SHKRIMI
e mërkurë, 08 korrik 2020

GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITET 1944 - 1945

Pashtriku, 12 qershor 2020: PJESË NGA LIBRI “GENOCIDI SËRBOMADH DHE QËNDRESA SHQIPTASRE” I AUTORIT SHABAN BRAHA. Nr. 15.

“Nisin rrathët pa fund të ferrit titist” (f.425-446)

“Programi i Pakicavet në Jugosllavinë e Re, hartuar më 3 nëntor 1944, me autor Dr. Vaso Çubrilloviqin.” (f.425)

“Sllavët e ardhur quhen vendës, ndërsa shqiptarët vendës quhen të ardhur pas vitit 1690.” (f.425)

“Dr. Vaso Çubrilloviqi shkruan: Pas çlirimit (të Kosovës e Metohisë) në vitin 1918, ne mbajtëm ndaj pakicavet kmbëtare një qëndrim shumë zemërgjërë dhe shqiptarët e kanë shfrytëzuar zemërgjërësinë tonë.” (Gj.D: Lexuesi ka mundur ta shikojë konkretisht atë “zemërgjërësi” në shkrimet e mi, botuar para këtij, me numrat nga 7 deri në 14.)

Shqiptarët, hungarezët dhe gjermanët (e Baçkës, Gj.D.), tre grupet kryesorë të pakicavet në Jugosllavi, e kanë humbur të drejtën të vazhdojnë të quhen qytetarët tanë. Ata duhet të largohen nga shteti ynë.” (f.426)

“Mënyrat e sërbizimit të Kosovës e Metohisë të synojnë t’i shmangen konfliktit me Republikën e Shqipërisë. Kërkohet që këtu të veprohet më me maturi dhe më taktikisht se sa në Vojvodinë.” (f.428) (Gj.D: Të vihet re këtu rëndësia vendimtare e shtetit shqiptar.Por edhe veprimtaria subversive, e pandërprerë, ndaj këtij shteti.)

“Të përcaktohet me saktësi se cilët fshatra e rrethe në Sërbinë e Vjetër (Kosovë, Sh.B.) dhe në Maqedoni duhen spastruar.” (f.429)

“Luftërat janë momenti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve (të spastrimit etnik)” (f.429)

“Duhen krijuar kampe përqëndrimi, të konfiskohen pronat dhe, me rastin e parë, familjet e internuara të dërgohen në shtetet e tyre amëtarë.” (f.429)

“Gjatë spastrimit të pakicavet duhet t’u kushtojmë veçanërisht vëmendje inteligjencës dhe shtresavet të pasura.” (f.429)



***

“(Sipas pohimit të Dushan Mugoshës, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Krahina Autonome e Kosovës ka pasur 700000 shqiptarë dhe 100000 (kolonë) sërbë e malazezë” (f.431)

Dhjetë prijësit shqiptarë, vrarë prej bashkëluftëtarëvet të tyre sërbë e malazezë: Emin Duraku, Zenel Hajdini, Hajdar Dushi, Rashid Osmani, Sadik Pozhegu, Xhevdet Doda, Meriman Jakupi (Braha), Emrush Myftari (Është folur për Emrush Myftarin edhe në nr. 14 të kësaj serie shkrimesh. Gj.D.), Shaban Spahija, Abdullah Presheva. (Krs. f. 433-436)

“Në shtator 1944 në Medvegjë zhduken 7 shqiptarë dhe mbesin varrhumbur.” (f.437)

“Në fund të shtatorit 1944 në Gostivar vriten mbi 200 vetë. Në Tetovë vriten 80 vetë, në Derven të Shkupit vriten 200 vetë.” (f.437)

“Në fshatrat e Gostivarit u kthyen ish-nëpunësit e mbretit, të cilët, përveç yllit partizan, çdo gjë e kishin të regjimit mbretëror.” (f.437)

“Në të hyrë të Fushës së Mavrovës, në ndërtesën e një vile mbretërore, të quajtur Sokolski dom, filluan t’i thërrasin gjoja për t’i marrë në pyetje të gjithë ata shqiptarë që ishin pasardhës të rezistencës antiturke dhe antisërbe. Këtu kishte dhoma të tëra të mbushura me shqiptarë.” (Shqiptarë të thirrur ashtu dhe të mbyllur brenda, shumica për të mos u kthyer kurrë më në shtëpitë e veta. Gj.D.) (f.437)

“Në kohën kur xhelatët kalonin në ekstaza nga pijet alkolike dhe mishi i bagëtivet të grabitura shqiptarëvet, fillonin torturat çnjerëzore, për të kënaqur shijet e tyre sadiste.” (f.437)

“ Njëri nga ata që vdiqën nga torturat, ishte edhe Qani Sinani, shtëpia e të cilit kish qenë bazë e Luftës Antifashiste dhe nëna e tij kishte shpëtuar nga vdekja dy partizanë të plagosur, të birin e Bogdan Vellkovisë dhe Seit Dopën.” (f.437)

“Po këtu, (në atë farë vile), Bajazit Verbanit i dogjën sytë me cigare para se ta pushkatonin.” (f.437)

“Këtu janë djegur dhjetëra e dhjetëra shqiptarë të pafajshëm, vetëm se ishin pasardhës patriotësh dhe pse ishin shqiptarë. Ndër ta edhe Asllan Levneva dhe Latif Rimnica.” (f.438)”

“Vende-vende gjendeshin kafka njerëzish. Në pranverë të vitit 1945 është gjetur një varr masiv, zbuluar rastësisht nga dy barinj të vegjël në pyllin me bredha në të hyrë të Fushës së Mavrovës, rreth 200 metra mbi Sokolski dom.“ (f.438)

„Edhe në faqen e një mali, në një bunker italian, midis fshatravet Verban dhe Kishnicë, u gjendën dy skelete të dekompozuar, por që dalloheshin nga rrobat se ishin shqiptarë.“ (f.438)

„Në një vend buzë lumit, te Kroi i Kiçincës, po nga ata dy barinj të rinj u gjetën edhe dy kafka njerëzish, të cilar, punëtori i mirëmbajtjes së rrugës, Jemin Verbani, i varrosi afër kroit.“ (f.438)

„Në katundin Prestevë të Gostivarit, në nëntor 1944, gjithë meshkujt e atij katundi, pa përjashtim, u arrestuan prej oficerëvet të OZN-s dhe u pushkatuan. Nga mesi i tyre shpëtoi vetëm një djalë 14-vjeçar, të cilin plumbat nuk e patën prekur rastësisht. Djali mezi doli prej pirgut të kufomavet që e kishin mbuluar. Kufomat e këtyre shqiptarëve, të masakruar kaq barbarisht, i patën ekspozuar nëpër kodrat e luginat, të pavarrosura ditë me radhë.“ (f.438)

„Gjatë 21, 22, 23 dhe 24 nëntorit 1944... janë vrarë këta persona (në qytetin e Gostivarit, Sh.B.): Abedin Alinafi, Halit Beba, (i cili ka qenë edhe anëtar i Këshillit Popullor-Çlirimtar i qytetit të Gostivarit dhe gjatë luftës kish ndihmuar Lëvizjen Çlirimtare), Sabaudin Beba, Nezir Hamza, Qamil Kalizi me gjithë të birin Ali Kalizin.“ (f.438)

„Më 26 nëntor 1944, në orën 21.30, në Gostivar OZN-a pa asnjë arsye, pushkatoi më shumë se 20 shqiptarë nëpër rrugët e Gostivarit.“ (f.438)

„Në katundin Vrapçisht të Gostivarit u pushkatuan më se 150 vetë. Në katundin Presek, nga fundi i vitit 1944, morën 12 shqiptarë dhe i pushkatuan që të gjithë mu në mes të katundit.“ (f.438)

„Në mbarim të nëntorit 1944, Brigada e 16-të Maqedone, 12 shqiptarë, në postën policore të katundit Zhegë të Gostivarit, pasi i zhveshën, i shpuan me thika e bajoneta dhe pastaj i nxorën jashtë dhe i pushkatuan.“ (f.438)

„Në dhjetor 1944 në Gostivar titistët arrestuan 75 shqiptarë, të cilët i nxorën rrugës dhe arave pa i parë njeri. Të gjithë i pushkatuan në Kodrën e Gradishtit.” (f.438)

“Në katundin Pirok të Gostivarit OZN-a vrau 27 shqiptarë.” (f.439)

“Në kampin e Gostivarit ishin më shumë se 5000 shqiptarë. Në nëntor 1944, brenda një dhjetëditëshi, janë pushkatuar më shumë se 300 vetë.” (f.439)

“Më 17 nëntor 1944, në hangarët e Monopolit të Duhanit në Tetovë, kanë mbyllur më shumë se 10000 shqiptarë, ndërmjet të cilëvet pleq edhe fëmijë. Po asaj nate u pushkatuan rreth 1200 vetë.” (f.439)

“Nga ky vend grumbullimi, njerëzit e OZN-ës morën 500 djem të zgjedhur, i dërguan për në Shkup gjoja për t’u inkuadruar në forcat partizane dhe i zhdukën pa gjurmë.” (f.439)

“Në Gradec të Tetovës njerëzit e OZN-ës vranë 35 vetë, në Nakadinë 18 vetë dhe në Reçicë të Madhe e Reçicë të Vogël vranë 40 vetë. Oficeri i OZN-ës Sergia (ndoshta Sërgja, Gj.D.) vrau me dorën e vet 50 shqiptarë, me urdhër të majorit Strogo.” (f.439)

“Njerëzit e OZN-ës në Dibër të Madhe arrestuan plakun 80-vjeçar Jahja Kaba, babai i Liman Kabës, zv.komisar i batalionit partizan që ish vrarë po atë vit, më 1944. Mbas dy muaj torturash plakun e liruan. Dy ditë më vonë, vdiq si rrjedhojë e torturavet.” (f.439)

“Në Zajaz të Kërçovës, pas malit të Gradinës, ndërmjet Vrapishtit dhe Toplicës, ku të gjithë ishin lidhur nga gjashtë e gjashtë, OZN-a masakroi 320 burra dhe djem të rinj, nga mosha 13 vjeç e lart.” (f.439)

“Nëpër kampe përqëndrimi dhe burgje, përhapej me qëllim shfarosja me anë të sëmundjes bakteriologjike, tifos së morrit. Një rast i tillë ka ndodhur në qytetin e Kërçovës, ku, me urdhër të udhëheqësvet të OZN-s për Maqedoninë, kapiteni Pepe Jovanoski kish krijuar një burg special me sëmundje të tifos së morrit.” (f.439)

“Në rrethin e Shkupit bëheshin shfarosje me egërsi të veçantë. Në fshatin Bojan OZN-a vrau 76 burra, gra e foshnja. Në Bllacë vranë 160 burra dhe 50 fëmijë, ndërsa në Saraje vranë 25 vetë. Krimet në rrrethin e Shkupit ishin nga më të tmerrshmit, duke i djegur njerëzit për së gjalli.” (f.439-440)

“Në vjeshtën e vitit 1944, në fshatin Bllacë, Karadaku i Shkupit, çetniko-partizanët jugosllavë rrethuan fshatin. Nën pretekstin se po i thërrisnin në një mbledhje, morën 127 fshatarë shqiptarë dhe, pasi i lidhën me shokat (brezat) e tyre, te Dëbanat e Toçit, pushkatuan rreth 100 prej tyre. Ndërsa 27 të tjerë i dërguan në Ujët e Thartë, përtej Hanit të Elezit dhe i pushkatuan të gjithë një për një. Dihet se, po nga ky fshat janë pushkatuar edhe 2 fëmijë e 2 gra, njërën prej të cilavet e kanë vrarë në prag të derës. Të dhëna të tjera pohojnë se numri i të vrarëvet ka qenë mbi 170.” (f.440)

“Më 29 nëntor 1944, dy brigada, njëra sërbe tjetra maqedone, të udhëhequra nga ‘komunistët’ si Uroshi i Karadakut, mblodhën 83 shqiptarë të fshatravet Muçbabë, Bukurocë e Keqe, Romatocë, Gosponicë (këtu mbytën një grua), Stanec, Depse, Gruhali, Buricë (një plak me emrin Sinan 80-vjeçar të këtij fshati e masakruan me thika te lugu Vojsavë), Kurbali, Caravajkë, Shurdhan, Sefer, Lozbali, Buhiç etj. Sipas një rregulli të praktikuar, nën pretekstin se kanë mbledhje, me përdhunë tubuan fshatarët dhe aty i lidhën të gjithë me shokat e brezat e tyre. Pastaj kanë thirrë një tupanxhi, më të njohurin e asaj ane, kanë shtruar pije e meze, ndërsa gratë e fshatit i kanë detyruar të vlojnë ujë. Të lidhurit i kanë vendosur në një përrua dhe, për fillim, u kanë lëshuar përmbi kokë ujë të valë. Klithmat e njerëzvet të martirizuar s’ka mundur t’i mbysë as krisma e fuqishme e tupanit. Ato klithma lemeritëse kanë tmerruar gjithë fshatrat përreth. Në fund i kanë pushkatuar gati të gjithë. Një plake ia morën të shoqin, të katër djemtë dhe nipin. Kur e pyetën të zgjedhë njërin prej tyre, ajo zgjodhi dhe e shpëtoi të nipin. Ndër të vrarët ka qenë edhe Rexhep Memishi nga Hysevukët me katër djem në moshë prej 15 deri 25 vjeç. Këta kanë qenë rrogëtarë të Uroshit që janë kujdesur për malin Koporan. Këtë mal ky kriminel ua kishte rrëmbyer shqiptarëvet duke i shantazhuar… Të masakruarit i kanë lënë në përrua. Pas 6 javësh kanë shkuar familjarët e tyre dhe i kanë marrë (skeletet) e kallur në dhe…Disa nga autorët e këtij krimi, kanë bërë më vonë masakra të ngjashme edhe në Kafen e Tozës në Preshevë.” (440)

“Në rrethin e Kumanovës po ashtu OZN-a bëri kërdinë. Në Orizar, ku dhe fashistët bullgarë kishin bërë krime, burrat e mbetur gjallë i vranë të quajturit partizanë të Titos. Kurse në fshatin Sopot vranë 20 burra dhe cënuan nderin.” (f.440)

“Në Preshevë, në fshatin Bukurocë, më 8 nëntor 1944, forcat e OZN-ës i morën nga shtëpitë e tyre 36 vetë me në krye Sali Preshevën, i grumbulluan në një dhomë dhe, pa asnjë përjashtim, i mbytën me ujë të valuar.” (f.440-441)

“Dëshmitari i kohës tregon edhe se: Në fshatin Bukuroca e Keqe të Preshevës, sjellja barbare e shovinistëvet sërbë arriti kulmin. Rrethuan fshatin para mëngjesit, zgjuan banorët, i vunë të hapin bunar (gropë), në thellësinë dy metra i ndaluan punimet dhe njerëzit i larguan prej aty. Në zjarr ishte vënë një fuçi me ujë, ajo po vlonte. Thirrën 27 vetë nga fshati, të moshavet e sekseve të ndryshëm, burra, gra e fëmijë. Ua lidhën duart, ua mbështollën gojët dhe i lëshuan në gropën dy metra të thellë. Nuk vonoi dhe ushtarët e OZN-ës, fuçinë me ujin e vluar e lëshuan mbi 27 vetët. Trupi i tyre u shkri si qiri, aty në atë grope, 300 metra larg në lindje të Bukurocës së Preshevës, jo me 28, por me 29 nëntor 1944, në ditën e çlirimit të Beogradit, e bëri OZN-a këtë hata të zezë mbi shqiptarët. Aty, ndërmjet tyre, u shkri edhe jeta e Mursel Bukurocit së bashku me 7 vetë të familjes, të moshës 10 deri 24-vjeçare.” (f.441)

“Po ashtu, në rajonet e Bujanovcit, ku tinëzisht e ku hapur, zhdukeshin shqiptarët. Në Novoselë të Epërme, brigada e 17 maqedone masakroi shumë vetë. Gjithashtu në fshatin Zarbincë, OZN-a nuk e kurseu bajonetën ndaj shqiptarëvet, bile shprehnin habinë se si mund të kishte shqiptarë në këto anë. Kështu tregon Fazli Ramadani i Novoselës. Në Kafenenë e Tozës, derisa në bodrumet e saj griheshin dhe masakroheshin shqiptarët, të ashtuquajturit komunistë sërbë dëfrenin.“ (f.441)

„Tragjedia përshkonte çdo rreth e komunë. Masakrat pasonin në Zheg të Preshevës e në krejt atë rreth të madh e të fortë. Aty në Zheg i kanë vrarë Salih Fetahun dhe të birin, Murselin, të ardhur nga fshati Kurexh. Pas këtij krimi, janë ngjitur përpjetë te Kurexhët, të parët që i kanë takuar rrugës, Hajrush Kurtishin dhe Zylfi e Nasuf Sejdiun, i kanë vrarë e i kanë lënë në rrugë. Pastaj kanë shkuar te shtëpitë e fshatit, në kodër. Aty i kanë marrë edhe 14 burra. I pesëmbëdhjeti ka qenë i paralizuar. U kanë thënë se po i çojnë në mbledhje, por i kanë çuar te Lisat e Zekbashit. I kanë lidhur me shokat e veta dhe i kanë pushkatuar të 13-t. Njëri ka shpëtuar.” (f.441)

“Emrat e të pushkatuarvet të Kurexhit janë: Dalip Ibrahimi me vëllezërit, Abazin e Arifin, dhe me djemtë, Islamin e Muharremin; Feti e Fazli Ukshini, vëllezër; Ahmet Ahmeti me të bijtë, Sinanin, Jusufin e Jakupin; Xhafer, Rexhep e Qahil Arifi; Bajram Bajrami; Zylfi, Nasuf e Nuhi Sejdiu; Hajrush Kurteshi. Pas 7 ditësh, gratë e fshatit Kurexh kanë shkuar e i kanë marrë kufomat dhe i kanë varrosur në lagjen e poshtme të fshatit… Disa të tjerë prej këtyre familjeve janë marrë më vonë dhe janë çuar në burg, në Preshevë. Aty kanë vdekur prej morravet dhe prej dajakut. Vetëm njëri prej tyre ka humbur dhe s’di askush ç’është bërë me të.” (f.441-442)

“Në rrethin e madh të Gjilanit, vrasësit me uniformën e Titos, therën me thika natën dhe vranë 21 vetë të moshavet të ndryshme, ndër të cilët bujkun e urtë, Sadri Sherifin, si dhe fëmijën e tij 9-vjeçar, Muharremin. Në Sedllar të Kamenicës msakruan egërsisht 3 vetë, kurse në Desivojcë 15 vetë. Po ashtu në Karaçevë, në Lçiç e kudo, vriteshin e mbyteshin në mënyrë shumë të mundimshme shqiptarët, tregon Xhavit Podina. Në fshatin Krajnidell vranë barbarisht 12 vetë, në Koretinë 11 vetë në një familje. Në Nogosht masakruan 16 vetë. Në Lisovicë vranë pa pikën e mëshirës 7 vëllezër, të gjithë ishin muratorë. Hamzën, Qerimin e Ahmetin i çuan në burg shtëpiak ku i torturuan rëndë. Më në fund ua gozhduan duart në dysheme dhe në prani të tyre, dogjën për së gjalli djalin 6-vjeçar, Mursel Qerimin.” (f.442)

“Shaban Shaban Rexhepin, Iljaz Shaban Ramadanin dhe Sulë Ramë Rexhepin, po ashtu i torturuan barbarisht. Shaban Rexhepin e shpuan në hundë dhe e mbajtën të lidhur 24 orë në sheshin e Novoselës te Lisi i Premë. Aty mblodhën fshatarët që u ndodhën nëpër shtëpira dhe komandanti i brigades, i quajtur Kërsto, kërcënoi: Të gjithëvet do t’jua bëjmë kështu! Fjala ishte: Asnjë kundërshtim, asnjë rrebelim, veç nënshtrim e kurrgjë tjetër, përndryshe, kështu do të zhduket fara shqiptare në këto anë të Bujanocit.” (f.442)

“Në nëntor e dhjetor 1944, në viset verilindorë të Kosovës nuk mbeti qendër a fshat pa u prekur nga masakruesit sërbo-maqedonë. Në fshatin e vogël Ponesh të Gjilanit u masakruan 12 vetë njëheresh. Tmerr ishte ngado. Parulla sërbe e ditës ishte: Mos kurseni thikën, kurseni plumbin! Sadistët e Rankoviqit rendnin duke thënë: Thika në mish të huaj nuk dhemb!.. Tani ishin kushte të rinj për t’i maskuar qëllimet e vjetër. Nën etiketën e revolucionit dhe me yll në ballë, gjuheshin shqiptarët si egërsirat në xhunglat e Afrikës së kahmotshme.” (f.442)

“Në fshatin Shahiq të Gjilanit, më 28 nëntor 1944, Sali Shahiqi në shtëpinë e tij i gjeti 12 pjesëtarë familjes të vrarë mizorisht nga brigada sëbo-maqedone. Ato nuk ishin viktima të rastit nga një rrënim, tërmet, ortek, por ishin viktima të genocidit sërbomadh e jugosllavomadh. Fajsia ish vetëm qenia shqiptar. Sali Shahiqi e tregonte shpesh dhimbshëm tragjedinë e familjes së tij: Nuk di si nuk u çmenda kur mbërrita në shtëpi, kur pashë se truelli ishte mbulue me xhenaze pa qefinë. E mbajta veten, trupi m’u shtang, por mendja më punonte: Ajo m’i barazoi Titon dhe Pashiqin. Ky ishte Vëllazërim-Bashkimi i Beogradit! Aty për aty i thashë vetes: Ah, Shqypni, sa e besës i ke ndenjë botës, por sa shumë të kanë tradhtue!..Një për një i kqyra plagët ku i kishin njerëzit e mi, me thikë e me plumba. Trupi m’u ba dru, veç zemra, si ai guri i bricës, gaca po më nxirrte.” (f.442-443)

“Në fshatin Velegllavë të Gjilanit, në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit 1944, u masakruan 35 vetë, ndër ta 7 gra e 2 fëmijë që dihen më konkretisht. Përmendim edhe Idriz Saliun, plakën, 2 nuset dhe 2 fëmijët. Njëra nga nuset ishte shtazënë… Në Caravojkë e Stanevë janë mbytur 75 vetë. Plakut Myftar Hajdari, i cili djalin e kishte partizan, ia prenë gjuhën për së gjalli dhe më vonë e përvëluan me ujë të valuar. Kështu e gjetën edhe Hajdar Hajdari (vëllai i Myftarit), Musë Sherifi, Naim Sherifi… Në fshatin Qarr njerëzit e OZN-s më 5 janar 1945 mblodhën nga shtëpitë e tyre 21 fshatarë dhe i therën me thika që të gjithë. Kufomat e tyre u gjetën të copëtuara, pa hundë, pa sy, pa veshë e pa krahë. Një copëtim i tillë u ishte bërë: Rifat Ademit dhe djalit të tij 18-vjeçar, 2 vëllezërvet Rexhep e Kadri Sherifi, 3 vëllezërvet Latif, Rasim e Qazim Rexhepi, 5 vëllezërvet Zenullah, Habim, Xhemshit, Asllan e Reshit Reshiti.” (f.443)

“Gjatë hyrjes në Gjilan të forcavet jugosllave për herë të dytë, janë pushkatuar përmbi 1000 persona, mes të cilëvet Haxhi Halia, Sinan Shan’ja, Rifat Mala, Rasim Maliqi, Halil Hasani… Oficeri i OZN-s Vllado Popoviqi, pinjoll i dy brezavet që kanë gjakosur shqiptarët, vrarë, shpronësuar e dëbuar me dhunë nga trojet e të parëvet, terrorizonte e drejtonte veprime terrorizues dhe me dorën e tij i kish vrarë 5 shqiptarë.” (f.443)

“Nga dora e shovinistëvet ‘partizanë’ jugosllavë janë vrarë 100 të burgosur shqiptarë gjatë transferimit të tyre prej Kumanovës për në burgun e Vranjës. Në Gjilan shumë net rresht janë pushkatuar pa asnjë procedurë nga 40-50 shqiptarë çdo natë. Me një rast, vetëm brenda një nate janë pushkatuar 140 shqiptarë. Kështu, me rastin e gjoja çlirimit të qytetit (në të vërtetë pushtimit, Gj.D.), mendohet se në rrethinën e Gjilanit janë asgjësuar 8000 shqiptarë. Aty kriminelët më me emër kanë qenë: Sima Miletiqi, Vllado Popoviqi, Ljubo Shatroja.” (f.444)

“Në këtë rreth (në rrethin e Gjilanit, Gj.D.), ka pasur shumë viktima të genocidit sërb. Egërsia ia kalon (shumëfish, Gj.D.) Inkuzicionit mesjetar (si dhe Holokaustit hitlerian, Gj.D.)” (krs.f.444)

„Vranë me trotura çnjerëzore Esat Berishën duke ia çarë barkun... Hasan Busavetën e vranë duke ia prerë copë-copë trupin për së gjalli. Vranë Abdurrahman Prishtinën duke e futur në thes lidhur dhe pastaj rrahur e shqelmuar deri në vdekje. I mbytën natën pa gjyq Alush Hogoshtin, bujk nga Hogoshti, dhe Ramiz Maliqin, tregtar nga Gjilani, duke i mbuluar për së gjalli me dhe.“ (f.444)

„Në Kizhijë janë prerë me bajonetë 8 persona dhe një e kanë djegë në zjarr për së gjalli. Dan Durmishin e kanë mbyllur në shtëpinë e vet të lidhur, i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe është djegur brenda, kurse djalin e të vëllait e kanë prerë duke e parë familja. Aty është vrarë edhe vajza 14-vjeçare, kushërira e tyre.“ (f.444)

„Është e pamundur të paraqesim këtu të gjithë shembujt, aktet dhe ngjarjet e terrorit e genocidit që kanë ndodhur në secilin rreth, krahinë e qytet. Megjithatë po japim disa shembuj nga më tipikët në Rrafshin e Kosovës dhe në Rrafshin e Dukagjinit.“ (f.444)

„Në Polan të Ferizajt janë pushkatuar 28 vetë, në mesin e të cilëvet ka qenë edhe një grua shtatzënë ndërsa po mbushte ujë në oborrin e saj, si dhe një plak 60-vjeçar Ramë Kabashin. Po kështu kanë therur edhe 2 fëmijë, Abdyl Zanin e Ylber Zanin 13-14-vjeçarë.“ (f.444)

„Më tepër se 200 janë pushkatuar në Prishtinë, në vendin e quajtur Tomboçe (Duhet të jetë Tok-baçe, Gj.D.) (f.445)

„Në Mitrovicë janë pushkatuar përmbi 2000 vetë prej qytetit dhe prej katundevet të afërt. Në Vushtrri, brenda në qytet, janë gjetur mbi 400 vetë të vrarë e të therur me bajoneta, pastaj të fshehur nën plehëra e në gropa.“ (f.445)

„Në Skënderaj janë gjetur 250 vetë të çarë me sëpata dhe therur me bajoneta, brenda në burg, e pastaj nxjerrë e hedhur në lumin e Klinës. Të gjithë janë gjetur të lidhur me tela nga pesë, nga gjashtë e nga shtatë së bashku. Në katundin Prekal janë pushkatuar 18 vetë, nga të cilët Ajet Rama me të birin, Hazizin, djali i Ahmet Latifit, 18 vjeç, gruaja e Halil Sejokës vrarë duke marrë ujë në bunar, kurse Kashin Istrefin, Shazivar Aliun, 3 djemtë e Nuredin Prekazit, i kanë djegir të gjallë në zjarr.“ (f.445)

„Në Dubovë kanë pushkatuar Halit Dubovën me 3 djem dhe një fëmijë 13-vjeçar. Në Polac 28 vetë janë pushkatuar, ndër të cilët, Hasan Veliqin që e kanë prerë në qafë me brisk dhe i është gjetur koka 20 metra larg trupit. Ky ka qenë plak 75 vjeç.“ (f.445)

„Për një ditë brenda në qytetin e Prizrenit, muajt e fundit të 1944-s, janë pushkatuar 70 vetë vetëm në mëhallën e Tabhanes dhe janë zhdukur 350 shqiptarë. Bastisjet i tejkalonin ato të kohës së kralit dhe të nazifashistëvet.“ (f.445)

„Ukë Sadria i Dobrovodës (Rahovec? Gj.D.) u zhduk në mister së bashku me dy shokët e tij. Mbytja e tyre qe bërë me tortura. Që të mos u dëgjoheshin britmat, shoqëroheshin me muzikë,” (f.445-446)

“Në dhjetor 1944, në Gjakovë, OZN-a i mbyti duke i përvëluar në zjarr: Ali Saliun, Can Beqën, Shyt Idrizin dhe Haxhë Selmanin. Pas dhjetë ditë arrestimi, të 4 këta persona janë lidhur kokëposhtë rreth zjarrit dhe kështu u ka dalë shpirti.” (f.446)

“Tafë Haxhia, Jonuz Naziri, Xhemë Isufi, Malë Shabani dhe Rustë Kadria, arrestuar nga OZN-a në fund të muajit dhjetoor 1944, janë mbytur në qytetin e Gjakovës brenda në burgun e OZN-s. Janë vrarë me terrakop (me kazëm) dhe, në orët e vona të natës, janë transportuar me qerre te lumi Erenik, ku familjet e tyre, pas dhjetë ditësh, kanë gjetur shenjat.” (f.446)

“Në qarkun e Pejës u masakrua popullsia në përpjesëtime të gjërë. Met Jupin, Bardh Isufin dhe Zenun Fekën i pushkatoi OZN-a. Në katundin Zllakuqan OZN-a arrestoi Tahir Shabanin, të cilin, mbasi e torturoi, e pushkatoi. Bashkë me këtë është pushkatuar edhe Shaqir Dema nga Lubeniqi, pranë Kafes Konzull.” (f.446)

“Në një natë dimri, kur kishte nisur viti 1945, pas një rrethimi dhe bastisjeje që iu bë fshatit Novoselë të Pejës, një nëne shqiptare i mori OZN-a dy djemtë. Njëri, Shabani, posa ishte kthyer nga kampi hitlerian, ku kishte lënë 4 vjet rini, i dyti përgatitej të shkonte ushtar atë ditë. Nëna kërkoi që së paku Tahiri, ai që do të shkonte ushtar, të mos merrej. Por OZN-a ia mori të dy djemtë, për të mos u kthyer më kurrë. Fshati u plaçkit, me pasuri e bagëti, në fund u dogjën shtëpitë, brenda tyre edhe qentë e lidhur.” (f.446)

“Istogu i Pejës ishte një nga vatrat ku terrori bëri kërdinë. Aty ku buron lumi i Istogut, të gjithë të pushkatuarit u hodhën në një gropë. Ishin aq shumë të vrarë e të masakruar, sa u qelb uji e as kafshët nuk e pinin për një kohë të gjatë… Në fshatin Muzhevinë, komuna e Istogut, në oborrin e Rexhep Halitit, mu buzë rrugës, janë varret e një familjeje 13-pjesëtarëshe, ndër ta edhe një vajzë 6 vjeçe, të cilën më 22 dhjetor 1944 e pushkatuan te pragu i derës...” (f.446)

***

Më thoni tash, ç’ka bërë pjesa e mirë e këtij kombi (mbetur gjallë), lidhur me masakrat që u janë bërë shqiptarëvet nga viti në vit e nga dekada në dekadë?! Sa libra ka botuar pjesa e mirë e kombit shqiptar për masakrat që u janë bërë shqiptarëvet? Librat që janë shkruar e botuar për këto masakra, sa shqiptarë që dinë të lexojnë, nuk i kanë lexuar? Pjesa e mirë e këtij kombi, sa herë në vit organizon tubime përkujtimorë lidhur me këto masakra? Sa herë në vit mblidhen atdhetarët korçarë, elbasanas, fierakë, durrësakë, lezhjanë, tiranas, shkodranë, ulqinakë, tivaras, paramithiotë, prevezarë, preshevarë, shkupjanë, tetovarë, gjakovarë, pejanë, prishtinas, ferizajas, prizrenas, tropojanë, kuksianë, malishevas, gjilanas, vlonjatë, përmetarë, mirditorë, jo të gjithë në një vend, por atje ku janë, në qytetet dhe katundet e tyre, për të përkujtuar mynxyrat që i kanë ndodhur këtij kombi?!

A mund ta këshillojë dikush kombin shqiptar që, “për hir të fqinjësisë së mirë”, t’i harrojë këto ngjarje?! Madje, edhe nëse vetë shqiptarët janë aq të cekët dhe aq të pakarakter, sa të mos duan të preken fare nga një e tillë histori e tyre, organizmat ndërkombëtarë që merren me çështjet e humanizmit, vetë sektorët përkatës të OKB-së, kryeqendrat e religjonevet, ortodokse, myslimane, katolike, të cilat e kanë traditë t’i përkujtojnë të vdekurit, veçanërisht viktimat e pafajshme, nuk duhet, as t’i lënë në harresë, as t’i anashkalojnë pa i përkujtuar të këtilla ploja të pashembullta në historinë gjithnjerëzore.

Të këtilla mynxyra nuk mund dhe nuk duhet të harrohen!

Gjokë Dabaj, Durrës 22 maj-11qershor 2020.

***

DOSJA K - MASAKRAT E KOMUNISTËVE NË KOSOVË

https://www.youtube.com/watch?v=l3Wvh7yNuBY&feature=emb_title

____________________

GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITET 1941 - 1944

http://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10159


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks