XHELAL ZEJNELI: ADEM DEMAÇI – METAFORË E QËNDRESËS

Shkup, 26 korrik 2020: Me rastin e 2-vjetorit të vajtjes në pavdekësi
Më 26 korrik 2018, në orën 17 e 50 minuta ndërroi jetë shkrimtari, publicisti dhe veprimtari i çështjes shqiptare – Adem Demaçi. Lindi në Prishtinë në vitin 1936. Prindër të tij janë nëna Nazife dhe babai Zeqiri. Shkollën e Lartë Pedagogjike e kreu në Shkup. Vijoi studimet për shkenca juridike në Prishtinë. Studio letërsinë botërore në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Pas pesë semestrave, për arsye të caktuara, studimet në Beograd i ndërpreu. Në vitet ’50 të shekullit XX punoi në gazetën “Rilindja” dhe në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku botoi një varg shkrimesh publicistike, tregime, poezi dhe përkthime letrare.

Ka shkruar 10 vepra letrare. Tregimet e para, mjaft prej tyre me ngjyrim kritik social, u botuan në Jeta e re në vitet ‘50 të shekullit XX. Por, si shkrimtar u afirmua me romanin Gjarpijt e gjakut, Prishtinë 1958, që ngjalli mjaft diskutime. Ky roman, me interes etnografik, por edhe letrar, sillet rreth institucionit të dhimbshëm të gjakmarrjes, fatkeqësi kjo për Shqipërinë veriore dhe për Kosovën.

Titulli i veprës vjen nga një alegori për tre gjarpërinj gjigantë ngjyrash të ndryshme që u sulen tre burrave – një turku, shërbëtorit të tij raja dhe një shqiptari – të cilët, në udhë e sipër për të kërkuar fatin, hyjnë në një shpellë ku banon një plak dhe gjejnë strehë për të kaluar natën. Gjarpri i kuq si gjaku, nga dhe merr titullin vepra, i përdridhet shqiptarit rreth dorës së djathtë dhe e pickon në gisht. Pickohen nga gjarpinjtë edhe dy të tjerët. Të nesërmen në mëngjes, banori i shpellës ua rrëfen fatin. Shqiptarit i thotë: Ty të ka thimthuar gjarpri i gjakut. Ti do të vrasësh vëllanë, e vëllai yt do të të vrasë ty dhe gjaqet s’kanë për t’u ndalur sa të jetë jeta….
Në këtë roman autori na jep një rrëfim për konfliktin midis dy brezave. Kryetari patriarkal i një familjeje konservatore kosovare nuk sheh rrugë tjetër veçse të ndjekë gjakmarrjen si të vetmin mjet për të mbrojtur nderin e burrit, kurse i biri i kupton pasojat shkatërruese të saj dhe lufton më kot, që t’i japë fund gjakmarrjes e cila ka fshirë nga faqja e dheut sa e sa fise të malësisë në Shqipërinë e veriut në fillim të shekullit XX. Në fund i biri u kërkon fëmijëve të vet t’ia shtypin kokën gjarprit.
* * *
Në vitet ’50 të shekullit XX, Serbia vazhdoi realizimin e elaboratit famëkeq të akademikut serb Vaso Çubrilloviq – Dëbimi i shqiptarëve (Iseljavanje Arnauta, Beograd, 7 mars 1937). Demaçi ngriti zërin e protestës kundër dëbimit të qindra mijë shqiptarëve për në Turqi. Për këtë arsye, në vitin 1958, infrastruktura e shtetit serb e arrestoi Demaçin dhe e dënoi me tre vjet burg. Pas daljes nga burgu më 1961, vijoi ilegalisht veprimtarinë e tij duke krijuar organizatën “Lëvizja revolucionare e bashkimit të shqiptarëve”, e cila kishte si objektiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë veprimtari, në vitin 1964 shteti serb e dënoi me 15 vjet heqje lirie. U tha se Demaçi ka shpërndarë edhe broshura studentore me kritika ndaj Jugosllavisë. Në gjyq i mbrojti pikëpamjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare. U lirua nga burgu më 8 qershor 1974. Pas një viti u arrestua për të tretën herë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 28 prill 1990 kur tanimë Jugosllavia ishte në rrugën e shpërbërjes.
Ndonëse në burg, Bacë Ademi ishte jo vetëm frymëzues, por edhe promotor i demonstratave të vitit 1968 si dhe i protestave masive të vitit 1981 në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare që ndodheshin nën sundimin e egër të boshtit të krimit Shkup-Beograd-Titograd.
Ky kolos i kombit ishte shtyllë kryesore e shqiptarëve, si në kohën e sundimit jugosllav, ashtu edhe në kohën e luftës çlirimtare në Kosovë, por edhe në periudhën e pavarësisë së saj. Ky apostull i shqiptarizmit është ndër më të merituarit e lirisë së Kosovës.
Duke qenë bir i angazhuar në luftën për çlirimin e shqiptarëve nga kolonializmi serb, Demaçi u bë baba shpirtëror i tre milionë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë.
E vijoi veprimtarinë e tij kombëtare, ndaj në vitin 1998 u bë Përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, detyrë kjo të cilën e mbajti deri në shkurt të vitit 1999, kur dha dorëheqje pasi nuk u pajtua me pjesëmarrjen e shqiptarëve Konferencën e Rambujesë (1999). Pas vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Demaçi ka mbajtur ligjërata në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ka ushtruar edhe veprimtari shoqërore duke drejtuar Këshillin për mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Për vuajtjet e tij gjatë 28 viteve burg, si disident në Jugosllavi dhe për punën e tij për të drejtat e njeriut, në vitin 1991 u vlerësua nga Parlamenti Evropian në Strasburg me çmimin “Saharov”. Ky hero i kombit u vlerësua me çmim të lartë edhe në Madrid. Amnesty International ia ka njohur Mandelës së Ballkanit – Demaçit, statusin e të burgosurit të ndërgjegjes. Për njohje të shërbimit të jashtëzakonshëm ndaj komunitetit dhe interesimin e dukshëm për të gjithë njerëzit, Asociacioni ndërkombëtar i edukatorëve për paqe botërore, në vitin 1992 i ndan “Diplomë Nderi”. Në vitin 2010, ky burrë i pathyeshëm dhe i papërkulshëm para sfidave të historisë dhe stuhive ballkanike, u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”. Më 10 qershor 2012, Presidenca e Shqipërisë, përkatësisht presidenti Bamir Topi, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, rilindësin e fundit të kombit e dekoroi me urdhrin “Nderi i Kombit”. Më 1995 Universiteti i Oslos e dekoroi për angazhimin në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Lajmin për vajtjen e këtij çlirimtari në rrugën e dritës së amshimit e kanë dhënë mediumet dhe agjencitë më prestigjioze të botës – New York Times, Washington Post, France-Presse, Associated Press, Reuters etj. Disa mediume dhe agjenci botërore e quajtën Mandela i Evropës, Mandela i Ballkanit, Mandela i Kosovës, Mandela i shqiptarëve.
Duke qenë nderi dhe krenaria e kombit, Demaçin e çmonin lartë – në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në viset shqiptare në Maqedoni, në viset shqiptare në Mal të Zi si dhe çamët. Ky vigan liberator çmohej lartë edhe nga shqiptarët në diasporë – në Evropë, në ShBA dhe gjetkë.
Baca, ky luftëtar i paepur i lirisë dhe humanist i lindur, gëzonte respekt të thellë edhe në qarqet ndërkombëtare. Këtë burrë të rrallë, me karakter të patundur e vlerësonin edhe personalitete të njohura ndërkombëtare.
Duke qenë zemërluan dhe burrë i pajtimit, Baca ua kishte falur të gjithë atyre, që në rrethana të caktuara, kishin qenë të detyruar ta dënojnë veprimtarinë patriotike të tij. Para gjashtë dekadave kishte shkruar: “Jo atyre që janë trima të ngrehin gishtin e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit”.
Kurrë nuk krijoi parti politike. Kurrë s’u bë anëtar i asnjë partie politike dhe kurrë nuk votoi për asnjë parti politike. Ishte asnjanës dhe i pavarur. Ishte institucion. I takonte kombit, pra tërësisë dhe jo pjesës. Nuk dinte për konformizëm, as për oportunizëm. Ishte për respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë. Për ShBA-në thoshte “mikja jonë e madhe”. Po kështu edhe për Evropën Perëndimore. Dënonte pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftëra të huaja, që s’kishin asgjë të përbashkët me shqiptarinë. Neveritej kur dëgjonte dikë të thotë se shqiptarin katolik s’e kam vëlla. Vëlla e kam arabin mysliman.
Kishte mendim kritik ndaj abuzimeve në lëmin e politikës dhe në shoqëri. Ishte i drejtpërdrejtë. Duke qenë një autoritet i pakontestueshëm dhe njeri me integritet, i stigmatizonte mbartësit e shpërdorimeve në të gjitha fushat e jetës, pavarësisht në ishin politikanë, oligarkë, profesorë universiteti apo akademikë. Shpeshherë i kritikonte edhe kancelaritë evropiane për vendimet që i shmangeshin të vërtetës dhe drejtësisë, apo për ledhatimin e Serbisë.
Ishte për forcimin e lidhjeve midis Shqipërisë dhe Kosovës, madje në të gjitha fushat – në politikë, në ekonomi, në tregti, në turizëm, në dogana, në kulturë, në arsim, në shëndetësi, në sport.
Bacë Ademi, në dejtë e të cilit rridhte gjak iliri, gjatë gjithë jetës së tij, eci rrugës së rilindësve tanë të mëdhenj. E lartësoi kombin sa Nënë Tereza dhe Ismail Kadareja. E ka vendin në krye të historisë së kombit. Ai është historia vetë. Historia e këtij kalorësi të paqes është e histori e Kosovës, histori e kombit shqiptar. Jeta e tij prej një stuhie pa mbarim mbetet burim i pashtershëm për brezat. Ka pasur të tillë që e kanë quajtur shqiptari më i madh i shekullit.
Me qëndresën epike të tij në kufij të legjendës, gjithmonë përballë rrufeve përvëluese dhe uraganeve vrastare bizantine, Demaçi u shndërrua në metaforë të rezistencës, të luftës për liri dhe për bashkim kombëtar. Ai, përballë stuhive të kohës, si një mal i vetmuar, i patundur qëndroi. Një sakrificë sublime të tillë për mbrojtjen e vatrave stërgjyshore e hasim vetëm në vargjet e Gjergj Fishtës.
Ky martir i lirisë me energji të pashtershme, me flijimin e vet deri në vetëmohim, u ngjit në panteonin e lirisë.
Vdekja e kishte humbur rrugën e saj në jetëshkrimin e tij zulmëmadh. Në çastin që mbylli qepallat, edhe sytë e Sharrit, si dy lot të mëdhenj kishin ngrirë.
Adem Demaçi, ky Promete i botës arbërore, vdiq për të mbetur i gjallë ndër ne, për të qenë i pavdekshëm dhe i përjetshëm, siç jeton ndër ne, i pavdekshëm dhe i përgjithmonshëm – Gjergj Kastrioti.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura