Preshevë, 7 mars 2018: (Me rastin e Ditës së Mësuesit) – Më 7 shkurt 2015 u mbushen 73 vjet të Shkollës së Parë Shqipe, të hapur zyrtarisht dhe solemnisht në Preshevë, te Vila Letafet, ku qytetarëve, mësuesve dhe nxënësve të ardhshëm, të kësaj shkolle u foli Abdullah Krashnica-Presheva, sekretar i Komitetit të Rrethit të Preshevës.
Para Luftës së Dytë Botërore, Preshevën e karakterizon prapambeturia e përgjithshme arsimore dhe përqindja e madhe e popullatës analfabete. E gjithë kjo ishte rezultat i sundimit Otoman e më vonë i sundimit të Mbretërisë Serbe dhe Serbëve si dhe në ish-Jugosllavi, të cilët, jo vetëm që nuk lejonin shkollimin e Shqiptarëve, por donin asimilimin e tyre në turqë apo jugosllavë.
Vila “Letafet” në Preshevë.
Në territorin e Luginës së Preshevës u hapën shkolla serbë dedikuar fëmijëve shqiptarë. Në Bujanoc qysh në vitin 1867 ka ekzistuar një shkollë serbe, një e tillë, dhjetë vjet më vonë u hap edhe në Banjë të Sijarinës. Mësimi në këto shkolla zhvillohet vetëm në gjuhën serbe.
Në vitin 1892, në Preshevë kanë mësuar në “Ruzhdie” 51 nxënës, në “Iptidaie” 103 nxënës, prej të cilëve 32 ishin femra dhe në “Sibiane” 41 nxënës.
Shkollat turke në Luginë të Preshevës pushojnë së punuari më 1912, kur Lugina pushtohet nga ushtria serbe. Pra, nga viti 1914 hapen vetëm shkolla serbe. Mësimi në shkolla kryesisht zhvillohet nëpër shtëpi private, nëpër xhami apo vende “Vakufe”.
Deri më vitin 1945, në Preshevë punuan 6 shkolla fillore katërklasëshe në gjuhën serbe, me 7 punëtorë arsimorë dhe rreth 150 nxënës. Mësimi zhvillohet në gjuhën serbe, edhepse popullata ishte shumicë shqiptare.
Shkolla e parë shqipe, në historinë e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës hapet më 7 shkurt të vitit 1945, në objektin e “Vila Letafet” pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Mësuesit e parë ishin Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani-Hoxha.
Hapja e shkollës së parë shqipe në Preshevë bëhet në mënyrë zyrtare dhe solemnisht, ku fjalën e rastit për rëndësinë e shkollës në gjuhën amtare e mbajti Abdullah Krashnica, sekretar i Komitetit të Preshevës.
Në bazë të mendimeve të shumë mësuesve të moshuar e më vonë edhe të pjesëmarrësve të Luftës së Dytë Botërore (LDB), preshevari Abdullah Krashnica luajti rolin vendimtar në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe, duke filluar në Preshevë, për të vazhduar edhe në vendbanime tjera shqiptare të këtyre trevave.
Natyrisht, Abdullahu kishte shfrytëzuar ndikimin e tij te njerëzit në atë kohë, të cilët në radhë të parë ishin mësues, por që punonin në vise tjera.
Abdullahu erdhi në Gjilan. Unë atje punoja si mësues prej një kohe të gjatë. Më ofroi që menjëherë të kthehesha në Preshevë dhe ashtu bëra. Kështu, në shkurt të vitit 1945-së, hapëm shkollën e parë fillore katërklasëshe në gjuhën shqipe në Preshevë. Objektin e shkollës na e liroi preshevari Abdullah Veliu në të dalë të qytetit të Preshevës në magjistralen që lidh këtë qytet me Gjilanin në Kosovë – kështu kujton Hilimi Qerimi, mësuesi i parë në shkollën fillore në Preshevë.1
Mirëpo, ka edhe detaje tjera që janë të lidhura me hapjen e shkollës së parë shqipe, është vendosja e flamurit kombëtar në ndërtesën e kësaj shkolle që edhe sot quhet vila “Letafet”. Adem Ahmeti, njëri prej mësuesve të parë në komunë të Preshevës, sqaron: “Abdullah Krashnica, luftëtari, trimi, patrioti shqiptar i kësaj ane në vitin 1945-së ndihmoi në hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Preshevë. Në mitingun inaugurues ishte i pari që foli për rëndësinë e hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Edhe sot e përfytyroj atë miting, mbaj mend fjalët që u thanë aty dhe kur për herë të parë valëvitej flamuri ynë kombëtar në vilën “Letafet”. Ishte ky një fillim i mbarë i arsimit shqip në Preshevë dhe kjo kishte një rëndësi të madhe, sepse deri në atë kohë nxënësit shqiptarë kishin vijuar mësimin në gjuhën turke dhe gjuhën serbe.”2
Vila Letafet, pronë e Abdulla Haxhi Velisë, nga Presheva, ish tregtar dhe atdhetar i devotshëm, një ndër themeluesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar në Shkup. Vila Letafet e mban emrin e vajzës së madhe të Abdulla Veliu.
”Në trojet tona për herë të parë po hapeshin shkollat në gjuhën shqipe. Për këtë ishin krenar si mësuesit ashtu edhe intelektualët që kishin ëndërruar arsim laik në gjuhën amtare. Udhëheqësit shqiptarë të pushtetit të ri, që kishin luftuat për çlirim nacional, përpiqeshin me mish e me shpirt për hapjen e shkollave. Ndonëse nuk shërbenin në arsim, kishin shumë ndikim në përhapjen e arsimit. Atë e propagandonin njësoj si mësuesit. Antifashisti, luftëtari, trimi, patrioti dhe entuziasti i madh, Abdullah Krashnica, që në vitin 1945 ndihmoi në hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Preshevë. Në mitingun inaugurues që i pari që foli për rëndësinë e hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Ishte ky një solemnitet modest, por i ngrohtë, ashtu siç ishin të ngrohta edhe fjalët e tij në këtë miting. Edhe sot e parafytyroj atë miting, mbaj mend fjalët që u thanë aty dhe ku për herë të parë valonte flamuri ynë kombëtar në vilën “Letafet”.
Ishte ky një fillim modest me tre-katër mësuesit e parë:Tajar Zylfiu, tani i ndjerë, normalist i Elbasanit nga Shqipëria, mësuesi Hilmi Qerimi dhe disa të tjerë.
Në vitin shkollor 1945/46 ishin hapur pak shkolla, pasi mungonin mësuesit. Në këto shkolla punonin edhe disa mësues të fesë, si hafëz Lutfi Ahmeti, hoxhë Demirali Ramadani etj.
Mësues të parë ishin Fehmi Salihu dhe Abdullah Ukshini nga Përlepnica e Gjilanit, Mustafë Selimi, Emin Ramadani, Mehmet Kadriu, Nexhat Ramadani etj.Në vitin tjetër numri i shkollave u rrit……….”3
Të theksojmë se përgatitjet për hapjen e shkollës së parë në Raincë filluan më 5 shkurt 1945 në fshatin Raincë, me mësuesin e parë Fehmi Salihu nga Përlepnica e Gjilanit dhe me preferimet e Abdullah Krashnicës.
Këtë e dëshmojnë Mulla Xhemal Musliu dhe Ruzhdi Ymeri nga Rainca, nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle në vitin 1945, të cilët më 5 shkurt 2015 e vizituan Shkollën fillore në Raincë, e uruan drejtorin Shukri Ymeri për Ditën e shkollës dhe evokuan kujtime për këtë ditë.
Ndërsa sipas raporteve shkollore të gjetura në Arkivin e Vranjës, të shkruara në Monografinë e Arsimit fillor në komunën e Preshevës 1945-1995, shkruan se Shkolla e parë në Raincë u hap më 6 shkurt 1945.
Pastaj, në fletoren e historikut të Shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Raincë shkruan se solemniteti për ditën e shkollës u organizua më 10 shkurt 1945.
Pas LDB në Preshevë hapen shkolla fillore katërklasëshe në të gjitha vendbanimet e mëdha. Mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe serbe. Në këto shkolla mungonte kuadri i kualifikuar mësimor, por edhe përfshirja e nxënësvë ishte e vogël, sidomos e fëmijëve shqiptarë.
Në Caravajkë, mësimi ka filluar në vitin shkollor 1947/48 dhe mësimi është mbajtur në shtëpi private.Me ndërtimin e ndërtesës së Kooperativës bujqësore filloi mësimi të mbahet në lokalet e saja deri më 1954.
Edhepse ishin kushtet e vështira të punës, mësuesit atdhetarë dhanë maksimumin e tyre në procesin edukativo-arsimor, vetëm e vetëm për t’i edukuar nxënësit në frymën e atdhetarizmit.
Kështu veproi edhe mësuesi nga Bushtrani Kadri Rexhepi, i cili gjatë vitit 1950/51 punoi në Caravajkë, në klasën e tij nxënësit vinin në shkollë me plisa, ndërsa në vitin shkollor 1967/68
punoi në Bushtran. Klasa e IV fillore ishte në atë kohë e motivuar me Heroin e Madh Skenderbeun.
Mësuesi Kadri Rexhepi me nxënësit e vitit shkollor 1950/51 në Caravajkë, me Plisa të Bardhe si bora.
Mesuesi Kadri Rexhepi,me nxënësit e vitit shkollor 1967/68 në Bushtran, dashamir i arsimit shqip, nxenesit me Skenderbeun e Madh
Në vitin 1948/49 hapet klasa e pestë e shkollës fillore, si klasë e parë e Gjimnazit të Ulët, e cila më vonë ngritet në shkollë të parë fillore tetëvjeçare. Gjatë vitit shkollor 1962/63 u hapën edhe 4 shkolla fillore: në Miratoc, Caravajkë, Raincë dhe Strezoc. Më vonë hapën edhe shkollat fillore në Leran dhe Corroticë.
Nxënësit ë Shkollës së Parë shqipe, më 1945
Mësuesit e parë të shkollës shqipe në Preshevë ishin Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani-Hoxha.
Shkolla e parë në Preshevë mban emrin “Selami Ibrahimi”, Dëshmor i Kombit, i varur më 1944, në Prizren.4
Vila “Letafet” ku u vendos Shkolla e Parë Shqipe në Preshevë
Bejtullah Osmani, arsimtar i lëndës së matematikës, tashti në pension shpalos kujtimet e tij të pashlyeshme për Ditën e madhe të hapjes së shkollës për herë të parë në gjuhën shqipe, në villën “Letafet”, pronë e arsimdashësit dhe intelektualit e patriotit të madh Abdullah Haxhi Veliut nga Presheva:
“Vetëm disa ditë para se të bëhej promovimi i shkollës në Preshevë, ai kishte shkuar në Prishtinë, Gjilan, Vrajë e kudo tjetër. Kishte kontaktuar me njerëz të kualifikuar për mësues siç ishin Hilmi Qerimi, Nazmi Mustafa, Hafëz Lutfi Ahmeti, Demirali Ramadani-Hoxha e të tjerë që kishin dhënë pajtimin për të punuar, nëse kishte nevojë edhe pa shpërblim material.”5
Në bisedë me nxënësin e shkollës së parë shqipe, Nehat Hazirin të Mëhallës së Bugarinëve mësuam se pos tij nxënës të kësaj shkolle ishin edhe Xhevat Haziri i Bugarinëve, Abdulla Haziri poashtu i Bugarinëve, të lindur më 1933.Pos këtyrë kusherinjve të vet Nehatit Hazirit i kujtohen edhe Musherefja, mbiemrin e të cilës nuk i kujtohej, Ajtenja e shkuar në Turqi, Gjyzelja, Alush Horosani . Ndërsa mësues i kujtohen Nehat Hazirit: Demirali Hoxha, Tajar Zylfiu, Fehmi Salihu. Nehat Haziri e përmend arsimdashësin kushëririn e vet Hasan Hazirin, i cili i mësonte mësim fetar , por i cili gjithashtu disa ditë më parë i përgatiti Nehatin, Xhevatin dhe Abdullahun dhe në ditën e hapjes i dërgoi këta në shkollë.6
Nehat Haziri thotë se me frikë të madhe, por kurreshtar shkuam në shkollë, te Vila “Letafet” ku ishin tubuar shumë njerëz, qytetarë, nxënës dhe mësues të shkollës.
Bisedë me Mushrefe Ahmedi-Halili, e lindur më 1935 dhe nxënëse e klasës së parë në shkollën e parë shqipe, të cilën e zhvilloi Mahmut Ahmedi, mësuam se nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle ishin: Musherefe Ahmedi, Nerminja e Alush Shehut, Hidajetja e Sali Dodes, Zekija e Rexhep Shitës, Nezaqetja, motra e Halilit të Rrahmonëve, Eminja e Hevzi Saraçit, të shkuar në Turqi, Hikmetja e Abdulla Haxhi Velisë, Elhamja e Hysit të Mutishëve, Makfirja nga Bujanoci, Sinije Osmani-Aliu e Mutishëve si dhe nga nxnënësit mashkuj i kujtohet edhe Sula i Kadri Mullinxhisë së Karaponxhëve.
Zonjës Musherefe nga mësuesit i kujtohen Abdullah Ukshini,Hilmi Qerimi, Demirali Hoxha, më vonë Kadrije Qerimi, Alije Qerimi.7
Në bisedë me Vebi Aliun-Dasa mësues nga Presheva,8 lidhur me shkollën e parë shqipe në Preshevë mësuam se nxënës të klasës së parë, pos tij ishin: Zejnel Kelmendi, Zeqavete Veliu, Zehra e Halil Agës, Xhevat Bugarina, Ymer Shabani, Sylejman Ahmeti, Vahit Mustafa, i cili në pyetjen tonë lidhur me shkollën e parë shqipe, asgje nuk deklaroi, Bejtullah Osmani. Sipas Vebiut klasa e parë numronte dikund rreth 25 deri në 30 nxënës.
Poashtu atij i kujtohet se udhëheqësit ishin radhitur në të majtë të oborrit të Vilës “Letafet”, te shkallët.Ndërsa si mësues i kujtohen Hilmi dhe Hava Qerimi.
Në këtë bisedë ishte prezent edhe Xhemal Bektashi, mësues nga Miratoci, i cili në bisedë e sipër tha se mban në mend dhe i kujtohen fjalët e të ndjerit Shukri Qerimi, i cili paska thënë se shkolla e parë shqipe është hapur në Preshevë.
Poashtu në bisedë me Ramadan Ahmetin-Aga Dani i Kajallarëve,9 nxënës i klasës së parë në shkollën shqipe mësuam se me te në klasë të parë ishin edhe Muharrem dhe Islam Iljazi të Mëhallës së Berberëve dhe se i kujtohet se Demirali Hoxha i paska mësuar dovë dhe lutje fetare.
Në bisedë me Bejtullah Osmanin, lidhur me shkollën e parë shqipe mësuam se nxënësit e shkollës ishin të ndarë sipas moshës në tri /3/ grupe apo paralele. Pra ishin të përfshirë në klasën e pare, fëmijët e Preshevës që nga mosha 7 vjeç deri më 15 vjeç.10
“Në shkolla u përfshinë fëmijët nga 7-15 vjeç, por të gjithë në klasën e parë të fillores, pasi që në kohën e luftës nuk kishin pasur mundësi të vijonin shkollën fillore.”11
Grupin e parë e bënin të moshuarit dhe më të vjetrit, të lindur më vitin 1930, atëherë ishin 15 vjeçar. Sipas Bejtullah Osmanit këta ishin: Abdylqerim Saqipi i Mëhallës së Alimetëve, sipas kujtesës së djalit të tij Rexhep Saqipi ishte nxënësi më i mirë në klasë në matematikë, ashtu i paska thënë babai tij, Ramadan Ahmeti-Aga Dani i Kajalllarëve, Fehmi Dalipi, nip i Hallaçëve në rrugën M. Tita, Fehmi Kelmendi i Mutishëve, Selveri i Vebisë së Mëhallës së Derrajve, si dhe nxënësit që i përmend Aga Dani.
Grupin e dytë të nxënësve e bënin fëmijët e lindur më 1933-35, nxënësit të cilët i përmendi Musherefe Ahmeti-Halili dhe Nehat Haziri, ndërsa grupin e tretë sipas Bejtullah Osmanit e bënin fëmijët e lindur më 1937-38: Bejtullah Osmani, Sylejman Hyseni, Rahim Hamidi i Kurbalisë, Nexhati Hamidi, Lutfi Jahiu i Harunëve, Selajdini i Mëhallës së Bugarinëve, Xhevat Miftari i Mëhallës së Alimetëve dhe të gjithë ata që i përmendi Vebi Aliu-Dasa.
Grupin e parë dhe të dytë të nxënësve e ka udhëhequr mësuesi Hilmi Qerimi, sipas Bejtullah Osmanit, të cili pos Hilmiut i kujtohet si mësues edhe Nazmi Mustafa.
Poashtu sipas Bejtullah Osmanit, përgatitjet për fëmijët në Preshevë, për të shkuar në klasën e parë kishin filluar shumë më herët se më 7 shkurt 1945. Atij i kujtiohet se në mbarim të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945 nuk kishte lokale të përshtashme për shkollën shqipe, sepse të gjitha lokalet ishin të zanur nga ushtarët e Brigadës së Shqipërisë, e cila dikur më 1,2 dhe 3 shkurt 1945 bëri përgatitjet dhe sëbashku me Brigadën e Preshevës shkuan për në Frontin e Sremit. Atëhërë u liruan lokalet për shkollë, Abdullah Haxhi Veliu e dha Vilën “Letafet”, shtëpinë e banimit për shkollë.
Përgatijet për shkollën e parë shqipe ishin bërë shumë më herët në Preshevë, duke i përgatitur fëmijët për shkollë. Propagandimi për shkollë bëhej atëherë nëpërmjet dhetarëve të Brigadave të Shqipërisë dhe asaj të Preshevës nëpër shtëpitë e qytetit të Preshevës, thotë Bejtullah Osmani.
Dikur më vonë shkolla e parë shqipe kaloi në ndërtesën e shkollës serbe, ndërtesës së sotme montazhë karshi Stacionit të Autobusave dhe në Medresenë në Preshevë.
Nxënësit e shkollës së parë në Preshevë, me rastin e vdekjes së Abdullah Krashnica, në mënyrë të organizuar morën pjesë në varrimin e tij.
Poashtu Bejtullah Osmani më përmendi se në bisedë më Hafëz Avni Ahmetin paska mësuar se baba i tij Hafëz Lutfi Ahmeti, më 4 shkurt 1945 paska marrë detyrën e përgjegjësit për kulturë në Preshevë.
Në fillim sipas Bejtullah Osmanit, populli e mbante shkollën, nxënësit dhe mësuesit, duke i përgatitur dhe duke i ushqyar me dreka dhe darka.
Arsimi shqip në Preshevë
Kohëve të fundit, në kushtet e krizës shoqërore-politike, arsimi shqip i Luginës së Preshevës, në të gjitha nivelet pësoi degradim të përgjithshëm. Me anë të restrikcioneve politike e administrative u bë copëtimi i hapësirës arsimore shqiptare në ish-Jugosllavi. Pra, erdhi deri te izolimi në mënyrë autarkike dhe drastike i institucioneve arsimore të të gjitha niveleve në Luginë të Preshevës, duke i mbyllur, duke i ndërruar emrat shqiptarë, duke i ndëshkuar me plan-programe dhe tekste mësimore herë të Serbisë, herë të Malit të Zi e herë të përkthyera.
Para LDB, Preshevën e karakterizon prarambeturia e përgjithëshme arsimore dhe përqindja e madhe e popullatës analfabete. E gjithë kjo ishte rezultat i sundimit Otoman e me vonë i sundimit të Mbretërisë Serbe dhe Serbe në ish_Jugosllavi, të cilat jo vetëm që nuk lejonin shkollimin e Shqiptarëve, por donin asimilimin e tyre në turqë apo jugosllavë.
Kështu në territorin e Luginës së Preshevës u hapën shkolla serbë dedikuar fëmijëve shqiptarë.
Në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, më 1918 zgjerohet dukshëm rrjeti i shkollave serbe në Luginë të preshevës. Hapen shkollat serbe në Preshevë, Miratoc, Leran,Rahovicë, Raincë, Coroticë dhe Zhunicë.Në këto shkolla ishin të angazhuar 7 mësimdhënës serbë, ndërsa mësimet i ndiqnin 150 nxënës.
Objektet shkollore nuk ishin të përshtatshëm, mungonin mjetet elementare për mësim: karrikat, bankat, tabelat e tjerë. Mësimi kryesisht zhvillohet nëpër shtëpi private, nëpër xhami apo vende “Vakufe
Deri më vitin 1945, në Preshevë punuan 6 shkolla fillore katërklasëshe në gjuhën serbe : në preshevë, Miratoc, Rahovicë, Raincë, Zhunicë dhe Corroticë, me 7 punëtorë arsimorë dhe reth 150 nxënës. Mësimi zhvillohet në gjuhën serbe, edhepse popullata ishte shumicë shqiptare.
Shkolla e parë shqipe, në historinë e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës hapet në 7 shkurt të vitit 1945, në objektin e “Villa Letafet” pronarë e Abdulla Haxhi Veliut.
Pas LDB në Preshevë hapen shkolla fillore katërklasëshe në të gjitha vendbanimet e mëdha. Mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe serbe. Në këto shkolla mungonte kuadri i kualifikuat mësimor, por edhe përfshirja e nxënësvë ishte e vogël, sidomos e fëmijëve shqiptarë.
Në vitin 1948/49 hapet klasa e pestë e shkollës fillore si klasë e parë e Gjimnazit të Ulët, e cila më vonë ngritet në shkollë të parë fillore. Gjatë vitit shkollor 1962/63 u hapën edhe 4 shkolla fillore : në Miratoc, Caravajkë, Raincë dhe Strezoc. Më vonë hapën edhe shkollat fillore në Leran dhe Corroticë.Në bujanoc hapen shkollat në Tërnoc, Bilac, Llucan, Muhoc dhe Zarbincë, ndërsa në Medvegjë, në Sijarinë dhe Tupallë.
Destabilizimi i marrëdhënieve ndërnacionale u zgjerua edhe më tepër, atëherëkur udhëheqja kukëll e Preshevës lejoi ndarjen e shkollës fillore “15 Nëntori” tashti “Ibrahim Kelemendi” në Preshevë në baza nacionale. Kështu u themelua një shkollë e re “Vuk Karaxhiq” për serbët e Preshevës me 150 nxënës, ndërsa në Preshevë mbeti shkolla fillore me më shumë se 2.700 nxënës. Në realitet u pat planifikua nga Bashkësia republikane e Arsimit në Beograd ndërtimi edhe i një shkolle fillore në Preshevë, mirëpo Bashkësia ndërroi mendje në favor të fëmijëve serbë. Dukuri e paprecedan, sespe deri atëherë propagandohej vëllazërim-bashkim, ndërsa me këtë u bë segregacion në baza nacionale. Ndoshta edhe më mirë, pos sikut të siguroheshin edhe mjetet e ndërtimit edhe të një shkolle për femijët shqiptarë.
Arsimi i mesëm në Preshevë fillon me hapjen e paraleleve të Gjimnazit “Bora Stankoviq” të Vranjës, më 1961, i cili në atë kohë pati 112 nxënës, me 3 paralele dhe 8 profesorë nga Vranja në gjuhën serbe dhe 4 mësimdhënës nga Presheva në gjuhën shqipe. Në vitin shkollor 1964/65, Gjimnazi pavarësohet dhe merr emrin “Zora Socijalizma, ndërsa më 1968 merr emrin “Skënderbeu”, të cilin emër e mban edhe sot. Mirëpo, më 1989 Gjimnazi merr emrin “25 Maj” përshkak të lëvizjene antishqiptare që ndodhin në atë kohë në Kosovë, por edhe në Preshevë.Pas demonstratave të vitit 1981, rinia dhe shkolla shqipe përjeton dhunë të paparëp nga pushteti i ish-jugosllavisë. Kështu në luftën kundër indokrinimit të rinisë shqiptare,
Gjimnazin e kualifikuan qendër e nacionalizmit shqiptar dhe gjatë vitit shkolor kur erdhi reforma e re shkollore në ish_jugosllavi, në Preshevë nga Qendra arsimore u themeluan Gjimnazi dhe Shkolla e Mesme teknike. Në konkursin e shpallur nga këto institucione, në emër të diferencimit ideo-politik u përjashtuna 12 profesorë të papërshtatshëm ideopolitik dhe 24 profesorë të tjerë mbeten jashtë këtyreve shkollave.Në këtë shkollë brenda 7 viteve emërohen dhe shkarkohen 11 drejtore.
Në vitin 1947, në Preshevë u hap Shkolla e Nxënësve në Ekonomi.
Medreseja në Preshevë punoi deri më 1947 dhe njëri prej pishtarëve arsimorë në Luginë të Preshevës ishte Hafëz Alia(Ali Ahmeti) i lindur më 1856 në Preshevë dhe vdiq më 1952. Shërbeu dy herë në Prizren dhe ishte drejtor i Normales së Prizrenit në gjuhën turke.
Pas marrjes së Autonomisë së Kosovës nga Serbia dhe masave të dhunëshme në shkollat e Luginës së Preshevës pati kërkesa që shkollat shqipe të fillojnë të punojnë ilegalisht sikur shkolla shqipe në Kosovë, jashtë sistemir arsimor dhe ndikimit të pushtetit. Mirëpo, prap fal arsyeshmërisë së liderëve partiakë të Luginës dhe kushteve specifike të shkollës shqipe në Luginë dhe në përgjithësi të kushteve politike dhe ekonomike të shkollës shqipe dhe në përgjithësi të Luginës me ate të Kosovës erdhëm në përfundim se më mirë, me gjithë peripecitë, masat e dhunshme, keqtrajtimet e shkollës shqipe, përjashtimin e kuadrit më të mirë arsimor në Luginë, të vazhdohet me shkollat e rregullta, se ato ishin pronë e shiqiptarëve dhe me çdo kusht të luftohet që ato të qeverisen nga shqiptarët, sikur qëndron situata në shkollat shqipe të Luginës.
Në këtë kohë pushtetit serb filloi t’i pengoj edhe litaratura, librat e autorëve dhe botimet nga Tirana. Kështu më 1981 me aksionin e Inspektorit të Arsimit Komunal në Preshevë dhe Bujanoc, nën urdhërin e Inspektorit Republikan në Beograd, sidomos më 1987 nga Biblioteka e Qytetit dhe ato shkollore u hoqën 3.250 copë libra, ndër to edhe autorë me renome;Kadare, Agolli etjerë.
Gjendja e tanishme e shkollave shqipe
Në vitin shkollor 1984/85 në Preshevë kanë ekzistuar 38 shkolla me 6.257 nxnënës dhe 291 mësimdhënës, në Bujanoc kanë qenë 50 shkolla me 7.235 nxënës dhe 379 mësimdhënës dhe në Medvegjë kanë qenë 31 shkolla me 2.005 nxënës dhe 197 mësimdhënës.
Në komunën e Preshevës, edukimi parashkollor është i organizuar në Kopshtin e Fëmijëve “8 Marsi”dhe paralelet e ndara të tij thuajse në të gjitha vendbanimet Preshevës, filloi punën në vitin 1982. Punësuan 65 punëtorë arsimorë.
Arsimi fillor në Preshevë zhvillohet në 8 shkolla fillore dhe 2 shkolla të mesme :Shkollën fillore “Ibrahim Kelemendi” të Preshevës me 2.201 nxënës, në Shkollën fillore “Selami Hallaci” të rahovicës me 534 nxënës, në shkollën fillore “Zejnel Hajdini” të Raincës me 289 nxnës, në Shkollën fillore “Dituria” të Corroticës me 402 nxënës, në Shkollën fillore “Vuk Karaxhiq” të Stacionit hekurudhor me 197 nxënës, në gjuhën serbë, në Shkollën fillore”9Maji” të leranit me 605 nxënës, në gjuhën shqipe dhe serbe, në Shkollën fillore “Abdullah Krashnica” të Miratocit me 439 nxënës dhe në Shkollën fillore “Migjeni” të Caravajkës me 80 nxënës. Pra, shkollat fillore në vitin shkollor 2010/2011 regjistruan 4.753 nxënës, prej të cilëve 4.477 janë shqiptarë dhe 276 serbe e romë.
Arsimi i mesëm në Preshevë zhvillohet në 2 shkolla të mesme: Gjimnazi “Skënderbeu” me 1.025 nxënës, prej të cilëve 998 janë shqiptarë dhe 27 nxënës janë serbë dhe romë dhe Shkollës së Mesme treknike “Presheva” në Preshevë me 1.309 nxënës, prej të cilëve 1.213 janë shqiptarë dhe 96 serbë e romë.
Objektet e Shkollës së Mesme Teknike dhe Gjimnazit në Preshevë
Gjithësejt në shkollat fillore dhe të mesmë janë 7.087 nxënës, të cilëve u japin mësim 858 punëtorë arsimorë, prej të cilëve në shkollat fillore 599 punëtorë arsimorë dhe në shkollat e mesme 259 punëtorë arsimorë. Në numrin e punëtorëve arsimorë janë përfshirë edhe punëtorët arsimorë të entit parashkollorë në Preshevë.
Pozita diskriminuese e arsimit shqip në Luginë të Preshevës
Viteve të fundit, sidomos prej vitit 1981 krahas represionit të shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi edhe në Luginë të Preshevës , e banuar me shumicë popullatë shqiptare edhe përkundër faktit se këtoi shkolla shqipe punojnë me plan-programet dhe tekstet mësimore si dhe Ligjet e Republikës së Serbisë e deklaratave të mëdha të përfaqsuesve të pushtetit serb se në Luginë të Preshevës, Shqiptarët i gëzojnë të gjitha të drejtat për shkollim, arsimi në gjuhën shqipe pësoi diskriminim të përgjithshëm dhe me tendencë të shfarrosjes totale të shkollës shqipe.
U fillua me masat famëkeqe të diferencimit ideopolitik, u vazhdua me masat e dhunshme, me ndërrimin e emrave të shkollës shqipe, me intencën e integrimit apo bashkimit të dy shkollave në një shkollë, me segregacion dhe apartheid dhe në fund me mbylljen e tyre.
Në Preshevë bëhet ndarja e nxënësve të shkollës fillore në baza nacionale, kështu për nxënësit serbë(150) ndërtohet shkollë e re, në Stacionin e Hekurudhës, ndërsa nxënësit shqiptarë(2.300) mbeten të mësojnë në ndërtesë të vjetër, pa kushte elementare për zhvillimin e procesit arsimoro-edukativ. Me normat dhe standardet për shkollat në Serbi kërkohet që një shkollë mos të ketë më shumë se 500 nxënës.
Poashtu në vitin shkollor ishin siguruar mjetet që të ndërtohet edhe një shkollë në Preshevë, mirëpo në vend të saj ndërtohet shkolla fillore vetëm për nxënësit serbe.
Në arsimin e mesëm, Qendrës arsimore “Skënderbeu” në Preshevë i ndërrohet emri në “25 Maj”, përjashtohen 36 profesorë shqiptarë nga procesi mësimor dhe me riorganizimin e arsimit të mesëm, në dëm të nxënësve shqiptarë zvogëlohet numri i paraleleve, prej 56 në 46 paralele. Një padrejtësi e pa shembulltë në praktikën shkollore në Serbi, mësimdhënësit serbë stimulohen me më shumë, 10% më shumë të ardhura se sa mësimdhënësit shqiptarë..
Në plan-programet dhe tekstet mësimore të hartuara nga autorë serbë dhe nga institucionet të Republikes se Serbisë, aspak nuk përfillet në mënyrë adekuate gjuha, letërsia, kultura, historia dhe tradita shqiptare.
Në vitin 1987, në Kosovë, Pleqësia e Arsimit bënë ndryshimin e përmbajtjeve mësimore në planprogramin e lëndës së gjuhës dhe letersisë shqipe dhe lekturës shkollore për shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa në Serbi për shkollat shqipe dhe bibliotekat e shkollave e të qytetit jipet urdhëri që të hiqen nga përdorimi shumë autorë dhe literaturë shqiptare, vetëm se jane autorë nga Shqipëria dhe botimi mban vendin e Tiranës. Kështu në mesin e 3.25o librave gjenden edhe autorë me renome sikur : Kadare, Agolli e tjerë. Apo hiqen edhe aso romane :”Motosharra”, një autori të huaj që aspak nuk ka të bëjë me letërsinë shqipe, por vetëm se botimi ishte në Tiranë.
U krijua rasti dhe afera spektakulare “Dhurata nga Tirana” në të cilën u hoqën nga përdorimi “Lulet e verës” të Naimit, “Baba Tomori” i Cajupit, “Bagëti e Bujqësi”, “Histori e Skënderbeut” të Naimit e tjerë.
Shkollat shqipe pësuan shumë, sidomos pas ndalimit të përdorimit të teksteve nga Prishtina dhe lejuan përdorimin tekstet e botuara në Titograd-Podgoricë. Apo filluan të përdoren tekstet mësimore të përpiluara nga këshillëtarët e Entit Pedagogjik të Vranjës. Pra, tesktet mësimore filluan të hartohen nga individë jo profesionalë dhe nga to të hiqen dhe pastrohen tekstet nga përmbajtjet mësimore të gjuhës, letërsisë, kulturës, historisë shqiptare.
____________
REFERENCAT
1.Skënder Latifit, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006
2.Skënder Latifi, Gjurmët e Pashlyera(Tekste autoriale dhe shënime biografike për Mehmet Jusufin dhe Adem Ahmetin), Prishtinë, 2015
3.Ilir Zylfiu, Arsimi shqip në Luginën e Preshevës gjatë shekullit XX, në librin: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, dje, sot dhe nesër,në botim të IAP dhe SHTKK, Preshevë, 2015
4.Hasan Emërllahu, Abdullah Krashnica(Presheva dhe lufta e saj për bashkim kombëtar dhe vetëvendosje), Monografi, Prishtinë, 2015
5. Bisedë me Nehat Hazirin, më 15 shkurt 2016
6.Bisedë me Musherefe Ahmedin-Halilin, të cilën e bëri Mahmut Ahmedi, më 15 shkurt
7.Bisedë me Vebi Aliun-Dasa, më 10 shkurt 2016
8.Bisedë me Ramadan Ahmeti-Aga Dani, të cilën e zhvilloi Bujar Ahmeti ,më 17 shkurt 2016
9.Bisedë me Bejtullah Osmanin, më 15 shkurt 2016.