XHEVAT BISLIMI: UDHËHEQJA E PDK-së DUHET URGJENTISHT T’I HAP “KARTAT” NË MËNYRËN MË MIQËSORE

(Viti, 04. 10. 2012) – Shkrimi i sotëm te gazeta “Tribuna shqiptare”, me titullin tërësisht të pabesueshëm dhe thellësisht spekulativ-manipulues, “LDK mirëpret Jakup Krasniqin” është ilustrimi më i mirë për këtë fushatë të shëmtuar nga ana estetike dhe të dëmshme nga ana morale dhe politike. Ne jemi dëshmitarë të përditshmërisë sonë politike dhe të ndërskamcave tona…. Me titullin e saj Tribuna shqiptare sot paralajmëronte fillimin e fundit ogurzi për PDK-në dhe vlerat e saj kombëtare, demokratike, politike, kulturore…. Çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike-udhëheqja e saj sot? Nëse nuk është vonuar dhe unë vazhdoj të besoj se nuk është tepër vonë, udhëheqja e PDK-së (Kryetari, Sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetarët e saj) dhe dy figura të rëndësishme (nuk po them ndonjë sekret), Xhavit Haliti dhe Kadri Veseli, duhet urgjentisht ta gjejnë kohën e mjaftueshme dhe të domosdoshme për t’i hapur “kartat” në mënyrën më miqësore dhe demokratike (e që nuk u mungon) dhe, para së gjithash, me mençurinë, përgjegjshmërinë dhe urtësinë e tyre, që gjithashtu nuk u mungon. Dhe jo vetëm t’i hapin “kartat”, por edhe t’i mbyllin, sepse mund t’i mbyllin, njëherë e përgjithmonë për hirë dhe interes të anëtarsisë kaq të përkushtuar, kaq besnike dhe të angazhuar, për hirë dhe interes të Kosovës dhe më gjerë.

As Jakup Krasniqi në LDK dhe as LDK-ja në PDK!

“Vetëm gjuhëve që bëhen mjet përçarjeje u duhen gërshërët” – thoshte i madhi Sami Frashëri para më shumë se një shekulli. Pastaj, thënia e vjetër romake “përçaj e sundo” duket që është shtrirë me tërë kërcënimin dhe rrezikshmërinë e saj në partitë, institucionet dhe shoqërinë tonë. Nuk ka qoftë edhe një parti, shoqëri joqeveritare, sindikatë, fshat dhe, tash edhe në bashkësinë islame, që mund të mbahen zgjedhje pa u sha, përça dhe, aty – këtu, edhe pa kërcitur grushti e karrikja! Partia Demokratike e Kosovës ishte prej partive (entiteteve) të rralla që nuk njohën sharje, përçarje e ndarje. Shenjat (simptomet) për një zhvillim të këtillë ka kohë që trokasin në dyert e kësaj Partie. Deri vonë këto dyer u qëndruan stoikisht këtyre trokitjeve. Kohëve të fundit sikur (ndoshta nga kurreshtja) kanë nisur nga pak të hapen edhe këto dyerë për të parë se kush po na troket… (Lexoni një frabment të shkrimit: http://tribunashqiptare.info/wp/ballina/ldk-mirepret-jakup-krasniqin/ – shën.pashtriku)

Prishtinë, 04. 10. 2012: Pamje e sotme nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

………………………………………………………

Po dua të besoj se kjo hapje e vogël e dyerve të kësaj Partie po bëhet vetëm sa për të parë sa të rrezikshme janë këto trokitje të përçarjes, por në asnjë mënyrë për t’i bërë konak kësaj mortaje që po kërcënon stabilitetin e PDK-së, të institucioneve dhe të shoqërisë sonë edhe kështu të “destabilizuar” e të lodhur. Kësaj përçarjeje po i fryjnë edhe nga brenda edhe nga jashtë PDK-së. Pjesë e kësaj fushate për ta përçarë PDK-në janë bërë edhe disa media. Shkrimi i sotëm te gazeta “Tribuna shqiptare”, me titullin tërësisht të pabesueshëm dhe thellësisht spekulativ-manipulues, “LDK mirëpret Jakup Krasniqin” është ilustrimi më i mirë për këtë fushatë të shëmtuar nga ana estetike dhe të dëmshme nga ana morale dhe politike. Ne jemi dëshmitarë të përditshmërisë sonë politike dhe të ndërskamcave tona.
Në PDK dhe rreth saj ka filluar të marrë formë dhe përmbajtje një tendencë anti PDK e menduar dhe projektuar të zbatohet në dy faza. Faza e parë, është angazhimi dhe përpjekjet e disa individëve dhe qarqeve “kosovare” dhe të huaja (por jo e miqve tanë) që PDK-ja të
mbushet dhe të “pushtohet” nga anëtarë të rinj me bindje të vjetruara që burimin dhe shtratin e kanë te e majta jugosllave (titiste), e kamufluar si “antienverizëm” dhe shpeshherë edhe si e djathtë me tendecë-qëllim kapjen e pasurive (një pjesë të mirë tashmë i kanë kapur) të këtij vendi dhe krijimin e bazës ekonomike dhe sociale për të qenë vërtetë e “djathtë”. Kjo fazë tashmë është zhvilluar mjaftueshëm. Faza e dytë, sapo është lajmëruar dhe paralajmëruar nëpër kafehanet e Prishtinës, në gazetën “Express” dhe këto ditë është (ri)bërë publike edhe në gazetën “Tribuna shqiptare”. Kjo fazë ka për qëllim të fundit “spastrimin e PDK-së nga ferrat e saj”.
Me “ferra” nënkuptohen të gjithë të burgosurit politikë dhe luftëtarët e lirisë që vazhdojnë të jetojnë dhe udhëhiqen nga vlerat dhe idealet e mëdha të lirisë, krenarisë, demokracisë, lirive dhe të drejtave njerëzore, si dhe drejtësisë ekonomike e sociale, që përbëjnë themelet dhe godinën e zhvillimit, lulëzimit, sigurisë, paqes dhe qëndrueshmërisë së një shoqërie dhe të një vendi kudo në botë. Me titullin e saj Tribuna shqiptare sot paralajmëronte fillimin e fundit ogurzi për PDK-në dhe vlerat e saj kombëtare, demokratike, politike, kulturore. Kjo gazetë dhe porositësit e saj kërkuan publikisht që nga PDK-ja e tyre të ikin shqiptarët-atdhetarët e dëshmuar, të ikin demokratët dhe liridashësit e “pareformuar” dhe, ku të ikin se? Të shkojnë ta marrin LDK-në e lodhur e të shkërmoçur nga përçarjet dhe karriket e nxitura po nga këta grykës që Kosovën e duan vetëm si çiflik të tyre! S’ka nevojë Jakupi për LDK-në, por as LDK-ja për Jakupin. Le të frymojë dhe zhvillohet e garojë secila parti me njerëzit, programin, pamjen (vizionin) dhe projektet e saj.
Pse të ikin nga PDK-ja?
Të ikin që t’ua lënë gjithë hapësirën e nevojshme “kosovarëve” me brum dhe prejardhje filojugosllave ose, siç u thoshin atëherë, “patriotëve jugosllavë”, atyre ose pjellës së atyre, që nuk lanë gurë pa luajtur dhe nuk lanë gjë pa dhënë e pa shkrirë për ta zgjatur pushtimin dhe shtypjen jugosllave, duke ndihmuar copëtimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë në disa republika jugosllave, me synimin që ta “përjetësonin” pushtimin dhe shtypjen e popullit të robëruar shqiptar.
E gjithë kjo farë e zezë me tendenca gllabëruese iu sulë PDK-së dhe dyerve e dritareve të saj, iu sulë prapanicave (më falni për vulgaritetin) të drejtuesëve të saj qendëror, por edhe lokalë, vetëm atëherë kur kjo forcë politike erdhi në pushtet. E njëjta gjë kishte ndodhur menjëherë pa Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së dhe kombit shqiptar. Sa ishte në opozitë PDK-ja ishte “mbushur” dhe mbahej kryesisht nga anëtarë dhe votuesë të ndershëm, të atyre që e donin këtë vend për të gjithë qytetarët e tij, të atyre që te PDK-ja shikonin Partinë që do të përmbushte ëndërrën e tyre shekullore për çlirim dhe ndarje përfundimtare nga Serbia dhe përtej kësaj, për zhvillim ekonomik e kulturor, për drejtësi ekonomike dhe sociale, për demokraci të përparuar dhe vlera qytetëruese.

……………………………………

Shtojcë e pashtriku.org

Prishtinë, 04. 10. ’12: Përplasje në mes Dr.Jakup Krasniqit

dhe Adem Grabovcit në Kuvend:

……………………………….

Shikoni të plotë rrjedhën e debatit të sotëm në Kuvend:

…………………………………………………………..

PDK-në në opozitë, atëherë kur i humbte zgjedhjet njërën pas tjetrës, e mbanin pikërisht këta anëtarë, veprimtarë dhe zgjedhës të lidhur me vlerat e saja. Fitorja e zgjedhjeve nga PDK-ja, për fatin e keq të saj dhe të Kosovës, solli në administratë dhe në pushtet më shumë prej atyre “patriotëve” që Kosovën e kanë shndërruar në mëditje të shëtitjeve dhe “shopingjeve” zyrtare, në aksione dhe trafikim të pronës dhe pasurive të këtij vendi… Po e them trafikim, sepse vetëm “privatizim” nuk mund të quhet procesi i tjetërsimit të pronës publike dhe “shoqërore” në Kosovë. Të paktën në Evropën e kohës tonë nuk njihet dhe nuk është parë dhe as dëgjuar një “privatizim” i këtillë apo i ngjashëm. Në vendet normale “privatizimi” i pasurisë (aseteve) publike bëhet me qëllim të rritjes ekonomike që për pasojë ka rritjen dhe përmirësimin e mirëqenies sociale. Nuk ka dyshim që në këtë “katrahurë”-proces të dëmshëm për ekonominë dhe pasuritë e Kosovës kanë hisen e tyre edhe disa qendra “ndërkombëtare” të vendimmarrjes dhe me ndikim pas Lufte. Por, përgjegjësit kryesorë ishin dhe mbeten vendorët, klasa politike e këtij vendi.
Çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike-udhëheqja e saj sot?
Nëse nuk është vonuar dhe unë vazhdoj të besoj se nuk është tepër vonë, udhëheqja e PDK-së (Kryetari, Sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetarët e saj) dhe dy figura të rëndësishme (nuk po them ndonjë sekret), Xhavit Haliti dhe Kadri Veseli, duhet urgjentisht ta gjejnë kohën e mjaftueshme dhe të domosdoshme për t’i hapur “kartat” në mënyrën më miqësore dhe demokratike (e që nuk u mungon) dhe, para së gjithash, me mençurinë, përgjegjshmërinë dhe urtësinë e tyre, që gjithashtu nuk u mungon. Dhe jo vetëm t’i hapin “kartat”, por edhe t’i mbyllin, sepse mund t’i mbyllin, njëherë e përgjithmonë për hirë dhe interes të anëtarsisë kaq të përkushtuar, kaq besnike dhe të angazhuar, për hirë dhe interes të Kosovës dhe më gjerë. Ecja qorrazi drejt krizës në PDK është ecje drejt një krize institucionale… Nëse do t’i binte këtij vendi më mirë le të ndodhë një orë e më parë edhe kriza institucionale, por të matet dhe peshohet mirë nga udhëheqja dhe organet e PDK-së. Sepse, edhe për ta quar vendin në zgjedhje të reja duhet medoemos debati, mirëkuptimi, marrëveshja dhe pajtimi (konsensusi) në udhëheqjen e saj. Po u mbyllën këto “mosmarrëveshje” në këtë nivel dhe po u menaxhuan mençëm interesat, ambiciet, “diversitetet”… Partia Demokratike fiton përsëri dhe është mirë të fitojë derisa të jetë në interes dhe të mirë të kësaj shoqërie. Ka edhe një gjë që po e dëmton këtë Parti dhe vendin tonë: mungesa e një opozite të fuqishme. Kjo ka bërë që PDK’së – udhëheqjes së saj t’i “rritet” mendja dhe t’i krijohet bindja se është e padiskutueshme – e vetëmjaftueshme dhe mund të sillet si të dojë me institucionet dhe me shoqërinë tonë pa rrezikuar pushtetin, sepse s’ka kush ia merr…
Një mollë e vogël “sherri” në PDK janë bërë edhe zgjedhjet e parakohëshme në këtë Parti. Personalisht mendoj, këtë mendim kam mbrojtur edhe në mbledhje të Kryesisë, që PDK-ja nuk ka nevojë për zgjedhje, por ka nevojë për debat pa dorëza, marrëveshje dhe “pajtim” në nivelin e udhëheqjes dhe të dy-tri figurave më të rëndësishme të saj (më saktë midis katër-pesë vetave). PDK ka nevojë dhe e ka të domosdoshme t’i kthehet vetvetes, t’i kthehet PDK-së, sepse sikur ka dalë nga shtrati dhe po e kërkon veten te vërshimet dhe prurjet që sjellin ato… Kjo marrëveshje dhe ky “pajtim” do të shtrihej pothuajse me automatizëm deri te seksioni dhe anëtari më i largët i kësaj Partie.
Zgjedhjet në PDK janë mbajtur për katër vjet që nga viti 2005. Kjo është e sanksionuar edhe në Statutin e Partisë. Edhe zgjedhjet e fundit dhe organet e dalura prej tyre (për fajin e udhëheqjes dhe të rrethanave të kohës nuk janë bërë si është më së miri), kanë mandat katër vjeçar… Por, nëse është interes i PDK-së-fuqizimit të saj dhe veçmas nëse merren vesh ata katër-pesë veta le të bëhen edhe zgjedhjet e Partisë një anëtar një votë apo me votë të deleguar kjo është çështje që mund të bëhet dhe zgjidhet me konsensus parimor dhe pa u dëmtuar askush… Kështu mund të “priten” gjuhët që janë bërë mjet i përçarjes, kështu përjashtohet nga PDK-ja tendenca për futjen e një fryme përjashtuese në PDK dhe zhvillohet fryma integruese përmes debatit, marrëveshjes, konsensusit, vendimmarrjes në organet e Partisë…
Me këtë shkrim nuk pata për qëllim ta shtjellojë dhe shterrojë me fund këtë çështje që u bë kaq aktuale (në vend se e tërë politika dhe shoqëria të përqëndrohej dhe angazhohej për Veriun dhe zhvillimin e vendit, duke ia mbyllur edhe plagën e madhe të korrupsionit dhe varfërisë, duke i kënaqur edhe pritjet e miqve tanë që nuk kanë bërë pak për këtë copë vend), por deshta vetëm ta hap, nëse ia kam qëlluar, debatin dhe ta tërheq vëmendjen, nëse ia kam arritur, e udhëheqjes – organeve dhe anëtarsisë së PDK-së, të atyre që kanë bërë shumë mund dhe kanë derdhur shumë djersë për ngritjen dhe mbajtjen e kësaj Partie politike me interes të veçantë për Kosovën dhe rrethanat e saj. Prandaj, krejt në përmbyllje mendoj që PDK’ja – udhëheqja e saj duhet t’i mbajë me vete gërshërët për gjuhët që janë bërë apo bëhen mjet i përçarjes…
– Autori është anëtar i Kryesisë së PDK’së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura