HAZIR MEHMETI: PROMOVIM DHE LEXIM LETRAR I AUTORËVE SHQIPTAR E AUSTRIAK, NJË HAP AFIRMATIV KULTUROR

Vjenë, 08. 05. 2014 – Më 5 maj 2014, në Qendrën Ndërkulturore (IZ) në Vjenë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” me seli në Vjenë – organizoi Promovim dhe lexim letrar nga autorë shqiptar e austriak. Z. Peter.P.Waplinger, poet i njohur austriak: “…dosja e 100 të burgosurve politik shqiptarë në vitin 1963/64… libri që nuk lexohet s’ka vlerë”. Roland Bimo: ” …ne duhet të punojmë në afirmimin tonë si europian…”, z.I.Lladrovci: “Austria historikisht i ka përkrahur shqiptarët…” …veprat “Iliricum” dhe “Shenja jete”.
Në këtë mbrëmje ishin prezent edhe mysafirë që nderuan programin, si: z. Gjergj Dedaj, zv.Ministër për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës; z.Roland Bimo, ambasador i Shqipërisë në Austri; Atasheu ushtarak i Shqipërisë pranë OKB në Vjenë z. Dede Prenga, z.Imer Lladrovci, konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri. Programin e udhëhoqi me shumë sukses në të dy gjuhët (shqip – gjermanisht) moderatorja Jehona Muja-Sukaj.

Moderatorja e mbrëmjes letrare, Jehona Muja-Sukaj.

Tubimin e hapi nikoqiri, drejtori i Qendrës Ndërkulturore (IZ) Mag.Gerhard Moßhammer. Ai mes tjerash tha: “Në qëllimin tonë qëndron jeta e përbashkët e kulturave të ndryshme, të mësojmë nga njëri tjetri, këtu ne jemi të hapur për aktivitete të ndryshme nga të gjitha shoqatat e kombeve të cilat jetojnë në Austri. Jam i gëzuar që sot gjendemi në këtë paraqitje programore. Tani kemi përvojë nga projektet që kishim në Shqipëri dhe Kosovë, projekte arsimore ndërkombëtare në Europë me çka kemi synuar që të takojmë të rinj dhe të shkëmbejmë përvoja. Kultura dhe arti janë metodat tona të takimit të të rinjve, shkëmbimet mes tyre janë rrugëtimi ynë. Jam i gëzuar që sot këtu do të prezantohen libra dhe lexohen poezi”.
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, përshëndeti z.Besim Xhelili, kryetar. “Ne që tre vite jemi munduar me aktivitetet tona të prezantojmë një pamje tjetër nga ne, të prezantojmë vlerat tona letrare dhe kulturore, para mërgimtarëve tanë dhe para vendasve. Na vjen mirë të shohim veten si pjesë konstruktive e shoqërisë ku jetojmë dhe të japim kontributin tonë në të gjitha sferat e jetës.“

Ambasadori i Shqipërisë në Austri z.Roland Bimo.

Roland Bimo: “Vet prezenca ime sot këtu në emër të ambasadës së Shqipërisë e tregon sa shumë rëndësi ka promovimi i librit dhe leximi letrar. Ne duhet të punojmë në afirmim si europian që jemi, në ngritjen e imazhit tonë”.
Z.Imer Lladrovci në fjalën e tij mes tjerash tha: ”Shpresoj se aktivitete të tilla kulturore do të mbahen gjithandej Austrisë ku ka shqiptarë në promovimin e vlerave kulturore. Austria historikisht i ka përkrahur shqiptarët. Diaspora gjithmonë ka luajtur rol me rëndësi në çështjen kombëtare dhe disa herë ka marrë vendime me rëndësi. Tani kemi mundësi më të mëdha që t’i bashkojmë idetë dhe veprimet si individ dhe si grup kudo që ka shqiptarë në botë. Një mbrëmje e tillë tregon se shqiptarët janë mirë të organizuar dhe kanë traditë, janë një komb i vjetër në Ballkan dhe padrejtësisht janë ndëshkuar”.
Z.Anton Marku prezantoj antologjinë “Iliricum” në gjuhën gjermane. “Para dy vjetëve, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar krahas botimit në gjuhën shqipe “Iliricumi” botohet edhe në gjuhën gjermane, ku janë të prezantuar 26 autorë shqiptarë, të cilët vijnë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët”. Më tutje ai analizoi përmbajtjen dhe motivet e krijuesve të shumtë nga radhët e poetëve, shkrimtarëve, publicistëve, piktorëve, skulptorëve e studiuesve të fushave të ndryshme.

Konzulli i Kosovës në Austri z. Imer Lladrovci,

Poeti i njohur austriak z.Peter Paul Wiplinger prezantoj librin e tij “Lebenszeichen”, “Shenja jete” i përkthyer në shqip nga Ferdinand Laholi. Z.Wiplinger është njëri ndër shkrimtarët më të njohur në Austri, hapësirat gjermanofolëse dhe më gjerë. Ai përshëndeti stafin diplomatik, organizatorët. Mes tjerash shtoi: ”Jam tani e 25 vjet në kryesinë e Lidhjes për Mbrojtjen e Interesave të Autorëve në Austri e cila ka 2500 autorë/e. Që nga fillimi kam iniciuar grupin për platformën e cila do mblidhte autorët që krijojnë në gjuhët tjera nga grupet etnike autoktone – sllovenët, kroatet, hungarezët, çekët, sllovakët dhe krijuesit të tjerët dhe secila gjuhë është përfaqësuar. Për mua ishte me rëndësi që të ndihmoj komunikimin e atyre që shkruajnë në gjuhën gjermane dhe atyre që shkruajnë në gjuhët tjera. Kjo është një çështje politike kulturore e aktivitet kulturor. Me këto funksione që kisha, pata marrëdhënie të mira edhe me Ministrinë e Mësimit e Kulturës dhe Ministrinë për Çështjet Europiane – të jashtme. Në emër të lidhjes ju përshëndes dhe ju uroj sukses. Nisur nga platforma jonë z. Xhelili e kam propozuar dhe tani është anëtar edhe i Lidhjes sonë dhe të premten që vjen, pas bisedës me ju, do ta diskutojmë në kryesinë tonë çështjen anëtarësimit të të gjithë krijuesve nga radhët e Lidhjes së Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Lidhjen tonë si pjesë e autorëve në Austri. Unë shpresoj në thellimin e bashkëpunimit mes dy Lidhjeve tona”. Ai foli edhe lidhur me aktorin e madh Aleksandër Moisiu, i cili që kur e kishte dëgjuar nga disku me zërin e tij të ruajtura akoma, e kishte impresionuar shumë. “Unë në vitet 1963 dhe 1964 isha në Kosovë dhe në regjionet shqiptare në Shkup, Strugë, Tetovë dhe nga ato udhëtime lindi roli ndërmjetësues mes kulturave. Për mua ishte shumë e rëndësishme njohja me disa personalitete shqiptare, ndër ta ishte Ibrahim Rugova me të cilin u takova disa herë në Slloveni dhe një herë në Vjenë dhe me poetin Ali Podrimja.

Peter Paul Wiplinger, autor i vëllimit poetik “Shenja jete” (Lebenszeichen).

Një ngjarje tjetër lidhur me Kosovën ishte Dosja e personaliteteve shqiptare që ishin në burgje, të dënuar politik në Prishtinë të cilën e morra, ku ishin përveç emrave të viktimave edhe emrat e xhelatëve të tyre. Këtë dosje lidhur me keqtrajtimet e mbi 100 personaliteteve të burgosur dhe izoluar shqiptarë ia dorëzova Dr.Alois Mock-ut, atëherë ministër i punëve të jashtme të Austrisë. Atëherë ishte ministër i ish Jugosllavisë Llonçar, i cili i hedhë poshtë të gjitha ato fakte mbi keqtrajtimin dhe burgosjen e shqiptarëve. Në atë kohë i thash ministrit Mock, zoti ministër, kur të bisedoni herën tjetër mbi këtë temë, i tregoni atij zotërisë (Llonçar) se ne dimë të dallojmë propagandën, gënjeshtrën dhe të vërtetën, ju lutem ia jepni këtë dosje me fakte. Unë jam ulur këtu dhe jam një poet politik dhe e kuptueshme një njeri politik. Disa poetë që shkruajnë çka do dhe sa për një karrierë për mua janë të pakuptimtë. Çdo libër i pa lexuar është pa vlerë. Libri kërkon lexues, kërkon mendimtarë kritik, kërkon reklamues, dhe ne jemi reklamues dhe në konfrontim me ideologjitë tjera. Pika kyçe e librit “Shenjë jete” është njeriu. Faleminderit për vëmendjen!”

Me lexime poetik në gjermanisht dhe shqip u paraqitën Regip Dragusha, Anton Marku, Peter Paul Wiplinger dhe Besim Xhelili. Në fund IZ organizoi koktej rasti për dashamirët e artit, ku u bisedua nga afër me shumë krijues.

 Jehona Muja Sukaj, Besim Xhelili, Peter Paul Wiplinger,

Gjergj Dedaj dhe çifti Dragusha.

********************************************

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura