Viti, 01. 10. 2014: Para shumë problemeve, nevojave dhe kërkesave të popullit të Kosovës ishte çështja (problemi…) i energjisë elektrike, i dritave… Pas Luftës Kundërpushtuese-Ҫlirimtare të UҪK-së dhe të kombit shqiptar për Kosovën, populli ynë u ballafaqua me mungesë të madhe të energjisë elektrike. Kjo edhe mund të kuptohej për dy-tri vite, por më tej nuk kishte arsye që populli i Kosovës të “mbytej” nga terri…!! Humbjet në ekonomi, në tregti dhe në të gjitha veprimtaritë tjera ishin të mëdha për shkak të mungesës së energjisë elektrike…! Të fituar ishin vetëm tregtarët e gjeneratorëve…! Shumëkush e paguante me jetën e tij në spitale, ambulanca etj., ikjen e dritave… Mijëra orë mësimi e studimi të humbura nëpër shkolla e universitete! Humbje të pallogaritshme edhe në shtëpitë e banesat banimit… Po t’i shtohet kësaj edhe nervoza dhe stresi që shkaktonin ikjet e dritave për orë të tëra, delë që KEK-u dhe institucionet e Kosovës i kanë shumë borgj këtij vendi… Përveç kësaj, nga buxheti i Kosovës janë dhënë qindra miliona euro për t’i mbuluar “humbjet” ose më saktë plaçkitjet që bëheshin në KEK…!! Përveç kësaj edhe rritja e pandalshme e çmimit të energjisë për hesap të KEC-it…! Përveç kësaj, KEC-it iu ka dhënë e drejta që t’i mbledhë edhe borgjet shumëvjeçare që qytetarët dhe ndërmarrjet i kishin KEK-ut…!
Hashim Thaçi: “Ju garantojë, se do të keni drita 24 orë…!”
Premtimi dhe shpresa e madhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje jetike për një vend dhe një ekonomi u bë Hashim Thaçi para shtatë-tetë vitesh gjatë fushatës zgjedhore… “Ju garantojë”, – deklaronte me sa zë kishte Hashimi, kudo që shkonte në tubimet zgjedhore, – “se do të keni drita 24 orë”… Pasi i fitoi zgjedhjet për disa vite u stabilizua deri diku energjia, por ishte larg nevojave të ekonomisë dhe të qytetarëve… Gjatë (keq)qeverisjes së tij shtatë vjeçare premtoi pa pushim, se do ta bënte një termoelektranë të re me 2 000 megavat…! Kurrë nuk u bë as kjo termoelektranë, që e quante “Kosova e Re”…! Kjo nuk u bë, përveç tjerash, edhe për arsye se duhej ruajtur supremacia e Serbisë në energjetike dhe varësia e Republikës sonë prej saj…!! Të vetmen gjë që bëri ishte “privatizimi” (kontrabandimi…) i rrjetit të shpërndarjes…!! Nuk e besoj që të ketë ndodhur edhe dikund tjetër në Europë një “privatizim” kaq kriminal sa ky i rrjetit të shpërndarjes te ne… Këtë vit gjendja është përkeqësuar shumë…! Ikin dritat me nga tre, katër e pesë orë…! Edhe më e keq do të jetë gjendja në dimrin që po afrohet… Premtimin për 24 orë me drita Hashimi e quan të “realizuar” me detyrimin ligjor që makinat të ecin me drita të ndezura ditën e natën (24 orë…). Premtimet tjera të Hashimit nuk janë mbajtur ose janë harruar fare…! Në sektorin e shëndetësisë, të arsimit, të integrimeve europiane, të drejtësisë, të arsimit të lartë, të ekonomisë, tregtisë, mjedisit, ujërave, pyjeve… gjendja është edhe më e keqe…! Vetëm sektori i korrupcionit, i krimit të organizuar, i uzurpimit dhe trafikimit të pronës, i drogës… kanë ecur dhe kanë lulëzuar gjatë këtyre viteve…