VETERANI I UҪK’së, HYSEN Z.HASANAJ DHE BRIGADA E FEKENIT!
Nga Sheradin Berisha
Sot kafen e mëngjesit e kam pirë me veteranin e UҪK-së, Hysen Zenel Hasanaj. Biseduam për kyqjen e tij në radhët e UҪK’së dhe për Operacionin SHIGJETA të zhvilluar në Pashtrik (maj-qershor 1999).
***
Hyseni ka lindur më 17.07.1978 në fshatin Skivjan të Gjakovës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Gjakovë. Ai në vitin 1996, pasi kishte ra në konflikt me disa çetnik serbë të Gjakovës, dhe ndiqej nga policia serbe në krye me famëkeqin Millutin, detyrohet të largohet nga Kosova dhe shkon në Gjermani. Në Düsseldorf kërkon azil, pastaj transferohet në qytetin Jena (në Republikën e Thüringen’it) dhe më vonë vendoset në qytetin Mönchengladbach, (në Republikën e Nordrhein-Westfalen’it) aty ku punonin vëllezërit e tij.
Në fund të marsit 1999 kur SHP i UҪK’së shpalli mobilizimin e përgjithshëm, Hyseni pa hezitim vendosi t’i bashkohet radhëve të UҪK’së. Një ditë prilli udhëtoi me tren për në qytetin Backnang (33 km.,afër Shtutgartit) për ta vizituar motrën dhe pastaj nga qendra mobilizuese e Feurbachut (në periferi të Shtutgartit) udhëtoi me shumë vullnetarë të tjerë për në Shqipëri. Në Portin e Durrësit fillimisht e takoj nënën dhe pastaj së bashku me qindra vullnetarë u ndalë në Restoranin e UҪK’së DRENICA. Aty i mbushën formularët e rekrutimit dhe pastaj morën rrugë për në qendrat stërvitore. Hyseni, përgatitjet psiko-fizike dhe stërvitjet taktiko – ushtarake i kreu në Qendrën Stërvitore të FEKENIT – DAJT (afër Tiranës).
K-dant i Qendrës Stërvitore ishte Koloneli Flamur Skraparlliu, i cili njëkohësisht ishte dhe K-dant i Akademisë Ushtarake ‘Skënderbej’ (1997-2000). Flamur Skraparlliu është doktor i shkencës në histori, ka diplomuar në Shkollën e Lartë Ushtarake në Tiranë dhe në Akademinë e Drejtimit të ushtrisë gjermane në Hamburg.
Ndërkaq K-dant i njësive të UҪK’së në Feken, (të cilat ndërkohë u strukturuan në Brigadë) – ishte Abit Ibrahimi, me pseudonimin Armando Arbanasi, ndërsa zv.K-dant ishte Kadri Batusha. Ata kishin ardhur nga komanda e Laprakës ku ishte selia e Ministrisë së Mbrojtjes me kryeministër Bujar Bukoshin.
Për shkak të parregullsive të shumta organizative, më 22 maj 1999 me urdhër të kolonelit Bislim Zyrapi, shkarkohen: Abit Ibrahimi dhe Kadri Batusha, ndërsa në vend të tyre emrohen, Bilall Syla K-dant i Brigadës, ndërsa zv.K-dant Rrahim Bekteshi.
Brigada kishte 3 batalione me nga 3 kompani dhe çdo kompani kishte nga 4 togje.
Në vazhdim po sjellë vetëm 3 batalionet me 3 kompanitë e tyre:
1. Batalioni i Parë, K-dant Ermir Begaj, Zv.K-dant Florim Balaj,
a. Kompania e Parë, K-dant Arsim Zyberi
b. Kompania e Dytë, K-dant Halil Ramadani
c. Kompania e Tretë, K-dant Vesel Berisha (pas plagosjes së Veselit për K-dant emrohet Osman Berisha)
***
2. Batalioni i Dytë, K-dant Dritan Durmishi, zv.K-dant Ibrahim Shaqiri,
a. Kompania e Parë, K-dant Nexhat Isufi
b. Kompania e Dytë, K-dant Nexhat Kelmendi,
c. Kompania e Tretë, K-dant Besnik Gashi.
***
3. Batalioni i Tretë, K-dant Agim Sallaku, zv.K-dant Bashkim Lladrovci,
a. Kompania e Parë, K-dant Skënder Misiri,
b. Kompania e Dytë, K-dant Ilir Daka, dhe
c. Kompania e Tretë, K-dant Iber Elezaj.
***
Në kuadër të batalioneve kishte edhe njësi tjera ushtarake për detyra të veçanta, specifike dhe njëra prej këtyre njësive ishte Togu i Zbulimit, apo Njësia Speciale e cila kishte rolin vëzhgues dhe gatishmërinë për veprime komplekse luftarake.
Pikërisht në këtë njësi luftarake bënte pjesë ushtari Hysen Hasanaj, të cilin bashkluftëtarët e thërrisnin me pseudonimin “Hitleri”!
Ai saktësisht ishte ushtar i Togut të Zbulimit (Njësisë Speciale) në kuadër të Batalionit të Parë, me K-dant Selajdin Gashi.
***
Pas dhënies së Betimit, më 27 maj 1999, me urdhër të Shtabit të Operacionit “Shigjeta”, (më 28 maj) Batalioni i Parë, me K-dant Ermir Begaj, u nis për në frontin e Pashtrikut. Dy ditë më vonë (më 30 maj) u nis edhe Batalioni i Dytë, me K-ndant Dritan Durmishi. Me të njejtin konvoj lëvizi edhe komanda e brigadës. Ndërkaq një ditë më vonë, Batalioni i Tretë në krye me zv.K-dantin Bashkim Lladrovci nisen për në frontin e Koshares. Në vijën frontale mësymëse në Pashtrik këto dy batalione (I dhe II) operojnë në Drejtimin Taktin Nr.2 (DT-2) Maja e Pashtrikut nën komandën e këtij drejtimi:
1. Bilall Syla, K-dant,
2. Fadil Zejnullahu, Zv.K-dant dhe
3. Rrahim Bekteshi, Shef i Shtabit.
– Sipas dëshmive arkivore të Komandës së Operacionit “Shigjeta” në Cahan, dhe dëshmive në DT2 (Maja e Pashtrikut…) ku operonte NJS DV TF-0, Batalioni “Atlantiku”, njësitë e Brg.126, një skuadër speciale, si dhe dy batalione (TF-5, TF-6) të ardhur nga Fekeni, në fushëbeteja kanë rënë dëshmorë:
1. Florim Rrahman Rushiti, 02. 04. 1979 – 26. 05. 1999 nga Kapiti i Medvegjës;
2. Avdi Ibrahim Xhaqku, 10. 01. 1971 – 01. 06. 1999 nga Hogoshti i Dardanës (ish – Kamenicës);
3. Bedri Habib Gashi, 28.08.1967 – 04.06.1999 nga Orllati i Drenasit;
4. Lulzim Hashim Llugiqi, 05.01.1973 – 05. 06. 1999 nga Dobraja e Lipjanit.
Kishte shumë të plagosur rëndë e lehtë, në mesin e tyre edhe ushtari i Batalionit “Atlantiku”, Haxhi Qerim Dervisholli, i cili ka humbur një këmbë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia për Dëshmorët e Kombit 🇦🇱
***
Në vijim shikoni ardhjen e vullnetarëve nga SHB’at dhe Gjermania në portin e Durrësit. Në mesin e këtyre vullnetarëve është edhe Hysen Hasanaj:
+++++
Nga arkivi i FB, më 23 qershor 2018
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10212073570570955&id=1125324528
———-
Ilustrimet:
1. Ceremonia e Betimit në Q.S në Feken, më 27 Maj 1999 dhe marshimi në Frontin e luftës në Pashtrik, gjatë Operacionit “Shigjeta”…
2. Një kafe me veteranin e UÇK-së, Hysen Hasanaj.
___________