PROF.DR.SELMAN SHEME: AUTOKTONIA SHQIPTARE NË ҪAMËRI-EPIR

Pashtriku.org, 19. 07. 2013 – Në jug-perëndim të gadishullit të Ballkanit, gjatë brigjeve lindore të detit Jon, nga liqeni i Butrintit dhe lumi i Pavllos në veri dhe deri në Gjirin e Artës në jug, shtrihet një trevë me tipare të veçanta të peisazhit dhe të popullimit human që e diferencojnë nga regjionet përreth. Kjo krahinë njihet nga populli me emrin Çamëri për vëndin dhe çamë për banorët e tij.
Ndërsa në literaturë kjo hapësirë njihet me emrin Epiri i Jugut për vendin dhe epiriotë për banorët e tij. Këdo që të pyesësh nga banorët e vjetër të kësaj treve të japin këtë përgjigje: “Çamëri zihet ka lumi i Shalsit (Pavlla) në veri, jaram të guret e Zesë në Prevezë”.
Çamëria e grabitur, 9203 kilometër katror
Brenda këtyre kufijve shtrihen rrethet e Filatit, Gumenicës, Margëlliçit, Paramithisë dhe Filipiadhës. Në lindje, Çamëria apo Epiri i jugut shtrihet nga malet e Murganës, vijon në basenin e Janinës dhe lumin e Artës dhe përfundon në gjirin e Artës. Në perëndim Çamëria ka dalje deri në detin Jon. Vija bregdetare është mjaft e përthyer, ku janë formuar shumë gjire, kepe e gadishuj. Pozita gjeografike e Çamërisë ka rëndësi të madhe ekonomikë, gjeopolitike dhe strategjike. Nëpër territorin e saj kalojnë rrugë të rëndësishme që lidhin shtetin amë Shqipërinë me Greqinë si dhe ishujt e Jonit me Janinën me Greqinë kontinentale. Portet e Çamërisë lidhin në mënyrë të natyrshme pjesën jugore të gadishullit të Ballkanit me gadishullin Apenin si dhe basenin e Adriatikut me mesdheun lindor. Çamëria apo Epiri i jugut në periudha të ndyshme historike nuk ka qenë njësi administrative më vehte dhe e përcaktuar mirë gjeografikisht.

Sipas të dhënave që jep Sami Frashri në “Fjalorin e Përgjithshëm të Historisë dhe Gjeografisë”, (Kamusul-Alam) në vitin 1889 krahina e Çamërisë bënte pjesë në Sanxhakun e Janinës dhe Prevezës të vilajetit të Janinës. Në ndarjen e sotme politiko-administrative rripi verior i Çamërisë me qëndër qytetin e Konispolit bën pjesë në rrethin e Sarandës të Republikës së Shqipërisë. Në këtë zonë në kohën e monarkisë së Mbretit Zog ishte krijuar një nënprefekturë me emrin Çamëri dhe me kryeqëndër Konispolin. Pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe e popullsisë së Çamërisë me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913 mbeti jashtë kufijve shtetëror nën sundimin grek.
Kjo pjesë në ndarjen administrative të Greqisë sot shtrihet në katër prefektura: në prefekturën e Thesprotisë, të Prevezës, Artës dhe të Janinës. Këto katër prefektura përfshihen në krahinën e Epirit, siç e emërtojnë grekërit Çamërinë. Sipërfaqja e Epirit (Çamërisë) është 9203 kilometër katror, ndërsa pa ujrat e brendshme është 9076 kilometër katror. Para pushtimit grek, viset e Çamërisë që bëjnë pjesë në trungun etnik shqiptar (rrethet e Filatit, Gumenicës, Margëlliçit dhe Paramithisë) ku popullsia ishte me shumicë shqiptare kishte dhe ka një sipërfaqe prej 2550 kilometër katror. Brezi anësor (periferik), rrethet e Artës, Prevezës dhe Janinës kishin dhe kanë një sipërfaqe prej 6526 kilometër katror.Në këto hapësira jetonte dhe vazhdon të jetojë një popullsi multietnike shqiptare, greke, vllahe etj.
Krahinë me peizazhe unikale në Ballkan
Çamëria apo Epiri i Jugut përbën një regjion me tipare origjinale të peisazhit gjeografik. Megjithëse relieve në përgjithësi ka karakter kodrinor-malor të pakta janë zonat ku lartesitë kalojnë 1000 meter mbi nivelin e detit. Në pjesen lindore në formën e një harku me drejtim veri-perëndim, jug-lindje, shtrihet sistemi malor i Pindeve. Në drejtim të perëndimit relievi fillon të ulet gradualisht në një zonë kodrinore me lartësi mesatare e cila në afërsi të bregdetit, në perëndim dhe në jug, ja lë vendin ultësirave të Llurit, Frarit, Rajit, Kuçit, Lopsit etj. Nga kreshtat e larta të vargmaleve të Pindit zbresin përrenj e lumej të rrëmbyer të cilet vijnë duke u bashkuar mes tyre duke krijuar sistemet kryesore të lumejve të Çamërisë të cilët janë ata Kalama, Akeron, Lluri dhe Arta. Këta lumenj shfrytëzohen gjerësisht për ujitje, duke i dhënë jetë krahinës.
Çamëria ka një klimë të këndshme subtropikale-mesdhetare, me dimër të butë dhe të lagësht dhe vere të nxehtë dhe të thatë. Tiparet e relievit krijojnë një variacion mikroklimatik nga lindja në perëndim. Ndërsa në lindje në kreshtat e maleve mbi qafa e gryka të tyre shkëlqejnë sheshet e dëborës së përhershme, në brigjet e ulta të detit Jon ka mbi 280 ditë me diell, me temperature optimale për një aktivitet turistik balneta, nga muaji prill deri në fund të muajit tetor. Vegjetacioni tipik mesdhetar vesh me gjelbërim të përhershëm malet kodrat dhe ultësirat e Çamërisë. Ndërsa në shpatet e vargjeve malore në lindje pishat alpine mesdhetare shkundin dëboren, në bregdet shkundin petalet plot erë, agrumet dhe drurët frutorë.
Brezaret e ullinjëve, vreshtave dhe agrume shtrihen gjatë gjithë bregdetit dhe nëpër luginat e lumenjve ato arrijnë deri në brendësi të regjonit. Çamëria përbën një krahinë me peisazhe antropike unikale në Ballkan. Po të lëvizim me një anije nga limani i Gumenicës drejt hapësirës blusaks të detit Jon dhe prej andej të hedhim njeë veshtrim mbi këtë krahinë, horizonti të ofron një amfiteater kolosal e të mahnitshëm të natyrës veshur me një kolorit të larmishëm ngjyrash ku dominojnë peisaazhet antropike me blerim të përhershem.
Çamëria – me popullsi autoktone shqiptare
Gjatë gjithë rrjedhave të historisë Çamëria ka qenë një regjion i banuar nga popullsi autoktone shqiptare. Banorët e kësaj treve me gjuhë, kulturë, tradita dhe zakone të lashta të përbashkëta janë pasardhës të fiseve Pellasgjiko-Ilire, të quajtur Thesprotë, Mollosë, Elimë, etj, të vendosur aty që në paleolitin e mesëm.
Qendra e tyre shpirtërore ishte tempulli i famshëm i Dodonës, i cili ndodhet ne jug-përendim të Janinës. Për autoktoninë Ilire dhe vazhdimësinë Iliro-Shqipëtare të popullsisë së Çamërisë në trojet e veta gjenden shënime të bollshme në veprat e autorëve klasik si: Strabonit, Herodotit, Tulqiditit, Ptolemeut, Plinit, Stefan Bizantinit, etj. Gjeografët e historianët e vjetër grek (Straboni dhe Herodoti), duke mos e njohur gjuhën e fiseve fqinjë që ndryshonte nga gjuha Helene i quajtën banorët në veri të gjirit të Ambrakisë, Pellazgë, ose Barbarë.
Për këtë arsye, për të dalluar Helenët nga kombësitë e tjera, ata përdornin këtë formulë “Pas mi elit varvaris” (kush nuk është Helenë është Barbarë). Çamët dhe Epiriotët në tërësi kanë pasur të ndryshme nga Helenët midis të tjerash, edhe skeletin, gjuhën, historinë, kulturën, zakonet, ligjet monedha etj.

================

Popullsia çame, mbi 1 milion banorë

Epiri në antikitet ishte një nga shtetet e Ilirisë së jugut që shtrihej nga malet e Vetëtimës (Akrokeraunet anitke) dhe rrjedha e mesme e Vjosës në veri, deri në gjirin e Ambrakisë në jug, nga malet e Pindit në lindje deri në brigjet e detit Jon në perëndim. Emërtimi Epir, ose Epirus për këtë krahinë (në greqisht do të thotë sterë, tokë) u përdor nga autorë grek si një emër i përgjithshëm që përcaktonte pozitën kontinentale të saj përballë Greqisë ishullore.
Vetëm nga fund i shekullit të VI p.e.s. ai u shndërrua në një emër të përveçëm gjeografik. As në kohën e sundimit romak, as në mesjetë Epiri nuk konsiderohëj si pjesë e Greqisë. Shqipëria e jugut (Epirus) gjatë afro 5 shekujsh të sundimit turk, bënte pjesë në vilajetin e Janinës. Gjatë shek XVII-XIX, kur çështja e orientit zinte vëndin kryesor në problemet e diplomacisë europiane Çamëria dhe tërë Epiri i jugut deri në Artë konsideroheshin nga shkrimtarët, udhëtarët e huaj dhe të gjitha enciklopeditë e botës si vende të banuara kryesisht nga shqiptarët.
Në atë kohë dhë grekët nuk guxonin ti shtrinin pretendimet e tyre në Çamëri. Studiuesit, Konsujt dhe udhëtarët e huaj si Pukëvili, Lik, Brukton, Holent, Boe, Lir, Han, Dozor, etj, që vizitonin shqipërinë në shekullin XIX, konstatuan se trevat që shtriheshin në mes të lumit Kalama, gjirt të Artës e deri në Prevezë populloheshin nga shqipëratë autoktonë. Gjuha, veshjet, doket, zakonet, si dhe tipi fizik i tyre ishin dëshmitarët më të fuqishëm, thonin këta të huaj, që provonin më së miri origjinën e tyre etnike të përbashkët.

Autoktoninë shqiptare në viset e Çamërisë ishin të detyruar ta pohojnë edhe studiues që nuk ushqenin ndonjë dashuri të veçantë për popullin tonë. Pushtimi turk i Çamërisë shkaktoi një migracion të vazhdueshëm dhe masiv të banorëve të këtyre viseve, i cili u orintua në pjesën jugore të Greqisë dhe Italisë. Sipas një statistike turke të vitit 1910, pak kohë para se çamët të futeshin nën zgjedhën greke në sanxhakun e Çamërisë, numri i përgjithshëm i popullsisë arrinte në 72999 banorë. Prej tyre shqipëtarët përbënin 84%, ose 60897 banorë, ndërsa grekërit 12%, ose 9840 banorë. Ndonëse me një unitet të tillë gjuhë, kulturë, zakonesh, kombësia, Çamëria në vitin 1913-tën u aneksua nga Greqia.
Kufijtë politikë të vitit 1913 ndikuan jo vetëm në jetën ekonomike duke copëtuar tregun unik kombëtar por edhe në përbërjen demografike të kësaj treve. Pas vendosjes së këtyre kufijve, popullsia shqipëtare erdhi duke u copëtur nga emigracionet e herëpasherëshme për në shtetin amë, Shqipëri si dhe në Turqi, SHBA. Ky emigracion u diktua nga politika shkombëtarizuese që nisi të ndjekë Greqia sapo aneksoi Çamërinë. Pas kësaj periudhe fillon një presion i vazhdueshëm, një politikë kjo sistematike e shtetit Grek dhe forcave të ndryshme ultra-necionaliste për spastrimin etnik të kësaj treve.
Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat si: torturat e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amëtare, madje edhe në shkollat fillor, vrasjet, borgosjet, dëbimi me dhunë dhe deri në masakrat e përgjakshme. Në përfundim të luftës së parë botërore më 1918 u hartua plani për grabitjen e tokave të popullsisë çame. Ligji i të ashtuquajturës “Reformë Agrare” i aplikuar vetëm në Çamëri, u rrëmbeu shqipëtarëve me mijra hektarë tokë, sipërfaqe të mëdha me vreshta, qindra mijra rrënjë ullinj, të cilat u bënë pronë e popullsisë greke. Këto masa u pasuan nga organizimi i çetave terroriste nga sanksionet ekonomike, arsimore e kulturore, nga lufta raciste dhe nga inkurajimi i kryqëzatave fetare. Përpjekjet e dhunshme pas Konferencës së Lozanës të vitit 1923 për të shpërngulur me forcë popullsinë çame ne Turqi shënon një kulm të pa parë në politikën e egër shoviniste greke.
Bilanci për popullsinë shqiptare qe shumë tragjik. Megjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ndaluar shpërnguljen, Greqia arriti të dëbojë me forcë për në Turqi 35 mijë shqiptarë të Kosturit dhe Follorinës dhe 55 mijë shqiptarë muslimane të Çamërisë. Një pjesë e refugjatëve greke që erdhën nga Anadolli u vendosën në trevat shqiptare të Çamërisë. Refugjatët grekë të Turqisë okupuan shtëpitë, arat, ullishtet, vreshtat dhe gjithë pasuritë e shqipëtarëve të shpërngulur. Pas zbatimit të traktatit të Lozanës e deri në vitin 1937 kanë emigruar në shtetin amën e Shqipëri në Amerikë dhe vende të tjera edhe 27 mijë shqiptarë të tjerë muslimanë. Sipas statistikave greke të vitit 1937 Çamëria kishte 279 fshatra dhe një popullsi prej 12619 banorë, nga të cilët vetëm 20200 ishin grekofonë por edhe ata me origjinë shqiptare. Pjesa tjetër 92 419 banorë ishin thjeshtë shqiptarë. Popullsia shqiptare, sipas besimit, përbëhej nga 59 419 shqiptarë ortodoksë dhe 38 mijë shqiptarë muslimanë.
Procesi i emigracionit të popullsisë shqiptare në shtetin amë vazhdoi gjatë gjithë periudhës 1924-1944. Ai arriti kulmin në vitin 1944, kur shovinistët grekë arritën qëllimin final për përzënien me dhunë të popullsisë shqiptare dhe spastrimin etnik të popullsisë çame. Në periudhën e qershor 1944-mars 1945 bandat e organizatës ultra-nacionaliste greke EDHES kryen një masakër të shëmtuar kundër popullsisë civile muslimane duke vrarë më shumë se 2800 vetë, gra, burra, fëmijë dhe pleq. Gjithashtu u shkatërruan 68 fshatra, u dogjën e u rrënuan rreth 5800 shtëpi dhe u grabitën sasira të mëdha drithrash e produkte të tjera ushqimore, bagëti të trasha e të imta etj. Para këtij genocidi të pashëmbullt, krahasuar me Holokausin Gjerman ndaj popullsisë çifute, popullsia shqiptare, muslimane e Çamërise u detyrua të lërë vatrat stërgjyshore dhe të emigrojë në Shqipëri.
Numri i emigrantëve ishte rreth 35 mijë. Shqipëria e cila ende nuk kishte dalë nga lufta nuk mundi tu japë bashkëkombasve të saj përkraje politike, ushtarake dhe materiale. Në këto rrethana popullsia çame u gjend përballë varfërisë dhe mjerimit të madh. Sot popullia çame jeton e shpërndarë në Delvinë, Sarandë, Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë, Peqin, Rrogozhinë, Kavajë, Durrës, Shijak, Sukth, Tiranë, Fushkrujë dhe një pakicë në Milot, Lezhë dhe Shkodër. Numëri i saj arrin në rreth 300 mijë banorë. Shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në shtetin amë ruajnë traditat, zakonet e të parëve dialektin e tyre të lashtë, këngët, folklorin veshjet e tyre karakteristike, të vendosur për t’u kthyer në trojet e tyre.
Sipas të dhënave statistikore të vitit 1991, në Çamëri numërohej një popullsi prej 324541 banorë. Popullsia është multietnike dhe përbëhet nga shqiptarë të besimit kristian ortodoks, grekë, vllehë etj. E ndodhur nën presionin sistematik të shtetit grek për helenizimin e saj popullsia shqiptare për t’i shpëtuar diskriminimit dhe dhunës fsheh identitetin e vet etnik. Bazuar në treguesit statistikor të emigracionit të popullsisë shqiptare çame në Turqi pas Konferencës së Lozanës si dhe në shtimin natyror të saj në 80 vitet e fundit, llogaritet që numri i kësaj popullsie në Turqi sot të këtë arritur në 750 mijë banorë.
Nga të dhënat e mësipërme rezulton se numri i popullsisë çame në Shqipëri, në Çamëri apo Epir (Greqi), Turqi dhe në diasporë (SHBA), i kalon të 1 milion banorë. Qendrat kryesore urbane të Çamërisë janë: Janina, Filati, Konispoli, Gumenica, Margëlliçi, Parga, Paramithia, Preveza, Filipiadha etj. Në trevat jug-shqiptare në Greqi ndodhen edhe qytetet e Konicës, Kosturit, Follorinës dhe Grebenesë me rrethinat e tyre.

==========================

– PROF.DR. SELMAN SHEME –
SHPËRNGULJA ME DHUNË E SHQIPTARËVE NGA ҪAMËRIA

DHE PASOJAT E KOLONIZIMIT GREK
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1807

——————————

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura