Pashtriku.org, 15. 05. 2016: Revista e amzës kroate (Časopis matice hrvatske) “Kolo” sjell nga penda e dr. Mirditës një pasqyrë historike jo vetëm të historiografisë kroate, por edhe të disiplinave të tjera shkencore (etnologjia, linguistika, arkeologjia, muzika) dhe të publicistikës të cilat merren me të kaluarën e Shqiptarëve si dhe me kulturën e tyre shpirtërore dhe materiale. Sipas autorit kjo njohuri në të vërtetë është reflektim i traditës shumëshekullore të raporteve të ndërsjella kroato-shqiptare. Më atë rast kanë ndikuar edhe rrethanat përbashkëta historike. Përveç kësaj, autori vë në dukje se themeluesi i medievistikës shqiptare, me çka e ka ngarkuar me borxh edhe historiografinë shqiptare, është Milan Shufflay. Po ashtu theksohet edhe kontributi i humanistëve, shpirtërorëve dhe artistëve shqiptarë dhënë kulturës kroate, në periudhën e renesancës dhe humanizmit (Gjon Ivan Gazulli, Andrija Alleshi), dhe në kohën më të re (K. Krstiq, A. Stipçeviq, familja Deshpali dhe të tjerë).
***
Nuk është rast i rrallë në histori që rrethanat e përbashkëta historike të popujve fqinj t`i kushtëzojnë edhe lidhjet e tyre reciproke në lëmin shpirtëror, ekonomik, kulturor dhe politik. Kjo bën që edhe të njihen më thellë dyanësisht. E kur është fjala për marrëdhëniet kroato-shqiptare ato janë mjaft shtresore dhe të ndryshme. Natyrisht se edhe intensiteti i tyre nuk është i barabartë në Kroacinë e jugut, respektivisht në Kroacinë bregdetare, ku këto marrëdhënie kanë qenë shumë më intensive dhe të drejtpërdrejta për dallim prej Kroacisë veriore, gjegjësisht kontinentale. Kjo, midis tjerash, qartë shihet edhe në materialin e pasur arkivor në Dubrovnik, Kotor, Split, Zarë që ka të bëjë jo vetëm me Dalmacinë, por përfshin edhe të dhëna të vlefshme mbi Shqipërinë.[1] Këtu para së gjithash bëhet fjalë për periudhën e proveditorëve gjeneralë për Dalmacinë dhe Shqipërinë.[2]Por, pavarësisht prej kësaj, publiku shkencor dhe kulturor, por edhe ai më i gjerë, falë veprave të veprimtarëve të ndryshëm shpirtërorë, shkencorë dhe kulturorë, ishte, mund të thuhet lirisht, bukur mirë i njohur me të kaluarën e popullit shqiptar, me kulturën e tij shpirtërore dhe materiale. Pa dyshim se në përmbajtjen dhe qëllimin e kësaj njohurie kanë ndikuar jo vetëm prirjet e caktuara të individëve por edhe ngjarjet politike në një periudhë të caktuar te të dy popujt. Në përputhje me këtë, duke marrë para sysh literaturën relativisht të pasur që ka të bëjë me lëmi të ndryshme të jetës shkencore-kulturore dhe publicistike të Shqiptarëve, mund të përfundohet se interesimi për njohjen e Shqiptarëve si dhe të kulturës së tyre shpirtërore dhe materiale ndër Kroatë ka një traditë të gjatë. Mund të thuhet lirisht se ky interesim ka filluar qysh prej mesjetës dhe që vazhdon pandërprerë.[3]
Zef Mirdita 1936 – 2016
E pra, para se t`i qasem veprave me karakter shkencor-letrar dhe publicistik mendoj se është e domosdoshme të përqendrohemi shkurt në lidhjen shpirtërore-shkencore dhe kulturore shqiptaro-kroate. Më atë rast mendoj gjithsesi në veprimtarët shkencorë dhe kulturorë me prejardhje shqiptare të cilët me vepra të ndryshme i qëndisën emrat e vet në trashëgiminë intelektuale të popullit kroat.
Me rënien e Shkodrës në vitin 1479 dhe Tivarit me 1571 nën sundimin e Turqisë, Shqipëria bëhet pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane. Ky akt fatal do të reflektohet edhe në shkëputjen e popullit shqiptar prej civilizimit evropian së cilës sipas historisë, por edhe pozitës gjeografike, i takon. Shumë prej humanistëve shqiptarë, por edhe krijuesve të tjerë kulturorë, për ta ruajtur identitetin e tyre shpirtëror dhe lirinë e krijimtarisë, duke ikur nga zullumi turk, gjejnë vend në Dubrovnik[4]dhe në territorin e Dalmacisë veneciane, ku kanë mundur lirisht të krijojnë dhe t`i zhvillojnë aftësitë e tyre intelektuale.
Pa pretendim që të hyj në hollësira, këtu do të përqendrohem vetëm në disa emra të cilët nuk janë të panjohur për publikun shkencor dhe kulturor kroat.
Ndër të parët vetvetiu vërehet rëndësia e emrit të Andre Aleshit nga Durrësi i cili me veprat e tija skulpturore dhe arkitektonike i pari futi shpirtin e renesancës në Dalmaci, si në arkitekturë po ashtu edhe në skulpturë. Për të dhe për veprat e tija në Rab, pastaj në Split, Trogir dhe Zarë kanë shkruar shumë shkencëtarë kroatë, duke filluar nga Ivan Kukuljeviq Sakcinski,[5] Ljubo Karamani,[6] Cvito Fiskoviqi, Kruno Prijatelji,[7] Ivo Petricioli[8] dhe Andrija Mutnjakoviqi.[9]
E kemi theksuar tashmë se shumë intelektualë – humanistë, duke ikur nga zullumi turk, e lanë Shqipërinë dhe u vendosën në Dubrovnik apo diku tjetër në Dalmacinë veneciane, në Venedik dhe Itali në përgjithësi, kurse me veprat e tyre e ngarkuan me borxh kulturën dhe shkencën e atij vendi (nënqielli) në të cilin kanë vepruar. Një prej tyre është gjithsesi edhe dominikani Gjon Gazulli, i njohur si Ivan Gazulić, humanisti, matematikani dhe astronomi i njohur që jetoi dhe punoi në Dubrovnik;[10] pastaj Marin Biçekimi respektivisht Bečić, rektor i shkollës publike në Dubrovnik në vitin 1492.[11]
Sikurse ka pasur veprimtarë shpirtërorë kroatë në Shqipëri, ashtu ka pasur në mes të shekullit XVI e më tej argjipeshkvij dhe ipeshkvij Shqiptarë me prejardhje nga Durrësi. Kështu përmendet një Andre nga Durrësi (Andreas de Dyrrhachio) kah mesi i shekullit XVI si argjipeshkëv i Dubrovnikut, respektivisht Andreu nga Durrësi, ipeshkëv i Senjit, i cili nënshkruhet si profesor i teologjisë dhe doktor i Shkrimit shenjtë. Duhet vërë në dukje se gjatë kohës së tij sa ishte ipeshkëv është shkruar Meshari i parë i Vrbnikut i vitit 1458. Në këtë grup veprimtarësh duhet përmendur edhe Nikë Arbanasin, kanonikun dhe pedagogun nga shek. XIX, si dhe Spasojë Albanezin i cili qe ndihmës profesor (suplent) në gjimnazin e Zarës. Në kontekstin e gjithë të përmendurës është veçanërisht me rëndësi të theksohen Arbanasët në Zarë dhe kontributin e tyre dhënë shkencës, kulturës, muzikës, sportit dhe politikës kroate.
Si duket kështu e deshi “fati” që Shqiptarët katolikë, për ta shpëtuar identitetin e tyre etno-shpirtëror, të shpërngulen nga vatrat e tyre. Gjithsesi një prej arsyeve elementare ka qenë ikja nga zullumi turk. Kjo ndodhi edhe me Klementinët të cilët viteve të 30-ta të shekullit XVIII zunë vend në Srijem, konkretisht në Hrtkovci dhe Nikinci. Meqë këta në atdheun e ri një kohë të gjatë i mbajtën zakonet, doket, por edhe gjuhën e tyre, nuk është çudi që është shkruar shumë për ta.
Si duket për ta shkroi i pari Stipan Marjanoviq. Vepra e tij është shumë interesante sepse ka të dhëna të shkëlqyeshme etnografike, shkruan për doket dhe zakonet e tyre. Por, kjo vepër është interesante edhe për nga pikëpamja linguistike.
Shqiptarët që kishin ardhur në Kroaci shpejt hynë në veprim edhe në shumë struktura sociale të popullatës kroate. Kështu kishte edhe aristokratë Shqiptarë në shoqërinë kroate. Të tillë kishte në Split, Turopolje dhe tjera vende nëpër Kroaci. Ndër familje të njohura mund të ceken Gvozdenoviqët në Zhumberak që i dhanë Kroacisë “nënmarshallë, gjeneralë, kolonelë, kapitenë, prelatë, avokatë, shkencëtarë, shkrimtarë, atdhetarë…”
Në periudhën e lëvizjes ilire, kur Kroatët luftuan për identitetin e tyre nacional dhe mëvetësinë politike, Ilirët e vjetër në këtë luftim kanë qenë levë e rëndësishme politike. Protagonistët e lëvizjes ilirike, edhe pse ishin të vetëdijshëm se kjo nuk përputhet me të vërtetën shkencore historike, u orvatën që nën nocionin Ilir, në luftë kundër gjermanizimit dhe hungarizimit, të provojnë medoemos autoktoninë e Sllavëve të Jugut në rajonet në të cilat ata jetojnë. Kështu Ljudevit Gaj-i shkroi punimin me karakter programatik-politik me titull “Kush ishin Ilirët e vjetër?” E pra, pavarësisht nga ajo dhe nga qëndrime të tilla politiko-pragmatike në këtë të njëjtën Danicë ilire një autor anonim në bazë të të dhënave historike dhe etnografike shkruan po ashtu edhe për “Shqiptarët”.
Nga ajo që u tha shihet qartë se njohuria e dyanshme kroate-shqiptare ka të kaluarën e saj të gjatë në intensitetin e së cilës gjithsesi ka ndikuar edhe situata politike e të dy popujve. Dhe jo vetëm kjo. Sikurse kishte ipeshkvij dhe argjipeshkvij me prejardhje shqiptare në Kroaci, konkretisht në Dubrovnik dhe Senj, për të cilët tashmë kemi folur, ashtu edhe kleri kroat ka marrë pjesë në jetën shpirtërore të Shqiptarëve. Ai në të vërtetë merr pjesë edhe në organizimin kishtar të territorit shqiptar. Duhet përmendur Dominik Andrijasheviqin (1572-1632), Dubrovnikasin që si ipeshkëv shkodran punoi në organizimin e klerit të ipeshkvisë së përmendur, i përmendur edhe si ipeshkëv “i Shtjefnit” (stjepanski), d.m.th. ipeshkëv i Mostarit. Përveç kësaj ishte edhe në shërbesë diplomatike.
Nga vet titulli i shkresës së cekur do të pritej se këtu do të bëhet fjalë vetëm për vepra historiografike. Mirëpo, në këtë njoftim të dyanshëm apo më mirë të thuhet në njoftimin e Shqiptarëve, të kaluarës së tyre, kulturës shpirtërore dhe materiale, gjithsesi nën rrethana të caktuara historike, ndër Kroatë kanë vepruar jo vetëm historianë por edhe etnologë, linguistë dhe disiplina të tjera shkencore për të cilat do të flasim këtu, publicistë, letrarë e të tjerë. Në përshtatje me këtë që u tha në trajtimin e problemit të cekur do të filloj me letrarët dhe publicistët, dhe vetëm mbasandaj me historianë dhe shkencëtarë të disiplinave të tjera.
Te letrarët kroatë personi më i dashur nga e kaluara shqiptare është gjithsesi Gjergj Kastrioti Skenderbeu apo siç e quajnë ata Juraj Kastriotiq Skenderbeg. Kjo është edhe e kuptueshme kur dihet se, siç pohon Milan Shuflaj: “Nën Skënderbeun një fis i tërë shqiptar u bashkua në luftë kundër Turqve. U krijua një shtet i vërtetë shqiptar, pas rënies së Stambollit, Serbisë dhe Bosnjes, një shtet i fundit i madh i krishterë në Ballkan.” Që me këtë konstatim të cekur të M. Shuflajit qartë mund të dallohet interesimi te rrethet intelektuale kroate për Skënderbeun. Për më tepër, në periudhën e lëvizjes ilire emri i Gjergj Kastiotit Skënderbeut, i cili me luftën e tij çerekshekullore kundër Turqve simbolizonte rezistencën heroike kundër fuqisë okupuese të huaj, do të jetë i pranishëm në zhanre të ndryshme letrare. Në të rilindësit kroatë gjetën personazhin e përshtatshëm për frymëzim në realizimin e idealeve të tyre nacionale. Ai u paraqit si prototip-luftëtar në mbrojtjen e kristianitetit perëndimor. Në këtë kuptim për të edhe shkruhet në Danicën ilire me titull Juraj Skenderbeg i Amurat (Gjergj Skenderbeu dhe Amurati), respektivisht Juraj Skenderbeg i Muhamed (Gjergj Skenderbeu dhe Muhamedi).
Për Skënderbeun dhe trimëritë e tija heroike si prototip i mbrojtësit të krishterimit perëndimor kanë shkruar dhe kënduar poetët. Atë e përmend në Osmanin e vet edhe Ivan Gundulliq. Në mënyrë të veçantë për të këndon fra Kaçiq-Mioshiq (Kačić-Miošić).
Është interesante të ceket se Ivan Kukuljeviq-Sakcinski në bazë të këndimit të fra Andrija Kaçiq-Mioshiqit shkroi tragjedinë me titull Skenderbeg që ruhet në dorëshkrim në Arkivin HAZU (Arkivi kroat i shkencës dhe artit, vër. e përkth.).
Kur është fjala për historianët kroatë që kanë shkruar për Gjergj Kastriotin Skënderbeun gjithsesi i pari është Dubrovnikasi Ludovik Crijeviq Tuberoni (1459-1527). Ai, duke shkruar për kohën e vet, madje për periudhën ndërmjet vitit 1490-1522, i përshkuar me idenë e kryqëzatës kundër Turqve, shkruan edhe për luftërat shumëvjeçare të Skenderbeut kundër Turqve. S`ka dyshim se duke shkruar këto Komentime (Komentari) të tija dhe kur është fjala për Skenderbeun ka qenë në ndikim të fortë të veprës së humanistit shqiptar, priftit shkodran Marin Barletit, përndryshe biografit të parë të Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Kjo është një vepër, modeli (origjinali) i së cilës ishte ajo nga Frankfurti mbi Main, e shtypur në vitin 1743 edhe në Zagreb me shtojcën në titull “Athleta Christi”.
Arsyeja përse Franjo Thauszy dha që të shtypet, ai përndryshe ndërmjet 1734-1737 ishte komandant i kështjellës së kaptolit të Zagrebit në Dubicë, dhe t`ia kushtonte Karl Batthyani-t në Nemeth-ujvarë, banit të mbretërisë së Dalmacisë, Kroacisë dhe Sllavonisë, shihet nga parathënia e tij në të cilën thuhet: “që ta kthej një pjesë të Kroacisë e cila ka pësuar nën mynxyrat e robërimit osman në lirinë e etërve” dhe që zëvendësi i mbretit në orët e mbrëmjes të lexojë këtë vepër për të pushuar. Sido që të jetë nga kjo qartë shihet se Gjergj Kastrioti Skënderbeu edhe 275 vjet pas vdekjes së tij ishte i pa vdekur dhe “spiritus agens” i lëvizjeve të mëdha të popullit për çlirimin nga robëria turke. Arsyeja e parë ishte që Franjo Thauszy, duke krahasuar Kral Batthyani-n me Skënderbeun, siç shihet nga parathënia, t`i lajkatohet mëkëmbësit të mbretit, meqenëse tashmë kishte pas rënë në pamëshirën e tij, për çka na flet hollësisht edhe Baltazar Adam Krçeliq.
Për jetën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kanë shkruar Mate Zorçiq dhe Mihovil Pavlinoviq. Duke e trajtuar atë në kontekstin e pushtimeve turke në Ballkan, fra Donat Famijaniq nga Zara shkruan për luftërat e Skënderbeut kundër Turqve.
Ferdo Shishiq, një prej historianëve të njohur kroatë në gjysmën e parë të shekullit XX, ndër të tjera ka shkruar edhe një shkresë me titull Gjorgje Skenderbeg Kastriotiq, respektivisht të njëjtin tekst me titull Gjorgje Skenderbeg Kastriotić i njogovo doba (Gjergj Skënderbe Kastrioti dhe koha e tij)me shtojcat prej tetë dokumenteve dhe tri faqeve shënimesh. Ky tekst nuk është botuar por gjendet në dorëshkrim në Arkivin HAZU.
Ai këtë shkresë të tij e fillon me fjalët: “Ajo që ndër poetë është Shekspiri, ndër gojtarë Foksi, ndër prijës (gjeneralë) Napoleoni, ky është Skënderbeu ndër trima trim i vërtetë” (…), dhe vazhdon: “Ndërsa kalorësit evropianë kishin frikë nga fytyra e nxirë jeniçere, Skenderbeu vet me të djathtën e vet preu deri në dy mijë Turq dhe ndërsa perandoritë dhe mbretëritë në të cilat sulltanët godisnin, plot dëshpërim kërkonin ndihmë nëpër mbarë krishterimin, Kastrioti trim me një grusht të Arbanasëve zemërakë godet dhe e mposht ushtrinë tejet të madhe të dushmanit.”
Me rastin e pesëdhjetë dhe pesëqind e tridhjetë vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut autori i këtij artikulli ka shkruar dy artikuj okazionalë (të rastit) për Skënderbeun. Po ashtu ekziston edhe një artikull i Q. Peteshiq-it.
E pra nuk ishte vetëm personi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut lidhëse në njohurinë e dyanshme të Kroatëve dhe Shqiptarëve. Në këtë kanë pasur ndikim edhe faktorët e ndryshëm politikë të cilët, edhe pse jo për nga përmbajta, por për nga pasojat, ishin të ngjashëm. Kjo në mënyrë të veçantë ndjehet në periudhën e lëvizjes ilire, respektivisht të rilindjes popullore kroate. Mirëpo, njohuria intenzive e publikut kulturor kroat fillon në periudhën e shpërthimit të krizës lindore.
Është e njohur se kjo krizë ndizej pa flakë një kohë të gjatë. Shpërtheu me kryengritjen boshnjako-hercegovinase (1875) dhe me kryengritjen në Bullgari (1876) qëllimi i së cilës ishte çlirimi nga pushteti turk. Në këto shqetësime implikohen (hyjnë në veprim) edhe Shqiptarët, konkretisht rilindësit shqiptarë. Rezultati i kësaj lëvizjeje është Lidhja e Prizrenit (1878-1882) e cila me demarshe dhe memorandume të ndryshme drejtuar fuqive të mëdha evropiane të atëhershme, kundërshtoi copëtimin e territorit etnik shqiptar dhe dhurimin e tyre shteteve të krishtera ballkanike (Srbisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Greqisë). Për të gjitha këto raportohet edhe publiku kulturor kroat në artikujt që janë botuar në “Obzor” të Zagrebit, “Branislav” të Osjekut dhe “Narodni list – Il Nazionele” të Zarës. Interesante është se “Obzor” i Zagrebit, gazeta më prestigje e inteligjencës së pavarur kroate, vetëm për Lidhjen e Prizrenit dhe rilindjen popullore shqiptare, dhe këtë prej 6. maj 1878 deri më 4. qershor të vitit 1881 ia kushtoi 250 artikuj, paraqitje dhe informacione, dhe këtë 45 për vitin 1878, 67 për 1879, 127 për 1880 dhe 17 për vitin 1881. Nga ana tjetër “Branislav” i Osjekut i kushtoi rilindjes kombëtare shqiptare vetëm tri artikuj në 1878 dhe disa në vitin 1879. “Narodni list – Il Nazionale” i Zarës në vitin 1878 këtij problemi i kushtoi 14, ndërsa 26 në vitin 1880 dhe 12 artikuj, shënime dhe informacione në vitin 1881.
Si u tha tashmë, ngjarjet politike në Ballkan dhanë shkas që të shkruhet për to, por edhe për popujt me të cilit kishin të bënin këto ngjarje. Në këtë frymë duhet kuptuar edhe kontributin e françeskanëve të provincës së Bosnje Srebernës që nuk është i parëndësishëm në njohurinë e të kaluarës së popullit shqiptar. Këtu i veçoj tre françeskanë me influencë të provincës së përmendur veprat e të cilëve janë shumë të rëndësishme për njohjen e jo vetëm të kaluarës por edhe të zakoneve dhe dokeve të Shqiptarëve, e këta janë: Josip Dobroslav Bozhiq, fra Lovro Mihaçeviq dhe fra dr. Andrija Nikiq.
Josip Dobroslav Bozhiq për shkak të natyrës së tij karakteristike nuk ishte sipas dëshirës as të pushtetit laik politik as të eprorët e vet.
Kështu qe transferuar nga Bosnja në Troshan, fshat në Zadrimë në Shqipëri, në kolegjin françeskanë ku kryente detyrën e edukuesit dhe magjistrit. Sapo erdhi në Shqipëri menjëherë filloi të interesohet për të kaluarën, doket dhe zakonet e popullit shqiptar. Meqenëse ishte në mosmarrëveshje të vazhdueshme me eprorët e vet kaloi te priftërinjtë dioqezanë, dhe këtë në Ipeshkvinë e Banjallukës. Këtu e mbaroi veprën me titull Arbanija. Crte o narodu i povijesti Arbanije do pada joj u turske ruke 1571. godine (Shqipëria. Tipare mbi popullin dhe historinë e Shqipërisë deri në rënien e saj në duart turke në vitin 1571). Pas ekzemplarit (arkut) të parë të shtypur qe e ndaluar shtypja e mëtejshme e kësaj vepre. Për më tepër, pleqëria françeskane e konfiskoi.
Më i rëndësishmi gjithsesi është Lovro Mihaçeviq. Ai në kolegjin françeskan në Zadrimë mori mbi vete detyrën e magjistrit të rishtarëve françeskanë. Këtu qëndroi plot dhjetë vjet, dhe këtë prej vitit 1883-1892. Pasi që sërish u kthye me 1906 në Shqipëri, ai në vitin 1907 si provincial françeskan i shkoi rreth e rrotull tërë Shqipërisë me Epir dhe Maqedoni, deri ku shtrihej provinca françeskane. Për (në) rrugë u ndal katër muaj duke i shënuar vërejtjet dhe përshtypjet e veta. I nxitur nga ngjarjet politike që në ato kohëra zhvilloheshin në Shqipëri shkroi një vepër të vogël me titull Crtice iz arbanaške povijesti (Tipare nga historia shqiptare). Kjo, në të vërtetë, siç pohon me të drejtë A. Stipçeviqi më parë është një kompilim nga vepra e Artur Galanti-t, se sa një vepër e tij origjinale.
Për dallim prej tij, kur është fjala për karakterin shkencor të punës, Andrija Nikiqi është shumë më autentik dhe më i rëndësishëm. Ai në bazë të njohurisë së shkëlqyeshme të materialit arkivor nga Arkivi Propaganda Fide, si dhe literaturës profesionale, i ka paraqitur shkëlqyeshëm rrethanat politike dhe sociale, si dhe gjendjen ekonomiko-kulturore në Kosovë në mes të vitit 1840-1890.
Në të vërtetë interesimi për të kaluarën e popullit shqiptar te shkencëtarët-historianët kroatë kurrë nuk është dobësuar. Kështu qysh Franjo Raçki, edhe pse vet nuk është marrë me problemet e historisë shqiptare, botoi raportin e arqipeshkvit të Tivarit Marin Bicit të cilin ia dërgoi Kongregatës de Propaganda fide, dhe në të cilën gjinden shumë të dhëna të rëndësishme që flasin për rrethana të vështira dhe të padurueshme të katolikëve shqiptarë nën sundimin turk. Në këtë ka edhe mjaft të dhëna të vlefshme etnografike dhe gjeografike. Për njohjen e rrethanave të vështira dhe të padurueshme në Shqipëri gjatë kohës së sundimit turk veçanërisht është i rëndësishëm Raporti i argjipeshkvit të Tivarit, më vonë i Zarës Vick Zmajeviq-it që për fat të keq, sa më është e njohur, në Kroaci nuk është i publikuar.
Karlo Horvat, njohës i shkëlqyeshëm i arkivave romake, në bazë të këtij materiali po ashtu shkruan shkresa të rëndësishme mbi Shqiptarët, respektivisht mbi Shqipërinë. Po ashtu edhe Shime Ljubiq, duke publikuar Listine sjell mjaft dokumente që kanë të bëjnë me Shqiptarët.
Kontributi i shkencëtarëve kroatë në ndriçimin e të kaluarës së Shqiptarëve dhe në studimin e gjuhës shqipe si çelës për njohjen e strukturës së gjuhëve paleoballkanike ka një rëndësi të madhe. Sigurisht edhe kjo ka qenë shkak që gjuhëtari i shkëlqyeshëm kroat, Osjekas, Josip Florshytc në institutin e Zagrebit ligjëroi në vitin 1910-1916 gjuhën shqipe. Kjo ka qenë e para herë në këtë Institut.
Me gjithë faktin që për Shqiptarët dhe të kaluarën e tyre kanë shkruar shumë intelektualë kroatë qoftë si publicistë, respektivisht shkencëtarë, megjithatë emri i Milan Shuflaj-it si për historiografinë kroate, veçanërisht atë shqiptare qe kthesë e madhe. Është e vërtetë se historiani kroat Josip Gelçiq (Giuseppe Gelcich) duke diskutuar për të kaluarën e Zetës dhe dinastisë së Balshiq-it, ndalet edhe në disa probleme nga Shqipëria e mesjetës. Mirëpo, veprat e Milan Shuflajit janë gurë themeli i medievistikës shqiptare.
Shkaku përse ai është marrë aq intensivisht edhe me ndriçimin e të kaluarës shqiptare disa e kërkojnë në kohën e krijimit të shtetit shqiptar. Mirëpo, siç thekson me të drejtë Marko Kostrençiq, Shuflaji “e kishte gjetur për vete fushën e veprimit që më së shumti i përshtatet prirjes së tij të lindur për bizaren (ekstravaganten), dhe këtu kishte mjaft mundësi që të ndizej imagjinata e tij e fortë historike në rolin dhe pozitën mistike të pasardhësit të autoktonëve në siujdhesën hemike (sc. ballkanike, Z.M.). Që tani z. Š(ufflay-it) vëmendjen ia tërheqin veçanërisht çështjet arbanase, dhe me punën e vet ai i vuri bazat për një kuptim të ri të jetës arbanase në të gjitha drejtimet dhe ndikimit të saj në rrethinë.» Mirëpo, arsyeja e vërtetë që iu kushtua aq shumë së kaluarës së Ballkanit, konkretisht të Shqiptarëve, më duket, shihet në fjalët e vetë M. Shuflayit i cili, ndër të tjera thotë: «Kroacia e vendosur në dheun, që me formësimin fizik që moti mbart vulën e kufirit të dy siujdhesave të mëdha evropiane, e cila është kufi e gjuhëve, perandorive dhe feve ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, perandorisë bizantine dhe asaj të shenjtë romane, e shtyrë në sferën e interesave të papëve, ndjen çdo lidhje të këtyre dy botëve, ashtu sikurse betejat edhe sot i përjeton plagë. Këto lidhje për historianin janë rreze drite që me shndritjen hyjnore të frymëzimit shumë herë ndriçon errësirën që i mbulon në shumë vende pesë shekujt e parë të historisë kroate… Ndërsa autoriteti i Bizantit po bie, gjithnjë e më i madh po bëhet ndikimi i kurisë në Kroaci. Kur u ul Kreshimiri në fron, Roma tashmë kishte filluar të kryente revolucionin që kishte për qëllim të ndryshonte me themel raportin e Kishës me shtetin – pushteti apostolik ka për të fituar parësinë mbi mbretërinë.» (Kurzivi Z.M.).
Pavarësisht nga gjithë kjo ai këtë «imagjinim» të vetin për studimin e të kaluarës së popullit shqiptar e vërtetoi me botimin kapital të dokumenteve historike që kanë të bëjnë me mesjetën e Shqipërisë. Në të vërtetë Acta Albaniae janë paramenduar t`i kenë katër vëllime, madje në përgjithësi në bazë të materialit arkivor venecian për të cilat konsideronte se nuk duhej të përfundonin me vitin 1479 kur Venedikasit e humbin Tivarin dhe Ulqinin. Arsyeja përse mu ky vit, Shuflaji e shpjegon kur thotë: «Pikërisht ky material përfundimtar i shek. XVI është jashtëzakonisht i rëndësishëm për tërë Ballkanin, e në veçanti për pjesën e tij arbanase. Sepse në këtë shekull mbaron mutacioni i madh social, merr fund involucioni i strukturës sociale mesjetare bizantine-serbe, zhvillohet deri në fuqi të plotë sistemi aktivistik fisnor dhe përgatitet një lloj njësish hierarkike shtetërore (Mali i Zi, Mirditorët, Himariotët). (Kurzivi Z.M.).
Për fat të keq dy vëllimet tjera nuk e panë dritën. Supozohej që vëllimi i tretë të ketë qenë i kryer, mirëpo «kishte humbur».
Pas kësaj vepre themelore për medievistikën shqiptare, Shuflaji rrjedhimisht publikon studimet e veta kushtuar Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Në bashkëpunim me L. Thalloczy-in dhe Konstantin Jireçek-un kishte ndër mend ta shkruante historinë e popullit shqiptar në katër vëllime. E pra, deri te realizimi i këtij qëllimi nuk erdhi edhe pse studimi Položaj crkve u predturskoj Albaniji (Pozita e kishës në Shqipërinë paraturke) është dashtë të jetë kapitulli i 11 i asaj vepre, çka shihet nga një letër që Shuflaji ia kishte dërguar L. Thalloczy-it. Vazhdojnë më tutje punimet e rëndësishme si: Politička sudbina dračke teme (Fati politik i çështjes (temës) së Durrësit), Biologija albanskog plemena (Biologjia e fisit shqiptar), Gradovi i gradišta Albanije uglavnom za vrijeme Srednjega vijeka (Qytetet dhe gërmadhat e Shqipërisë kryesisht gjatë Mesjetës), Povijest sjevernih Arbanasa (Historia e Arbanasëve veriorë)si dhe Nacionalne maglice (Mjegullat (ngatërrimet) nacionale). Sredovječna plemena Albanije i Crne Gore (Fiset mesjetare të Shqipërisë dhe Malit të Zi) në të cilin bën fjalë për etnogjenezën e popullit shqiptar dhe kristalizimin e tij politik, pastaj Državne jezgrice. Sredovječni dinasti Albanije i Crne Gore (Elitat (thelbet) shtetërore. Sunduesit (dinastët) mesjetarë të Shqipërisë dh Malit të Zi) në të cilin vihet në dukje domethënia e territorit shqiptar në tentimet e formimit politik të dinastëve të mëdhenj e të vegjël, duke u mbështetur në lidhjet e gjakut me shtëpitë aristokrate bizantine, franceze, serbe, bullgare, kroate dhe boshnjake.
E gjithë kjo punë rezultoi veprën Srbi i Arbanasi (Serbët dhe Arbanasit) që përbëhet prej 32 studimeve, të përfshira në tetë kapituj. Kapitulli i shtatë i këtij koleksioni punimesh flet për kontaktet politike të Kroatëve dhe Shqiptarëve në shek. XIV-të.
Është interesante se duke lexuar me vëmendje këtë vepër mund të vërehen disa kontradikta dhe dobësi metodologjike. Kjo veçanërisht shihet në rastin ku flitet për raportet ndërmjet Malazezëve dhe Shqiptarëve. Konkretisht kjo shihet në rastin e fisit Kuçi për të cilin thotë se në vitin 1614 ishte “gjysma ortodoks e gjysma latinë”, ndërsa për vitin 1614 pohon se janë “Chuzzi Albanesi del rito romano”. Përveç kësaj duhet cekur se ai kur diskutimin e problemeve historike është shërbyer me terminologjinë e shkencave natyrore, si që është “osmoza”, “simbioza”, “mutualizmi”, etj. Gjithsesi në frymën e kohës së vet shumë është shërbyer po ashtu me metodologjinë e pozitivizmit sociologjik, në mënyrë të veçantë kur reflekton mbi faktorët e fuqive kolektive, ndikimeve reciproke, shkrirjet dhe modifikimet e vazhdueshme.
Kur është fjala për historinë shqiptare dhe referimin (paraqitjen) e saj Shuflaji është dëshmuar edhe si letrar. Në vitin 1920 në Zagreb, ai me pseudonimin Alba Limi, publikoi romanin historik, respektivisht siç thotë vet “historinë romantike” me titull Kostadin Balšić. Në të zhvilloi tërë fantazinë e tij të zjarrtë, porse duke ruajtur besnikërisht strukturën historike të dinastëve shqiptarë.
Pa kurrfarë dyshimi mund të thuhet se në të vërtetë me Shuflajin fillon qasja e vërtetë shkencore e shkencëtarëve kroatë e marrjes së tyre me të kaluarën shqiptare. Një prej tyre gjithsesi është edhe Stjepan Antoljak, themelues i katedrës së historisë në Fakultetin filozofik në Prishtinë, përndryshe edhe profesor shumëvjeçar i historisë në Fakultetin filozofik në Shkup. Për shkak të punës që e bëri për shumë vjet në Arkivin shtetëror të Zarës, por edhe në bazë të materialit arkivor nga Roma dhe Vjena, publikoi disa punime nga lëmi të ndryshme të historisë së popullit shqiptar.
Si arkivist, por edhe historian, Bernard Stulli me studimin e tij Albansko pitanje (Çështja shqiptare) e qiti borxh historiografinë shqiptare. Ai si drejtues shumëvjeçar i Arkivit shtetëror në Zagreb pati mundësinë të njihet edhe me materialin arkivor që ndërlidhej me të kaluarën e Shqiptarëve. Stulli në të vërtetë në Albansko pitanje (Çështjen shqiptare) shkruan në kontekstin e ngjarjeve politike të kohës dhe kërkon ndikimet e të fortëve botërorë interesat e të cilëve hynin në konflikt pikërisht në fushën e Perandorisë që po rrënohej Osmane.
Sipas mendimit të Stulli-t çështja shqiptare shfaqet vonë “për shkak të prapambetjes dhe zhvillueshmërisë ekonomiko-shoqërore dhe politike të vendit shqiptar”, gjegjësisht “shfaqet në mënyrë të papjekur”, sepse nuk ka fuqi shoqërore “që do të sendërtonin lëvizjen politike më radikale dhe njëmend shqiptare”. Sipas mendimit të tij kjo lëvizje është zhvilluar nën ndikimin vendimtar të fuqive të huaja të cilat “kushtëzuan jetën politike dhe zhvillimin e vendeve dhe popujve ballkanikë” kështu që beteja nacionale vëzhgohet në një pjesë të madhe në nënshtrimin e ndasive të sferave të interesave në Ballkan. Është e rëndësishme edhe dukuria shoqërore e gërshetimit të interesave të borgjezive tregtare në ndërlidhje (mbërthim) të shoqërive ballkanike. Në fund vë në dukje Stulli se Çështja shqiptare pas Kongresit të Berlinit (1878) u bë një ndër problemet kyçe të politikës së Ballkanit. Autori me të drejtë konstaton se Lidhja e Prizrenit ka pasur një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e “çështjes shqiptare”.
S`ka dyshim që arsyet e cekura, vërtetë të paraqitura në frymën e kuptimit të atëhershëm mbizotërues marksist-materialist të ngjarjeve historike janë në shumëçka të sakta. Vetëm se befasuese është që autori nuk e ka marrë në analizë edhe një faktor shumë të rëndësishëm të ndarjes (copëtimit) së Perandorisë Turke, që për faktorët politik evropian është shumë qenësor. Fjala është për “superstrukturën shpirtërore”. Siç dihet, veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit, veçanërisht ata në Kosovë, ishin të përshkuar me frymën e islamizmit dhe panturqizmit, dhe kanë luftuar, njëmend, për autonominë kulturore-sociale dhe ekonomike, por në kuadër të Perandorisë Turke. Një qëndrim i tillë për fat të keq i ka dëmtuar popullit shqiptar me rastin e ndarjes së territorit të Perandorisë Turke në përbërjen e së cilës ishte edhe populli shqiptar. Sepse kriteri elementar i Kongresit të Berlinit në ndarjen e territorit të Perandorisë së përmendur ishte përkatësia fetare e jo ajo nacionale. Dhe kështu fuqitë e mëdha në këtë kongres, duke mos dëshiruar të kenë “një Turqi të vogël”, ua ndanë territorin etnik shqiptar shteteve krishtera: Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Ky ishte “shpërblimi” i popullit shqiptar, i cili në pjesën më të madhe është i fesë Islame, për lojalitetin e tij ndaj sulltanit. Natyrisht se në një mënyrë të tillë nuk është zgjidhur, dhe as që mund të zgjidhet “çështja shqiptare”.
Është interesante si i qaset Ivo Andriqi, letrari dhe nobelisti kroat, por në shërbim të realizimit të idesë së “Serbisë së Madhe”, zgjidhjes së kësaj “çështjeje shqiptare”. Për këtë gjë historiani Bogdan Krizman ka shkruar një punim të vëmendshëm. Ivo Andriq, sado që të ketë qenë letrar i suksesshëm, kur është fjala për “çështjen shqiptare” ka lënë gjurmë shumë negative. Thënë më saktë ishte në shërbim të realizimit të idesë gjenocide të “Serbisë së Madhe”. Si ndihmës i minstrit të punëve të jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1939 mori nga qeveria e vet detyrën që ta përpunonte një elaborat në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare. Kur lexohet dhe analizohet, ky elaborat ideologjikisht në asgjë nuk dallon prej idesë së Vasa Çubrilloviqit. Dallimi është vetëm në zgjedhjen e mjeteve. Në këtë kuptim Andriqi preferon që Shqipëria të ndahet ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. Kështu pohon: “Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej edhe qendra tërheqëse për pakicën arbanase në Kosovë, e cila në situatën e re do të asimilohej më lehtë (…) Çështja e shpërnguljes së Arbanasëve myslimanë në Turqi po ashtu do të ekzekutohej nën rrethana të reja, sepse nuk do të kishte kurrfarë aksioni më të fortë për ta ndaluar këtë.” Mirëpo ç`të bëhet me Shqiptarët – katolikët që në atë kohë në Kosovë ishin rreth 17.000, dhe së bashku me katolikët nga Shqipëria janë më atë rast gjithsej rreth 200.000-300.000?! Për Andriqin ata nuk përbënin rrezik sepse “raporti i tyre me Shqiptarët myslimanë asnjëherë nuk ka qenë i mirë”.
Për politikën gjenocidale serbe ndaj Shqiptarëve në Kosovë dhe për spastrimin etnik të kësaj zone në mënyrë që të realizohej ideja e “Serbisë së Madhe” ka shkruar edhe autori i këtij artikulli.
Historia e Shqiptarëve si dhe kultura e tyre materiale dhe shpirtërore janë t ë pranishme edhe në edicione të ndryshme të “enciklopedive kroate”. Kështu Ljudmil Hauptmann shkruan për historinë e Shqiptarëve, kurse Eqrem Çabej (Ećrem Čabej) për letërsinë artistike dhe popullore të Shqiptarëve. Një paraqitje të re sintetike të historisë së letërsisë shqiptare dha autori i këtij artikulli. Është me rëndësi të theksohet se interesimi për poetin kombëtar shqiptar Gjergj Fishtën (Đerđ Fišta) në rrethet intelektuale ndër Kroatë ka qenë gjithmonë e pranishme. Kjo është edhe e kuptueshme sepse ai, si poet, ka qenë nxënës i fra Kaçiq-Mioshiqit dhe fra Gërg Martiqit. Përveç kësaj duhet cekë se fliste shkëlqyeshëm kroatisht. Kështu për të shkruan Ivan Esih dhe Lazar Dodiq.
Në afrimin dhe njohjen reciproke kroate-shqiptare me siguri kanë qenë të rëndësishëm faktorët ekonomikë. Kjo i përket veçanërisht lidhjeve tregtare-ekonomike (bujqësore) dhe (breg)detare ndërmjet Dubrovnikut dhe Shqipërisë. Mbi këtë flet materiali i pasur arkivor i futur në Arkivin Shtetror në Dubrovnik. Këto lidhje i kanë trajtuar Josip Luetiq, Vinko Ivançeviq, mbi eksportimin e drunjve (qeresteve) nga Shqipëria në Dubrovnik si dhe mbi anijendërtuesit dubrovnikasë në Shqipëri.
I nxitur me ngjarjet tragjike në Kosovën e vitit 1981 Branko Horvat, ekonomisti i shquar kroat, filloi të merret me “çështjen kosovare”. Ai në të vërtetë orvatet të hyjë në shkaqet historike të politikës që çoi deri te këto ngjarje, për shkak të shpjegimit të thelbit të çështjes shqiptare në Kosovë. Për dallim nga pjesa historike që është përpunuar në redaktimin e një historiani kosovar shqiptar, analiza ekonomike dhe politike kanë provuar dhe sqaruar në të vërtetë esencën e problemit të revoltit të Kosovarëve shqiptarë.
E ballafaquar me politikën brutale gjenocidale të Sllobodan Millosheviqit ndaj Shqiptarëve, derisa jetonte në Beograd, Ljubica Shtefan, e vetëdijshme për të gjitha pasojat negative për jetën e vet, mblodhi material arkivor dhe material tjetër në bazë të të cilit trajtoi periudhën e viteve 1878-1989, me çka në të vërtetë botës ia paraqiti pamjen e terrorit të tmerrshëm serb mbi Shqiptarët.
Mbasi e kemi fjalën për Kosovën dhe Shqipërinë duhet përmendur se autori i këtij artikulli ka publikuar paraqitjen në mënyrë të përmbledhur të kulturës shpirtërore dhe materiale si dhe dy kritika (censurime) të hollësishme punimesh mbi këtë lëmi nga parahistoria deri te antika e vonë.
Kontribut të rëndësishëm filologjisë dhe linguistikës shqiptare kanë dhënë edhe shkencëtarët e njohur kroatë, si që janë Henrik Bariq, Anton Mayer, Petar Skok, Radoslav Katiçiq dhe të tj. Kjo është edhe e kuptueshme sepse çelës për njohjen e problemeve paleoballkanike etnogjenetike është gjuha shqipe.
I pari, mund të thuhet, që intensivisht është marrë me problemet e gjuhës shqipe është Henrik Bariq, Dubrovnikas, përndryshe profesor i Universitetit të Beogradit. Ai, duke u marrë me problemet e paleoballkanistikës, u mor edhe me problemet e prejardhjes së gjuhës shqipe, raportin e saj ndaj rumanishtes, si dhe me problemet e prejardhjes së popullit shqiptar. Nxjerr edhe revistën “Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju (Arkivi për lashtësinë, gjuhën dhe etnologjinë arbanase) për arsye që, siç vë në dukje në Hyrje, “në rend të parë (të ketë) parasysh studimin e marrëdhënieve serboarbanase, kulturore dhe politike (…) si dhe shqyrtimin e lidhjeve ndërmjet Arbanasëve dhe popujve parasllavë të siujdhesës ballkanike, të Romanëve ballkanikë, Grekëve, Thrakasëve të vjetër dhe Ilirëve.”
Në faqet e kësaj reviste, përndryshe jetëpak, janë publikuar punimet e shkencëtarëve të famshëm nga lëmi i bllkanologjisë dhe albanologjisë, duke trajtuar kështu raportet e gjuhës shqipe ndaj asaj rumune, si dhe gjuhëve të tjera ballkanike, vlerat shkencore e të cilave edhe sot janë të rëndësishme. Krahas studimeve gjuhësore dhe punimeve janë publikuar edhe studime nga historia e popullit shqiptar, si dhe recensione dhe kritika mbi librat e /nga/ ballkanologjisë.
Bariqi, kur është fjala për prejardhjen e gjuhës shqipe, mendon se e ka prejardhjen thrakase dhe që Shqiptarët janë vendosur (kanë zënë vend) në territorin ilir. Me vetë këtë ai e dëbon teorinë ilire mbi prejardhjen e gjuhës shqipe dhe insiston në lidhjen gjuhësore shqiptaro-rumune. Bariqi ka kontribuar shumë edhe në leksikografi. Në këtë lëmi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe Kruno Krstiqi, në mënyrë të veçantë mbi visarin gjuhësor të Arbanasëve në Zarë.
Një linguist tjetër i rëndësishëm kroat, përndryshe me prejardhje vllahe, që u mor intensivisht me problemet linguistike paleoballkanike dhe raportet e gjuhës shqipe ndaj tyre, ka qenë profesori universitar i Zagrebit Petar Skok. Preokupimi i tij elementar, kur është fjala për gjuhën shqipe, ishte raporti i saj me gjuhët rumune dhe sllave.
Në plejadën e linguistëve të njohur kroatë që janë marrë edhe me problemet e gjuhës shqipe në kontekstin e gjuhës ilire ka qenë edhe Anton Majer, indoevropeist dhe ilirolog i njohur, profesor në Universitetin e Zagrebit. Ai është përfaqësues i teorisë ilirike mbi prejardhjen e gjuhës shqipe.
Mbi raportet gjuhësore shqiptaro-ilire, por në kontekstin e gjuhëve paleoballkanike, ka shkruar edhe Radosllav Katiçiq, pasardhës i Anton Majerit në katedrën për indoevropeistikën në Universitetin e Zagrebit, kurse prej vitit 1971 kryetar (udhëheqës) i Katedrës për sllavistikën në Universitetin e Vjenës. Ai është përfaqësues i teorisë “iliro-shqiptare” kur shqyrton problemin e prejardhjes së gjuhës shqipe. Mirëpo, në një vend tjetër ai është pak më kritikë për sa i përket një pohimi të tillë. Sepse vë në dukje se në konstruksionin interesant thrakas, megjithatë, edhe pse nuk është i provuar sigurisht, prejardhja ilire e gjuhës shqipe mbetet si më e mundshmja alternativë. Këtë mendim e shprehu edhe në artikullin e lexuar në Simpoziumin e parë ndërkombëtar mbiIlirske studije (Studimet ilirike), të mbajtur në Tiranë në vitin 1972.
Për kërkime sistematike arkeologjike të territorit shqiptar, veçse nga arkeologë shqiptarë mund të flitet vetëm pas Luftës së II-të botërore, madje për të gjitha periudhat – nga parahistoria deri te mesjeta. Këto rezultate të arkeologëve shqiptarë janë sa mahnitëse aq edhe të pranueshme për shkencëtarët botërorë. Qëllimi i arkeologëve shqiptarë nuk ka qenë vetëm të njohurit e kulturës materiale dhe shpirtërore, në rend të parë Ilirëve, por kjo analizë ka qenë në funksion të ndriçimit të etnogjenezës së popullit shqiptar, përkatësisht për t`i vërtetuar lidhshmëritë etnogjenetike të Ilirëve dhe Shqiptarëve.
Duke iu falënderuar këtyre rezultateve dhe njohurisë së literaturës botërore arkeologu kroat Aleksandar Stipçeviqi ka shkruar në italisht një sintezë të historisë së Ilirëve, ma pas edhe në kroatisht. Përveç punimeve të rëndësishme nga problematika ilire është marrë edhe me etnogjenezën e popullit shqiptar, të publikuar në gjuhën sllovene. Me problemin e etnogjenezës së popullit shqiptar është marrë, duke u shërbyer me metodën interdisiplinore edhe autori i këtij artikulli.
(Marrë nga: URTIA, revistë fetare kulturore, Viti 2003, f.53-80. Përktheu: Shtjefën Dodes)
________________________
[1] Alain Ducellier, La façade maritime de l`Albanie au Moayen Âge, Thessaloniki, Institute for Balkan Studies, 1981; Idem: L`Albanie entre Byzance et Venise: Xe-XVe siècles, London, Variorum Reprints, 1987; Josip Lucić, Spisi dubrovačke kancelarije (Shkrimet e kancelarisë dubrovnikase), vëll. 2-3, Zagreb. JAZU dhe Zavod za hrvatsku povijest (Enti për historinë kroate), Filozofski fakultet, 1984, 1988; sv. 4, HAZU dhe Zavod za hrvatsku povijest, Filozofski fakultet, 1993; Bariša Krekić, Albanians in the Adriatic cities: Observations on some Ragusan, Venetian and Dalmatian sources for the History of the Albanians in the late middle ages, në: ΟΙ ΑΛΒΑΝΟΙ ΣΤΟ ΜΕΣΑΙΩΝΑ ΕΘΝΙΚΟ ΙΔΡΥΜΑ ΕΡΕΥΝΩΝ ΙΝΣΤΙΤΟΥΤΟ ΒΥΖΑΝΤΙΝΩΝ ΕΡΕΥΝΩN ΔΙΕΘNΗ ΣΥΜΠΟΣΙΑ 5 ΑΘΗΝΑ 1998, FQ. 209-233.
[2] Maja Novak, Generalni providuri Dalmacije i Albanije u XVIII. stoljeću prema ocjeni neslužbenih suvremenika (Proveditorët gjeneralë të Dalmacisë dhe Shqipërisë në shekullin XVIII sipas vleftësimit të bashkëkohësve jozyrtarë). Radovi Instituta JAZU u Zadru, 4-5 (1958-1959), 341-371; E njëjta: Kada i kako je došlo do formiranja službe generalnog providura Dalmacije i Albanije (Kur dhe si erdhi deri te formimi i shërbesës së proveditorëve gjeneralë të Dalmacisë dhe Shqipërisë). Radovi Instituta JAZU u Zadru, 15 (1968), 91-112.
[3] Aleksandar Stipčević, Albanologija u Hrvatskoj. Prilog njezinu povijesnom razvoju, në: Historijski zbornik, god. XLV (1), Zagreb 1992, 219-236. (Më tutje: HZ); Aleksandër Stipçeviq, Interpretime albanologjike. «Flaka e vëllazërimit» – Redaksia e botimeve – Shkup, 1994; Zeqirija Naziri, Hrvati o Albancima (Kroatët për Shqiptarët) (Od narodnog preporoda do 1912. godine.) (Nga rilindja popullore deri në vitin 1912). Zagreb 1993.
[4] Me datën 14. korrik 1284 për herë të parë përmendet gjuha shqipe “lingua albanesca” siç është shenjuar në dokumentin e arkivit të Dubrovnikut (shih J. Lucić, Spisi, 3, nr. 467; B. Krekić, vep. cit., fq. 211).
[5] Ivan Kukuljević-Sakcinski, Slovnik umjetnikah jugoslavenskih. Zagreb 1858, s. v. Aleksijev, Andrija Dračanin, 4-10.
[6] Ljubo Karaman, Umjetnost u Dalmaciji XV. i XVI. vijeka, Zagreb 1933, 69-96.
[7] Cvito Fisković i Kruno Prijatelj, Albanski umjetnik Andrija Aleši u Splitu i Rabu, Split 1948.
[8] Ivo Petricioli, Alešijev reljef sv. Jeronima u Zadru, u: Vjesnik za arheologiju i historiju dalmatinsku, 26-59 (1954-12957), 1, 270-273.
[9] Andrija Mutnjaković, Andrija Aleši – Andrea Alessi. Architectonica croatica 8, Zagreb 1998. Ky është një edicion i përpunuar i atij që është botuar në gjuhën shqipe: Andrija Mutnjaković, Andreas Alexius Epirota, «Rilindja» Prishtinë 1981.
[10] Šime Jurić, Prilozi biografiji Ivana Gazulića, në: Anali Historijskog instituta u Dubrovniku, 8-9 (1960-1961), 447-479; Mirko Dražen Grmek – Žarko Dadić, O astronomu Ginu Gazulu i dubrovačkom traktatu o astrolabu, në: Anali Historijskog odjela Centra za znanstveni rad JAZU u Dubrovniku, XIII-XIV (1976), 53-94; B. Krekić, vep. cit., fq. 221-224.
[11] Bečić, Marin (Becichemus, Becichio, Becichemo, humanist (me siguri Shkodër 1468 – Padovë 1526), HBL I/1983, 572-573.