XHELAL ZEJNELI: SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ (I)

Shkup, 17 gusht 2020: Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një terra incognita për Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e rrjedhimisht, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik, të Perandorisë Osmane.
Lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe, në literaturën shkencore relevante kanë mbizotëruar pesë hipoteza:
1. Teza ilire: më 1774: historiani suedez, Hans Tunman (Hans Erick Thunmann, 1746-1778); 1811: ushtaraku, diplomati, studiuesi anglez Uiljam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860); 1854: diplomati gjerman, Johan Georg fon Han (Johann Georges von Hahn, 1811-1869); 1861: gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (Franz Miklosich, 1813-1891); 1882: gjuhëtari gjerman, indoevropianist, albanolog me emër Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900); 1894: gjuhëtari danez Holger Pedersen, 1867-1953); 1973: gjuhëtari polak, indoevropianist, albanolog Vaclav Çimohovski (Waclaw Cimochowski, Kursk, Rusi, 1912- Gdynia, Poloni, 1982); gjuhëtari gjerman, ilirolog Hans Krahe (Hans Krahe, 1898-1965) etj.
Të gjithë dijetarët e gjuhësisë shqiptare, në krye me Eqrem Çabejin (1908-1980) mbrojnë tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe, prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e shqiptarëve në të gjitha hapësirat në Gadishullin Ballkanik.
2. Teza trake: më 1891: filologu gjerman Karl Pauli (Carl Pauli, 1839-1901); 1893: filologu e orientalisti çek-austriak Vilhelm Tomashek (Wilhelm Tomaschek, 1841-1901); 1898: filologu gjerman, indoevropianisti Herman Hirt (Hermann Hirt, 1865-1936); 1921: gjuhëtari ruso-gjerman Maks Fasmer (Max Julius Friedrich Vasmer, 1886-1962); 1927: gjuhëtari gjerman Gustav Vajgand (Gustaw Weigand, 1860-1930); 1938: gjuhëtari austriak-çek Julius Pokorni (Julius Pokorny, 1887-1970); 1954: gjuhëtari kroat, ballkanolog e albanolog Henrik Bariq, (1888-1957); 1957: 1994: historiani gjerman Gotfrid Shram (Gottfried Schramm, 1929-2017).
3. Teza iliro-trake: më 1911: Norbert Jokl (Norbert Jokl) 1925: Paul Kreçmer (Paul Kretschmer); 1940: linguisti italian Vitore Pisani (Vittore Pisani, 1889-1990); 1950: filologu e ballkanologu serb Milan Budimir (1891-1975); 1988: gjuhëtari gjerman, indoevropianist, keltolog, sllavist, u mor edhe me shqipen, mik i shqiptarëve Rolf Këderiç (Rolf Kdderitzsch, 1941-2020).
4. Teza dako-mizike: më 1960: gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986).
5. Teza për zhvillimin e pavarur (autonom): më 1964: indogjermanisti gjerman Valter Porcig (Walter Porzig, 1895-1961), “Das Albanische und die Vergleichende Indogermanisch Sprachwissenschaft”; 1966: linguisti amerikan Erik Pret Hemp (Eric Pratt Hamp, 1920-2019); 1987: gjuhëtarja ruse, albanologe Agnia Vasiljevna Desnickaja (1912-1992). Sipas studiuesve shqiptarë, Desnickaja i përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes.
* * *
Historian bizantin, i vetmi athinas të cilin e njeh historia e letërsisë bizantine, Laonik HALKOKONDILI (Laonici Chalkokondylas, 1423-1490) është autor i veprës “Tregime historike në dhjetë libra”. Mendohet se ka lindur në Athinë në një familje fisnike, ndër më të dëgjuarat në shekullin XV. Në veprën e tij ka përshkruar ngjarjet e viteve 1298-1487, duke u mbështetur në ato që kishte parë e dëgjuar vetë si dhe në burime të tjera të shkruara. Halkokondili ndoqi modelin e Herodotit dhe të Tukididit. Vepra e Halkokndilit ka rëndësi edhe si burim për historinë e Shqipërisë, përmban të dhëna për ilirët, për prejardhjen e shqiptarëve, për pushtimet e para të osmanëve në Shiqipëri, për zotërimet e Gjon Kastriotit dhe të Gjergj Arianitit, për luftën e Gjin Zenebishit (? – 1417/18) kundër osmanëve, për kryengritjen e shqiptarëve në Gjirokastër në vitin 1433, për luftën e Sfetigradit, për rrethimin e dytë të Krujës dhe disfatën e sulltan Muratit II (1403/1404 – 1451), për marrëveshjet e Gjergj Kastriotit (1405-1468) dhe të Gjergj Arianitit (?1383 – rreth vitit 1462/63) me udhëheqësin ushtarak hungarez, me prejardhje rumune Janosh Huniadin (1407-1456), për ekspeditat e Gjergj Kastriotit në Itali, për luftërat dhe kryengritjet e shqiptarëve të Peloponezit në vitet 1432, 1454 etj.
Në paraqitjen e ngjarjeve, në krahasim me autorë të tjerë, Halkokondili mban një qëndrim më objektiv. Megjithëkëtë, në disa raste në veprën e tij përzihen ngjarjet, lartësohen pa vend pushtimet osmane etj.
Shënim: Herodoti (rreth 484 ose 490 – 424/25 para K.) është historian i Greqisë së lashtë, i quajtur baba i historisë. Gjatë udhëtimeve të tij nëpër Gadishullin Ballkanik vizitoi edhe Ilirinë, Trakinë dhe Maqedoninë. Është autor i veprës “Historia” me 9 libra. Vepra përmban të dhëna edhe për pellazgët. Është i pari autor që zë në gojë emrin e ilirëve.
Tukididi (460 – vdiq pas vitit 400 para K.) historian grek. Ngjarjet historike i shpjegon me mjaft realizëm, ndaj është quajtur historiani i parë i vërtetë. Në veprën e tij ka të dhëna për luftën civile të Epidamnit të vitit 436 para K. si dhe për pjesëmarrjen e Taulantëve në këtë luftë.
* * *
Koncepti i familjes gjuhësore indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga orientalisti dhe juristi anglez Uilljëm Xhons (William Jons, 1746-1794) rreth 80 vjet pas letrës së Lajbnicit.
Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një periudhe të mesjetës (shekulli VI deri XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor. Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe matematikanin gjerman Lajbnic.
Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij Vilhelm Gorfrid LAJBNIC (Gottfried Wilhelm Lajbniz, 1646-1716). Këtë përpjekje ia kishte kërkuar miku i tij M. V. La Krozë (La Crose) i cili ishte krye-bibliotekist i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici bën fjalë në tri apo në pesë letrat që njihen si “Letra shqiptare” të cilat ia dërgonte krye-bibliotekistit, e që janë shkruar nga 24.06.1704 deri më 15.03.1715. Në to shtroi problemin e prejardhjes së shqipes, e përkimeve, takimeve dhe marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera (indoevropiane). Theksoi nevojën e dallimit të fjalëve me burim vendas nga huazimet. Vuri në dukje përkime dhe analogji të fjalëve shqipe me fjalë të gjuhëve gjermane, latine etj. Theksoi se shqipja është gjuhë e veçantë, e dallueshme nga sllavishtja, hungarishtja, greqishtja, turqishtja.
Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të lashtë”. Enciklopedisti i gjuhëve – Lajbnici – thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë “Doktrina e kërshtenë” (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe “Fjalori latinisht-shqip” (Dictionarium latino-epiroticum) (Romë 1635) i Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjizimet e fjalëve shqip operon me një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më vonë. Shekulli XVIII është shekull i iluminizmit.
Ndër të parët që do të merret me shqiptarët është Hans Erih TUNMAN (Hans Erich Thunmann, 1746-1778). Ai del si eksploratori i parë i Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve. Kishte vënë në dorë “Fjalorin latinisht-shqip” të F. Bardhit dhe përkthimin shqip të Katekizmit të Belarminit nga Pjetër Budi. Hans Tunman është historian suedez, një nga albanologët e parë, profesor në Universitetin e Hales (Halle) në Gjermani. Njohja me studentë e tregtarë nga vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore, midis tyre edhe me shqiptarë, ia nxiti interesin për ta studiuar gjuhën dhe historinë e atyre vendeve.
Në veprën “Untersuhungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker” (Kërkime për historinë e popujve të Evropës Lindore, Lajpcig 1774), H. Tunman bëri përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Vepra ka të bëjë me historinë dhe me prejardhjen e shqiptarëve dhe të rumunëve. Në bazë të argumenteve historike të nxjerra nga burimet greko-latine e bizantine, H. Tunman arriti në përfundimin se shqiptarët mesjetarë janë vazhduesit autoktonë të popullsisë antike të ilirëve, e cila nuk u romanizua si ajo dako-trake paraardhëse e rumunëve, as nuk u zëvendësua në viset e veta nga një popullsi e mëvonshme e dyndur këtu. Duke u mbështetur në burimet bizantine, ai jep historinë e shqiptarëve mesjetarë, si një formacion etnokulturor unitar dhe si faktor politik më vete. Si provë të gjuhës së këtij populli, për të cilin shprehte simpati për shkak të gjendjes së tij të robëruar, H. Tunman përfshiu në këtë vepër fjalorin e mendimtarit dhe filozofit iluminist Theodor Kavaliotit (Voskopojë, 1718 – Voskopojë, 1797) që ia kishte dorëzuar nxënësi i tij Konstandin Xhehani*, një voskopojar i ditur, me të cilin u takua në Hale. Vepra e H. Tunmanit përbën një ndihmesë për të vënë mbi baza shkencore problemin e formimit të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.
Shënim: Konstandin Xhehani (emri i plotë Konstadin Haxhi Jorgji Xhehani (1740-1822) ishte filozof, mësues, matematikan, poet voskopojar i shekullit XVIII. Lindi në vitin 1740 në qendrën e famshme mesjetare të Shqipërisë, Voskopojë. Ishte nxënës i pedagogut të shquar të asaj kohe Theodor Kavalioti në Akademinë e Re në Voskopojë. Studioi në disa universitete evropiane: në Modra të Sllovakisë, Halle të Prusisë (Gjermani), në Kembrixh, në Leiden të Holandës. Ishte njohës i mirë u kulturës greko-romake dhe asaj evropiane.
* * *
Filozofi, shkrimtari dhe teoricieni i historisë i shekullit XVIII Johan Gotfrid HERDER (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) në veprën e tij “Ide për historinë e njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herderi në këtë vepër thotë për shqiptarët: “Ata nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për të shqiptarët janë popull me histori të lashtë dhe rrjedhin prej ilirëve. Është autori i tretë gjerman ( njëkohësisht edhe evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Në kohën kur është botuar vepra e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik Halkokondilit (rreth 1425-1490) dhe historianëve kishtarë Mishel Le-Quien (Michel Le Quien, 1661-1733) dhe Xhuzepe Simone Asemani (Guiseppe Simone Assemani, 1687-1768) që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit. Në vijën e tyre ishte edhe teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqet të argumentojë ardhjen e shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët kishtarë një shekull para tij.
Në vitin 1807, gjeografi dhe gazetari danez-francez Konrad MALTE-BRUN (Conrad Malte-Brun, emri i lindjes: Malthe Conrad Bruun. Thisted, Danimark, 1775 – Paris, 1826) botoi në frëngjisht studimin “Essai sur l’origine, les moeurs et l’état actuel de la nation albanaise” (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar).
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc Bopi, profesor në Universitetin e Berlinit dhe August Shlajheri.
Më 1850, gjuhëtari gjerman August Shlajher (August Schleicher, 1821-1868), i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, vërtetoi karakterin indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten.
Më 1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument shkencor kundër propagandës së megali idesë rreth një lidhjeje të lashtë prejardhjeje të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët.
Gjuhëtari dhe albanologu gjerman Franc BOP (Franz Bopp, Mainz, 1791 – Berlin, 1867) është themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane. Profesor në Universitetin e Berlinit. Në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane studioi edhe gjuhën shqipe. Që në vitin 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit, analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre, duke konfirmuar përfundimin e gjuhëtarit dhe albanologut bavarez Jozef Riter fon Ksilander ( Xylander), libri i të cilit “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835) doli nga shtypi më 1835. Në vitin 1854, Bopi botoi studimin “Uber das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj”, ku u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Franc Bopi zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Franc Bopit qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe. Është autor i veprës “A Comparative Grammar of the Sanskrit, Zend, Greek, Latin, Lithuanian, Gothic, German, and Sclavonic languages”, (1833-1852) në 3 vëllime (Gramatika krahasuese e sanskritishtes, zendishtes, greqishtes, latinishtes, lituanishtes, gotishtes, gjermanishtes dhe e sllavishtes së vjetër).
Shënim: Zend është gjuhë e vjetër iraniane me të cilën është shkruar “Zend-Avesta”, libri i shenjtë i religjionit të Zaratustrës. Predikuesi dhe filozofi iranian Zaratustra jetoi midis shekujve VII dhe VI para K. dhe është themelues i religjionit të vjetër persian, mazdaizmit.
* * *
Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon. Por në “klubin” osman të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet ‘40 të shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj konsullorë.
Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve hyrën në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve shqiptare – autonome, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit, Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do të shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën shkencore.
Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive të mëdha, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet shqiptare bashkëkohore dhe të së kaluarës.
Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën vetëm Pukëvili dhe Liku. Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Studiuesi francez, Pukëvil pranon pikëpamjen fantastike të autorëve bizantinë – Laonik Halkokondilit, të teologut, përkatësisht historianit kishtar francez Mishel Le Quien dhe të historianit kishtar Xhuzepe Simone Asemani të mesit të shekullit XVIII, që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit.
Konsull i përgjithshëm i Perandorisë, më pas edhe i Mbretërisë franceze në Janinë dhe në Patra ishte akademiku, diplomati, shkrimtari, fizikani, historiani dhe arkeologu francez Fransua PUKËVIL (François Charles Hugues Laurent Pouqueville, 1770-1838). Ndoqi nga afër veprimtarinë e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), themeluesit të pashallëkut faktikisht autonom të Janinës. Njihet si historiani më i rëndësishëm i çerekut të parë të shekullit XIX për pashallëkun e Janinës. Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga Janina në Shkodër. Në veprat e Pukëvilit jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Është autor i veprave “Voyage de la Grèce” (Udhëtim nëpër Greqi, Paris 1820) dhe “Histoire de la régénération de la Grèce, prej 1740 deri më 1824”) (Historia e ringjalljes së Greqisë, Paris 1825). Në to jep të dhëna të çmueshme për vendin, për shqiptarët dhe për shtresat shoqërore të Shqipërisë së Jugut. Ndonëse ishte armik politik i vezirit të Janinës, provoi më së miri synimet e tij për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Vlerësimet e Pukëvilit për ta nxirë personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. Vepra e tij përshkohet nga një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët.

Në fillim të shekullit XIX, përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të sundimtarit të fuqishëm në Shqipërinë Jugore, Ali pashë Tepelenës caktohet ushtaraku anglez Martin Uiljam LIK (Martin William Leake, 14.1.1777 – 6.1.1860). Është autor i dy veprave në gjuhën angleze: “Researches in Greece” (Kërkime në Greqi, 1854) dhe “Travels in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e Veriut, 1835, në katër vëllime).
Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me karakter ekonomiko-shoqëror dhe politik me interes për Shqipërinë, jep edhe shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një punimi të hartuar nga mësuesi Estra Vithkuqari. Liku jep shënime edhe për një fjalor të gjuhës shqipe.
Në veprën e dytë sjell materiale përshkruese më të pasura, sidomos për ekonominë, për shoqërinë dhe gjendjen politike të Shqipërisë së Jugut nën sundimin e Ali pashë Tepelenës, si dhe për vendburimet arkeologjike. Liku mbështeti prejardhjen ilire të gjuhës shqipe.
Me punimet e Pukëvilit dhe të Likut bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së tij.
* * *
Për qëllime njohëse dhe studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Xhon Kem Hobhaus* (1786-1869) deri te etnografi francez Ami Bue (Ami Boué, 1794-1881) dhe arkeologu francez Leon Hezej (Léon Heuzey, 1831-1922). Në këngën e dytë të poemës së vet “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve.
Shënim: Xhon Kem Hobhaus (John Cam Hobhouse, më vonë Lord Broughton, 1786-1869) ka qenë personalitet politik dhe letrar anglez, mik i ngushtë i poetit Xhorxh Gordon Bajron, të cilin e shoqëroi në udhëtimet e tij në Shqipëri, në Greqi dhe në Turqi. Përshkrimin e këtij udhëtimi edha në veprën “A journey through Albania and other provences of Turkey in Europa and Asia…..during the years 1809-1810” (Udhëtim nëpër Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Evropë dhe Azi…..në vitet 1809-1810, Londër 1813, botim i ripunuar më 1855). Udhëtimi i Xhorxh Hobhausit në Shqipëri përfshin jugperëndimin deri në Tepelenë. Midis tjerash, ai shkruan: “Kur banorët e viseve të tjera të Ballkanit pyeten se cilët janë, ata përgjigjen: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “jam shqiptar”. Në fund të librit, Hobhaus boton në anglisht edhe gramatikën shqipe të studiuesit arbëresh Fraçesko da Leçe* (Francesco da Lecce, vdiq më 1718) dhe disa këngë popullore të arbëreshëve të Greqisë, të mbledhura nga vetë ai.
Shënim: Françeskani arbëresh At Françesko da Leçe është autor i veprave “Dittionario italiano-albanese” (Fjalor italisht-shqip, 1702, 228 f.); “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese” (Vështrime mbi gramatikën e gjuhës shqipe, Propaganda Fide, Romë 1716).
* * *
Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër – Falmerajer

Më 1855 u botua teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqet të argumentojë pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës.
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani dhe helenisti apo bizantinisti i shquar austriak i mesit të shekullit XIX, Jakob Filip FALMERAJERI (Jakob Philipp Fallmerayer, 1790-1861), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Udhëtoi në vende të Lindjes, në Turqi, në Maqedoni si dhe në Greqi, ku u njoh me popullsinë arbëreshe. Në veprat e tij, për prejardhjen grekëve thotë: “Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër, është një përzierje shqiptarësh dhe sllavësh, në kulturën e tij popullore nuk ka asnjë gjurmë vazhdimësie të trashëgimit kulturor antik”. Kjo pikëpamje e bëri atë një nga figurat më të luftuar në Greqi.
Ishte i pari që dëshmoi në mënyrë shkencore praninë e elementit shqiptar në Greqi. Në veprën e tij në dy vëllime “Geschichte der Halbinsel Morea wahrend des Mittelalters” (Historia e Gadishullit të Moresë gjatë mesjetës, Munih 1830-1836) si dhe “Das albanesische Element in Griechenland” (Elementi shqiptar në Greqi, Munih 1857-1861) përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të argumentimit. Në to trajton edhe historinë e mërgimit dhe të përhapjes së gjerë të shqiptarëve në trevat greke. Historinë e shqiptarëve në trevat nga u nisën, në kuadrin e Perandorisë Bizantine dhe në ndeshjen e tyre me osmanët, e quan një “tragjedi historike”.
Falmerajeri zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe përballë rrebesheve më të egra të historisë. Shqiptarët janë një popull ”fantastikisht liridashës” – thotë ky dijetar i madh.
* * *
Kur më 1835 Uilliam Martin Lik nisi të botonte në Londër veprën e tij “Udhëtime në Greqinë e veriut”, në Frankfurt-mbi-Majn, doli nga shtypi libri i gjuhëtarit dhe albanologut bavarez Jozef Riter fon KSILANDER (Josef Ritter Xylander,1794-1854) “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835), në të cilin duke u mbështetur në 3500 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tatare ose kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët – pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane.
Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami BUE (Ami Boué, 1794-1881), gjatë udhëtimeve nëpër Ballkan, vizitoi edhe Shqipërisë. Veprat e tij me interes për Shqipërinë janë “La Turquie d’Europe” (Turqia evropiane, Paris 1840), në katër vëllime; dhe “Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe” (Përmbledhje udhëtimesh në Turqinë evropiane, Vjenë 1854) në dy vëllime. Megjithëse ka dhënë disa të vlerësime të diskutueshme, të dhënat e tij kanë vlerë historike njohëse. Në veprën gjeologjike “Esquisse géologique de la Turquie d’Europe” (Përshkrim gjeologjik i Turqisë evropiane, Paris 1840), ndër të tjera ka folur për vendburimin e serës së Selenicës, për ujërat termale të Dibrës e të Fushë-Krujës dhe për gjipsin e Vlorës.
Një nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, babai i albanologjisë Johan Georg fon HAN (Johann Gerge von Hahn, 1811-1869) ka qenë albanolog austriak me prejardhje gjermane, i lindur në Jenë. Gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsull i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t’i kushtojë thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe botën shqiptare në përgjithësi “Albanesische Studien”(Studime shqiptare, Jena, 1954). Përpos veprës së sipërthënë, është autor edhe i veprave “Reise von Belgrad nach Saloniki” (Udhëtim nga Beogradi në Selanik, 1858) dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, 1867-1869).
Vëllimet II e III të “Studimeve shqiptare” u kushtohen çështjeve të gjuhës. E shtroi shumë më gjerë se paraardhësit çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe të shqipes. Shfrytëzoi burimet antike që flisnin për karakterin jogrek të ilirëve, të epirotëve dhe të maqedonasve. Duke ndjekur rrugën e H. Tunmanit shfrytëzoi edhe toponomastikën dhe shpjegoi përmes shqipes shumë toponime ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është vijuese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe u bë një mbrojtës i vendosur i tezës së autoktonisë së shqiptarëve në viset e tyre të sotme. Sipas Hanit, ilirishtja është gjë gjuhë pellazge në kuptimin e gjerë të fjalës. Sipas tij, ilirët ishin një nga degët themelore të popullsisë paleoballkanike, që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër. Mendimi i tij ishte në kundërshti me tezën e përhapur në shek.. XIX se “shqipja lidhej me greqishten si gjuhë motra, për shkak të prejardhje së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve prej pellazgëve”. Mendimi Hanit u shërbeu rilindësve shqiptarë të cilët kërkonin që shqiptarët të njihen si një popull më vete, me rrugë historike të veçantë.
Në veprën “Studime shqiptare” Hani thotë: “Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij vendi.” Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën “Udhëtim nga Beogradi në Selanik”. Ai riformulon pikëpamjen e tij për autoktoninë e shqiptarëve. “Ne mund të pranojmë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë” (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar. Argumentimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e kundërshtarëve të autoktonisë.
Në veprën e dytë “Udhëtim nga Beogradi në Selanik” përshkruan trevat lindore të banuara prej shqiptarëve, në një kohë kur ende nuk kishte filluar shpërngulja e tyre nën trysninë e shtetit serb. Në veprën e tretë “Udhëtime nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit” jep material të pasur dhe me vlerë për kushtet e jetesës të popullsisë së malësive, për institucionet juridike-shoqërore dhe për kulturën e saj.
Më 1864 botoi në gjermanisht dy vëllime me përralla greke dhe shqiptare “Griechische und Albanesische Märchen”. Pason vepra “Sagwissenschaftliche Studien” (Studime për gojëdhënat, Jenë 1872, 1876, në dy vëllime). U mor edhe me mitet dhe besimet popullore, me poezitë popullore, me gojëdhënat dhe me përrallat shqiptare. Në fushën e etnologjisë dha i pari një paraqitje të “Ligjit të Maleve”, Kanunit të Malësisë së Madhe. Vërejti “Kanunin e Dukagjinit” për viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” për Matin e Dibrën.
Profesori slloven i Universitetit të Vjenës, akademik në Austri, Franc MIKLOSIÇ (Franz Miklosich, 1813-1891) ka qenë sllavist, ballkanolog dhe albanolog, Ka botuar edhe studime për gjuhën shqipe si “Albanische Forschungen” (Hulumtime shqiptare) I, II. Për shqipen ka shkruar edhe studime të tjera sidomos në “Die slavischen Elemente im Rumänischen” (Elementet sllave në rumanishte). Është autor i veprës “Vergleichende Grammatik der slavischen Sprachen” (Gramatika krahasuese e gjuhëve sllave) në katër vëllime (1852-1875); mbahet si themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë sllave. Ka përkrahur tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.
VIJON …

_____________________

XHELAL ZEJNELI: SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ (II)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=10413

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura