PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (5)

Pashtriku.org, 25. 04. 2015 – (Shqiptarët nuk lejoheshin të hynin në hotele e restorante) – Edhe në nivelin shoqëror shqiptar janë viktima dalluese nga ana e elementit sllav. Ata ndalohen shpesh herë të hyjnë në hotele, restorante apo vende dëfrimi dhe përbuzën, si një racë më e ultë , si e theksoi edhe Zotëri. P. Moulton Mayer, gjatë një vizite që bëri në Kosovë dy vite më parë. Sipas burimeve zyrtare përfundimi i këtyre masave ka qenë se deri më sot 89.000 shqiptar janë shtrëngua të shpërndahen anë e këndë Jugosllavisë dhe vendin e tyre e kanë zënë 61.000 serbë e malazezë. Ky fakt është pohua nga dy organe zyrtare të qeverisë jugosllave: Tanjug me 9 nëntor 1963, dhe 7 shkurt 1964, dhe Rilindja (e përjavshme në gjuhën shqipe), më 24 maj 1963 dhe 7 qershor 1963. Përveç kësaj, është theksua zyrtarisht se fushata do të zgjerohet pa marrë parasysh tronditjen që po i shkakton jo vetëm pakicës shqiptare por edhe krejt ekonomisë së Kosovës.
Kjo ishte pra gjendja të cilën e paraqitët Lidhja Kosovare për shqiptarët që jetonin në Kosovë dhe e ardhmja e tyre imediate. Të dyja janë shumë të zymta. Qëllimi i kësaj fushate, bazua mbi Statutin e ri të shtetit jugosllav, është me e zgjidhë problemin e Kosovës, duke shkombëtarizua 1.500.000 frymë dhe duke kolonizua vendin me elementin sllavë. Që një shkelje e tillë e të drejtave themelore të njeriut, e të drejtës së vetëvendosjes së popujve dhe të drejtave të pakicave të ndodhura në mes të Evropës, në një kohë kur këto të drejta po u jepen popujve ë Azi dhe në Afrikë, është një punë që shkon kundër procesit normal të evolucionit shoqëror e politik të këtij kontinenti. Dhe si e tillë duhet të ndalohet dhe të ndryshohet nga rrënja.

Problemi që ka shkaktua ky dallim etnik i kryer me paramendim, duhet të trondit si Bashkimin Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane ashtu edhe ndërgjegjen e Evropës Perëndimore,prej nga janë shumica e delegatëve në këtë kongres. Ky problem është një mohim i konceptit të dinjitetit njerëzor, mbi të cilën bazohej puna e kësaj organizate. Shkurt, ky është një problem të cilit Bashkimi Federalist nuk ka se si ti shmanget. Duke u përpjekur ti gjejë këtij problemi një zgjidhje njerëzore dhe objektive, delegacioni i “Lidhjes Kosovare” i bënë një thirrje këtij kongresi të aprovoi njëzëri rezolutën cila kërkon që Qeverisë jugosllave ti dërgohet një notë, që denoncon këtë fushatë sistematike të shkombëtarizimit kundër pakicës shqiptare, dhe kërkon ti jepen kësaj pakice po ato të drejta, që gëzojnë edhe pakicat e tjera të Evropës.
E çmojmë se problemi i Kosovës është një nga problemet më të vështira, që kjo organizatë ka përballua deri më sot. Mirëpo, vlera dhe prestigji i saj mund të rriten vetëm duke iu përvesh këtyre problemeve me vendosmëri dhe taktin e duhur dhe duke u qëndrua besnik parimeve themelore, që e frymëzojnë.
Delegacioni i “Lidhjes Kosovare”,i është mirënjohës Bashkimit Federalist për kuptimin e treguam dhe ndihmën e dhanë, si edhe popullit dhe qeverisë së Gjermanisë Federale për bashkëpunimin e tyre dhe pritjen e mirë që na kanë dhënë të gjithëve. Dhe krejt në fund duhet thënë se referati i përfaqësuesit nga “Lidhja Kosovare” u prit me duartrokitje të shumta nga të pranishmit.
GAZETA “PËRPJEKJA KOSOVARE”, NR. 14, VAZHDON ME TRAJTIMIN E TEMAVE NGA KOSOVA E ROBËRUAR NR. 14
Organi kryesor i organizatës politike atdhetare “Lidhja Kosovare” “Përpjekja Kosovare”, nr. 14, edhe më tej trajton tema nga më të ndryshmet nga trojet e robëruara nga ish-Jugosllavia.

Numrat 14 e 15 i kisha sigurua rastësisht,duke biseduar me zotëri Emin Fazliun, atdhetar i shquar, i cili me një përkushtim të madh kishte mbledhur dhe grumbulluar çdo dokument, çdo shënim dhe çdo gazetë që kishte trajtua çështje nga Kosova, Maqedonia, nga Mali i Zi dhe nga të gjitha vendet ku jetonin shqiptarët, dhe tani në shtëpinë e tij ka një koleksion shumë të pasur nga të gjitha këto.
Buletini “Përpjekja Kosovare”, ishte një gazetë që ishte botuar në Parisë, nga atdhetar të devotshëm. Zotëri Fazliu më huazoi vetëm dy numra të gazetës së shumë kërkuar numrin 14 e 15 të tyre.
Gazeta “Përpjekja Kosovare”, nr. 14. në bazë të të dhënave që ekzistojnë në faqet e saja, është botuar me 15.10.1973, në Paris.
Faqes së parë apo më mirë të themi në kopertinë është e skicuar harta e Shqipërisë Etnike por padrejtësisht e copëtuar nga Fuqitë e Mëdha. Po ashtu është e prezantuar shqiponja dykrenore por në sfondin e zi. Nuk dijë se autoret kur e kanë miratua që ta botojnë gazetën me këtë kopertinë a kanë pas ndonjë mesazh të caktuar në këtë.
Numri i 14 i gazetës, hapet me një poezi të shkëlqyeshme që i kushtohet Kosovës, por si të gjitha revistat tjera të ilegales, edhe kjo vazhdon traditën e tyre të mëhershme dhe nuk shkruan në asnjë shkrim emrin e vërtet e as ndonjë pseudonim të caktuar.

Autori me një dashuri dhe me një mall të pashuar Kosovën e quan “Gjymtyrë të Atdheut” dhe e ngrit ne majat më të larta me virtytet që kanë shqiptaret në atë pjesë të quajtur “Gjoks të Shqipërisë” si “ O tokë e bukur ku fjala burrneshë ilire ushton qysh me mjegull gojdhane! Gjoks i Shqipnisë, ku e ndrymë si luaneshë ndër hekura gjëmon zemra Dardane.” Dhe, nga një pesimizëm dhe nga një dëshpërim i madh nga padrejtësitë historike, autori i poezisë vije duke iu shtuar besimi në realizimin e drejtësisë dhe këndon: “Andej na priret shpirti i fortë me hove, t’dalldisuna ngadhënjimi, ushton jehona: O vllezën, nalt ju ballin! Prej Kosove der n’Çameri Shqipnija asht gjithë e jona”. Përfundim i përkryer nga dora e një mërgimtari që ka dhe dëshiron Shqipërinë në kufijtë e saj etnik.
Veç shkrimeve poetike, në të kryesisht përfshihen dhe trajtohen temat e nxehta politike nga Kosova, por edhe aktiviteti i madh i organizatës “Lidhja Kosovare” që vepronte jashtë trojeve shqiptare.
Informata të vlefshme për mërgatën
Në mesin e shkrimeve vend të rëndësishëm zë edhe informata që e jep Komiteti Qendror i Lidhjes Kosovare, që në mënyrën më të drejt dhe më demokratike njofton anëtarët e saj se Lidhja Kosovare po organizon dhe do të mbaj Kongresin e saj: Kongresi i Lidhjes Kosovare në Chicago të Amerikës (kumtesë), njoftonte anëtarësinë e vet se: “Komiteti Qendror i Lidhjes Kosovare lajmon se me 24 dhe 25 të Vjeshtës së Tretë, 1973, ka me u- mbledhë Kongresi i Lidhjes, në Chikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në kongres kanë me marrë pjesë përfaqësuesit e kësaj organizate si edhe personalitete të botës politike shqiptare edhe miq të huaj”. Në këtë informatë, Komiteti Qendror informon anëtarët e saj se “Kongresi i 22-të i Federatës së Komuniteteve Ethnike Evropiane, ku banë pjesë edhe Lidhja Kosovare, ishte mbajtur me 24-27 maj të vitit 1973 , në qytetin St. Malo të krahinës së Bretagne-s të Frances.

Në vazhdim të shkrimit na prezantohen të dhëna të rëndësishme për pjesëmarrjen e Lidhjes Kosovare dhe delegacionin e saj të përbërë prej 15 vetash të kryesuar nga Përndershmi Hafiz Jusuf Azemi, i cili njëherë edhe ishte anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare. Veç z. Hafiz Azemit, anëtarë të delegacionit ishin edhe: z. Kadri Bajram Gashi, nga SHBA, Rexhë Gashi dhe Halil Hysenaj nga Franca , si edhe të tjerë nga Belgjika, Gjermania e Zvicra.
Në revistë, na ofrohen edhe shumë të dhëna për e 22-të dhe mbarëvajtjen e punëve në të. Në vazhdim thuhej se Kongresi kishte filluar punët para dite, me 24 maj, 1973, nga kryetari i Federatës, senatori Volgger i Pakicave Austriake në Itali. Në kongres fjalën e kishin marrë edhe shumë personalitetet të tjera të rëndësishme për komunitetet evropiane si Kryetari i Bashkisë së St. Malo-s, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, z. Skadegard, si edhe disa profesor për çështje të pakicave. Kongresi punimet i kishte vazhdua edhe pas dreke të asaj dite. Ndërsa ditën e shtune (25 maj), delegatet bënë vizita në disa pjesë të Bretagne-s dhe në fund të ditës shikuan një program të pasur artistik.
Ndërsa, me 26 maj në kongres u bënë propozimet dhe zgjedhja e zyrtarëve të rinj. Kryetar u zgjodh Z. Jorgensen, përfaqësues i Danezëve të Gjermanisë, Sekretar i përgjithshëm u zgjodh përsëri Z. Skadegard .
Duhet cekur se nga raportet e grupeve që merrnin pjesë në kongres u lexua vetëm raporti i Lidhjes Kosovare, që kryesisht ishte i drejtuar kundër burgosjeve të shumta që bënte pushteti jugosllav ndaj shqiptarëve. Dhe duke u nisur nga këto të dhëna tmerruese, nga të pranishmit u vendos që Sekretaria e Përgjithshme e kongresit të ndërhyjë te qeveria jugosllave për të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë. Po ashtu u vendos që edhe shumë anëtarë të kongresit në mënyra private të ndërhyjnë në shtetet e tyre për arrestimet e shqiptarëve në shtetet e tyre, ku nënkuptohej që dorë kishte pasur më herët qeveria jugosllave si në Danimarkë e Suedi.
Nga të dhënat që kemi vijmë në përfundim se delegacioni nga Lidhja Kosovare ishte shumë aktiv në kongres sa në fund u arrit që të gjithë delegatëve t’iu shpërndahet raporti dhe nga një hartë e Shqipënisë Etnike.
Prezantimi i tmerreve të pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve
Në vazhdim të shkrimit do iu prezantojmë raportin që paraqiti delegacioni i LK, në Kongresin e 22-të FKEE.
Delegacioni shqiptar që merrte pjesë në kongres veç tjerash mendonte se LK mund të llogaritej pa hezituar si njëra ndër themelueset e Bashkimit Federalist të Komuniteteve Evropiane. Kjo organizatë njëherë njihej edhe si bashkëpunuese e mirë me të gjitha grupet që janë anëtare të kësaj Federate dhe çdoherë ka qenë konstruktive në debatet që ka bërë dhe çdoherë ka qenë në anën e linjës së drejt të saj.

Lidhja Kosovare në mënyrën më të drejtë dhe më konstruktive, me argumente e fakte para kongresit çdoherë ka bërë prezantimin e gjendjes së shqiptarëve nën okupimin jugosllav, e në mënyrë të veçan ka bërë krimet dhe burgosjet e shqiptarëve në Republikën Socialiste të Maqedonisë. Për të vazhduar më tej referuesi i delegacionit se “Thëniet tona për gjendjen e mase dy milion Shqiptarëve në Jugosllavi kanë qenë vërtetua gjithnjë me fakte edhe kanë qenë pranua si të vërteta dhe të besueshme”.

Nga ana e delegacionit kosovarë u përmend rasti i dy bujqve shqiptar, që kishin dal para gjyqit dhe u dënuan me shumë muaj burg si: Sadush Velija dhe Rexhep Nuredini, nga Dobrosha e Maqedonisë, të cilët gjykatësit maqedonas në Shkup, me 20 të Vjeshtës së Dytë, 1972, se kishin marr pjesë në Kongresin e 21-të të BFKEE, në Karlstad të Suedisë, më 19-22 të majit 1971 .
Nga foltorja e kongresit, përfaqësuesi i grupit të delegacionit nga Lidhja Kosovare, kërkonte që ti përkrahmi ata, bijë të shqipes, që në momentin kur kishin hyrë në kongres e kishin të qartë se qarqet shoviniste jugosllave kurrë nuk do ti falnin dhe në rastin e parë do i dënonin. Dhe ndodhi kështu, thoshte përfaqësuesi duke iu kujtua të pranishmëve të kongresit se “Këta qenë anëtar të dërguarës së Lidhjes Kosovare, në atë kongres edhe ju zotni delegat, i keni njoftua edhe keni fol me ‘ta dy vjet më parë. Ata ishin vullnetar të guximshëm që morën pjesë në atë Kongres edhe vunë në rrezik lirin e tyre. Edhe sot, kurse ne, në Botën e Lirë, përpiqemi për të drejtat e pakicave kudo që të jenë, ata të dy vuajnë në burg, vetëm pse guxuan të marrin pjesë në Kongresin tonë! “Krimi” i tyre është se guxuan të përpiqen për të drejtat fillestare të njeriut! thotë referuesi.
Gjendja politike në Ish-Jugosllavi
Në pjesën e referatit “Gjendja e tanishme”, rëndësi të veçantë i kushtohej situatës politike në Jugosllavi, por me theks të veçantë ndaleshin në pjesën shqiptare të quajtur Kosovë.
Siç dihej vlimet politike që kishin përfshirë Kroacinë, delegacioni kosovar vinte në përfundim se ato kishin përfshirë edhe tokat shqiptare ku jetonin shqiptaret. Dhe thuhej në referat se tri qendrat që nuk e durojnë dot, robërinë në Jugosllavi janë: Kroatet, Shqiptaret (në Kosovë) dhe Hungarezet në Vojvodinës .
Në referat vinin në përfundime shumë të rëndësishme dhe tejet interesante se Titoja duke u shqetësuar nga mosha e shtyrë që po kalonte dhe duke u bindur për çdo ditë se Federata Jugosllave të cilën e kishte formua dhe rregullua ai vet, me gjasë nuk po tregonte se edhe më tej do të qëndronte si një e tanë. Dhe se përpjekjet e tij për me e vu partinë komuniste mbi kombin që nuk ekzistonte dhe që ishte iluzore një mendim i tillë, dhe tentimi për me i lidhë sa më ngushtë popujt në baza ideologjike ishte i kot. Dhe thoshte referuesi se ndonjë person apo gazetar i nxituam doli edhe me tezën se eksperimenti i Titos doli i suksesshëm, por më vonë u dëshmua se ishte i gabuar, se bashkëjetesa me dhunë në mes kombesh e grupesh të ndryshme që përbënin Jugosllavin dolën krejt ndryshe. Manifestimi i shpeshtë i pakënaqësive që shprehen në mes Kroatëve e Serbëve dhe në mes Shqiptarëve e serbëve dëshmojnë se në mes tyre nuk mund të ketë edhe “bashkëjetesë” të gjatë.

Lidhja Kosovare njofton të pranishmit se Krahina e Kosovës ndodhet në Republikën Serbe, kurse krahinat e Shkupit, të Dibrës, Manastirit, Resnes dhe Tetovës, të banuara me shqiptar, gjinden të ndara në republikën e Maqedonisë, edhe pjesë të tjera krahinash shqiptare gjinden në republikën e Malit të Zi, me gjithë se popullsia malazeze nuk asht as sa një e katërta e popullsisë shqiptare. Në Jugosllavi situata është asisoj sa dy milion shqiptar nuk janë marr as parasysh që të kenë së paku një republikë të vetën, por se me prapaskena e dhunë politike e me gjenocid të paparë janë ndarë e copëtuar në tri republika jugosllave. Po ashtu edhe partia komuniste e Kosovës u shtrëngua me u kënaq me një krahinë “autonome” brenda në Republikën Serbe.
Vizioni i Lidhjes Kosovare, më vonë u dëshmua se ishte i saktë, se në atë kongres doli se ata që do ta pësojnë më së rëndi pas vdekjes së Titos, thanë se do të ishin kosovaret, të cilët qe 60 vite jetojnë të robëruar në atë shtet. Nga gazeta “Përpjekja Kosovare” del mesazhi që bota duhet me kohë t’a kuptonte se nuk mund të ketë paq të qëndrueshme në Evropë, derisa pakica shqiptare aq e madhe dhe aq e rëndësishme të mos bashkohet me Kombin e vet, prej të cilit janë ndarë me pahir”
Prezantimi i arrestimeve të shqiptarëve
Gazeta, veç programit dhe platformës politike të organizatë, ajo në faqet e veta bënte edhe prezantimin e arrestimeve të shqiptarëve që ndodhnin nga udbashët në Jugosllavi. Të dhënat që i ofron gazeta kryesisht janë të grumbulluara nga shtypi jugosllav që i jepte kohë pas kohe. Ndërsa gazeta e Shkupit, (por nuk cekët se cila gazetë), më 21 tetor 1972, ofron këto të dhëna:
Rexhep Nuredini dhe Sadush Velija u gjykuan nga Gjykata e Shkupit, sepse kanë marr pjesë në Kongresin e Bashkimit federal të Komuniteteve Etnike Evropiane në Karlstad të Suedisë, më 19-22 maj 1971. Gjykata e dënoi Rexhep Nuredinin me tri vjet e gjysmë burg të rëndë dhe Sadush Veliun me dy vjet burg të rëndë
Për të vazhduar me komentimet që i japin gazetat jugosllave se , policia jugosllave edhe pas këtij viti po përdor dhunë e terror si në kohën e Rankoviqit, gjoja për të shtrënguar shqiptarët që ti dorëzojnë armët. Për të shpëtuar nga torturat që aplikonin udbashët, ata janë të detyruar që të blejnë armë në tregun e zi ku i shesin serbët dhe maqedonët, pastaj po të njëjtat t’ia dorëzojnë policisë. Vetëm në muajt e fundit të vitit 1973, janë rrahur e malltretuar në fshatrat e rrethit të Tetovës këta qytetar: Ilmi Nuhiu, 37 vjeç, Rushit Rushiti, 39 vjeç, Arun Osmani, 27 vjeç, Nafi Shabani, 27 vjeç, Estref Rushiti, 30 vjeç, Ixhet Sylejmani, 24 vjeç, Aqif Adili, 24 vjeç, Bexhet Bexheti, 24 vjeç, Jashar Jashari, 45 vjeç, Mefail Radusha 35 vjeç shkruan gazeta.

Ndërsa sipas gazetës “Rilindja” që botohej në Prishtinë, botua me 27 prill, 1973, në komunën e Serbicës (Skenderaj), thuhej se është organizua një mbledhje e Partisë Komuniste serbe, dhe aty është kritikua ashpër udhëheqësit komunist shqiptarë në Kosovë, gjëja se nuk i kanë përkrahur vendimet e Mbledhjes së Katërt të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për të përjashtuar udhëheqësit kroat. Në gazetë cekët emri i njërit nga shqiptarët që kishte vend të rëndësishëm në administratën e komunës, por që ka rrezik të humbi atë vend, duke e përjashtuar nga Partia Komuniste, por shtrohet pyetja se a do të përfundoi me kaq, poçes merren masa partiake ndaj Musli Tahirit.
Artikullshkruesi komenton se arsyeja që shqiptarët mbajnë anën e kroatëve është se ata janë kundër serbëve të cilët donë të sundojnë tërë Jugosllavinë. Dhe më tej ceket se vetë Titoja kishte cekur në një fjalim të mbajtur me 8 maj të vitit 1973 se në Republikën e Serbisë ka ngre kokë dhe po shfaqet haptas një dëshirë për të sundua dhe po paraqitej i rrezikshëm një shovinizëm i fortë i serbomëdhenjve. Atëherë shtrohet pyetja poqese nuk janë këto element që po manifestohen pse po kapen me kroatët, shqiptarët dhe me kombet tjera që kërkojnë barazi dhe të drejtat e veta në një shtet që i thonë federatë dhe nuk duan me të drejtë të sundohen nga serbet dhe maqedonët.
Në vazhdim jepen të dhëna se në fshatin Ostroc ( në krahinën e Krajës Shqiptare, që ka ngel nën Malin e Zi), kanë dashtë që të festojnë ditën e Flamurit me këngë kombëtare. Por policia posa ka dëgjua e ka ndalua manifestimin. Megjithatë të rinjtë e fshatit, në mënyrë të organizuar dalin në rrugët e fshatit, dhe brohorisin këngë atdhetare dhe parulla të ndryshme si: “Rroftë Liria”, “Poshtë shtypja Komuniste”, “Rroftë Shqipëria Etnike”, “Rroftë Shqipëria e Lirë” . Pas këtij organizimi spontan në formë demonstrate, ka ndërhyrë policia duke i rrahur pjesëmarrësit dhe i ka arrestuar shumë fshatar dhe ende vazhdojnë arrestimet.

Po ashtu, gazeta informon se kohëve të fundit ka fillua një fushat edhe ndaj punëtorëve që janë në vende udhëheqëse, duke i përjashtuar ata nga puna, dhe vendet e tyre për ti plotësua me serb e malazezë të ardhur nga Serbia dhe Mali i Zi. Rasti më i freskët i përjashtimit është se në ndërmarrjen “Higjieno-Teknika” është përjashtuar nga puna drejtori i saj Jakup Mustafa, dhe referenti i higjienës publike Azem Osmani . Gazeta komenton se këto ndryshime bëhen me të vetmin qëllim që punëtorët shqiptar të jenë sa më shumë nën vrojtimin e serbëve dhe malazezëve.
Të dhëna tmerruese jep gazeta kur shkruan se mbi 800 punëtor shqiptar që punonin në minierën e Radushit, që ndodhej në mes të Tetovës dhe Shkupit, janë pushua nga puna. Të gjithë punëtorëve të larguar nga puna nuk iu kanë pagua as rrogat për gjashtë muaj e fundit.
Pushteti jugosllav në barbarin e tij nuk lente pa përfshi edhe klerin mysliman të Kosovës, duke i akuzuar se ata po bëjnë propagandë kundër sistemit dhe Serbisë. Më 14 dhjetor 1972, gazeta “Rilindja” shkruan se hoxhallarët i thërrasin besimtarët duke iu thënë: “Nëse doni t‘i qëndroni besnik Kombit Shqiptar, duhet të mbani kësula të bardha…” dhe athua vallë aq larg kishte shkrua urrejtja ndaj shqiptarëve sa pushtetarëve iu pengonte edhe plisi i shqiptarit.

Në fletoren komuniste të Maqedonisë “Nova Makedonia”, që botohej në Shkup, më 8.12.1972 autoritetet e Tetovës kanë dënua Ekrem Kadrin me 8 muaj burg të rëndë, sepse ky paska pas shkrua vjersha në gjuhën shqipe, pa i thurë lavde komunizmit e sistemit.
Sipas informatave që kishte sigurua “Përpjekja Kosovare” i njoftonte lexuesit e vet, se në Maqedoni përsëri kanë filluar arrestimet ndaj popullsisë shqiptare. Dhe këtë e dëshmon me të dhëna se Gjykata e qarkut në Shkup kishte dënua dy shqiptar nga Gostivari, që njëri ishte profesor në Shkollën Ekonomike, Mexhit Kita, dhe Adem Xhelalin , mësues i shkollës fillore në Gostivar. Ata akuzoheshin se kishin shkruar parulla armiqësore kundër shtetit jugosllav.
Ndërsa njoftimi tjetër bëhej nga Agjencia e Tanjugut dhe gazeta “Rilindja”, ku shkruanin se në Shkup, më 22 janar 1972, ka filluar një tjetër proces gjyqësor kundër gjashtë shqiptarëve, katër prej të cilëve janë studentë të Universitetit të Prishtinës: Rafi Halili, Gafurr Loki, Rushit Nesimi, dhe Elmaz Ademi; dhe dy janë punëtor: Nasuf Dauti dhe Ajet Ademi. Të gjithë këta shqiptar aktakuza i ngarkonte se gjatë dy viteve të fundit kanë shpërndarë në fshatrat e Maqedonisë trakte me përmbajtje armiqësore.

Edhe pse në historinë e popullit të Kosovës, periudha nga viti 1966 njihej si një periudhë më relaksuese, megjithatë, të dhënat që na i ofron gazeta “Përpjekja Kosovare” dëshmon të kundërtën, ngase jeta për shqiptarët në Jugosllavi dita më ditë bëhej edhe më e padurueshme. Sidomos sulmet ndaj popullsisë shqiptare erdhën në shprehje kur Titoja kishte urdhërua që të hapet luftë ndaj çdo gjëje që është nacionaliste, dhe siç pritej grushti më i madh iu dha si gjithmonë shqiptarëve se arsye e pa arsyeje ishte se policia nuk kishte besim në ta. Serbet e malazezet ne këtë periudhë megjithatë përsëri kishin filluar që të merrnin administratën në Kosovë, dhe mu kjo përsëri tek populli shqiptar kishte nxitur pakënaqësinë e madhe.
Derisa në Kosovë situata politike dukej më e qetë. Në Maqedoni dhe në Mal të Zi, kishte fillua një fushat e paparë. Shumë shqiptar në këto dy republika pushteti i kishte arrestua dhe ndaj tyre shprehte mllefin në mënyra e metoda të ndryshme. Ata qëndronin në burgjet hetuese me muaj e vitet të tëra pa iu tregua shkakun e arrestimeve. Kryesisht arrestoheshin shqiptarët që punonin në botën e jashtme si në Suedi, Gjermani, Belgjik, Francë, Holandë e vende të tjera perëndimore. Ata vinin gjatë festave të ndryshme në familjet e tyre, por kishte raste kur më nuk mund të ktheheshin në vendet e punës. Se pasi i arrestonin, iu merrnin pasaportat dhe i fusnin në burg.

Në vazhdim gazeta “Përpjekja Kosovare”, na sjell emrat e disa personave të cilët ishin arrestua në Ulqin, si: Basri Lula, Osman Dibra, Qamil Luli, Ibrahim Pelniku; Në Dibër ishte burgosur: Rexhep Tartaj, korrespodent i gazetës “Rilindja”; Në katundin e Nerashtit të Tetovës por edhe nga katundet tjera u arrestuan: Vahit Merxhani, Aqif Adili, Rasim Elezi, Xhelil Ejupi; Në burgun e Idrizovës gjendën këta persona: Mehmet Gega, Nevzat Jonuzi (34 vjeç), u dënua me 18 muaj burg të rëndë. Fikri Salihu (40 vjeç), u dënua me 8 muaj burg të rëndë, Mustafa Loçi, u dënua me 6 muaj burg të rëndë.
Edhe pse zyrtarisht ishte lejuar dhe kishte fillua punën Universiteti i Kosovës, megjithatë, kryesisht mësimdhënësit që ligjëronin në këtë Universitet ishin nga Serbia dhe qytetet tjera jugosllave, dhe mësimi kryesisht zhvillohej në gjuhen serbishte.

Po ashtu gazeta që botohej nga mërgimtarët tanë në Paris, njoftonte opinionin se Gazeta “Rilindja” që botohej në Prishtinë, me 2 mars 1972, kishte botua protestën e një shqiptari, të cilit nuk i kishin pranua në spitalin e Shkupit, një dëshmi , se arsyeja ishte se ajo ishte e shkruar në gjuhën shqipe. Edhe pse de jure thuhej se dy milion shqiptar i kanë të gjitha të drejtat e barabarta me popujt tjerë që jetojnë në Jugosllavi, e përditshmja shqiptare dëshmon të kundërtën se shqiptaret në vendin e vet nuk kanë të drejt të përdorin gjuhën e tyre në punët zyrtare, edhe pse me kushtetutë iu garantohet një gjë e tillë.
Dhe, krejt në fund të referatit, Lidhja Kosovare i falënderon të pranishmit, që në një mënyrë apo tjetër kishin kontribuar në respektimin dhe të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, po ashtu ata kërkojnë që Kongresi të ndërhyjë për ndalimin e ndjekjeve, arrestimin dhe dhunën që përdorej ndaj shqiptarëve. Duke iu falënderua atyre thuhej se jemi të sigurt se Bashkimi Federalist i Komuniteteve Etnike Evropiane nuk ka me i kursye përpjekjet e veta për qëllime fisnike.
Jehona e shtypi për mbajtjen e kongresit
Organizimit dhe mbajtjes së kongresit të Lidhjes së Kosovare në shtypin ilegal që botohej jashtë Kosovës i kushtohej rëndësi e veçantë në shtypin e organizatave të tjera ilegale.
Fletorja “Flamuri”, i cili ishte organ i Ballit Kombëtar, më 3 tetor 1973, njofton opinionin e gjerë se: Në këtë nëntuer do të mblidhet në Chicago të Amerikës, Kongresi i pritun i Lidhjes Kosovare. “Kjo organizatë irredentiste duel në sheshin ndërkombëtar në vjetin 1957, në mbledhjen qi bani në Bolzano të Italisë, Bashkimi Federalist i Komuniteteve Etnike Evropiane. Në këtë kuvend u ba i njohun edhe çështja e Kosovës në robërin Jugosllave! Atëherë ishte koha, kur 50.000 mijë kosovar ishin pushkatua a djegë të gjallë, kurse sa e sa vetë kishin vra nëpër tortura të tmerrshme. Ndërsa ndaj grave e vajzave kishin bërë ç’nderime të shumta. Ishte koha kur ministri i brendshëm serbë Aleksandër Rankoviq u thoshte me përbuzje korrespodentëve të huaj në Beligrad se : Këtu nuk ka shqiptar, por ka shiftar! Një racë ndoshta e zbritun nga hana”
Këtë lëvizje sipas fletores “Flamuri”, u formua nga ata që luftuan për lirin e Kosovës kundër nazizmit, kundër fuqive të Mihajlloviqit, i cili fitoi nishanin e mizorisë duke vra në Bihor mbi 5000 kosovar, sytë e nxjerr të tyre u dërguan me arka në Tiranë- kundër fuqive komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga kjo përpjekje titanike, në një kohë të errët, kur nuk shihej shpresë a përmirësim, duel në sheshin kombëtar dhe ndërkombëtar çështja e Kosovës Shqiptare. Kjo “çështje” jetësore u vu në peshën e luftës civile me komunistët në atdhe nga Balli Kombëtar, dhe po kjo “çështje” u ndihmua në mërgim me gjithë shpirt prapë nga Balli Kombëtar.

Në vazhdim, për këtë shkruan gazeta se, për përkrahjen që i japim Lidhjes Kosovare shumë shqiptar na kritikojnë pse po interesohemi për një pjesë të kombit që është nën robërinë e sllavëve. Por thonë ata se me këtë, ata persona që drejtojnë gishtin nga ne, dëshmojnë se ende nuk janë bë shqiptar. Dhe ata që ende nuk janë bë shqiptarë dëshmojnë se nuk munden me i shërbye akoma Kosovës. Prandaj thuhej në shtyp, kjo është edhe arsyeja që në këtë kohë kanë lindur edhe disa aborte politike: “Me e ba Kosovën shtet më vete”, dhe pyesin ballistët pse athua se nuk i përkasin të njëjtit komb, ose “me u kënaq për “autonominë” që i dha Beligradi Kosovës pakë vjet ma parë”
Sipas shkrimit të prezantuar, thuhej se për çdo ndryshim të vogël që ka ndodhë në të mirë të shqiptarëve, duhet gjithsesi falënderuar organizatave ilegale që vepronin në Kosovë, por edhe atyre që me këmbëngulje punojnë dhe angazhohen me të madhe në emigracion si: Lidhjes Kosovare, Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë” dhe “Ballit Kombëtar”. Këto ishin ato organizata që në mënyrë të pareshtur sensibilizuan dhe propaganduan çështjen e pazgjidhur shqiptare në Kosovë, dhe kjo çështje fal angazhimit të tyre u bë temë trajtimi në çdo tryezë ndërkombëtare dhe duke i bindur ata se gjysma e popullsisë shqiptare është e robëruar dhe bëjnë një jetë të padurueshme prej robi.
Ndërsa më 1959, në Kongresin e Bashkimit Federalist në Aosta, përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, të pranishmëve iu drejtua me këto fjalë :” Ndërsa ju, zotni kongresist, qani hallin e ndonjë pakice dhe kërkoni të drejtat e mohuara, na kërkojmë gjysmën e Kombit! Nuk ka as një vend në Evropë si Shqipnija, qi e ka të cungueme gjysmën e trupit kombëtar!”

Gjendja politike në Kosovë përmirësohej dukshëm pas demonstratave studentore e qytetare që ndodhën më 1968, në të gjitha qytetet shqiptare në Jugosllavi si në : Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Tetovë, dhe falë të gjithë atyre vajzave e atyre djemve që një ditë nëntori shpalosën flamurin kombëtar- flamurin e lirisë për të rënë në ballë të tyre.
Veç gazetës” Përpjekja Kosovare”, udhëheqësit e organizatës politike “Lidhja Kosovare”, u angazhuan që të botonin edhe libra të rëndësishme nga historia e jonë e lavdishme. Një libër të tillë e botoi Lidhja Kosovare, si “Kosova- Djep i Shqiptarizmës”, nga autori Hamit Kokallari. Me një parathënie të shkruar nga prof. Abas Ermennji. Poashtu u botuan edhe disa numra të gazetës “Përpjekja Kosovare”.
U botua në vëllimin ALBANIA, një studim i mirë për Kosovën nga prof. Ibrahim Kelmendi, që zgjoi interesimin, si të shqiptarëve po ashtu edhe të të huajve.
Pastaj u dërguan ankesa, letra, telegrame gati të gjitha kancelarive në botë
Me anën e tyre u fituan shumë miq të vlefshëm, sidomos në Amerikë, të cilët më vonë u angazhuan për çështjen e Kosovës.
Çka do të thotë fjala “Kosovë”…
Edhe më parë në shumë shkrime të shtypit ilegal kam hasur se çfarë thotë fjala “Kosovë” për shqiptarët. Po të njëjtën domethënie e kam hasur edhe në shkrimin e gazetës “Përpjekja Kosovare”, e cila trajton në mënyrë më të argumentuar termin “Kosovë”. Në faqet e saja ajo shkruan se ne shqiptaret kudo që ndodhemi jashtë e brenda tokave shqiptare, Kosovë nuk e quajmë vetëm Fushë Kosovën, por me këtë termë kuptojmë të gjitha ato pjesë të tokave shqiptare të Shqipërisë Etnike që traktatet ndërkombëtare i kanë njohur Jugosllavisë. Domethënë, me emrin “Kosovë” përmbledhim edhe pjesën e Maqedonisë shqiptare, Rrafshin e Dukagjinit, si edhe krahinat shqiptare në Mal të Zi me qytetet bregdetare Ulqin e Tivar.
Këto krahina ku raca shqiptare ka mundur të qëndroi e të mbahet në kohët e vjetra ishin të gjitha atdheu i Ilirëve. Ana e Kosovës quhej Dardania pse banohej prej Dardanëve, një fis ilir i shëndosh e i fortë, që mbahej si shtyllë në mesin e Ballkanit dhe që iu patë dhënë perandorët më të mëdhenj: Konstantinin e Madhë-Romës, dhe Justinianin e madh- Bizantit.

Në po të njëjtin shkrim, autori i shkrimit bënë thirrje dhe bënë apel, duke iu drejtua : Shqiptarë! Kosova për ne nuk është një tokë e huaj që duam të pushtojmë, por gjysma e kombit, dhe duhet ta mbrojmë. Kombi ynë është një nga më të vjetrit në Ballkan dhe në Evropë. Ekzistencën e sotme e ka paguar nëpër shekuj me një derdhje gjaku që kapërcen çdo masë e çdo parafytyrim. Iu ka qëndruar të gjitha invadimeve gjatë historisë. U matë në një luftë për jetë a për vdekje me legjionet e Romës, dhe me kryengritjet e tij në kohën e Augustit tronditi gjithë botën romane të atëhershme. I qëndroi invadimit sllav duke e mbrojtur atë copë tokë pëllëmbë për pëllëmbë njëmijë vjet rresht. I qëndroi invadimit turk në një kohë kur popujt më të mëdhenj e më të organizuar kishin lëshuar armët për rrethe. Nuk duhet ta lëmë sot të vdiste dhe të humbas, sot që po dalin në jetën e lirë edhe ata popuj që s’kanë qenë kurrë komb dhe që s’kanë pasur një histori. Çdo shqiptar, i çfarëdo ideje politike qoftë, duhet të mendoi për Kosovën . Kosova është gjysma e jonë. Edhe pse kufijtë politikë na ndajnë prej saj, shpirti kombëtar që është një dhe i pandarë- duhet të na bashkojë. Duhet të ketë ndërmjet nesh dhe popullit të Kosovës një bashkim moral, bashkim shpirtëror, i cili duhet të shfaqet kudo, në letërsi, në lidhjet kulturore, në rrahje mendimesh, në bisedimet politike dhe familjare. Lufta e kosovarëve për bashkim me Shqipërinë duhet të jetë luftë e jonë. Kur flasim për Kosovën, flasim për veten tonë, flasim për gjysmën tonë. Duhet ta dimë, Shqiptarë, se jeta jonë, e ardhmja jonë si popull e si komb do të varet nga vullneti, puna dhe organizimi i ynë, përfundon përshkrimin e rezistencës dhe të luftës së shqiptare në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë.

(VIJON…)

________________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (1)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3897
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (2)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3898
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (3)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3906
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (4)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3922

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura