YLLI POLOVINA: INTERVISTË E FATOS NANOS PËR KOSOVËN NË ‘CORRIERA DELLA SERA’, 1 GUSHT 1998 (26)

Tiranë, 29 Korrik 2019: Shkrimi i njëzetë e gjashtë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe portalin “Pashtriku.org”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
Ylli Polovina – Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

*
**
Në 1 gusht 1998, para se revista “Liberal” të njoftonte që edhe mbesa e Musolinit, deputetja pasfashiste Alesandra, pati mbështetur çështjen e Kosovës dhe mbrëmjes kur unë dhe Visar Zhiti bëmë një vizitë pune në festën e “Unità”, organizuar për mbrojtjen e refugjatëve shqiptarë dhe e cila po mbahej pranë sheshit Albania, në qendër të të cilit qe monumenti i Skënderbeut, ndodhi një ngjarje pak e pritur në atë formë.
Fatos Nano kishte thënë një intervistë në gazetën “Corriere della Sera” të 1 gushtit 1998.
Pati folur me cilësinë e kryeministrit.
Sapo e siguruam këtë intervistë që në mëngjes, e skanuam dhe ja dërguam menjëherë Tiranës. Ministrinë e Punëve të Jashtme e njoftuam se do ta përkthenim menjëherë dhe shqipërimin e saj do t’ua dërgonim rrufeshëm. Kështu vepruam.
Por përse tërë kjo ngutje e jona, të paktën imja, si i ngarkuar në Ambasadë me median?
Nuk qe ndonjë kusht apo trysni e vënë nga Tirana, as kërkesë prej ministrit të Jashtëm Paskal Milo dhe as nga vetë kryeministri Fatos Nano. Po vrapoja ta shqipëroja sa më shpejt atë intervistë dhe nisur Tiranës, sepse ajo qe tepër e veçantë. Në të shfaqej një Nano ndryshe nga ai i përfolur ngulshëm prej disa mjediseve politike në Kosovë dhe në Shqipëri, kryesisht pranë Ibrahim Rugovës dhe Sali Berishës.
Ato për opinionin publik e kishin vizatuar si të lidhur me serbët, me të krishterët ortodoksë të Ballkanit, nga jugu deri në veri të tij. E linin të nënkuptohej si pjesë e boshtit Beograd-Athinë.
Po të ishte thjesht politikan, qoftë edhe kryetar partie, kjo nuk i prishte punë askujt, por me postin e kryeministrit ndodhte e anasjellta: shkaktohej dëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinj. Që në fillim të vitit 1998 kisha pasur një takim pune në qytetin e Barit me pronarin e shumënjohur të makaronave të famshme “Divella”, Françesko Divela (Francesco Divella), i cili qe edhe president i Fiera del Levante, panairit më të madh të Italisë së Jugut.
Ishte shumë i zemëruar se, sipas tij, në fushën ekonomisë kryeministri Fatos Nano punonte vetëm në favor të grekëve dhe asgjësonte çdo tjetër konkurent të tyre, italianët veçanërisht.
I shpjegova si ishte e vërteta, se anti-italianizëm ekonomik në kabinetin Nano, por edhe në historinë e qeverive shqiptare, nuk kishte dhe vonë në atë bisedë pata përshtypjen se ai u tërhoq. Nuk po e shtyj më tej këtë temë, sepse nuk ka asnjë lidhje me temën thelbësore të këtij cikli shkrimesh për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Pas takimit me Divelën, Ambasada jonë ndërmori veprime në favor të thyerjes së këtij paragjykimi, por në Tiranë në shtator 1998 ndodhi vrasja e deputetit Azem Hajdari, pastaj pushtimi i godinës së Kryeministrisë dhe mitralimi i zyrës së Nanos. Kështu gjithçka u shemb.
Për të shpjeguar sadopak përse ajo intervistë e Fatos Nanos në “Corriere della Sera” të 1 gushtit 1998 qe e veçantë dhe shumë e domosdoshme për opinionin publik italian dhe klasën politike të këtij vendi rikthehemi një çast pak më herët.

Takimi Nano – Millosheviç në Kretë (Nëntor 1997)

Ishin muajt e parë të vitit 1998 kur nga Tirana studiuesi Shaban Sinani, atë kohë edhe drejtor i përgjithshëm i Arkivave të Shtetit Shqiptar, më dërgoi një mesazh, thelbi i të cilit ishte ky: gazeta kosovare X (nuk po ja themi emrin, por ishte fort e majtë) më ka kërkuar t’i bëj një shkrim për takimin e Kretës, ku bënë bisedime “kokë më kokë” Fatos Nano dhe Sllobodan Millosheviçi.
Më pas Sinani, i cili atë kohë bashkëpunonte shumë me shtypin e Kosovës dhe qe në media një prej mbrojtësve më të soikatur të saj, më pohoi se e kishte të vështirë ta hartonte atë artikull. Sipas tij, unë mund të isha më i përshtatshëm, sepse qeshë edhe autor i librit “Nano dhe Berisha”, publikuar në shqip gjatë vitit 1996 dhe në greqisht një mot më pas.
Me pak fjalë ai mendonte se isha njohës më i mirë i veprimit politik të Fatos Nanos si edhe njohës më konkret i temperamentit të tij, karakterit në mos.
Pranova.
Rashë dakord ta shkruaja atë artikull për një gazetë me të cilën nuk kisha patur asnjë kontakt më parë, asnjë lloj bashkëpunimi po ashtu. Pranova edhe pse në të vërtetë për atë temë ndodhesha në tokë po aq të rrëshqitshme dhe të pasigurtë si edhe Shaban Sinani.
Artikullin ia nisa të përditshmes kosovare, por më pas nuk mora vesh kurrë (edhe tani nuk di asgjë), nëse u publikua apo jo.
Gjithsesi ky rast i dha një shtytje pozitive kërkimit tim për të mësuar sa më shumë rreth të pathënave të ngjarjes. Në Romë e kisha këtë mundësi më shumë se në Tiranë, gjithnjë në kuptimin e reagimit që duhej të kishte shkaktuar ky takim në një Itali të vëmendshme e xheloze ndaj lojës politike në Ballkan dhe çdo përpjekjeje jugosllave apo greke për ta joshur Shqipërinë të ishte sa më afër tyre dhe jo Romës.
Takimi i çuditshëm Nano-Millosheviç qe realizuar në 4 nëntor 1997 në ishullin e Kretës, brenda një takimi tjetër të madh: i të gjithë liderëve të Ballkanit. Pas përhapjes së lajmit në Shqipëri e sidomos në Kosovë shpërthyen kundërshtime ndaj kësaj bisede, madje edhe vetë gjestit të takimit. Ca më shumë që ai qe mbajtur “kokë më kokë” dhe pa asnjë prani tjetër nga të dy palët.
Çfarë mund të ishte thënë konkretisht? Hamendjet më të shumta ishin në variantin: Nano ka tradhëtuar Kosovën, duke i bërë lëshime diktatorit serb.
Prej Prishtinës, nga zyra e Ibrahim Rugovës sidomos, erdhi paralajmërimi se ai nuk lejonte askend tjetër, qoftë edhe politikan apo qeveritar të parë të Tiranës, që të bisedonte me të tjerë për fatin e Kosovës. Kjo u takonte vetëm përfaqësuesve të saj.
Në rast se si imazh mund të konfigurohej një pamje e takimit në Kretë mes Fatos Nanos dhe Sllobodan Millosheviçit, ajo dilte njollë e zezë për kryeministrin shqiptar. Shkrimi im që përpiqej ta zbuste sadopak këtë efekt, do të ishte krejt pa ndikim.
Pikërisht në periudhën e kërkimit për të zbuluar të vërtetën e “tradhëtisë” në Kretë të Nanos ndaj Kosovës, sigurova një fakt që dëshmonte të kundërtën. Për këtë rrethanë edhe mediat e Tiranës kishin heshtur.
Një miku të përbashkët në Tiranë, historiani Pëllumb Xhufi, i cili qe edhe nënministër i Jashtëm, i pati pohuar se për të siguruar një tematikë të qartë të bisedimeve ai kishte kryer gjatë ditëve të samitit pesë vizita tek grupi i këshilltarëve të presidentit jugosllav.
Millosheviç ishte i paepur: binte dakord për takimin e dëshiruar dhe të propozuar prej udhëheqësve ballkanas të mbledhur në atë samit, por me kusht që në të të mos trajtohej tema e Kosovës. Nano nëpërmjet Pëllumb Xhufit ngulte këmbë për të kundërtën: Kosova dhe problemet e trajtimit të ashpër të saj nga Beogradi zyrtar, të ishte pjesë e bisedës. Në rast se nuk do të diskutohej për Kosovën përse duhej të mbahej ai takim, këmbëngulte Nano?
Sipas Pëllumb Xhufit, vetëm në takimin e tij të gjashtë me grupin e këshilltarëve të Sllobodan Millosheviçit, u ra dakord.
Takimi Nano-Millosheviç zgjati 45 minuta dhe përfundoi në orën 19.45 minuta të 4 nëntorit 1997.
Opinioni publik italian do të informohej pak për këtë bisedë “kokë më kokë”, por gjithsesi përshtypja që la ishte se kryeministri shqiptar nuk qe një radikal, as mbështetës i luftës me armë, as përkrahës i UÇK-së. Mund të konsiderohej njeri i vetëm dialogut, marrëveshjes, qetësisë në Ballkan.
Në 15 janar 1998 çështja e takimit të Kretës do të dilte në faqet e revistës gjeopolitike “Limes”, botim me shumë autoritet shkencor në Itali. Ajo sapo pati dalë nëpër libraritë e kioskat e shtypit. Me “Limes” bashkëpunonte edhe Arjan Konomi, një studjues shumë i qartë i çështjeve shqiptare dhe ballkanike, miku i ambasadës tonë, po ashtu posaçërisht edhe imi. Gjysma e librit tim “Lamtumirë kallashnikov” që botova më vonë i kushtohet kontributit të tij të madh në mbrojtje të çështjes së Kosovës, temë ku Konomi qe i patundur.
Ishte numri 4 dhe i fundit i vitit 1997 të “Limes” (ajo ishte tremujore). Shkrimi i Arjanit qe me titullin “Çështja shqiptare në Maqedoni”. Ai një çast e kishte zhvendosur analizën e tij nga Kosova në trojet e tjera shqiptare në republikën tjetër fqinj të ish-Jugosllavisë. Kjo shkaktoi interes, sepse la përshtypjen se konflikti dhe kriza po shtrihej dhe përhapej më tej.
Në fillim të artikullit të Arjan Konomit bëhej një vështrim historik i çështjes shqiptare në Maqedoni. Gjithnjë në përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjeve se sa i fortë qe shteti maqedon apo nëse ai do të shpërthente nga brenda, në çfarë përmasash do të ishte kjo ngjarje, sidomos në raportet mes sllavëve dhe shqiptarëve në gadishull.
Më pas në studim Konomi tregonte edhe pikat e nxehta të konfliktit mes dy palëve, duke filluar nga artikulli 9 i Kushtetutës vendase e deri tek ai me numrin 48, i cili i konsideronte shqiptarët si grupe etnike. Po kështu edhe për çështjen e flamurit.
Në kapitullin me titull “Universitetet, flamujt dhe simbolet e tjera” studiuesi nga Shqipëria merrej posaçërisht me temën e Universitetit të Tetovës, historinë e tij e deri në gjendjen e rënduar materiale dhe financiare që ky përjetonte. I rikthehej gjithashtu, tashmë më hollësishëm, konfliktit për flamurin. Binte në sy deklarata e një deputeti maqedon, i cili paskej thënë se shqiptarët në Maqedoni nuk duhej të kishin më shumë të drejta se arabët në Francë.
Në kapitullin e fundit të artikullit, i cili trajtonte “Raportet me Shqipërinë”, bëhej një vështrim i shpejtë i marrëdhënieve mes shtetit maqedon dhe atij shqiptar, marrëdhënie që kishin përjetuar edhe tensionet e krijuara mes tyre.
Me këtë rast Arjan Konomi përmendte edhe vizitën e kryeministrit Fatos Nano në Kretë, por duke vënë në dukje jo takimin e tij me Sllobodan Millosheviçin, por një të dytë, me të cilin nuk ishte marrë media: bisedën “kokë më kokë” me presidentin maqedon Kiro Gligorov.
Për ditë të tëra pas këtij botimi pritëm nëse nga studiues apo gazetarë italianë do të kish ndonjë interesim për çfarë qe biseduar në këtë takim, por rezultoi vetëm heshtje.
Gjithsesi ky fakt e forconte opinionin se kryeministri i qeverisë shqiptare nuk i trazonte konfliktet në Ballkan. Arjan Konomi në shkrimin e tij pati theksuar madje se Nano ishte për një Shengen Ballkanik.
E vërteta qe se opinioni italian kishte interes në rritje për çfarë po ndodhte në Maqedoni, pra në se edhe ajo do të shpërthente siç kishte filluar në Kosovë, por lëndë e parë për shtypin vendas ishte gjendja në këtë të fundit. Sidomos çështja në se do të zgjidfhej ajo krizë me mjete lufte të armatosur apo me nëpërmjet mundësive paqësore.
Që nga janari 1999 deri në 1 gusht Fatos Nano qe cituar nga shtypi italian, por më së shumti për çështje të trafikut të klandestinëve nëpërmjet skafeve nga brigjet shqiptare në ato italiane, po ashtu edhe për punë ndihmash ushqimore nga Bashkimi Evropian, të cilat kalonin nëpërmjet fqinjit apeninas.
Ndërkohë Roma zyrtare ishte më e vëmendshme se shtypi. Ajo e vëzhgonte ngultas Shqipërinë e drejtuar prej kabinetit Nano. Edhe shërbimet e fsheshta të këtij vendi po ashtu. Ato qene ndarë mëdysh: Shërbimi i fshehtë civil rrinte më afër qeverisë së dikurshme Berisha, ai ushtarak kishte prirje për të kontaktuar e marrë të dhëna nga kabineti Nano.
Në 4 janar 1998 në një vizitë të zakonshme pune që bëra në Ministrinë e Jashtme në Romë, në Zyrën e Shërbimit të Shtypit, më dhanë një libër të porsabotuar: “Shqipëria, strategjia dhe linja e veprimit të diplomacisë italiane”.
Qe botim i vetë kësaj Zyre, 257 faqe.
Përfshinte muajt janar-tetor l997.
Kishte 56 fotografi të ilustruara dhe qe zënë me to hapësira të rëndësishme, pothuaj 40 për qind të vëllimit të përgjithshëm.
Ky libër, i cili hapej me një hartë të Shqipërisë, kishte një parathënie të ministrit të Jashtëm italian Lamberto Dini. Pastaj paraqitej analiza “Strategjia italiane dhe linjat e veprimit” me autor Amadeo de Frankis (Amedeo de Franchis), drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Politike.
Si edhe të parin, Dinin, figurë shumë e dukshme mediatikisht sepse merrej edhe me politikë, për de Frankis kisha dëgjuar jo pak. Ndërsa njëherë isha në shoqërim të ambasadorit Pandeli Pasko për një takim pune në Ministrinë e Jashtme Italiane një çast u duk sikur do të na priste pikërisht Amadeo, por me sa mbaj mend u afrua vetëm zëvendësi i tij.
Drejtorët politikë në institucione të tilla janë pothuaj nënministra..
Amadeo de Frankis kishte studjuar për jurisprudencë, qe napolitan dhe në shërbimin diplomatik kishte hyrë herët, që në 1962. Kur mori gradën e Ambasadorit, në 22 prill 1989, u emërua si numri dy i NATO-s (Sekretar i Përgjithshëm i Deleguar”.
Ai ishte shprehur mjaft ngrohtë për çështjen e Kosovës dhe nuk e miratonte sjelljen e Sllobodan Millosheviçit.
Në botimin e Zyrës së Shërbimit të Shtypit të MPJ Italiane qe vendosur edhe një ditar ngjarjesh kryesore nga janari gjer në tetor 1997 si edhe vijonte kapitulli i dokumenteve. Këtu përfshiheshin dokumente të Bashkimit Europian, të OSBE-së, të OKB-së, marrëveshjet midis partive shqiptare, deklaratat e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, komunikatat e Shtypit dhe Notat Informative të kësaj Ministrie (“Farnezina” e quajnë shkurt vendasit).
Pasonin më vonë paraqitja e Forcave Shumëkombëshe të Mbrojtjes, komunikatat e mbledhjeve të Komitetit të Drejtimit të kësaj Force Shumëkombëshe, raportet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Konferenca Ndërkombëtare e Romës, ajo e G8 në Denver, ndërhyrjet e Lamberto Dinit në Parlament, konferencat e shtypit dhe disa artikuj e intervista.
Libri kishte foto të dukshme të ish-kancelarit austriak Franc Vranicki, protagonist në zgjidhjen e krizës shqiptare të vitit 1997. Shihje po ashtu edhe pamje të ushtarëve të operacionit humanitar ALBA.
Në këtë libër me 257 faqe kishte edhe pamje nga Shqipëria, përfshirë edhe ato të politikanëve të qeverisë së asaj kohe. Të tilla qenë 17 fotografi. Mes tyre binte në sy kryeministri Fatos Nano, më tej i gjithë kabineti qeveritar i tij, përfshi edhe nënkryeministrin Bashkim Fino.
Çuditërisht nuk kishte asnjë pamje të përfaqësuesve të opozitës, madje as të ish-presidentit Sali Berisha.
Ato çaste kryeministër italian qe Romano Prodi, të cilin si shoqërues të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Skënder Gjinushi, bashkë me ambasadorin Pasko, e para takuar dhe dëgjuar hollësisht në zyrën e tij në Pallatin Kixhi (Kryeministri).
Edhe nga ndonjë rrethanë tjetër kuptoja, tek shihja librin e porsabotuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë përse mungonte fotoja e Berishës në të.
Shënojmë se libri “Shqipëria, strategjia dhe linja e veprimit të diplomacisë italiane” qe dygjuhësh: anglisht edhe italisht.
Kur ma dhanë atë botim, të cilin sigurisht do t’ja paraqisja ambasadorit tim Pandeli Pasko, në Zyrën e Shërbimit të Shtypit më propozuan që ai të përkthehej në shqip dhe se, por të ishte nevoja, shpenzimet e kësaj pune do t’i përballonte vetë MPJ Italiane.
Në datën 6 janar 1998 librin e pata përfunduar së lexuari dhe dërgova në Tiranë një informacion të hollësishëm për të, përshirë edhe idenë italiane që ai të përkthehej dhe botohej në shqip.
Në 1 gusht 1998 pak a shumë ishte kjo atmosferë mirëdashëse ndaj kryeministrit shqiptar Fatos Nano, gjithnjë sepse ai prirej që në Ballkan të vepronin jo mjetet e forta të marrëdhënieve mes shteteve të tij, por ato të buta. Siç të lihej përshtypja, ato kohë strategjia Nano për Kosovën nuk ndryshonte shumë nga ajo e Ibrahim Rugovës.
Kur “Corriere della Sera” u paraqiti italianëve një intervistë me të u duk një portret tjetër i tij. Në krye të saj thuhej: “Kryeministri shqiptar hedh poshtë çdo projekt për një atonomi më të madhe të provincës së Kosovës: “Është tepër vonë, refugjatët e kanë ndërkombëtarizuar konfliktin”.
Titulli ishte edhe më i fortë: “Evropa të mos bisedojë më me Millosheviçin”. Nëntitulli: “Fatos Nano kundër ndërmjetësimit perëndimor në Kosovë: është e nevojshme një ndërhyrje e NATO-s, rrezikon edhe Italia”.
Këtë intervistë kundër Sllobodan Millosheviçit, të cilën do t’ua përcjellim të plotë në shkrimin e ardhshëm, do ta kujtoja disa herë në 12 shtator 1997, pak më shumë se një muaj më pas, kur u vra deputeti Azem Hajdari dhe të nesërmen u pushtua dhe u mitralua zyra e tij në Kryeministri.
(VIJON ….)
Ylli Polovina – Tiranë, më 2 korrik 2019
_____________________
YLLI POLOVINA: MBESA E MUSOLINIT, DEPUTETJA PASFASHISTE – ALESSANDRA, MBRON KOSOVËN – 1999! (25)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8971

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura