Viti, 28. 07. 2013 – U bënë 14 vite që në Kosovë është vendosur UNMIK-u dhe 5 vite që në Kosovë, si mbeshtetje dhe vazhdimësi e UNMIK-ut, është vendosur EULEX-i. Politikanë dhe zyrtarë të lartë qeveritar, por edhe gazetarë dhe analistë (medie) të shumtë që këto dy misione, me emra të ndryshëm por me qëllim dhe projekt të njejtë, i shpallin të dështuara…
Po të besoja naivisht (sikur këta bashkëkombës të mi) se UNMIK-EULEX-i ka ardhur dhe është vendosur fort në Kosovë:
– për ta pavarësuar dhe shkëputur plotësisht Kosovën nga Serbia,
– për ta zgjidhur dhe mbyllur njëherë e përgjithmonë çështjen shqiptare të Kosovës,
– për të ndihmuar për ringritjen dhe rindërtimin e një Kosove me institucione të ndërtuara mirë dhe të qëndrueshme, me një ekonomi të zhvilluar, me një forcë ushtarake të mjaftueshme për ta mbrojtur veten, etj., edhe unë do të thoja: UNMIK-EULEX-i ka dështuar…
Por, bashkëkombës të mi, po ta dinit, njihnit dhe kuptonit projektin e UNMIK-EULEX-it për Kosoven tonë shqiptare (ka nga ata që e dinë dhe zvarriten pas tij…!) do të pajtoheshit me mua dhe do të thonit se UNMIK-EULEX-i ishte një mision plotësisht i suksesshëm… Madje, falë mbështetjes së fuqishme dhe të mjerë që klasa politike dhe institucionale e Kosovës i ka dhënë këtyre dy misioneve me projekt të njejtë për Kosovën shqiptare, mund të themi, dhe kjo do të provohet, se UNMIK-EULEX-i i ka tejkaluar synimet (objektivat) e tij, e ka tejkaluar planin-projektin e tij për Kosovën.
Ka dështuar klasa politike dhe institucionale e Kosovës. Koston, si gjithmonë, e paguan populli i Kosovës dhe kombi shqiptar përgjithësisht. Nuk duhet harruar kurrë dhe për asnjë çast (siç po harrohet me dashje) se për suksesin e UNMIK-EULEX-it meritë të padiskutueshme dhe gati vendimtare ka edhe Tirana zyrtare, e cila pranoi që Serbia të bëhet ORTAKE në Kosove dhe e cila Kosovën nuk e trajtoi si një pjesë të pandashme të trungut shqiptar (Shqipërisë), por si një çështje e Serbisë dhe të Fuqive të Mëdha (UNMIK-EULEX-it)!
I dëgjova edhe deputetët që diskutonin dhe debatonin në Kuvendin e Kosovës për këtë mision, sipas tyre të dështuar!
Zotërinj deputet dhe ju zotërinj qeveritarë!
Duhet të mësoheni të bëni dallimin midis dëshirave-iluzioneve (pritjeve naive) tuaja dhe projekteve ose projektit të UNMIK-EULEX-it (Bashkësisë Ndërkombëtare-Fuqive të Mëdha) për Kosovën… Vetëm kur ta kuptoni, nëse do të mundeni ta kuptoni ndonjëherë, projektin e UNMIK-EULEX-it do të mundeni edhe t’i riorganizoni dëshirat tuaja dhe ta beni “projektin” tuaj konform realiteteve në Kosove dhe të jeni të dobishëm për këtë vend dhe për kombin shqiptar…
Vetëm kur ta kuptoni (nëse do ta kuptoni ndonjëherë), se UNMIK-EULEX-i deri tash ka qenë MISION tepër i suksesshëm në dëm të Kosovës dhe në realizimin e projektit të tij, do të mundeni dhe do të kishit të drejtë të mendonit seriozisht dhe të merrnit masat e duhura shtetërore për largimin e këtij MISIONI, për mua, kundërshqiptar… Por, thotë populli ynë i mirë, petullat me ujë nuk bëhen…
– UNMIK-EULEX-i dhe Serbia nuk mund të largohen nga Kosova duke thirrur ezanin pesë herë në ditë (duke u tallur me Zotin dhe me këtë vend),
– UNMIK-EULEX-i dhe Serbia nuk mund të largohen nga Kosova deri sa klasa politike dhe institucionet e Kosovës nuk shkëputen (distancohen-largohen) tërësisht nga korrupcioni dhe jo vetëm të shkëputen, por edhe ta luftojnë korrupcionin, krimin e organizuar dhe deformimet tjera të sistemit tonë.
– Nuk mund të largohet UNMIK-EULEX-i dhe Serbia nga Kosova përderisa në institucionet tona shtetërore e publike vazhdojnë të veprojnë dhe të kontrollojnë “shqiptarët” dhe celulat e tyre të sherbimeve sekrete serbe (bashkëpunëtorët e djeshëm dhe të sotëm të Serbisë)…
Prandaj, është i domosdoshem ligji mbi pastërtinë e figurës (lustracionit). Jo vetem kaq. Në Kosovë veprojnë të papenguara dhe pa asnje kufizim dhjetra shërbime sekrete… Prandaj, shqiptarët, klasa e tyre politike dhe institucionale, nëse duan ta largojne UNMIK-EULEX-in dhe Serbinë nga Kosova duhet ta kuptojnë dhe pranojnë se kannë dështuar bukur shumë pas lufte dhe se UNMIK-EULEX-i ishte shumë i suksesshëm në Kosovë, madje mund të them se e ka zbatuar projektin e tij (të Fuqive të Medha) në mënyrë shembullore…
Duhet ta kuptojnë se për largimin e UNMIK-EULEX-it nga Kosova duhet ta kemi projektin tonë kombëtar-shqiptar dhe duhet të punojmë natë e ditë që Kosova të mbetet, siç ishte ndër shekuj, shqiptare dhe pjesë e pandashme e Shqipërisë… Kjo do të ishte zgjidhja e drejtë, e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjithë. Kështu do të hynte në një rrugë të pakthim edhe zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare në ILIRI-Ballkan.
Ky do të duhej te ishte misioni i kombit shqiptar. Realizimi me sukses i këtij MISIONI do të ishte çlirimtar edhe për vendet fqinje që po mbajnë të pushtuara pjesë dhe krahina të tokave të Shqipërisë. Kështu edhe ky rajon, ILIRIA, do t’i linte prapa konfliktet e përgjakshme (të gjitha janë bërë për t’i grabitur tokat shqiptare) dhe do të europianizohej përgjithmonë… Ky do të ishte kontributi me i çmuar i kombit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmerinë e përherëshme në Siujdhesën e Ilirisë… Kush nuk do ta dëshironte një zgjidhje të këtillë fatlume në rajon dhe në botë?…