ZAHIRI, EDMONDI DHE HAKIFI – FANARË LIRIE

Në 27 vjetorin e rënies se Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut

ZAHIRI, EDMONDI DHE HAKIFI – FANARË LIRIE

Nga Elife Podvorica – Jashari, Prishtinë 31 Janar 2024

-Të kujtohet ky Dëshmori? Po e pyesja sot kompozitorin e këngës “Fanar Lirie”.

-“Se në 100 vjet nuk lind më kësi burri”- ma ktheu ai. Ishte një varg i këngës, melodinë e së cilës e kishte bërë kompozitori Sami Piraj. Ishte viti 2001 që i kisha thënë atij-” Të lutem të bëjmë një këngë të re për Zahir Pajazitin në përvjetorin e radhës”. Dhe kënga ishte kompozuar nga Samiu me entuziazmin më të madhë. E kishim realizuar në një studio muzikore, sepse në ato vite nuk kishte orkestër live që të bëje realizimin e këngës. Herën e parë që e kishim kënduar para publikut, ishte mirëpritur shumë.

Në fillim e kisha kënduar vet, sepse më dukej që vargjet e këngës që i kisha shkruar, nuk mundej askush t‘i interpretonte me atë emocionin që ato duhej të përqonin tek njerëzit që do ta dëgjonin. Por, pastaj ndër vite, këngën e kishin kënduar nxënëset e studentet e mia si: Arta, Adelina, Diellëza, Aurela, Urata, etj.

Në vitet e para pas luftës, në sallat kur mbaheshin Përvjetorët e Dëshmorëve të kombit, kishte shumë miq ndërkombëtarë që ishin me mision në Kosovë. Dhe kur hasnin në kësi profilesh si puna e sopranove, pianos, këndimit koral, etj., mbeteshin shumë të çuditur dhe na përshëndesnin me plotë admirim.

Vitet kalojnë dhe shpresoj që një xhirim ku nxënësit dhe studentët e mij i pata përgatitur të këndonin këngën e të burgosurve hebrenjë “Va pensioero”, të çfaqet ndonjëherë. Vetëm sa për t‘u treguar nipërve e mbesave tona se në atë kohë, Dëshmori i kombit nderohej me këtë nivelë të muzikës botërore.

E sot herët në mëngjes teksa po ecja sheshit pothuaj të zbrazur që mbante emrin e Dëshmorit, më vinin kujtimet të largëta të asaj periudhe kur Zahiri djalosh i ri, kishte çuar peshë gjithë rininë llapjane dhe bënte organizime për demonstratat e mëdha të vitit 1981. Zahiri ishte i padukshëm në ato vite. Shihej vetëm puna e tij, të cilën e realizonin rinia e shkollave dhe fakulteteve. Në ndihmë të fëmijëve të tyre, ishin edhe të gjithë prindërit e të rinjtë, vetëm e vetëm që fjala e tij të shkonte aty ku ishte nisur.

Në ato vite të ëndërroje për Kosovën Republikë, ishte një ëndërr e parealizuar dhe mendoje se ky djaloshi nuk qenka më vete. Por një instikt, ndoshta ai instikti apo thirrja historike për lirinë e popullit nga padrejtësitë jugosllave, ishte shumë i gjallë dhe nuk të linte rehat.

Nga kujtimet e bujshme të mbështjellura nën vellon e viteve që shkuan, më ndërpreu shtatorja e tij, që mu çfaq madhështore pas pak hapave që kisha bërë përgjatë sheshit të pagëzuar me emrin e tij. Rrezet e diellit mëngjesor i rrinin si flatra në supet e tija  të gjëra. I lumshin duart skulptorit që i ka gdhendur aq bukur dhe në proporcion me shtatin e tij prej djaloshi vigan.

Krejt figura e tij, më rrezaton një trimëri të strukur në qëndrimin e tij modest prej një djaloshi të sjellshëm e të dashur. Sepse ai ashtu ishte i thjeshtë e i buzëqeshur…

Ndërsa po mundohesha të bëja një foto para se ta vendosja buqetën e luleve, u ngjita anash shtatores dhe lulet i vura pikërisht aty ku e mbante armën. Dhe iu drejtova me këto fjalë me zë: Krismat e lirisë, u bënë aromë lulesh për njerëzit e vendit tënd. Për moshatarët tu. Atë ditë që të rrëmbeu plumbi i armikut, kishe vetëm 34 pranvera. Andaj, sot tek po ecja për tek ti, të afrova me kujdesin e një nëne shqiptare, që falë jetës e gjakut tënd, bijt tanë jetojnë, studiojnë e punojnë të lirë.

Gjersa po mundohesha të bëja ca foto, mu afrua një zonjë e cila më pyeti nëse doja të më bënte ndonjë foto. Edhe ajo ishte nënë dhe me respektin më të madhë më përshëndeti dhe më tha ”Lavdi i qoftë gjaku këtij trimi me fletë”.

Ata pak kalimtarë që po nxitonin të strukur nën gjypet e tyre të trasha dimërore, nuk mund të konstatoja se a e dinin ata për përvjetorin e rënies tënde.

Po, zonjat që i shihja brenda restoraneve me xhama të avullosura nga çaji i ngrohtë e kafet me aromë, a e kishin ndopak mendjen tek Ti sot….

Po mojjj – i thashë vetes. Me siguri buqeta ime e luleve, më vonë gjatë ditës do të mbulohej nga kurorat e gjëra me lule që do t‘i, vëjnë elita politike, qytetarët, nxënësit e mësuesit. Është një ditë e shënuar kjo, andaj s’kam pse të mendoj ndryshe.

Ashtu e menduar dhe plotë nostalgji e mallëngjim, nxitova për në punë dhe shtatoren e Tij e lashë të rrinte madhështore në heshtjen e saj, të mbështjellur nga rrezet e para mëngjesore.

-Sot – sapo hyra në klasë nxënësve të mij u thashë – do të mësojmë këngën “Fanarë Lirie”…

***

Vargjet e Këngës Fanar Lirie

U nise nga foleja

Me krahët e shqiponjës

Ku lypej burrëria

Ku thërriste Liria

20 vjet s‘u trembe

20 vjet s‘u ndale

Aty ku t‘shkeli këmba

Robërisë frymën ja ndale

Pishtar i Lirisë u ktheve

Në votrën që të rriti

Lavdi të qoftë përjetë Zahir Pajaziti

Thotë hëna dhe dielli

Thotë mali dhe guri

Njëherë në njëqind vjet

Lind një kësi Burri

Ref.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura