që të pranojnë ca limite të brendshme të autoritetit të qeverisë dhe që ta braktisin si të pavlefshme dhe shkatërrimtare lojën e vjetër të ekspanzionit dhe të shtypjes imperialiste; 4) Kennan është i vetëdijshëm për ekzistencën e shumë nacionalizmave të tjerë, por vlerëson se ekzistenca e tyre ekonomike është e lidhur me atë të Rusomëdhenjve. “E ardhmja do të sjellë një minimum të ndërprerjes së këtyre lidhjeve dhe kjo në vete normalisht do të garantonte një lidhje më të afërt politike, e cila seriozisht do të varet nga shkalla e tolerancës së ndërsjellë dhe aftësia e kultivimit të lidhjeve të këtilla mes veti. (shih Georg Kennan, America and the Russian Future, Foreign Affairs, Spring 1990) . Humanisti Kennan (humanist për shkak se pavarësisht nga bindjet e tij politike, që mund të diskutohen, u besonte thellësisht parimeve demokratike) nuk i shpëton dot ndikimit të mendjemadhësisë së njohur anglo-saxone lidhur me faktin se vetëm ata dijnë të qeverisin, e jo edhe të tjerët, dhe se vetëm ata e njohin demokracinë, përderisa të tjerët akoma duhet ta mësojnë. I ndikuar nga kjo ndjenjë, Kennan në artikullin tjetër të titulluar «Komunizmi në historinë ruse», të cilin e botoi «Foreign Affairs» në numrin e vet të dimrit 1990/91, ripërshtatjen e raporteve ndërnacionale në Rusi e konsideron si të pashmangshme, por jo edhe pavarësimin e popujve sovjetikë. Fakti se të tri republikat Baltike, -thotë ai, -e meritojnë pavarësinë e vet, dhe se eventualisht do ta kenë, është jashtë çdo dyshimi. Ndërkaq, ka të tjerë që e kërkojnë statusin e sovranitetit, por tek të cilët eksperienca dhe maturia e nevojshme e udhëheqjes, si dhe burimet e tjera esenciale, duhet akoma të demonstrohen. Ka edhe etnitete të tjera jo-ruse ku kërkesa për pavarësi ende nuk është e shtruar seriozisht dhe tek të cilat aftësia për t’i bartur shtrëngimet dhe përgjegjësitë e një statusi të pavarur është edhe më tepër në pyetje. Duke u nisur nga kjo bindje, Kennan konstaton se “asnjë model i vetëm, dhe bile as prej botës së jashtme, nuk do të mund të ishte përgjigje e dobishme për të gjitha problemet që do të rezultonin nga një ndryshim i tillë i situatës. Raportet që kanë ekzistuar midis shumë pjesëve joruse, -shton ai, -të kësaj strukture tradicionale shumë-kombëshe dhe qendrës ruse, kanë rrënjë të thella historike. Tepër pak njerëz do të ishin të përgaditur për situatën e cila do të paraqitej po qe se të gjitha këto lidhje do të ndërpriteshin menjëherë. Konfuzioni ekonomik do të ishte enorm. Aq më keq, sikurse e tregojnë faktet gjithnjë e më evidente, sikur disa entitete jo-ruse të lejohen befasisht vetëm, ato ose do të bënin luftë kundër njëra-tjetrës, ose do të shndërroheshin në subjekte të konflikteve të mëdha destruktive qytetare brenda kufijve të vet. Më në fund, është edhe problemi serioz që do të krijohej me fragmentimin e përgjegjësisë për armët nukleare që tani ndodhen në duart e sovjetikëve. Duke mos e fshehur shqetësimin e vet, Kennan përfundon me ankth: “…ajo që tani është duke u paraqitur në territorin tradicionalisht të njohur si Rusi nuk do të jetë dhe nuk mund të jetë Rusi e carëve. Dhe as që mund të jetë Rusi e komunistëve. Mund të jetë vetëm diçka esencialisht e re, konturat e së cilës, për ne, dhe bile edhe për vetë rusët, janë akoma të errëta” (shiko, G.F. Kennan, Communism in Russian History, Foreign Affairs, Winter 1990/1991). Mirëpo atë që Kennan-i nuk deshi ta thotë, duke e kërkuar kujdesin e politikës amerikane ndaj rusëve, është fakti se BRSS në kufijtë e tashëm, të cilët amerikanët do të dëshironin t’i rektifikonin në favor të republikave Baltike, i përgjigjet interesave globale të politikës amerikane: Sovjetikët në kufijtë e tanishëm janë pengesë e depërtimit aziatik në Evropë. Bashkimi i shthurur Sovjetik do të ishte territor transverzal i atij depërtimi si në kohën e dyndjeve mongole, shek. i XII-të. Nga ana tjetër, shthurja e Bashkimit Sovjetik do të ishte hyrje në shthurjen e ndërtesës së tanishme ndërkombëtare të ngritur pasë Luftës së II-të Botërore dhe kjo pastaj do të ishte një e panjohur e madhe për rolin e kombeve të mëdha në politiken botërore. Mirëpo, ta ndërpresim diskutimin me z. George F. Kennan, tashmë të ndjerë (vdiq para ca kohe) dhe t’u kthehemi vetë rusëve.
Kategorizimi i Leninit
Në qoftë se Brzezinski, Kennan e autoritete të tjera amerikane mendojnë se nuk është i mundur dekompozimi i Bashkimit Sovjetik, kësaj i kontribuan vetë sovjetikët. Menjëherë, pas Revolucionit të Tetorit të v. 1917, nën ndikimin e botëkuptimeve politike të Vladimir Iliq Leninit, këtij korifeu të revulucionit të popujve, meritat e të cilit në avancimin e mendimit politik në përgjithësi nuk guxuan t’ia mohonin as mendjet më të ndritura të kundërshtarëve më të mëdhënj të tij, por tani në Prishtinë ia mohojnë ca gazetarucë-fodullë duke kujtuar se koha ecën prapa e jo përpara, nacionalitetet sovjetike u klasifikuan në kategoritë si vijojnë: 1) Kombet të cilat para Revolucionit të Tetorit e kishin arritur shkallën kapitaliste të zhvillimit dhe ishin zhvilluar si kombe të plota borgjeze. Ato e kishin klasën e vet punëtore, intelegjencien dhe një kulturë relativisht të zhvilluar nacionale. E përbënin Rusët, Bjellorusët, Gruzianët (Xhorxhianët), Ermenët, Azerbejxhanët, Moldavët, Tatarët etj. Ndonëse këta e përbënin grupin më të madh të shtetit sovjetik, prapseprapë, i cilësonte një shkallë e pabarabartë e zhvillimit; 2) Kombet të cilat e kishin zhvilluar rrugën e zhvillimit kapitalist, por që nuk kishin arritur t’i zhvillonin plotësisht raportet kapitaliste, dhe për këtë arsye i karakterizonin mbeturina të forta të raporteve feudale. Këtë e përbënin Uzbekët, Kazakët, etj. 3) Popujt të cilët para Revolucionit të Tetorit ndodheshin në një shkallë të raporteve feudale ose feudalo-patriarkale. Sipas mendimit të teorikëve sovjetikë, ato u zhvilluan në kombe me ndihmën e socializmit dhe duke iu falenderuar atij, dhe 4) grupin e fundit e përbënin popujt në shkallë të raporteve feudo-klanore dhe feudo-patriarkale, të cilët banonin në Veri, në Lindjen e Largët, Siberi, si edhe në viset malore te Kaukazit dhe në Azinë Qendrore (shih USSR Academy of Sciences, vep. cit. f. 147). Nga kjo pasqyrë e kategorizimit të popujve në Bashkimin Sovjetik është interesant avancimi i arsyetimit ideologjik: socializmi tani e zëvendësonte krishterizimin dhe civilizimin e popujve të pazhvilluar, të cilët dikur shtetet e mëdha imperialiste (duke e përfshirë në radhë të parë edhe Rusinë Cariste) i përdornin si pretekst për kolonizimin e tyre.
Kur u braktis komunizmi?
Duket se V.I.Lenini sinqerisht e besonte fitoren përfundimtare të socializmit në botë. Marrëveshjen e Brest-Litovskit të v. 1918 që shkonte ndesh me këtë besim të tij (sovjetikët për herë të parë qenë të detyruar të lëshonin pe në favor të ruajtjes së Revulucionit të Tetorit por në dëm të revolucionit proletar në Gjermani), duket se e konsideronte lëshim taktik e jo edhe strategjik. Në favor të këtij konstatimi shkon fakti se Lenini nuk i pati mbyllur kufijtë e federatës sovjetike: ato u lanë të hapura për t’iu bashkuar vendet ku do të fitonte revolucioni proletar dhe të cilat do të ndodheshin sukcesivisht, në afërsi të federatës sovjetike. Kjo gjë në Perëndim natyrisht u vlerësua si fillim i formimit të imperiumit proletar, andaj, edhe u kundërshtua me të gjitha mjetet në disponim (intervenimi i forcave imperialiste). Mirëpo, ndonëse kah viti 1922 përfundon procesi i formimit të BRSS, këtë ide mbi zgjerimin suksesiv dhe mbi permanencën e Revolucionit, Stalini ia përshtati jo vetëm rrethanave aktuale -të nevojës për bashkëpunim ekonomik në vend të konfrontimit me po ato qeveri imperialiste, rrëzimin e të cilave gjithsesi e preferonte, por edhe rrethanave të brendshme të forcimit me çdo kusht të shtetit sovjetik. Viti 1924, kur u vendosën marrëdhëniet ekonomike me Britaninë e Madhe, në Londër komentohej si shitje e komunizmit për hir të kapitalit, d.m.th. të nevojës për shpërthimin e bllokadës ekonomike. Mirëpo britanikët u mashtruan. Stalini bashkëpunimin ekonomik me Perëndimin tani e vuri në funksion të forcimit me çdo kusht të shtetit Sovjetik dhe me qëllim të mundjes së po atij Perëndimi. Ai edhe do të vdesë me bindje të plotë mbi këtë ide, por stalinistët më vonë, pas vitit 1953, do të jenë të detyruar të jetojnë midis joshjes së kësaj ideje dhe realitetit nuklear dhe termonuklear që pas vitit 1946 (Hiroshima dhe Nagasaki) i kishte përfshirë të dy superfuqitë. Zhvillimi i raketave interkontinentale i godiste të dy vendet njësoj. Andaj, komunizmi, si ide e permanencës së revolucionit, objektivisht u braktis pas vitit 1953 (vit i shpërthimit të ngarkesave nukleare sovjetike me qëllime eksperimentale), ndërsa realisht me 1959 (udhëtimi i N.S. Hrushovit në Camp David) dhe materialisht me vitin 1963 (vit i krizës së Karaibeve rreth instalimit të raketave sovjetike në Kubë). Ndërkaq definitivisht do të përfundojë me inicimin e luftës së yjeve në SHBA, në gjysmën e viteve 80, e cila, po ta ndiqnin edhe sovjetikët, BRSS-ja do të përjetësohej si fshat i madh atomik, pa zhvillim të madh të industrisë. Garat në armatim, me fjalë të tjera, e kushtëzuan realisht braktisjen e komunizmit Sovjetik (mbi këtë çështje të paritetit në armatim shiko : Mr Ukshin Hoti, Lufta e ftohtë dhe Detante-i, Qendra Krahinore për Arsimin Marksist, Prishtinë, 1976. si edhe botimin Serbokroatisht të po këtij viti).
«Amalgamimi» në funksion të fuqisë së shtetit
Zgjidhja e çështjes nacionale për të cilën Stalini konsiderohej se ishte autoriteti më kompetent i proveniencës së mendimit proletar, për të esencialisht ishte në funksion të idesë mbi maksimalizimin e fuqisë së shtetit sovjetik. Realisht u fillua nga premisa egoiste teorike: formimi i një kombi sovjetik dhe forcimi i një shteti sovjetik. Kombi-shtet ose shteti i tillë sovjetik, pastaj, siç e shpjegonin vetë sovjetët, do të ishte garancion për suksesin e lëvizjeve revolucionare kudo në botë (principi i internacionalizmit). Mirëpo nuk ngjau ashtu. Qysh në fillim fuqitë e tjera (imperialiste) ishin shumë më të forta, dhe, megjithë dështimin e intervenimit ushtarak në favor të kontrarevolucionit (kjo tani quhet ndërprerje e zhvillimit të natyrshëm të proceseve atje), prapseprapë, fitorja e revolucionit u arrit vetëm brenda kufijve të vjetër të Rusisë Cariste. Të kërkohej nga revolucioni i atëhershëm rus që në emër të teorisë (sikur bënin ca liderë nga India) të vazhdohej revolucioni, do të thoshte të vulgarizohej teoria. Për rusët akceptimi i saj do të ishte idiotizëm politik. Në vend të kësaj ata e filluan forcimin e shtetit sovjetik, duke mos patur skrupulla as ndaj idiotizmit ideologjik të masave të veta, as ndaj të tjerëve.
Me fjalë të tjera, të gjitha kategoritë e përmendura të popujve dhe të kombeve të ndryshme, siç e shpjegonte Stalini, por nga e cila nuk hoqën dorë as të tjerët më vonë, duhej të “amallgamoheshin” mes vete. Në nivelin e shtetit multincional:
a) Principi i “amalgamimit” të kombeve zbatohej (teorikisht) me “vullnetin” e tyre të lirë dhe ishte shprehje e parimit të vetëvendosjes, sipas të cilit, çdo komb ose popull, poashtu “vullnetarisht” mund të “ndahet dhe të krijojë shtetin e vet të pavarur; të mbetet pjesë e ndonjë shteti tjetër ose të lidhë raporte federale etj., me të” (shih Stalin, Marksism and National Question, San Francisco, Proletarian Publishers, 1975). Duke e njohur mendimin dhe natyrën e sistemit të vendosur nga Stalini nuk ka dyshim se ai do ta preferonte opcionin e fundit (lidhjen me shtetin tjetër), pasi që një gjë e tillë me siguri do të reduktohej në inkorporimin e atij shteti brenda kufijve të shtetit Sovjetik. Çdo popull që “me dëshirën e tij” vendoste “të amalgamohej” me popujt tjerë brenda BRSS, nuk mund të “çamalgamohej” më ndonjëherë, pikërisht për shkak se kërkohej fitorja e komunizmit dhe e revulucionit në suaza planetare; b) Shteti multinacional Sovjetik duhej të formohej edhe të forcohej edhe duke u mbështetur mbi principin e barazisë së plotë dhe të të drejtave të barabarta të të gjitha republikave të bashkuara sovjetike. Mirëpo kishte shumë sosh dhe ishin llojesh të ndryshme. Një numër i njësive federale (republikave) në frymën e principit mbi amalgamimin e popujve, ishin poashtu multinacionale: RSSA (Republika Socialiste Sovjetike Autonome) e Dagestanit, p.sh., përbëhej prej 10 nacionaliteteve, ndërsa RSSA Haberdin Ballkare; Çeçeno-Ingushe; Haraçejevo-Çerkese dhe Krahina Nacionale Manti-Mansi, janë entitete shtetërore me nga dy nacionalitete kryesore. Ndërkaq, disa kombe e nacionalitete të tjera janë ndarë në nga dy formacione shtetërore: RSSA e Oshensias Veriore ndodhet brenda RSFS Ruse, kurse Krahina Autonome e Oshensias Jugore ndodhet brenda RSS të Gruzisë; brenda RSS të Azerbejxhanit ndodhet RSSA e Nakçaunshanit; RSS e Ermenisë krahinën autonome të Nagorni Karabahut e ka brenda Azerbajxhanit; Gruzianët e kanë RSSA të Axharëve, ndërsa Bajratët i kanë edhe krahinat Autonome të Ust-Urdëve dhe të Aginëve, etj. (krahaso USSR Academy of Sciences… vep.cit.f 155). Ndarjet e tilla administrativo territoriale, përkundrejt qëllimeve të proklamuara për barazi dhe të drejta të barabarta, në të vërtetë i ndihmonin qëllimit të parë -amalgamimit të kombeve, dhe jo barazimit të zhvillimit të tyre. Teorikët sovjetikë e ndjenin këtë mungesë, prandaj e bënin dallimin midis “barazisë shoqërore” dhe asaj “nacionale”. E para konsiderohej parakusht për realizimin e së dytës. Megjithatë për realizimin e të dy qëllimeve konsiderohej si me rëndësi: “eliminimi i raporteve antagoniste klasore.. të diferencave substanciale midis fshatit dhe qytetit, midis punës fizike dhe mendore…” Me fjalë të tjera, “barazia e vërtetë midis popujve në socializëm është vetëm parakusht i domosdoshëm i barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve në pikëpamje të furnizimit të tyre me vlera materiale e shpirtërore” (vep.cit.f.161). Teoria dukej e drejtë, veçse realizimi i postulateve të saj parashihej për kohë të ardhme të komunizmit. Gjer atëherë vlente vetëm në nivelin formal-juridik, e jo edhe në atë praktik-politik; c) Principi i tretë mbi të cilin mbështetej forcimi i shtetit multinacional sovjetik ishte ai i sovranitetit të të gjitha kombeve e nacionaliteteve dhe i shtetësisë së republikave; d) veçse në dritën e principit të IV-të duhej të kuptohej edhe përmbajtja e të tretit (të sovranitetit). Centralizmi demokratik e shprehte “principin internacionalist të koordinimit të detyrave internacionaliste dhe të interesave nacionale”. Shteti Sovjetik konsiderohej garant i sovranitetit të republikave, ndërsa këto të fundit e garantonin mvehtësinë dhe liritë e realizuara përmes bashkimit “vullnetar” me shtetin multinacional sovjetik.
VIJON …