VLADIMIR MUÇA: SINOPSET E MOIKOM ZEQOS – LETËRSIA SI KUPTIMSHMËRI E SHUMËFISHTË

Tiranë, 12. 01. 2013 – (Rreth librit “Libri i Sinopseve” të Moikom Zeqos, EUGEN 2012) – Vëllimi “Libri i Sinopseve”, si një blen i vazhdimësisë të “Refuzimit të Shkrimit” është një rrugë e hapur tashmë nëpër tunele interefore, me përcaktueshmëri të qarta të konvencioneve nga ku duhet të ecë proza e shkurtër, e urbanizuar, drejt këtij moderniteti, me një sui generis shqiptar. Koncentrati prozaik në këto tregime e sinopse vjen me trajtat e një formëzimi detajor, ku linearitetit të fjalisë e periudhës, ja ka zënë vendin, lineariteti i mendimit qëllimor dhe idesë.
Formatura mozaikore si një almanak historiko-njerëzor
Të analizosh me parametra shkencorë “Librin e Sinopseve” mbi të gjitha nevojitet një njohje enciklpoedike-historike e botës nga e cila autori ka rrëmihur ato; të jetosh në një botë sa racionale aq dhe iracionale, të futesh në mistikën e saj, të jetosh me mitiken, epin dhe legjendën, duke e tjetërsuar atë me të sotmen.
Duke e lexuar me modesti shkronjëtori, jam munduar të hedh disa refleksione, të tregoj diçka nga gjithë ai mal xeherorë librarësh botërorë. Sa e çfarë kam nxjerrë le ta gjykojnë kolegët e lexuesi ynë i dashur. Ka do kohë, që me daljen në dritë të “Shitësit të Kaosit”, “Refuzimit të Shkrimit” dhe “Vetullave Hyjnore” që Moikom Zeqo po interferon në simbolika letrare për një modernitet, një stilim të ri të prozaizmit të shkurtër shqiptar, në përqasje drejt asaj çka është më modernja, më e pranushmja nga prurjet e letërsisë perëndimore.

Vëllimi “Libri i Sinopseve”, si një blen i vazhdimësisë të “Refuzimit të Shkrimit” është një rrugë e hapur tashmë nëpër tunele interefore, me përcaktueshmëri të qarta të konvencioneve nga ku duhet të ecë proza e shkurtër, e urbanizuar, drejt këtij moderniteti, me një sui generis shqiptar. Koncentrati prozaik në këto tregime e sinopse vjen me trajtat e një formëzimi detajor, ku linearitetit të fjalisë e periudhës, ja ka zënë vendin, lineariteti i mendimit qëllimor dhe idesë. Lihen hapësira nënshtresash kuptimore ku një intuitë psiko-analitike interferon mbi atë çka ke lexuar, nën dritën e një konceptimi të ri personal. Evaziviteti është çelësi i artë i këtyre prozave, i cili hap kanatet e një gjykimi individual.
Me këto sinopse hapen shtigjet e prozës së re moderne shqiptare, ku korsitë rrugëtare janë të shtruara me asfalto-betonin e ashpër të sentimenteve ndërshekullore, ku i lihet dorë e lirë krijuësve të vazhdimësisë moderniste të hedhin shtresat e veta të rifiniturave stilistikore në krijimin e një autostrade të re sa racionale aq dhe të ndërlikuar. Në to gjejmë vlera përcaktuese, ku valencat arrijnë kuotat dominante të vlefshmërisë ku krahasueshmëria në nocione historike, kulturore, etnike elaboruese sociale, vjen si pllenim i vazhdimësisë. Me poliedritetin tashmë të hipotekuar Moikomi depërton në shumëllojshmërinë e dijeve mbarëbotërore, duke marrë që andej gjithçka që është shqiptare e natyralizon atë me anë të metaforizimit duke rrekur të na sjellë ato ide të bekuara që mëkohen nën zhgunin shekullor të etnisë, pse jo dhe të një fshati malor në veri të Shqipërisë, por që u ka dhënë frymë e jetë dhe miteve dhe legjendave të gjithë fqinjëve ndërballkanikë dhe më tej. Në këtë aspekt, moderniteti borgesian e kafkian vjen bashkë me mitiken e legjendaren, rrjedhshëm, pa shtresëzimet e stilizmit modern, si një pjesë e kahmoçme e tërë zhvillimit kulturor, historik dhe social.
Krahasueshmëria dhe potenciali metaforik janë të tilla sa që nuk lënë shteg për dallime në maksimalet përfaqësuese si tek “55 milion vjet më parë” dhe tek “Prifti i Isisës“. Burimoren këto potenciale e kanë në thagmën e patjetërsueshme të kurajos hulumtuese të autorit, evidentimin e të vërtetave historike, zgjimin e kujtesave ku edhe një element i së vërtetës mund të gllabërojë të tërën të mistifikuar e merr përsipër përfaqësimin e të gjithë së vërtetës. Kësisoj, autori u bën thirrje studiuesve me anë të këtyre sinopse-promemorie (do t’i quaja unë) që sot mbas shumë mjegullnajash shekullore, ajo që nuk e dimë akoma, që është mbuluar nga zhguni i historisë së saj (mitike), vjen si në ftillëzimin e kësaj të vërtetë para shumë shekujsh. Me to autori evidenton se historia e vërtetë nganjëherë sfumohet dhe humb, kur asgjë nuk humb por çdo gjë transformohet siç na mësojnë ligjet e dialektikës.
Legjenda e zëvëndëson të vërtetën historike duke u bërë vetë një realitet historik. Ndaj jo më kot autori ngulmon me këto sinopse nëpër kullat, birat e dheut të këtyre legjendave dhe miteve. ADN-ja e tyre pa tjetër që do të përkojë me ADN-në e të sotmes historike. Kjo është dhe detyra fondamentale që shkrimtari i ka vënë vetes në nocionin atdhetar. Në formaturë mozaikore libri vjen si një almanak historiko-njerëzor, që sipas mendimit tim mbruhet nga një mënyrë dialoguese me idhujtarët, me të shenjtëruarit për këtë tokë, me Makabeun refraktar, parakalojnë para lexuesit vlera e antivlera, qëndrime e antiqëndrime, thënie e antithënie, çka e bën librin paksa të mundishëm, por shumë interesant dhe fiksionant. Për lexuesin me kapacitet enciklopedik, njohje të historisë, të vëmendshëm e të kulturuar e kërkues, gjatë aktit të leximit analitik ai bën të mendohesh, të vrasësh mendjen për ta pasuruar atë bashkë me shpirtin e kur të përfundosh së lexuari të meritosh vetveten si “intelektual i mirëfilltë”. Një letërsi e tillë merr atributet e aerosolit, pastron e rigjallëron alveolat e mushkërive të letërsisë kombëtare nga dogmat e shabllonet e stisura.

DR.MOIKOM ZEQO

Inteligjencë e kulturologji shkrimore
Me konceptin e vet krejt origjinal dhe njëkohësisht stoik në perceptimet matematikore të të bërit letërsi, me arketipin e tij stilistik se “Nuk ka letërsi shqipe, po ka letërsi botërore të shkruar në gjuhën shqipe”, (unë do të komentoja edhe – letërsi shqipe shkruar në gjuhët botërore), autori shtron udhët për një letërsi të madhe globaliste, interurbane. Gërmimi që ai u bën shkencave humane në arkivat botërore, në esencë të çdo sinopsi, nxjerr substancialen e stërgjyshëve krijues (historianë, teologë, kronikanë, muzikologë) duke nxjerrë nga laboratori i tyre krijues, tashmë të transformuar në një tjetër materie, në atë të librave. Në raporte integrale autori ka guximin dhe meritën që të bëjë krahasimtarinë e niveleve, përqindjeve përfaqësuese të letërsisë shqipe (temave, ndodhive) me atë botërore; hapat e hedhura në këtë reçension letrar gjatë këtyre 22 viteve. Në fakt çdo sinops na vjen si anamnezë e sëmundjeve të letërsisë shqipe, por bashkëngjitur me të dhe fletë-recetën e ilaçeve dhe të herbariumeve të vendit për të kapërcyer këtë gjëndje reçesioni, duke rimodeluar kritere të reja ndaj konservatorizmit provincial mbisundues, qorollepsur me rrëfimtaritë standarte “na ishte se ç’na ishte”.
Nën dritëhijet e Migjenit të Madh, Zeqo me këtë libër u jep lexuesve tematika, opsione si ato terrakotat mijravjeçare, të konturuara mirë por të parifinitura. Çdo gjë vjen si një antropolgji shkrimore, ku lexuesit dhe krijuesit të gjejnë në to veten e tyre, duke identifikuar jetesën ndër shekuj me artin e të shkruarit, në mozaikë subjektesh, duke marrë rrolin e ngacmuesit mendor, duke nxitur lexuesit dhe krijuesit që sipas shijeve, mbi këto subjekte të prevalojnë personalitetin e vet, ndoshta, ndoshta dhe në rezonancë të plotë me autorin e këtyre tregim-sinopseve. Po t’i vëresh me kujdes, me vëmëndje analitike këto shkrimore, përshkohen nga një bosht unik interlokutor të letërsisë të mirfilltë shqiptare dhe asaj botërore, të ngërthyera në estetikë e stilistikë.
E kjo është stilistika e re postmoderne e letrarizimit interurban, një estetikë e re e të bërit letërsi. Më shkoqur është integrimi shkrimor i kësaj letërsie në kuadrin e një globalizmi ndërqytetar në rrang botëror, që për habinë tonë tani ka ndodhur që mijraveçarë më parë. Mbajtja e lakonizmit të motiveve rrëfimtare të ngurtësuara në format nga më të dukshmet metafizike (siç është libri, tabllot e pikturës, partiturat, skulpturat) mbajtja stoike e mosshkuarja në rëndomësi, bënë që këto proza antiprofanike të ruajnë të paprekur epikat përforcuese e dilemat shtjelluese të tyre.
Pikërisht këto shtjella në turbulenca kohore nuk lejuan e nuk lejojnë në këto sinopse që kumti me të cilën ato përfaqësohen të mos pluhurizohet. Rastësia shëmbëlltyrizohet duke u rregjistruar një disketën e historisë si kujtesë historike e një subkoshienca sublime. Nuk ka se si të reflektohet më qartazi se sa tek “Ungjilli i Kolodit”, ku forca e fuqia shprehëse e kësaj psiko-analitike masazhinizmi që ai përcjell në përmasa universale janë të pavdekshme e jetojnë të shpirtëruar në një tjetër materie. Qëndrimi i njeriut ndaj ekologjizmit natyror të sotëm ku çdo dru si në konceptin biblik e metafizik është një jetë në trajta të ndryshme të saj. Mbas shumë e shumë shekujsh, kur dhe mbetjet humane janë tretur në rërat e Saharasë apo janë bërë njësh me rërën e deteve, ata vinë nëpërmjet metafizikës të tjetërsuar librore, po aq të përkushtuar, asketik, stoik, studiues, si vite e vite më parë kur gjithçka frymonte dhe si gjallesë.
Arkitekturë e re prozaike
Tipologjia moikomiane në të shumtit në këto katër librat e fundit, por në veçanti në “Librin e Sinopseve” më përqaset si një shkrimtar arkitekt. Koncepti në ndërtimin e këtyre pavioneve shkrimorë i shkon për shtat një arkitekture moderniste me konturime tepër të qarta dhomash, shkallaresh, vështrimoresh, pavionesh që interkulohen nga koncepte gjeometrike horizontale e vertikale me një llogaritje matematikore ekzakte në perspektivat e rifiniturave që do të dëshirojnë të bëjnë më pas (banorët) pasardhësit. Përfytyrimet arkitekturale janë aq të rrepta dhe rigorioze, aq të përputhshme me identitetin, por hera herës pak si kryengritës, si nga dora e një reformatori inkuizicional, tek shfaqet bindshëm mbi provincializmin në letërsi. Ai rreket, e kërkon një arkitekturë letrare moderne që nxjerr pamësinë e saj bulevardeve, në vepra panteonike botërore e që të imponohen me gjithë pushtetshmërinë e tyre duke sfiduar kohërat.
Me rrënojat e apokalipsit gjuhësor që bëri kërdinë në historinë e qytetërimit ilir, shkencëtarët, ndoshta me këto rradhë librore gjejnë gurët e themeleve të harkoreve, dritareve, bedenave e me to të përafrohet shkenca e të shkrojturit ndër shekuj, toponomistika, onomomistika e të vërtetat historike që lindin prej tyre, sepse pushtuesit ndër shekuj nuk i mposhtën dot fizikisht në shuminë e rasteve, por duke ja atrofizuar gjuhën e shkruar e të pa shkruar, ata pushtojnë vetëm shpirtrat e tyre. Në esencë materia njerëzore, palca e etnisë, AND-ja e saj qëndron e pandryshuar gjenetikisht. Ky është dhe gjykimi referencial që hedh me aq guxim në aspektin e shkencave humane dhe Moikom Zeqo për përfaqësitë shkencore, si një dorashkë e hedhur në një dyluftim që ka filluar që në ndërvitet e Motit të Madh për jetë a vdekje të identitetit tonë të mjegulluar i cili duhet zgjidhur sa nuk është vonë.
Në botën e globalizuar ne duhet të futemi të kompletuar dhe atë çka na ka marrë kjo botë ndër shekuj, ta marrim prej saj, atë që gjenetikisht është e jona. Kjo është përmbajtja e sinopseve “Mensur Hallaçi”, “Libri i Thotit”, “Monedha”, “Filipi Fluturuesi”, “Mark Pork Sopartri”, “Princesha Rugina”, “Admirali Gedik”, “Eustathi i Durrësit”, “Murgu Teodor”, të cilët Zeqo na i afron aq shumë të dokumentuara historikisht me ata përfaqësues të cilët në “testamentet” e tyre shkrimore e kanë deklaruar botërisht qenësinë e tyre të parinvendikueshme. Ndër biseda midis letrarësh, paradoksi i dyshimit ose “Vdekja e muzave” të Georg Steinerit është tepër refraktare në problemet që hedh hera herës për të ndriçuar sado pak rrënjët gneosologjike të kultures shqiptare të të shkruajturit, i prirur nga virtuti ndriçues i kërkimit të së vërtetës. Por njerëzit zakonisht nuk e pëlqejnë të vërtetën; e kjo duke u kthyer në një ves në perceptime, merr rolin e valiumit duke u vënë në gjumin e harresës historike, duke e atrofizuar subkoshiencën kombëtare në tërësi. Në rolin e një Perseu të kohërave moderne Zeqo e “ka kuptuar forcën shkatërruese të opinionit publik të kohërave modern me pabesinë dhe “mosmirnjohjen”, ndaj ai me atë ”çantën mitike prej lëkure”, me “kokën e Meduzës“ historike të kombit shqiptar e cila e përçudnoi këtë histori me lloj-lloj pushtimesh, ç’përbërjesh duke e terratisur si zogjtë e korbit anë e kënd perandorive të botës.
Autori këto copra identitetesh i ka mbledhur me kujdes në torbën e tij (në këtë libër sinopsesh) duke ja nxjerrë përkarshi kokës së Meduzës, me flokët gjarpërinj të pajetë. Në kontekstin e tjetërsuar kjo vjen si një pasthirrmë e Julius Fuçikut “Popull vigjëloni“ por e transkriptuar: “Popull, lexues, studiues mos jeni mosbesues ndër vedi. Shikoni, kjo është koka e Meduzës histori që ju ka vënë në gjumin e harruar kujtesën historike, kjo është historia e vërtetë juaja. Unë veçse mblodha anë e kënd perandorive e thellësive të shekujve, jua solla si palcën, gjakun, gjenezën tuaj shkrimore. ”Inteligjenca ka qenë dhe është një ndër cilësitë më vitale të etnisë sonë kombëtare. Mjafton të lexosh sinopsin “Shahisti” i cili ngre lart në panteone diturie genin e inteligjencës shqiptare në zhbirimet psiko-analitike si një pasuri me përmasa që i kalon ato të krijimtarisë së hiptekuar botërore, ku autori i kthen në një nul logjik çdo gjë në rrafshin e komentimeve, të admirimit apo përbuzjes, shpërfilljes, të cilët në konteksin spiritual – shkencor s’kanë asnjë kuptim.
Trilli prozaik dhe ringjallja e muzave
Kritiku dhe eseisti amerikan i kohës George Steiner, duke marrë në analizë zhvillimet kontemporane të letërsisë dhe arteve, dhimbshëm perifrazon: “ Nuk mund të gjëndet as edhe një hop i vetëm në historinë e artit dhe të letërsisë ku ushtruesit dhe kritikët e këtyre arteve të mos kenë pikasur shenja të rënies, shpërbërjes dhe farën e vulgaritetit.” (Revista Alef, nr. 15, 2004, ”Lamtumira e Muzave”). Siç mund të hulumtojë dhe më tej lexuesi, autori në fjalë nëpërmjet një analize apokaliptike sjell në koshiencën e krijuesve “lamtumirën e muzave”.
Po në të njejtën revistë, në mënyrë refraktare Wallas Stevens nëpërmjet një artikulli tepër bindës me “Racionalitetin dhe dhe iracionalitetin në poezi”, gjë që për mua interferohet në të gjitha zhanret e të shkruarit ku “iracionaliteti nuk përbëhet vetëm nga një pjesë dhe e vetmja arsye pse akoma s’ka një traditë, është se tradita e saj është në zhvillim.” (Revista Alef nr 15, 2004). Jo për koinçidencë, por për skrupulozitet hulumtues, nga përtej Atllantikut, këtu buzë brigjeve të Adriatikut një opozitar i George Steinerit, dhe një perceptues konkret i promemorieve eseistike të Wallas Stevensit, Moikom Zeqo, hedh një arketip voluminoz, “Librin e Sinopseve”.
Në kontravers të “lamtumirës së Muzave” të Steinerit, për mua këto sinopse janë një inkubator Muzash, ku brezat e ardhmë do të inkubojnë një letërsi moderne në kondicion me modernitetin që ata do të përjetojnë. Nga deti mendor i autorit në këto inkubatorë muzash janë ankoruar në molin e gjykimit estetik anije lloj-lloj të kohërave dhe teknologjive nga më të ndryshmet; nga ato të primitivitetit gjer në ato modernet oqeanike me karburant bërthamor të kohës, me një qëllimor të vetëm që të vozisin në mendjet e lexuesve e të krijuesve po me atë madhështinë e dikurshme në detin botëror të kulturës shqipe duke krijuar përfytërime substanciale ndërshekullore.

Autori me arkeologjinë e mendimit nxjerr në sipërfaqen mendimore ekstraktet përfaqësuese të etnisë shqiptare ku gjallon historia dhe e vërteta të cilën për fat të keq vakumet historike e mjegulluan në Andromedat Pagane. Krahasueshmëria dhe sinonimiteti që i bën autori ngjarjeve dhe fenomeneve si tek sinopsi “Aisa” është një instrument jo vetëm shumë bindës por dhe shkencërisht i pranueshëm. Zeqo jep instrumentin, jep lëndën e parë xeherore dhe u bën thirrje krijuesve, studjuesve, lexuesve: “Shtrydheni trurin e vijeni në punë, duke parësuar kronologjitë e humbura nën topuzet e invazioneve duke e jetësuar historinë e vjetër të letërsisë në formatura e ksombla nga më të ndryshmet. Këto formatura e ksombla lidhin imazhet duke i transformuar përmasat e kësaj shkence humane, ku duke u futur në këtë mbretëri imazhiniste, lehatzi mund të kalohet në kultin e objekteve, të qenësisë të etnisë shqiptare si një materie e prekshme duke i bërë ezheizmin transfigurant historisë.
Thënë më shkoqur, një sinops i tillë është si ai materiali kobaltik në qendër të makinerisë letrare që jo vetëm shëron ndërgjegjen kombëtare por energjikisht rizgjon nga letargjia kujtesat historike. Në tërësinë historike të kombit shqiptar nga ilirizmi e gjer në fillesat e rilindjes kombëtare është stopuar nga vakume historike, humbje muzash, për plotësimin e të cilëve pak është bërë nga historigrafia jonë në hulumtimin e historisë botërore e mbledhjen e copëzave të asaj palce që përfaqëson AND-në e popullit tonë.
Një gjë e tillë ka ndodhur dhe me historinë e letërsisë shqipe. Gjithçka fillohet me Gjon Buzukun, por sipas koncepteve shumë të drejta, të argumentuara të Moikom Zeqos, jo në rangje akademike dhe nga të tjerë, kultivimi i letrave shqipe, të shkruarit, të bërit libra ka filluar nga iliro-shqiptarët që herët.
Thjesht dua të nënvizoj vrojtimet me poetët ilirikë të Moikomit në revistën Albanica nr. 60. Studimi i bizantologjisë, teologëve, kronikanëve me origjinë shqiptare në memoriaret dokumentare arshivore nëpër biblotekat e muzetë e botës. Për këtë vrojtim flet dhe antologjia e Ndoc Palekës për poetët shqiptarë të shek.XII deri në XIX, e kështu me radhë deri tek referencat prej 130 faqesh të kronikanit-historian Çelebiu mbi figurat në kulturën shqiptare.
Të bërit letërsi shqipe sipas konceptit moikomian, e tashmë dhe i imi, nuk është të shkruarit vetëm në shqip. Sikundër sot dhe në kohërat ilirike, romake e turke globalizmi letrar ka qenë normë e një kulture botërore. Me anën e këtyre prozave, Zeqo evidenton atë që është iliro-arbër-shqiptare, merr palcën e kësaj letërsie dhe siç e thotë dhe vetë me cilësinë amebike e vetëshumon gjenetikisht duke u lënë hapësira perceptimi, nxjerrjen e konkluzioneve të sakta mbi vjetërsinë, gjallimin e historisë së një letërsie si vazhdimësi e një gjeneze me të njejtën origjinë të AND-së përcaktuese, pavarësisht nga sistemet shtetërore e konvencionet shkronjore (që do të ishte alfabeti sipas meje).
Duke u mbërthyer fort mbas këtyre sinopseve, studjuesit dhe lexuesit duhet ta lëvrojnë me më shumë përkushtimshmëri këtë livadh të letrave shqip me fillesa që në ata shkrimtarë, studjues, teologë ilirikë, në ata kronikanë të pushtimeve romake, në bizantologjinë, e kronikanëve e murgologjinë e shekujve pasardhës ku vulën e tyre teologjike kanë lënë dhe diturakët shqiptarë. Rilindja shqiptare nuk erdhi nga hiçi se asgjë nuk lind nga asgjëja. Duhet vetëm ngulmim, përkushtim në zgjimin kombëtar, në përfitimin e një subkoshience etnike, që pa dyshim e ka ndjekur kombin shqiptar ndër shekuj, se ndryshe pa këtë subkoshiencë nuk do të kishte mbijetuar. Trilli prozaik i të qëmtuarit të ngjarjeve, miteve, detajeve, personazheve hipotekohen në artin e të shkruarit në një mënyrë të tillë sa që i kapërcen caqet e pabesueshmërisë, jetësohen në shpirtëzimin bashkëkohor, xhvishen nga konvencionaliteti i përfaqësimit mitiko-historik duke u vendosur një detante midis letërsisë të mirëfilltë e një kronike të trioruar.
Kësisoj autori krijon resurse historike-shoqërore, personazhe të një lloji paksa të veçantë, të cilët notojnë midis racionales mitike-historike dhe iracionales të së tashmes kohore. Në konteksin filozofik, gjithçka vjen jo si një proces hegelian por si një burimore integrale me koncepte kafkiane të natyralizuara ndër ujemet e mendimit autokton. Në personalitetin shkrimtor të Zeqos shkenca humane e të shkruarit alkimohet me shkencat e tjera metafizike në hipotekimin e produkteve. Një risi që i ka fillesat që në dorëshkrimet e murgjëve të ashekullit të XII, por që po e afirmon gjithçka në nj stilistikë në këto fillime të shekullit XXI. Racionaliteti i konceptualiteteve memorial e qelave murgjerore vijnë nga palimpsestet e viteve me iracionalitetin e ditëve të sotme moderne duke i ushqyer ato me limfën studimore të tyre, si një vazhdimësi e domosdoshme e shkencës në aspektin burimor.
Nga këto referenca murgologjia moikomiane vjen më bindëse e ç’mitizuar, më përfaqësuese në konteksin historiko-përfaqësues, më prevaluese në aktualizimin historik të ngjarjeve e fenomeneve. Ajo ç’kishërohet nga valencat shoqërore që përftohen nga konceptimi i sotëm filozofik. “Këmisha prej flokësh” si një burimore mistike, është një nga konçentratet prozaike në etalone përfaqësuese, ku në bërthamën e supermataforave, evidentohen jo vetëm tragjikomikja e një shoqërie në një totalitarizëm shpërfytërues, por jepet kompleksi i neutralizimit të shqisimit natyror të qënieve njerëzore. Duke ballafaquar të burgosurin e atrofizuar me kategoritë e asketëve ndër shekuj. Metafora merr ngarkesa të jashtëzakonshmeduke tejkaluar imagjinatat.
Në këtë kontekst dhe thënia e Dostojevskit se “realiteti është më fantastik se të gjitha imagjinatat” në konceptin filozofik vjen i sfumuar nga ky realitet. Shembëlltyra e këmishës prej flokësh, kapërcen çdo apokalips ndjenjësor. Detaji artistik i rifinituar me kapacitetet e lazerit shpirtëror të autorit nuk lë më vend për tolerance të tjera shkrimore. Ai merr mbi vete gjithë përfaqësinë e një tragjikomedie duke qëndruar në platen e paskuintave si një përbashkësi e asaj shoqërie në formatin e një parabole.
Koncepti filozofik e psiko-analiza ndër shekuj e personazheve sinoptike
Konceptimi i sinopseve në fund të fundit është një tip i ri eufemizmi stilistikor për të shkruar në mënyrë të konçentruar, nëpëmjet metaforave kuptimplote, simboleve; krijimin e personazheve efemere që na serviren në formatura të ndryshme, jashtë një metafizike të mirëfilltë si substrakte ndjenjësore, perceptuar nëpërmjet tingullit të mumjefikuar në një alfabet sa të ndryshëm në konceptin piktural, hieroglif apo gjeometri e rregullt, por me një bashkësi tingullore që vjen konservator nga zanafilla e tingullit të parë komunikues. Të pakta në zanafillë ishin dallimet, më të shumta ishin përbashkësitë.
Ndaj dhe sot komunikimi letrar nga një kontinent në tjetrin jep e merr me anë të biorrymave letrare nën efektin e një shqise krejt të veçantë. Nuk ka se si të shpegohet reminishenca e tercinave në të njëjtën kohë në Europë me format haiku dhe tankat në Lindjen e largët. Kjo është mendoj unë, intereferenca e tingullit të shkronjës në të cilën kapet fort Zeqo në letrarizmin botëror. Bota letrare mbijeton në forma nga më të ndryshmet, por thelbi gjenerues është i njejti me fjalën e fjalëve. Më shkoqur, sipas Moikomit, ky është dhe koncepti estetik i të bërit një letërsi botërore. Në intervistën e gazetës “Shqiptarja.com “ dt.19. 12. 2012, duke marrë një qëndrim të thekur “opozitar”, duke u mbështetur në këto koncepte sinoptike të vëzhguara me aq shumë kujdes në referencat mbarë botërore Moikom Zeqo replikon: “…asnjë tjetër (veç Migjenit dhe Kadaresë e Konicës) nuk ka arritur dot të bëj një letërsi të madhe universale, urbane“. Shkrimtarit egjiptian të para katër mijë vjetëve, i cili ka hedhur në papyrus kumtin me referencial në analitikën botërore “Ah ky brez i ri“, as që i ka shkuar në mendje se dikur e diku në brigjet e Adriatikut, mes shkrimeve polifere arkeologjike, Zeqo, ky “humbës i madh” do ta bënte të tijën këtë kumt tepër referencial e do të ngulmonte në shkrimin e një letërsie ndërqytetare me sharm botëror, duke shpjeguar me vrojtime të thella sinoptike raportet psiko-analitike që ndjekin rregullsinë e ligjëshmërinë globaliste e autentike të popujve në të gjitha kohërat.
Në çdo sinops apo tregim të mirëfilltë në individualitetin tregimtar ka diçka të kapshme nga fluiditeti kohor me një arsyetim të thjeshtë të përkorë. Lexuesi i mirëfilltë vetiu përfton një mbushamendje. Nga kjo mbushamendje në zonat e fjetura të intelektit shpërthen sensi gjykues me cilësi kundërthëniesh gjer në përfitimin e një aprirorie. Po ta studiosh këtë apriori në sensin krahasimtar sinopsi vjen me një shumësi jo vetëm në arkitekturë romaneske, por dhe në tërësinë librore kanë përbashkësi. Siç e konfiguron dhe autori: “Eshtë vetë substanca e amëshuar e letërsisë. Kompleksi i ndërlidhjeve, i bën fragmentet një tërësi”. Ku shtrirja e gjetjeve të detajeve e temave, shpërfill modulet e ndryshme gjeografike, thellësitë historike, veçantitë etnike, identitetet e ndryshme ku kanë bashkëjetuar për arsyen e antropologjisë shkrimore, si ato kromozonet e të njejtës lëndë i bashkangjiten palcës kombëtare si pjesë e AND-së kulturore. Ajo vërtitet rreth orbitës të kësaj AND-je.
Gjithnjë forca e rëndesës së letërsisë botërore në këtë kontekst, e humb gravitetin e qenësisë globale. Valencat e etnicitetit shtojnë dukshëm veprimtarinë e protonisë letrare në reaksionin shpërthyes bërthamor. Domethënëset më tipike janë “Omo”, “Fytyra”, “Ungjilli i Kolodit”, “Centauri”, “Qengji”, “ 55 milion vjet më parë”, ku ngrihet në nivele të larta suporioriteti i etnicitetit shqiptar, ku gjithçka mbahet gjer në flijim. Ky interpretim iracional përtej imazhinizmit, gjer në një të parë e në të prekur, në një interferim të të gjitha shqisave mbi një vepër letrare. Gjithçka vjen si një kumt te tregimi “Omo” në paradigmat drejt një të vërtete tej iracionalen danteske. Pa intervenimet e këtyre shqisave të mirëplotësuara shkrimtari kthehet në një grafoman i përsëritshëm nga një gjeneratë në tjetrën. Triniteti shkrimtar-fabul-lexues vjen si një filozofi permanente me trinitetin historitë-njerëzit-shteti, një trinitet si ai biblik ku populli bën historinë arkivat e sistemojnë (ruajnë) – shteti e demostron.
Këto janë dy trinitete që në rast se nuk azhornohen, humbin në terrin e vetë historisë, çorodisin subkoshiencat shoqërore. Por, siç parashtron tek “Shekspiri i shfytëruar” në pranimin e pluralizmit krijues, ndër breza, në lulëzimin e shumë rrymave, do ketë gjithmonë konvergime por dhe vetëpërjashtime. Ligji dialektik i ndryshimit vepron dhe në letërsi, sado madhështor të jetë ky krijim. Shembull tipik është teatri absurd i Joneskos i cili arrin gjer në caqet e një shpërfytërimi madhështor të shekspirianes. Nga autori gjithçka kategorizohet në suazat e një interceptimi shkrimor kafkian, ku iracionaliteti vendoset në një dyluftim me racionalen e fantazmagorinë. Në këtë kontekst vitaliteti mistik, biblik me imazhin e mbi ikonografeve të gjallë natyrorë, shembëlltyra të Shën Marisë, atje, diku në Alpet shqiptare, ku natyra e universialiteti i pjellshmërisë shqiptare kapërcen caqet e natyrores.
Jo vetëm trinitet biblik
Në konceptin e Moikom Zeqos ekziston një lidhje permanente ndërmjet mitikes, epit të shkruar dhe atij të kahmoçëm gojor me kohërat e sotme si dhe vazhdimësinë. Kjo vjen si palca e kësaj letërsie. Me saktësinë e origjinës, ajo përjashton mundësinë e çdo plagjiature në kuadrin botëror, shpreh autentiken, ruan personalitetin krijues në kuadrin kombëtar. Për autorin aplikimi i artit të krijimit nuk vjen me boshllëqe, shkëputje si në aspektin e liberalizimit dhe të tyre gojore. Duke u ushqyer me përvojat ndërshekullore në këtë aspekt këto sinopse vinë si proza artikulore e një moderniteti të ri.
Referencat dhe artikulimet që u bëhen kronikanëve, teologëve, shkrimtarëve botëror, kërkimi për të panjohuart e vendit të tij, shkojnë deri në kumte të fshehta të proklamuara në ato kohëra, por që në veten e tyre reflektonin universialitetin e një gjykimi të përparuar shoqëror. Në komplecitetin psiko-analitik dhe psiko-kritik, autori merr ato fragmente që kushtëzohen nga përbërje njerzore.
Ndaj përgjithësisht këto proza si në planin epiko-mitik, historik si dhe në sensin tragjiko-grotesk me lëndën e trioruar në konglomarate artistike vijnë si elementë ndërlidhës duke reflektuar një dhunti që ndodhet brenda tyre. Gjithçka supotrohet nga niveli i lartë i gjuhës estetike në kategori të reja, si e bukura, grotesku, e tmerrshmja, e përbindshmja, të cilët me pjellëshmëri amebike të ndërvarur nga njera-tjetra vinë si pjesë të pandara të të tërës jetësore. Me trokolloaren e tij, në këtë libër unikal sot për sot në letrat shqip, autori troket tek horizontet e pritjes të lexuesit universal, largpamës në mardhëniet me dimensionet e natyrave të njeriut.
Duke ngulmuar në panunitarizmin urban të sotëm, duke zbuluar lidhjet e kahmoçme, i katarsuar nga doktrinat e soc-realizmit, ai na ka dhënë një letërsi që rrezaton mbi letërsitë provinciale me refleksione “deri te gardhi i shtëpisë”. Në galeritë shkronjore të këtij libri lexuesi nga ai i specializuar por dhe i rëndomtë do të karikohet me njohje historiko-shoqërore, diku do të gjejë dhe vetveten në gjenezën e mbijetuar në sisteme të ndryshme shoqërore, do të gjejë pjesë të vlerave kombëtare si dhe vlera shpirtërore jo vetëm të një ilir-arbër-shqiptari por dhe vlera universale.
Ky përfytërim, vjen nga se autori bën një aktualizim perfekt të ndodhive, sendeve, personazheve e fenomeneve. Në to me fjalë, me fjalë të pakta por imponuese, barazvlerësohen epokat perandorake me ato të globalizmit të sotëm, nënvizojhet mendimi imponues se çdo njeri i sfumon kufijtë e origjinës në aspektin kulturoe, etnik, të pavarur, duke u bërë pjesë e asaj origjine. Kjo thirrmë autoriale vjen nga thellësitë e kohrave si një domosdoshmëri e kohës së sotme. Vjen si një domosdoshmëri e antropologjisë së sotme letrare, një antropologji që Moikom Zeqo e ka shkoqitur me aq përkushtim në xhevahiret e kulturës botërore.
Pikërisht kësaj kulture autori, jo pa qëllim, i ka ballafaquar tregimin “Zonja“, ku personaliteti, virtuti i njeriut tek e thjeshta vjen aq bindshëm në sensin kohor, në evidentimin e një kulture të lartë komunikuese si një nga virtutet më fondamentale brenda familjes shqiptare, ku mitologjikja është bërë e besueshme njerëzore.Me këto detaje autori na e rikujton në akcentin stilistik e estetik se magjia e faktit është mekanizmi që hyn e mbyll siparin e një rrëfimtarie, aty është dhe thelbi i së vërtetës. E këto të vërteta vijnë në këtë godinë madhore librore në pavine interlokutore, me çelsin e artë në dyert e tyre. Kritikët, studjuesit, lexuesit e apasionuar mbas kulturave ndërbotërore, vetëm duhet t’i hapin ato brava e si në një kinematikë, ndoshta do të gjejnë stërgjyshërit, gjyshërit, shembëlltyrat e tyre tek ekspozohen aq krenarisht në ato pavione. Në to do të gjejmë “Personazhet A.B.C.” me konceptet moderne, me një peshë të pakufishme, delirues i ndërgjegjes. Tek “Meridiani i Durrësit” një prozë e fuqishme, ku personazhet historikë shndërohen në një personazh letrar. Një prozë ku atdhetarizmi ngrihet madhërishëm në art duke prevaluar mbi gjithçka botërore, duke marrë ftillesën në një parameter gjeografie, në “Meridianin e Durrësit”, një supermetaforë dhe një parabolë interhistorike e një kujtese kombëtare.
Kjo parabolë në letrarizimet botërore të shqipes lëviz në kohë dhe hapësirë drejt këtij meridiani metaforik me emrin e vendlindjes, si një intervenues, por dhe si një ndërlidhës kohor. Në të shpërfaqen si meridianë shumë linja të ndërthurura, ku kompliciteti i përket më shumë thellësisë dhe dëndësisë së mendimit. Ky triller me distance kohore e sjell substancën në të sotmen modern në përmasa europiane, në kontravers me të sotmen politike. Ne jemi letrarisht, shkencërisht anëtarë multivalent që në shekullin e XIV në Europë. Ose trajtimi homerik i figurës së Jan Kukuzelit, të këtij muzikologu, shprehje e një kulture të lartë në kulturologjinë botërore.
Të vërtetat historike, muzeale ku eshtrat veshur me argjend, kafka me ar, në zgavrën e syve janë dy xhevahirë, si askush shenjtor në Manastirin e Athosit. Historia dhe muzeologjia botërore flet shumë; po ne vallë pse jemi kaq mosmirnjohës, nënvlerësues thesaresh të kombit tonë, duke u mjaftuar vetëm me emrin e një shkolle muzike. Një indiferentizëm që e ka dëmtuar shumë kulturën e historigrafinë tonë ndër shekuj. Zgjohuni akademikë, studjues, mishërojeni atë skelet e kafkë veshur me ar, merrni dritësinë nga ata dy xhevahirë, bëjeni pjesë të qenies suaj. Jan Kukuzeli nuk e mohon kurrë se ishte durrësak.

…………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura