ZYLYFTAR HOXHA: MILAN SHUFLAI, NJË ZEMËR KROATE QË RRAHU PËR SHQIPËRINË

Tiranë, 23. 902. 2016: Vepra dhe kontributi i albanologut të shquar kroat Milan Shuflai njihet mirë nga rrethet shkencore, letrare dhe historike shqiptare. Para disa vjetësh, ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, duke shfrytëzuar sesionin shkencor “Shuflai dhe Shqiptarët’” të organizuar nga Akademia Shqiptare e Shkencave në Tiranë, e dekoroi Shuflajn pas vdekjes me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, me motivacionin “Për kontribut të shquar në studimet albanologjike, për karakterin shkencor dhe objektiv të mbrojtjes së çështjes shqiptare në veprën e tij”. Ambasada shqiptare në Zagreb ka vendosur themelimin e Certifikatës së Meritës “Milan Shuflaj”, për të nderuar personalitete, institucione apo organizata që japin kontribut të spikatur për forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, shqiptar dhe kroat.
Deri këtu, mirë. Por është për të ardhur keq, se, si edhe për raste të tjerë, edhe në rastin e njohjes dhe vlerësimit të shkencëtarit dhe albanologut Shuflai, bëhet shumë pak: nuk ka një shenjë, një bust, një emër të dukshëm të tij në një nga institucionet tona kulturore dhe shkencore për të cilat ai dha dhe jetën.
Milan Shuflaj, martir i albanologjisë
Megjithëse, siç thamë më sipër, ai njihet në mjedise të caktuara, përsëri ne po “e sjellim” edhe një herë albanologun e shquar për një lexues më të gjerë në faqet e gazetës “DITA”, në suplementin “Memo-Enciklopedik: të së dielës për ta njohur e vlerësuar më mirë këtë figurë të ndritur, këtë martir të shkencave historike dhe albanologjike.

Milan Shuflaj lindi në Lepogllav të Kroacisë më 9 nëntor 1879. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin, vazhdoi studimet për shkencat historike në Universitetin e Zagrebit. Qysh në Universitet lexonte në origjinal veprat historike të shkruara në greqishten e vjetër, në latinisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht apo hungarisht. Ai njihte në themel të gjitha gjuhët sllave e me vonë mësoi hebraisht, shqip e sanskritisht. 24 vjeç, afirmohet si studiues i përmasave evropiane.
Pas studimeve universitare bashkëpunoi me Shmiciklasin për hartimin e korpusit “Codex diplomaticus”. Gjatë vitit 1902-1903 punoi pranë Institutit të Studimeve Historike në Vjenë ku boton “Dokumente private të Dalmacisë”. Nga viti 1904-1908 punoi në muzeun popullor të Budapestit. Vepra monumentale e Shuflajt mbetet “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” që do të thotë “Dëshmi dhe dokumente që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë në kohën mesjetare”. Shkurt, kjo vepër me dy vëllime për historinë e Shqipërisë njihet me emrin “Acta Albaniae”. Volumi i parë u botua në Vjenë me 1913, kurse volumi i dytë më 1918 po në Vjenë. Ato flasin për Shqipërinë e viteve 334-1406 dhe janë shkruar në bashkëpunim me studiuesit K.Jirecek e L.Talocin.
Në vitin 1916 e më pas boton: “Gjendja kishtare në Shqipëri”, “Kufijtë e Shqipërisë në mesjetë”, “Shqipëria mesjetare”, “Lidhja hungaro-shqiptare në Mesjetë”, “Fatet politike të temës së Durrësit”, “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar”, etj. Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e shtetit sllav, ku veç Serbisë përfshihet edhe Sllovenia e Kroacia, për historianin, që tani ishte bërë i dallueshëm, fillojnë ndjekjet dhe persekutimet. Arrestohet, burgoset dhe dënohet me 3 vjet e gjysmë burg si anëtar i Komitetit Kroat të formuar në Grac të Austrisë. Serbët nuk mund të harronin aq kollaj argumentet dhe analizat që ai kishte bërë për lashtësinë e shqiptarëve.
Pasi del nga burgu i Mitrovicës boton “Mjegullat kombëtare”, “Kadastrat e Shkodrës”, “Ciklonet etnike në Ballkan”, “Kështjellat dhe qytetet mesjetare të Shqipërisë”, “Serbët dhe shqiptarët”, “Mozaiku nacional në Maqedoni”, “Qytetet dhe fshatrat ne mesjetë” etj. etj, gati 3 mijë tituj librash e artikujsh studimorë mbi Shqipërinë, Serbinë, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Malin e Zi, Italinë, Slloveninë, Austrinë.
Milan Shuflai ka botuar edhe me pseudonimin Alba Limi. Me këtë emër ai ka botuar romanin historik “Konstandin Balshaj”.
Shuflaji është një nga personalitetet më të mëdhenj të shkencës dhe albanologjisë, një nga përfaqësuesit më dinjitoz të saj. Nuk ka albanolog tjetër që mund t’i dalë përpara Shuflait për periudhën e Mesjetës. Me dokumente dhe fakte ai argumenton fillimet e para të jetës qytetare të Shqipërisë, shumë kohë para se sa të vinin sllavët. Ai argumentoi prejardhjen tonë. Në qoftë se ka një përcaktim të saktë historik për kohën ilire, helene, romake e bizantine të Shqipërisë, ai është Milan Shuflai. Të gjithë ata që duan të flasin për historinë e Shqipërisë, nuk duhet të injorojnë ose anashkalojnë Shuflain.
Sipas disa të dhënave më të reja të zbuluara në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, dr. Milan Shuflaj ishte njëri ndër shkencëtarët e rrallë në botë që u përcoll hap pas hapi nga policia, e madje jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët kontaktonte, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë. Një mbikëqyrje e tillë kishte filluar në fund të vitit 1922, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht vëzhgohej vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Për çdo të re nga mbikëqyrja i raportohej drejtpërdrejt kryeministrit Petar Zhivkoviç, e më vonë pasardhësit të tij Milorad Srshkiçi në Beograd dhe vetë Mbretit, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëvizjet e shkencëtarit të madh.
Vritet pabesisht ne Zagreb, me 18 shkurt 1931, një muaj pasi kishte vizituar Shqipërinë.
Letërkëmbimi
Milan Shuflaj dhe Mit’hat Frashëri, çfarë i shkruajnë njëri-tjetrit
Në përgjithësi epistolari i Milan Shuflajt është i varfër, sepse ashtu siç është thënë diku në këtë shkrim, atij iu shkatërrua gjithçka nga policia kur u vra. Megjithatë, ato që kanë mbetur janë letërkëmbime me personalitete të kohës si me dijetarë dhe personalitete të njohur të arsimit dhe të kulturës botërore si Jirecek, Taloc, Jovan Radoniqin; drejtorin e Institutit të Evropës Lindore, Amadeo Xhanini; ministrin e Arsimit të Shqipërisë, Adburrahman Dibën; ministrin e Arsimit të Hungarisë e më së shumti me Mit’hat Frashërin (Lumo Skëndon) në Shqipëri.
Në këtë rast do të veçonim letërkëmbimet në Shqipëri, veçanërisht ato me Mit’hat Frashërin. Letrat janë shkruar latinisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, hungarisht dhe kroatisht. Objekti i tyre është puna këmbëngulëse e Shuflajt në hulumtimin, vjeljen dhe sistemimin e korpusit të madh të burimeve relevante për të rrumbullakuar botimin e “Acte Albaniae” si dhe përballja me pengesat e mëdha të qëndrimit në Shqipëri dhe të hulumtimeve në Itali.
Me interes është letërkëmbimi me Lumo Skendon, bibliofilin tonë të rrallë që ndiqte me lakmi botimet e autorëve të huaj për historinë dhe kulturën shqiptare. Në librarinë e tij të njohur mund të gjeje titujt e rinj në gjuhë të ndryshme, pa harruar ato të Shuflajt, me të cilin po për këtë shkak ai kish lidhur miqësi.
Në letrën e tij të parë të 30 qershorit 1929 ai donte të mësonte nga albanologu i njohur se a do të vazhdonte nxjerrjen e “Acte Albaniae” dhe sa vëllime do të ngërthente ky botim. Shuflaj iu përgjigj menjëherë duke shkoqitur në pika të përgjithshme projektin e 4 vëllimeve vijuese te “Acte Albaniae”, që do të përfshinin burimet e vjela në arkivat e Venecias, Vatikanit dhe Dubrovnikut dhe do të zinin fill në vitin 1451 të pushtimit aragono-napolitan të Krujës dhe do të shtriheshin deri në vitin 1571. Në vëllimin 3 do të botohej “in extenso” dhe Kadastri i njohur dhe shumë voluminoz i Shkodrës i vitit 1416 së bashku me kopjet e dokumenteve nga arkivi i Barcelonës dhe Milanos që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me sulltan Muhametin II, të cilat Shuflaj ia kishte huazuar Radoniqit, por që nuk i pa kurrë me sy.
Mit’hat Frashëri ia kishte bërë të njohur projektin e Shuflajt jo vetëm ministrit të Arsimit, Dibra, por edhe vetë mbretit Zog. Është kjo arsyeja që ministri i Arsimit e mirëpriti projektin kapital të albanologut dhe ballkanologut të njohur. Ai e përgëzonte shkencëtarin për kontributin e madh shkencor, e falënderonte për punën shumë të vyeshme rreth hulumtimit të mëtejshëm të dokumenteve arkivore të historisë shqiptare mesjetare dhe e bënte me dije se qeveria e tij mbretërore i kishte akorduar 75.000 franga ari për vjeljen e dokumenteve arkivore dhe botimin e tyre me katër vëllime. Përballimi i shpenzimeve në një shumë kaq të madhe nuk ishte sakrificë e vogël financiare, kur dihet se në ç’shkallë të zhvillimit ekonomik ishte Shqipëria.
Në një letër që Shuflaj i dërgonte drejtorit të Institutit të Evropës Lindore, Xaninit, i shpreh gëzim për marrjen e pasaportës për në Shqipëri, që kishte dy vjet që e kërkonte. Në atë letër ai i lutej mikut të tij t’i përvishej punës dhe të zgjidhte kopjuesit e dokumenteve në Romë, Venecia, Napoli dhe Ankonë, duke e siguruar atë se qeveria shqiptare do t’i hiqte të gjitha shpenzimet. Shuflaj mbështetej në shkresën e ministrit Abdurraman Dibra me të cilën njoftohej për dërgimin e 3000 franga ari në bankën zvicerane si paradhënie. Ai i tregon mikut të tij se si më 16 janar ministri Dibra shtroi darkë për nder të tij në hotel “Tirana” dhe se si ai kishte jetuar çaste ngazëllyese që dollia për shëndetin e tij të ngrihet në gjuhën italiane.
Shkaku i vdekjes së Shuflait, vizita në Shqipëri
Mbreti Zog ishte mirinformuar mbi veprimtarinë e Milan Shuflait për Shqipërinë. Atij i kishin folur për kontributin e madh që ai kishte dhënë në historinë e Ballkanit dhe veçanërisht të shqiptarëve si populli më autokton dhe më i ngulur në këtë rajon, ndaj dhe me kënaqësi e ftoi në Shqipëri, në oborrin e tij.
Shuflai erdhi në Tiranë në janar të vitit 1931 dhe qëndroi 8 ditë. Veprimtaria më interesante në këto ditë ishte fjala e tij në parlamentin e asaj kohe. Ishte interesante, jo vetëm se ai foli shqip dhe për këtë u duartrokit disa herë, por edhe se dha argumente bindëse për prejardhjen e shqiptarëve, si dhe për punën që duhet të bëhej në të ardhmen për ta evokuar këtë prejardhje.
Ai u largua nga Shqipëria i impresionuar, i gjallëruar dhe i rinuar, i ushqyer me vullnetin e çeliktë për hulumtime të mëtejshme në përmbyllje të veprës së tij kapitale që do të pasuronte dhe thellonte studimet albanologjike dhe ballkanologjike, flamuri shqiptar ishte për atë dhuntia më e çmueshme që mori me vete.
Në Zagreb, pas kthimit nga Shqipëria, atij i vjen një letër kërcënuese për të hequr dorë nga studimet dhe dëshmitë historike. Pas këtij kërcënimi ai nuk e dha veten. I nxitur nga vizita në Tiranë, ai vazhdonte të punonte për pjesën e tretë të “Acta Albaniae”. Por nuk kaloi muaji dhe në mbrëmjen e 18 shkurtit1931, ndërsa kthehej në shtëpi, tre vetë e qëllojnë me mjete të forta në kokë. Vdes po atë natë në moshën 52-vjeçare, pa mundur të flasë.
Vdekja u mundua të mbulohej, por Shuflaj ishte një autoritet shkencor dhe lajmi u përhap në tërë botën. Jehona e saj ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia” Tiranë, “Vullneti i Popullit” Tiranë etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave, si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skëndo, Faik Konica, si dhe Ligue Internationale des Droits des L’Homme, Federation Universitaire Internationale.
Më vonë doli se vrasjen e kishte planifikuar dhe organizuar që më datën 15 shkurt policia e Zagrebit. Arsyeja? E thjeshtë. Ai ishte kundër teorive të serbëve që e quanin popullin serb popull misionar, një popull i cili qëndron mbi të tjerët. Ishte kundër asaj që propagandohej se sllavet e jugut kishin ardhur në këtë rajon të Evropës për të emancipuar barinjtë e egër të Ballkanit. Kjo filozofi që ekziston dhe sot e kësaj dite binte ndesh me frymën evropiane të Shuflajt. Ja, pra, pse u desh vdekja e shkencëtarit të madh.
Ky fisnik me zemër të madhe do të shkruante për Shqipërinë ashtu siç e shihte realitetin, në dritën e fakteve historike. Milan Shuflaj ka vendosur një gur të rëndë themeli në murin historik ku shkruhet se shqiptarët janë autoktonë në territorin e tyre.
Me vdekjen e Shuflajt, albanologjia humbi njërin nga mbështetësit kryesorë që kishte në atë kohë, studimet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë me vlera të larta dhe pothuajse të pazëvendësueshme.
“Acta Albaniae”, një vepër e pambaruar
Vepra e Shuflait gjendët në arkivin e Vjenës, në Arkivin tonë të Shtetit dhe në atë të Kroacisë. Por te ky i fundit jo i plotë, pasi fill pas vrasjes, në shtëpinë e tij policia bëri bastisjen e rrufeshme, përmbysi dhe zhduku pjesën më të vlefshme të materialeve që gjeti, shumica me vlera unikale. Në këtë rast humbi edhe vëllimi i tretë i veprës monumentale “Acta Albaniae” të përgatitur për shtyp. Të paktën kështu është thënë deri vonë, derisa para pak vjetësh, derisa në Arkivin Qendror të Shtetit u gjet një dosje e veçantë me 50 faqe material dhe me një pasqyrë lënde me tituj për Historinë e Shqipërisë nga viti 1400-1536, pjesë tjetër lënde ndodhet në arkivin kroat, një pjesë tjetër në Venedik, Vatikan, Napoli, Raguzë, Vjenë etj. Ngelet detyrë që këto pjesë të grumbullohen, të konceptohen dhe redaktohen në një vepër të plotë nga një grup autorësh kompetentë siç e kishte ëndërruar autori.
Shuflaj, mbi qytetet dhe kështjellat shqiptare
Milan Shuflaj, studiues dhe albanolog i madh kroat, njohës i mirë i historisë mesjetare shqiptare shquhet për kontributin e madh që dha në ndriçimin dhe trajtimin e problemeve të ndryshme në fushën e historisë mesjetare shqiptare. Në këtë pikëpamje ai shquhet edhe si njohës i mirë i qyteteve të Shqipërisë në përgjithësi duke filluar që nga lindja dhe zhvillimi i tyre për të vazhduar gjatë gjithë mesjetës. Në veprën e tij “Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në mesjetë” që për herë të parë u botua në vitin 1924 në Vjenë në gjuhën gjermane dhe që është përkthyer dhe botuar në shqip nga shtëpia botuese Onufri, trajtohen pothuajse të gjitha aspektet shoqërore, juridike, ekonomike që i karakterizuan qytetet e Shqipërisë kryesisht në mesjetë. Sipas Milan Shuflajt qytetet që gjenden në bregun lindor të Adriatikut ekzistojnë prej mijëra vjetësh. Shkodra gjendet pranë kështjellës, Lezha në grykën e Drinit, ndërsa Durrësi cilësohet si qytet ndërkombëtar detarësh dhe tregtarësh. Në lindje të Vlorës gjenden dy qytete të mëdha Bylisi dhe Amantia. Ndërsa rreth dhjetë stade larg nga Vjosa gjendej Apolonia, e cila ka qenë një qendër e rëndësishme e qytetërimit urban.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura