VANGJUSH ZIKO: POETIKA E MOIKOMIT, SIPAS LIBRIT TË VASIL VASILIT

 Kanada, 1 prill 2018: Libri “Përkthimet e Kohës” (botim i West Print, 2018) është një sprovë serioze, që autorit Vasil Vasili, ua shton krijimeve të shumta mbi shpalosjen dhe analizën e krijimtarisë shumë vëllimshme të krijimtarisë së Moikom Zeqos.
Në këtë sprovë Vasil Vasili operon me një qasje të vetën të menduar dhe të përcaktuar qartë.
Ai ka shtruar në tavolinën e tij të punës planin e tij, i cili synon filozofinë krijuese të autorit në tërësinë e saj, përmbajtjen, formën, raportin e autorit me kohën, ose më mirë kohët, filozofinë në raport me të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen, raportin e autorit me gjuhën dhe estetikën.
Ai na flet për kodet e poetikës së Moikomit, për administrimin e krijimit nga vetë autori dhe mbi leximin psikofizik të poezisë, të raportit të lexuesit me krijimin. Vasili analizon mjetet artistike dhe prozodinë në tërësi, strategjinë dhe stilin poetik të poetit.
“Poezia e Moikomit, nënvizon Vasili, është një gramatikë e re poetike” dhe vetë Poeti është “një përkthyes i madh” i së kaluarës dhe konfigurues i së ardhmes; poezia e Moikomit ka një logjikë eklektike dhe ai vetë është “një poet avangard”.
Vasil Vasili na pohon të vërtetën se arti dhe vetë artistit i madh e tejkalon vetveten edhe erudicionin e tij.
Moikomi bashkon mitologjinë, filozofinë, mistikën, shkencën, artin me indin e krijimtarisë së tij.
Unë po veçoj dy probleme, që më duken specifike të strategjisë krijuese të Moikomit.
Problemi i parë, i shtjelluar prej Vasilit, përcakton pikëpamjen filozofike të poetit.
Ky lidhet me rimishërimin apo me idenë e pavdekësisë.

Problemi i dytë thelbësor lidhet me synimin madhor futurist të Moikomit, krijimin një gjuhe globale metaforike.
Të dyja këto synime përbëjnë të veçantën dominuese novatore të krijimtarisë së tij.
Këto nuk janë probleme të reja, të panjohura në fushën e letrave.
E veçanta, apo e reja është se si i trajton dhe i zgjidh Moikomi.
Rimishërimi është koncept i filozofit të lashtë grek Pitagorës. Sipas Pitagorës, shpirti i përjetshëm lëviz nga qielli për te trupi i njeriut ose te trupi i kafshës dhe pëson shumë rimishërime, derisa përsoset, që të fitojë të drejtën të rikthehet në qiell.
Vasili pohon se poezia e Moikomit është shkruar mbi palimpestin e kohës, që, e parë me syrin e studjuesit, do të thotë se ajo ecën në vazhdën e krijimtarisë botërore, që nga fillimet e saj mitologjike e mëtej.
Ajo, pra, synon ta rrokë e ta bëjë të sajën këtë traditë shumështresore.
Moikom Zeqo si një erudit i pangopur, i përtyp dhe i bluan, i filtron nëpërmjet penës së tij, duke i rishkruar me kaligrafinë e vet dhe sipas logjikës së vet eklektike.
***
Krijimtaria e Moikomit ka në themel konceptualitetin historik.
Ai e bën të tijin këtë konceptualitet, e ridimensionon dhe i jep pasaportën për t’u rikthyer në “qiellin e artit” me një emër të ri. Kjo krijimtari kinse eklektike, ka brenda tri dimensione: traditën e kaluar, është e shkruar në çastin e sotëm dhe synon të ardhmen.
Kjo më kujton shprehjen metaforike të poetit të madh futurist rus, Velimir Hlebnikovit: “krijimtaria e vërtetë, e shkruar aktualisht, është një gur i së ardhmes, që ndez të tashmen”.
Ky trinitet është shenja zodiakale, që dallon krijimtarinë e Moikomit, në planin kombëtar, por edhe me synim global. Krijimtaria e Moikom Zeqos është një krijimtari sipërore dhe tani për tani, vetmimtare në planin aktual kombëtar.
Synimi tjetër strategjik i filozofisë krijuese të Moikomit është krijimi i një gjuhë të përbotshme metaforike.
Kjo lidhet me vendin që zë dhe rolin që luan gjuha në procesin krijues të poetit. Mbi këtë rol ka pikëpamje të ndryshme.
Josif Brodski ka hedhur mendimin se “poeti është mjeti i gjuhës, por jo gjuha mjeti i poetit”, duke ia kaluar gjuhës atributin e Muzës antike.
Kurse Robert Frost thotë se “një emocion gjen mendimin dhe mendimi gjen fjalën” duke pranuar edhe rolin e procesit krijues.
Studiusi Vasili pohon se në krijimtarinë e Moikomit “fjala ka logjikën e pavarur në krijimtarinë e poetit”.
Kjo e bën të mundshme ëndrrën e poetit për një gjuhë poetike të përbotshme.
Një ide të tillë ka mbrojtur dhe synuar Velimir Hlebnikovi që në vitet njëzetë të shekullit të kaluar.
Ky poet futurist mbronte idenë se gjuha e përbotshme do të krijohet nga shartimi i gjuhëve kryesore me njëra-tjetrën dhe duke synuar krijimin e fjalëve të reja në mëpërmjet bashkimeve tingullore dhe semantike të fjalëve të vjetra, të sjella e të shartuara me gjuhën bashkëkohore.
Ai synoi rikrijimin e Libri të Botës, që kap të gjitha lidhjet dhe ligjet e botës dhe, para së gjithave, ligjet e kohës, gjë e cila do të thotë të kalosh nga e tashmja në të ardhmen.
***
Moikomi ka zgjedhur rrugën e vet për krijimin e një gjuhe globale poetike, gjuhë që na flet për të kaluarën dhe të ardhmen duke shfrytëzuar magjinë e fjalës.
Fjalës artistike nuk i mjafton kurrë vetëm një kuptim.
Shumëkuptueshmëria e fjalës, pohon Elioti, është shenja dalluese e pozisë së vërtetë.
Fjala ka burimin dhe rrugëtimin e saj. Fjala ka logjikën e pavarur nga poeti.
Ajo është mpiksja e përfytyrimeve, është alkimia poetike e tij.
Fjala është “Toka dhe qielli i mendimit” moikomian, nënvizon Vasili.
Moikomi synon, pikërisht, gjuhën magjike të metaforës, të mbretëreshës së figurave artistike. Vasili e studion dhe e argumenton bindshëm mekanizmin e krijimit të metaforës nga Moikomi.
Metaforat e poetit, na pohon ai “janë thjerra, që përthyejnë kohën historike për të ndriçuar kohën e qenies. Ato plasin në kohën sot, në kohën e Poetit”.
***
Metaforat e Moikomit janë, jo vetëm të larmishme dhe të papërsëritshme nga thellësia dhe mënyra e ngjizjes së tyre, ato janë etalloni i stilit të tij poetik.
Proza botërore ka personazhe që janë bërë sinonim i emrit të autorit.
Dramaturgjia ka monologje dhe konflikte lapidare. Tragjedia ka katharsin. Moikomi ka metaforën e tij fantastike emblemë të krijimtarisë së vet poetike.
Studjuesi Vasili e quan atë “shenjë estetike” që bashkon “Koha sot” me “Ciklet e mëdha të kohëve” të së kaluarës dhe të së ardhmes.
Metafora moikomiane e bën unik këtë palimpest poetik të shkruar mbi trashëgiminë krijuese të kaluar të arritur deri në kohët tona dhe, në të njëjtën kohë, një projekt që poeti ia përciell së ardhmes kulturore.
Metafora është miti dhe kulti i laboratorit krijues të Moikomit.
Duke u ndalur vetëm në këto probleme, pa synuar që të komentoj gjithë lëndën e pasur të kësaj sprove të shkruar me përkushtim dhe kulturë profesionale, me erudicion të spikatur, do të veçoja një kapitull të kësaj sprove interesant.
Ky kapitull, në dukje, mund të duket si një shmangje nga këndvështrimi estetik studimor, por ai mua më duket një deduksion logjik lidhur me psikofizikën e leximit të veprës letrare.
Çdo autori i intereson jo vetëm krijimi, por edhe çfarë ndodh me lexuesin, që e lexon veprën.
***
Studjuesi Vasil Vasili ka bërë një analizë model dhe një zbërthim konkret të strukturës së strofës së Moikomit, një koment analitik të saj duke synuar të tregojë konkretisht se si duhet lexuar poezia intelektuale e Moikom Zeqos.
Studimi i kësaj poezie mbetet një problem, jo vetëm studimor, por edhe një angazhim për ta përqasur poezinë e tij me një lexues sa më të gjerë.
Poezia e Moikomit është një optikë e re mbi jetën dhe botën. Si e tillë, mbart me vete edhe “kryqin” e saj, riskun e komunikimit me lexuesin.
Shpesh përsëritet se Moikomi shkruan për një lexues të ardhëm, për një epokë tjetër.
Nuk besoj se Shekspiri apo Pushkini shkruan, jo për bashkëkohësit e tyre. Nuk ka autor që të mos etet për ta lexuar bashkëkohësit e tij, mos e përjetojë këtë ëndërr.
Duhej ta lexonte Getja, që të bëhej i përbotshëm.
Duhej ta analizonte dhe vlerësonte Bjelinski, që Pushkini të bëhej poeti kombëtar i Rusisë.
Studime të tilla të thella, jo vetëm të Vasil Vasilit, por edhe të disa autorëve të tjerë të nderuar të përkushtuar ndaj krijimtarisë së Moikom Zeqos mbi universin e tij krijues dhe angazhimet konkrete më të thelluara mbi psikofizikën e leximit të veprës së Moikom Zeqos do të ndihmojnë në zgjerimin e rrethit të lexuesve inteligjentë të veprës së tij avangardiste.

__________________________
Lexoni librin në formatin PDF:
VASIL VASILI: PËRKTHIMET E KOHËS (POETIKA E MOIKOM Z.)
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/perkthimet%20e%20kohes%20moikom%20zeqo.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura