Pashtriku.org, 26. 05. 2014 – Fshati Koretin është shumë afër Kamenicës. Në fëmijërinë e herëshme, dëgjoja shpesh biseda për Koretinin në familjen tonë. Koretini përmendej, sepse gjatë LDB-së familja jonë kishte jetuar në Koretin dhe gjithënjë përmendej se axha Mursel ishte plagosur në Koretin dhe që pas disa ditëve kishte ndërruar jetë në spitalin e Prishtinës. Gjithënjë e fantazoja atë qerre me kuaj, që e kishte bartur axhën Mursel prej Koretinit deri në Prishtinë. E mendoja se si do të ketë ndjerë dhimbje dhe gjaku do t´i ketë rrjedhur prej qerres e do të jetë përzier me pluhurin e rrugës.Axha Mursel ishte varrosur në varret e Gjilanit,por sot nuk ka asnjë gurvarri që të dihet ku pushojnë eshtërat e tij. Prandaj kur shkova në vitin e parë në Gjimnaz të Kamenicës, dhe fillova të banoj në Koretin te daja Dalip, kishanjë ndijesi të veçantë për këtë fshat. Pranvera e vera i shpaloste një bukuri shumë joshëse fshatit dhe dajës Dalip i thoja, Koretini është Elbasan i vogël-kërthizë e Shqipërisë. Pikërisht në Koretin në një ditë korriku ose gushti të vitit 1977, u ula me lexuar gazetën Rilindja, e mbaj mend që isha në koridor, ku verës e përdornim si dhomë për shkak se ishte freskët. Në rrugë ca fëmijë luanin me “Pupëza” dhe pranë tyre kaluan co gra që kokën e kishin mbuluar me çarçaf që ishin me kutiza të kuqe e të bardha,ndërsa nga një radio aty pranë ku Radio Prishtina emitonte një këngë të Nazmije Hoxhës.
– ILMI RAMADANI –
Daja Dalip ishte ulur përballë meje dhe pinte kafe, duke e shoqëruar me cigare Bozhur. E hapa Rilindjen dhe pas pak minutave e hasa shkrimin që tregonte, se në Burgun e Pozharevcit kishte pasur revolta,ku kishte edhe të vdekur. Ja lexova lajmin dajës Dalip dhe i shpreha brengën se në këtë burg ishte nipi i familjes sonë, djali i hallës Lalifere-Ilmi Ramadani. Që të dy u zhytëm në mendime dhe secili në vete filluam të mendonim për këtë ngjarje. Dikur dolëm e bëmë një shetitje kah lumi Kriva Reka dhe më dukej se lumi sillte ushtimën e maleve prej Gollakut, por asnjëherë nuk munda t´i largoj mendimet prej asaj që lexova.Në mbrëmje shkova te prindërit e Ilmut,te halla dhe axha Selman. Ishin vetëm dhe axha Selk ishte shumë i zymtë, dhoma ishte mbushur me tym duhani. Kur më panë u gëzuan që do të jemi tre dhe biseda do të bëhet më e gjerë e që do të kishin me kë të shprehnin bregat. I pyeta për lajmin, por nga burgu nuk kishte ardhur asnjë lajm, çdo gjë e kishte mbuluar heshtja… Në mur ishte e varur fotografia e Sylë Zarbincës, që mu bë se na shiqonte çuditshëm… Si e kujton sot pas 37-të viteve këtë ngjarje Ilmi Ramadani? Pas hetimeve shumë të rënda, me shumë e shumë tortura në burgun hetues të Prishtinës, më në fund na Gjykuan me shumë vite burg. Në krye të aktakuzës ishte Adem Demaqi, i cili u dënu me 15-të vite burg,pastaj ishte Skënder Kastrati, Hasan Dermaku, Selatin Novosella, Osman Dumoshi etj, e në mesin tonë ishte edhe martiri i më vonshëm Rexhep Mala.Prej burgut hetues të Prishtinës më dërguan në burgun hetues të Pejës e pastaj në Burgun e madh të Pozharevcit. Paralel me ne që u denuam në Gjyqin e Prishtinës u dënuan edhe një grup shokësh në Gjyqin e Vranjës, në mesin e tyre ishte Fazli Avdullahu, Jetullah Arifi etj. Kur më dërguan në burgun e Pozharevcit, aty ishin edhe disa shokë të tjerë, por që ishin sistemuar në Pavione të tjera dhe punonin punë të ndryshme. Kur të dërgonin për herë të parë në burgun e Pozharevcit, në fillim të mbanin në Pavionin pranues dhe disi këtu bëhej ndarja prej ,,botës civile,, sepse këtu të jepnin uniformën e burgut dhe zakonisht të jepnin rroba të vjetra dhe numra të mëdhenjë. Besoj që numrat e mëdhenjë i jepnin që me ndikuar te i burgosuri në mënyrë psikologjike,duke ta bërë me dije se po fillonte një jetë tjetër e barabartë me ferrin,veç se mungonte në derë thënja e Komedisë hyjnore ,,O ju që hyni këtu humbeni shpresën e shpëtimit,, Në këtë objekt pranues, qëlluan edhe dy të burgosur nga Kosova, pikërisht prej Mitrovicës, të denuar për krime ordinere.Ndërsa në depon për veshëmbathje punonte, gjithashtu një i dënuar shqiptar nga Klina e Kosovës,i dënuar për vrasje i cili quhej Gjergj Gergji. Kur na i dhanë uniformat e pashë se mua ma kishin dhënë uniformën e re, dhe këtë e kishte bërë Gjergji, por uniformë të re kishte edhe një i burgosur tjetër të cilén gjë e vërejta gjatë shetitjes. Ky i burgosur, kishte qenë njeriu famëkeq i nëntokës jugosllave dhe ndërkombëtare Lubo Zemunaçi. (Lubo Zemunaç i lindur si Lubomir Magash në vitin 1948-të,ka qenë një ndër njerëzit më të rrezikshëm të nëntokës në Frankfurt të Gjermanisë për disa vite me radhë, ku edhe është vrarë me 10 Nëntor 1986 afër ndërtesës së Gjyqit të Frankfurtit, prej njeriut të tij i qujatur Goran Vukoviç) Këta dy të burgosurit shqiptarë prej Mitrovice, kishin bisedë me Zemunaçin dhe ky nëpër mes tyre,gjatë shetitjes i ndrroj disa fjalë me mua rreth uniformës së burgut që ishin të reja,unë për mirësjellja u kyça në bisedë, por isha shumë i kursyer. Pastaj na shpërndanë nëpër Pavione dhe mua më dërguan bashkë me Mitrovicalit në Pavionin 2,ku pjesa dërmuese ishin të burgosur të moshës së re,por nuk kishte shqiptar të tjerë. Pas disa ditësh më caktuan me një punë në Metalurgji, shumë të rëndë dhe tepër të rrezikshme për të pësuar lëndime.E mira e kësaj në tërë këtë të keqe ishte se i takova shokët:Selatin Novosellën,Irfan Shaqirin,Fatmir Salihun, Jashar Aliun, Jetullah Arifin, Fazli Abdullahun etj… Këtu e takova edhe të burgosurin e famshëm Vllada Dapçeviçin (Vllada Dapçeviçi ka lindur më 1917-të. Ka qenë pjesëmarrës i LDB-së dhe në vitin 1948-të ka pasur graden Kolonel. Par Rezolutës së Brineve dhe të Kongresit të V-të, tentoj të arratiset jashtë Jugosllavisë bashkë me Gjeneralin Arso Jovanoviç dhe Branko Kada Petroviç.Gjatë tentimit për arratisje Gjenerali Jovanoviç u vra ndërsa Dapçeviçi me Petroviçin u zunë. Me këtë rast u dënu me 20 vite burgim ku një pjesë e vuajti në Golli Otok.Pas 8 viteve u lirua dhe né vitin 1958-të u arratis në Shqipëri e pastaj nëpërmes Rumanisë kaloj në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë. Në vitin 1975-të Vllada Dapçeviç u kindapua në Bukuresht nga ana e UDB-ës jugosllave ku gjatë akcionit iu vranë dy bashkëpuntorë. Në Jugosllavi u dënue me vdekje-pushkatim,dhe dënimi iu këthye ma vonë në 20-të vite.U lirua më 1988-të dhe u përzu nga Jugosllavia, për tu këthyer më 1990-të.Vllada Dapçeviç me bindje komuniste, më 2001)Për refuzim të punës të dërgonin në vetmi, kështu që shokët më porositën që të ankohem se po kam frikë prej makinave të mëdha,dhe kështu bëra.Kërkesen time e morën parasyesh dhe më dërguan të punoj në repartin e elektros. Përveç gjatë punës, me shokët takoheshim vikendeve në një shetitje të përbashkët,ku luanim edhe futboll.Këtu u njoha me Gjergj Gjergjin, që e përmenda më lartë,me Avdiun nga Rugova e Pejës, Milaimin nga Tetova të gjithë të dënuar për vrasje. Në një muaj të verës, një ditë vikendi dolëm në shetije te stadioni, i cili ishte në kuadër të ndërtesave të burgut. Atë ditë me ne nuk doli Fatmir Salihu prej Gjilanit,prej Pavionit V-të ku pikërisht filloj revolta e të burgosurve. Në fillim u zunë peng gardianët së bashku me të burgosurit serb dhe shqiptarë dhe në këtë mënyrë kanë dashtë që të bëjnë trysni mbi drejtorin e burgut për plotësimin e kërkesave të tyre, që ishin për kushte më të mira në burg.Por,të burgosurit serb kanë ndrruar mendje dhe kanë filluar t´i sulmojnë të burgosurit shqiptarë. Gjatë përleshjes të burgosurit shqiptarë therrin me thikë një gardian ndërsa disa të burgosur serb marrin plagë të rënda,që dy prej tyre vdesin. Ne që ishim në stadion e dëgjuam alarmin që me gjuhën e burgut, i thonim gongu,që bënte thirrje me u këthyer në Pavione. Gardianét na përcillnin gjatë rrugës së këthimit dhe filluan me i nxitur të burgosurit serb me na sulmuar. Kur kaluam afër Pavionit V-së vërejtëm të burgosur të përgjakur, dhe gardian që iknin në panik. Mendohet se më i ashpëri prej të burgosurve shqiptarë ishte Avdiu prej Rugovës dhe gardianët iknin pikërisht prej tij. Neve na mbyllën nëpër Pavione, por situata u tensionua sepse gardianët ju thanë të burgosurve serb se në Pavilonin e V-të u bë kërdia prej shqiptarëve.Të burgosurit serb që ishin me ne në Pavion,në Pavionin e V-të ku zhvillohej revolta kishin familjar ose shokë, edhe nxitjen që ju bënin gardianët, situata u bë shumë e rrezikshme për ne shqiptarët.Në një moment na rrethuan në tërë anët,por duke ju falenderuar një të burgosuri vllah,turma e të burgosurve serb u qëtësua për një moment. Sulmi i dytë ishte më i rrezikshëm sepse erdhën të burgosur serb edhe prej katit të dytë. Pas meje dhe dy mitrovicalive ishin tre të burgosur serb të cilëve gjatë vizitave që na bënin familjet,ju dhuronim gjëra ushqimore,dhe kështu që kishin një lloj simpatie për ne.Kur e kanë parë se jeta jonë ishte në rrezik,njëri prej tyre e na e ka hudhur një thikë nën karrika dhe e ka kapur njëri prej këtyre shokëve të Mitrovicës. Kur e panë thikën, situata ndyshoj menjëherë dhe të burgosurit serb zunë me u tërhjekur dhe situata erdhi duke u bërë më e qetë.Pasi të burgosurit serb u tërhoqën,unë shkova në dhomën e fjetjes dhe u shtriva në shtrat,nga e gjithë ajo katrahurë më kishte pas zënë gjumi. Gjumi më doli nga britmat e gardianve që ma kishin rrethuar shtratin dhe më tërhoqën me forcë drejt derës pa më dhënë mundësi me e vesh setrën.Më nxoren jashtë ndërtesës dhe më bashkuan me shokët e tjerë ku ishin Fazli Abdullahu, Bektesh Rrudhani, Jetullah Arifi etj dhe më vonë na hypën në ,,Maricë,,të mbyllur dhe u nisën drejt një vendi tjetër duke udhëtuar me shpejtësi dhe në gjendje alarmi. Gjatë rrugës Fazli Abdullahu ma dha xhemperin e vetë se fillova të kem të ftohtë. Kur arritëm në burgun tjetër, sapo hym në oborr dëgjuam sharje, britma, ulurima dhe e kuptuam çka na priste.Na kishin dërguar në burgun e Smedervka Pallankës. Para se me zbritur prej Maricës, ja ketheva xhemperin Fazliut, edhe pse refuzonte. Kur na kanë futur në objekt kanë filluar me na sharë dhe me na rrahur, por kjo nuk ishte asgjë pas asaj që na priste më vonë. Në katin e dytë ishin rreshtuar kordoni i inspektorëve civil,gardianët nga Pozharevci dhe gardianët e burgut të Smederevska Pallankës, kuptohet ishin rreshtuar në dy anë dhe neve na detyruan të kalojmë në mesin e tyre.Mbrapa na rrinin gardian të tjerë dhe na rrihnin me lloj lloj mjetesh dhe filluam me kaluar në mes kordonit,ku nuk dihej me çka na sillnin me të gjitha mjetet e mundëshme.Koridori na u duk që u bë me qindra kilometra dhe asnjë nga ne nuk arritëm me dalur në fund të kordonit të policisë në këmbë. Na rikthyen përsëri me kaluar nëpërmes atij ferri e tmerri. Kur na dërguan të dërmuar nëpër dhoma,na urdhëruan që me i hjekur lidhëset e këpucëve,dhe deri sa ne mundohemi ashtu të rraskapitur me i hjekur lidhëset,gardianët na godisnin kah veshkët dhe në pjesët e tjera të trupit. Në dhomë na futën zvarr se nuk kishim më fuqi të ecnim. Në dhomë ishim përveç meje (Ilmi Ramadani), Fazli Abdullahu, Bektesh Rrudhani, Abazi-një ashkali i dënuar për vrasje, një musliman prej Novi Pazarit që e quanim Rizo,i cili vetë ishte paraqitur me ardhë me ne prej burgut të Pozharevcit. Abazin e kishin goditur me grusht në fytyrë,dhe ishte bukur i moshuar. Pak më vonë hyn gardianët dhe kërkuan që dikush prej nesh ta merr kënatën dhe të shkonte me mbushur ujë,meqenëse unë isha më afër kënatës, dashta me dalur, por ata ia drejtuan gishtin Fazliut dhe e dërguan në WC e torturuan përsëri dhe përveç tjerash ia futën edhe kokën në ujë, dhe as që sollën ujë fare.Në dhomë e sollën në gjendje gjysëm të vdekur, duke e tërhequr zvarrë.Në këtë gjendje na kanë lënë disa ditë me radhë, deri sa kanë ardhur prej Ministrisë së Drejtësisë që i kanë sjellur mjekët e vet të cilët ishin të urdhëruar të konstatojnë se plagët janë të lehta. Prapë nuk na lanë në këtë burg, por një mëngjes na hypën në një ,,Maricë,, të mallkuar e cila ende më kujtohet, ishte plotësisht e re. Marica ishte disi shumë e mbyllur dhe filluam të ndjejmë munges të ajrit.Brenda ishim unë Ilmiu, Fazli Abdullahu, Jetullah Arifi, Bektesh Rrudhani. Duart i kishim të lidhura me pranga dhe njëherit nuk kishim as forcë,që të tre filluam të vjellim. Mundoheshim me trokitur që të na e hapin derën të merrnim ajër, por kot askush nuk u bë i gjallë. Fazli Abdullahu ende nuk e pati marrur veten prej torturave dhe një çast mendova se ky nuk do të arrij të shpëtoj.Gjendje mjaft të rëndë pati edhe Jetullahu. Policia me qëllim kishin marrur rrugën malore. Pas disa orë torturash dhe një gjendje ku jeta dhe vdekja ndaheshin me një kufi shumë të vogël, Marica e policisë u ndal dhe na e hapën derën,ishim të rrethuar me mashinka të drejtuar në ne, por na lanë të pimë ujë te një farë korite që ishte ndërtuar për kafshët, nuk na bënte më përshtypje asgjë… Prapë vazhduam rrugën në atë makinë pa ajër,deri sa arritëm në Zajçar.Këtu kishte dalur drejtori i burgut me na pritur dhe kur na vërejti se nuk po mundemi vetë me dalur prej Maricës na shau dhe na tha,,ketu i thonë Zajçar dhe mos aktroni,,Na hoqën zvarrë dhe na futën me një dhomë ku ishin do banka të drurit ku e shtrimë Fazliun që gjendja vetëm i përkeqësohej por edhe ne nuk ishim në gjendje të mirë. Në Zajçar kushtet kanë qenë shumë të këqija,burgu ishte një ndërtesë e vjetër,pa kanalizim dhe pa nxemje.Kur shkonim në WC krimbat na ecnin nëpër këpucë dhe ishte shumë gjendje e pështirosur. Vizitat na i kushtzonin që me familjarët me biseduar në serbisht, çka ne i refuzuam dhe nuk dolëm në takim fare.Gjatë kësaj kohe pata dhimbje të veshkëve dhe u paraqita te mjeku. Kuptohet zakonisht mjekët e bënin lojën e drejtorisë së burgut dhe na shiqonin me urrejtje. Kur shkova te mjeku,aty ishte edhe drejtori i burgut dhe mjeku pa më shiquar fare, për me më dërmuar psiqikisht, më tha ,,ti ke kancer,, Unë e dija se kjo ishte gënjeshtër dhe i thash ,,ti je kriminel,, po edhe nëse e kam kancerin vazhdova do të më shërojnë mjekët shqiptarë.E dija se një presion psikologjik të ngjashëm ja kishin bërë edhe Adem Demaqit, diku me një burg tjetër të Jugosllavisë.Për koiçidencë ato ditë gazeta ditore beogradase ,,Politika,, shkruante se mjekët e Kosovës e sheruan një të sëmurë nga kanceri,pikërisht në fshatin Hogoshtë.Kur ju tregova shokëve për grindjen që pata me mjekun,më thanë përgaditu për izolim në qeli,dhe vërtet pas pak më dërguan në qeli.Qelia ishte pa dritare, dhe në vend të shtratit kishte një derë,që sa herë rrotulloheshe bije në metal… Prej kësaj skëterre jam liruar prej burgut të parë… (Si pasojë e revoltës së Pozharevcit janë dënuar me pushkatim Gjergj Gjergji, Avdiu prej Rugovës së Pejës dhe Milaimi prej Tetove.
***
SYLEJMAN E.SYLEJMANI: BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN ILMI RAMADANI
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=1903