SALAJDIN BRAHA – NJЁ JETЁ NЁ SHЁRBIM TЁ KOMBIT

SALAJDIN BRAHA – NJЁ JETЁ NЁ SHЁRBIM TЁ KOMBIT

Lindi në vitin 1938 në Bicaj. Ishte i nënti, nga dymbëdhjetë fëmijët, i familjes së madhe të Jakup e Halime Brahës, të njohur për atdhetarizëm dhe shumë arsimdashëse. Në Luftën antifashiste, nga radhët e saj ranë dëshmorë të atdheut vëllau i tij i madh, Merimani, që kishte të kryer gjimnazin e Shodrës dhe motra, Lihe.

Salajdin Braha 1938 – 1998

Shkollën fillore e filloi në Prizren, por ia ndërpreu, pushteti represiv jugosllav, në fillim të klasës së pestë, për shkak të internimit familjar në janar të vitit 1949, në Kovollivo të Vojvodinës. Ky ishte një dënim kolektiv i familjes, me një shkëputje totale nga lidhjet dhe ndikimi shoqëror, për shkak të kundërshtimit të mbetjes së Kosovës nën Serbi, krejt ndryshe, nga qëndrimi dhe premtimi, i bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që, në saje të luftës së armatosur antifashiste, t’i njihej popullit shqiptar e drejta për vetëvendosje dhe të realizohej në praktikë, duke u bashkuar natyrshëm me Shqipërinë, shprehur shumë qartë e të vendosur në Konferencën e Bujanit, që u mbajt më 31 dhjetor 1943 e deri me 2 janar 1944.      
Vendi ku u internuan ishte një fshat, që ishte kthyer, si shumë fshatra të tjera, në kamp internimesh të popullsisë vendore gjermane e hungareze të Vojvodinës, që përbënin mbi dy të tretat e banorëve të saj. Në programin shtetëror të Serbisë e Jugosllavisë së Re, në nëntor të vitit 1944, ishte aprovuar dhe po realizohej në praktikë, elaborati i Çubrilloviqit, për spastrimin etnik të Jugosllavisë nga pakicat gjermane, hungareze, italiane dhe shqiptare, duke i shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre.

Në Vojvodinë e Sllavoni, në atë kohë, kanë jetuar rreth një milionë gjermanë, që i quanin, folks dojçer, dhe rreth shtatëqind mijë hungarezë. Pasuritë e tyre, të luajtshme e të paluajtshme, ishin konfiskuar në tërësi nga shteti jugosllav, sidomos të gjermanëve, si dënim kolektiv, për përkrahjen e fashizmit.
Ndaj atyre, tashmë, të etiketuar si fashistë e nazistë, si etni, kishte filluar zbatimi i dëbimit kolektiv, si ndëshkim për humbësit e luftës. Në mesin e tyre u gjet edhe Salajdini e familja e tij, shtatë anëtarëshe, me pesë fëmijë të mitur, tashmë, shumë e njohur për kontributin e saj të çmuar në luftën antifashiste. Për një familje antifashiste, të gjendur në mes të internuarve fashistë, ishte një dënim shtesë,i jashtëzakonshëm dhe i paimagjinueshëm.

Familja e tij, së bashku me katër familje të tjera shqiptare, familja Totaj, nga Gjonaj të Hasit, familja Shatri nga Tomoci i Istogut, familjet Morina  e Trasha nga Peja, si dhe familjet Alishani e Maloku nga Prizreni, në Zemunpolje e Surçin, u vendosën në stalla të mëdha lopësh. Ato, ashtu të vendosura në stallë, në mes të 100 lopëve, ishin të privuar nga ngrohja, dhe, acarin e atij dimri të egër, e kanë kaluar pa zjarr e pa ngrohje, në një boks lopësh, prej 25-30 metrash katror. Ankesat e tyre, për kushtet e paimagjinueshme të jetës, për rrezikun nga ngirja, nga zgjebja e infeksionet tjera, ishin refuzuar kategorikisht, duke i cilësuar si kushte të përshtatshme për armiq, dhe “nëse ngrihen lopët, ngrijuni edhe ju, sepse do të kemi armiq më pak!” Avulli i atyre lopëve u bë  shpëtimtari i familjeve shqiptare të internuara në Banat.

Gjermanët e interuar, që ishin jashtëzakonish shumë dhe shumica gra, fëmijë e pleq, ishin vendosur nëpër baraka të ndërtuara enkas për ta, që ishin në pritje të deportimit, u kujdesën për familjet shqiptare që ishin vendosur në kushte çnjerëzore. Ata treguan një solidaritet të paparë me familjet shqiptare, që u vendosën në kushte absurde dhe skajshmërisht jo humane, duke ju sjell veshmbathje, që  në njëfarë mënyre, të mbroheshin nga të ftohtit dhe të mbijetonin.  

Ata, që i kishin sjell dhunshëm këtu, për të dyja palët ishin armiku i përbashkët, andaj, vlente, në rrethana të tilla, sentenca se, armiku i armikut tim, është miku im!

Atyre, krahas shpronësimit të tërë pasurisë së tyre, u kishin ekzekutuar pa gjyq, arbitrarisht, si fashistë, rreth 50.000 gjermanë e rreth 30.000 hungarezë, që, në pjesën më të madhe, janë zbuluar në varrezat masive, nga Komisioni shtetëror serb, pas viteve 2010. Në vitin 1945 dhe 1946, mbi 50.000 mashkuj të përzgjedhur gjermanë, ishin dërguar në Bashkimin Sovjetik, si fuqi krahu për minierat e Siberisë dhe, askush prej tyre, nuk është kthyer i gjallë.

Në vitet në vijim, deri në vitin 1952, të gjithë të internuarit gjermanë, rreth 800 mijë deri në 1.000.000 janë deportuar me dhunë në Austri dhe Gjermani, ndërsa, janë deportuar afër 350.000 hungarezë në Hungari dhe mbi 100.000 italianë në Itali. Shqiptarët, në Kosovë me vise, e kanë paguar mbetjen nën robërinë sllave me 89 mijë të vrarë, sipas Xheladin Hanës, dhe me shpërnguljen e 350 mijë të tjerëve në Turqi, si turq.       
Kampet e internimeve kanë shërbyer edhe si kooperativa të mëdha bujqësore, dhe toka e braktisur dhe shtëpitë u janë ndarë kolonistave të rinj serbë. E tëra, pra, është bërë me dhunë për ndryshimin e strukturës së popullsisë të territorit të pushtuar në Veri dhe në Jug të atij shteti.

Në këto rrethana Salajdini, duke qenë njëri prej pesë fëmijëve minorë të familjes Braha, të internuar, ishte i privuar nga e drejta për të vazhduar shkollimin, ashtu si edhe fëmijët e familjeve të internuara gjermane. Vetëm pas kthimit në Kosovë, në vitin 1953 ai arriti të vazhdojë shkollimin, duke kryer tetëvjeçaren dhe Shkollën Normale në Prizren. 

I etshëm për të edukuar brezin e ri të popullit tonë, filloi punën si mësues në vitin 1962/63 në Zym të Hasit. Që në fillim u vërejt një entuziazëm në punën e tij edukuese me një përkushtim prej idealisti arsimor. Pas një viti pune në Zym, e transferuan në Suharekë, ndërsa në vitin vijues në Mushtisht e pastaj, pas rënies së Rankoviqit, për shumë vjet e vazhdoi punën e mësuesit, në Korishë, në shkollën “Sezai Surroi”.

Kudo që punoi ai krijoi imazhin e shkëlqyer të mësuesit, edukatorit që u bë shembull për mësues të tjerë. Ishte i dashur dhe gojëmbël me nxënësit dhe prindërit e tyre, aq sa me ëndje e takonin dhe e ndjenin raportin e tij prej njeriu shpirtbardhë e të sinqertë. Ai punonte me kujdes që tek fëmijët, krahas mësimit të alfabetit dhe të njohurive mësimore, të ngjallet dhe të forcohet ndjenja kombëtare shqiptare, e cila asokohe, nën trysninë e makinerisë shoviniste serbo-jugosllave, po shtypej, po zvetnohej, po nëpërkëmbej, me qëllim përfundimtar që të zhbëhej tërësisht.

Aso kohe akoma vazhdonte trysnia për shpërngulje masive të shqiptarëve në Turqi, duke ua imponuar edhe ndërrimin e emrave e të kombësisë në turq, pa e ditur asnjë fjalë turqisht. Ndiente se, si mësues me ndërgjegje të lartë kombëtare, si patriot e mësues, ishte i thirrur ta  kryente me nder misionin e iluministit dhe ishte shumë i bindur, se, nën dorën e një edukimi të shëndoshë, do të dalin gjenerata të reja, që do t’i bëjnë ballë çdo sfide në planin personal dhe kombëtar. Konsideronte, ashtu si edhe rilindasit tanë, se vetëm “dritë e diturisë përpara do na shpie” dhe se, për këtë, duhet shumë mund, punë e organizuar, shumë durim, që mbëltimi, i ideve kombëtare te njomakët, të ishte i suksesshëm, që, si pema të rritej ndër vite, të jepte frutet e veta, t’i mbante, t’i piqte ato, e, si të tilla, t’i vilte e t’i shijonte. Kjo ishte një punë e kujdesshme, plot durim, një  gëdhendje, skalitje, latim dhe formësim i shpirtave të vegjël, që ta ndjenin e ta deklaronin, si legjitime, ndjenjën e të qenit shqiptar dhe ta flaknin tej ndjenjën e përbuzjes, poshtërimit, inferioritetit para të tjerëve, që s’kishin asgjë më shumë e të veçantë, përveç forcës represive e ligjeve diskriminuese që i zbatonin mbi shqiptarët.

Viti 1966 solli risi në nivelin politik e shtetëror të Jugosllavisë. Koncepti centralist, unitarist e hegjemonist, i deriatëhershëm, u zëvendësua me atë decentralist dhe me afirmimin më të madh të elementeve të federatës. Nga pushteti ra Rankoviqi, që u cilësua si bartës i konceptit të tillë, ndonëse, tërë kohën, nga viti 1945, në krye të federatës ishin bashkë me Titon dhe vendimet ishin të përbashkëta. Vërtet, sado që kufinjtë e jashtëm nuk ndryshuan, decentralizimi solli ndryshime të mëdha, të cilat u shfrytëzuan nga shqiptarët në të gjitha fushat. 
Në vitin 1968, që u karakterizua me demonstratat e para në Kosovë pas LDB, e sipari i tyre u hap me ato të Prizrenit, më 6 tetor, u artikuluan publikisht kërkesat e popullit tonë për avansime substanciale të pozitës së Kosovës në kuadër të federatës, që synonin barazimin e plotë të saj në strukturën organizative të shtetit. Ky ishte një imperativ i kohës, që duheshin bërë hapa të matur, por edhe të vendosur, në afirmimin dhe emancipimin e shqiptarëve në Jugosllavi.

Kërkesat bazike të tyre ishin hapja e universitetit në gjuhën shqipe, gjuha shqipe të ishte zyrtare në të gjitha nivelet, përdorimi i lirë i flamurit e i simboleve kombëtare shqiptare, aprovimi i kushtetutës së Kosovës. Kërkesat, më e rëndësishme të shqiptarëve ishin Kosova-Republikë dhe ajo për të drejtën e vetëvendosjes. Në atë kohë edhe Salajdini ishte shumë aktiv, me pjesëmarrje në demonstratë, me diskutimet publike për deformimet e organeve të brendshme ndaj shqiptarëve, qoftë në kërkesat për riformësimin e organizimit shtetëror, deri te njohja e të drejtës për vetëvendosje për popullin shqiptar, mbi bazën e Rezolutës së Konferecës së Bujanit.

Në vitet në vijim, disa nga kërkesat e demonstratave të tetorit e nëntorit të vitit 1968, u realizuan, disa u realizuan pjesërisht, por e drejta për vetëvendosje nuk u njoh kategorikisht. U formua universiteti, u lejua dhe u bënë zyrtare simbolet kombëtare shqiptare, gjuha shqipe u bë zyrtare, deri në nivele federative, u aprovua kushtetuta e Kosovës, e cila u bë element konstitutiv i federatës, si risi, që ishte një avancim i madh për kohën, por nuk arriti të bëhej republikë, krejtësisht e barabartë me republikat tjera dhe nuk iu njoh e drejta për vetëvendosje.

Ato që nuk u realizuan deri atëherë, vazhduan të kërkohen me ngulm në vitet në vijim, që kulmoi me shpërthimin masovik të demonstratave të vitit 1981. Ato, që ishin më masoviket të bëra deri në atë kohë, që u përgjakën me rënien e dhjetëra studentëve, me plagosjen e qindra të tjerëve dhe me burgosjen e mijëra të rinjve shqiptar, u përkrahën, u arsyetuan dhe u mbështetën  edhe nga Salajdini, qoftë si formë, qoftë si përmbajtje kërkesave.

Për këtë shkak ai u burgos, së bashku me vëllaun, Qemalin, dhe u mbajtën plotësisht të izoluar, duke i konsideruar fort të rrezikshëm për shtetin. Vendin e izolimit ia caktuan në burgun e Lipjanit. Gjatë qëndrimit të tij në izolim ai u muar shumë herë në pyetje. Para organeve të hetuesisë nuk ngurroi për asnjë moment të mbrojë kërkesat e drejta dhe legjitime të rinisë studentore dhe të gjithë popullit, ndërsa gjykoi arbitraritetin dhe dhunën brutale të përdorur kundër tyre. Në mungesë të provave lirohet nga izolimi, por vazhdon intenziteti i mbikëqyrjes hap pas hapi. 

Pas izolimit, që ishte një proces i kamufluar hetues, dhe ishte shtrirë në tërë Kosovën, ai, iu nështrua një diferencimi të gjërë ideo-politik, të bërë nga organet shtetërore, dhe, i cilësuar dhe i vlerësuar si, moralo-politikisht i papërshtatshëm, u përjashtua nga arsimi dhe, për ta pasur nën survejim të plotë, e çuan me punë në fabrikën e këpucëve në Prizren. Në të njëjtën kohë u përjashtuan me diferencim si të papërshtatshëm ideo-politikisht, edhe e motrat, Hajrija e Lemanja dhe dhëndërri, Uka, Vehbiu, Ymer Kuka, shoku i tij i ngushtë dhe një mori atdhetarësh të tjerë.

Më kot u ankuan dhe e mbrojtën prindërit e nxënësve të tij, deri në instancat më të larta shtetërore, duke arsyetuar se ai kryente me përkushtim detyrën e mësuesit, se ishte model i arsimtarit të devotshëm, se nxënësit e adhuronin  dhe se ishin jashtëzakonisht të kënaqur me punën e tij edukative-arsimore dhe largimi me detyrim prej pune do të ishte një humbje e madhe për shoqërinë, do të krijonte një pakënaqësi të arsyeshme ndër ta, prandaj, duke qenë aq pozitiv, duhej të vazhdonte punën. Por organeve shtetërore u pengonte pikërisht ky vlerësim dhe ky autoritet në masë i fituar mbi bazën e punës së bërë me devotshmëri.

Ai mbeti jashtë procesit arsimor dhe ditarin s’do ta  marrë kurrë më në dorë, duke e privuar nga puna që i jepte aq shumë kënaqësi. Ndonëse pa ditar në dorë dhe jashtë godinave shkollore, Salajdini vazhdoi të ishte edukator i brezit të ri dhe këtë e bënte kudo dhe pandërprerë. Punën që e bënte në fabrikë ishte krejtësisht jashtë dëshirave të tij dhe, natyrisht, e vriste  më së shumti mungesa e orës së mësimit, mungesa e nxënësve, gëzimi i tyre, përpjekja për të nxënë mësimin dhe shikimi i tyre kërkues dhe ëndërrues, që lidhej me të ardhmen e tyre. Por edhe aty, në mesin e punëtorëve, ai gëzon një respekt shumë të madh dhe secili ndihej mirë dhe i nderuar të ishte pranë tij e në shoqëri me të. Shkëputja e tij nga procesi edukativ-arsimor ishte një humbje e madhe për të dhe njëkohësisht edhe për gjeneratat e reja të popullit, por, në njëfarë mënyre, gjente satisfaksion tek fakti se gjeneratat e edukuara prej tij, tashmë, kishin nisur të merrnin rrugën e tij, dhe, shumë prej nxënësve të tij, ishin të zëshëm e në ballë të zhvillimeve të reja shoqëro- politike.

Në vitin 1988/89 është në radhën e protestuesve kundër ndryshimeve kushtetuese në Kosovë, të cilat tashmë rrënonin qenien edhe të asaj pak autonomie që kishte mbetur. Së bashku me punonjësit e tjerë nga kolektivi i tij punues dhe të shumë qytetarëve të tjerë nga Prizreni, niset në këmbë, nga Prizreni për në Prishtinë, në marshimin demonstrues e protestues, kundër vendimeve arbitrare të Serbisë.   

Më 28 mars të 1989, së bashku me rreth 250 intelektualë shqiptarë të përzgjedhur, si kundërshtues të vendosur të suprimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia e Madhe dhe hegjemoniste, burgoset dhe me autobusin e mbushur me aktivistë të tillë dërgohet në Prishtinë. Po atë ditë zhvillohen demonstrata të mëdha e të përgjakshme në Prishtinë e në mbarë Kosovën. Vetëm në Prishtinë, atë ditë, u vranë 25 demonstrues, që e kundërshtonin aneksimin e Kosovës me Serbinë, që ishte fillimi i konflikteve të armatosura në Jugosllavi, të nxitura nga Beogradi, për krijimin e Serbisë së Madhe. 

Atje e bëjnë bashkë me grupin e përzgjedhur në Prishtinë, ku ishte edhe vëllau i tij, Meriman Braha, dhe i dërgojnë për në burgun e Leskovcit. Në mbrëmjen e asaj dite, disa autobusë, me të burgosur politikë të Kosovës, kishin arritur në Leskovc, ndërsa në rrugët e këtij qyteti kishin vërshuar mijëra qytetarë të tërbuar të Leskovcit. Dukej qartë se ata ishin njoftuar për arritjen e “peshqeshit” dhe ishin në ekstazën e linçimit të tyre publik. Ndryshe nga koha otomane, kur sulltanit i çoheshin kokat e prera në tepsia, si dhuratë e dëshmi, të eliminimit të rebelëve, që ishin, në fakt, patriotë të vendit, këtyre, vozhdave të Beogradit, u dërgoheshin, rebelët e gjallë, që kërkonin të drejtat e tyre, që të rrjepeshin për së gjalli e në fund t’u priteshin kokat para tyre, që kënaqësia e sadistëve të përmbushej. 

Autobusët u ndalën në rrugë, u rrethuan nga masa e egërsuar dhe e shpërfytyruar, që godiste dyer e dritare, që të hapeshin e të fillonte linçimi publik e ploja e përgjakshme, si ceremoni e triumfit shtetëror serb mbi shqiptarët. Dikush i tha diçka masës, ajo me shumë vështirësi u hap, autobusët kaluan, njëri pas tjetrit, të përcjellë me britma shtazarake, nën tensione të papara, dhe u futën në oborrin e madh të burgut. I zbritën një nga një dhe nga autobusi dhe deri në hyrje të burgut nuk u prekshin këmbët në tokë nga të rënat e policëve shoqërues. Atje i renditën në dy rreshta në një korridor të gjatë e të ngushtë. Nga hapësira përbri dëgjohej britma e njërit prej shokëve, të cilit i kishte ardhë radha, që hynte në makinën e përpunimit fizik me goditjet e panumërta, çjerrjet e sharjet, të 20-30 hetuesve të çmendur, të bërë rreth, që bënin orgji e shfrynin urrejtjen patologjike mbi trupin, plotësisht të zhveshur, të irredentistit të qelbur, derisa ai të plandosej për betoni pa ndjenja. Ndalja e britmave të tij, tregonte si i kishte ardhë radha tjetrit, e tjetrit, deri te i fundit, që kalonte nëpër këtë procedurë.    
Salajdin Braha e kishte parë çuarjen e vëllaut të vet, Merimanit, nga autobusi në brendi të godinës së burgut dhe ishte ngritur në këmbë nga sikleti i përjetuar, por ishte krejtësisht i pafuqishëm për të bërë diçka. Meqë burgu i Leskovcit ishte mbushur me armiq, të sjellë nga Kosova, Salajdinin, me grupin e ardhur nga Prizreni dhe Gjilani, i dërgojnë në burgun e Prokuples, disa të tjerë në atë të Vrajës.  

Edhe në Prokuple, ku u mbajt dy muaj, nuk pati ndonjë ndryshim. Ai u torturua brutalisht dhe u mbajt plotësisht i izoluar, në vetmi, duke u marrë shpesh në pyetje. Para hetuesve, nën trysninë e jashtëzakonshme psiko – fizike, ai mbrojti kërkesat e demonstruesve, Kosova – Republikë, ndonëse, tashmë, ishte anuluar plotësisht autonomia e saj dhe zyrtarisht ishte shkrirë në Serbi, që ishte, vetëm fillimi i planit për të zbatuar spastrimin etnik. 

Në vitet ’90-ta Salajdini ishte shumë aktiv në Pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave brenda shqiptare, që ishte një aksion gjithpërfshirës, parapërgaditës për konfontim me Serbinë, si armik real dhe i vetëm. Për të zbutur sadopak gjendjen e krizës së përgjithshme ekonomike u angazhua në themelimin e aksionit të famshëm humanitar “Familja ndihmon familjen”, me ç’rast u lidhën mbi 7 000 familje ofruese të ndihmës, dhe po aq të shfrytëzimit të saj, ndihma këto që lidhnin viset e ndryshme të Kosovës. Një pjesë të mirë të aktivitetit të tij i kushtoi edhe ndërtimit të pluralizmit politik në Prizren me rrethinë me krijimin e disa partive të ndryshme (LDK, PPK etj), të cilat zhvillonin aktivitete të ndryshme organizative, qoftë me faktorin vendor, qoftë me atë ndërkombëtar. Të gjitha këto veprimtari bëheshin në funksion të zënies së pozitave më të favorshme konfrontuese me Serbinë.

Duke qenë një personalitet me shumë influencë, me veprimtari të palodhshme dhe shumëdimensionale, ai u zgjodh deputet i Republikës së Kosovës, në zgjedhjet e para, por akoma nën robërinë e egër sllave, që u mbajtën më 24 maj 1992. Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm, se asgjë nuk kishte marrë fund, se e rënda do të vazhdonte të rëndohej edhe më shumë, derisa një ditë, edhe në Kosovë, sikurse në Slloveni, Kroaci e Bosnje, të shpërthente lufta e armatosur, e cila mbetej shpresa e fundit për zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare. Prandaj, me tërë qenien i ishte dhënë organizimit të saj, por, në kushtet e një invadimi serb me tërë arsenalin politik, policor e ushtarak, gati, quhej e pamundur që për kohë më të gjatë, veprimtaria e tij të mbetej e padiktuar dhe e pa ndëshkuar.

Për shkak të veprimtarisë së tij u burgos në vitin 1993 dhe u torturua brutalisht nga organet e sigurimit serb, duke e përjetuar edhe infarkt gjatë një seance torturimi fizik, me ç’rast ra në koma për disa ditë. Në torturimin e tij u treguan të zellshëm edhe disa shërbëtorë shqiptarë, që më parë e kishin hedhur Xhemajli Berishën (më 6 prill 1989) nga dritarja e katit të katërt të UDB-ës së Prizrenit, duke e kualifikuar si vetëvrasje.

Ndonëse ishte ndër përgjegjësit kryesorë të këtij organizimi, gjatë torturave nuk arritën të zbulojnë asgjë nga ai, ndërsa lidhjet e tij direkte ishin njoftuar dhe evakuuar me kohë. Pas disa muajsh burgimi, duke mos arritur të lidhnin fijet e veprimtarisë së tij ilegale, u detyruan ta lirojnë nga burgu në mungesë provash.

Doli nga burgu aq i dërrmuar fizikisht, sa iu desh të mbahej e të qëndronte, thuaja, pranë secilës shtyllë elektrike, derisa e vëren dhe e ndihmon, miku, Sabit Jusufi, që e çon në shtëpi me makinë. Për të rimarrë fizikisht veten iu desh të trajtohej një kohë të gjatë, për të cilën gjë pati kujdesin e jashtëzakonshëm të gruas së vet, Naxhijes, dhe të katër fëmijëve të tij. Ndonëse ishte në kushte të rënduara fizike, me infarkt të përjetuar gjatë torturave, me dobësim të madh fizik, ai qëndronte shpirtërisht i fortë, që ishte shtysë për të tjerët se puna duhej të vazhdohej me vendosmëri dhe me përkushtim edhe më të madh. 

Në kohën, kur kishte pllakosur segregacioni i plotë në arsim, kur nxënësit e arsimtarët shqiptarë ishin privuar nga e drejta e organizimit të mësimit shqip në shkolla, kur bëhej edhe helmimi i tyre, ai e mbështeti dhe ndihmoi, me tërë qenien e tij, organizimin e shkollave shqipe nëpër shtëpi private, si formë e qëndresës së popullit karshi synimeve shkombëtarizuese të politikës serbe, rezistencë kjo që dha rezultate të para të organizimit shtetëror të pavarur të Kosovës në fushën e arsimit.

Luftën e armatosur për çlirim, nga okupatori serb, e konsideronte si domosdoshmëri të imponuar, sepse ajo po vinte pas tri luftave të padrejta e të humbura të  Serbisë, me Slloveninë, Kroacinë e Bosnjën. Kjo e fundit, e katërta, ishte me Kosovën e popullin shqiptar, duhej të përfundonte, sipas projekteve të tyre çubrilloviqiane, me spastrimin e plotë etnik të shqiptarëve nga trojet e veta, të trashëguara nga lashtësia historike, që u mungon serbëve. Sipas tij, një luftë e drejtë, por krejtësisht e pabarabartë ushtarakisht, nuk mund të bëhej e suksesshme pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar, prandaj i kishte kontaktet me zyrtarët amerikanë dhe shpresonte se ndihma e tyre do të bëhej faktori vendimtar në përballje me Serbinë.

Për kontaktet me ta pati shpesh telashe me organet shtetërore serbe, të cilat, ishin të bindura, se ata, në fund të fundit, do ta zgjedhnin Serbinë e jo Kosovën, në saje të miqve të saj të përhershëm e të fuqishëm, si Rusia e Kina. Por ndodhi ajo që nuk e prisnin dhe ndihma i shkoi popullit të rrezikuar nga gjenocidi serb.

Shëndetit i rrënuar nga torturat e shumta e të rënda, ndonëse ishte plotësisht i involvuar në organizim, nuk e lejoi t’ju bashkohej fizikisht njësive të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Në periudhën e fundit të zhvillimeve dramatike në Kosovë, gjendja shëndetësore iu përkeqësua dhe, kur liria po i afrohej Kosovës, për të cilën punoi dhe veproi tërë jetën, më 12 nëntor të vitit 1998, zemra e tij pushoi së rrahuri. Ai vdiq në Prizren, vetëm pak muaj para çlirimit të plotë të Kosovës prej Serbisë, duke i lënë asaj dhe tërë popullit shqiptar shembullin e vet të shkëlqyer të atdhetarit, që tërë jetën, deri në vetmohim, punoi për atdhe, për popull dhe liri.

Ajo, që ishte kërkuar në Konferencën e Bujanit, që u kërkua, disi e modifikuar për kohën, në vitin 1968, e drejta për vetëvendosje, në masë të madhe u realizua në vitin 1999, me dëbimin  e ushtrisë e policisë serbe nga Kosova dhe, më vonë, me shpalljen e Pavarësisë së saj. Gjeneratat, që trashëgojnë këtë arritje të madhe   e historike të popullit tonë, duhet ta çmojnë lart punën e gjeneratave paravajtëse, duhet t’i ruajnë e t’i mbrojnë me fanatizëm të arriturat dhe  të punojnë vazhdimisht e me mençuri për përparimin, prosperitetin e për avancim të mëtejmë të çështjes kombëtare, duke i konsideruar të pambyllura e të papërfunduara shumë çështje. Ky është edhe amaneti i Salajdin Brahës dhe i idealistëve, që punuan për këtë ditë të ndritur.

Kujtimi i shembullit të tij do të jetojë brez pas brezi e përgjithmonë!

Meriman Braha, Prishtinë, më 4 korrik 2026

ALBUMI I SALAJDIN BRAHЁS


———— 

Shtojcë e pashtrikut

Intervistë – Meriman Braha, Prishtinë | Datë: 21 prill, 2022

*

Meriman Braha, Intervistë/ Pjesa e Parë

*

Meriman Braha, Intervistë/ Pjesa e Dytë

*

Meriman Braha, Intervistë/ Pjesa e Tretë

*

Meriman Braha, Intervistë/ Pjesa e Katërt

Meriman Braha, Intervistë/ Pjesa e Pestë 

Meriman Braha, Intervistë/ Pjesa e Gjashtë

Meriman Braha, Intervistë/ Pjesa e Shtatë

Sheradin Berisha © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura