SHKRIMI
e premte, 18 shtator 2020

KUDUSI LAMA:UҪK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (XII)

Tiranë, 16 shtator 2020: Fondi “Vendlindja Thërret”, vlerë që është shtrirë në ShBA dhe në të gjitha vendet e tjera të botës ku ka shqiptarë

Ndërsa për sa i përket fondit “Vendlindja Thërret”, mendoj se është një vlerë që është shtrirë edhe në ShBA e në të gjitha vendet e tjera të botës ku ka shqiptarë, pasi ishte një fond për financimin e luftës për ta shporrur pushtuesin. U vjen mirë ose jo serbëve, ai fond e ka kryer detyrën e tij shumë mirë si fond i luftës. Mënyrat se si kanë ardhur paratë te luftëtarët nuk ka shumë nevojë të merret në analizë, pasi me rëndësi ishte që luftëtarët të kishin mundësi ta kryenin detyrën e tyre në vijat e fronteve. Por ata që i grumbullonin këto para nuk ishin kriminelë e as ata që i jepnin. Të gjithë ishin shqiptarë që kishin dhembje për atdheun e robëruar dhe me mundin e tyre e me sakrifica dërgonin në frontet e luftës aq para sa kishin mundësi të kursenin duke mbajtur vetëm për ta përballuar jetesën e familjeve të tyre. Nderim për të gjithë ata që kanë kontribuar me gjak dhe me para për lirinë që gëzojmë. ShBA-ja e di vetë nëse janë ose jo kriminelë shqiptarët, pasi kanë bërë veprat e tyre në ShBA dhe janë vlerësuar prej sferave intelektuale dhe ligjore. Por ja që edhe atje Serbia i gjen të gjithë shqiptarët kriminelë, sepse kemi thënë edhe më lart, të gjithë ata që kanë investuar e luftuar kundër pushtuesit serbë dhe kolonizimit shekullor të Serbisë duke e nxjerrë atë përfundimisht jashtë Kosovës, janë kriminelë. Unë jam dakord që armiku le të na quajë edhe kriminelë, por nën pushtimin e tij të mos rrimë sepse, po e pranuam këtë për hir të asaj që të mos na quajnë kriminelë, ne do të ishim shuar si komb ose do të shuhemi. Qëndresa ndaj armikut nuk është krim, është lavdi.

“Krahas grumbullimit të parave, emigrantët shqiptarë në ShBA organizonin edhe porosi të ndihmës humanitare dhe armë, si dhe drejtimin e vullnetarëve, të cilët ishin përfshirë në repartet e UÇK-së në Kosovë – Metohi”.[1]

Është e vërtetë që nga ShBA-ja, përveç ndihmave në para, kanë ardhur edhe vullnetarë luftëtarë, të cilët, me luftën e tyre, sidomos me krijimin e batalionit “Atlantiku” në frontet e luftës në Kosovë i dhanë shumë lavdi Amerikës si qendër e demokracisë në botë, por edhe të gjithë shqiptarëve që aktualisht janë qytetarë të ShBA-së.

“Burimet informative amerikane paralajmëronin për mundësinë që në rajonin e Ballkanit shfaqet ‘sindromi kolumbian’, përkatësisht që mafia shqiptare bëhet mjaft e fuqishme dhe merr kontrollin në një ose më shumë zona në të cilat mbizotëron popullsia shqiptare. Në atë kohë është vërejtur se në planin politik një efekt i tillë tashmë është arritur me orientimin e profitit e fitimit të narko-terrorizmit të fituar në pushtetet vendore dhe në partitë politike. Atëherë Partia Demokratike sunduese e Shqipërisë është e dyshimtë se toleron e fiton nga tregtia e narkotikëve, si dhe t’i financojë partitë politike të gjymtuara dhe grupimet e tjera në Kosovë – Metohi e në Maqedoni. Për shkathtësinë në shfrytëzimin e parave ‘të pastruara’ të fituara nëpërmjet marrjes me narko-terrorizëm, kanë qenë të dyshimta edhe Partia maqedonase për Prosperitet Demokratik dhe partitë e tjera shqiptare në këtë shtet, sikurse dhe Partia Nacionale Demokratike ultranacionaliste, por edhe partitë shqiptare në Kosovë – Metohi. Paratë e fituara në mënyrë kriminale shpesh janë mbuluar nëpërmjet donacionit të emigrantëve. Fitimi nga narko-terrorizmi, i drejtuar në jug të Ballkanit në vitin 1993, arriti rreth një miliardë dollarë. Burime të njëjta kanë vërtetuar se, përveç blerjes së “mbrojtjes” mafioze këto para përdoren edhe për të fituar popullaritet në popull, nëpërmjet të ashtuquajturit patriotizëm por edhe për veprime të tjera kriminale, para së gjithash për blerjen e armëve. Në kontinentin evropian, shqiptarët e Kosovë – Metohisë mbajnë mbi 80 për qind të tregtisë së heroinës, degët e tyre gjenden së paku në gjysmën e vendeve evropiane; në muaj ata bëjnë kontrabandë 4 deri në 6 tonë heroinë, kurse vlera e kësaj droge në nivel vjetor arrin dy miliardë dollarë”.[2]

Duket se Serbia e kontrollon mjaft mirë rrjetin e narkotrafikut në Ballkan e në Evropë, pasi i di mirë të gjitha rrjetet e ndërtimit dhe të veprimit të saj. Dhe këtë e nxjerrë prej informacioneve amerikane, siç duket prej lidhjeve të ngushta që mund të ketë me rrjetet kriminale që shtrihen deri atje. Por në këtë paragraf të cituar tërheqin vëmendjen disa çështje që lënë hapësirë për të diskutuar:

Së pari, në qoftë se burimet informative amerikane paralajmëronin për mundësinë që në rajonin e Ballkanit shfaqet “sindromi kolumbian”, përse serbët ua veshin atë shqiptarëve? A nuk janë edhe serbët ballkanas e në Ballkan? A vetëm shqiptarët janë në Ballkan? Ky është një tregues, se sa hapur e ndërtojnë mashtrimin serbët. Sepse dihet që në Ballkan po të ketë rrjet narko-trafiku, nuk mund të veprojnë vetëm shqiptarët, nëse nuk bashkëpunojnë me serbët, me grekët, me bullgarët, me turqit etj. Shqiptarët në Ballkan jetojnë të rrethuar nga të gjitha këto shtete e kombe dhe nuk mund të ketë rrugë trafiku për të ndërtuar “sindromin kolumbian” vetëm me shqiptarët, sepse megjithëse ka momente që edhe në Shqipëri janë parë parcela të mbjella me hashash, ato nuk mund të kenë fuqinë e krijimit të atij rrjeti që pretendojnë serbët. Prandaj, para se t’u venë emrin shqiptarëve si narkotrafikantë, le të thonë edhe që rrugët e drogës për në Shqipëri kalojnë pasi flenë një natë në Beograd, në Athinë, në Sofje, në Stamboll, në Podgoricë etj.

Së dyti, Në ato vite për të cilat flitet në këtë paragraf thuhet se “është vërejtur se në planin politik një efekt i tillë tashmë është arritur me orientimin e profitit e fitimit të narko-terrorizmit të fituar në pushtetet vendore dhe në partitë politike. Atëherë Partia Demokratike sunduese e Shqipërisë është e dyshimtë se toleron e fiton nga tregtia e narkotikëve, si dhe të financojë partitë politike të gjymtuara dhe grupimet e tjera në Kosovë – Metohi e në Maqedoni”. Nuk e kuptoj sa guxim kanë serbët që të akuzojnë një shtet, si Shqipëria si qendër të narkotrafikut. Por unë po habitem se si paska financuar edhe partitë në Kosovë e në Maqedoni dhe për këtë ju akuzoni UÇK-në që në atë kohë nuk ishte deklaruar akoma si strukturë unike vepruese. Akoma vepronin grupe të pa unifikuara ushtarakisht, ishin vetëm të unifikuara politikisht nëpërmjet lëvizjes politike “Lëvizja Popullore e Kosovës”. Për shkathtësinë në shfrytëzimin e parave “të pastruara” të fituara nëpërmjet marrjes me narko-terrorizëm, kanë qenë të dyshimta edhe Partia maqedonase për Prosperitet Demokratik dhe partitë e tjera shqiptare në këtë shtet, sikurse dhe Partia Nacionale Demokratike ultranacionaliste, por edhe partitë Shqiptare në Kosovë – Metohi”. Dhe ajo që është për të tërhequr vëmendjen, asnjë nga ato parti në Kosovë e në Maqedoni që i paska financuar Partia Demokratike e Shqipërisë nuk janë bërë përkrahëse të luftës së UÇK-së, bile as vetë Partia Demokratike e Shqipërisë. Pra, si e justifikojnë serbët këtë akuzë? Apo edhe kjo akuzë është si për gjithë rrjedhën e akuzave që të gjithë shqiptarët janë kriminelë. Mirë është në fakt që bëhet edhe kjo akuzë, pasi të paktën u hiqet e drejta atyre që nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së, që të vazhdojnë t’u bëjnë propagandë këtyre shpifjeve, pasi në mjaft raste ka pasur edhe prej tyre që edhe pa i cituar u janë adresuar në debatet politike dhe mediatike.

Së treti, në citimin e mësipërm thuhet se këto parti një pjesë të parave vërtetë të shumta jo me miliona por me miliarda dollarë, i paskan përdorur për të blerë armë. Nuk di për çfarë i paskan përdorur këto armë, pasi realisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ia kanë dhënë. Meqë e dinë serbët këtë të vërtetë është mirë të na thonë ku kanë shkuar këto armë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës armët në Kosovë i ka futur duke i mbartur në shpinë, dhe qenkan treguar shumë të paaftë pasi paskan pasur mundësinë të blejnë edhe ushtrinë e policinë serbe,sepse paskan pasur gjithë ato para.

Së katërti, duke deklaruar se në “kontinentin evropian, shqiptarët e Kosovë – Metohisë mbajnë mbi 80 për qind të tregtisë së heroinës, degët e tyre gjenden së paku në gjysmën e vendeve evropiane; në muaj ata bëjnë kontrabandë 4 deri në 6 ton heroinë, kurse vlera e kësaj droge në nivel vjetor arrin dy miliardë dollarë”, po shihet se kjo luftë paska qenë shumë e lehtë për t’u kryer. Nuk kuptoj pse atëherë luftëtarët kanë pasur mjaft probleme për sigurimin e armëve e të mjeteve të nevojshme për luftë deri edhe për ushqime. Mirë është që përveç evidencës së fitimeve të ishin dhënë edhe rrugët e shpenzimeve të këtyre parave. Dhe të mos harrojmë se në këtë rast nuk flitet për vitet 1997 – 1999, por për disa vite më herët, praktikisht për vitin 1993, kur në Shqipëri sapo kishte marrë pushtetin demokracia e dalë nga zgjedhjet e vitit 1992.

“Fitimet e grupeve narkotike shqiptare arrijnë një miliard dollarë amerikan, ku qarkullimi në Kosovë – Metohi sjell nga 125 deri 150 milion dollar, nga të cilët 25 milion i shkojnë K3K. Hashim Thaçi, si pjesë të vetën, fiton 5 milion dollarë amerikan”.[3] Dhe menjëherë përsëri akuza përqendrohet tek Hashim Thaçi i cili fiton jo pak, por plot 5 milionë dollarë në vit, kurse UÇK-ja deri 150 milionë. Ah sikur vërtetë të kishte UÇK-ja 150 milionë dollarë gjatë luftës, sa gjëra do të kishin shkuar plotësisht ndryshe. Dhe jam i sigurt se këtë e di edhe Serbia me gjithë Dick Martyn, por u intereson ta ndërtojnë frazeologjinë në mënyrë të tillë. Me rëndësi është të jepen shifra që të bëjnë përshtypje tek lexuesit, nuk ka rëndësi sa të vërteta janë ato. “Shqiptarët kanë themeluar një nga organizatat më të mëdha për kontrabandën në Evropë ndërsa fitimi i arritur me tregtinë ilegale “pastrohet“ nëpër 200 banka private”.[4] Ja edhe një shifër tjetër, që nëse do të kishin gjithë këto të ardhura shqiptarët do ta kishin blerë edhe Serbinë e do t’i kishin nxjerrë serbët të silleshin rrugëve të botës. “Krahas tregtisë së drogës, kriminelët shqiptarë merren edhe me prostitucion, me reketim, me tregtinë e përhapur gjerësisht të armëve, si dhe me organizimin e lypjes dhe të vjedhjes së xhepave në të cilën, me anë të keqpërdorimit dhe keqtrajtimit të vazhdueshëm, kanë angazhuar fëmijët e blerë nga familjet në Shqipëri, me një çmim prej 1 000 dollarë për fëmijë”.[5]

[1] Po aty faqe 39

[2] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet sekrete”, Beograd, 2004, faqe 39 – 40, botimi serbisht

[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 40, botimi serbisht

[4] Po aty faqe 41

[5] Po aty faqe 41


***

Asnjë ditë pushteti i Partisë Demokratike i Shqipërisë dhe Sali Berisha nuk e kanë përkrahur UÇK-në

Nëse ka njeri që i beson këto që lexohen më lart, le t’i besojë. Por që të bien shpifjet deri në nivele të tilla, saqë ata që kanë mbi 200 banka ku pastrojnë paratë dhe që kanë fuqinë të grumbullojnë mbi një miliard dollarë në vit, të arrijnë deri në vjedhjen e xhepave të qytetarëve, këtë mund ta besojë vetëm ai që do, siç është zotëri Marty ose dikush që thjesht ka dëshirë ta shtojë grumbullin e shpifjeve dhe të akuzave për shqiptarët.

“Në punët e kontrabandës së njerëzve, shqiptarët kontrollojnë p1otësisht transferin (transportin tranzit) nëpërmjet Ballkanit drejt Greqisë, duke shfrytëzuar rrugëkalimet me të cilat bëjnë kontrabandën e drogës në vendin e përmendur. Mafia shqiptare ka vendosur lidhje të ngushta me kriminelët turq, afrikanë dhe italianë për punët me emigrantët ilegalë, të cilët i shfrytëzojnë përkohësisht si korrierë për mbartjen e drogës. Përveç shtetasve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovë – Metohisë, bëhet kontrabandë edhe nga migrantët nga Turqia, Pakistani, Sri Lanka, Kina dhe vende të tjera”.[1]

Çudi, edhe deri në Pakistan e në Kinë kanë arritur shqiptarët të trafikojnë drogë e njerëz për t’u hequr organet apo për ushqim, nuk dihet pse, paskan arritur të shfrytëzojnë edhe “kriminelët turq, afrikanë dhe italianë për punët me emigrantët ilegalë, e njëkohësisht si korrierë për mbartjen e drogës”, dhe nuk paskan arritur të shfrytëzojnë asnjë serb për këtë çështje se vetëm serbët dhe Dick Marty janë njerëz të pastër, qytetar, të ndershëm, humanë (s’ka gjë se vrasin me dhjetëra mijëra qytetarë, fëmijë, gra e pleq, pa bërë asnjë faj), vizionar dhe modern, por që po u prishin shumë imazhin shqiptarët të cilët sipas tyre janë të gjithë pa përjashtim të kriminalizuar, ndoshta për të pastruar shoqërinë nga kriminaliteti e nga kriminalizimi Serbia ka tentuar t’i zhdukë të gjithë.

“Shqipëria është qendra më e madhe në pastrimin e parave dhe tregtinë e drogës në Ballkan. Paratë e fituara me tregtinë e drogës janë kanalizuar nëpërmjet skemës piramidale të kursimit, falimentimi i të cilës, në vitin 1997, çoi deri në shqetësime drastike politike në këtë vend, në këtë kohë, i dha mundësi narkomafias shqiptare që të zhvillonte punën e saj deri në përmasa të pabesueshme”.[2]

A i lexon shteti shqiptar këto shpifje të ndyra të Serbisë? A ka aq kohë sa të bëjë një padi për shpifje të tilla që vërtetë ia ndyjnë imazhin në botë? Dy rrugë ka, kur të akuzojnë: ose duhet të qëndrosh fortë e të pastrosh veten publikisht dhe përballë akuzuesit, ose e dyta, duhet të pranosh publikisht se je kriminalizuar dhe nuk të mbetet tjetër veçse të kërkosh të ndëshkohesh botërisht për atë që ke bërë. Cilën duhet e do të bëjë Shqipëria? Nuk besoj se ka pasur e ka kohë të merret me shpifjet e serbëve, sepse po lodhet shumë duke shpifur për vetveten. Turp.

“Lidhja e terrorizmit dhe e krimit të organizuar në Kosovë – Metohi u vendos nën ndikimin e fuqishëm të faktorëve të caktuar politik në Republikën e Shqipërisë, të dyshuar në korrupsion dhe lidhjen me strukturat kriminale. Është e rëndësishme e dhëna se ekspansioni i UÇK-së ndodhi në periudhën e pushtetit të Sali Berishës, të cilit iu atribua “toleranca” ndaj kontrabandës së narkotikëve, aq me tepër që udhëheqësi i Partisë Demokratike, edhe tani, mban lidhje të forta me Hashim Thaqin”.[3]

Asnjë ditë pushteti i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Sali Berisha nuk e ka përkrahur UÇK-në, pasi ishin të orientuar në zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës. Duhet thënë se pikërisht për këtë është pranuar tashmë që edhe vetë Hashim Thaçi do të ishte i arrestuar në Shqipëri në vitin 1996, pikërisht si një luftëtarë dhe udhëheqës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që çdo tentativë shpifëse për të lidhur Hashim Thaçin dhe Sali Berishën si bashkëpunëtorë në krimin e narkotrafikës dhe të terrorizmit në atë periudhë, duke ardhur në ditët e mëvonshme për lidhjet që ata kanë pasur dhe duhet të kishin si udhëheq[s të dy shteteve shqiptare është shpifje e ultë.

“Grupet që merren me krimin e organizuar në Republikën e Shqipërisë, në një masë të rëndësishme ndikojnë në vendimet e qeverisë dhe të partive politike. Në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat në një organizatë jashtë ushtrie të tregtarëve shqiptarë me drogë dhe me armë disponojnë pajisje më moderne se sa ushtria shqiptare. Mafia shpesh ndihmon individët të fitojnë pozita në pushtet, por kur vijnë në pozitë të fuqishme i shfrytëzon ata, që të mund të kontrollojnë punën e organeve shtetërore, para së gjithash të policisë, dhe të realizojnë privilegjet”.[4]

Unë nuk marr përgjegjësi të pastroj shtetin shqiptar, por që Serbia të dijë se në Shqipëri ka organizata kriminale që janë më të fuqishme se ushtria shqiptare, më duket një shpifje e trashë. Megjithatë unë e di se serbët këtë do të bëjnë dhe do të lëshojnë edhe të tilla të trasha, thua se këto lloj organizatash i furnizon pikërisht Serbia, por edhe sikur t’i furnizojë do t’u ishte dukur tymi diku. Prandaj edhe këto nuk duhet të merren seriozisht nga askush. Por ja që është dikush që i merr seriozisht dhe ia reklamon Këshillit të Evropës si të vërteta, të studiuara e të stërstudiuara, që duhet të bëhen shkak për të nxjerrë përfundime se vetëm nëpërmjet një gjykimi ndërkombëtar mund të sqarohen.

“Emigracioni shqiptar në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Holandë si dhe në SHBA, ka vepruar nëpërmjet shumë organizatave ilegale ekstremiste, të cilat i kanë rekrutuar shqiptarët dhe i kanë dërguar në Kosovë – Metohi për të hyrë në UÇK, ndërsa disa janë organizuar në territorin e vendeve të lartpërmendura dhe në Shqipëri, në qendra për stërvitjen ushtarake dhe terroristike tashmë të personave të rekrutuar”.[5]

Po të ishin rekrutuar njerëz me pahir për të shkuar në përbërje të UÇK-së e për të luftuar në Kosovë, ato shtete që përmenden si, Zvicra, Gjermania, Belgjika, Holanda apo edhe ShBA-të, do të kishin mbajtur qëndrime shumë të ashpra, nuk besoj se Serbia mendon se edhe atje nuk funksionon shteti, siç mendon dhe deklaron për Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilat jemi mësuar se i kemi dëgjuar me mijëra herë duke filluar nga Ilia Graçanini, Nikolla Pashiçi e deri në ditët tona. Por unë di se atje në ato shtete të respektuara, shteti është shumë funksional dhe nuk besoj se kanë nevojë të marrin mend në Serbi, pasi edhe nuk do t’u vlenin se Serbia njeh vetëm veten e ato janë shtete që përveç vetes njohin, vlerësojnë e respektojnë edhe të tjerët. Por unë për këtë periudhë kur në Kosovë vinin luftëtarë në radhët e UÇK-së nga këto shtete e edhe nga shtete të tjera, do t’u rekomandoja serbëve t’u kthehen medieve të kohës, gazetave, radiove dhe televizioneve, për të parë se si janë përcjellë ata luftëtarë për në vijat e frontit jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga qytetarë të tjerë të shteteve prej nga janë nisur. Duhet serbët dhe zotëri Marty t’i shikojnë ato kohë nëpërmjet medieve për të parë se si “janë detyruar” djemtë dhe vashat për të ardhur në radhët e UÇK-së në frontet e luftës.

Kujtoi në këtë moment një vajzë që erdhi në UÇK nga Gjermania dhe që ishte e martuar me një gjerman. Kur më tregoj se nga vinte dhe se ishte e martuar me një gjerman e pyeta: – A të lejoj bashkëshorti të vish në luftë, apo nuk e ke pyetur fare? – E kam pyetur – mu përgjigj – i thash se dua të shkoj në luftë, pasi vendi im po lufton të çlirohet nga pushtimi. Ai mu përgjigj: – po të ishte në luftë Gjermania unë do të kisha shkuar me kohë. Kështu më erdhi leja nga bashkëshorti që të vij në luftë.

Më ka mbetur në mendje prej asaj kohe ky episod dhe po e tregoj në këtë reagim, pasi është një tregues i veçantë i qytetarisë gjermane dhe i shprehjes së dashurisë ndaj atdheut. E të gjithë ata djem e vasha që kanë ardhur në luftë në radhët e UÇK-së nga vendet e Evropës e nga Amerika kanë secili një histori të tillë qytetarie e dashurie për të treguar dhe askush nuk ka histori për të treguar për krime e trafikë, për detyrime e kërcënime, për shtije e blerje, sepse nuk ka pasur dukuri të tilla në ato kohë të krenarisë kombëtare shqiptare.

Veprimtaria e emigracionit shqiptar shikohet në grumbullimin e mjeteve të rëndësishme financiare, të domosdoshme për furnizimin e grupeve terroriste me armatim e pajisje. Parat e mbledhura në mënyrë të organizuar, me dhënien e kontributeve të drejtpërdrejta për këto qëllime të caktuara, ose pagat, për gjoja për nevoja humanitare të popullsisë shqiptare. Mjetet e paguara nëpërmjet disa bankave ose me kanale ilegale hidhen në Shqipëri dhe në Kosovë – Metohi, por në disa raste paratë i mbartin korrierët që legjendohen me vizitën për familjen”.[6]

Nuk e kundërshtoj mënyrën e mbledhjes së mjeteve financiare në diasporë, se shqiptarët bashkatdhetarëve të tyre do t’u drejtoheshin për ndihmë, por vetëm duhet mbajtur në vëmendje se ato para nuk ishin për të financuar terrorizmin, sepse shqiptarët kurrë nuk kanë kryer vepra terroriste. Terrorizëm ka kryer Serbia që ka masakruar një popull të tërë deri në tentativë zhdukjeje. Por atij që nuk turpërohet prej krimeve të tij, nuk skuqet as kur shpif, qoftë edhe për viktimën e tij. E të tillë janë Serbia e serbët, por i tillë është edhe zotëri Marty që flet në emër të Evropës, për të treguar se si viktima e terrorizmit mund e duhet të jetë terrorist, realisht ashtu duhet trajtuar, se që të trajtoheshin shqiptarët si të kulturuar e modern duhet të mos lëviznin që t’i prisnin në qafë serbët nga i pari tek i fundit. Të lumtë zotëri Mart – Evropiani.

“Ne vendet e lartpërmendura, pjesëtarët e emigracionit shqiptar i janë ekspozuar torturës së anëtarëve të mafies shqiptare me të cilët janë detyruar me forcë të bashkëpunojnë dhe, në këtë mënyrë, ndihmojnë terrorizmin në Kosovë – Metohi dhe në Maqedoni”.[7]

Ku janë ata shqiptarë që janë ankuar tek serbët se janë keqtrajtuar nga bashkëkombësit që të bëhen pjesë e mafies shqiptare, që për çudi paska pushtuar gjithë botën e nuk paska mundur të depërtojë në Serbi? Turp të kenë ata struktura të mafies shqiptare që shkojnë e bëjnë si të duan në shtete të dobëta si ShBA-të, Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia, Kina, etj., e nuk guxojnë të prekin të paprekshmen, të fuqishmen, liderin e të gjitha shteteve të botës, më të fortën Serbinë. Po pati forcë mafia shqiptare mos të merret me shtete të lodhura si ata që përmendëm më lartë por të kthejnë shikimin nga Serbia po patën guxim.

“Fuqia e mafies shqiptare është bazuar në bindjen e fiseve, përkatësisht të vëllazërive. Grumbullimi i fiseve, shpesh deri 20 përbënë brezin mafioz, komandanti (prijësi) i të cilit është njëherazi edhe udhëheqës politik”.[8]

[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet sekrete”, Beograd, 2004, faqe 43, botimi serbisht

[2] Po aty faqe 45

[3] Po aty faqe 45

[4] Po aty faqe 45

[5] Po aty faqe 47

[6] Po aty faqe 47

[7] Po aty faqe 47

[8] Po aty faqe 47


***


UÇK-ja si forcë e lirisë shpëtoi një komb prej goditjeve terroriste serbe

Këtë vlerësim e gjejmë më të hollësishëm te raporti i zotëri Martyt, i cili ka zbuluar se akoma shqiptarët vazhdojnë t’i zbatojnë rregullat kanunore të mafisë, se ku i ka mësuar zotëri Marty këto unë nuk e di, por një gjë e di mirë, që shqiptarët nuk kanë asnjë kod mafioz, përveç kodit kulturor, me të cilin krenohen ndërmjet kombeve të tjera. E për sa iu përket serbëve, nuk duhet pretenduar shumë sepse është plotësisht e sigurt se kodin e kulturës dhe të humanizmit nuk i njohin.

“Shqiptarët e pasur dhe të shquar në vendet e Evropës Perëndimore dhe të ShBA-së, krahas mbështetjes financiare, janë përpjekur që UÇK-në ta paraqesin si lëvizje kombëtare, kurse aksionet terroriste të saj si luftën çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë – Metohi, që në një masë të rëndësishme, e kanë arritur. Në këtë plan kanë krijuar pikëmbështetje te një pjesë e politikanëve dhe të diplomatëve perëndimorë”.[1]

Shikoni sa të pakorrigjueshëm janë serbët dhe Serbia në tërësi. Megjithëse u ngrit në këmbë një botë e tërë, megjithëse u bë një luftë, ku përveç luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhuan edhe forcat ajrore të NATO-s, si forca politiko- ushtarake më e madhe, më e fortë dhe më moderne e kohës, megjithëse u nënshkrua një marrëveshje kapitullimi pa kushte më 9 qershor 1999 në Kumanovë, ata vazhdojnë ta quajnë UÇK-në organizatë terroriste. Dhe politikën botërore që e mbështeti si të mashtruar prej disa të pasurve shqiptarë, që siç duket i paskan korruptuar presidentin e ShBA-së, kancelarin e Gjermanisë, presidentin e Francës, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, komandantin e forcave ushtarake të NATO-s etj. Nuk di vërtetë ku e gjejnë gjithë këtë guxim Serbia dhe Dick Marty që të paragjykojnë gjithë spektrin politik dhe ushtarak më modern e më të fuqishëm të kohës. Por një gjë dihet mirë, që ato forca erdhën në Kosovë, jo për t’u bërë pjesë e një “organizate terroriste” siç e quani ju UÇK-në, por për të bashkuar forcat me UÇK-në si forcë e lirisë, për të shpëtuar një komb të tërë prej goditjeve terroriste serbe, që tentonin ta likuidonin tërësisht si komb.

“Në Konferencën e 18 islamike të organizuar në Pakistan, në tetor 1998 separatizmi shqiptar në Kosovë u karakterizua si xhihad, me të cilin tërë bota myslimane është ftuar ta ndihmojë, me të gjitha mjetet disponuese, luftën “për çlirim në territoret myslimane të pushtuara. Duke u thirrur në xhihad, organizata terroriste e Osama Bin Ladenit ka lajmëruar për sulme terroriste kundër “të pabesëve”, përkatësisht të Britanisë së Madhe, ShBA, Francë dhe Serbisë”.[2]

Tani edhe Serbia është vënë përballë Alkaedës se paska pushtuar Kosovën, dhe qenka rreshtuar me SHBA-të, Francën e Anglinë, sikur deri tani nuk ishte Serbia që këto shtete të nderuara i quajti bashkëpunëtore të terrorizmit shqiptar. Por edhe sikur të jetë e vërtetë kjo, ç’lidhje ka UÇK-ja me Alkaedën? Se çfarë thuhet në vendet islame, pse duhet të hidhen gur mbi shqiptarët? A edhe në pikëpamje fetare shqiptarët u bëjnë shumë hije serbëve? Ne nuk jemi marrë kurrë me fenë e tyre, vetëm feja e tyre është marrë me shqiptarët pa ndërprerje, ka hedhur gurë pa ndalur dhe ne prapë nuk jemi marrë kurrë me fenë, sepse konsiderojmë se feja nuk ka për detyrë të bëjë agresion, siç bën pa ndërprerje kisha serbe kundër shqiptarëve.

“Për praninë e islamit radikal në Kosovë – Metohi flet e dhëna se gjatë vitit 1995, Osama Bin Laden qëndroi në Shqipëri si mysafir i presidentit të atëhershëm Sali Berisha, kur u formuan bazat për mbështetjen logjistike e financiare ndaj organizatës së Al Kaedes dhe u vendosën selitë e saj në krahinën e Kosovë – Metohisë. Krahas BinLadenit, në takimin e lartpërmendur asistuan Bashkim Gazidedja, ish shefi i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Me këtë rast, Bashkim Gazidedja u zgjodh si një nga udhëheqësit e Alkaedës për krahinën e Ballkanit”.[3]

Sa interesant është ky “fakt” i dhënë nga Serbia se Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj janë takuar edhe me Osama Bin Ladenin. Kjo është një e dhënë që i shërben shumë zotëri Martyt, a mos i ka kaluar pa e parë, apo serbët janë bërë pishman pse e kanë thënë? Se në raportin e zotit Marty në emër të Evropës ky “fakt” nuk është. Jo, nuk kishte punë Osama Bin Ladeni në Kosovë, se ai nuk është shqiptar. Ne në Kosovë kemi pasur vetëm shqiptar, të cilët emërtoni si të doni ju, por ata e kanë kryer më së miri detyrën e tyre ndaj atdheut e kombit.

“Luftëtarët fanatik islam nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe vende të tjera ishin përfshirë në përbërjet komanduese të shtabeve të UÇK-së në Kosovë – Metohi. Në raste të caktuara këta persona të orientuar radikalisht dhe të stërvitur lart profesionalisht formuan reparte të pavarura të angazhuara në detyra luftarake dhe taktike speciale. Morën pjesë drejtpërdrejtë në pushtimin dhe spastrimin e terrenit, në arratisjen e qytetarëve dhe të pjesëtarëve të policisë, në torturat dhe likuidimet e ashpra. Gjithashtu kanë qenë të angazhuara edhe si instruktorë të stërvitjes speciale të disa formacioneve të UÇK-së. Në vitin 1998 Departamenti i shtetit e vuri UÇK-në në listën e organizatave terroriste, duke vërejtur se operacionet e saj financohen me para nga tregtia ndërkombëtare e heroinës dhe me huate vendeve islamike dhe të individëve midis të cilëve ka qenë, edhe Osama Bin Laden. Sipas citimeve të specialistëve nga Interpoli, lidhja tjetër me Bin Ladenin është fakti që Muhamed al Zavahiri, vëllai i dr. AjmanZavahirit, lideri i organizatës xhihadiegjyptian dhe i ideologut AlKaida, udhëhoqi repartin elite të UÇK-së gjatë kohës së konfliktit në Kosovë – Metohi”.[4]

Është e vërtetë që në vitet 1997 – 1998 ju shpifët siç edhe vazhdoni me të gjitha mënyrat e mjetet që të bindnit perëndimin dhe ShBA-të se UÇK-ja ishte një organizatë terroriste, islamike, komuniste, etj., por perëndimi dhe SHBA-të nuk ranë në kurthin tuaj. Ato e kuptuan mirë se ai nuk ishte tjetër veçse një kurth serb dhe e pranuan UÇK-në si qytetare të botës moderne, që në gusht të vitit 1998 dhe u bënë bashkëluftëtarë të saj për të çliruar përfundimisht Kosovën dhe popullin e saj prej pushtimit serb njëshekullor.

Unë e citova këtë pjesë, që shqiptarët të shikojnë se deri ku arrin imagjinata e armikut me të cilin luftuam dhe prej të cilit u çliruam. “Në zonën e Drenicës, në përbërje të UÇK-së, nga maji deri në fund të korrikut 1998, veproi reparti i kombinuar muxhahedin “Abu Bekir Sidik” të cilin e komandoi EkremAvdia nga Mitrovica e Kosovës. Në përbërje të repartit të lartpërmendur kishte 115 muxhahedinë, midis tyre 40 shtetas të huaj (10 nga Arabia Saudite, 2 nga Egjipti, 4 nga Shqipëria, 2 nga Anglia dhe nga një nga Irlanda dhe Skocia, të tjerët kanë qenë shtetas të Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës)”.[5]

Le të dijë lexuesi i nderuar se deri ku mund të arrijë imagjinata juaj, pasi të gjithë qytetarët e Kosovë e dinë, dhe jo vetëm shqiptarët, por edhe serbët e ndershëm, që nuk kanë pasur e nuk kanë dëshirë t’i lyejnë duart me gjak shqiptarësh, se në Kosovë ka pasur vetëm njësite, reparte e njësi me djem e vasha shqiptare, që nuk kanë përtuar për asnjë moment të derdhin gjakun e tyre të pastër për interesat e lirisë së atdheut të tyre tek i cili kishin rrënjët e do të ndërtonin të ardhmen. Por ju ashtu do t’i quani, se nuk keni besuar kurrë se shqiptarët do të kenë fuqinë t’iu zhdukin njëherë e përgjithmonë prej Kosove. Ju pikërisht për këtë edhe sot e kësaj dite nuk keni guximin të deklaroni se sa ushtarë janë vrarë në Kosovë gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, pasi nuk doni të pranoni se edhe ju mund të vriteni nga arma shqiptare. Ka shumë mundësi që të keni humbur edhe varret e ushtarëve tuaj, vetëm për të mos pranuar se janë vrarë në Kosovë. Por të jeni të sigurt, në mos sot, nesër vetë ushtarët e mbetur gjallë do të tregojnë për kolegët e tyre dhe do të befasoheni se çfarë kanë përjetuar ata në përleshje me luftëtarët e UÇK-së që sidoqoftë kanë qenë të gjithë shqiptarë.

“Numri më i madh i pjesëtarëve të repartit “Abu Bekir Sidik’, i kombësisë shqiptare, pas vendimit që reparti të shkrihej, u kthyen në vendet e veta të banimit në Kosovë – Metohi, ndërsa grupi i dytë u përpoq të kalonte në territorin e Shqipërisë. Me këtë rast në gusht të vitit 1998, nga ana e organeve të sigurimit të Republikës së Serbisë burgosen Ekrem Avdia, Shpend Kopriva dhe Nexhmedin Llausha dhe pastaj edhe pjesëtarët e tjerë të repartit muxhahedin”.[6]

Ju vërtet mund të keni burgosur shqiptarë por, megjithatë, siç edhe i deklaroni emrat e të arrestuarve, ata paskan qenë të gjithë shqiptarë e jo muxhahedinë siç pretendoni. Pra, ata nuk qenkan as arabë, as egjiptianë e as indianë por, thjesht, shqiptarë. Ama se çfarë emërtimi u vini ju, kjo është puna juaj. Me rëndësi është që sado të shpifni, vetë ju një ditë do ta tregoni të vërtetën e do t’ju vijë turp prej gënjeshtrës tuaj. Populli shqiptar ka një fjalë të urtë që thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. Aq do t’i ketë edhe gënjeshtra juaj. Të shkurtra. (Vijon)

[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet sekrete”, Beograd, 2004, faqe 49, botimi serbisht

[2] Po aty faqe 49

[3] Po aty faqe 49

[4] Po aty faqe 50

[5] Po aty faqe 50-51

[6] Po aty faqe 51


VIJON …

___________________


KUDUSI LAMA:UҪK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (XI)

http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10505


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks