BDSH: PLATFORMA UNIKE-SHPRESË E VETME PËRBALLË TERRORIZMIT SHTETËROR NË MAQEDONI

 BDSH, 06. 05. 2012 – Pasojat e koordinimit të qarqeve antishqiptare në Ballkan janë duke rënduar gjithnjë e më shumë mbi kurrizin e popullit shqiptar në përgjithësi. Ky koordinim antishqiptar ka marrë përmasa dramatike sidomos për shqiptarët që jetojnë në trojet e veta nën Maqedoni dhe nën Serbi.
     Të brengosur thellësisht me situatën tragjike të popullit shqiptar në Maqedoni, i cili politikës së terrorizmit shtetëror nuk mund t’i bëjë ballë ashtu siç është i përçarë partiakisht, Bashkimi Demokratik Shqiptar përshëndet dhe mbështet plotësisht apelin e Ish-kongresistit amerikan, z. Joseph DioGuardi, të këtij avokati politik të Çështjes kombëtare shqiptare, që partitë politike shqiptare në Maqedoni të harmonizojnë qëndrimet e veta dhe përmes një platforme të përbashkët të mbrohen interesat kombëtare. (*)

________________________________

     Jemi thellësisht të bindur se lërja e inateve personale të udhëheqësve të partive politike dhe koordinimi kundër politikës së koordinuar antishqiptare do të hapte rrugën drejt përfundimit të kësaj tragjedie kombëtare.
     Bashkimi Demokratik Shqiptar është i gatshëm të aktivizohet tërësisht në harmonizimin e platformës politike me qëllim të mobilizimit të tërë energjive kombëtare në funksion të realizimit të plotë të të drejtave tona legjitime. Vetëm bashkimi përreth platformës unike mund të hapë perspektiva të reja kombëtare që dalin nga logjika e bashkimeve aq të “dëshiruara” dhe aq shpesh të kërkuara gjatë zgjedhjeve.
     Bashkimi Demokratik Shqiptar shpreson se përballë domosdoshmërisë së koordinimit politik apeli i avokatit politik të Çështjes kombëtare shqiptare në Amerikë, z. Joseph DioGuardi, do të mbështetet nga të gjithë. Ky veprim do t’u hapte rrugën Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Komunitetit Shqiptaro – Amerikan dhe të gjitha shoqatave shqiptaro-amerikane që veprimet e tyre politike të kenë peshë edhe më të madhe!
Bardhyl Mahmuti – Bashkimi Demokratik Shqiptar
6 maj 2012

_____________________________

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

(* )DIOGUARDI: ‚SERBIA DHE MAQEDONIA ME SKENARË TOP SEKRET KUNDËR SHQIPTARËVE’

___________________________________

Pashtriku.org, 06. 05. 2012 – Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joe DioGuardi ka deklaruar se arrestimet e fundit të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, janë skenare të koordinuar mirë midis Serbisë dhe Maqedonisë. “Tërë aparati shtetëror në Maqedoni dhe Serbi kanë hapur skenarë top sekrete dhe të përpunuara mirë, që kanë për qëllim të komprometojnë tërë shpirtin liridashës të besimit dhe të traditës shqiptare para opinionit ndërkombëtarë. Populli shqiptar nuk është terrorist dhe këtë e thotë me argument tërë rruga historike e popullit tonë me traditë të lashtë evropiane”, – thotë DioGuardi në një intervistë për “INA”. Ai më këtë rast ka apeluar që subjektet politike shqiptare në Maqedoni të mos jenë vetëm vëzhguese dhe të luftojnë njëra-tjetrën përmes tragjedive të popullit të tyre, që po diskriminohet në sytë e institucioneve ndërkombëtare. Z. DioGuardi gjithashtu apelon për një platformë gjithëshqiptare në Maqedoni që do të rishqyrtonte pozitën e shqiptarëve përmes procesit të Marrëveshjes së Ohrit,e cila ka ngecur dhe është shtrembëruar në procesin e implementimit të saj të plotë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura