XHEVAT BISLIMI: UNIVERSITETI I PRISHTINËS FUSHË MEJDANI PËR PARTITË POLITIKE DHE GRUPET E NDRYSHME TË INTERESIT

Viti, 29. 01. 2014 – Kudo në botë, sidomos në vendet me institucione dhe me sistem politik të konsoliduar mirë, universiteti është në shërbim të arsimimit të lartë (dhënia e diturive), në shërbim të shkencës dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik e shoqëror (kërkimet – hulumtimet shkencore). Universiteti i Prishtinës (nuk po e përmend emërtimin e ri të tij, sepse ky univeristet akoma nuk po jep prova se e meriton atë emërtim…) para lufte kontrollohejë “plotësisht” nga Lidhja Komuniste dhe nga shteti pushtues i asaj kohe, veçmas pas kryengitjes shqiptare të 11 Marsit të vitit 1981. Kjo edhe mund të kuptohej: pushtuesi bënte çmos që jo vetëm ta kontrollonte UP-në, por edhe ta vinte në shërbim të politikave të tij pushtuese kundërshqiptare. Studentët dhe një numër i pedagogëve të atyre viteve të rënda të pushtimit i qëndruan me mençuri, krenari e pjekuri intelektuale, politike e kombëtare trysnive, shantazheve dhe dhunës shoviniste serbojugosllave.

Studentët dhe pedagogët atdhedashës e shëndërruan UP-në në një qerdhe, strehë dhe barrikadë të pamposhtur kundër politikave shoviniste antishqiptare të Beogradit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Prishtinë. Studentët dhe shumë pedagogë të këtij Universiteti, në bashkëpunim të ngushtë me grupet e fshehta atdhetare, u vunë në ballë të përpjekjeve të popullit të pushtuar shqiptar për liri, barazi, republikë dhe vetëvendosje. Mijëra studentë e pedagogë u dënuan me shumë vite burg për lirinë e Republikës që kemi sot dhe për ribashkimin e kombit tonë dhe të Shqipërisë në një shtet të vetëm. Mijëra të tjerë u keqtrajtuan nga hetuesit, inspektorët dhe milicët jugoserbë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqifolës, mijëra të tjerë u dënuan me largim – përjashtim nga universiteti, me diferencim, leçitje, etj. Nami i Universitetit të Prishtinës kishte kapërcyer kufijtë e krahinës së Kosovës dhe të Jugosllavisë: kudo në botë shkruhejë e flitejë me respekt dhe admirim për te dhe studentët e pedagogët e tij që ishin vënë në ballë të popullit shqiptar dhe të kërkesave të tij për liri e të drejta kombëtare, qytetare e demokratike. Shumë studentë e pedagogë ishin bërë pjesë aktive e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Qindra studentë e pedagogë të këtij tempulli të dijes dhe lirisë i rrokën edhe armët e lirisë dhe u bënë ushtarë besnikë të UÇK-së dhe të atdheut. Një numër i madh i tyre ranë edhe dëshmorë në altarin e lirisë, ranë për të mos vdekur kurrë, ranë që bashkë me Kosovën dhe viset e saj të pushtuara të clirohej edhe Universiteti nga prangat e robërisë.
Por, pas Luftës Kundërpushtuese Çlirimtare, si në shumë fusha tjera, edhe me universitetin nuk u bë ajo që besonin dhe me të drejtë kishin pritur dëshmorët, luftëtarët, studentët dhe pedagogët atdhedashës, nuk u bë ajo që po priste një popull i etur për liri, drejtësi, dituri, shkencë, kulturë e zhvillim ekonomik e shoqëror. Universiteti i Prishtinës, edhe për fajin e të huajve dhe me mbështetjen e tyre, u bë fushë mejdani për matjen e forcave midis partive politike dhe grupeve të ndryshme të interesit! Gara nuk bëhej se kush po e përkrah dhe ndihmon më shumë UP-në, por se kush do ta kontrollojë dhe vë në shërbim të interesave partiake, klanore e ndonjëherë edhe mafioze dhe me qëllime përfitimi në dëm dhe në kurriz të UP-së dhe shoqërisë shqiptare!
Këto ditë është shkruar bukur shumë për UP-në dhe degjenerimin e tij në korrupcion, nepotizëm, burokraci, gradime dhe avancime akademike të paligjshme, ryshfete, falsifikime dhe shkelje tjera të statutit, të ligjit dhe të etikës njerëzore, universitare e shkencore në këtë institucion të arsimit të lartë publik. Pati edhe pakënaqësi dhe protesta të studentëve. U dëgjua edhe ndonjë zë i rrallë i pedagogëve të lodhur me këtë gjendje në UP. Kjo gjendje ishte e njëjtë, në mos më e keqe, që nga pas Lufta e deri tash. Por, kjo status quo u prish kur Rektori I UP-së, I. Gashi, mori gradë akademike (u bë professor i rregulltë) në kundërshtim me Statutin dhe me disa punime të botuara në një revistë të rrejshme “shkencore” në Indi! Megjithë skandalin që bëri bujë dhe shkaktoi reagime të fuqishme në opinion Rektori nuk e pa të udhës të jepte dorëheqje! Qendresa e tij dhe përpjekja për ta paraqitur skandalin si diçka të parëndësihëm acaroi studentët dhe opinionin publik. Përvec kësaj në UP ishin bërë në vazhdimësi edhe shumë shkelje tjera të rënda dhe të palejuara për një universitet. Me t’u publikuar kjo gjendje e UP-së nisi një garë e re midis partive politike dhe grupeve tjera të interesit brenda e jashtë UP-së. Senati dhe KD i UP-së ishin shumë të ngadalshëm në qëndrimet, vendimet dhe veprimet e tyre. Kjo edhe për arsye se pjesa më e madhe, sikur edhe mjaft pedagogë e asistentë, nuk e kishin vendin në UP dhe në ato organe të UP-së dhe kishin ardhur me rekomandime nga politika ose nga ata që përpiqen dhe kontrollojnë shumëcka në këtë vend! Edhe ndikimi, dora dhe prania e Ministrisë (në pajtim me ligjin…) ishte gati e padukshme në punët e UP-së! Prandaj, është e ngutshme dhe e domosdoshme që universitetit t’i kthehet autonomia, krenaria dhe vendi që i takon në shoqërinë dhe sistemin tonë. Këto garanci duhet të jepen edhe duke amendamentuar ligjin për arsimin e lartë dhe statutin e UP-së. Përvec kësaj është i nevojshëm dhe i domosdoshëm edhe vullneti i qeverisë dhe i institucioneve tjera të Republikës për ta fuqizuar UP-në dhe arsimin e lartë në vendin tonë, duke e vënë në shërbim të diturisë, shkencës dhe zhvillimit ekonomik e social.
Arsimimi i lartë dhe arsimimi përgjithësisht është interes shtetëror dhe kombëtar edhe në vendet më të zhvilluara dhe përparuara. Prandaj, është e ngutshme që shteti ta merr pësipër “kontrollin” dhe mbikëqyrjen e arsimimit të lartë dhe të arsimimit përgjithësisht, duke i “përjashtuar” interest e partive politike dhe sidomos ato të grupeve të ndryshme joformale që shpeshherë (deri më tash gjithëherë) janë më me ndikim (deri tash me ndikim vendimtar) në këto institucione të larta të arsimimit se vetë shteti dhe institucionet e tij… Të vjen keq kur mëson dhe kupton se kush vendosë (de fakto) për zgjedhjen e deknanve, të Rektorit, të organeve të UP-së, etj. Këto praktika është koha të marrin fund të paktën në UP dhe ky institucion t’i kthehet shoqërisë shqiptare dhe Republikës së Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura