VETËVENDOSJE: PSE NUK DUHET VOTUAR PËR FORMIMIN E GJYKATËS SPECIALE PËR UÇK’në

Pashtriku.org, 24. 04. 2014 – Fjalimi i Glauk Konjufcës në seancën parlamentare ku u diskutua mbi krijimin e gjykatës speciale për krimet e UÇK-së) – Krimet e Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës, jo vetëm gjatë luftës së fundit, por përgjatë gjithë shekullit të kaluar, përbëjnë veprimet më çnjerëzore që mund të imagjonohen. Krimet e Serbisë kundër nesh kishin karakter sistematik, shtetëror dhe gjenocidal. Spastrimi etnik dhe masakrimi i shqiptarëve nuk ishte një aksident historik, që ndodhi për shkak të çmendurisë së Milosheviqit.
Përkundrazi, vetë Milosheviqi dhe plani që ai e përpiloi dhe ekzekutoi ishte mishërim i një ideologjie të trupëzuar në frymën shtetërore serbe të manifestuar në formën e saj institucionale si historiografi, akademi, kishë, administratë, ushtri, politikë e qeveri.
Të gjithëve na kujtohet kur në fillim të viteve ’90 miliona serbë nëpër sheshet e Beogradit i kërkonin me ngulm diktatorit dhe kryekriminelit Millosheviq që t’i pushtonte territoret e Kroacisë dhe Bosnjës nëpër të cilat jetonte një pjesë e popullatës serbe. Prandaj, Millosheviqi ishte mekanizëm i vullnetit kolektiv serb që përsëritet vazhdimisht prej Garashaninit, nëpërmjet Pashiqit e Çubrilloviqit deri te Millosheviqi.

 Sot Serbinë e qeveris trashëgimia e moderuar e Millosheviqit. Për të gjitha krimet e saj monstruoze ndaj shqiptarëve Serbia si shtet as për së afërmi nuk e mori ndëshkimin e merituar.
Përkundrazi, pas tetorit të vitit 2000 kur u rrëzua Millosheviqi, Serbia u rehabilitua.
Qasja e Tribunalit të Hagës ishte ndëshkimi individual i një grushti udhëheqësish nga Serbia, por mbi të gjitha balancimi i shpërndarjes së dënimeve mes shqiptarëve dhe serbëve. Është fatkeqësi që në Hagë nuk u ndëshkuan strukturat institucionale shtetërore të Serbisë dhe SPS-i si i tillë.
Nëpër luftërat e ish Jugosllavisë të shkaktuara nga Serbia, ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë vranë mbi 150 mijë njerëz, në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Shumica e të vrarëve, mbi 90% e tyre, janë civilë ta pafajshëm, gra, pleq dhe fëmijë. Serbia i kishte afër 80 mijë ushtarë, policë e paramilitarë.
Nëse çdo i katërti nga këta ka qenë i përfshirë në krime, mund të konstatojmë se në Serbi sot i keni 20 mijë kriminelë të pandëshkuar të luftës. Këta njerëz janë edhe qytetarë të lirë të BE-së meqë Serbia prej vitit 2009 e gëzon edhe liberalizimin e vizave.
Institucionet e Kosovës, qeveritë e deritashme të Kosovës kanë pasur material që për çdo javë ta dorëzojnë nëpër gjyqet ndërkombëtare nga një padi kundër Serbisë për plagët që ajo na i shkaktoi, të cilat kurrë nuk do t’i harrojmë dhe të cilat ende janë të hapura.
Përderisa Kosovës dhe UÇK-së po i dedikohet një Gjykatë Speciale për krimet e supozuara, në Serbi po zhvarrosen trupat e 300 shqiptarëve të mbuluar me asfalt.
Prej vitit 1999 Serbisë është dashtë që institucionet tona t’ia përgatisin së paku 150 mijë padi.
12 mijë padi për vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
20 mijë padi për dhunime seksuale.
120 mijë padi për shkatërrimin e pronave dhe shtëpive.
Mijëra padi për maltretime.
Si dhe mijëra padi për krime ekonomike.
Pikërisht pse institucionet tona nuk i ngritën këto padi, bashkësia ndërkombëtare e prioritizoi një Gjykatë e cila, pa dyshim që për nga objekti që do ta trajtojë, paraqet një kerkesë këmbëngulëse të Serbisë.
Në vend që Qeveria jonë ta ndiqte rrugën e drejtësisë kundër krimeve të Serbisë, ajo e zgjodhi rrugën e afrimit me Serbinë. Rrugën e negociatave e të kompromiseve.
Po t’i shihje Thaçin e Daçiqin bashkë të dukej se Kosova e Serbia kurrë nuk kanë pasur problem dhe çdo gjë është në rregull. Serbia kriminale u rehabilitua nga Qeveria jonë.
Në anën tjetër, vlerat e luftës sonë te drejtë e çlirimtare u braktisën vazhdimisht. Lufta jonë e UÇK-së nuk njihet institucionalisht. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e njeh luftën e kombit shqiptar për liri dhe çlirim. Simbolet me të cilat luftoi UÇK-ja u braktisën. Pastaj UÇK-ja u çarmatos. Dhe u shua.
Prandaj në fund, vetë UÇK-ja është ajo që po gjykohet. Ky mallkim iu ndodh vetëm atyre që e harrojnë themelin e lirisë. Që e keqpërdorin lirinë për përfitime personale. Vetëm atyre që nuk e ngrenë sakrificën e kombit të vet në Kushtetutë, Flamur, Himn e institucione. Ky është një turp i madh i cili duhet t’i faturohet kësaj Qeverie të papërgjegjshme që na e qiti faqen e zezë si popull dhe si komb.
Kjo Qeveri e nisi mandatin dhe po e përfundon atë me dy ngjarje jo vetëm të palavdishme, por madje të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe interesin e tonë nacional.
E para ngjarje ishin negociatat me Serbinë të cilat kjo Qeveri i filloi në mars të vitit 2011, pra dy muaj pas marrjes së mandatit qeverisës. Kurse mandatin e vet kjo Qeveri po e përmbyll me themelimin e Gjykatës për krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së. Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë.
Ne ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta kundërshtojnë krijimin e një Gjykate Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së. T’i thuash jo kësaj gjykate nuk do të thotë të jesh kundër hetimit për të gjitha ato gjëra të cilat dyshohet se kanë qenë shkelje të ligjeve të luftës dhe të konventave ndërkombëtare. Por këto hetime dhe gjykime do të duhej t’i bënte Kosova e jo dikush tjetër.
Pikërisht për këtë arsye VETËVENDOSJE! do të propozojë një rezolutë alternative e cila kërkon që së pari të ketë gjykatë për Serbinë dhe që për të gjitha rastet e nevojshme për të cilat ka dyshime të bazuara, të iniciohen hetime dhe, nëse ka nevojë edhe gjykime nga drejtësia e Republikës së Kosovës. Kjo rezolutë do të prezantohet nga kryetari i grupit tonë parlamentar dhe do të harmonizohet edhe me qëndrimet e grupeve tjera parlamentare.
Ju lusim që ta votoni rezolutën e Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe jo letrën e Presidentes për themelimin e një Gjykate Speciale.
23 prill 2014
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës lidhur me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Në vend se të kemi debat para marrëveshjeve eventuale, në Kuvendin e Kosovës, kemi debat pas marrëveshjeve dhe para ratifikimit. Kjo është shkelje e karakterit parlamentar të Republikës sonë. Do të duhej që për EULEX-in dhe Gjykatën e Veçantë të hapet debati në institucionet e Kosovës, në Parlamentin e Kosovës, dhe ky debat ndoshta të rezultojë me marrëveshje. Mirëpo, po ndodh e kundërta:po nis marrëveshja me pafund negociata në prapaskenë, pa kurrfarë transparence dhe, në fund, keqpërdoret Kuvendi i Kosovës për legjitimimin e marrëveshjeve nëpërmjet ratifikimit. Kosova nuk ka nevojë për këtë Gjykatë të Veçantë por kjo Gjykatë e Veçantë ka nevojë për Kuvendin e Kosovës.
Asnjë zyrtar i EULEX-it asnjëherë për asnjë gjë nuk erdhi tash e gjashtë vjet që të raportojë në këtë Kuvend për punën që e kanë bërë e që nuk e kanë bërë. Të gjithë ne e kemi parë qysh në këta gjashtë vjet krerët e EULEX-it dhe zyrtarët e ndryshëm të tij japin raport të punës së tyre në ligjërata nëpër kolegje private e nëpër tryeza të OJQ-ve por kurrë në Kuvendin e Kosovës. Pse duhet ripërtërirë dikush që nuk të jep llogari, nga ne që nuk marrim llogari? Nëse EULEX-i konsideron që nuk duhet të japë kurrfarë llogarie dhe përgjegjësie në këtë Kuvend, atëherë le të vazhdojnë pa këtë Kuvend, apo jo? Të ripërtërihet EULEX-i nga Kuvendi të cilit EULEX-i refuzon t’i japë llogari do të thotë t’ia shtosh fyerjen plagës.
Përveç se nuk po shkon EULEX-i, po na vjen Gjykata e Veçantë. Pra, sundimi po trashet mbi Kosovën e kjo është edhe e padrejtë edhe e dëmshme. Do të duhej që pas Tribunalit të Hagës të kemi Tribunal për Serbinë, ku vazhdimisht po zhvarrosen kufoma të të pagjeturve shqiptarë. Mirëpo, ështëKosova ajo që po përfundon në Tribunal.
Në vend se të diskutohet për dështimet e EULEX-it gjatë këtyre 6 viteve, në vend se EULEX-i të japë llogari për atë se çfarë ka bërë dhe çfarë nuk e ka bërë duke shpenzuar rreth 1,5 miliard euro të taksapaguesve evropianë, po kalohet në temën e radhës, ku Kosova po gjykohet, me ç’rast kjo bëhet në emër të gjykimit të individëve të saj. 9 vjet e kishim UNMIK-un, 6 vjet e kishim dhe vazhdojmë ta kemi EULEX-in, dhe tash po shtohet Gjykata e Veçantë! Themelimi i Gjykatës së Veçantë për krime lufte në Kosovë do të shënojë shfajësimin e EULEX-it për dështimin e tij duke ia faturuar këtë Kosovës në emër të dëshmitarëve që s’mbrohen dot. Në shumë vite të ardhshme, përdorimi i fjalës Kosovë e UÇK në të njëjtën fjali me fjalën krim, krim lufte, krim kundër njerëzimit, trafikim organesh, do të proliferohet pafundësisht e globalisht nëpër media të ndryshme botërore dhe kjo do të jetë tejet e dëmshme për imazhin dhe reputacionin e Kosovës në botë. Pra, ky është një hap i madh prapa, që po i ndodh Kosovësgati 15 vjet pas çlirimit e më shumë se 6 vjet pas shpalljes së pavarësisë.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Unë nuk jam i bindur që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me aq lehtësi do të mund ta merrte këtë çështje duke themeluar një tribunal për Kosovën. Shpeshherë më duket që një pretendim i tillë është më shumë shantazh, që Kosova vullnetarisht ta pranojë një gjykatë të veçantë, sesa qërealisht një gjë e tillë do të mund të ndodhte. Dihet që tribunalet ndërkombëtare krijohen për katër lloje tëkrimeve: krimet e gjenocidit, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e agresionit. Nuk ka tribunale ndërkombëtare as për trafikim organesh e madje as për terrorizëm. Pra, janë këto katër kategori për të cilat organizohen tribunalet ndërkombëtare. Hetimet për trafikimin e organeve në bazë të pretendimeve të senatorit Marty-t nuk mund të përfundojnë aq kollaj në tribunal ndërkombëtar. Të kalosh prej trafikimit të organeve në krim të luftës është një urë tejet e gjatë, e madhe dhe gjithsesi e paqëndrueshme. Prandaj, duke e ditur që janë të pasigurt që Këshilli i Sigurimit mund ta bënte një gjë të tillë, ne po ndodhemi në situatën me një trysni kaq të madhe që po i bëhet Kuvendi të Republikës. Fundja, ne të gjithë e dimë se edhe në luftë mund të ndodhin krime ordinere –joçdo krim në luftëështë krim lufte.

Dakordimi i këtillë i Qeverisë dhe i Presidentes, e tash kërkesa që këtë ta bëjëedhe Kuvendi,për Gjykatën e Veçantë, do të jetë një çek blanko i Kosovës për Gjykatën e Veçantë. Sepse ne nuk e kemi parë as bazën e kësaj Gjykate të Veçantë, as përbërjen e saj, as rregullat, as misionin, as afatin e financimindhe as qëllimet e saj. Çfarëdo votimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës për këtë Gjykatë të Veçantë, është çek blanko, sepse ne nuk e kemi materialin e nevojshëm e të mjaftueshëm që të dimë se çka do të votohet. Në fakt, ata që votojnë PËR nuk e dinë se çka kanë votuar. Votë e vërtetëështë vetëm vota KUNDËR si votë kundër imponimit dhe jotransparencës. Madje, që Holanda të jetë nikoqire e asaj Dhome tëVeçantë të kësaj Gjykate tëVeçantë, ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, shprehu gatishmërinë e Qeverisë Holandeze por edhe nevojën për më shumë informacion. Ndërkaq, në Kuvendin e Kosovës thuhet se nuk ka nevojë për më shumë informacione. Holandës për Dhomën e Veçantë i duhen më shumë informacione, për neve nuk ka nevojë (sic.).
Tribunali nuk bëhet sikur ky kryeministër i Kosovëstë mos donte që ai të bëhej. Por Thaçi po e lejon Tribunalin për shkak se beson që ai vetë nuk do të përfundojë aty. Nëse ka ndonjë mik ndërkombëtar që mund t’i ndihmojë Kosovës do ta bënte këtë duke i treguar kryeministrit që edhe vetë ky do të përfundojë aty. Sepse, po t’i thuhet kryeministrit të Kosovës që edhe ky vetë përfundon aty, atëherës’ka Tribunal. Por, shpresa e tij, që vetë nuk përfundon, por shokët e tij shkojnë, e bën atë të thotë që e kemi një sfidë të madhe që duhet t’i përgjigjemi me përgjegjësi. Kjo është edhe e turpshme përveçse e padrejtë.
Serviliteti i Thaçit dhe të tjerëve ndaj burokratëve ndërkombëtarëve nuk bëhet për hir të shtetit e kombit por nga motivet e qëllimet e ngushta personale.Këta nuk po nënshtrohen sepse është interesi i Kosovës. Këta po nënshtrohet sepse është interesi vetjak i tillë. Nuk mund ta mbrojnë Republikën njerëzit që e konsiderojnë veten dhe tjetrin, dhe çdo tjetër, shumë privatisht e personalisht. S’ka republikë pa publiken. E, këta nuk janë njerëz publik. Këta janë njerëz privat, çdokund dhe çdoherë privat, dhe vetëm privat.
Pas kapitullimit vjen Tribunali. Negociatat dhe marrëveshja e Thaçitme Serbinë ishte kapitullim. Serbia i fitoi integrimet evropiane, njëherë statusin e vendit kandidat e pastaj edhe negociatat për anëtarësim, Serbia e fitoi pushtetin në dhjetë komuna të Kosovës. Miliarda janë dhënë për multietnicitet, epartia e Daçiqit e fitoi më shumë se çerekun e komunave të Kosovës kurse ne po e fitojmë Gjykatën e Veçantë për krimet e pjesëtarëve të UÇK-së!
Gjykata e Veçantëështë ekstradim i pavarësisë së Kosovës dhe luftës çlirimtare. Pavarësia dhe lufta kriminalizohen dhe dorëzohen jashtë! Deklarata e Thaçit në Euronews se ka qenë larg fronteve të luftës ishte asfalt për Tribunalin. Kur gazetarja e Euronews e pyeti Thaçin se a ke dhënë ti ndonjë urdhër që të vrahet ndonjë armik ose a ke vrarë vetë, ky tha që ka qenë larg fronteve. Me fjalë të tjera, ata që kanë qenë afër fronteve merrni, por unë kam qenë larg.
Pas kësaj Gjykate të Veçantë do të thuhet që: Po, serbët kanë bërë më shumë krime, por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët – korrjen dhe trafikimine organeve!Teksa qeveritarët na thonë që e kemi të sigurt ardhmërinë (në BE), ne e kemi gjithnjë e më të pasigurtë të kaluarën tonë. Lufta në Kosovë tashmë shumë më tepër kujtohet për bombat e NATO-s sesa vuajtjet e shqiptarëve.
Mendimi më i thellëprapa kësaj Gjykate është kriminalizimi i luftës çlirimtare i kryengritjeve të armatosura si të tilla, të popujve të shtypur gjithkah nëpër botë, e jo vetëm në Kosovë e jo vetëm për UÇK-së. Por, sidomos për UÇK-në, e posaçërisht për UÇK-në, sepse ështëmë kollaj,sepse nuk kemi udhëheqje që e mbron popullin e historinë e tij, qytetarët dhe republikën e tyre.Pra, prej juve që votuat për amnistimin e kriminelëve serbë tash pritet ta votoni Gjykatën e Veçantë, praktikisht, kundër UÇK-së.Kjo do të duhej të ishte e palejueshme nga ana juaj si qytetarë të Republikës e aq më tepër si deputetë të Republikës, nëse e merrni veten përnjëmend si deputetë dhe nëse e keni menduar seriozisht Kosovën si Republikë.
Për fund, dua të them se ky kryeministër që po na sjellë këtë Gjykatë tëVeçantë, me tri koncesione të mëdha erdhi në pushtet: e para, braktisja e bashkimit kombëtar; e dyta, çarmatosja e UÇK-së; dhe, e treta, privatizimi neoliberal. Kur i ka bërë këto tri koncesione të mëdha, ky është bërë kryeministër. Mirëpo, tash, që të mbetet kryeministër duhet të vazhdojë me koncesione. Andaj, janë ato pazaret e tij herë me Tadiqin, herë me Daçiqin, herë me Vuçiqin, por përherë me Serbinë. Dhe, përfundimisht, unë jam i bindur se ky kryeministër personalisht më shumë ka kontribuar për kthimin e Serbisë këto tri vitet e fundit, sesa për largimin e saj, gjithnjë personalisht, në vitet e ’90-ta.
Unë i ftoj edhe Mustafën e Haradinaj, edhe deputetët e LDK-së dhe AAK-së: mos iu nënshtroni këtij njeriu të nënshtruar!
Ju faleminderit!23 prill 2014
Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

******************************

R E Z O L U T Ë E VETËVENDOSJES

Nga: Visar Ymeri
(Kryetar i Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!)

Për: Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Deputët e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Data: 22 Prill 2014

Në bazë të Nenit 65, paragrafi 1, të Kushtetutës së Kosovës dhe në bazë të Nenit 52, paragrafi 2, të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fton deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të votojnë mocionin përmbajtësor si në vijim:
R E Z O L U T Ë
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon refuzimin e çdo kërkese që pret nga Kosova pëlqimin për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë jashtë sistemit të brendshëm të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës të mos marrë pozicion apo të diskutojë zyrtarisht mbi këtë temë pa marrë pëlqimin me votim të Kuvendit.
3. Kuvendi i Republikës së Kosovës i bën thirrje zyrtarisht Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të unifikojë qëndrimet e veprimet me Kuvendin e Republikës së Kosovës në refuzimin e kërkesës për ngritjen e Gjykatës Speciale si dhe dhënien e mbështetjes për sistemin e brendshëm të drejtësisë në Kosovë. Ngarkohet kryesia e Kuvendit ta komunikojë dhe bashkërendojë këtë kërkesë.
4. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të bashkërendojë veprimet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë në lidhje me kundërshtimin e kërkesës për formimin e Gjykatës Speciale.
5. Raporti i hetimeve të Clint Williamson, Prokuror i Task Forcës për Hetime Speciale në lidhje me pretendimet e Senatorit Dick Marty, të përfshira në Dokumentin 12462 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i datës 7 janar 2011, duhet të trajtohet nga Prokuroria e Kosovës. Institucionet shtetërore të Kosovës do ta mbështesin dhe përkrahin Prokurorinë e Kosovës, do t’i vihen asaj në shërbim për të gjitha nevojat si dhe shprehin gatishmërinë për bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë.

———————————-

—————————————————–

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura