SHKRIMI
e enjte, 09 korrik 2020

REXHEP KASUMAJ: 'SHRËDERISAZJA' …

Berlin, 10 qershor 2020: (Një gjetje e gjatëpritur shpëtimtare)

1.

Tash gjashtë vjet një miqësi e rrallë hynte e thekur në kronikat e kohës. Qysh atëherë opinioni dhe mediat gjermane kjenë mbushur pezm për afrimitetin e çuditshëm, dendësia e të cilit vente përtej privatsisë njerëzore dhe mirësjelljes politike.


Shkas i saj rrjedhoi të ishte një moment jokomod, por do të vijonte sfidante përballë mënirjesh rreth e rrotull. Mbahej takimi i G8-ës në verën e largët që ndante mijëvjeçarët dhe, meqë anglishtja e ish-kancelarit Schröder, çalonte, ai ndihej pak i vetmuar. Por shpejt, thuase pikaste orën e tij, do t'i gjendej pranë Shefi i Kremlinit i cili, si ish-spiun i Luftës së Ftohtë, fliste rrjedhshëm gjuhën e tij. E bashkëndjesia do t‘hidhte, ashtu, fillesën njohjes së gjatë.

Mandej, ndër vite, ajo, e shndërruar në patneritet utilitar, do të përshkohej njëj filli të errtë përfitimesh të dyanshme: monetare për të parin dhe politike për të dytin. Për Gerdin (si e quan me politesë miku i tij) ajo do t‘bëhej vjegë e kamjes së dyshimtë, kurse për Wladimirin, ose ”demokratin e kulluar” (si e cilësonte kameradi besnik), ishte një pëlhurë mashtrimi për të përligjur despotinë dhe njëherësh mbështetje e fortë në kulme krizash përulëse të perandorisë së posarënë. Të tilla ishin ato të vitit dymijë, kur arka shtetërore ruse, e zbrazur krejtësisht, injektohej me dhjetra miliardë DM nga tagërdhënësit gjermanë. Apo më pas, kur shtjella ukrajinase i sillte leçitje kompromituese dhe, kur, gati si tek baladat e moçme, ç’ndërtonte ditën kryediplomati i ahershëm Fischer, e rrëmonte natën dora e pamirë, me ndryshimin se tani kjo dorë nuk është as mistike dhe as e huaj…

2.

Urtia e njohur se çdo e keqe sjell një të mirë, provonte sërish praninë e saj. Përveç dalëzotëse interesash jetike, kjo miqësi e rrallë elitare shohim t'a ketë ndikuar dhe begatimin elokuent të leksikut politik. Në Rusi ishte farkuar, tashmë, një term i ri interesant.

Kështu, për të shitblerë një politikan që do t'kryente punë pas perdes në hemisferën perëndimore, sugjerohet prerë e shkurt: ”Shrëderisazja” (“Focus”), që i bie një si „shrëderim“ apo ta “shredërosh” dikënd, që s’është pos një ekuivalent për korruptimin e tij. Në fakt, rusët kanë prorë për të bërë në oborrin e vet të kënetëzuar. Rendi i oligarkëve, përndjekja e opozitarëve, përsekutimi i mendimit të lirë - janë tipare zymtore të tij. Sidoqoftë, gjetja ingjenioze rrëzon kufijtë vendorë dhe i referohet relatave globale. E tillë, frymëzuese dhe e kursyer, ajo mund të ketë përhapje të gjerë drejt kulturash të tjera gjithandej botës.


Por, ah kjo e bekuara gjuhë shqipe! Me elegancë dhe lehtësisht si asnjë tjetër, identifikon mesazhin e saj. Fjalërënda „me shrëderue" (ta shredërosh ose shrëderoje), përkon asociativisht me fjalën e kategorisë morale, “me shnderue”, (pra, shnderim, t'a shnderosh) një fatkeq. Po a s’është kjo e njëjta gjë? Nëse, ndaj, t’ia trafikosh dikujt shpirtin, ta çmoralizosh atë, qenkësh „shrëderim“, aherë a nuk është bëma e barasvlershme me „shnderimin“, madje më keq ende, me „shnjerëzimin“ e tij? Aq më tepër kur ai, paraprakisht, është pajtuar me groposjen e vet...

3.

A do të aplikohej dhe si do të fjalëformohej, ndaj, ky përskajim i bekuar në Kosovë? Sigurisht, porse ka një pengore. Për dallim nga mjedisi europian, aty zvarranikët e shumtë si krimbat pas shiut, vriten e priten për vendzënje në tempullin e lavdisë korruptive. Dhe është, që këtej, vështirë të gjendet se kush do të bënte masën apo emri i cilit hierark politik do të krijonte nocionin e njësojtë, aq të nëvojshëm për të definuar dukurinë dhe, poashtu, për të racionalizuar debatet e lodhshëm!


Rrjedhimisht, në vend të dhjetëra fjalëve të mërzitshme për të përshkruar nyjëtimin e fenomenit me bartësin e tij, mbase lirisht do t’mund të thoshim, „me hashimue (ta hashimosh) dikënd, a, më drejtë akoma, “mustafim”, t'a „mustafosh“, ose sa paq e saktë o Zot „veselizoje“ atë mjeran, që nënkupton t'a prishësh, çorodisësh, shnderosh e shnjerëzosh atë. Por, sidomos kur vepërliga është totale, e kur përveç vesit të pështirë të mitosjes, ngërthen dhe përbetimin e dhimbshëm kundër votrës, aherë përcaktuesi “pacollizim” ose “pacollizoje” shfytyranin, do të jepte saktësisht këtë farkim shpëtimtar. Në praktikën rutinore, njëj koloriti gjithaq të fortë, do të thuhej dhe „hysenizim“ i ndokujt, mandej, poaq njësoj “grabovcoje” të shkretin, e, pse jo, ta “halitosh”, madje dhe, ah, “fatmiroje” derëziun... Kjo e fundmja e sprovës, ndërkaq, më ngjan njëkohësisht e bukur, sepse sikur e bën fatmirë, e pra të lumtur atë që i dorëzohet gazplotë darëve të ëmbla të shpërdorimit.

Natyrisht, renditja nuk mbaron kurrësesi se, thjeshtë, Galeri e tyre është e paskaj. Duke qenë i gjatë vargoi edhe konkurrenca, si pasojë, është tepër e ashpër. Mirëpo, si ndodh shpesh, pikërisht kur oferta është bujare, përzgjedhja bëhet e vështirë. Kjo punë kërkon konsultim të gjerë me njohës të tregtizës politike, me linguistë, pastaj me mjeshtër të kumbimit artistik dhe, padyshim, me stilistë të dëshmuar e analistë të rryer të sedërhollës shqiptare.

Formulimi i përshtatshëm, mbase, do vonojë pak, por do të kumtohet gjithësesi. Është një përfundim që vlen pritjen, po fundja, a nuk është pritja heroike e të mirës (që si thotë Poeti, i kemi lënë takim në varrezë) virtyt dhe fat i yni i rezervuar përjetshëm?!


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks