Shkup, 29 shkurt 2020: Komedia klasike greke, pas tragjedisë, është degëzimi i dytë i poezisë dramatike. Paraqitja e komedisë ndërlidhet me kultin e perëndisë së vreshtit dhe të rrushit, Dionisit, të cilit i faleshin, sidomos fshatarët. Për nder të tij organizoheshin festat dionisiane në të cilat këndoheshin këngë gëzimi, këngë demaskuese, satirike dhe tallëse.
Komedia klasike greke ka njohur mbi 150 autorë me rreth 900 komedi nga të cilat kanë mbetur vetëm emrat, titujt dhe fragmente të shkëputura.
I pari që shkroi pjesë komike me bazë mitologjike ishte Epiharmi. Ky lindi në Sicili në një koloni greke. Veprimtarinë letrare e zhvilloi në vitet e fundit të shekullit VI para K. Shkroi rreth 40 komedi prej të cilave kanë mbetur vetëm fragmente. Komedi shkroi edhe Eupolidi i cili në komeditë e veta demaskoi plagët e shoqërisë së kohës. Me satirat e veta sulmoi njerëzit të cilët me demagogji synonin të nxirrnin përfitime vetjake. Komeditë e këtilla gjetën hapësirë të përshtatshme në një kohë kur ishte i gjallë interesi i qytetarëve për problemet politike dhe shoqërore. Më vonë, kur qyteti-shtet – Athina filloi ta humbë fuqinë e dikurshme, edhe komedia shkoi drejt rënies.
* * *
ARISTOFANI – Më i madhi ndër komediografët ishte Aristofani. Lindi në Athinë diku nga viti 445 para K. Krijoi në kohën kur filloi të ndihej kriza ekonomike dhe ideologjike në strukturën e shtetit demokratik skllavopronar. Shprehje e gjallë e krizës nëpër të cilën kalonte Greqia, ishte lufta e Peloponezit ndërmjet Athinës dhe Spartës që shpërtheu në vitin 431 para K. për të përfunduar në vitin 404 para K. Ishte një luftë ku greku luftoi kundër grekut. Aty nga fillimi i luftës, Athinën e pllakosi edhe epidemia e murtajës e cila shfarosi një të tretën e popullsisë.
Ky realitet historik me shumë trazira, u pasqyrua me forcë të madhe goditëse në komeditë e Aristofanit. Me një satirë të fuqishme, demaskoi përfaqësuesit e padenjë të shtetit të cilët fshiheshin pas parullave demokratike. Këtu bënin pjesë nëpunësit që grabitnin arkën e shtetit, demagogët të cilët për qëllime të veta politike mashtronin popullin, oratorët e shitur apo mercenarë, njerëzit që hiqeshin si filozofë e që s’kishin ide filozofike të mirëfillta. Vepra e komediografit të madh merr në shënjestër edhe degjenerimin moral të shoqërisë.
Aristofani shkroi 44 komedi. Prej tyre kanë arritur vetëm 11: “Aharnianët”, “Kalorësit”, “Retë”, “Grerëzat”, “Paqja”, “Zogjtë”, “Lisistrata”, “Thesmoforiet”, “Bretkosat”, “Gratë në parlament” dhe “Pluti”.
Në komedinë “Retë” autori trajton problemin e edukimit të rinisë me normat e moralit tradicional. Fshatari Strepsiad, i rrënuar ekonomikisht nga i biri, i edukuar keq nga e ëma, shkon në “mendimtoren” e Sokratit për të mësuar artin e gënjeshtrës. Plaku kërkon të mësojë mënyrën sesi të mos i shlyejë borxhet. S’mëson dot gjë. E dëbojnë nga mendimtorja. Tani e dërgon të birin. Ky ia del t’i përvetësojë mësimet. Aftësohet për t’i përcjellë duarthatë të gjithë ata që i trokitnin në derë për t’ia kërkuar borxhet. Më vonë djali e rreh të atin dhe kërcënon të ëmën. I zhgënjyer nga ky lloj edukimi i të birit, Strepsiadi shkon dhe i vë zjarrin mendimtores së mallkuar. Komedia përshkohet nga një ironi e hollë qesëndisëse. Sipas Aristofanit, doktrina filozofike e Sokratit u ngjan reve që e ndryshojnë formën sipas erërave që fryjnë.
Në komeditë “Kalorësit”, “Aharnianët”, “Lisistrata” dhe “Paqja” autori trajton çështjen e luftës dhe të paqes. I jep një goditje satirike luftës së Peloponezit. Ishte kjo një luftë e gjatë dhe e kobshme për hegjemoni e dominim midis qyteteve-shtete të Greqisë.
Në komedinë “Kalorësit” autori vë në pozitë komike edhe demosin (popullin), i cili, i rrjedhur paksa nga trutë, hiqet për hunde nga demagogë të tillë si Paflagoni, që me gënjeshtra e lajka synon të nxjerrë fitime për vete.
Në komedinë “Paqja” autori flet për fshatarin Trigje i cili rend pas paqes. Ky hipën mbi një brumbull dhe shkon në qiell për të liruar Paqen (Irenën) që luftënxitësit e kishin mbyllur në një guvë. Me ardhjen e paqes në tokë jeta fillon të çelet. Fshatarët e goditur nga pasojat e luftës nisin punën në arat, që për kaq vjet me radhë ishin lënë pa zot. Aristofani rikujton edhe kohët e dikurshme kur njerëzit jetonin në paqe e begati. Evokon me nostalgji kohën e dikurshme plot virtyte e heroizëm.
Komediografi i madh trajton edhe problemet politike. Sulmon furishëm të gjithë shkaktarët e luftës së Peloponezit ku përplaseshin interesat e klasave sunduese të Spartës dhe të Athinës. Shkaktarë kryesorë të luftës ishin demagogët që qëndronin në krye të partive politike. Një prej tyre ishte edhe udhëheqësi i partisë radikale në Athinë – Kleoni. Te Kleoni, autori sheh luftënxitësin dhe mbrojtësin e flaktë të prirjeve hegjemoniste të Athinës në rivalitet me Spartën. Të këtillë e paraqet Kleonin në komeditë “Kalorësit”, “Grerëzat” etj.
Në komedinë “Kalorësit”, tehun e satirës së tij autori e drejton edhe kundër parlamentit të Athinës për paaftësinë e tij për drejtimin e vendit dhe për prirjet luftënxitëse, duke u bërë kështu vegël në duart e demagogëve.
Parlamentin e ka paraqitur edhe në komedinë “Aharnianët”, por tani me ngjyra të karikaturës dhe të groteskut. Duke qenë se burrat u treguan të paaftë për të drejtuar jetën e vendit, tani janë gratë që e marrin fuqinë në parlament dhe bëjnë reforma që synojnë të eliminojnë dallimet sociale dhe t’u vijnë në ndihmë të varfërve. Por, edhe këto reforma mbetën të parealizuara. Nuk ishin veçse një ëndërr e bukur. Gjendja mbeti po ajo që qe.
Aristofani është komediograf thellësisht realist, por shpesh mban edhe qëndrim romantik. Është ëndërrues për të gjetur zgjidhje, qoftë dhe në fantazi apo në mënyrë utopike, për problemet që kanë të bëjnë me fatin e shoqërisë njerëzore. Në këtë frymë i ka shkruar komeditë “Gratë në parlament”, “Zogjtë” dhe “Pluti”.
Në komedinë “Zogjtë” dy qytetarë të Athinës, të pakënaqur nga jeta plot vështirësi dhe padrejtësi, shkojnë të ndërtojnë një qytet midis qiellit dhe tokës për të jetuar ndër zogj që bëjnë një jetë të qetë. Poeti është futur i tëri në botën e fantazisë përmes së cilës vë në lojë një realitet konkret – Athinën dhe qytetarët e saj. Për të nxjerrë fitime, disa prej tyre rendin për në qytetin e ri.
Në komedinë “Pluti” autori trajton problemin e mprehtë të ndarjes së padrejtë të pasurisë si dhe kontrastin e madh ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Fshatari i varfër, Kremili, perëndinë e pasurisë – Plutin, i cili ishte i verbër, e shpie te perëndia e shëndetit – Asklepi, i cili e shëron dhe ia sjell shikimin. Pluti tani i sheh gabimet e rënda që i kishte bërë gjatë jetës, ndaj premton se sot e tutje do të bashkëpunojë vetëm te njerëzit e mirë, punëtorë dhe të virtytshëm. Aristofani i vëren veset e këqija dhe anët e errëta të shoqërisë së kohës, prirjen për t’u pasuruar në çfarëdo mënyre qoftë, pavarësisht nga dëmi që u shkaktojnë të tjerëve.
Me veprat e veta, Aristofani dyzet vjet me radhë e paraqiti pasqyrën e gjallë të jetës politike, shoqërore dhe ideologjike të Athinës midis shekullit V dhe VI para K.
Në komeditë e këtij komediografi më të madh të antikitetit spikatin shpesh nota të një lirizmi të hollë, dashuria për të bukurën, nostalgjia për natyrën e virgjër e të pamolepsur nga prapësitë, puna me djersë e bujkut, kontrasti midis realitetit dhe ëndrrës, midis asaj që është dhe asaj që duhet të jetë.
Për veprën e Aristofanit, poeti dhe eseisti gjerman me prejardhje hebraike Hajnrih Hajne (Heinrich Heine, 1797-1856) thotë: “Vepra e tij është një pemë madhështore ku kacavirren majmunët dhe këndojnë zogjtë”.
* * *
“BRETKOSAT” – Në të gjitha komeditë e Aristofanit, përpos në komedinë “Bretkosat”, trajtohen çështje politike, shoqërore, morale dhe filozofike. Në “Bretkosat” trajtohet problemi i artit dhe i rolit të tij në shoqëri. Vepra u shfaq në vitin 405 para K., kur ende ishte i freskët kujtimi për dy poetët e mëdhenj, Eskilin dhe Euripidin, i cili kishte vdekur një vit më parë.
Në “Bretkosat” të flitet për Dionisin, me kultin e të cilit zuri fill poezia dramatike. Dionisi është i dëshpëruar ngaqë në Athinë nuk po shfaqej ndonjë poet i shquar tragjik. Duke qenë se teatri i Athinës kishte mbetur shkretë, Dionisi vendos të zbresë në botën e përtejme, për të sjellë përsëri në tokë poetin e parapëlqyer të tij – Euripidin.
Ndonëse është perëndi, Dionisi ka frikë të zbresë në botën e të vdekurve: Për t’u treguar trim, vesh lëkurën e luanit që e kishte veshur dikur Herakliu kur kishte zbritur në botën e nëntokës – në Had. Hadi është paraqitur si një vend i qetë, me pijetore, kërcimtarë, furrtarë, mu si në botën e gjallë. Në këtë udhëtim, Dionisi, i shoqëruar nga skllavi i tij Ksantia, takon përbindësh të ndryshëm, skena të frikshme dhe tmerrohet. Takon edhe Eskilin, të ulur në fronin e tragjedisë, të cilin synon t’ia zërë Euripidi. Midis dy poetëve zhvillohet një dyluftim me fjalë, për të argumentuar secili epërsinë e vet ndaj tjetrit. Pas debatit të tyre, Dionisi bindet se Eskili qëndron më lart se kundërshtari i tij. E merr atë me vete për ta bërë zot në skenën e teatrit të Athinës.
Në fillim të udhëtimit të tij që shoqërohej nga kori i bretkosave, nga e ka marrë dhe emrin komedia, Dionisi takon Herakliun, të cilit i lutet t’ia tregojë rrugën për në Had. Me të parë Dionisin të veshur me lëkurë luani, ai qeshën me të madhe. Dionisi i mburret Heraklit, duke i folur për heroizmat e tij, duke i thënë se ka mbytur edhe anije armike. I tregon sesi kur rrinte në anijen e vet dhe lexonte tragjedinë “Andromeda” të Euripidit, një mall i fort ia pushtonte zemrën.
Që këtu nis të shpaloset tendenca e Aristofanit për ta vënë në lojë Euripidin. Herakliu e pyet: “Përse të mori malli për Euripidin”? Dionisi i përgjigjet po me pyetje: “Po ty …të ka marrë malli ndonjëherë për lakra”? Me “mallin për lakra” Aristofani ironizon me Euripidin, i cili, sipas gojëdhënës, ishte bir i një shitëseje perimesh.
Dionisi i zhgënjyer nga poetët tragjikë që ishin gjallë, i thotë se do të shkojë poshtë në Had për ta marrë me vete Euripidin. Në rrugë e sipër, Dionisi dhe skllavi i tij Ksantia arrijnë në ferr në pallatin e Plutonit. Rojtari i tij, Eaku, me të parë Dionisin, pandeh se është Herakliu, ndaj i vërsulet. Ksantia kënaqet kur e sheh padronin e tij të hajë dru. Dionisi përpiqet t’ia bëjë me dije rojtarit se është perëndi, se është Dionisi, i biri i Zeusit. Rojtari e pyet skllavin në janë të vërteta pohimet e tij. Ky i përgjigjet: “Më për këtë duhet të hajë dru, madje pak e ka. Po qe hyj, dhembje s’do të ndjejë”.
Me këtë situatë komike autori duket sikur synon të shpërfillë paprekshmërinë e perëndive. Përmes komizmit zbulon kontrastin midis asaj që thonë dhe asaj që janë në të vërtetë. Rojtari sërish i mëshon perëndisë së vreshtit dhe të rrushit dhe e pyet në i dhemb. Ky ia kthen: “S’ndjeva dot gjë”. Rojtari: “Po ç’janë këta lot”? Dionisi: “Ndjej erë qepësh”. Tani rojtari ua mëshon të dyve: edhe Dionisit edhe skllavit të tij – Ksantias. Por, edhe skllavi hiqet sikur s’ndjen dhimbje. Atëherë rojtari, Eaku bën be për hyjneshën Demetra, duke thënë se nuk ia del dot të mësojë se cili prej këtyre dyve është perëndi. Më në fund, që të dy i fton të hyjnë në pallat në mënyrë që dilemën ta zgjidhin Plutoni dhe Persefona.
* * *
Në pjesën e dytë të komedisë bëhet fjalë për problemin e artit dhe për rolin e tij në shoqëri. Nis një diskutim i gjatë. Çdo krijues letrar mbron veprën e vet dhe i shpalos të metat dhe mangësitë e tjetrit. Në të vërtetë, kjo pjesë e “Bretkosave” është një shkrim i çmuar i kritikës letrare që sapo kishte filluar të hedhë hapat e parë në shekullin V.
Si pikënisje në këtë debat letrar, dy poetët pranojnë mendimin se arti duhet t’i edukojë njerëzit. Çdonjëri prej tyre përpiqet të provojë epërsinë e vet ndaj tjetrit. Duke qenë se debati zhvillohet pa gjetur zgjidhje, atëherë Dionisi kërkon që fjalët dhe vargjet t’i vënë në peshore për të parë se vepra e kujt peshon më tepër. Peshorja anon herë nga njëri, herë nga tjetri, por më shpesh nga Eskili. Deshi s’deshi, Dionisi e merr autorin e “Prometeut të mbërthyer” për ta kthyer në botën e të gjallëve.
Me konservatorizmin e vet, Aristofani ishte kundër risive që kishte sjellë Euripidi në skenën e teatrit grek. Tek Euripidi vërejmë prirjen për të sjellë në vepër gjërat që ndodhin në jetën e përditshme, gjërat që i jetojmë, prirjen për t’i ulur heronjtë në nivelin e njerëzve të zakonshëm, me virtytet dhe dobësitë e tyre.
Aristofani nuk mund ta përfytyrojë rolin edukues të tragjedisë. Heronjtë tragjikë, sipas tij, janë figura vigane dhe monumentale. Për babanë e komedisë antike – Aristofanin, poet i skenës heroike është babai i tragjedisë antike – Eskili.
Postime të Lidhura
HALIL HAXHOSAJ: BOTA MAGJIKE E ËNDRRAVE SHQIPTARE
Prishtinë, 08. 10. 2014: Kam përballë antologjinë e dhjetë poeteshave të talentuara shqiptare, ëndërrimtare dhe dashamire të poezisë.…
DR.ROVENA VATA (ALBANOLOGE): ‘NGA PREMTIMI PËR LIBËR TË HAPUR, PËR BASHKËKRIJIM AUTOR-LEXUES-ROMANCIER’ (STUDIM SHKENCOR DHE NARRATOLOGJIK I ROMANIT ‘LOJA E FITUAR’) – NGA SHKRIMTARI DARIO REXHOLLARI
Tiranë, 05. 11. 2014 – (“Jeta është një ndër mësuesit më të këqinj… por njëkohësisht dhe më të…
LETËRSIA GOJORE NË LABËRI DHE FORMAT RAPSODIKE TË TË SHPREHURIT TË SAJ
LETËRSIA GOJORE NË LABËRI DHE FORMAT RAPSODIKE TË TË SHPREHURIT TË SAJ Nga MSc. Albert HABAZAJ 1. Letërsia…
MUHARREM ABAZAJ: TË NJOHIM GJUHËN E LASHTË SHQIPE, PELLAZGJISHTJA BËHET GJUHË FLEKTIVE
Tiranë, 23 tetor 2018: Dalja e emrit gjuhë shqipe Gjatë gjithë ekzistencës së saj disa mijravjeçare pellazgjishtja ruajti…