VALBONA BAJRAMI: SEKSIZMI DHE INFANTILIZMI NË PATRIARKAT

Prishtinë, 10. 09. 2016: Reklamat në medie, ku në të shumtën e rasteve përdoren gratë si objekt për të promovuar një produkt, kanë ndikuar që fenomenet seksiste t’i bëjnë ballë luftës kunder patriarkatit. Më shumë se kaq, janë fëmijët ata që pësojnë gjatë etapave të socializimit, të cilët jovullnetarisht i mësojnë normat gjinore të ndara që nga vegjëlia. Nga një sër dukurish që konsiderohen si bastione të patriarkatit, hyn edhe infantilizimi i grave që lidhet ngushtë me çrregullimin parafilik (nevojë abnormale seksuale), ku epiqendër e praktikimit janë burrat dhe djemt të cilët janë të ndikuar nga rolet gjinore tradicionale. Asimilimi i një fenomeni negativ (në këtë rast infantilizimi) adaptohet gradualisht, sa që me kalimin e kohës bëhet i justifikueshëm dhe i pranueshëm brenda familjeve nukleare. Për më shumë, infantilizimi është dukuri shoqërore që përdoret në forma të ndryshme, ku burrat marrin rolin e babait, duke adresuar urdhra në drejtim të grave, të cilat janë të detyruara t’i zbatojnë, gjë që pastaj ndikon që këto norma të përcillen edhe te fëmijët. Fenomenet se kush mbanë kontrollin e familjes në sistemin mikro, trajtohen në “rreth të kontrollit psikologjik”, ku në të shumtën e rasteve, gratë janë ato që i’u binden urdhrave të burrave.
Në librin “Killing us softly”, autorja Jean Kibourne shtjellon dukurinë e infantalizmit të grave, ku sipas saj, në rastet kur burrat nuk arrijnë kënaqësi seksuale, zgjedhin që gratë e tyre t’i fusin në rreth të kontrollit psikologjik, ku jovullnetarisht ato duhet të sillen sikur të ishin fëmijë të tyre, apo thënë ndryshe, burri e merr rolin e babait.

Killing Us Softly 4: Advertising’s Image of Women

Kjo dukuri komplekse që trajtohet nga asociacioni i diagnostifikimit të çrregullimeve mentale, konsiderohet si infantilizim që bën pjesë në kategoritë e parafilisë. Të dyja bashkë shpien te kënaqësia e partnerit, i cili do të ndjehet i realizuar kur partneri tjetër i zbaton urdhërat (në ketë rast, rreth kontrolli psikologjik seksual). Faktor tjetër për shtytje drejt kësaj dukurie është frika nga pavarësia e grave të cilat konsiderohen si gjini inferiore në shoqëri. Referuar shkollarëve feministë, konstatohet se mediet kanë ndikim më shumë në ndërlidhjen e infantilizimit *) dhe parafilisë **), duke përdorur gratë si objekt për të përmbushur dëshirat seksuale të burrave.
Për të thjeshtëzuar dhe kuptuar më qartë këtë fenomen, mund të meren si shembull agjensionet e bukurisë, të cilat jo rrallë herë përdorin modele nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, për të reklamuar produkte, ku zakonisht përdoren tipare feminine. Në ketë këndvështrim të roleve gjinore, kemi defekte të cilat përcillen si formë reklamash të infantilitetit, ku bëjnë pjesë fotomodelet të cilat pozojnë me , apo postura trupi që karakterizohen si tipare fëmijërore, të cilat transmetohen te vajzat e reja si normë shoqërore për t’u përshtatur në shoqëri ku marrin model nga të rriturit.
Si normë obligative që nuk kërkon elaborim, meqë shumica tashmë jemi në dijeni, është norma që u’a ndjellim vajzave të reja, se në shoqëri duhet të duken bukur dhe shtat me sa më pak kilogramë, për tu parë si potencial i një njeriu të përsosur në shoqëri – qoftë edhe duke përdorur produkte për humbje kilogramësh, silikon për fryerje të pjesëve të trupit, apo makiazh me produkte estetike që mbulojnë shenjat në trup, përafërt me fotoshope.
Pikërisht, përdorimi i feminitetit të grave dhe vajzave të mitura nëpër reklama televizive, sete fotografike, apo evenimente bukurie, automatikisht problemi nuk varet më nga niveli mikro, ku familja mund të jenë kundër fenomenit në fjalë, por që nuk mund të kontrollojnë normat që fëmijët i mësojnë në sistem mezzo (shkollë, lojë me bashkëmoshatarët, etj), deri te sistemi makro që luan rol kyq në ndjelljen e këtyre normave, ku reklamat mediale që përdorin feminitetin e vajzave dhe të grave bëhen kryefjalë ndikuese në formimin e normave gjinore, që zakonisht, vajzat dhe gratë janë viktima të cilat mbajnë gjallë kërkesat dhe pritshmëritë në patriarkat. Se në ç’stad jemi ne si shoqëri, tregojnë fenomenet të cilat mund të kontrollohen dhe të ndalohen ligjërisht nga shteti, si:
– agjensione bukurie ku përdoren vajza të mitura si mostra të reklamave, evenimente bukurie që nuk kanë kritere moshe,
– feminitet ekstrem nga vajza dhe gra nëpër televizione,
– semimatura dhe matura ku shkollat nuk kanë përpiluar rregullore dhe kritere se çka mund të konsiderohet si tipare seksiste që ndikojnë negativisht në shëndetin psikologjik të të miturve dhe mënyra se si zhvillohen fëmijët në etapa të socializimit.
Të gjitha këto ndikojnë që edhe brenda familjeve vajzat e mitura të përdoren si objekt seksist, sepse ndikimi i shumicës normalizon një dukuri, që në fakt dhe shkencërisht tretmohet si normë abnormale.
Rolet gjinore në stad ku jemi, janë temë komplekse për t’u trajtuar, sepse ne gjendemi në një epokë ku shoqëria ballafaqohet me kritika që zakonisht puntorë të shkencave sociale i trajtojnë dhe i transmetojnë për publikun e gjërë, duke u munduar të shpjegojnë efektet anësore të seksizmit dhe se sa ndikojnë këto dukuri në zhvillimin psikologjik të fëmijëve në përcaktimin e normave në shoqëri, ndryshe nga normat tradicionale të së kaluarës. Pikërisht, ndikimi medial që përdor vajzat dhe gratë për të reklamuar produkte, ose moderatoret që përdoren si mostër për të shfaqur tiparet seksiste, ndikon në formimin e të miturve, të cilët janë të varur nga normat të cilat ne vetë ua servojmë. Për më shumë, fëmijët e moshës 4 – 15 vjeç, janë më të prirur që normat gjinore t’i mësojnë nëpërmes medieve vizive dhe të shkruara, ku transmetimi i edukatës familjare luan rol dytësor në formimin e tyre. Fenomen tjetër që hasim në nxitjen e infantilizmit te gratë dhe imitimin e vajzave të mitura, të cilat si mostër marin një grua, janë tendencat që nëna dhe vajza të vishen njejtë; duke përdorë buzëkuq, stil flokësh, veshje, e deri te mënyra e lëvizjes – fenomen që indirekt bie barrë mbi burrat të cilët praktikojnë rrethin e kontrollit psikologjik. Fenomen tjetër që kohëve të fundit është bëre alarmant, janë skandalet e kërkesave seksuale në këmbim për një vend pune, saqë edhe kur e dëgjon çdo ditë nuk të shokon sepse dukuritë e shpeshta asimilohen në norma të pashkruara dhe tipe të parafilisë aplikohen edhe jashtë mureve të shtëpisë, gjegjësisht në vende publike. Ushqimi i egos seksuale është bastion patriarkal që prek edhe burra me nivel të lartë akademik. Ndjenja e kontrollit ndaj një individi tjetër historikisht është aplikuar në baza gjinore dhe mësuar si normë që nga vegjëlia, por që në maturi konsiderohet si destruksion mental dhe si i tillë trajtohet.

Shoqërisë tonë, më shumë se kurr më parë i duhet të ndërmarrë hapa kundër fenomenit të seksizmit nëpër reklama dhe përdorimit të trupit të vajzave dhe grave si instrument joshës, për të ngopur fantazinë e burrave me tendenca indirekte të ngritjes së kapitalit apo dhe shuarjes së egos seksuale. Zakonisht, resurse të cilat promovojnë ideologji të tipit “liberalizim të trupit të gruas”, nuk marin në konsideratë faktorët të cilët ndikojnë në vija të ndara të roleve gjinore – konsidero këtu reklamat të cilat korrin suksese dhe janë profitabile duke përdorur figura grashë dhe vajzash si instrument manipulues për të shitur produkte të caktuara me qëllim kapitali.
Ndërsa ana psikologjike mund të influencohet kur fëmijët janë të ekspozuar në reklama ku gratë me pamje të kuruar dhe postura trupi prej më të ndryshmeve nxisin tendecën e vajzave për t’u dukur sozi e tyre. Që nga viti 1920, kur reklamat kanë shpërthyer në vendet e zhvilluara, kritikët i kanë konsideruar si mjet ushqyes në favor të sistemit patriarkal dhe që nga ajo kohë, fenomeni i seksizmit dhe objektivizimit të trupit të grave ka marë përmasa përshkallëzuese. Bindjet se nëpërmes seksizmit arrihet një hierarki e lakmueshme në shoqëri, i kanë ndihmuar patriarkatit të qëndrojë gjallë, së bashku me instrumentet e tij, që kanë vepruar si mekanizma të trushpërlarjes, me qëllim të kontrollit ndaj grave dhe vajzave. Edhe pse shumica e grave janë viktima të seksizmit, pavarësisht nga pozita e tyre individuale dhe përcaktimi i klasës, patriarkati si mekanizëm luftarak josh dhe përforcon dinamikën e klasës në shoqëri më të gjerë. Ideologjitë hegjemonike për të mbajtur gratë nën kontroll nga frika e pavarësisë së tyre dhe duke i konsideruar si inferiore, shtyjnë patriarkatin në përdorimin e rrethit të kontrollit psikologjik, ku gratë janë viktima të infantilizimit (për ngopje të parafilisë), duke përcjellë fenomenin te vajzat dhe vice-versa pasuar me shpërdorim të trupit të tyre nëpër reklama dhe norma të dukjes normale, të cilat janë produkt dhe tendencë për të mbajtë në hierarki të larta.
_________
*) Infantilizmi është një sëmundje patologjike, e cila e ndërpret zhvillimin, si në pikëpamje fizike, ashtu edhe në pikëpamje mendore. Një fëmijë, grua apo burrë i prekur nga kjo sëmundje e rëndë, mbetet edhe në moshën madhore i pazhvilluar, si fizikisht ashtu edhe psikikisht, mbetet foshnjarak, mbetet fëmijëror gjithë jetën.
**) Parafilia përshkruan llojet e pazakonta të sjelljeve seksuale.
(Ilustimet dhe sqarimet i bëri editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura