Pashtriku, 3 mars 2021: Qëndrime për Abdullah Prapashticën dhe Nuhi Sylejmanin të shprehura më 2009 dhe në fillim të vitit 2010, që mund të mirren si përgjigje në librin e quajtur: Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010.
***
Lidhur me diskutimet që kanë të bëjnë me ngjarjen e 17 janarit 1982 në Shtëpinë e Jusuf Gërvallës, me Faridin Tafallarin, gjatë vitit 2009, kam këmbyer pos tjerash këto mendime:
Xhafer Durmishi: “Që në fillim dua të them se jo vetëm ky shkrim por sipas mendimit tim asnjë shkrim tjetër i yti nuk e mbërrin nivelin e asaj që e ke thënë në librin e parë “Terror, dhimbje, qëndresë”. Megjithatë unë ende nuk e kam dhënë një mendim të përmbledhur për librin tënd të parë. Forcë të librit tënd të parë pos tjerash e konsideroj faktin se ti aty Riza Salihut e Hysen Gegës në cilësinë e shokut të Rizahut ua kushton 5-6 rreshta e jo më shumë. Në reagimin tënd të mëparshëm “Zhgënjim” dhe në këtë që ma ke dërgua shumë qëndrime që i ke pas p.sh. për Hysen Gegën, Riza Salihun e Nuhi Sylejmanin në librin e parë tani i ke ndryshue. Mendimi im është se me pasojat juridike të librit dhe deklaratave të Ibrahim Kelmendit do të duhej të merreshin gjykatat dhe jo të tjerët. Eshtë për keqardhje që në këtë drejtim gjykatat dhe juristët e Kosovës nuk janë marrë gjer më sot. Aspektet e ndryshme të luftës për pushtet me mënyra që i përdorin shumica e partive sot mendoj se duhet veçuar nga rasti i 17 janarit 1982. Unë nuk jam duke u marrë me shkrime, por po të shkruaja në këtë temë do të shkruaja më ndryshe…
”….. Për Nuhi Sylejmanin nuk kisha me shkruar më keq se sa e meriton. Ndaj njerëzve që nuk merren me shkrime dhe ndoshta nuk kanë aftësi për t’u mbrojtur duhet treguar kujdes më të madh.” (Letër dërguar Faridin Tafallarit, 3 qershor 2009)
Faridin Tafallari, në janar 2010 botoi librin e tij “ME TRE YJET E PAVDEKËSISË në ato vite të stuhishme”. Këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim dhe i kam dhënë vërejtjet e mia. Falenderimi i Faridin Tafallarit për punën time në këtë libër e ka këtë përmbajtje: “Me rastin e botimit të librit tim: ME TRE YJET E PAVDEKËSISË, NË ATO VITE TË STUHISHME”, dëshiroj të falenderoj Xhafer Durmishin, i cili e ka lexuar përmbajtjen e librit në dorëshkrim, dhe përkundër qëndrimeve të tij, megjithëse ende të pashprehura publikisht në tërësi, pa rezervë më ka bërë vërejtje, të cilat i kam marrë parasysh. Pjesën e tretë, të fundit, Xhafer Durmishi nuk e ka komentua”.
Pjesa e tretë e librit të lartpërmendur përmban shkrime rreth asaj se kush mund të jetë i implikuar (Riza Salihu etj.) në vrasjen e 17 janarit 1982, në shtëpinë e Jusuf Gërvallës. Jo për hir të Abdullah Prapashticës e Osman Osmanit, e aq më pak për inatin e tyre, por vetëm e vetëm për hir të Jusuf Gërvallës, unë kurrë në jetë nuk kam shprehur asnjë dyshim ndaj Nuhi Sylejmanit apo ndaj ndokujt tjetër, përveç asaj çka e ka shkrua dora ime prej janarit 1982 e deri më sot, si në letra private ashtu edhe në trakte e dokumente publike.
Një letër dërguar Ramadan Pllanës shprehen qëndrimet e mia të vërteta ndaj Abdullah Prapashticës.
Xhafer Durmishi: “Shkrimin e Abdullah Prapashticës e kam lexuar dhe ka shumë pak tekste që më bëjnë me qesh e që më kënaqin shpirtin më shumë se shkrimet e budallallëqet e Abdullah Prapashticës, dhe shpresoj që ai të vazhdoj me kontributin e tij teorik edhe më tutje. Zoti jetën ia shtoftë e i dhashtë shëndet. Është mirë që të ka ra ndërmend se ekziston Faridin Tafallari, si shok i Jusufit e njohës i mirë i rrethanave të asaj kohe. Për ekzistencën e Faridin Tafallarit e librit të tij “Terror Dhimbje Qëndresë” të kam tregua më 2006, ndërsa ti ishe i fokusuar më shumë dhe i kishe pas ra në trag Nuhi Sylejmanit e për Faridin Tafallarin nuk kishe ndie kurrë deri sa të tregova unë. Me fjalë tjera në këtë rast i ke shitë dardhagjisë dardha.” (Letër dërguar Ramadan Pllanës, më 11 nëntor 2009)
Një qëndrim tjetër për Nuhi Sylejmanin.
Xhafer Durmishi: “Pas demonstratës së Bernit (26 qershor 1982) në muajin korrik Osman Osmani u largua nga rrethi ynë. Për këtë qëllim kishte jo vetëm përkrahjen nga shokët e vetë në Turqi por edhe nga diplomatët shqiptarë në Vjenë. Prej shokëve të afërm të Jusufit, Nuhi Sylejmani ishte i vetmi që iu bashkua. Pra atentati i 17 janarit në rrethin organizativ të Jusufit nuk krijoi ndonjë turbulencë. Ato fërkime që ndodhën ishin pasojë e pranimit të Osman Osmanit, pjesëtar i një organizate të huaj në shtëpinë e Jusufit, i cili kishte ardhë me mision ta lartësoj punën e …Abdullah Prapashticës dhe ta denigroj atë punë që ishte bërë në Shtutgart dhe në Zvicër më parë. Nuhi Sylejmani, një aktivist i dalluar në rrethin e Jusufit, pas vdekjes së Jusufit u lëkund në qëndrimet e tij, por për këtë nuk ndiej kurrfarë mëllefi ndaj tij, pasi në histori pas vdekjes së një personaliteti të madh janë lëkundur shumë e shumë burra më të mëdhenj se sa Nuhi Sylejmani. Forca tërheqëse e Jusufit kishte ndikuar që Nuhiu të tregonte anët e veta më të mira për një kohë. Pas vdekjes se Jusufit, forca tërheqëse e jonë nuk ishte e mjaftueshme për te dhe ai për një kohë tregoi veti që nuk ishin në mesin e më të mirave.” (Letër dërguar N.N., 13 shkurt 2010)
Janë raste shumë fatlume për ata të cilët i përgatisin sulmet në mënyrë aq të mirë sa goditja e parë e tyre të jetë edhe e fundit. Teorikisht shumë veta ëndërrojnë se e kanë këtë veti. Fatkeqësisht, në praktikë, në jetë, këto janë raste tepër, tepër të rralla. Me këto fjalë deshta të them se duket sikur është krijuar një situatë për keqardhje, në të cilën disa persona janë bërë aq mendjelehtë ndaj fakteve të një kohe jo fort të largët, sa janë duke u sjellur sikur unë vërtetë prej kohësh të mos ekzistoja fare, sikur unë realisht të mos isha në mesin e të gjallëve, duke kijuar kështu një atmosferë në të cilën fitohet përshtypja se qentë endacakë janë duke bredhur triumfalisht nëpër fusha e nëpër ara me eshtrat a mia në gojë.
“U kthye edhe njëherë. Jo për hirë të zymtësisë shekullore të tjegullave që i rrinin barrë katundit, po iu hodh jetimit ta shikonte edhe njëherë oxhakun e kullës së gjyshit, të vetmin oxhak që atë mëngjes nuk po nxirrte tym dhe të vetmin që kishte mbetur pa ngrohtësinë e djalit pranë, pa ngrohtësinë e djepit të kërthirit, të cilin s’ka as dorë që ta përkund.”
Xhafer Durmishi, shtator 2010