SADRI RAMABAJA: ISA MUSTAFA, RACIOJA E MUNGUAR POLITIKE DHE EMOCIONET!

Prishtinë, 02. 05. 2016: Fenomeni Isa Mustafa është produkt i ndikimit të fortë që aparati shtetror i kolonizatorëve serb ka instaluar në struktura të tëra për gati një shekull. Ndërkaq arsyet pse kjo sortë politikanësh po mbijeton tutje, janë meritë e mjedisit politik të instaluar nga UNMIK-u dhe EULEX-i, si instrumente të neokolonializmit modern.
***
Në filmin e Woody Allens-it “Të gjithë thonë: I love you” vend të veçant i kushtohet karakterit të kryepersonazhit. Djali i një personaliteti me pikëpamje progresive dhe gjykim liberal, papritmas fillon të propagojë çështje të ngritura në tema qendrore të republikanëve: Të drejtën për armëmbajtje, të drejtën për praktikimin e lutjeve në shkolla dhe dënimin me vdekje.
Pas një kontrolli mjekësor rutinor rezulton se ai kishte pësuar ngjizje të gjakut që pamundësonte furnizimin e trurit me oksigjen dhe rrjedhimisht një lloj tronditje të pavenerueshme. Me t’ u korrigjuar ky defekt, djali fillon sërish të gjykoj nga pozicionet liberale.
Derisa po e shikoja mbrëmë dokumentarin ekskluziv të transmetuar në emisionin Zona Express, “Portret i paautorizuar i Isa Mustafës”, në mendje kisha kryepersonazhin e Woody Allensit. Për gadi një shekull, kjo pjesë e kombit tonë i është nënshtruar fenomenit të shpërlarjes së trurit nga politika serbe dhe natyrisht efektet e saj janë prezente edhe sot. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe gjykimi dhe veprimi i një pjese të mirë të popullit krejt në kundërshtim me racion.

Ka vite që Instituti Max-Planck në Lajpcig, që për objekt hulumtimi shkencor ka Qenien, pra Njeriun, racion dhe sistemin nervor të tij, në bashkëpunim me Qendrën për hulumtime (Bernstein-Zentrum) Berlin, po punojnë në njohjen më të thellë të Njeriut, respektivisht precizitetin dhe variabilitetin e trurit të tij. Studjuesit e këtij institucioni kredibil shkencor ndërkohë demonstrojnë publikisht se çfarë janë në gjendje të bëjnë përmes skanimit të trurit. Ata shkojnë aq larg sa pretendojnë se janë në gjendje të lexojnë edhe mendimet dhe preferencat politike. Në studimin e publikuar në revistën e njohur “Neoroimage” (Automatic processing of political preferences in the human brain), Bernstein -Zentrum dëshmon hapin gjigant të shkencës në njohjen e trurit dhe leximin e tij.
Për leximin e aktivitetit të trurit hulumtuesit po përdorin një program kompjuterik që ka prodhuar ekipi që merret me studimin e intelegjencies artificiale, duke krahasuar shtypjen e freskët të gishtit me të dhënat e ruajtura në databazë.
Eksperimenti me politikanët gjerman i ushtruar para publikut për njërin prej ekspertëve të këtij instituti, nëse vazhdohen tutje, do të ishin me shumë interes për hulumtimin në lëmin e shkencave politike. Por, me gjithë optimizmin e shprehur publikisht, studjuesit nuk besojnë se do të mund t’ ju ndihmonin politikanëve në përmirësimin e shpejtë të fushatave zgjedhore. E shumta që shkenca mund t’ i ofrojë politikës, do të ishte se çfarë ndjeshmërie kanë votuesit kur përpara kanë akcilin politikan.
Duke ndjekur dokumentarin në fjalë, i jepja të drejtë vetes të shestoja se çfarë rezultatesh do të tregonte hulumtimi nëse votuesi do të kishte përballë Isa Mustafën dhe “avokatin” e mikun e tij, Muhamet Mustafa. Ndërkaq duke marrë në konsideratë se që të dy janë pjesë e politikës që nga mosha e rinisë dhe kanë arritur të mbijetojnë të gjitha sistemet, asocioni më shpjente tek kryepersonazhi i filmit. Por, nëse kryepersonazhi i filmit është i goditur nga një sëmundje e zakonshme dhe me t’u sheruar, ai sërish i kthehet realitetit, dy personazhet e dokumentarit, që të dytë profesor universitar për vite të tëra, jo që nuk kanë pësuar farë ngjizje klasike të gjakut, por për shumë vjet ata i ishin nënshtruar vullnetarisht shpërlarjes masive të trurit nga politika titiste, ndërkaq të qenunit në krye të institucioneve e konsideronin dhe vazhdojnë ta konsiderojnë si domosdoshmëri, madje duke e bindur veten, se krejt kjo është në dobi dhe interes të qytetarëve!
Për brezin e ri, të lindur në epokën e Lirisë, dokumentari në fjalë mund të jetë thjeshtë një storie interesante që prezanton karrierën e një politikani. Ndërkaq për brezin që ka jetuar katrahurat e sistemit titist, sidomos atë shtresë të qytetarisë sonë që kishin sakrifikuar çdo gjë në ruajtjen e flakadanit të lirisë, që do të kurorëzohej me krijimin e UÇK-së dhe shporrjen e Serbisë nga Kosova, rishfaqja në krye të Republikës e sojit të tillë të politikanëve të pandërgjegjshëm, është më shumë se një traumë politike dhe shpërfaqje e mjerimit tonë politik kolektiv.
Si arriti ish funksionoari i Qendrës së Studentëve, që zakonisht ishin njerëz shumë të besueshëm të pushtetit, që jo krejt kot do të jetë ministër gjatë epokës së Slobodan Milosheviqit, të rikthehet në politikë dhe sot të jetë kryeministër i Republikës, të cilën si ide dhe koncept ai e kishte luftuar me aq zell !?
Autorët e këtij dokumentari shumë të qëlluar, duket pa dashje, sikur kishin harruar të theksojnë një të dhënë faktike dhe shpjeguese njëkohësisht për atë epokë të sistemit politik që dominohej nga ideologjia hibride e LKJ-së, që shqiptarët nuk i shihte edhe aq si armiq ideologjik, sa i shihte si armiq të përjetshëm të Shtetit. Ndërkaq derisa pas vitit 1981, titizmi në Kosovë hapur po i lëshonte hapësirë rikthimit të epokës së Rankoviqit, ish ministrit famkeq e antishqiptar të ish Jugosllavisë, pra në këtë epokë, ku syri i “vëllait të madh” të vrojtonte kudo, ngritja në karrierë politike kishte parakusht qenësor, jo vetëm lojalitetin ndaj Jugosllavisë, të qenunit kuisling i përbetuar, por më shumë se kaq – dlshmimin e përditshëm si antishqiptar dhe bastard të llojit të vet.
Studimet multidisiplinare të shkencave humane, para së gjithash të qendrave që për objekt kanë Njeriun, trurin e tij, masat e gjera…si këto gjermanet që i zumë në gojë më lart, do t’ na jipnni të dhëna më bindëse se si ka pasur mundësi që kjo kategori të tallet me popullin tonë edhe në emër të demokracisë dhe njëkohësisht të vazhdojë të gjejë mbështetje jo të vogël edhe tash pas 17 vjetë lirie!
Ndërkaq deri atëherë një hetim real që do të mund ta bënte vetëm Komisioni i lustracionit, do të mjaftonte, meqë ai sigurisht se do të nxirrte konkluzionin e qartë se, Isa M., pra kryeministri aktual i Republikës, që u katapultua në këtë post me ndihmën e të ashtuquajturës Drejtori Politike të UÇK-së, de fakto, duhet të ketë qenë oficer i UDB-së.
Si makiavelisti më i përkryer ndër shqiptarët, Isa M. shpejt e kishte kuptuar se fuqia e popullit në të ashtuquajturin sistem politik të demokracive liberale të kontrolluara, është thjeshtë vetëm frazë. Ai ndërkohë kishte përvetësuar dijen politike që do t’ i mjaftonte të dinte se në këtë fazë që po kalon Republika, politikanët i qeverisin qytetarët, por nëse ata, pra politikanët nuk shndërrohen njëkohësisht në manjat ekonomik, qytetaria aktive lehtësisht i dërgon në histori. Prandaj ai në emisionin në fjalë u prezentua ashtu si është: politikan dhe milioner.
Fundi i këtij dokumentari kaq kritik, flet në dobi të tezës se, Isa M. shpejt mund ta shohim në Dyz, ndërkaq formacionin që e ringjalli këtë fosile të titizmit – LDK-në, duke ecur drejt fundit të natyrshëm – shkuarjes në histori.
Studimet në lëmin e mjeksisë dhe me pikëqëndrim ato të trurit, dëshmojnë se tek karakteri i Njeriut rol të ndjehsëm ka fëmijëria, mënyra se si ajo periudhë jetohet, por rol edhe më vendimtar, duket kanë predispozitat gjenetike, të cilat ose drejtpërdrejtë ose përmes cilësive që shprehin karakterin e personit, ndikojnë edhe në botëkuptimin politik, megjithëse shumica e tyre janë të karakterit emocional. Korteksi, qendra e arsyes dhe reflektimit, ka rol të pavenerueshëm në qëndrimet politike, konkludojnë studiusit në lëmin e intelegjencies artificiale.
Kjo ëshët arsyeja përse bindjet politike me kalimin e kohës etablohen tek qeniet politike që vënë në veprim arsyen dhe e kundërta, vinë në shprehje emocionet tek ata që e përjashtojnë arsyen. Tek truri i njeriut, shih për këtë, konkludojnë studimet e fushës, vlera më e madhe është aftësia për t’ u përshtatur me të renë, për ecje progresive. Në kohërat e turbullta, kjo është arsyeja përse Njeriu ka mendim më konservativ, ndërkaq në kohërat e qeta, të sigurta, ai kultivon qëndrime e opinione liberale, respektivisht progresive.
Fenomeni Isa Mustafa dhe përgjithësisht fenomeni LDK, është produkt i ndikimit të fortë që aparati shtetror i kolonizatorëve serb ka instaluar në struktura të tëra të shoqërisë sonë për gati një shekull. Në rrjedhën e këtij gjykimi politik, rezulton legjitim supozimi se, brenda trurit të kësaj kategorie, mund të jenë zhvilluar procese afatgjata të shpërlarjes dhe dekodimit, që kanë prodhuar këtë fenomen debilësh në politikën tonë. Ndërkaq arsyet pse kjo sortë politikanësh po mbijeton tutje, janë meritë e mjedisit politik të instaluar nga UNMIK-u dhe EULEX-i, si instrumente të neokolonializmit modern.

……………………………………………………….

#ZonaExpress: “Portret i paautorizuar i Isa Mustafës”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura