Shkup, 19 tetor 2020: Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është duke u shndërruar në bisedime apo në negociata ndërmjet dy palëve.
Qëndrimi i qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Brukselit dhe Uashingtonit lidhur me zhvillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, është në kundërshti dhe në kolizion:
– me Planin e Ahtisarit;
– me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, sipas së cilës shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare;
– me ndërhyrjen ushtarake të vendeve, anëtare të NATO-s, në vitin 1999 kundër forcave pushtuese ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi;
– me vendimet e vendeve, anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Nuk është vështirë të konstatohet se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 e deri më sot, Uashingtoni dhe Brukseli nuk kanë bërë asgjë për ta mbyllur “çështjen” e Kosovës, si një shtet i pranuar në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshi edhe anëtarësimin e tij në OKB.
Administrata e presidentit të ShBA-së Barak Obama, brenda dy mandateve presidenciale, “çështjen” e Kosovës nuk e lëvizi nga vendi, as edhe një hap të vetëm. Madje pjesë e kësaj administrate, në cilësinë e sekretarit të shtetit, ishte edhe Hillari Klinton. Është më se e qartë se politika e administratës së Barak Obamës ka paraqitur vazhdimësi të politikës së presidentit Bill Klinton.
Pasivizimi i politikës amerikane rreth Kosovës në kohën e qeverisjes së Obamës tregon qartë se ish-presidenti Klinton dhe pasuesi i tij Obama, “çështjen” e Kosovës nuk e kanë pasur në agjendën e tyre. Duket sikur ish-presidenti Klinton thotë: “Isha unë, ai që mori vendimin për ndërhyrje ushtarake kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ndaj angazhimi im lidhur me çështjen e Kosovës, me kaq mbaron.” Pikërisht për këtë arsye, administrata e Barak Obamës, për tetë vjet qeverisje, “çështjen” e Kosovës nuk e ka pasur në agjendën e vet. Pjesë e administratës së tij ndërkaq, ka qenë edhe gruaja e ish-presidentit Klinton – Hillari.
Gjatë qeverisjes së Barak Obamës, “çështja” e Kosovës dalëngadalë dhe pak nga pak po merrte pamjen e një konflikti të ngrirë, përkatësisht sikur po shndërrohej në një konflikt të ngrirë.
Shtrohet pyetja: A ka ShBA-ja ndonjë farë interesi në Kosovë?! A ka Uashingtoni ndonjë interes strategjik në Kosovë dhe sa është ky interes? Cilat janë përmasat e këtij interesi, cila është vlera apo pesha e këtij interesi?!
Qëndrimi i Uashingtonit rreth “çështjes” së Kosovës në dymbëdhjetë vitet e fundit nuk ka qenë në interes të Kosovës. Ka shumë që thonë se në Amerikë presidentët mund të ndërrohen, por politika amerikane rreth çështjeve të caktuara, mbetet e njëjtë.
Fare nuk është vështirë të konstatohet se politika e administratës së presidentit të përtashëm Donalld Tramp lidhur me Kosovën, fare nuk ka qenë në favor të Kosovës. Është më se e qartë se administrata e presidentit Tramp, duke deklaruar se “Uashingtoni do të pranojë një marrëveshje për të cilën bien dakord të dyja palët, d.m.th. Prishtina dhe Beogradi”, flet qartë se kjo administratë e ka pranuar kërkesën e Vuçiqit që “çështja” e Kosovës të zgjidhet me të ashtuquajturin kompromis. Diçka të ngjashme rreth “çështjes” së Kosovës kanë deklaruar sa e sa herë edhe rusët. Nga kjo rezulton se qëndrimi i administratës së Trampit lidhur me Kosovën nuk qenka larg atij të Putinit.
Mirëpo, qëndrimet e sotme të fuqive të mëdha të Perëndimit – Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe Londrës rreth Kosovës, bie ndesh me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999; është në mospërputhje me Planin e Ahtisarit; është në kundërshti me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare; dhe është në kontradiktë me njohjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës – prej tyre.
Sa për atë që Beogradi e quan kompromis, mbase nuk do të duhej të shpërthente lufta. Kompromiset mund të arrihen edhe pa luftë dhe pa gjakderdhje.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës s’ishte dot luftë për kompromis midis Prishtinës dhe Beogradit. Ajo ishte luftë çlirimtare e saj kundër pushtuesve fashistë serbë. Ishte luftë për liri, pavarësi dhe sovranitet.
Edhe ndërhyrja ushtarake e Aleancës Veri-Atlantike nuk ishte ndërhyrje për kompromis, por për çlirimin e Kosovës nga forcat kolonialiste fashiste serbe. Në kohën e ndërhyrjes së NATO-s në Uashington është thënë: “Do të ndërhyjmë ushtarakisht në Kosovë dhe kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Serbi, për ta mbrojtur një popull të tërë nga politika e dhunës, e dëbimit prej vatrave të veta, e eksodit biblik…”
Sot ndërkaq, kaq vite pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s për shkaqe humanitare, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra duket sikur i kanë mbyllur sytë dhe duket sikur flasin për kompromis.
Fuqitë dhe qendrat politike të sipërthëna duhet ta kenë parasysh faktin se duke mos i dalë zot Kosovës, e favorizojnë Serbinë. Tani Serbia, në një anë mbështetet nga Moska dhe Kina, në anën tjetër duket sikur mbështetet edhe nga Uashingtoni dhe Brukseli. Një mbështetje e tillë s’ka ndodhur kurrë në historinë politike të kohës më të re, që nga Kongresi i Berlinit deri më sot. Dhe kush mbrohet? Kush favorizohet? Kush shpërblehet? Mbrohet, favorizohet dhe shpërblehet një Serbi fashiste, e udhëhequr prej radikalëve të Vojisllav Sheshelit dhe prej nacional-socialistëve të S. Millosheviqit. Millosheviqi dhe Shesheli janë kriminelë lufte. Kriminelë lufte janë edhe anëtarë të caktuar të qeverisë serbe të viteve të viteve të fundit, me në krye Aleksandër Vuçiqin. Është turp i pafalshëm për kancelaritë e vendeve të Perëndimit t’ia çelin dyert dhe t’ia shtrëngojnë dorën një njeriu i cili ndaj ndjek politikë luftënxitëse, destruktive, destabilizuese në rajon.
Është absurde të mbështet nga perëndimorët politika fashiste e Beogradit që sjell dhe përçon në rajon interesin rus dhe kinez. Është e pakuptimtë të mbështete prej Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe Londrës politika e përtashme e Beogradit e cila militarizohet çdo ditë e më tepër, e cila kryen stërvitje ushtarake, e cila blen armë ruse dhe kineze, e cila ndjek politikën e forcës, e cila zhvillon luftë speciale, e cila zbaton luftë psikologjike. Nuk ka ndodhur të japë ndonjë prononcim Vuçiqi e të mos kanoset ushtarakisht. Edhe luftën ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit e shfrytëzoi për t’u kanosur me luftë dhe kjo s’ishte kanosja e fundit e tij.
Para një politike të këtillë të Beogradit, fuqitë perëndimore i mbyllin sytë, rinë duarkryq dhe me investime të theksuara edhe e shpërblejnë. Ky farë Vuçiqi, duke u lidhur me Moskën, me Pekinin, me Uashingtoni, me Berlinin, me Parisin, me Turqinë dhe me vendet arabe sikur dëshiron ta imitojë Josip Broz Titon i cili po ashtu e çonte mirë me të gjithë. Por Jugosllavia e tij e AVNOJ-it (KAÇKJ-së) u shua në gjak.
Perëndimorët janë duke e keqpërdorur politikën konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese të shqiptarëve në rajon. Perëndimorët janë duke e shpërfillur politikën e prerë properëndimore, sidomos proamerikane të shqiptarëve në rajon. Edhe shqiptarët mund të kërkojnë alternativa, por një gjë të tillë s’kanë për ta bërë ngase natyrshëm janë pjesë e qytetërimit perëndimor, për dallim nga serbët të cilët natyrshëm janë prorusë.
Politika e sotme e Beogradit është luftë për territore. Kur Vuçiqi thotë se për Kosovën nevojitet një zgjidhje kompromisi, atëherë kjo nënkupton territor. Krijimi i një asociacioni komunash me shumicë serbe në Kosovë, s’është gjë tjetër, pos synim për territor. Një krijim i tillë është në kundërshti me Planin e Ahtisarit. Një asociacionin i tillë është në kundërshti të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e lirive dhe e të drejtave të njeriut në mjediset ku figurojnë minorite apo grupe etnike.
Në Kosovë, liritë dhe të drejtat e minoriteteve, përfshi edhe të drejtat kombëtare, respektohen me standardet më të larta të BE-së, si në asnjë vend tjetër të planetit. Atëherë shtrohet pyetja: Ç’kërkon Beogradi më shumë se kaq prej Kosovës? Ç’kërkojnë Uashingtoni dhe Brukseli më shumë se kaq nga Kosova? Por, Beogradit fare nuk çanë kokën për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Ai do territor. Do që brenda Kosovës të krijojë një republike serbe, si ajo Millorad Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë.
A nuk e vërejnë vallë Uashingtoni dhe Brukseli se me Republikën Serbe, kreaturë kjo fantomike, Bosnja dhe Hercegovina është shndërruar në shtet jofunksional, në pseudoshtet, në kuazishtet, e gatshme në çdo çast për t’u shpërbërë.
Si mund ta lejojnë perëndimorët – të cilët shqiptarët, s’ka ditë që s’i cilësojnë si aleatë, si miq – krijimin e një dodik republike në Kosovë?! Nuk është parë në histori që një shtet i cili ka kryer gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, të shpërblehet me territor.
A kanë parasysh perëndimorët faktin se Beogradi ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bojanoc, Medvegjë) ushtron gjenocid të heshtur? Perëndimorët, ose s’i përcjellin shkrimet e studiuesve shqiptarë, ose i përcjellin, por s’çajnë kokën për to.
Po sikur të çohen qindra mijë shqiptarë në Maqedoni dhe të kërkojnë krijimin e entitetit të tyre?! A nuk çilet kësisoj kutia e Pandorës?! A nuk shkakton kjo efektin domino?!
Krijimi i një republike serbe brenda Kosovës, shpie në çintegrimin e saj. Pas kësaj pashmangshëm do të pasonte bashkëngjitja e saj Shqipërisë. Por, edhe kjo do të çelte kutinë e Pandorës Tani Republika Serbe e BH-së do t’i bashkëngjitej Serbisë. BH-ja ndërkaq, do të zhbëhej si flluskë sapuni. Në shekullin XXI BE-ja lejon nëpërkëmbjen e vlerave të veta për ndërtimin e të cilave ka punuar ndër shekuj. Dhe për kë? Për klerofashistët serbomëdhenj.
Lajçaku dhe Boreli vijnë prej dy vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërmjetësimin e tyre Kosova nuk duhet ta pranojë. Emërimi i që të dyve assesi nuk është i rastësishëm. Që të dy janë të njëanshëm. Që të dy anojnë nga Serbia, nga Beogradi, nga Vuçiqi.
Ai shqiptar që do ta nënshkruante krijimin e një republike serbe brenda Republikës së Kosovës do të hyjë në histori si tradhtari Esat pashë Toptani. Ai do ta merrte mallkimin e historisë, ndër breza.
Dialogu i Brukselit midis Prishtinës dhe Beogradit në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërlidhen me zgjedhjet presidenciale në ShBA. Zgjedhjet e nëntorit fare s’kanë të bëjnë me shqiptarët apo me Kosovën.
Shqiptarët janë thellësisht të bindur se bijtë e shqipes janë interes strategjik i ShBA-së, përkatësisht i Perëndimit. Madje interes i dorës së parë. ShBA-ja hyn në gadishull vetëm nëpërmjet shqiptarëve. Vetëm shqiptarët janë përçues të interesit amerikan, apo perëndimor në rajon. Shqiptarët shpresojnë se këtë fakt të pamohueshëm, perëndimorët do ta kenë parasysh.
Shqiptarët nuk ka përse të nxitojnë pas dialogut të Brukselit. Mbi Prishtinën ushtrohet trysni dhe kryhen shantazhe. Nuk ka dialog nën trysni dhe me shantazhe.
Duke qenë se Beogradi dita ditës armatoset kundër kombit shqiptar, ndjek politikë luftënxitëse, luftë speciale dhe luftë psikologjike atëherë Tirana, marrëdhëniet politike dhe diplomatike me Beogradin duhet t’i reduktojë dhe t’i ulë në nivel më të ulët. Me hienat nuk bëhet mini-shengen.
Arsyeja e shëndoshë s’ka si e kupton zbatimin në shekullin XXI të një politike obskurantiste, të vjetruar, anakronike, antihistorike, antidemokratike, klerofashiste, antishqiptare si kjo e Beogradit sot, e që kalon pa u ndëshkuar.
Postime të Lidhura
YLLI POLOVINA: BOMBARDIMET E NATOS TË NDALEN, 31 MARS 1999: NJËLLOJ SI IBRAHIM RUGOVA ASHTU EDHE KËNGËTARI SERB NË ITALI GORAN KUZMINAÇ! (17)
Tiranë, 3 Qershor 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga…
SHERADIN BERISHA: ENVER HADRI PËR ATENTATIN E 17 JANARIT 1982
Pashtriku, 25 shkurt 2021: Në 29 vjetorin e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, janar…
SHERADIN BERISHA: MURAT JASHARI PRESIDENT!
Pashtriku, 16 shkurt 2021: Një zgjedhje si akt solemn! Fillimisht Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ia uroj fitoren…
PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: TETOVA, QENDËR KULTURORE DHE ARSIMORE SHQIPTARE, NDËRSA INSTITUCIONET MË TË RËNDËSISHME ME EMRA TË HUAJ!
Tetovë, 26. 11. 2016: (Kush duhet ta mbrojë identitetin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni?) – ARSYEJA…