YMER HALIMI: MIOPIA POLITIKE E PRISHTINËS ËSHTË PËR KIRURGJI URGJENTE

Prishtinë, 14. 01. 2014 – Zëvendësministri i punëve të jashtme i Estonisë, shtet me 1.35 milion banorë (2006), shpjegonte se kur Estonia u pavarësua, kishin buxhet shtetëror prej 280 milionë DM, kurse pas 15 viteve kanë buxhet prej 5.3 mild €. Pas një pyetjeje, sqaroi se suksesi i përshkruhet “cilësisë së arsimit dhe privatizimit”. Privatizimi u krye në raport 51 me 49 në favor të shtetit, me kusht që të ruhet prodhimi. Por, sigurisht kësaj i parapriu politika parimore e udhëheqjes politike estoneze. Tregoi se kanë Universitet dhe është jashtë Kryeqytetit, Talinit. Shkollim privat nuk kishin, por bëhet përpjekjeje për ta bërë. Informatika si Fakultet është kulmore dhe fiton shumë projekte të rëndësishme nga Bashkësia Europiane. Shkollat janë të pajisura me internet dhe në çdo klasë, në mbi 80 për qind të shkollave janë vendosur kamerat, ku edhe prindërit kanë mundësi ta shohin si zhvillohet mësimi dhe si qëndron fëmija i tyre në klasë. Kontrolli mbi arsimin është kulmor.Në anën tjetër, shpenzimet e qeverisë janë nen kontrollin ditor të çdo qytetari, për çdo cent të shpenzuar. Më 2004 u bë anëtare e BE-së.
Të rikujtomë se, ne, pas 14 viteve në liri, buxhetin shtetëror e kemi rreth 1.5 mild €. Prodhimi, për shkak të procesit të privatizimit, u shua dhe mbi 40% e popullatës është e papunë. Kryeministri i Kosovës, para 7 viteve, premtoi zhvillim e mirëqenie; në çdo shkollë të vendoset interneti; cilësi mësimi dhe zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Doli tjetra, dukuritë negative u shtuan, krimi e korrupsioni na renditën ndër të parët në Europë. Kështu, ish-ministri i arsimit, E. Hoxhaj shpalli një tender për informatikë në shkolla të Republikës, dyfishoi çmimin real, por shkaku i presionit publik e ndërpreu dhe, për befasi, Kryeministri e ofroi te këmbët. Kjo flet se qeveria është gjenerator i hajdutërisë (!?).

Qeveria është gjenerator i hajdutërisë!

Të rikujtojmë se ministri i punëve të jashtme i Estonisë tha: “Dikasteri i kësaj ministrie ka 6 vetura, ku vetëm një e kalonte çmimin 11.000 €”. Ndërsa, asokohe, Kryetari i Kuvendit te Kosovës, “Akademiku”, kishte paguar një “Xhip” rreth 223.000€, që nuk u mor kurrë, që mund ta ketë tejkaluar ndoshta të gjithë vlerën e veturave të ministrive të Qeverisë së Estonisë. Në Presidencë asokohe çdo i dyti i punësuar ishte i ngarkuar me një veturë. Ose të krahasoni sot veturën e ish-kryetarit të Prishtinës, dhe kryetarit të LDK-së ose të kompanive publike. Kurse Qeveria e Kosovës ka staf zëvendëskryeministrash, zëvendësministrash, ministrash dhe këshilltarësh në përmasën që të udhëheqë një Gjermani, Francë apo Britani, e jemi shteti më i varfër i Europës.
Nuk është fort e pëlqyer të krahasosh gjërat te proceset shoqërore, shkak i mentalitetit, traditës dhe synimeve të politikanëve në shtete; por si histori e shtrembërimit të vlerave demokratike, deformimit në udhëheqjen dhe të shkeljes së interesit publik, se si nuk duhet ndodhur demokracia, pa fije dyshimi, Kosovës mund t’i referohen politikanë, sociologë, psikologë nga gjithë Europa, për të mos thënë edhe më gjerë.
Megjithatë, kur shtetet organizohen mbi norma demokratike, janë të lejuara edhe krahasimet. Prandaj, ajo që ndryshon te normat e njëjta, demokratike, te shtetet, janë politikanët.
Universitetet mes kulles e çkanit
Ajo që do veçuar në pasluftë, që pësoi metamorfozë të panatyrshme, është segmenti i arsimit, e veçmas ai universitar, i cili, si forcë motorike e shoqërisë, me funksionin transmetues, shoqërinë njerëzore e ka vënë në stade të larta. Po edhe vet kosovarëve, ua hapi shtegun e lirisë.
Konceptualisht, me eksperimentime ad-hoc, është krijuar një deformim i pakthyeshëm, për shkak se meritokracia politike kishte mangësi akademizmin; thënë më saktë, politikanë dhe njerëz të meritave të veçanta e përdorën pushtetin për të marrë diploma universitare, thirrje akademike, në mënyrë jomeritore, për vete dhe miqtë e tyre e për farefisin e vetë, nëpërmes një grupi profesorësh pa dinjitet të UP-së, por edhe nga universitete të Shqipërisë, që u sollën jashtë çdo norme. Për ta arritur këtë, politikanë dhe grupe interesi ndërhynë që në udhëheqjet e njësive akademike të UP-së, po edhe në Rektorat, të vendosin individë pa atribute morale, shkencore, intelektuale, në mënyrë që atyre t’u shërbenin në mënyrë të verbër. Kulmi i të keqes ishin edhe zgjedhjet e rektorëve dhe e stafit të tyre. U bënë ndërhyrje edhe në përzgjedhjen e stafit akademik, të çdo niveli, deri në akademik, duke dëmtuar institucionet akademike dhe duke deformuar procesin mësimor. Shkatërruan mënyrën normale të regjistrimit të studentëve, që kulmoi me mandatin e Rektorit, Mujë Rugovës. Profesorëve të përgjegjshëm u mungoi kuraja dhe krijuan heshtje mortore, duke mos reaguar në asnjë shkelje juridike e morale që ishin dhe janë. Debatet u zhdukën, përveç ca individëve kryengritës që shprehnin mendimin publikisht.
Pse u ndërrua emri i UP-së (?!)
Kështu, me një urdhër arbitrar, u bë ndërrimi i emrit të UP-së, që, padenjësisht, u kalua në heshtje nga stafi akademik në UP. Por, duhet të themi hapur e me argumente se historia gjysmëshekullore e UP-së, kontributi i tij në ngritjen e vetëdijes kombëtare, nivelit kulturor kombëtar, shkencës dhe afirmimin e Kosovës në botë, është një kontribut që nuk mund ta mbajë brenda asnjë emër, të çfarëdo niveli qoftë, që ka kombi i ynë. Nuk mund të mbushet dot një oqean me ujin e një lumi!
Po edhe vet misioni që ka universiteti, në përgjithësi, nuk duron emër individi. Afirmimi gjysmëshekullor si Universitet i Prishtinës, kudo në botë, është diçka që flet shumë e që nuk duron pagëzim të ri. Ky ndërrim emri, është e panatyrshme, aq më e papranueshme sot në emër të një ‘patriotizmi’. Kështu s’bën asnjë komb me traditë e vetëdije politike. Kjo i takon të shkuarës, sistemeve komuniste.
Ky ndërrim emri është i papranueshëm, aq më parë, kur në Mitrovicën veriore, i mbështetur nga Serbia, funksionon pjesa e Universitetit të Prishtinës (serb), i cili tani e mban primatin e emrit. Miopia politike e Prishtinës këtu është për kirurgji urgjente!
UP-ja për Kosovën është universitet si: Bolonja, Harvardi, Kembrixhi, Oksfordi, Sorbona, Hajdelbergu, Zagrebi, Vjena, Arizona etj.
Ndërrimin e emrit të UP-së e bëri Senati i UP-ës, paligjshëm, me propozimin e rektorit më matrapaz që ka pasur ndonjëherë Universiteti i Prishtinës, karshi Radivoje Papoviqit, Mujë Rugova. Atë mund ta bëjë vetëm themeluesi, ai që e ka pagëzuar – Kuvendi i Kosovës. Këtë padrejtësi, me kërkesë të stafit akademik, duhet ta rregullojë Gjykata Kushtetuese.
Po ashtu, kuazipatriotët, folkloristët vendosën statujën e Hasan Prishtinës në oborrin e rektoratit, krejt sipas logjikës serbe të përmendoreve milosheviqiane; po aty në vend të iluministit serb, Dositej Obradoviq, sipas parimit të rektorit Papoviq.
Përmendorja e Hasan Prishtinës, sipas dimensioneve që ka, do shesh e jo oborr Rektorati.
Universitet si Komunat e Athisarit
Ajo që nuk mund të anashkalohet, e vështirë mund të kapet me logjikë intelektuali e politikë të shëndetshme, përveç asaj që “qëllimi arsyeton mjetin”, është që në një hark kohor, prej tre-katërvitesh, të hapen pesë universitet publike, kur dihet saktë se vet UP-ja ka problem me staf akademik e me institute kërkimore-shkencore; bile ca njësi akademike edhe kanë hasur në veshtirësi licencimi.
Ato universitete sot kanë në honorarë, asistentë dhe profesorë të UP-së, hiq Universitetin e Mitrovicës, që ka një traditë fakulteti. Ato sot, po shihen hapur, kanë krizë për staf udhëheqës e lëre për personel akademik të rregullt.
Kosova sipas statistikës ka rreth 21.000 maturantë, ndërsa UP mund të pranojë rreth dhjetëmijë prej tyre. Atëherë numri i mbetur i maturantëve do të jetë për pesë universitete publike dhe dhjetëra kolegje e universitete private. Kjo, sipas një logjike, bën që të gjithë maturantët të përfshihen në universitete. Por kështu nuk veprojnë gjermanët, francezët, anglezët. Jo, jo, jo, asnjë komb. Pranimi në universitete pa kriter është vrasje e universitetit. Ky popullzim është vetëshkatërrues, se brenda në strukturë ka vlerë e antivlerë akademike e profesionale, se dihet që 1/3 e maturantëve mund të mos e dinë as tabelën e shumëzimit, e si të tillë do kanë diploma universiteti, bile edhe doktorata. Pastaj, stafi akademik s’është askundi si edhe kushtet e hapësira e punës. Palcën e kurrizit natyra nuk e krijon pa ia ndërtuar kocin, z. Kryeministër.
Prapë, bie në sy emërtimi i universiteteve të reja, krejt sipas mentalitetit komunist. Si mund ta konciptojë një mendje njerëzore intelektuale e politike e mirëfillt që universiteti të ketë emër Haxhi Zeka, apo Isa Boletini, individë që kurrë nuk shkelën në hapësirë universitare, pa dhënë kontribut në shkencë kulturë e në arte, që u morën me një diplomaci laike. Po, universiteti nuk është garnizon ose shkollë ushtarake, aeroport dhe as Institut i Historisë a i Drejtësisë. Çfarë do të bëjnë kombet që e kanë Bonapartën, Bizmarkun, De Golin, Adenauerin, Mongtomerin, etj. “Mëzdraku nuk hyn ne thes”, ky është folklorizëm elektoral me pasoja, Z. Kryeministër? Ju bëjeni një pjesë të të duhurës (e rithekoj), p. sh. që Isa Boletinit t’ia varrosni eshtrat e tij në Boletin, ku varri e pret i hapur, e eshtrat e tij i rrinë qe sa vite në arkë druri! Kjo a do koment?!
Sot, zgjidhja e problemeve në Universitete kërkon shpejtësi dhe është triviale. Funksionimi i shtetit ligjor, e politika jashtë oborrit të universitetit. Vendime analizuese e jo të karakterit folklorik-patriotik. Studentët jashtë organizimit politik partiak në universitet. Përgjegjësia për punën e kryer dhe të pakryer, të vlerësohet sipas vlerësimit meritor, nga njerëz meritorë. Jashtë universitetit të gjithë ata që hynë në UP në mënyrë jomeritore. Dikur shkëlqente Universiteti i Prishtinës, nga këto parime!
Sa ec koha po shkrihet iluzioni se liria jep çdo gjë. Jo, liria ndërtohet, rritet. E sotmja dhe e ardhmja shkatrohet, jo vetëm nga pushtuesit.
Atëherë krahasimi politik ia vlen, por duhet qartësuar se ne ende jemi në stadin ku sundon fryma e sulltanëve e jo kreacioni i jetës kolektive demokratike, ku pa fije dyshimi: Kosovës mund t’i referohen politikanë, sociologë, psikologë nga gjithë Europa, për të mos thënë edhe më gjerë, për atë se si nuk duhet të ndodhin gjërat në organizim të shtetit!
Por, për këtë gozhdim politik të Kosovës, le t’i mbesim besnik thënies së Krishtit: “Zot, faljau mëkatet se nuk din çka bëjnë”.

– Autori është Profesor në Fakultetin e Mjekësisë në UP dhe ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës – në vitin 2007.

——————————————-

(Ilustrimi është i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura