SHERADIN BERISHA: ‘JAVA E UKSHIN HOTIT’ (11 – 16 MAJ 2014) UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!

Pashtriku.org, 11 maj 2014 – Më 16 maj, bëhen 15 vjet që nuk dihet asgjë për vendndodhjen dhe rrethanat e zhdukjes së politikanit e filozofit tonë të shquar – UKSHIN HOTIT. Lidershipi politikë e institucional i Kosovës, për 15 vjet rresht shumë pak folën, më shumë heshtën, dhe asnjëherë nuk e ngritën zërin fuqishëm për ndriçimin e fatit të këtij personaliteti EMBLEMATIK të kombit tonë. Duke pasur parasysh indiferencën cinike dhe harresën e pashembullt të institucioneve shtetërore dhe personaliteteve kombëtare, ndaj UKSHIN HOTIT, portali PASHTRIKU.ORG, (për herë të tretë) nga 11 – 16 maj 2014 organizon ‘JAVËN E UKSHIN HOTIT’ me moton ‘UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!’ Gjatë kësaj jave do të publikojmë – studime të Ukshin Hotit, shkrime, analiza e kujtime…, kushtuar këtij SOKRATI të pavdekshëm Shqiptar. Dhe kjo “JAVË…” le të shërbejë si THIRRJE dhe POROSI, për klasën politike e institucionale të Kosovës dhe gjithë opinionin publik shqiptarë, se UKSHIN HOTI kurrë nuk do t’i përkas HARRESËS! Ai është dhe do të mbetet i GJALLË në mesin e të gjallëvet, duke e sfiduar PËRJETËSISHT VDEKJEN!


 KU ËSHTË UKSHIN HOTI?…
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, (më 16 maj 1999), Ukshin Hoti, derisa po vuante dënimin në Burgun e Dubravës, befasisht pranon vendimin nr.24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq, për “lirim me kusht” nga burgu (!!!), pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren – në shtator të vitit 1994. Pas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Ukshin Hotin, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) rreth orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe, pas këtij momenti, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për vendndodhjen e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.
KU ËSHTË UKSHIN HOTI? A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI? – pyesin tashmë 15 vjet shqiptarët! Dhe për çudi, askush s’ka dhënë një përgjigje të sakt për fatin dhe vendndodhjen tij, ndërkohë që për këtë rast janë thurur parreshtur spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se, Ukshin Hoti është gjallë, dhe se po mbahet në burg shtëpiak, për ‘kusuritje politike’ etj.

INDIFERENCA PËR UKSHIN HOTIN ËSHTË KRIMINALE!
Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij MYRVETJA, ka trokitur në të gjitha dyert e partive politike dhe të institucioneve të Kosovës, dhe ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Politikanët tanë – motrës Myrvete, i kanë premtuar, se, çështjen e Ukshinit do ta ngrisin në çdo takim zyrtar me faktorët e huaj, për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin tij. Por, fatkeqësisht, deri më sot asnjë premtim i dhënë, nuk është mbajtur, çka do të thotë se ata kanë GËNJYER, dhe për më tepër kanë luajtur me ndjenjat e familjes HOTI!
Për 15 vjet rresht, kjo klasë politikanësh (pozitë e opozitë) rrallë folën për Ukshin Hotin, jo se harruan të flasin për të! Dhe, kjo heshtje mbytëse dhe tepër cinike për një personalitet si Ukshin Hoti, shpërfaq një indiferentizëm histerik. Në qershor të vitit 1999 intelektuali ynë i shquar Dr.Moikom Zeqo, në një APEL drejtuar opinionit publik, jo rastësisht ka shkruar, se: Indiferenca (për Ukshin Hotin) është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij. Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit. Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij. Kjo indiferencë, heshtje apo mosmirënjohje e tyre ndaj Ukshin Hotit, gjithësesi i bën të papërgjegjshëm politiksht.

PËRGJEGJËSIA!!!
Përgjegjësia historike e kombëtare, nga Konferenca e Rambujesë (shkurt 1999) e deri më sot, për mosndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, bie:
1. mbi Ibrahim Rugovën, si Kryetar i LDK’së dhe Kryetar i Kosovës;
2. mbi Hashim Thaçin, si shef i Drejtorisë Politike të UҪK’së, shef i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, kryetar i PDK’së dhe Kryeministër i Kosovës;
3. mbi Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare;
4. mbi Atifete Jahjagën, si Kryetare e Kosovës;
5. mbi Bajram Rexhepin, si Kryeministër i parë i pasluftës në Kosovë dhe aktualisht Ministër i Brendshëm;
6. mbi Jakup Krasniqin, si zëdhënës i UÇK’së, dhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës tashmë i shpërndarë!;
7. mbi Fatmir Sejdiun, si Kryetar i LDK’së dhe Kryetar i Kosovës;
8. mbi Nexhat Dacin, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës;
9. mbi Kadri Veselin, si Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), si dhe mbi të gjithë politikanët tjerë me ndikim në skenën politike të Kosovës!…

Total
0
Shares
2 comments
  1. Howdy! Do you know if they make any plugins to assist with Search Engine
    Optimization? I’m trying to get my blog to rank for
    some targeted keywords but I’m not seeing very good gains.
    If you know of any please share. Thank you!
    You can read similar article here: Sklep online

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura