PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (5)

Pashtriku.org, 09. 05. 2015 – (4. “LIRIA”, nr. 4-5, në vlugun e arrestimeve, në flakën e luftës vazhdon të përkrahë popullin liridashës) – Gazeta “Liria”, organ informativ i organizatës ilegale “OMLK” edhe pas demonstratave studentore të vitit 1981, vazhdon të botohej. Për dallim nga numrat tjerë të botuar gjerë më tani, numri 4-5 ishte më voluminozë për nga numri i faqeve ngase ishte dy numërosh, kishte 24 faqe. Dhe gati – gati, kryesisht iu kushtohej ngjarjeve që trandën jo vetëm Kosovën por e tërë rajonin. Se sa ishin të rëndësishme më së miri e dëshmon angazhimi dhe sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar për gjendjen e robëruar në Kosovë. Revista ishte e dizajnuar në stilin e numrave të mëparshëm.

Në ballinën e revistës, ishte një shkrim i Mehmet Hajrizit, që më tepër i ngjanë një apeli në formë trakti që iu drejtohej popullit shqiptar të Kosovës me titull “Përpara drejt fitores!” në të cilën autori shkruante se “Forcat ushtarake policore- fashiste të borgjezisë serbe mbuluan serish me zjarr e hekur Kosovën tonë të shtrenjtë. Dhjeta mija shovinist të tërbuar kanë shkelur në trojet tona të lashta për të na shtypur dhe nënshtruar. Kralet e rinj gjakpirës serbomëdhenj e kthyen edhe një herë Kosovën në një burg e kasaphanë të madhe fashiste. Ata nuk u mjaftuan me gjakun e bijve dhe bijave tona më të mirë që lau rrugët e qyteteve të Kosovës në masakrën e përgjakshme të marsit dhe të prillit, por mbushën edhe burgjet e tyre famëkeqe me mijëra petritë e sokolesha shqiptare në Kosovë dhe Jugosllavi” .

Mehmet Hajrizit, autori i shkrimit “Përpara drejt fitores!”, botur në ballinën e gazetës ‘Liria’, Gusht 1981, Nr. 4 – 5.

Etja e çmendur për gjak shqiptari, shovinistët serbë i çoi deri atje sa të përdorin mjete e metoda dhune, nga të cilët ishin përmbajtur edhe nazi- fashistët hitlerian.
Ata mendonin se me një sulm të rrufeshëm, të egër dhe të gjithanshëm mbi Kosovën, të planifikuar me kohë do të frikësonin dhe të nënshtronin shpejt popullin shqiptar. Kështu në këtë mënyrë do të krijohej një teren i lirë për të realizuar në Kosovë politikën shoviniste të Çubrilloviqit e të Rankoviqit me shokë e që ishin bërë qëllime jetësore të pasuesve të tyre, klikës serbe në Beograd. Këto qëllime të bijve të Karagjorgjeviqëve nuk ishin më sekrete për askënd në botë, ata i kishin nxjerrë ato sheshit me bisht e me brirë, duke treguar hapur se duan t’i marrin edhe ato pak të drejta që i kishim fituar me gjak, donin që ta fusnin Kosovën në një sundim edhe më të egër, donin që ta shtypnin, e ta shfrytëzonin barbarisht, donin ta shndërronin përjetësisht në një tokë serbe, donin ta zhduknin gjuhën, kulturën, artin, letërsinë, këngët, simbolet tona kombëtare, të na bënin që të harrojmë historinë tonë të lavdishme, donin të na i fashitnin njëherë e përgjithmonë ndjenjat tona të zjarrta e të pashuara të lirisë dhe të patriotizmit, idealet tona të shenjta .
Ky sulm i ri shovinist mbi Kosovën dhe tokat tjera shqiptare nën Jugosllavi nuk ishin vetëm një represion i egër ndaj kërkesave tona krejt të drejta e të ligjshme, të shprehura në demonstratat heroike popullore në Kosovë, por pjesë e planit të përgjithshëm strategjik serbomadh të shtrirjes së hegjemonizmit dhe sundimit të tij mbi gjithë Jugosllavinë e të sulmit, në bashkëveprim me social imperialistët sovjetikë, edhe kundër Shqipërisë e më gjerë .Gjendja e rëndë dhe e padurueshme që ishte krijuar në Kosovë, sidomos në muajt e fundit (1981), nga dhuna e terrori shovinist, shtypja kombëtare e shoqërore dhe shfrytëzimi i egër kolonial, represioni fashist e persekutimi në masë gjithnjë në shkallëzim, bënë gjithnjë të domosdoshme nevojën e organizimit të një rezistence të fuqishme popullore kundër këtyre valëve të tërbuara shoveno – fashiste e të vazhdimit dhe intensifikimit të luftës për të drejtat e mohuara me zjarr e barot dhjeta vite me radhë nga okupuesi barbar i Beogradit dhe vet Jugosllavia. Për të vazhduar më tej, autori i drejtohet popullit me këtë mesazh:” Popull shqiptar, ne, bijtë e tu besnikë deri në vdekje, bëjmë thirrje që lufta për të drejtat tona të ligjshme, lufta kundër masave të egra shoviniste antishqiptare të organizohet me guxim e heroizëm, të rritet e zgjerohet dhe të vazhdohet me vendosmëri deri në realizimin e plotë të kërkesave tona të drejta. Rruga e rezistencës, e luftës së vendosur, është rrugë e vetme e fitores,rrugë e vetme e realizimit të të drejtave tona”.
Artikullshkruesi na ofron argumentet përse kërkesa për Kosovën- Republikë, duke shtuar “Ne kërkuam të drejtat tona, kërkuam republikën për shqiptaret në Jugosllavi, e drejtë kombëtare kjo që e kanë të gjithë popujt e federatës jugosllave. Shovinistët serbomëdhenj, të prekur në interesat e tyre grabitqare, duke mos pasur asnjë argument, asnjë bazë të shëndoshë për t’i mohuar kërkesat tona krejt të ligjshme, thirrën me lehtësi “kundërrevolucion”!, “u prish federata jugosllave”! e plot blofe si këto, dhe menjëherë dërguan në Kosovë hordhitë barbare të ushtruara për gjenocid e terror mesjetar me qëllim që të na nënshtrojnë. Por llogarit nuk iu dolën si i menduan. Ata, vërtetë vranë, plagosën, gjymtuan e burgosën mija djem e vajza trime shqiptare, por nuk arritën ta frikësojnë dhe nënshtrojnë asnjë, populli heroik i Kosovës qëndroi dhe po qëndron në këmbë i paluhatshëm, i pa përkulur. Dëshmorët tanë të lavdishëm dhanë jetën në demonstrata duke thirrur: “Rroftë republika”, “Rroftë populli shqiptar”, “Rroftë republika e jonë”, “Rroftë liria”, “Përpara drejtë fitores ”. Ky heroizëm i paparë i bijve dhe bijave tona ishte shembull i edukimit atdhetar për rininë tonë. Pavijonet, korridoret dhe qelitë e errëta të burgjeve fashiste në Kosovë, ku u torturoheshin çnjerëzisht patriotët dhe revolucionarët shqiptarë, dhe ushtonin nga thirrjet protestuese dhe këngët patriotike të korit madhështor të të burgosurve të panënshtruar. Bijtë dhe bijat e Kosovës edhe në pranga, të lidhur dhe të dërmuar, i fusnin tmerrin armikut me qëndresën heroike të tyre, me vendosmërinë e tyre deri në fitore. Duke mos pasur mundësi që tërë popullin ta fusin në burgje, armiqtë e egër kishin organizuar dhe vënin në zbatim një proces të gjatë dhe të pandërprerë persekutimesh në gjithë popullatën, nëpër mjetë të ashtuquajturit “diferencim politik” të masave popullore, i cili kishte për qëllim që një për një të merreshin në pyetje çdo shqiptar dhe, nën presionin shovinist serbë, ti dënonin demonstratat dhe kërkesat e tyre, të përshëndetën pushtuesit dhe dhunën fashiste që ushtrohej në Kosovë, populli shqiptar të përçahet me vëllezërit e tij dhe të nënshtrohej plotësisht përpara armikut. Por duhet theksuar se ky “diferencim” në të shumtën e rasteve në popull, tek punëtorët, në rini madje edh në disa instanca udhëheqëse, ishte sabotuar dhe kishte dështuar plotësisht, ose ishte kthyer në manifestim proteste kundër regjimit shtypës .
Në të vërtetë, i gjithë populli merrte pjesë në demonstrata dhe s’kishte si të hiqte dorë nga kërkesat e veta. Të diferencuar nga kërkesat e demonstruesve, nga populli, mbetën vetëm një grusht tradhtarësh e bashkëpunëtorësh të mjerë shqiptarë, që me kohë kishin qenë kundër popullit dhe interesave të tij.“Edhe në të ardhmen”, porosiste autori i tekstit që nuk ishte identifikuar nga organet hetuese të SPB-së, “ duhet të sabotohet dhe të dështojë çdo përpjekje e armikut për të na nënshtruar dhe për të na vënë kundër njëri- tjetrit. Vetëm të bashkuar, të lidhur sup me sup, duke lënë anash çdo hasmëri personale, si vëllai me vëllanë, në ndërmarrje, në fshat, në shkollë, kolektiv e kudo, ne mund të mbrohemi, të sabotojmë aksionet e armikut, të ngrihemi dhe të protestojmë hapur, siç tregojnë shumë shembuj të tillë të guximshëm gjatë këtyre muajve të fundit.” Duke e lexuar tekstin, në një mënyrë të prerë gjejmë se si autori iu drejtohet punëtorëve: “Punëtorë të Kosovës. Pasojat e politikës revizioniste të shtypjes e të shfrytëzimit që po ushtrohet në Kosovë, më shumë se kudo, bien mbi supet tuaja. Grabitësit tanë të egër, me krahët tuaj, me forcën tuaj punëtore, me gjakun dhe djersen tuaj, rrëmbejnë pasurit tona të shumta. Nga gjithë puna dërmuese që bëni natë e ditë, ju mezi fitoni kafshatën e bukës për vete dhe fëmijët tuaj. Në demonstrata masive të pranverës së përgjakshme të këtij viti, bashkimi i radhëve të punëtorëve, lidhja e gjokseve tuaj si një barrikadë e pa shpërthyeme çeliku, i tmerroi armiqtë. Ngjarjet e përgjakshme të marsit dhe prillit në Kosovë ishin një provë e vështirë, por, shumë e suksesshme, e bashkimit jo vetëm e klasës punëtore por e të gjithë popullit në rezistencën e përbashkët për interesat tona të përbashkëta. Armiku ynë goditi për vdekje qindra punëtor trima, arrestoi dhe përjashtoi nga puna, ndau nga radhët shokët tonë të dashur. Nëse na do të ishim indiferent ndaj këtyre veprimeve të egra, ai dot na sulmojë një nga një të gjithëve .
Prandaj është e domosdoshme që të organizojmë rezistencën e përbashkët kundër shtypjes, për interesat tona të përbashkëta. Nëse viteve të kaluara në Kosovë klasa punëtore organizoi dhjeta greva e protesta, tani ato duhet të jenë me qindra. Të kundërshtohet me to me forcë e këmbë ngulje shtypja dhe shfrytëzimi i klasës punëtore, të kërkohet kudo rritja e pagave, të kërkohet kthimi i shokëve në punë, lirimi i tyre nga burgjet, pushimi i ndjekjeve dhe persekutimeve ndaj punëtorëve me të ashtuquajturat “diferencime”, të kërkohen kushte më të mira të punës, jetesës, banimit, të mbrojtjes shëndetësore etj. Në kushtet e mohimit të të drejtave tona kombëtare, lëvizja popullore në Kosovë do të vazhdojë e patundur dhe me vendosmëri deri në realizimin e plotë të tyre. Por, që të arrijë këtë, ajo duhet të jetë e organizuar më mirë dhe e bashkuar si një trup i vetëm. Prandaj, ne i bëjmë thirrje gjithë klasës punëtore në Kosovë , që ti organizojë radhët e veta në çdo ndërmarrje, në çdo repart, çdo brigadë e çdo njësi punese, me qëllim të mbrojtjes të drejtave të saj nëpër mjetë të luftës së përditshme klasore, të zhvillimit të vazhdueshëm të kësaj lufte për kërkesa ekonomike e politike. Të lidhemi me besa- besë me njëri- tjetrin që, bashkërisht, të mbrohemi dhe të luftojmë për të drejtat tona.”  Autori në tekst iu drejtohet të gjitha strukturave të qytetarëve të Kosovës, këtu nuk mungojnë apelet drejtuar edhe fshatarëve të saj, dhe sipas shkrimit shpresa më e madhe për ndërrime radikale është te rinia studentore dhe fshatarësia, andaj ai (autori) shkruan: Fshatarë të Kosovës, Kërkesa e të gjithë popullit tonë për republikë, është kërkesë për shpëtimin tonë nga sundimi i egër shovinist serbë, i cili në bashkëpunim me shovinizmin malazezë dhe maqedonas, shtyp dhe shfrytëzon edhe vëllezërit tanë në Maqedoni e Mal të Zi, është kërkesë kundër grabitjes së pasurive të tokës sonë, për të cilën fshatari patriot shqiptar ka luftuar me shekuj, është kërkesë kundër rrëmbimit të drithit të arave tona, bukës sonë, bagëtive tona.  Është kërkesë për një jetë më të mirë e më të lirë, për shkolla shqipe, për kulturën tonë, kërkesë për zhdukjen e varfërisë së mjerueshme dhe kurbetit të hidhur, papunësisë dhe analfabetizmit, kërkesë për të qenë zotë në trojet tona. Bashkë me bijtë dhe bijat tuaja , me punëtorët, studentët, me nxënësit e intelektualët, me këto kërkesa në gojë dhe në zemëratë që ndizeshin flakë u derdhët edhe ju rrugëve e shesheve të Kosovës, u gjakosët me heroizëm me xhelatët fashist” . Ishte mase e qartë se populli i ynë luftonte për kërkesa të këtilla, e jo “kundër popullit serbë e popujve të tjerë të Jugosllavisë”, siç mundoheshin të gënjenin pushtetarët.. Në historinë tonë ishin të njohura luftërat dhe përpjekjet heroike të fshatarësisë për të drejta e liri, për bashkim kombëtar. Ky patriotizëm revolucionar i pasuruar në traditën luftarake të popullit tonë për të drejta dhe liri, fshatarësia patriote shqiptare e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, përbënte forcën më të madhe , e cila bashkë me gjithë popullin dhe nën udhëheqjen e liridashësve marshonte drejtë fitores së sigurt. “Por, kjo forcë e madhe e fshatarësisë” thoshte autori “duhet të organizohet e të bashkohet me luftën e përditshme të fshatarëve për përmirësimin e kushteve të jetesës, për rrugë, ambulancë dhe shkollë, për tokën e bukës, për dritën e drejtësinë, kundër taksave dhe tatimeve, kundër dhunës dhe presionit fashist, që sidomos tani pas demonstratave po manifestohet brutalisht edhe në fshat” autori pyet: “Cili fshatar i ndershëm shqiptar duron t’i shahen në sytë e tij bijtë e bijat që ranë në fushën e nderit, në ngjarjet heroike të marsit e prillit, t’i shahen e t’i njollosen ata mija bijë e bija që po dergjen burgjeve të errëta , t’i shahet e njolloset vetë lufta e popullit tonë për të drejtat e tij të ligjshme, ti shahet historia e tij, kultura, gjuha, flamuri e nëna shqiptare? A ka më të tmerrshme e më të rëndë për fshatarin tonë të ndershëm e patriot, me dinjitet burri shqiptar, sesa të poshtërohet ditë e natë, të bastiset e të kontrollohet nga banditët shovinistë dhe t’i shkelet nderi i shtëpisë dhe kombit?” Ishte mjaftë domethënëse për pushtetarët se me 1 e 2 prill, kur shpërthyen demonstratat e mëdha popullore, dhjeta familje shqiptare, që kishin qenë në gjak më parë mes veti, falën gjaqet dhe u përqafuan vëllazërisht për interesin e përgjithshëm, për hir të bashkimit. Ky nuk ishte një fenomen, por një proces që vazhdoi edhe më vonë. Apo të marrim një fakt tjetër: Vëllezërit tanë në kurbet të hidhëruar, kudo që u ndodhën, me të dëgjuar ç’ndodhi në Kosovë, u hodhën edhe ata në demonstratat e shumta dhe në protesta, duke u bashkuar kështu me luftën e drejtë të vëllezërve të vet. Edhe larg Kosovës ata jetonin me Kosovën dhe për Kosovën e tyre të shtrenjtë . Autori i shkrimit “Përpara drejt fitores”, me një mesazh të veçantë i drejtohet me një respekt e dashamirësi edhe rinisë kosovare: “Rini e kuqe e Kosovës. Rini punëtore, fshatare, shkollore studentore e Kosovës trime, rini e barrikadave dhe aksioneve heroike revolucionare, ti i vure gjoksin e para tiranëve shtypës e gjakatar, ti e para derdhe gjakun rinor në përleshjet e përgjakshme me armikun. Dhjeta vite me radhë armiqtë u munduan, me çdo mjet e me çdo formë, të të degjenerojnë, të të fusin në një jetë të ç’thurur, pa ideal e pa kuptim, por ti ruajte me besnikëri traditën e të parëve, trimërinë e baballarëve, idealin e aspiratat e popullit që të lindi, dhe në ngjarjet e fundit shembe për tokë gjithë ato përpjekje të ethshme e të vazhdueshme të armikut kundër teje, i tregove gjithë botës se :në Kosovë po rritet dhe po ngrihet një rini e madhe , e fortë , e bashkuar, trime dhe e vendosur , që nuk do të durojë më shtypjen dhe robërinë . Ja përse, shovinistët e tërbuar kanë drejtuar pikërisht kundër rinisë gjithë atë forcë sulmesh barbare.  Ata vranë e plagosën qindra të rinj, arrestuan mijëra të tjerë, që ta frikësojnë rinin tonë, mbyllen Universitetin dhe shkollat , arrestuan dhe përjashtuan nga puna arsimtarët patriot dhe revolucionarë kudo në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, zvogëluan numrin e nxënësve dhe studentëve duke lënë në rrugë mija djem e vajza shkollare , na ndan nga profesorët të dashur të Universitetit të Tiranës për t’i zëvendësuar ata me serbomëdhenj nga Nishi, dhe tani po bëjnë plane për shkapërderdhjen e Universitetit tonë dhe për largimin e studentëve shqiptarë edhe nëpër universitete jugosllave dhe, më në fund, ndryshimin e të gjitha plan-programeve mësimore, duke filluar nga klasat më të ulëta të shkollës fillore e deri te Universiteti, duke hequr prej tyre edhe ato pak elemente që mundë t’i edukonin të rinjtë tanë me ndjenjën kombëtare e patriotike shqiptare.” Autori në këtë shkrim iu bënë thirrje studentëve dhe rinisë në përgjithësi, që të protestojnë dhe të jenë shumë të matur, të organizuar dhe të ruhen nga tradhtarët. Shokë studentë e nxënës thotë autori, “Protestoni në mënyrë të organizuar dhe me forcë kundër organeve qeveritare që duan të lënë rrugëve, jashtë universiteti e shkollave shokët tuaj! – Kërkoni me këmbëngulje që të ktheheni në radhët tuaja shokët dhe shoqet e përjashtuara nga shkolla dhe fakulteti! -Kërkoni që t’iu lejohet vazhdimi i studimeve në gjuhën shqipe vëllezërve tanë nga Maqedonia, Serbia e Mali i Zi! -Protestoni, kundër ndjekjes e persekutimit që po ushtrohet ndaj studentëve, nxënësve e profesorëve patriot! -Protestoni kundër censurës shoviniste në plan-programet mësimore, në historinë tonë kombëtare, gjuhën, letërsinë e kulturën tonë! -Kërkoni që profesorët nga Universiteti shtetëror i Tiranës të vazhdojnë ligjëratat në Universitetin tonë! – Protestoni kundër hallakatjes e shkapërderdhjes së Universitetit dhe studentëve! -Vazhdoni kërkesat tuaja të drejta për kushte shkollimi e studimi! -Organizoni në fakultete e shkolla shokë e shoqe më besnikë, të vendosur për të luftuar me çdo sakrificë për të drejtat tuaja e për t’u bashkuar me luftën e të gjithë popullit për të drejta e liri! porosiste autori i shkrimit Vetëm kështu mundë të quhemi bijë e bija të popullit tonë trim e patriot, që na lindi e na rriti, na edukoi e kaliti si thesarin e tij më të çmuar, lulen e tij më të bukur, si trima e heronj, luftëtar të lavdishëm të betejave revolucionare.
Autori vazhdon duke konstatuar se asnjëherë në historinë e Kosovës nuk është parë një pjesëmarrje aktive kaq e gjerë e gruas shqiptare në lëvizjet popullore si kjo, në ngjarjet e fundit historike të popullit tonë të robëruar. Për këndë të flasësh më parë?, pyet autori i tekstit Për ato mijëra vajza trimëresha, që qëndronin në ballë të demonstratave popullore , bile shpesh edhe në udhëheqje të tyre, për ato mijëra Shotë Galica ,Margarita Tutulani, Bule Naibi e Ganimete të gjalla, apo për ato gra trimëresha të qyteteve dhe të fshatrave të Kosovës që gatuan bukë për demonstruesit, i strehuan ata, ua lidhën plagët e i mjekuan, për ato gra e vajza që po u përplasin shqiptarçe gjithë urrejtjen e indinjatën e tyre armiqve në tubimet “diferencuse”, që po organizojnë ata kudo edhe për gratë, apo për nënat tona të forta e heroike , që bijat dhe bijtë e tyre të dashur, lulet e tyre të jetës i përcollën duke iu thënë :”hajt, zemra e nënës, edhe po të mos kthehesh, nga shokët mos u ndaj, mos na turpëro…!”  Nënat shqiptare janë trime, janë roje të bardha të bijve dhe bijave trime të tyre, ato janë heroina se me një krenari të pashoqe ndahen nga bijtë dhe bijat e tyre të pavdekshme. Por, autori thotë se edhe pse ata kanë vdekur, ju nuk keni mbetur të vetmuara. Ju keni sot qindra mijëra djem e vajza të popullit , që ju thërrasin nënë, ju keni dashurinë dhe respektin e gjithë popullit tonë patriot e luftarak, i cili përulet para bijave dhe bijve tuaj , duke thirrur: “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë”.Gratë shqiptare edhe pse ia falnin fëmijët e tyre atdheut, ato përsëri e përsëri vazhdonin, të luftoni krah për kreh me vëllezërit e tyre, në çdo betejë për të drejtat e tyre, të drejtat e popullit, se ishin të vetëdijshme se, vetëm kështu mund të dilni nga robëria e dyfishtë që po iu zinte frymën .
Pa dallim gjinie, i gjithë populli shqiptarë shtypej e shfrytëzohet në Jugosllavi, por akoma më shumë gruaja shqiptare, e cila nuk kishte pothuajse asnjë të drejtë në jetën shoqërore, politike e ekonomike. Kishte gra që ishin të angazhuara në politikën e kohës, porse ato ishin më tepër dekor politike se sa që luanin ndonjë rol të rëndësishëm në të. Sistemi okupues dhe zakonet e egra prapanike, që ruheshin të gjalla, e për pushtetarët kjo dukuri negative asnjëherë nuk ishte në rendë të ditës për të ndërmarrë masa më të rrepta për ta eliminuar. Pa luftë e përpjekje nuk mund të dilet nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet sot gruaja shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë.
Një apel të veçantë ilegalja shqiptare iu drejtonte intelektualëve patriotë e revolucionar, ku ju thuhej se si bijë besnik të popullit, nga gjiri i të cilit keni dal, juve u bie një barrë e rëndë dhe e vështirë e luftës dhe përpjekjeve të popullit tonë të shumëvuajtur për të drejta e liri.
Mija intelektualë patriotë e revolucionarë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Serbi , mësues, arsimtarë, profesorë, nëpunës, mjekë, artistë, shkrimtarë, këngëtarë e punëtorë të shquar të shkencës e kulturës e kanë kuptuar drejt detyrën e tyre dhe me vetëmohim janë bërë shërbëtorë të denjë të popullit, të interesave të tij të mëdha . Armiku kishte vënë në shënjestër inteligjencën tonë, duke përdorur mjete dhune, terrori e presioni kundër saj, kulturën, shkencën, gjuhën,letërsinë, historinë tonë të lashtë, duke zbatuar kundër tyre një inkuizicion të tmerrshëm shovinist . Kulturën, gjuhën e historinë betoheshin ilegalitet se do i mbrojnë në çdo kohë, pa marr parasysh pasojat që do i kemi thoshin ilegalitet. Gjuha e kultura jonë u kanë rezistuar shekujve plot rrebeshe, aq më pak sot ato mund të sakatohen e të zhduken. Censura e egër shoviniste ndaj krijimtarisë letrare e artistike, shkencore, publicistike etj…që është vendosur në Kosovë, nuk mund t’ua mbyllë gojën intelektualëve të Kosovës. Ashtu, sikurse librat, nga Shqipëria që po qarkullojnë ilegalisht në Kosovë, edhe ato të shkruara nga autorët kosovarë, jashtë censurës, do të qarkullojnë fshehurazi dorë më dorë. Kështu na kanë mësuar intelektualët patriotë të Rilindjes sonë kombëtare. Dhe më pas autori i propozon disa këshilla të cilat do i prezantoja këtu:
-Shfrytëzoni të gjitha format dhe mundësitë në veprimtarinë tuaj krijuese, shkencore, kulturore, arsimore, edukative, letrare e artistike, duke hedhur tej konceptet shoviniste.
-Edukoni fëmijët, rininë dhe popullin në frymë patriotike, kudo që veproni, pa përfillur presionin e egër shovinist.
-Luftoni bashkë me popullin për të drejtat e tij, për një jetë të tij të lirë.
-Luftoni për të drejtën e fjalës e të shtypit, për krijimtari pa censurë të egër shoviniste.
Edhe popull shqiptarë që jetonte në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, republika shqiptare në federatën jugosllave, që do të përfshinte në vend të gjitha viset shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, do të ishte njësoj si republika serbe, kroate, maqedonase, malazeze etj. Kërkesa shqiptarëve në Jugosllavi për republikë nuk ka asgjë nacionaliste e shoviniste, por është kërkesë për një të drejtë kombëtare, që do të duhej ta kishim me kohë. Kërkesa e jonë për republikë nuk do të thotë aspak dëbim për pakicat serbe, malazeze dhe maqedonase, siç na akuzojnë shovinistët .
Shovinistët jugosllav padrejtësisht na kanë ne shënjestër ne shqiptarët, që jemi një popull i vetëm me truall unik e të pandashëm. Asnjë popull në Jugosllavi, shumë prej të cilëve janë më të vegjël se i yni, nuk është ndarë dhe copëtuar, kështu.
Edhe shqiptarët e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi, gjatë gjithë sundimit okupues në Jugosllavi, i janë ekspozuar një shtypjeje të egër shoviniste, gjenocidit në masë dhe shfrytëzimit barbar, duke qenë të detyruar shpeshherë të lënë edhe vatrat e tyre njëherë e përgjithmonë, për të marr në sy rrugët e botës, si refugjat të përjetshëm .
Sot, kur i gjithë populli i ynë i shtypur u ngrit në këmbë, shovinistët, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, po ushtrojnë një dhunë e një presion fashist të paparë. Edhe ato pak të drejta elementare që kishin shqiptaret e këtyre viseve, tash po iu hiqen nga ata. Por, ne do të vazhdojmë të gjithë së bashku luftën për të drejtat tona të ligjshme, deri në realizimin e plot të tyre. Ne shqiptaret trima të Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi, bashkë me vëllezërit kosovarë, nuk do të kursejmë as gjakun, as jetën tonë për fitoren e kësaj të drejte. Por, një thirrje e veçantë në tekst i bëhej popullit serb e malazias, dhe kamë përshtypjen se ky apel ishte i gjithë ilegales shqiptare që vepronte në Kosovë pas demonstratave studentore të vitit 1981.
Mehmet Hajrizi, iu drejtohej atyre në këtë mënyrë: Armiku ynë i përbashkët po mundohet t’i gënjejë popujt e Jugosllavisë se gjoja shqiptarët janë ngritur në luftë kundër tyre, e jo kundër regjimit shtypës e shfrytëzues të Beogradit, që është armiku edhe i popujve të tjerë në Jugosllavi. Ju, serbët dhe malazeze të ndershëm të Kosovës, e dini më së miri të vërtetën mbi luftën e popullit shqiptar për të drejtat e tij të ligjshme. Ne nuk duam të luftojmë me asnjë popull të Jugosllavisë, as me popullin serb e malazez në Kosovë. Këtë e dinë armiqtë tanë shovinistë dhe duhet ta dinë dhe të gjithë popujt në Jugosllavi. Popullit të ndershëm serb dhe popujve të tjerë Jugosllavë nuk u vjen asnjë e mirë nga ky trajtim i Kosovës dhe popullsisë shqiptare, serbe, malazeze etj.. që jetojnë në të.  Lufta për të drejtat e Kosovës, lufta e sajë për shkëputje nga vargonjtë shtypës dhe shfrytëzues, është për të drejtat e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, është edhe në të mirë të tyre, sepse edhe ata jetojnë në varfëri, nga e cila shpesh detyrohen të ikin, duke braktisur Kosovën. Ky dhe vetëm ky është ai “presioni shovinist” që ka bërë të shpërngulën familjet serbo- malazeze nga Kosova. Por, nga ky “presion” i kanë braktisur vatrat e veta akoma më shumë familje shqiptare. Ky fakt tashmë është i njohur nga të gjithë. Ne, me të drejtë presim dhe shpresojmë që serbet dhe malazezet e ndershëm në Kosovë do të luftojnë së bashku me shqiptaret për të drejtat e tyre , që populli i Serbisë dhe popujt e tjerë në Jugosllavi do të na përkrahin, të na mbështesin në luftën tonë të drejtë. Çdo armiqësi mes nesh është në interes të armiqve tanë, kundër të cilëve një ditë do të ngrihemi domosdo të gjithë së bashku. Gazeta “Liria”, thoshte se populli i robëruar po kalonte qaste të vështira. Një rrezik akoma më i madh, po i kanosej vazhdimisht nga shovinizmi dhe shovinistët e shfrenuar dhe vazhdimisht ishte prezent. Lufta e popullit shqiptarë në Kosovë ishte e drejtë dhe e ligjshme. Atë e përkrahu e gjithë bota demokratike dhe liridashëse anë e këndë globit, kjo u dëshmua edhe më 1999, kur ndërhynë ushtarakisht në ish-Jugosllavi. Luftë pa sakrifica nuk ka, thoshte shkrimi në gazetën “Liria”. Shumë revolucionar e patriotë, na i rrëmbeu armiku këto kohët e fundit. Por, të tillë populli i ynë ka plot. Më kot armiqtë tanë përpiqen të na nënshtrojnë, ne dhe popullin tonë trim. Ne jemi gjallë dhe kurrë nuk do të zhdukemi, nga asnjë armik, sado i fuqishëm e barbar të jetë ai .
4. 1. Populli trim i Kosovës, do pavarësi
Në shkrimin e Hydajet Hysenit “Jemi patriotë, s’jemi shovinistë”, është një shkrim ku autori me këmbëngulje jep argumente se shqiptaret që dolën në demonstrata, ata nuk dolën për t’iu bë të keqe popullit jo shqiptar, por, ata dolën në demonstrata për të kërkuar të drejtat e veta të ligjshme. Dihej se menjëherë pas demonstratave, filloi një fushat e çmendur kundër shqiptarëve, kudo që ishin ata. Shtypi legal i kohës për këto heshtte, ndërsa ky ilegal ishte në aktivitet të vazhdueshëm , mirëpo, e tërë kjo vështirë depërtonte deri te opinioni i gjerë. Ata që kishin rast ta siguronin ketë, ata posa e lexonin në një mënyrë apo tjetër e asgjësonin ngase, spiunët e pushtuesit i kishe çdo kund, dhe me një kujdes të hatashëm përgjonin natën e ditën dhe mezi pritnin të gjenin diçka që të lavdërohen para punëdhënësve se kanë zbuluar diçka “ shumë të rëndësishme” , dhe normal ata i shpërblente okupatori.  Dhe, “ me anë të britmave histerike kundër “nacionalizmit” dhe “shovinizmit” të trilluar shqiptar, vojvodët e rinj të Beogradit po mundohen ta fshehin shovinizmin e tyre të egër antishqiptar, të justifikojnë masakrën e tyre të përgjakshme, që bënë gjatë kësaj pranvere në Kosovë, të arsyetojnë masat e papara të dhunës, terrorin e gjenocidin, që e ndërmorën dhe po vazhdojnë të ndërmarrin kundër popullit liridashës. Duke sulmuar me të gjitha mjetet popullin tonë dhe çdo gjë të tjetër, duke e fshehur dhe shtrembëruar të vërtetën rreth gjendjes së tij të padurueshme , rreth aspiratave dhe qëllimeve të luftës së tij të drejtë, ata po orvatën ti nxisin kundër popullit tonë edhe popujt e Jugosllavisë, ti përçajnë e armiqësojnë ata në mes veti, në mënyrë që kështu ti largojnë ata nga lufta kundër regjimit titist dhe ti sundojnë më lehtë në këtë situatë të vështirë që po kalon Jugosllavia .
Punimin në fjalë autori e kishte ndarë në disa pjesë. Në pjesën e parë bënte fjalë për shqiptarët që kurrë nuk kishin qenë shovinistë. “Le ti kthehen revizionistët sa të duan të kaluarës sonë të lavdishme për të kërkuar edhe atje “shovinizmin shqiptaro-madh” thotë autori i shkrimit. Le të shfletojnë ata sa të duan libra, kronika e dokumente të së kaluarës. Atje, ata mund të gjejnë sa të duan luftë për liri, se të parët tanë nga një luftë e bënin për çdo vjet, po ata nuk mund të gjejnë kurrë luftë shqiptare për robërimin e të tjerëve. Mundë të gjejnë ata sa të duan vetëmohim e qëndresë heroike, mundë të gjejnë sa të duan xhamadan të trimërisë nëpër Termopilet e shumta shqiptare, por ata nuk mund të gjejnë kurrë shovinizëm, terror e zullum shqiptarë. Duhet theksuar se populli shqiptarë gjatë gjithë historisë së tij shumë shekullore, ka luftuar me heroizëm kundër shovinistëve të huaj, e pra edhe kundër atyre serbë e malazezë, por, me përjashtim të titistëve, askush nuk ka folur ndonjëherë për “nacionalizëm”, “shovinizëm” dhe “ekspansionizëm shqiptaromadh”. Por mund të konstatojmë se për politikanët serbë, gjithçka që ishte shqiptare, gjithçka që ishte patriotike, gjithçka që nuk iu pëlqente atyre ose që ua prishte planet e tyre të përbindëshave, ishte “nacionaliste” e “shoviniste” dhe “irredentiste”, “reaksionare” e “kundërrevolucionare”. Dhe, meqenëse i gjithë populli shqiptarë, kudo që ishte, me krenari thoshte se është shqiptar, dhe jo jugosllav, meqenëse gjithë populli shqiptarë luftonte për liri (pikërisht patriotët shqiptarë e jo “patriot jugosllav”), dhe meqenëse si i tillë, populli po ua prish atyre planet e çmendura, atëherë, për ta me përjashtim të ndonjërit bashkëpunëtori, gjithë populli shqiptar është “nacionalist”, “shovinist”, “irredentist”, “i egër”, “injorant”, “i trashë”, “reaksionar”, “kundërrevolucionar” e gjithçka tjetër. Me qëllim të diskreditimit të popullit tonë dhe aspiratat e tij të drejta në sytë e popujve të tjerë, sidomos të atyre jugosllavë, shovinistet serbomëdhenj u mundonin ta paraqitnin gjithë luftën çlirimtare të popullit dhe në mënyrë të veçantë grevat e demonstratat e mëdha të vitit 1981, si luftë të drejtuar kundër popujve të Jugosllavisë. Në këtë mënyrë, ata jo vetëm që shtrembëruan karakterin e vërtetë të luftës sonë, por edhe u munduan të identifikonin me popujt që ata i shtypnin dhe i shfrytëzonin. Por, një identifikim të tillë, sigurisht që nuk e bëjnë popujt e Jugosllavisë, e atë nuk e ka bërë dhe nuk e bënë as populli i ynë . Në nëntitullin “Lufta jonë nuk drejtohet kundër popujve, po kundër shovinistëve jugosllavë”, autori theks të veçantë i epte dallimit në mes pushtetarëve dhe popullit, për të shtuar se “ Popujt jugosllavë dhe sundimtaret e tyre shovinistë, nuk janë një. Prandaj, edhe populli i ynë ata nuk i ka futur dhe nuk i fut as sot në një thes. Lufta që po bënë populli i robëruar për të drejta e liri, jo vetëm që nuk drejtohet kundër proletariatit e popujve jugosllavë në Kosovë e jashtë saj, por, përkundrazi, ajo është edhe në interes të tyre . Prandaj, në mos sot, nesër me siguri që do të fitojë edhe përkrahjen dhe mbështetjen e tyre. Llomotitjet e pandërprera të shovinistëve jugosllavë se gjoja grevat dhe demonstratat e Kosovës ishin të drejtuara kundër popujve jugosllavë, kundër unitetit dhe federatës së tyre, ato u bënë nën parulla të tilla, si : “kundër serbëve”, “të gjithë serbet të dëbohen nga Kosova”, “për Shqipërinë e Madhe”, “për Kosovën e pastër etnike” etj… të gjitha këto janë shpifje e vetëm shpifje . Qëllime e kërkesa të tilla nuk kanë pasur kurrë demonstruesit. Ata trillonin dhe përhapnin të pa vërteta vetë shovinistet serbomëdhenj dhe lakenjtë e tyre shqiptarë, duke u treguar në këtë mënyrë se sa ua duan të mirën popujve jugosllavë.
Gjatë grevave dhe demonstratave, fillimisht populli i robëruar kërkoi kushte më të mira të jetesës, kërkoi punë, kërkoi kthimin e kurbetçinjve e ndalimin e ngritjes së çmimeve , kërkoi që bijtë e tij të burgosur të kthehen në Kosovë, kurse të pafajshmit të lirohen, kërkoi që pasurit e shumta të Kosovës të shfrytëzohen nga vetë kosovaret, kërkoi që ti jepet fund trajtimit të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare si koloni të thjeshta të republikave jugosllave, që popullit shqiptar në Jugosllavi ti njihej e drejta e tij e ligjshme për vetëvendosje ( të cilën kushtetuta jugosllave ua njehë popujve të tjerë edhe më të vegjël se ky yni), që Kosova të fitojë statusin e republikës. Këto kërkesa të drejta jo vetëm që s’ishin kundër popujve të tjerë në Kosovë e në viset e tjera ku jetonin shqiptaret, por, përkundrazi, ato ishin edhe kërkesa të tyre, sepse, ndonëse jo sa shqiptaret, edhe ata u shtypnin e u shfrytëzoheshin nga sunduesit e tyre, edhe ata ishin të pakënaqur me kushtet e tyre të jetesës që ishin gjithnjë e më të vështira, edhe ata vuanin nga papunësia, kurbeti, ngritja e përditshme e çmimeve, edhe ata mbanin mbi kurriz pasojat e shfrytëzimit kolonial të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare.

LIRIA – GUSHT 1981 Nr.4 – 5.

Parulla “Kosova- republikë” nuk u drejtonte as kundër popujve të Maqedonisë e Malit të Zi . Republika e Kosovës do të ishte grusht i rëndë për borgjezinë shoviniste jugosllave, por ishte e sigurt se ajo nuk do t’iu sjellë as një të keqe popujve të tjerë të Jugosllavisë. Nga shfrytëzimi kolonial i Kosovës përfitonte vetëm borgjezia e Serbisë, Maqedonisë dhe e Malit të Zi, dhe aspak masat punuese të këtyre republikave, të cilat gjithashtu shtypeshin e shfrytëzoheshin egërsisht.Për ta bindur opinionin jugosllav dhe atë botëror gjoja për rrezikun që iu kanoste serbëve dhe Serbisë nga populli “shovinist” shqiptar, shovinistet serbomëdhenj po ngrehnin shumë re pluhuri për gjoja dhunën dhe terrorin që paskan ushtruar shqiptarët e Kosovës gjatë demonstratave të tyre të fundit ndaj “serbëve e malazezëve të pafajshëm “. Sipas asaj që thoshin ata del se të gjithë serbet dhe malazezet, jo vetëm në Kosovë por edhe në Beograd e Gjenevë , paskan qenë në rrezik të madh! Demonstruesit e “Egër”, “ vandalistë”, “e terrorist” i paskan ndjekur, i paskan rrahur e kërcënuar , u paskan hyrë brenda, u paskan djegur pasurin dhe shtëpitë …Për ti bërë sa më të besueshme akuzat e tyre, kalemxhinjtë e Beogradit po mbushnin faqet e gazetave e të revistave me “ rrëfime” e “deklarata” “tronditëse” të “viktimave”, me fotografi të dritareve të thyera e shtëpish të djegura.  Çerdhe çetnikësh e kriminelësh si familja Delibashiq ishin bërë heronjtë ditës dhe fotografitë e tyre u gjendeshin në çdo gazetë e revistë të Beogradit. Heronj të ditës u bënë kriminelet çetnikë, që kishin lyer duart me gjak shqiptari, para e gjatë luftës, që kishin gjakosur popullin tonë gjatë aksionit famëkeq të armëve, ata gjakatarë që tani, ashtu si edhe më 1968 qëllonin tinëzisht me armë zjarri mbi turmat e pa armatosura të demonstruesve shqiptarë, të cilët nga ana tjetër qëlloheshin nga milicia serbe me bomba e mitraloza. Ishin këta kriminelë, që, si kundër veprim, u qëlluan me gurë e shishe nga demonstruesit , e jo njerëzit e pafajshëm serbë e malazezë. Në rrugën e “Sremit”, kishte edhe familje të tjera serbe, por populli demonstrues e e qëlloi me gurë dhe i kishte vu flakën vetëm shtëpisë së Delibashiqëve , dhe vetëm atëherë, kur prej dritareve dhe pullazit të saj u vranë njeri pas tjetrit shtatë demonstrues.  Pjesë tjetër mjaftë me interes ishte edhe politizimi i shpërnguljeve të serbëve e malazezëve nga Kosova, ketë autori e shtjellon në pjesën “Pse shpërngulën nga Kosova serbët e malazezët”, ku okupuesi bënte shumë zhurmë rreth kësaj çështjeje. “Një zhurmë e madhe u bëhej kudo në Jugosllavi edhe rreth shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova ” shkruan autori, për të vazhduar se ketë e shfrytëzonin serbomëdhenjtë dhe mundoheshin që tërë ketë ta paraqitnin “gjëja se po shpërngulën nga presioni, që ushtrohet mbi ta nga ana e shqiptarëve “nacionalistë” e “ shovinistë” që nga viti 1966 e këtej, dhe sidomos pas demonstratave që u bënë në Kosovë. Kjo temë ishte bërë çështje e preferuar dhe e përhershme në faqet e gazetave dhe revistave të Beogradit., si dhe në fjalimet e krerëve nga më kryesoret në Kosovë, Serbi e Jugosllavi. Për hulumtimin e kësaj “dukurie”, jo vetëm që ishin angazhuar gati gjysma e gazetarëve të Serbisë, por , edhe ishin formuar komisione të posaçme, të cilat gjatë “punës” së tyre të madhe hetuese po “zbulonin” plot “fakte” të tilla “presioni”, si pyetjet: “A po e shet shtëpinë?”, “shkelje e arave me biçikletë”, “pemët e rrëzuara”, “kafshët e ngordhura”, disa gurë “të hedhur” në ballkon, gjetja e ndonjë kafshe në të lashta, kryqet e thyer në varreza, zjarri i shpërthyer në një pjesë të Patrikanës së Pejës etj..etj…, thuhej në shkrimin e gazetës “Liria”. Me “fakte” të tilla, shovinistet serbomëdhenj u mundonin të “argumentonin” “presionin” që gjoja po e detyronte popullsinë serbo-malazeze të lëshojë Kosovën, por “faktet” e tyre ishin aq të liga, naive e qesharake, sa vështirë mund të besonte njeri. Shovinistet rankoviçistë mundoheshin që të paraqiteshin mbrojtës të serbëve e malazezëve të Kosovës, por në të vërtetë në këtë mënyrë ata ua bënin të keqën edhe atyre, në këtë mënyrë edhe më tepër i nxisnin të shpërnguleshin nga Kosova, i armiqësonin me fqinjët e tyre shqiptarë dhe, në të njëjtën kohë, nxisnin kundër serbëve e malazezëve edhe ndonjë shqiptarë të papjekur. Ishte e vërtet se kishte serbë e malazezë që shpërnguleshin nga Kosova, ashtu siç shpërnguleshin edhe më shumë shqiptaret. Ishte e vërtetë se ndonjëherë mund të ndodhte edhe ndonjë zënkë e mos marrëveshje mes fqinjëve shqiptar e atyre serbë, ashtu siç ndodhte edhe mes shqiptarëve apo mes serbëve. Por, të nxjerrësh konkluzionin se kjo shpërngulje e serbëve ishte pasojë e “presionit” të shqiptarëve të robëruar, këtë mund ta bënin vetëm shovinistet serbomëdhenj. Shkaqet e vërteta të shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova , ashtu si edhe e shqiptarëve ishin kushtet e vështira të jetesës, skamja, papunësi e mjerimi i madh që ishin rrjedhim i drejtpërdrejt i marrëdhënieve kapitaliste në prodhim dhe i shfrytëzimit kolonial të Kosovës. Kjo ishte e vërteta dhe këtë po e thoshin hapur edhe qindra e qindra serbë e malazezë të shpërngulur, që po hidhnin poshtë shpifjet shoviniste për gjoja “presionin” e shqiptarëve.  Statistikat flisnin se popullsia serbe po shpërngulej edhe nga komuna e Leposaviqit dhe nga viset periferike të Serbisë, ku kishte pakë ose aspak shqiptarë . Mos vallë edhe atje serbët po i nxjerrin tabelat “kuça na prodaji” (“Shtëpia në shitje”) për shkaqe të “presionit” të “nacionalistëve shqiptarë” , thoshte autori i shkrimit.. Në pjesën “Kultura shqiptare dhe inkuizicioni revizionist”, bënte fjalë se okupuesi për të justifikuar masat e papara, që i ndërmerrte kundër ndërgjegjes kombëtare të popullit tonë, shovinistët serbomëdhenj po sulmonin kulturën , arsimin, shkencën, artin dhe letërsinë shqiptare, e deri edhe simbolet e veshjet tona kombëtare. Sipas tyre, gjithë kjo kulturë shqiptare ishte e ngarkuar me “historicizëm” e “ e romantizëm nacionalist”, me “mite”, “shpirtra të vdekur” e me “ideale të tejkaluara”, dhe si të tilla ajo bëri që rinia të “edukohet keq”, të hutohet e të mashtrohet aq shumë sa të ngrihet në greva e demonstrata aq të mëdha. Që të mos përsëritet ajo që kishte ndodhur, shovinistet e Beogradit i kishin hyrë punës për ta “shkarkuar” kulturën kosovare nga fryma kombëtare “ e tejkaluar” dhe për ta shndërruar atë në një kulturë “vetëadministruse”, në një kulturë që kultivon jo “nacionalizëm shqiptar” por të ashtuquajturin patriotizëm jugosllav . Për t’ia arritur këtij qëllimi shovinistet kishin vënë në shënjestër të gjitha institucionet e arsimit e të shkencës, të kulturës si Universitetin, Akademinë e Shkencave dhe e Arteve, Institutin Albanologjik, Institutin e Historisë, Shoqatën e shkrimtarëve të Kosovës, kompozitorëve, artistëve figurativ e të gazetarëve, shkollat, shoqëritë kulturo-artistike e deri te ato çerdhe të pakta të fëmijëve që ekzistonin në Kosovë. Të gjitha këto po cilësoheshin si “vatra të nacionalizmit e të kundërrevolucionit” dhe po sulmoheshin nga të gjitha anët e më të gjitha mjetet. Pushtetarët i kishin hyrë edhe njëherë rivlerësimit të historisë kombëtare, gjoja për ta çliruar historiografinë nga “historicizmi”, “glorifikimi”, “dogmatizmi” e “nacionalizmi romantik”. Sipas këtij vlerësimi “të ri” (që nuk ndryshonte aspak nga ai i paraluftës), Skënderbeun legjendar- të cilin dikur bënin çmos që të na e merrnin- na cilësohej vetëm si një person “jo negativ” dhe asgjë më tepër, ose barazoheshin me Car Lazarin e me kralët e tjerë të Serbisë, Ismail Qemali quhej një agjent i Austrisë, Isa Boletini “një bashibozuk turkofil”, Azem Galica- “një vrasës i serbëve të pafajshëm”, e të mos flasim për udhëheqësit e lavdishëm të Shqipërisë Socialiste, kundër të cilëve nuk lënë gjë pa shpifur e trilluar. Sipas këtij vlerësimi “marksist”, gjithë lufta e popullit shqiptar për liri e pavarësi delte nxitje dhe vepër e forcave të ndryshme nga jashtë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit quhej “krijesë e sulltanëve të Turqisë”, kryengritja e vitit 1912 si “luftë fanatikësh e bashibozukësh”, që gjoja se drejtoheshin kundër popullit të Serbisë, Malit të Zi dhe ushtrive të tyre “çlirimtare”, formimi i Partisë Komuniste Shqiptare dhe gjithë revolucioni në Shqipëri klasifikoheshin si vepra e merita të “komunistëve” jugosllavë dhe agjentëve të tyre si Koçi Xoxe etj… Ja çfarë historie “kombëtare” dëshironin shovinistet që të mësohej në shkollat tona. Dhe mu me këtë vërtetohej se ku qëndronte “ngarkimi” i saj me “romantizëm nacional”, “dogmatizëm”, e “historicizëm”.
Aq hapur dolën armiqtë e popullit shqiptar sa kërkuan edhe mbylljen e Universitetit të Prishtinës, mbylljen e shkollave dhe shoqërive të ndryshme, kërkonin ndërprerjen e çdo lloji komunikimi dhe kontakti me vëllezërit në Shqipëri, kërkonin që veprat e shkrimtarëve tanë, që i ndalonin, të zëvendësoheshin me “vepra” të antishqiptarëve të tërbuar si Qosiqi, Andriqi, Dedijeri, Tempo e Laliçi, që filmat shqiptarë që ishin hequr nga repertori, të zëvendësoheshin me filma kaubojsh, kriminelësh e prostitutash, që këngët dhe vallet e bukura të zëvendësoheshin me britma dhe lëvizje të çmendura të psikopatëve të Beogradit. Për të qenë ironia edhe më e madhe, gjithë kjo “hajkë” e paparë kundër historisë sonë kombëtare, gjithë kjo luftë kundër shovinizmit të paqenë shqiptarë, bëhej në një kohë kur shovinizmi serbomadh ishte bërë me mjekër, kur po ringjalleshin si asnjëherë më parë çetnikët më të zi të luftës e të pasluftës, kur letërsinë dhe shtypin serbë e përshkonin si një fill i zi unitarizmi e hegjemonizmi serbomadh, kur portreti i Karagjorgjeviqit po shtypej edhe në monedhat e arit, kurse uniformat e ushtrive pushtuese serbe botoheshin gati në çdo numër të gazetave dhe revistave të Beogradit , njoftonte autori opinionin e gjerë shqiptarë. Gjithë kjo fushatë e egër e e paparë, kundër popullit shqiptarë dhe gjithçkaje që ishte shqiptare, u përfshi në nëntitullin “Cilët janë shovinistët e vërtetë” e që ishte vazhdimi i drejtpërdrejtë i politikës së egër antishqiptare të kralve të Beogradit, ishte shprehje e procesit të rankoviqizmit të mëtejshëm të Jugosllavisë revizioniste. Zhurma shurdhuese që po bëhej kundër nacionalizmit e shovinizmit të trilluar shqiptar, s’ishte gjë tjetër pos përpjekje për ta fshehur shovinizmin e hegjemonizmin e vërtetë rankoviçian. Por, shovinizmi serbomadh ashtu si edhe ai malazez e maqedonas, ishte aq i zi e i dukshëm sa nuk mundët të mbulohej me kurrfarë “potere” kundër gjoja nacionalizmit të shqiptarëve të robëruar dhe as me fraza e parulla boshe dhe monotone për “vëllazërim- bashkimin”, “barazinë”, “demokracinë”, “humanizmin” . Nuk ishte vështirë për askënd që të dallojë se kush ishin shovinistët e vërtetë dhe kush ishte preja e tyre, se kush ishin ujqit dhe se kush ishin qengjat, që po iu turbullonin atyre ujin. Ne, shqiptaret e Kosovës, Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi, thotë autori i shkrimit, kishim luftuar dhe do të luftonim me vetëmohim e heroizëm deri në fitore kundër armiqve tanë shovinistë, por ne nuk ishim dhe nuk do të lejonim kurrë që të binim në ujërat e ndyta të shovinizmit. Ne ishim dhe jemi patriotë. Qëndrimi i ynë ishte dhe ka qenë dhe është: Ndaj popujve të tjerë asnjë dëm- ndaj shovinistëve asnjë mëshirë! Prandaj, ne i bëjmë përsëri thirrje popullit që, krahas intensifikimit të mëtejshëm të luftës së gjithanshme kundër regjimit robërues të shovinistëve jugosllavë, ashtu si edhe deri tani, të mos lejojmë asnjë dëm, asnjë presion e zullum ndaj njerëzve të pafajshëm serbë e malazezë. Veprime të tilla jo vetëm që ishin në kundërshtim me karakterin e luftës sonë, por ishin edhe shërbim i madh për shovinistet serbomëdhenj, të cilët po bënin çmos me qëllim që ta njollosnin e diskreditonin luftën tonë të drejtë. Shovinizmit të armiqve tanë ne nuk i kundërvumë shovinizmin, por grushtin popullor, revolucionin . përfundon autori i shkrimit. (VIJON…)
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (6)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3994

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura