DR.JAKUP KRASNIQI: NË 100 VJETORIN E KUVENDIT TË JUNIKUT (21 – 25 MAJ 2012)

(Pashtriku.org, 27. 05. 2012) – Ky përvjetor i rëndësishëm i popullit shqiptar, Kuvendi apo Besëlidhja e Junikut, e 21 majit 1912, pra këtu e 100 vjet më parë, na nderon për t’i thënë disa fjalë për historinë e besëlidhjeve shqiptare, të cilat fillin e kanë në 2 marsin e vitit 1444, kur feudalët shqiptarë të prirë nga Skënderbeu formuan një Besëlidhje që në historinë tonë e njohim si Kuvendi (Besëlidhja) e Lezhës. Kishte më shumë se dy shekuj që kishte nisur rrugëtimin e saj klasa e fisnikëve të Arbërisë (Shqipërisë), por ishte penguar nga perandoritë sllave (serbe e bullgare) të kohës e më pastaj edhe nga perandoria e përmasave botërore, siç ishte ajo Osmane, e cila do t’i rrezikonte të gjithë marrë së bashku.

________________________________________

Skënderbeu, duke qenë njohës i mirë i fuqisë së organizuar osmane, pas shkëputjes së suksesshme nga padishahu, në shembullin e përvojës së fituar në kuadrin e Perandorisë Osmane, bëri përpjekje për të formuar një lidhje të fuqishme krishtere, pra përtej etnisë shqiptare, e cila ende vazhdonte të njihej me emrat albanas, epirotas dhe maqedonas, pra ende nuk e kishte kristalizuar emrin shqiptar të përkatësisë. Rrethanat e kohës në Ballkan dhe në Evropë (për shkak të luftërave feudale), nuk mundësuan krijimin e një besëlidhjeje përtej asaj që e arriti Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Lezhë. Edhe ky bashkim, ndonëse jo i përmasave të mjaftueshme në kohë e hapësirë, pati rezultatet dhe pasojat e tij, ndonëse historisë i prodhoi lavdi dhe mundësi për rilindjen e kombit shqiptar në shekullin XIX.

BESËLIDHJA E LEZHËS – 2 MARS 1444.

___________________________________________

Shekulli XIX është shekulli i formimit dhe i bashkimeve të kombeve të ndryshme në Europë e në Ballkan, është edhe shekulli i formimit të kombit shqiptar, ndonëse ky i fundit pat specifikat e tija të veçanta, që i shkaktuan vështirësi të shumta të cilat vijnë deri në ditët tona. Në vitet e fundit të pjesës së parë të shekullit XIX, sipas Thimi Mitkos, ishte siguruar “ringjallja e përgjithshme kombëtare”. Kombi ynë, në rrugën e konsolidimit të tij, nuk pati vetëm vështirësinë e sundimit osman, i cili sundim shqiptarët i konsideronte qytetarë osman, përmes të cilëve synonte t’i ruajë tokat në Rumeli, pra i shihte si rrezik për islamin dhe perandorinë pasi ndjenjat kombëtare mund të shfaqeshin edhe te popujt tjerë të perandorisë, por edhe me Patriarkanën Ortodokse të Stambollit, e cila shqiptarët e besimit ortodoks i trajtonte si grekë dhe kërkonte nga Porta e Lartë që të pengonte përhapjen e shkollave shqipe. Një pozicion më të favorizuar për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e hapura brendapërbrenda kishave e kishin shqiptarët e besimit katolik. Të gjitha këto pengesa po ndodhnin në kohën kur në Perandorinë Osmane shqiptarët vazhdonin të mbanin pozita të larta shoqërore. Por, në pjesën e dytë të shekullit XIX, personalitete të larta shqiptare të shtetit, si Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini e Ismail Qemali, etj., duke parë rrezikun që po u vinte trojeve shqiptare dhe kombit shqiptar shtuan intensitetin e punës për lirinë e të drejtat e kombit shqiptar, fillimisht për gjuhë e shkollë shqipe, për të kaluar më vonë në kërkesën politike për një komb e një shtet autonom shqiptar në Ballkan. Kulmi i kërkesave politike do të arrihet në vitet 1878 – 1881, kur shqiptarët shpalosën të gjitha format e luftës politike kombëtare.

BESËLIDHJA E  LSH TË PRIZRENIT – 10 QERSHOR 1878.

___________________________________________

Pas përpjekjeve të shumta brenda e jashtë atdheut, deri edhe në Stamboll, u shtruan kërkesa të shumta të cilat do të formëmësohen në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qershor të vitit 1878, kur më 10 qershor u formalizuan kërkesat e kombit shqiptar përmes përfaqësuesve të mbledhur në Kuvendin e Prizrenit. Edhe pse Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha, sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, arritën të thyejnë kryengritjen e shqiptarëve për shtet autonom, që shkonte deri në pavarësim politik nga Perandoria Osmane. Kryengritja e shqiptarëve u arrit të thyhej, por nuk u thye asnjëherë lufta e shqiptarëve për gjuhë, shkollë, komb e shtet të pavarur. Këtë e dëshmuan edhe vitet e para të shekullit XX. Në shekullin e ri, kërkesat e shqiptarëve u kapitalizuan në vitet 1908 – 1912, me krijimin e shtetit shqiptar – Shqipërisë londineze, të njohur ndërkombëtarisht në Konferencën e Parisit 1919, pas mbështetjes së fuqishme që morën shqiptarët nga Presidenti i SHBA-ve, Uillson.
Pa dyshim, pranvera e vitit 1912 ishte një paralajmërim i ri i një moti sa të lavdishëm e heroik, aq edhe të dhimbshëm e tragjik për më shumë se gjysmën e kombit shqiptar. Megjithëkëtë, njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar mbetet njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar dhe si e tillë u trajtua nga të gjithë shqiptarët, kudo ku ata jetuan. Sepse, aty ata, shqiptarët, në një mot të mirë, apo të vështirë e të ligë e kishin besimin dhe shpresën që s’u veniten kurrë. Këtë virtyt të shqiptarëve ndër vite e shekuj, vendimmarrësit e sotëm të politikës shqiptare duhet ta kenë në mendje, në zemër e shpirt në çdo kohë të ditës dhe kudo që gjinden.
Kuvendi apo Besëlidhja e Junikut
Pas Besëlidhjes së Lezhës së 1444-tës, të Prizrenit të 1878-tës, Besëlidhja e Junikut e 21 majit të 1912-tës do të shënohet jo vetëm si ngjarje që i parapriu Kryengritjes së Përgjithshme Çlirimtare të Shqiptarëve, por edhe si një nga ngjarjet më të mëdha që i parapriu Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912 në Vlorën e Flamurit të Skënderbeut. E them këtë si rikujtim për gjithë shqiptarët kudo që janë, kudo që qeverisen a qeverisin, se ngjarjet më të rëndësishme të kombit që çuan në aktin madhor dhe të pashmangshëm të 28 nëntorit 1912, kanë ndodhur jashtë Shqipërisë së sotme, e njohur më pastaj si Shqipëri londineze. Shqipërinë londineze nuk duhet parë si krijesë të Konferencës së Londrës së vitit 1913, por si një krijesë të padrejtë që përgjysmoi dhe robëroi më shumë së gjysmën e tokave shqiptare dhe të kombit shqiptar. Kjo duhet të na frymëzojë gjithmonë, gjithkund dhe çdoherë të kemi në mendje e në zemër aspiratën për Shqipërinë Etnike. Këtë e dëshmojnë luftërat e pareshtura dhe flijimi i brezpasbrezshëm, ndaj është detyrë parësore jona për sot e për nesër për tërësinë e vendit të të parëve, hiç më pak sesa ajo që u përket sot e gjithmonë në këto troje Iliro-Arbëroro-Shqiptare. Le ta themi qartë, pra, se Shqipëria e 28 Nëntorit 1912 dhe Kosova e 17 shkurtit 2008 janë vepra të vetë shqiptarëve, rezultat i aq luftërave, i kaq shumë gjaku të derdhur, i një vetëflijimi të paparë brez pas brezi, përndryshe askush nuk do të kishte as vullnetin, as mirësinë për të krijuar dy shtete shqiptare në Ballkan, ndonëse, duhet thënë këtë, ndër shqiptarë, por edhe gjetkë, shpesh këto vepra madhore të kombit i kërkojnë jashtë shtratit të lindjes së tyre. Natyrisht, kur e them ketë, nuk mohoj rolin e mbështetësve të jashtëm, që kanë lehtësuar në njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, përkatësisht, vazhdojnë të ndihmojnë në njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Konkluzioni tjetër na çon në përfundimin se ashtu sikundër të tjerët nuk mund ta bëjnë historinë, ata as s’mund ta shkruajnë atë.

_____________________________________

Pranvera e vitit 1912 filloi me kryengritje. Ajo nisi në Gjakovë e në Malësinë e saj nën udhëheqjen e Mahmut Zajmit e trimave të tjerë të Malësisë së Gjakovës, për t’u shtrirë orë pas ore e ditë pas dite në gjithë Shqipërinë e katër Vilajeteve. Në këtë kohë në Shqipëri gjendej ministri i brendshëm osman, Haxhi Abdi beu, për të bërë reforma, por edhe për t’i mbështetur kandidatët e Komitetit “Bashkim e Përparim” për deputetë të parlamentit osman. Këto reforma Luigj Gurakuqi i quante “shtypje dhe shtrëngime të reja që ndezën një zjarr të ri” në Shqipëri. Duhet të themi se shqiptarët nuk mund ta shmangnin luftën, sa liridashëse, aq të imponuar, sepse ajo ishte diga e vetme para vërshimeve të ushtrive shoviniste të shteteve ballkanike që kërkonin copëtimin e trojeve shqiptare, të cilat i konsideronin toka të Perandorisë Osmane. Por, para se të ndodhte kjo, shqiptarët duhet të shkëputeshin nga Perandoria Osmane për të dëshmuar se ishin komb i veçantë e ndër më të vjetërit në Ballkan. Shqiptarët ishin të vetëdijshëm për rreziqet që mund të sillte lufta shqiptaro-osmane, por alternativë tjetër nuk u kishte mbetur, meqenëse përpjekjen e fundit për t’iu shmangur kësaj lufte e kishte bërë Hasan Prishtina në janar të vitit 1912, kur i kishte kërkuar ministrit të jashtëm të Perandorisë Osmane, Asim Beut se ishte në interesin e shtetit osman që qeveria t’i deklaronte zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë. Xhonturqit nuk e pranuan këtë kërkesë të arsyeshme e largpamëse të shqiptarëve, të cilën në fund të shekullit XIX e kishte formuluar bukur Samiu ynë i madh: “Duhet një orë më parë të ndahet Shqipëria e të dihet që ku e gjer ku është. Të njihet vendi ynë për Shqipëri, ta njoh edhe Evropa Shqipëri”. Pas këtyre përpjekjeve të përqendruara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, lufta shqiptaro-osmane ishte e pashmangshme. Kjo bëri që të gjitha komitetet e fshehta, brenda dhe jashtë atdheut filluan organizimin, furnizimin e luftëtarëve për Kryengritjen e Përgjithshme Antiosmane. Përveç komiteteve që merreshin për organizimin e Kryengritjes në Kosovë, me organizimin e çetave merreshin edhe komitetet e Manastirit e të Korçës, të Çamërisë e të Vlorës, të Dibrës e të Elbasanit e të pjesëve të tjera të Shqipërisë së kohës. Në veprim u vunë të gjitha kolonitë shqiptare nga Sofja e Bukureshti, Kajroja e ato në SHBA, sepse secila syresh, me mundësitë e veta ishin vënë në shërbim të atdheut. Në një situatë të tillë shpërthyese, xhonturqit u përpoqën edhe ta likuidonin organizatorin kryesor të kryengritjes, Hasan Prishtinën, por nuk ia arritën qëllimit. Këtë përgjegjësi, përgjegjësinë e udhëheqësit të Kryengritjes Antiosmane, Hasan Prishtinës ia kishte ngarkuar Mbledhja e Deputetëve Shqiptarë, e mbajtur më 12 janar 1912 në lagjen Taksim të Stambollit, aty ku udhëheqësit shqiptarë të kryengritjes i kishin ndarë detyrat e tyre pë veprim të mëtutjeshëm.

ISMAIL QEMALI NË VLORË – 28 NËNTOR 1913.

__________________________________________

Pas përpjekjeve të Hasan Prishtinës për të gjetur mbështetje për kryengritjen antiosmane nga Britania e Madhe dhe Austria, ai kontaktoi konsujt e atyre vendeve në Shkup, bisedoi edhe me Lëvizjen maqedone për çlirim për bashkërendim të aksioneve të përbashkëta luftarake, por te asnjëra palë nuk hasi ndonjë mirëkuptim substancial. Shqiptarëve s’po u mbetej tjetër veçse mbështetja dhe mobilizimi i faktorit të përgjithshëm kombëtar që kishin në disponim. Në fillim të majit 1912, Hasan Prishtina vjen në Kosovë për të organizuar Kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të njohur edhe si kryengritje antiosmane dhe menjëherë vihet në veprim. Hapi i parë që duhej të bëhej ishte bashkimi i forcave kryengritëse rreth një qendre udhëheqëse brenda vendit dhe kjo u arrit në Kuvendin e Junikut, i cili sipas dëshmive të kohës arriti t’i bashkojë më se 250 krerë nga treva të ndryshme të Shqipërisë. Kuvendit të Junikut i kishin paraprirë disa kuvende lokale në të cilat kryengritësit ishin betuar: “Bâjm’ be dhe japim besën e burrave, se kemi me bâ çfarëdo flije e në koftë nevoja kemi me i bâ kurban me duert tona robt e fëmijt tanë”. Kuvendi apo Besëlidhja e këtyre besëlidhjeve lokale duhej të mbahej në Junik nga 21-25 maj të vitit 1912, aty ku duhej të nënshkruhej betimi dhe të merreshin vendime të rëndësishme për fatet e ardhshme të kombit e të atdheut. Këto vendime duhej ta përmbyllnin kryengritjen e përgjithshme me fitoren e plotë kombëtare, duhet të krijonin perspektiva të reja për Shqipërinë dhe popullin e saj.
Perandoria Osmane nuk kishte lënë gur pa lëvizur për të penguar si Kuvendin e Junikut ashtu dhe kryengritjen e armatosur të shqiptarëve, qoftë me ushtri apo edhe me sejmenët e saj të ndryshëm të infiltruar në radhët e atdhetarëve të ndryshëm, që kishin marrë për sipër realizimin e qëllimit të shenjtë, çlirimin e atdheut dhe krijimin e shtetit autonom shqiptar në Ballkan – Shqipërinë. Pas bisedimeve të shumta në të cilat morën pjesë krerë të dalluar e të dëshmuar të Lëvizjes Kombëtare, hartuan Programin politik të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, i cili nuk pati ndryshime nga Programi i Librit të Kuq të Gërçës i hartuar një vit më parë nga Ismail Qemali. Në fakt, programi tregonte për unitetin gjithëkombëtar që ishte arritur në gjithë hapësirën ku jetonin shqiptarët. Kërkesat më të veçanta të këtij programi ishin: njohja e autonomisë së Shqipërisë, përdorimi i gjuhës shqipe në administratë, përdorimi i alfabetit kombëtar (fjala ishte për alfabetin e Manastirit), ngritja e flamurit kombëtar në gjithë vendin, emërimin e një stërnipi të familjeve “princore” shqiptare si guvernator të përgjithshëm dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave. Këto vendime iu paraqiten edhe Portës së Lartë.
Pas Kuvendit të Junikut, para atdhetarëve kudo që gjendeshin shtrohej si detyrë jetësimi i programit politik për të cilin ishin marrë vesh që ta realizonin. Ndërsa, udhëheqësi i saj, Hasan Prishtina do të hartojë një shpallje në gjuhën turke dhe gjuhë të tjera, me të cilën u drejtohej “Shqiptarëve liridashës dhe botës së qytetëruar”, në të cilën theksonte se shqiptarët “pas përpjekjeve të pafrytshme për sigurimin e të drejtave kombëtare me mjete ligjore, përmes zbatimit të kushtetutës, shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër veç asaj të rrëmbimit të armeve. Është momenti kur vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose liria e saj”. Thirrja përfundonte me një profeci profetike, dhe kjo profeci ndodhi më 28 Nëntor 1912 kur Shqipëria u be: “…më vehte, e lirë dhe e mosvarme”!

Kështu, vendimet e Kuvendit të Junikut i dhanë fuqi Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, e cila brenda pak ditësh u përhap në gjithë Shqipërinë për të shkuar drejt 28 Nëntorit të lavdisë së brezit të pavarësisë së Shqipërisë. Në vitin 1913, ishte vendimi i Fuqive të Mëdha të Evropës që e bëri Shqipërinë, Shqipëri londineze, Shqipëri të përgjysmuar me më shumë shqiptarë të robëruar në tokën e tyre stërgjyshore.
*) Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

____________________________
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura