Prishtinë, 7 tetor 2020: Përpjekjet dhe projektet për t’ia mohuar të drejtën popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë dhe plotësisht i pavarur nga Serbia nuk janë të reja dhe as të panjohura për Shoqërinë LËVIZJA dhe për kombin tonë, ashtu siç nuk është i panjohur për botën as terrori, gjenocidi dhe holokausti serb në Kosovë dhe në viset e saj.
Lufta Antipushtuese Çlirimtare e LPK-UÇK-së, e cila fitoi përkrahjen e mbarë kombit shqiptar dhe të vendeve demokratike perëndimore, ishte rezultat i mohimit dhe i shtypjes brutale të të drejtave kombëtare, politike e qytetare dhe i çdo të drejte e lirie njerëzore të pjesës së pushtuar të popullit shqiptar nga Jugoserbia. Mirëpo, përpjekjet dhe Lufta Çlirimtare e shqiptarëve nuk u panë me sy të mirë nga disa shtete e qeveri, që Kosovës shqiptare i kishin «rezervuar» një «autonomi substanciale»!? Këto qarqe, shtete e qeveri, edhe pas dëbimit të forcave pushtuese terroriste serbe, nuk hoqën dorë nga projekti i tyre për «pajtimin » e popullit shqiptar me Serbinë vrastare me një «autonomi substanciale» për Kosovën, pa viset e saj!
Këtu dhe vetëm këtu duhet kërkuar dhe gjetur shkakun themelor të gjithë asaj fushate që nisi menjëherë pas Luftës kundër luftëtarëve të lirisë dhe kundër komandantëve të UÇK-së me dosje të fabrikuara dhe trilluara në Beograd nga administrata shtetërore neofashiste serbe. Ditë pas dite, muaj pas muaji e vit pas viti, kjo fushatë e këto dosje, me mbështetjen e fuqishme të aleatëve të Serbisë, gjetën mbështetës e strehë deri në Këshillin e Evropës, i cili, mbi bazën e shpifjeve dhe trillimeve monstruoze të Serbisë për «trafikim të organeve», miratoi edhe raportin famëkeq të hartuar nga «mercenari» Dick Marti. Ky raport, që nuk ofronte asnjë dëshmi dhe asnjë fakt relevant, u shërbeu mediave, qarqeve dhe vendeve mike të Serbisë për ta ashpërsuar fushatën dhe për ta rritur trysninë e shantazhin mbi shtetin e saposhpallur të Kosovës dhe mbi institucionet e tij ende të pakonsoliduara dhe të paçliruara nga tutela dhe arbitrariteti i «ndërkombëtarëve»! Në krah të kësaj fushate të çmendur kundër një shteti në themelim u rreshtuan shumë medie e organizata «joqeveritare» në Prishtinë, madje edhe ndonjë parti politike, që nuk shkëputej dot nga koncepti autonomist dhe «kosovarist» e «kosovarocentrist» për Kosovën shqiptare!
Kjo rezultoi me krijimin e dhomave të specializuara, alias Gjykatës Speciale, për hetimin dhe dënimin e «krimeve» të shqiptarëve, e që në fakt është instrument politik për linçimin, persekutimin, hetimin dhe dënimin e përpjekjes dhe të Luftës së Madhe shqiptare për çlirimin e Kosovës së pushtuar dhe të viseve të saj! Prandaj, Shoqëria LËVIZJA, konsiderojmë edhe i gjithë populli shqiptar, është kundër kësaj padrejtësie morbide, të quajtur «drejtësi e Kosovës», me hetues, me forcë policore, me prokurorë e me gjykatës të huaj!
Shoqëria LËVIZJA dhe populli ynë kanë besuar se hetuesia, policia dhe drejtësia evropiane e ndërkombëtare, sidomos ajo e vendeve demokratike, do të merreshin me shtetin që ishte shkaktari i të gjitha atyre tragjedive njerëzore, shpirtërore e materiale në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci e në Kosovë. Shteti që ishte shkaktari i tragjedive më të mëdha në Iliri (Ballkan) gjatë shekujve XIX e XX, e sidomos në fund të shekullit XX, Serbia, do të duhej të ishte vendosur nën kontroll dhe administrim ndërkombëtar për t’i hetuar krimet dhe gjenocidin e saj dhe jo Kosova shqiptare, që ishte viktima e madhe e atij shteti pushtues fashist e luftënxitës, që vrau e masakroi qindra mija shqiptarë të paarmatosur në Kosovë me qëllim të fundit, SHFAROSJEN!
Luftëtarët e UÇK-së po persekutohen, po linçohen, po hetohen, arrestohen e akuzohen me qëllim që të dënohet përpjekja dhe Lufta Çlirimtare e popullit shqiptar dhe të shantazhohet e goditet fryti i asaj Lufte, shteti i Kosovës dhe sovraniteti i tij!! Skenat (me skenarë !) e ndërhyrjeve, të dhunës e të arrestimeve me polici të huaj në Kosovë kanë fyer ndjenjat liridashëse dhe kanë cenuar nderin dhe dinjitetin e luftëtarit të lirisë dhe të krejt popullit tonë. Prandaj, Shoqëria LËVIZJA u bën thirrje qendrave ndërkombëtare të vendosjes, Fuqive të Mëdha, që të respektojnë lirinë, pavarësinë, demokracinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, shtetëror e kombëtar të Republikës së Kosovës, duke i ndihmuar të konsolidohet e jo duke e shantazhuar e duke ia dhunuar liritë dhe të drejtat themelore për ekzistencë.
Rehabilitimi i dhunës, terrorit, krimeve, masakrave dhe i gjenocidit serb, nga njëra anë, dhe persekutimi, arrestimi e dënimi i përpjekjeve dhe i luftës për liri e shkëputje të plotë nga Serbia, nga ana tjetër, nuk i shërben “normalizimit të marrëdhënieve” dhe nuk i shërben stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajonin tonë e më gjerë.
Shoqëria LËVIZJA bën thirrje dhe këmbëngul për hetimin dhe zbardhjen e secilit krim pa dallim përkatësie kombëtare dhe dënimin e pamëshirshëm të atyre që kanë planifikuar, urdhëruar dhe kryer krime mbi shqiptarët duarthatë. Pra, Gjykata Speciale, duhej krijuar për hetimin, zbardhjen dhe dënimin e krimeve, të masakrave dhe të gjenocidit serb në Kosovë… Sepse, krimet, masakrat dhunimet, gjenocidi dhe dëbimi, me qëllim të spastrimit etnik, janë bërë nga shteti terrorist serb.
Nëse ka ndodhur ndonjë krim për hakmarrje apo për qëllime politike, etj. në Kosovë duhet të hetohet, të zbardhet e të dënohet nga drejtësia vendore. Për këta njëzet vjet do të kishte mundur ta bënte këtë, po të kishte dashur, edhe «drejtësia» unmikiane dhe kjo e EULEX-it!? Por, drejtësia nuk ishte qëllim i këtyre misioneve ndërkombëtare! Prandaj, në Kosovën e pas Luftës nuk pati dhe nuk ka as sot drejtësi tranzicionale!! «Drejtësia» e UNMIK-ut dhe kjo e EULEX-it u ndërtua dhe zhvillua në bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me «kuadrot» shqipfolëse të Jugoserbisë dhe me vetë Serbinë e pasluftës!! Nuk thonë kot që «kryevepra e padrejtësisë është kur ajo (padrejtësia) duket e drejtë, duket drejtësi»!
Populli shqiptar në Kosovë e ka kuptuar me kohë që fushata, persekutimi, linçimi, arrestimi dhe dënimi i luftëtarëve të lirisë dhe i Luftës së tyre Çlirimtare gjatë këtyre dy dekadave nga gjykatat e UNMIK-EULEX-it, nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Jugosllavi dhe tash edhe nga Gjykata Speciale janë bërë dhe po bëhen për ta shantazhuar dhe frikësuar klasën e re politike në Kosovë me qëllim që të pranojë dhe të nënshkruajë marrëveshje e zgjidhje në kundërshtim me të drejtën dhe vullnetin e popullit shqiptar për shkëputje dhe pavarësi të plotë nga Serbia.
Po të ishte Lufta Çlirimtare e LPK-UÇK-së luftë cubash dhe luftë bashibozukësh nuk do ta fitonte kurrë përkrahjen e kombit shqiptar, përkrahjen e Fuqisë më të madhe në botë, SHBA-së, përkrahjen e organizatës ushtarake më të fuqishme në botë, NATO-s, dhe përkrahjen e botës së civilizuar e demokratike.
Marrëveshjet dhe zgjidhjet e imponuara për Republikën e Kosovës, organizimin e saj të brendshëm dhe super të drejtat për pakicën serbe (5%) dhe për kishën ortodokse «serbe», me pretendimet për të krijuar një entitet të veçantë serb (një «republika serbska»), nga njëra anë, dhe mohimi i çdo të drejte për shqiptarët e pushtuar të Kosovës Lindore, nga ana tjetër, përbëjnë kërcënim të përhershëm për stabilitetin, funksionalitetin, paqen dhe sigurinë në Kosovë e më gjerë!
Shoqëria LËVIZJA ia kujton klasës politike dhe shtetërore të Kosovës, por edhe bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë, që Pavarësia dhe shkëputja e Kosovës nga Serbia është vulosur dhe legjitimuar edhe nga OPINIONI i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Koncesionet në dëm të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës janë e do të jenë të papranueshme.
Shoqëria LËVIZJA u bën thirrje sot, më shumë se kurrë, mediave që të mos qëndrojnë në anën e gabuar dhe që të përmbahen e të mos hedhin baltë mbi Luftën Çlirimtare të popullit tonë për hesape të atyre që i paguajnë! Mediat do të duhej t’i shërbenin kohezionit dhe unitetit qytetar e kombëtar në këto kohë të vështira për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.
Shoqëria LËVIZJA fton partitë politike dhe institucionet shtetërore që t’i lënë anash dallimet dhe përçarjet e t’i vënë shpatullat ndërtimit dhe zhvillimit të unifikuar të Republikës së Kosovë! Kjo klasë politike e shtetërore dhe institucionet e kësaj Republike sot, më shumë se kurrë, duhet të mendojnë e të veprojnë me të gjithë potencialin njerëzor e material që ka Republika dhe populli ynë për fuqizimin e MBROJTJES! Serbia po armatoset me të gjitha llojet e armatimit e të aviacionit modern! Mesazhet dhe propaganda e saj janë më luftënxitëse se kurrë. Normalizimi i marrëdhënieve me të do të bëhet vetëm ditën që Serbia ta kuptojë se Kosovën nuk mund ta (ri)pushtojë më…
Shoqëria LËVIZJA mendon se institucionet shkencore shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup, sidomos Akademia e Shkencave dhe e Arteve, duhet të jenë më të angazhuara për ta shpjeguar, vlerësuar dhe prezantuar drejt e shkencërisht para opinionit botëror Luftën Çlirimtare të UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin definitiv të Kosovës. Shoqëria jonë konsideron se është koha që edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të vihet në anën e duhur dhe të shkëputet nga konceptet e vjetruara për Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Shoqëria LËVIZJA i fton edhe bashkësitë fetare shqiptare që të jenë në anën e duhur të historisë dhe t’i luten e t’i falen vetëm Zotit, Atdheut e popullit tonë, duke dhënë ndihmesën e tyre të rëndësishme për mirëkuptimin dhe unifikimin shpirtëror e kombëtar ndërshqiptar!
Shoqëria Lëvizja i bën thirrje edhe Tiranës zyrtare që të jetë edhe më e zëshme dhe më «agresive» në përkrahjen dhe mbrojtjen e Republikës Shqiptare të Kosovës dhe të të gjitha krahinave tjera jashtë kufijve të saj! Nuk ka çështje dhe as detyrë më të ngutshme e më të rëndësishme se kjo. Kështu do t’i kontribuohej jo vetëm “normalizimit të marrëdhënieve” me Serbinë, por edhe stabilitetit, paqes e sigurisë në rajon e më gjerë…
Liri e drejtësi për luftëtarët e lirisë dhe për Republikën Shqiptare të Kosovës!
Xhevat Bislimi
Kryetar i Shoqërisë Lëvizja
Prishtinë, më 6 tetor 2020