SHKRIMI
e diel, 09 gusht 2020

PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: DEMONSTRATAT STUDENTORE TË 25 MARSIT 1981 NË PRIZREN, TË 26 MARSIT NË PRISHTINË…, SIPAS DOKUMENTIT SEKRET TË KK TË LKK-së (27)

Prishtinë, 27 Maj 2020: 1. 1. Demonstratat studentore në Prizren, më 25 mars 1981

Siç dihet më 25 mars të vitit 1981, nga ora 11 e 50 minuta në oborrin e përbashkët të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe të Akademisë Pedagogjike në Prizren kishte ardhur një grup prej 20-30 nxënësish të shkollave të mesme e studentësh dhe ishte futur në ndërtesën e Shkollës së Lartë Pedagogjike, duke thirrur parullën “Kushtetutë”. Me këtë rast ishin thyer dy dritare të shkollës. Grupit në fjalë i ishte bashkangjitur një grup i konsideruar i studentëve dhe nga aty kishin vazhduar rrugëtimin nga Akademia Pedagogjike, para së cilës kishin dalë forca të shumta të policisë. Pastaj grupi i shtuar kishte vazhduar rrugën nga gjimnazi duke iu bashkangjitur shumë nxënës, dhe nga këtu demonstruesit kishin vazhduar rrugëtimin drejt shkollës së Mjekësisë dhe Konviktit të studentëve. Numri i demonstruesve tani ishte shumë më i madh dhe me kërkesën e shumicës së tyre vazhduan rrugën për në qendër të qytetit 1. Në qytet demonstruesit i pritën forca të mëdha policie që pa paralajmërim kishin intervenuar dhe me përdorimin e forcës i kishin shpërndarë rreth orës 12.20 minuta. Gjatë intervenimit të policisë ndaj studentëve në rrugët e qytetit u thyen dritaret në tetë shitore, një xham në një automjet dhe një automobil ishte rrokullisur. Atë ditë të organizimit të demonstratave në Prizren ishte ditë tregu dhe një numër i konsideruar i qytetarëve iu kishte bashkangjitur demonstruesve. Policia i shpërndau demonstruesit me ç’rast u lëndua një polic. Pas demonstratave, organet komunale ishin shumë aktive dhe nxitonin se cila do të bënte e para vlerësimin e tyre duke informuar dhe thirrur kuadrot nga KK i LKK nga Prishtina.


2. Demonstratat e 26 marsit në Prishtinë

Më 26 mars 1981, në orën 6.00 të mëngjesit, një grup studentësh kishte bllokuar hyrjet në tri konvikte të studentëve në Prishtinë. Ata kishin kërkuar të bisedonin me personalitete të caktuara të Universitetit dhe me disa funksionarë krahinorë, duke theksuar se në rast të kundërt nuk do të dalë askush jashtë konvikteve dhe të gjithë masivisht do të dalin në demonstrata.

Organet e Sigurimit thuhej në një dokument, kishin informata se studentët në konviktet e Prishtinës po përgatiteshin për demonstratat jo më me karakter social, por tani me kërkesa politike. 2 Në ora 12 e 40 minuta studentët shpalosin parullat me karakter politik si:

- ”Trepça punon për të tjerët”,

- “Rroftë marksizmi- leninizmi”,

- “Bashkim”,

- “Rroftë klasa punëtore”,

- “Kushte më të mira”,

- “I besojmë klasës punëtore”,

- “Duam republikë”,

- “Rroftë populli vëlla shqiptarë”,

- “Jemi shqiptarë e jo jugosllav”,

- “Kosova është e jona”,

- “Kosova kosovarëve”,

- “Bashkimi i viseve shqiptare”,

- “Të dënuarit politik të kthehen në Kosovë”,

- “I kërkojmë shokët e burgosur”,

“Republikë” etj.

Demonstratat në qendrën studentore u bënë më masive nga ora 13 e 30 minuta, kur edhe tentuan që të thyenin bllokadën për të depërtuar në qendrën e qytetit. Po atë ditë në Prishtinë vinte edhe stafeta e Titos, dhe qëllimi i tyre ishte që të pengohej ajo. Forcat policore i shpërndanë me dhunë dhe shumicën e tyre e zmbrapsën nga konviktet e studentëve. Komiteti i Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës - duke vlerësuar karakterin armiqësor të demonstratave dhe për ta penguar daljen e demonstruesve në rrugët e qytetit kishte vendosur që njësia e policisë, që ishte caktuar më parë, të përdorë gazin lotsjellës, dhe kjo u zbatua. Në saje të efektit të mjeteve kimike studentët filluan të largohen nga vendi ku u hodh gazi lotsjellës (3) për t’u tubuar në një numër edhe më të madh.



Në orën 16 e 30 minuta organizatorët e demonstratave u prinë studentëve drejt kordonit të policisë. Policia kishte marrë urdhër që me asnjë kusht mos të lejohen demonstruesit që të kalonin në qendër të qytetit dhe në asnjë mënyrë të mos pengohet ceremonia e ardhjes së stafetës. Ndaj demonstruesve u morën masa drastike, veç gazit lotsjellës, policia përdori pendrekët dhe në ndihmë u kishte ardhur njësia speciale e sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme.

Sipas shënimeve zyrtare me këtë rast u lënduan 32 studentë, prej të cilëve një kishte marrë plagë të rënda e të tjerët kryesisht ishin lënduar duke i marr bombolat e gazit për t’iu kthyer policëve. Ishin lënduar 12 pjesëtarë të policisë, njëri ishte lënduar rëndë. U arrestuan mbi 200 pjesëmarrës të demonstratave, 21 u ndalën në paraburgim, të cilët ishin organizatorët dhe eksponentët kryesor të demonstratave 4.

Pas ditës së 26 marsit, Komiteti Komunal i LK-së në Prishtinë caktoi programin konkret të aksionit politik në fakultete, në shkolla të larta, në konvikte dhe në restorantin e studentëve gjatë demonstratave dhe pas shpërndarjes së tyre. Pas datës së 26 marsit në të gjitha fakultetet u mbajtën mbledhjet e partisë, në të cilat u bë vlerësimi duke i quajtur pa ndonjë analizë të theksuar armiqësore dhe nga aty dolën detyrat konkrete me studentët për pengimin e çdo dukurie tjetër dhe eksesi. Bashkëpunimi në mes Kryesisë të KK të LKK-së dhe të Kryesisë të KQ të LKJ-së pas demonstratave u shtua dhe u ngrit në nivel më të lartë. Po ashtu edhe bashkëpunimi i RSFJ e RSS dhe u mor përsipër që të informohen të gjitha komitetet komunale në Kosovë.

Më 27 mars 1981 ishte mbajtur mbledhja e përbashkët e Komitetit të Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore e të Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës dhe e Komitetit të Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore e të Vetëmbrojtjes Shoqërore të Prishtinës. Në këtë takim ishte vlerësuar situata politike dhe masat që ishin marrë lidhur me këtë. Kryesia e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe Kryesia e KSA të Kosovës, në mbledhjet e veta, kishin bërë kualifikimin politik të këtyre demonstratave. Të gjithë të pranishmit në këto mbledhje kishin vlerësuar se demonstratat kishin karakter armiqësor, se kishin qenë të organizuara nga ana e armikut, se janë pjesë përbërëse e aktivitetit të organizuar të forcave armiqësore për krijimin e trazirave dhe të destabilitetit në Kosovë, se ngjarjet e mëparshme (demonstratat) në esencë janë pjesë përbërëse e kësaj veprimtarie armiqësore, të orientuara nga destabiliteti dhe shkatërrimi i Jugosllavisë. Demonstratat u dënuan në mënyrë unanime dhe të ashpër në Universitetin e Prishtinës dhe në të gjitha komunat e krahinës nga ana e pjesëtarëve të të gjitha kombeve e kombësive, kurse u përkrahën të gjitha aksionet dhe masat që ishin ndërmarrë për shkatërrimin e tyre 5.

Kryesia e KK të LKK-së dhe Kryesia e KSA të Kosovës në një mbledhje kishin konstatuar se ishte e domosdoshme që të shpejtohet analizimi i tërësishëm i burimeve, i prapavijës dhe i forcave nga radhët e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm 6, thuhej në dokument.

Më 27 mars 1981, u mbajt mbledhja e Komitetit Komunal të LK të Prishtinës në të cilën u caktuan detyrat e drejtpërdrejta për veprim ideopolitik në Universitet dhe në organizatat themelore të LK-së, si dhe në të gjitha organizatat dhe organet e tjera shoqëroro-politike.

Po atë ditë u mbajt mbledhja me sekretarët e OTH të LK-së, si dhe mbledhja e Aktivit Politik të Komitetit Komunal. Fill pas kësaj të gjitha organizatat themelore të LK-së u informuan për karakterin armiqësor të këtyre ngjarjeve, si dhe për vlerësimet e Komitetit Komunal dhe të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LKK-së. Mbledhjet e takimet e komiteteve komuniste nuk kishin të ndalur. Këtë më së miri e dëshmojnë takimet e shpeshta që mbaheshin anë e kënd Kosovës.

Po ashtu me 28 mars, përsëri u mbajt mbledhja e Komitetit Komunal të LK-së, në të cilën u vlerësua dhe u aprovua plani konkret i aktiviteteve të drejtpërdrejta. U vlerësua se ende situata është e acaruar. U formuan grupe aktivistësh, të cilët kishin për detyrë t’u ndihmojnë organizatave themelore të LK-së në të gjitha vendet.

Një ditë më vonë (më 29 mars) u mbajtën mbledhje të kolektivave të mësimdhënësve të shkollave të mesme dhe të Universitetit, si dhe mbledhje të organizatave themelore të LK në qytet. Komitetet e mbrojtjes së Përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore në organizatat punonjëse e vlerësuan situatën në vendet e tyre dhe morën për obligim që të jenë më vigjilentë. Sipas dokumentit thuhej se në të gjitha mbledhjet u përkrah informata e Kryesisë së KK të LKK-së në lidhje me demonstratat. Në mbledhje, e sidomos në disa fakultete, një numër i mësimdhënësve kishin reaguar ndaj masave, që ishin ndërmarrë për pengimin e tyre dhe ndaj tejkalimit të autorizimeve nga ana e organeve të Sigurimit. Por ky reagim nga ana e pushtetarëve u vlerësua si tentativë e largimit të vëmendjes prej çështjeve dhe problemeve qenësore.

Më 30 mars në shkolla të larta dhe në fakultete në mësim kishte shkuar një numër i vogël i studentëve, po ashtu ishin shënuar edhe tentativa të bojkotimit të mësimeve me përhapjen e dezinformatave të ndryshme si në Fakultetin Ekonomik, të Shkencave të Natyrës dhe në Fakultetin Juridik. Po atë ditë ishin mbajtur mbledhje në organizatat themelore të LK në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta, me përjashtim të Fakultetit Filozofik dhe të Fakultetit të Shkencave të Natyrës 7. Edhe në këto mbledhje vërehej mos ardhja e studentëve dhe e disa profesorëve.

1. 3. Demonstratat në Obiliq

Demonstratat në Obiliq ndodhën më 30 mars 1981. Sipas shënimeve zyrtare, mbi 200 nxënës të Qendrës shkollore në Obiliq, të cilët duhet të fillonin mësimin në orën 13.00, dolën në rrugën kryesore të qytetit duke lëshuar parulla të ngjashme me ato të demonstratave në Prishtinë. Pasi policia kishte përdorur dhunën, demonstruesit ishin shpërndarë, por një grup i konsiderueshëm kishte shkuar në drejtim të punishtes “Kosova B”, ku kishte kërkuar mbrojtje. Gjatë kohës së demonstratave aktivistët partiakë si dhe policia ishin shumë aktivë. Në takimin me punëtorët ndërhynë aktivistët dhe demonstruesit u shpërndanë.

Më 31 mars u angazhuan mësimdhënësit që mësimi të zhvillohej normalisht, të gjithë aktivistët e LKK-së më 30 mars kishin dalë nëpër fshatra për t’i bindur prindërit që fëmijët t’i dërgojnë në shkollë. Demonstratat në Obiliq, dëshmuan se ishin demonstratat e para që ndodhnin jashtë kryeqendrës dhe konvikteve të studentëve. Element i ri ishte se demonstruesit kërkuan përkrahjen e punëtorëve.

1. 4. Demonstratat në Prishtinë më 31 mars

Më 31 mars dhe më tej situata politike në Prishtinë ishte e nderë. Bojkotimi i mësimit në fakultete vazhdonte. Një numër i madh i studentëve dalëngadalë kishte filluar të manifestonte, gjithashtu edhe shkollat e mesme në qytet. Në Fakultetin e mjekësisë u bojkotua në tërësi mësimi. Po ashtu edhe në Fakultetin Teknik. Në Fakultetin Juridik u shënuan raste të shumta të bojkotimit të mësimit. Në Fakultetin Filozofik një numër tejet i vogël shkuan në salla mësimi por shpejt u larguan nga aty. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, megjithëse një numër shumë i vogël kishte ardhur në mësim, por edhe këta e bojkotuan atë. Mësimet nuk u zhvilluan as në Fakultetin e Bujqësisë. Sipas informatës së Kryesisë së KK të LKK-së, më 31 mars mësimi u bojkotua në të gjitha fakultetet e Prishtinës. Në mësime mungoi edhe kuadri arsimor (8) të cilët ishin urdhëruar që nga ora 7.00 e mëngjesit e deri në ora 19 në mbrëmje, të ishin në fakultete.

Duke e parë se situata po u ikte nga dora, organet kompetente të Kosovës morën vendim që në të gjitha fakultetet të organizoheshin kujdestaritë. Po atë ditë në Qendrën e Studentëve u shënuan trazira, kurse rreth orës 11.00 para dite një grup i madh i studentëve në oborrin e konvikteve lexuan një letër dhe më vonë ia shpërndanë studentëve.

Gjatë kohës sa zgjatën demonstratat në Komitetin Krahinor të LKK-së po ashtu edhe në Komitetin Komunal të LK-së të Prishtinës çdo ditë mbaheshin mbledhje, ndodhte të mbaheshin edhe nga dy a tri takime. Më 31 mars 1981, Komiteti Komunal dhe Komiteti i Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe Vetëmbrojtjes Shoqërore, në marrëveshje me organet e mbrojtjes territoriale, urdhëruan që të forcohet sigurimi i objekteve. U organizuan mbi dhjetë grupe me nga 30 aktivistë në punkte të ndryshme në qytet. Këto grupe ishin të mobilizuara gjatë gjithë kohës. Ndryshe, nga më parë, pas 26 marsit, ishin organizuar kujdestari dhe ishte urdhëruar aktivizimi i Komitetit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore dhe azhurnimi i planeve të tyre për situatat e krizave në të gjithë Kosovën 9.

__________

Referencat:

1 Sheradin Berisha, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë dhe viset tjera të etnikumit shqiptar 1945 - 1999, 27. 04. 2008, Portali Pashtriku.

2 ASHAK, Fondi - Komiteti Krahinor i LKK-së, d. Informatë nga demonstratat studentore në Prishtinë 1981.

3 ASHAK, Fondi Kryesia e Komitetit Krahinor e LKK-së, d. Informatë mbi demonstratat studentore në Prishtinë, 26 mars 1981.

4 ASHAK, Fondi Kryesia e Komitetit Krahinor të LKK-së, d. Informatë, 27 mars , 1981.

5 ASHAK, Fondi Kryesia e Komitetit Krahinor të LKK-së, d. 577, 8 maj 1981 .

6 Po aty, 16.

7 ASHAK, Fondi Kryesia e Komitetit Krahinor e LKK-së, d. Informatë për aktivitetet e Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste të Prishtinës, 5 maj 1981.

8 Po aty, 19.

9 ASHAK, Kryesia e KK të LKK-së, kutia 701, 1981.


VIJON ...

_____________

PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: DEMONSTRATAT STUDENTORE TË 11 MARSIT 1981 - SIPAS DOKUMENTIT SEKRET TË KK TË LKK-së (26)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10083


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks