XHEVAT BISLIMI: DORËZIMI I ISËS DHE I HASHIMIT PARA DAÇIÇIT&VUÇIÇIT – SERBISË NË BRUKSEL!

Viti, 14. 12. 2015: E tha dhe e pranoi me gojën e tij Isa Mustafa se ishin dorëzuar para Daçiçit në Bruksel! Dy-tri netë më parë, Isa Mustafa (kryeministri ilegal-jolegjitim i Kosovës), ishte mysafir i Televizionit 21. Midis pyetjeve tjera, gazetari e pyeti Isa Mustafën edhe për dështimin e anëtarsimit të Republikës së Kosovës në UNESCO… “Kosova nuk u anëtarsua në UNESCO, tha Isa Zeza, edhe për shkak të ngjarjeve të marsit të vitit 2004… Në takimin që patëm unë e Hashimi me Ivica Daçiçin e Mogerinin në Bruksel para mbledhjes së UNESCOS, Daçiçi gjatë gjithë kohës tregonte dhe i mbante në tavolinë fotografitë e kishave dhe të monumenteve të djegura e të rrënuara gjatë ngjarjeve të marsit të vitit 2004”! Pak kush e ka kapur, e ka kuptuar dhe e ka mbajtur mend këtë të vërtetë të madhe që nxori nga goja, Isa, krejt i pandërgjegjshëm për atë që po thoshte! Madje edhe gazetarit i “shpëtoi” ose nuk dashti ta kapte këtë pohim të Isa Zezës për t’ia bërë pastaj pyetjen që do t’ia bënte çdo shqiptar dhe çdo qytetar lojal i Republikës Shqiptare të Kosovës: PO JU DHE ZOTI THAÇI KU I KISHIT FOTOGRAFITË E GJENOCIDIT SERB, TË KRIMEVE, TË MASAKRAVE, TË DJEGIES DHE TË SHKATËRRIMIT TË MONUMENTEVE HISTORIKE, KULTURORE E FETARE SHQIPTARE?!!
Më besoni, lexues dhe bashkëkombës të nderuar, ishte hera e parë gjatë këtyre viteve të pas çlirimit që mendova seriozisht për diçka që nuk më kishte shkuar mendja më parë… Dhe kjo “diçka” ishte qypi me lira dhe efekti i tij tragjik për fatet e popullit tonë!! Si ka mundësi, si shpjegohet dhe si ta kuptojmë që Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë mposhtur dhe janë dorëzuar para “argumentit” të Daçiçit-Serbisë (ngjarjet e marsit 2004)?!! Apo kanë shkuar në Bruksel të “mundur”?!! Isa Mustafa i Prapashticës së djegur, të vrarë e të maskaruar deri te fëmija në djep nga forcat serbe nuk paska patur argument për ta mposhtur në sytë e Mogerinit dhe të Brukselit Daçiçin-Serbinë?!! Hashim Thaçi i Drenicës së djegur, të vrarë, të masakruar e të shkatërruar shumëherë nga forcat ushtarake e policore serbe nuk paska patur fakte-argumenta për ta kundërshtuar dhe akuzuar Daçiçin-Serbinë para Mogerinit të BE-së dhe para mbarë botës për gjenocid, krim, masakër, djegie e shkatërrim të Kosovës shqiptare?!! Dhe kush? Hashimi që, për konsum të brendshëm (për patriotizëm), kërcënonte publikisht Serbinë me padi për gjenocid?! Janë mijëra faqe të shkruara nga autorë shqiptarë e të huaj, janë mijëra dokumenta dhe prova (edhe fotografi) të botuara nga autorë të huaj e shqiptarë për dhunën, terrorin, krimet, masakrat dhe gjenocidin serb ndaj popullsisë shqiptare dhe pasurive të saj në Kosovë gjatë luftës së fundit shqiptaro-serbe dhe gjatë një shekulli e më shumë… Janë qindra libra, monografi, studime e dokumenta që vërtetojnë dhe provojnë dhunën, terrorin, shpërnguljen dhe spastrimin serb në rajone, qytete dhe vendbanime, atëherë shqiptare: në Nish, Toplicë, Vranjë, Kurshumli, Leskoc e 650 fshatra tjera atëherë shqiptare… Janë shumë studime, artikuj, monografi e libra që faktojnë rrënimin, uzurpimin dhe përvetësimin e kishave shqiptare nga pushtuesit serbë… Kisha shqiptare në Prizren, që dikur quhej “Shënepremte”, e që turqit e shndërruan në “Xhamixhuma”, sot quhet kishë “serbe” dhe quhet “Sveti Petka”!! Njësoj është edhe Manastiri i Graçanicës, ai i Deçanit, Patrikana e Pejës, etj.!

Në një ligjëratë në Universitetin e Dubrovnikut (në vitin 2006), ku merrnin pjesë edhe deputetë nga ish-republikat e Jugoserbisë (pra edhe deputetë nga Serbia), historiani i shquar kroat, Ivo Banac, duke ligjëruar për formimin e gjuhës, territorit dhe religjionit te serbët, midis tjerash, tha: “Territori serb është formuar kryesisht në kurriz të territoreve shqiptare dhe hungareze… Beogradi për herë të parë u bë qytet serb në vitin 1806, në kohën e Karagjorgjeviçit”… Ndërsa, duke folur-shtjelluar mënyrën se si serbët kanë uzurpuar dhe përvetësuar kishat dhe manastiret e të tjerëve dhe i kanë bërë të tyret, ai tha: “Shembulli më i mirë se si serbët kanë uzurpuar dhe përvetësuar manastiret dhe kishat është Manastiri i Deçanit… Atij Manastiri, tha ai, mund t’i thoni dhe mund ta quani si të doni (nuk e tha shqiptar, shpjegimi im…) veç manastir serb nuk është dhe nuk mund të quhet”. Kështu e tha tekstualisht. Dhe, asnjë serb dhe as deputetë serb nuk bëri as mëk as gëk, sepse s’kishin “forcë” ta kundërshtonin historianin kroat. E solla këtë shembull për të treguar se si edhe një historian kroat e thoshte hapur dhe e “promovonte” pa asnjë kompleks a ndjenjë inferioriteti të vërtetën historike dhe shkencore. Ndërsa “përfaqësuesit” e popullit shqiptar të Kosovës, ata që kanë kërkuar dhe kanë “fituar” besimin e një populli për t’i përfaqësuar, promovuar dhe mbrojtur vlerat, interesat, të vërtetën dhe të drejtat e tij, dorëzohen para Daçiçit, që ishte zëdhënës i kryekriminelit serb, Milosheviçit!! Në këtë frymë dhe në këtë raport vazaliteti janë zhvilluar në vijimësi bisedimet me Serbinë!! Janë po këta “përfaqësues, që për katër vjet bisedime, shtrëngime duarsh, përqafime e puthje nuk e përmendën asnjëherë çështjen e Luginës së Preshevës, të atyre shqiptarëve që ende janë dhe gjallojnë atje pa asnjë të drejtë dhe të kërcënuar e të rrezikuar nga dëbimi-zhbërja!! Pyetja ime, sepse besoj që është pyetje e çdo shqiptari, është: PSE?!! Deri atë natë që e pash dhe e dëgjova Isa Mustafën në Televizionin 21 kisha bindjen se këta politikanë dhe qeveritarë janë të shantazhuar, të “mundur” nga e kaluara e tyre, etj. Atë natë më erdhi në mendje diçka tjetër… Ndoshta (tashmë e kam bindje) këta faqezinj kanë hëngër parat e Serbisë, e cila historikisht ka luajtur me kartën e qypit të lirave për t’i blerë parinë (kur ka mundur). Dhe, po ta mendosh hollë e hollë, s’janë para për Serbinë njëqind milionë euro, as dyqindë, madje as tre-katërqindë e pesëqindë milionë euro për një marrëveshje si kjo e “Zajednicës” (minishtetit serb) Kosovë… Zemra dhe mendja nuk ma do kurrë që të ketë një shqiptar, qoftë edhe si Isa Mustafa, që blihet nga Serbia por, unë, nuk po gjej shpjegim tjetër! Thonë që një ditë do të “zbardhen” të gjitha, siç janë “zbardhur” shumë tradhti tjera në histori… Mirëpo, puna është se pasojat dhe dëmet që bëhen sot nuk do të riparohen nga “zbardhja” e këtij allishverishi pas 50 a 100 vitesh… Fajtore dhe përgjëgjëse para kombit dhe historisë, sipas meje, do të mbetet përgjithmonë edhe Tirana zyrtare që “hoqi” dorë me lehtësi nga njëra nga krahinat-vilajetet e saj të pushtuara, duke e lënë letër bixhozi në duart e ‘ndërkombëtareve”, të Serbisë dhe të këtyre axhaminjve të Prishtinës…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura