ABAZ PLLANA: MBRËMJE ARTISTIKE ME AKTORIN E MADH MIRUSH KABASHI

Lion, 31. 05. 2012 – Duke qenë pjesëmarrës i festivalit të teatrove botërore “Pranvera Evropiane” që mbahet në Lion të Francës nga 22 maji deri më 2 qershor 2012, aktori i madh shqiptar Mirush Kabashi me kënaqësi pranoi të bëjë një mbrëmje artistike me mërgimtarët shqiptarë të Lionit. Duke qenë një nga mbështetëset kryesore të pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë festival, Shoqëria Shqiptare “Iliria” e Lionit mori përsipër organizimin e kësaj mbrëmjeje artistike. Salla që mban emrin e aktorit të madh Gerard Philippe i shkonte më së miri përshtati mbrëmjes artistike me aktorin e madh shqiptar Mirush Kabashin.
Mbrëmjen e hapën tre veprimtarët e njohur të organzimit shqiptar të Lionit me rrethinë: Xhemail Xhemali, Avni Bilali dhe Ledia Dema. Ledia Dema, kryetare e posazgjedhur e Shoqërisë Shqiptare “Iliria” në hyrje paraqiti shkurtimisht aktivitetet e parapara të shoqërisë për të ardhmen si dhe foli për figurën e madhe të Mirush Kabashit. Ajo shprehu edhe njëherë gatishmërinë e veprimtarëve të Shoqërisë Shqiptare “Iliria” që të punojë sa më shumë për prezentimin e vlerave të mëdha kulturore dhe artitike të Shqipërisë në Francë.
Në skenë doli më pastaj i madhi Mirush Kabashi. Ai falënderoi ndër të tjera punën e madhe të Shoqërisë si dhe për nevojën e ruajtjes së identitetit kulturor dhe kombëtar shqiptar.
Pjesa e parë e pogramit artistik të Mirush Kabashit përbëhej nga poezitë : “Amë e bijë”, “I debuemi”, “Shpresë”, “Gjuha shqipe”, “Monologu i Nënë Terezës”, “Ah moj demokraci” e të tjera.
Në pjesën e dytë të programit ishin poezitë “Shqypnija”, “Poemë kosovare” si dhe “Porosia e fundit e Skenderbeut”.

___________________________

___________________________

Që nga dalja në skenë deri kur përfundoi kjo mbrëmje artistike, Mirush Kabashi dëshmoi se është i madh. Shumë i madh. Poezitë dilnin nga thellësia e zemrës, i shoqëronte me një qëndrim dinjitoz dhe përcillte ndjenjat tek spektatorët që duartrokisnin meritueshëm pas çdo poezie. Ishin të shumtë ata që e shoqëronin me pak zë artistin e madh, që i kishte kthyer mërgimtarët shqiptarë për ato çaste në Shqipëri tek rilindasit tanë, tek këngët dhe poezitë e tyre që flejnë pambarimisht në zemrat kurbetçare. Na hoqi mallin për vendlindjen dhe na shtoi krenarinë tonë kombëtare me ato krijime të bukura.
Nuk është e tepërt të thuhet edhe njëherë se Mirush Kabashi është padyshim një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Ai e dëshmoi këtë edhe me intepretimin e tij para mërgimtarëve shqiptarë të Lionit dhe rrethinës gjatë kësaj mbrëmjeje. Shqiptarët janë dhe do të jenë krenarë me figurat e mëdha të artit siç është Mirush Kabashi.
Do të jenë disa prej pjesëmarrësit që fshinin lotët në sy. Lotë që rridhnin nga emocionet e përcjellura tek ata nga Mirush Kabashi. Vajzat e vogla që kishin ardhur me lule iu hodhën në përqafim aktorit të madh. E ndërsa Mirush Kabashi i shtrëngoi fort këto vajza që rriteshin gjithësesi shqiptare në dheun e huaj. As ai nuk mundi të mbajë lotët para këtyre vajzave të vogla.
Aktori i madh shqiptar, tregoi edhe njëherë se është edhe atdhetar i madh. Repertori i tij dhe mënyra e prezentimit të pikave artistike ishin mesazhe të qarta atdhedashurie, thirrje kushtrim për mbrojtjen, ruajtjen dhe përparimin e Shqipërisë. Nuk di se si mund ta përçojë këtë frymë atdhetare më mirë e më bukur sesa Mirush Kabashi?
Të martën më 29 maj 2012 në sallën Rameau të Lionit, Mirush Kabashi do të prezentohet në Festivalin “Pranvera Evropiane” duke përfaqësuar Shqipërinë. Do jemi të gjithë në përkrahje të tij. Do të jemi të gjithë në përkrahje të Shqipërisë.

__________________________

…………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura