SHKRIMI
e shtunë, 25 janar 2020

DR.MOIKOM ZEQO: LIBRI I THOTIT

Tiranë, 26 nëntor 2019: Prej vitesh kam krijuar një njohje me njerëz që janë koleksionistë, ose që hiqen të tillë.

Janë të dallueshëm, interesantë, plot fantazi dhe të çmendur.


Janë të zotëruar në mënyrë demoniake nga pasioni. Janë hulumtues dhe me fantazi të mëdha.

Koleksionisti Z. M. me origjinë nga Shkodra, 37 vjeç, i veshur gjithmonë me xhinse, i shkujdesur, me një ndjenjë madhështie të përhershme për të gjitha fjalët dhe gjestet e tij, në janar të vitit 1998 më takoi jo pa shqetësim për të më treguar diçka, që ai kishte zbuluar.

Pas përshendetjes unë prita në qetësi se çfarë do të më thonte.

Në fillim Z. M. më tha se i kishte lexuar librat e mi, se gjente në to motive që e stimulonin, “sepse edhe ti je një koleksionist i lindur”.

Unë e kundërshtova këtë përcaktim të skajshëm me ndrojtje.

Iu luta t’i shkurtonte fjalët.

Të përqendrohej në thelbin e kumtit të tij.

-Kam zbuluar një dorëshkrim shumë të vjetër, -tha ai duke folur befas më një ngadalësi si i ngrirë.

-Një dorëshkrim?

-Po, po, një dorëshkrim që e kanë kërkuar të gjithë për t’a gjetur.

-Ç’është ky dorëshkrim?

-Është Libri i Thotit, – tha në mënyrë triumfuese Z. M. Vërejti shtangjen time. -Nuk e prisje, apo jo? Ti me siguri e di se kush është Thoti.



Është hyu i famshëm egjiptian i cili ka shpikur shkronjat dhe artet. Kryemjeshtri i mistereve dhe fshehtësive.

-E pamundur, - gati klitha unë. Nuk di a ekziston një libër i tillë. Është thjesht një ëndërr, një mit.

-Nuk është e vërtetë, - ma ktheu Z. M. Kopjet në dorëshkrim të këtij libri ekzistojnë.

Askujt nuk i kanë rënë në dorë, të paktën koleksionistëve si unë.

Ndonëse thuhet se shumë dijetarë ende ruajnë nga një kopje në një heshtje absolute, sepse nuk duan t’a publikojnë. Këta dijetarë e kanë monopolizuar, thjesht për arsyet e tyre.

-Mua më ndihmoi për të gjetur një kopje të librit një koleksionist grek i cili e kishte vjedhur në një manastir të malit Athos.

Dorëshkrimi është në fletë papirusi, i shkruar me hieroglife, ka dhe miniatura të çuditshme.

Në faqen e parë është pikturuar figura e hyut Thotë me kokën e shpendit Ibis.

Lehtësisht nëpër enciklopeditë mund të lëxohet diçka nga dëshmitë e dijetarëve të shekujve që besojnë në ekzistencën e Librit të Thotit.

-Është e vërtetë, - thashë unë, - kam lexuar me një kuriozitet sfilitës bibliofili diçka për ekzistencën e Librit të Thotit. Por gjithmonë kam qenë dyshimtar.

Përmenden dhe libra të tjerë me karakter magjik, që kinse janë shkruar të frymëzuar nga Libri i Thotit.

Madje një dijetar arbëresh ka shkruar dhe një libër që ia kushton hyut Thotë. Emrin Thotë e shpjegon me gjuhën shqipe, d.m.th. Ai që thotë, që flet, që rrëfen.

Kjo etimologji e guximshme m’ë është dukur e bezdisshme.

Madje ky dijetar sfidues shpjegon kuptimin e hieroglifeve sipas gjuhës shqipe. Por unë nuk i besoj zbulimeve të tilla.

-Gabim, - më tha me shpoti Z. M. Duhet t’i besosh, duhet t’i besosh.

-Nuk e di, por nuk mund të bindem pa parë diçka me sytë e mi.

-E pra, - belbëzoi triumfueshëm Z. M. Tashmë unë e kam një dorëshkrim të tillë.

Erdha të të kumtoj zbulimin.

Më vonë do të ta tregoj dorëshkrimin.

Makina e kujtesës time nisi të lëvizte me shpejtësi.

E vërteta qe se unë vite më parë, për shkak të instiktit të kërkimit, kisha lexuar shumë për Librin e Thotit.

Kjo ndodhi kur fillimisht u njoha me librat e pabesueshëm të ezoteristes ruse, Elena Petrova Blavacki, kishte jetuar në shek. XIX-të dhe kishte themeluar shoqatën e parë botërore teozofike. Blavacki kishte një talent të mahnitshëm për të përshkruar vizionet dhe realitetet që i konceptonte me telepati.

Ajo ndërlidhej me shpirtrat, qe bindëse, njihte fuqinë e metaforave, qe e sigurt dhe krenare për aftësitë e saj.

Librat e Blavackit ishin libra transi.

Ajo i habiste mjedisësit, fitoi një famë planetare, u miqësua me shkrimtarë të mëdhenj, u çmua shumë fjala vjen edhe nga poeti i madh anglez Thomas Eliot.

Blavacki shprehet se ekzistonin edhe libra të pashkruar nga dora e njeriut, libra që u bënë shumë më përtpara nga krijimi i botës. këto ishin me siguri librat e jashtëtokësorëve.

Ajo thotë se e kishte parë një libër të tillë me sytë e saj në një manastir tibetian.

Duke e përshkruar, “një dorëshkrim madhështor, të fillimit të kohërave, mbi gjethe palme të bëra të papërshkrueshme nga uji, ajri dhe zjarri.

Dorëshkrimi qe i magnetizuar në mënyrë të tillë që nëse lexuesi mbështet pëllëmbën e dorës në faqen që po lexon, symbyllur sheh episodet, imazhet dhe shmëbëlltyra të përshkruara.

Pra, një dorëshkrim i sofistikuar, fryt i një teknologjie dhe një inteligjence mbinjerëzore.

Ky është dorëshkrimi që është ruajtur në Shamballa, në zemrën e mbretërisë Agatha, që shumë udhëtarë e lokalizojnë pikërisht në Tibet.”

Është pikërisht Blavacki që mendon se ky dorëshkrim përbën bazën e ideve kryesore dhe mekanizmave profetikë të Librit të Thotit.

Thoti, si një hyjni egjiptiane, i përkiste racës të përftuar nga lidhja sekusale e jashtëtokësorëve me njerëzit e paditur të planetit.

Pikërisht të kësaj race janë hyjnitë.

Libri i Thotit përmbantë gjithë sekretet e botës dhe të universit.

Në vitin 1868, në Bibliotekën Nacionale të Parisit, u zbulua një papirus.

Kur një ekip egjyptologësh e deshifruan tekstin e papirusit, opinioni publik mësoi befas për një komplet magjik që lidhej me një rebelim kundër faraonëve të Egjiptit, 3500 vjet më parë. Priftërinjtë që e zotëronin Librin e Thotit, që i dinin enigmat e tij, kishin bërë disa kukulla prej dylli të lidhura varg dhe ço kukull kishte fytyrën e faraonit, apo dhe oborrtarëve të tyre të lartë, që ata i kishin dënuar me vdekje.

Por ky komplot nuk zgjati shumë, u zbulua, priftërinjtë kryengritës u kapën dhe u masakruan.

E gjetën Librin e Thotit dhe me neveri dhe shpresë e hodhën në zjarr.

Por për çudi libri nuk u dogj.

Flaka e bëntë akoma më material librin, dukej sikur e fuqizonte pafundsisht atë.

Pastaj Librin e Thotit e fshehën për të mos u gjetur kurrë.

Në papirusin e Parisit thuhej se Libri i Thotit qe i pashkatrueshëm.

Ky libër lejonte ta shihje diellin përballë, nuk digjej nga zjarri sepse vetë ishte krijuar nga zjarri.

Ai që e prekte këtë libër fitonte cilësinë për të komunikuar me kafshët, të ringjalleshin të vdekurit dhe të praktikohej magjia në largësi në të gjitha pikat gjeografike.

Për shumë shekuj pati një heshtje të plotë për Librin e Thotit.

Në shek. XIX-të, pashai me origjinë shqiptare, Muhamed Aliu, që krijoi një dinasti të re moderne të mbretërisë së Egjiptit, i dhuroi politikanit austriak Meternikut një papirus në formën e një rrotulle.

Meterniku kërkoi që t’ia përkthenin përmbajtjen.

Madje, në varrin e Meternikut ruhet ende dhe sot, skalitur në mermer, forma e këtij papirusi.

Në kujtimet e tij, konti Meternik thotë se papirusi që iu dhurua nga shqiptari tregonte një profeci.

Vetë Hyu thotë se do të shfaqej përsëri në botë dhe pasi t’a mundte hyun kundërshtar Set dhe të triumfonte mbi 777 Zotërit e së Keqes, do t’a digjte më në fund librin e tij, sepse vetëm mbas dlirësimit dhe pastrimit përfundimtar të botës mëkatare,

Libri i Thotit nuk kishte më arsye për të funksionuar.

Kjo gojëdhënë i ngatërroi më tepër përfytyrimet e të gjithë atyre që kërkonin Librin e Thotit.

Në mesjetë alkimistët, por dhe mjeshtrit e kabalës besonin se ekzistonte një lloj enciklopedie ezoterike e quajtur “Corpus Hermeticum”, ku qenë sintetizuar dhe kombinuar perifrazime nga Libri i Thotit.

Teologët e qartë dhe të ndritur të krishterë e mallkuan këtë Corpus Hermeticum.

Inkuizicioni censuroi gjithçka që bënte aluzion për të. Duket se gjithçka ra në qetësi përsëri.

Por në shek. XVII-të, një murg francez i quajtur Antoian Court de Gebelin, matematikan i shquar, shpalosi në librat e tij një teori tërheqëse dhe marramendëse.

Sipas tij, Libri i Thotit është trashëguar në mënyrë të fshehtë dhe në formë sintetike nëpërmejt lojës shumë të njohur të Tarotit.

Sipas Gebelinit, kishte zbuluar një libër antik egjiptian që i kishte shpëtuar shkatërrimit nga zjarri të bibliotekës së Aleksandrisë.

Ky libër kishte kombinimet më të habitshme të lojës së Tarotit.

Dihet se loja misterioze e Tarotit u bë e njohur në vitin 1100.

Lojtarët e kësaj loje u hipnotizuan prej saj.

Loja përbëhet prej 78 kartave, secila me një imazh dhe një simbol të veçantë.

Në fillim kjo lojë u praktikua në veri të Italisë, pastaj në Francë dhe kudo në Europë.

Loja shërbente për të hedhur fall dhe për të parathënë të ardhmen.

Quhet edhe loja e letrave me arkanë.

Taroti përbëhet nga 78 arkanë, të cilën ndahen në dy grupe.

Në grupin e parë bëjnë pjesë 22 arkanët e mëdhenj, në grupin e dytë 56 arkanët e vegjël.

Në arkanët e mëdhenj figurat kanë ravizimet e Diellit, Hënës, Gjyqit të Fundit, rrotës së fatit, Papës, mbretit dhe mbretëreshës, eremitit dhe magjistarit, të vdekjes, të djallit, të drejtësisë, të dashurisë, të të çmendurit etj.

Arkanët e vegjël përfaqsohen nga figurat e kupave, shpatave, shkopinjve, kalorësve, shërbëtorëve, inteligjencës, dualitetit, pjellshmërisë, pushtetit, fitores, vuajtjes, ndryshimit etj.

Ndërthurja dhe kombinimi i letrave është praktikisht i pafund dhe të jep ndjesinë e infinitit.

Ka shumë mundësira të hapura deshifrimi dhe kriptologjie. Lojtarët e Tarotit kanë përcaktuar madje shpërthimin e bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki 100 vjet para kësaj ngjarjeje shkatërruese, gjithashtu vrasjen e Kennedy-t, teorinë e Ajshtajnit dher lindjen e shkrimtarit demoniak Jorge Luis Borges.

Ky i fundit, në një tregim të tij të quajtur “Loja e Babilonisë”, përshkruan potencialin e ndërlidhjeve ezoterike ndërmjet një loje të mistershme që zotëron gjithçka, jo vetëm njerëzit që e luajnë por dhe planetet e universit, molekulat e lëndës, shtegtimin dhe rikthimin e shpirtrave drejt origjinave, konceptimin të kryeveprave fjala vjen të Don Kishotit 2-3 shekuj përpara se të lindte vetë Servantesi.

Të gjitha këto krijojnë një koncept më të përafërt të kohës, të kthimit mbrapsht me sensin sikur shkon drejt së ardhmes, pra një sinkretizëm kohor të mahnitshëm dhe absolut.

Beafs u përmenda si nga një gjumë i çuditshëm.

Përballë meje rrinte tashmë i heshtur koleksionisti Z. M. Nuk kisha fuqi ta pyesja.

-Ndoshta Libri i Thotit ekziston, - i thashë më në fund.

-Pra, edhe ti, do apo nuk do, po e beson zbulimin tim, – buzëqeshi Z. M. të gjithë skeptikët kështu përfundojnë. Mosbesuesit asnjëherë nuk janë të sigurt.

M. u ngrit, më dha dorën dhe u bë gati të largohej.

-Me siguri do takohemi përsëri, – u nguta për ti thënë unë vizitorit Z.M.

-Me siguri absolute do të takohemi përsëri, – më tha i zbehtë si një statujë Z. M.

U ndamë.

Nuk di sepse m’u përfytyrua një skenë funerale.

Një i gjallë ndahet nga i vdekuri duke i thënë pikërisht “Me siguri do të takohemi përsëri”.

A isha unë që i thashë këto fjalë?

A isha unë i gjalli apo i vdekuri?

Po kështu mund të thuhet edhe për Z.M.

Përgjigjia me siguri absolute “do të takohemi përsëri” ka një saktësi të frikshme.

Ai që vdes më përpara rri në një pritje të pafund për të takuar atë që do të vdesë më pas.

Kjo lëvizje është në substancë edhe kuptimi i Librit të Thotit.

Ky është një sekret që formëson të gjitha sekretet e tjera. Është një kyç konceptual.

Për të hapur kuptimet e mbyllura në hiç. (2000)


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Gëzuar 28 Nëntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks