SHKRIMI
e shtunë, 15 maj 2021

LUTFI DËRVISHI: BARDHOSH GËRVALLA - BESNIKU I KOSOVËS

Pashtriku, 19 mars 20201: Në fshatin Untergrupenbah afër Shtutgartit të Gjermanisë, mbi varrin e një të riu shqiptar 31 vjeçar gjendet ky epitaf: “Këtu prehet dhe pret një ditë Besniku i Kosovës”. Mbase do të mjaftonin këto dy radhë për të shprehur dramën e këtij të riu, të cilën në njëfarë mënyre e përjeton sot Kosova, me të vetmin ndryshim që dita e shumëpritur sot duket më e afërt se kurrë. Është fjala për Bardhosh Gërvallën, djalin e tretë të familjes Gërvalla, jeta e të cilit mbetet ndoshta unike për nga rastësitë e mbrapshta që e ndoqën qysh para lindjes. E ndoqën gati gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër e nuk iu ndanë as pas vdekjes. Vjen në jetë më 1951 i pagëzuar me emrin e babait të tij, Bardhoshit, i cili kishte vetëm dy javë që kishte mbyllur sytë.

Për shkak të marrjes së tokës nga një kolon malazez, familja e tij largohet nga Duboviku i komunës së Deqanit dhe shkon në Jesenicë të Sllovenisë. E ëma punon si pastruese, por të ardhurat e saj janë mjaft të pakta, e për të plotësuar diçka futet në punë në moshë të mitur edhe i vëllai Hyseni.

Në Jesenicë Bardhoshi merr shkollimin fillor e të mesëm në shkollën sllovene dhe një shkollë për kuzhinier. Në Universitetin e Kosovës studion anglishten, por nuk arrin t’i mbarojë studimet. Ushtrinë e bën në marinë. Pasioni kryesor i rinisë së tij mbetet kitara dhe mësimi i gjuhëve të huaja.

Në moshën 23-vjeçare, më 1974, shkon në Gjermani si emigrant, ku sistemohet në një zyrë për punë sociale me të huajt. Këtu ai shfrytëzon veçanërisht aftësinë që kishte në zotërimin e gjuhëve të huaja (gjermanisht, anglisht, italisht, serbokroatisht, sllovenisht, danisht, maqedonisht) për të ndihmuar mërgimtarët shqiptarë nga Jugosllavia. Bardhosh Gërvalla dhe numri i tij i telefonit 26 091 në një zyrë në qytetin Ludvigsburg të rajonit të Virtenbergut shpejt u bë i njohur për mërgimtarët në Gjermani, të cilët ai i udhëzonte, u zgjidhte probleme të ndryshme juridike e sociale nga kodi i punës së të drejtave që u garantonte ligji gjerman. I papërtuar ishte Bardhoshi si për probleme të mëdha (gjyqet) ashtu edhe për formalitete të vogla (përkthime zyrtare pune etj.). Ai, megjithëse pa diplomë avokati, do të fitojë mjaft gjyqe kundër firmave të ndryshme gjermane në favor të punëtorëve shqiptarë nga Kosova.



Bardhosh Gërvalla 


Bardhoshi krahas punës së madhe, ishte tepër i angazhuar edhe në politikë, i njohur me pseudonimin Besniku. Që më 1977 bëhet anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, e më pas sekretar i degës së saj për RF të Gjermanisë. Zyrën e tij ai e shndërroi në një zyrë për informata të ndërsjella duke kryer aktivitete shumë të suksesshme për Lëvizjen. Bardhoshi bashkëpunoi me organizata ndërkombëtare të punës dhe institucione të ndryshme qeveritare e joqeveritare. Kishte një bashkëpunim të regullt me Amnistinë Internacionale, së cilës i siguroi një mori dokumentesh autentike për të dënuarit politikë shqiptarë në Jugosllavi. Gjatë vitit 1981 së bashku me të vëllanë Jusufin, Kadri Zekën e shokë të tjerë u gjendën në ballë të protestave e demonstrimeve të mërgimtarëve në ndihmë e përkrahje të Kosovës për të fituar statusin e republikës. Në mënyrë aktive Bardhoshi shfrytëzoi aftësitë e tij si njohës i gjuhëve të huaja për t’ia bërë të njohur opinionit publik ndërkombëtar kërkesën e drejtë e të pamohueshme “Kosova Republikë”, që u shpreh në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981, si dhe krimet e ushtrisë e të policisë serbe mbi popullsinë e pafajshme të pambrojtur shqiptare.

Puna e shumëllojshme dhe e rëndë, gjendja e tij shëndetësore (për shkak të një tumori në kokë duhej të operohej në çdo pesë vite) nuk i dhanë mundësi që ai të shkruante aq shumë në shtypin ilegal, megjithatë e provoi me shumë sukses penën e tij në gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Kosovës” dhe “Lajmëtari i Lirisë”. Kjo e fundit botohej ilegalisht nën kujdesin e Jusuf Gërvallës për shqiptarët në mërgim e për LNÇKVSHJ-në dhe ishte pa kurrfarë fitimi financiar, pasi shpërndahej ilegalisht dhe falas. Që të siguronte fondet e nevojshme për shtypjen e saj, Bardhoshi punonte edhe me kitarën e tij duke kënduar mbrëmjeve së bashku me një grup të rinjsh gjermanë, ndonjëherë deri në orën tre të mëngjesit, por “Lajmëtari i Lirisë” doli vetëm tre numra. Atentatorët kriminelë të UDB-së më 17 janar 1982 qëllojnë mbi tre lajmëtarët e lirisë. Nuk mjaftohen me këtë, por policia jugosllave nuk i lë të qetë edhe pas vdekjes. Për tri javë qëndrojnë në morg në pritje të lejes për t’u varrosur në Kosovë e cila nuk u dha. Dy muaj pas vrasjes së Bardhoshit lind vajza e tij Bardha. Sot, dhjetë vjet më pas, ne shohim se s’mundet e nuk do të mundet më asnjë forcë të pengojë shqiptarët që edhe ata si të tjerët të shohin ditë të bardha.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks