SALI ONUZI: DY FJALË PËR HAMDI GJANËN, NË 70 VJETORIN E LINDJES SË TIJ

Tiranë, 05. 09. 2014: Hamdiu ka mbaruar shkëlqyer, me pesa, nga klasa e parë fillore, përfshi Liceun Artstik “Jordan Misja”, (shkollë kombëtare me emër) për çdo vit e në çdo lëndë. Sa ishte pionier, Kukësi e dërgonte në mbrëmjet qëndrore që zhvilloheshin në Tiranë me rastin e vitit të ri. E çoi edhe në Lice. Kaq. Më tej, Hamdi Gjana ishte sipas meje, një “i penguar profesional”, një mënyrë specifike dënimi (i pa shpallur, po mjaft i përdorur) nga politika e kohës. Është një nga rastet tipike. Ndonëse nuk kish asnjë pengesë politike biografike, ndonëse punonte me përkushtim, ndonëse vit për vit bënte kërkesë (“lutje” quhej atëherë), pushteti vendor i Kukësit nuk e lejoi të ndiqte shkollën e lartë (Institutin e lartë të Arteve) me justifikime bajate:
– “se na prish punë”,
– ”nuk kemi me kë të të zëvëndësojmë”,
– ”mirë je, nuk na duhesh me shkollë të lartë”, (!)
– ”nuk kemi ku të të çojmë se nuk kemi organikë, të shkon shkolla e lartë kot!”,
– ”se ti shkon atje, por nuk na kthehesh më këtu” etj etj.

Ky ishte mentaliteti sa injorant i drejtuesve të rrethit, aq edhe djallëzor e poshtërues, po aq dhe hileqar e mesjetar për njeriun e punës dhe të artit.
I mërzitur nga këto ndalesa më kujtohet që më tha njëherë: ”duhet të punosh keq që të të largojnë prej këtu e të të çojnë në shkollë të lartë. Po unë nuk dij të punoj keq se!”
Inteligjent, Hamdiu tip që su ndahet librave dhe profesionit, studionte vetë shumë që të ngrihej profesionalisht. Dhe më vjen mirë që ky nivel artistik i tij ka qenë dhe është i njohur dhe i çmuar publikisht: “Hamdi Gjana është muzikanti i parë profesionist kuksian, shkruan me të drejtë regjizori Bilbil Hereni. Me një karakter brilant, i sjellshëm, i respektueshëm me njerëzit Hamdiu ishte dhe është një humanist i vërtetë. Sa shumë shokë e miq të mirë, kishte dhe ka!

Në fizarmonikë (i pari) Hamdi Gjana, në fizarmonikë (i dyti) Binak Elezi, në klarinetë, Zef Gruda “Artist i Popullit”, në lodër, Xhemali Toçilla, “Artist i merituar” pranë mikrofonit, Mimoza Demiri, këngëtare e Estradës profesioniste të Kukësit.

*   *   *

Po atë që pushteti i kohës nuk ia dha direkt (ta çonte në shkollë të lartë), ia dha në mënyre të pandërgjegjëshme dhe indirekt: Ngarkesa me detyra dhe konkurimi me veprimtari të mëdha në shkallë republike i grupeve artistike dhe kulturore të Kukësit, si në Festivalet folklorike të Gjirokastrës, në Festivalet e këngëve për Fatosa dhe Pionierë, në Festivalet kombëtare të Estradave profesioniste etj., e ndihmuan të rritej profesionalisht.
Me politikën e tij absurde, diktatoriale, pushteti qëndror dërgonte në Kukës për dënim artistë të mëdhenj të muzikës si Zef Grudën (Artist i Popullit), Aleksandër Lalon etj. Kështu, në vënd që të shkonte Hamdiu të studionte në Tiranë i erdhën nga Tirana në Kukës profesorë të shquar të muzikës, me të cilët Hamdiu do të punonte dhe përfitonte prej tyre. Njëkohësisht unë jam dëshmitarë se si e çmonin njëri-tjetrin Zefi dhe Hamdiu. Po ama drejtuesit inatçorë të Kukësit ia dolën ta mbanin në Kukës.
Edhe në kohën e demokracisë, sa për të qenë në listë, e dekoruan me një urdhër të klasit të II, ndërkohë që grupe mësuesish dekoroheshin me po atë urdhër, por të klasit të I(!)
Nuk mund të them se ky lloj mosvlerësimi dhe pengimi sistematik zyrtar e bëri që të largohej përfundimisht nga Kukësi dhe nga Shqipëria dhe të emigronte në SHBA. Hamdi Gjana kishte dhe ka në Kukës dhe në Lumën e tij të dashur, po edhe në Has, në Gorë, në Malzi, në Tiranë dhe kudo që njihet, plot shokë e miq që e rrethonin me shumë respekt dhe dashuri, me një miqësi të vërtetë, që ia zbukuronin jetën, dhe e frymëzonin emocionalisht. Jam i bindur që këto ai i mbart me vehte në shpirtin e tij të butë, në zërin e tij të ëmbël, në buzëqeshjen e tij të gëzuar, në dashurinë e tij të pafund për Atdheun.
Po e mbyll këtë ese të shkurtër me fjalët e regjizorit Bilbil Hereni për Hamdiun: ”Zemra dhe jeta e tij janë një këngë e pafund, jehona e së cilës nuk shuhet kurrë…”
Gëzuar ky jubile i bukur i 70 vjetorit, i dashur Hamdi! Urime per suksese të reja!

Sali Onuzi – Tiranë, 5 shtator 2014

Hamdi Gjana (djathtas) e Sali Onuzi.

*   *   *

KUSH ËSHTË HAMDI GJANA

Hamdi Gjana ka lindur më 6 shator 1944 në Bicaj të Lumës. Kreu shkëlqyer (1958-1962) Liceun artsitik “Jordan Misja” në Tiranë, në degën e kulturës, profili Fizarmonikë.  Ka punuar si instrumentist, drejtues muzike në Estradën profesioniste e Shtëpinë e Kulturës, mësues muzike, metodist e drejtues i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në qytetin e Kukësit. Kjo karrierë përfshin dhe një krijimtari të pasur muzikore. Këngët “Borë e parë” dhe “Qytetit tim” (1964) janë kompozimet e tij të para. Më 1967 fiton çmimin e parë në anketën e Radio-Tiranës me këngën “Një kujtim”. Vazhdon më këngët “Trimërinë ruajnë këto male” (1969), “Alba”, “Fishek maliherit“ (1980) etj. Hamdi Gjana është vlerësuar disa herë me çmimin e parë në festivalet e këngës për fatosa e pionierë: “Mësojmë shkronjat” (1970, ”Pse nuk fle shqiponja” (1982),” Katër stinët”, ”Bjeri ciftelisë”, “ Dy gjëza muzikore“ etj. Ndër gjinitë e mëdha muzikore shënojmë “Lum e lum’ o moj Shqipëri”, “suitë vallesh festive” (1979), tabllotë koreografike “Mësojmë, punojmë, kalitemi” (1973). ”Maçoku” (1987), suitën korografike “Vallja e barinjëve” (1974) etj. Hamdi Gjana është autor i teksteve të shumë kengëve. Ka punuar për zbulimin e përgatitjen e talenteve të reja dhe organizmin e shumë veprimtarive të mëdha kulturore e folklorike të rrethit të Kukësit. Hamdi Gjana ka vite që ka emigruar në SHBA familjarisht. Jeton ne Filadelfia, ku nuk i ndahet punës krijuese në muzikë, në veçanti me fëmijët e shqiptareve atje, me të cilët ka organizuar të parin festival të këngës shqipe të fëmijëve shqiptarë në SHBA. Për punën dhe krijimtarinë e tij është dekoruar me disa urdhëra dhe medalje. Po ashtu dhe në Filadelfia ka merituar mirënjohje publike. Hamdi Gjana është i martuar me Hëna Corapin nga Borja dhe kanë një djalë dhe dy vajza.

(Marrë me ndonjë shtesë, nga libri “Kukësi: vështrim enciklopedik”, i Nazif Dokles “Mësues i Merituar”) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura