ENIS VELIU: RAMUSH, KOSOVA NUK ËSHTË ZVICËR!

Prishtinë, 28. 05. 2015 – Nëse arrin të bëhet kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj ka premtuar pagë mesatare prej hiç më pak se 1000 euro.Përveç kësaj ai ka premtuar edhe shumë beneficione tjera për punëtorë, nëse arrin ta marrë besimin e elektoratit për t’u bërë kryeministër i Kosovës në zgjedhjet nacionale në vend, që do të mbahen më 8 qershor të këtij viti. Deklaratë e vërtetë, por vështirë e realizueshme ndonjëherë, duke u bazuar në parametrat aktualë ekonomikë të vendit. Për momentin me buxhetin e shtetit prej 1,5 miliardë euro, paga mesatare në Kosovë është rreth 300 euro e që është më e ulëta në rajon, mirëpo edhe shtete të fuqishme të rajonit nuk janë shumë larg nesh me pagë.
E nëse Haradinaj vërtet synon ta bëjë realitet deklaratën e tij elektorale, atëherë në katër vjetët që vjen buxheti i shtetit duhet të rritet në rreth 5 miliardë euro e që bazuar në trendin e deritanishëm një rritje e tillë është e pamundshme.
Haradinaj personalisht ka qenë kryeministër i Kosovës për tre muaj. Ndërkaq, pas burgosjes së tij, postin e kryeministrit e ka trashëguar Bajram Kosumi, ndërkaq partia e tij ka udhëhequr ministritë që lidhen me çështje ekonomike.

Mirëpo, edhe atëherë kanë munguar sukseset. E tash premtimet e tij sidomos në kohë fushate në parim më shumë janë mashtrim elektoral, sesa ndihmë për votuesit potencialë të tij.
Ramushi dhe partia e tij nuk kanë çka të flasin për korrupsion, reforma etj., pasi që gjatë kohës që kanë qeverisur vendin nuk kanë shprehur gatishmëri për t’i luftuar ato. Madje dukuri negative edhe në atë kohë kanë lulëzuar.
Të gjitha këto janë ditur por gjithmonë ka munguar gatishmëria politike për t’i ndalur ato.
Po ashtu, thuajse në vazhdimësi persona të partisë së Haradinajt kanë qenë pjesë të vendimmarrjes në Agjencinë Kosovë të Privatizimit, ku dallaveret me prona tashmë sa kanë filluar të dalin në shesh.
Edhe për këtë, partia dhe personat që kanë qenë të përfshirë direkt kanë përfituar tej mase e në anën tjetër Kosova është dëmtuar rëndë si në aspektin e imazhit, ashtu edhe në aspektin ekonomik.
Po rikthehemi edhe një herë te paga mesatare prej 1000 euro, për të cilën tash po flet lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Nëse bëjmë një krahasim me vendet e rajonit që kanë buxhet shumë më të lartë se Kosova shihet qarta se Kosova nuk qëndron edhe aq keq me pagën mesatare aktuale. Sipas të dhënave nga rajoni, paga mesatare në Shqipëri është rreth 380 euro, në Maqedoni 380 euro, në Bullgari 390, në Bosnjë 450 euro, në Rumani 480 euro, në Mal të Zi 530 euro, në Kroaci 800 euro, ndërsa në Slloveni është paga më e lartë mesatare rreth 1000 euro, e për ta arritur këtë të fundit po ashtu Kosova duhet ta ketë buxhetin e kësaj të fundit.
E nëse vazhdon Kosova me këtë trend të zhvillimit ekonomik paga mesatare në Kosovë mund të ulet edhe më shumë e për rritje as që mund të bëhet fjalë, kështu që premtimet e kreut të AAK-së mund të mbesin vetëm si deklarata elektorale, që mund të harrohen shumë shpejt. Rritja e punësimit dhe zhvillimi ekonomik nuk bëhen me fjalë, por me punë konkrete. Premtimet që tash po i jep Haradinaj si pjesë e opozitës ka mundur t’i bëjë realitet në kohën kur ka qenë kryeministër i vendit. E derisa në pozitë nuk ka mundur të implementojë planin e tij në praktikë, atëherë si pjesë e opozitës është e vështirë që ta bindë opinionin që mund ta bëjë një gjë të tillë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura