ARBEN LLALLA: REZOLUTA PËR ÇAMËRINË MIDIS MJEGULLËS DHE REALITETIT

(Tetovë, 17. 12. 2012) – Dorëzimi i Rezolutës për çështjen çame nga partia PDIU në Kuvendin e Shqipërisë ka hapur probleme midis partive dhe deputetëve shqiptar të cilët janë ndarë në disa grupe. Të parët duan që kjo Rezolutë të aprovohet, të dytët nuk dëshirojnë që kjo çështje të diskutohet fare në Kuvend sepse ju prishet rehatia me miqtë e tyre grek dhe grupi i tretë janë indiferentët të cilët qëndrojnë të fshehur pas gishtit me qëllim që të fitojnë simpatinë e shefit për tu future në listat e kandidimit për deputet në zgjedhjet e ardhshme të cilat do të mbahen në Qershor 2013.
Veprimi i PDIU për diskutimin e çështjes çame në Kuvend është një veprim i drejtë, një çështje që nuk duhet të pengohet nga deputetët shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë për ta votuar, por është shumë e vonuar sepse bëhet fjalë për një rezolutë ku është masakruar një pjesë e popullit shqiptar. Dy deputetët shqiptar z.Idrizi dhe z.Tahiri duhen përgëzuar për këtë iniciativë. Por mendimi im personal është se shumica e deputetëve shqiptarë do të abstenojnë, sepse ata kanë interesa personale që lidhen direkt me Athinën. Për fat të keq një pjesë e deputetëve shqiptarë janë me gjak përzier, më saktë vijnë nga familje të krijuar midis shqiptarëve me vlleh, grek, sllav, boshnjak, serb etj. Deputetëve tanë u mungon dashuria për kombin dhe atdheun, prandaj jemi kështu si jemi prej kaq vitesh, të përçarë e të inatosur keqas.

Pas dorëzimit të Rezolutës Athina zyrtare deklarojë se çështja çame nuk ekziston, është e mbyllur. Politika greke flet me këtë tonë për çështjen çame gjithnjë sepse e di që politikës shqiptare, ministrave dhe deputetëve tanë ju mungon qëndrimi burrëror kombëtar, pra Athina e di mirë se ne përfaqësohemi nga njerëz me karakter të dobët që shesin çdo gjë për përfitime ekonomike personale. Në Shqipëri ende nuk ka një parti të shëndoshë të djathtë. Çështja çame nuk mund të jetë e mbyllur asnjëherë deri sa ende në Çamëri jetojnë shqiptar etnik, janë me dhjetëra fshatra që ende flitet gjuha shqipe duke u mbijetuar rrebeshëve të kohës me sakrifica të mëdha.
Athina sillet ashpër ndaj politikës diplomatike të Shqipërisë sepse ajo i ka brenda në ministrinë e jashtme njerëzit e saj të besueshëm ose më mirë lexoni Bilal Xhaferin se çfarë ka thënë vite më parë për ministrat shqiptar, është e njëjta situate. Ndërsa Ministria e jashtme e jona është e dështuar në diplomaci dhe politikën e vendit. Viteve të fundit më shumë kemi diplomat të cilët punësohen për rroga të sigurta, bursa për fëmijët e tyre se sa diplomatë që punojnë për Shqipërinë. Një pjesë e mirë e diplomatëve kanë dezertuar ndër vite, një pjesë është kapur me lëndë narkotike etj. Po të bëjmë një kërkim rreth ministrisë së jashtme shqiptare të pas viteve 1990 do mësojmë dështimet e saja.
Presionet e Greqisë se çështja çame është pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, janë të tipit primitivë, presione fëminore. Një shtet demokratik dhe që është anëtar në disa organizata të fuqishme që mbështetin paqen dhe demokracinë nuk duhet të sillet në këtë mënyrë. Në këtë rast Greqia, e cila tashmë ka vërtetuar se nuk e ka merituar anëtarësimin në NATO dhe BE, këto janë edhe opinionet e shumë vendeve anëtare të këtyre dy organizatave të fuqishme.
Çështja çame nuk është pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ne duhet ta kemi të qartë se nuk do të mund të anëtarësohet në BE para vitit 2020. Shqipëria asnjëherë nuk do bëhet anëtare e BE pa zgjidhur çështjet me fqinjët rreth të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë saj. BE është një kapitull i mbyllur për disa shtete të Ballkanit të cilët ende kanë hesape të pambylluar midis tyre. Për fat të keq ne bëjmë pjesë në shtetet që nuk kemi zgjidhur ende çështjen e shqiptarëve në Ballkan, ku jemi të ndarë në disa shtete.
– Autori është historian.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura